Pëllumb Gorica: Në sofër të artit letrar
| E Merkure, 15.05.2013, 11:13 AM |

NË SOFËR TË ARTIT LETRAR

Reportazh nga promovimi i romanit “Liridoniada”, të autorit nga Kruma Ukshin Morina

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Botimi i librave është festë e gëzueshme për çdo autor drejt rrugës së bukur të artit. Krijuesit, miqtë, lexuesit mblidhen, diskutojnë e i promovojnë si përgëzime e nderime per punën titanike, pasionin me respektin reciprok. Festa të tilla letrare janë sofra të bukura dijesh për kulturën, lexuesit dhe shoqërinë që e përfaqëson. Ato sinqerisht përjetohen këndshëm nën ngazëllimin e mbushur me emocione, sa që, s’ka se si të përshkruhet më bukur kënaqësia e gëzimeve të tilla. Asnjëherë fjalët nuk duhet të mungojnë për autorë e vlera në rrugën e mëtejshme, të vështirë e të bukur të artit.

Shkrimtari nga Kruma e Hasit, Ukshin Morina, promovoi në vendlindjen e tij, krijimin e fundit, romanin me një titull domethënës “Liridoniada”. “Romani “Liridoniada” shkruan në parathënien e tij, botuesi Anton Boçi, është një prozë bashkëkohore, që tregon më së miri përpjekjen dinjitoze për të na dhënë një dimesion krejt të veçantë prezantimi, ku me një mjeshtëri arrin të na shpalos deri në detaje aspekte, ngjarje dhe skena tronditëse rreth qëndresës dhe heroizmit të popullit liridashës të Kosovës martire”. Në ambientet modeste të biblotekës së Krumës, sofër mikëpritëse ndjenjash letrare e kulturore, promovimi i romanit “Liridoniada” të shkrimtarit Ukshin Morina me bashkëqytetarët e tij, por edhe të ftuar krijues nga Tirana, Peja, Deçani, Rahoveci, Kukësi, miq të poetit, është një përvojë e bukur e festimeve të librave. Sinqerisht për t’u përgëzuar organizimi, pjesëmarrja në këtë promovim edhe e drejtuesëve lokal të këtij qytetit me në krye kryetarin e Bashkisë së Krumës, Liman Morina, që tregon interesimin dhe mbështjetjen për kulturën në përgjithësi e artin krijues aty. Është interesant fakti se e ndjeje dëshirën e miqëve krijues për të komunikuar me fjalë vlersuese e përgëzuese dhe secili prej tyre përshëndeti ngrohtësisht autorin, duke bërë që të ngrihen lart vlerat e romanit dhe puna krijuese e tij. Fjalë, që, u shoqëruan edhe me duratrokitje inkurajuese.

Poeti dhe studiuesi Hyqmet Hasko e konsideroi promovimin e romanit “Liridoniada” të Ukshin Morinës si “një ftesë dialogu qytetar për shpalimin e të vërtetave historike. Romani “Liridoniada” është një rrëfim brilant nga pena e mprehtë e autorit rreth kalvarit që përjetuan vëllezërit tanë të një gjaku e gjuhe, genocidin e pashoq shfarosës të makinës vdektare serbosllave, në zgrip të ekzistencës sonë historike. Thekson qasjet e forta të romanit, kualitetin e lartë stilistik e gjuhësor, që dëshmon përgjegjshmërinë krijuese të autorit, thellësinë e gjëndjes shpirtërore të personazheve, pasurinë e botës së tyre të brendëshme. Natyrisht vlerson shmangjen e retorikave në materialin aq të gjërë nga autori, por theksoi edhe mjeshtërinë e mesazheve të fuqishme e dhënë ndërmjet morisë së ngjarjeve, dialogjeve, monologjeve, zhbirimeve e botën së personazheve, kronikave dhe riprodhimit të bisedave, duke e pasqyruar këtë kalvar të rëndë që përjetoi populli Kosovës, në orët e liga të historisë së tij.”

Me fjalë konçize plot ndenjë e qartësi mendimesh,si një skulpturë e qendisur vlerash të universialitetit të pakursyer të tij rrodhi fjala e poetit Esat Loshaj, Kryetar i Shoqatës së Poetëve dhe Shkrimtarëve të Pejës. “Arti i krijimit është me të vërtet një art i bukur, i cili të madhëron, të tërheq si magnet dhe që pastaj s’ndahesh dot prej tij dhe botimi është një dritare drite më shumë, në kalanë e artit dhe kulturës. Shkrimtari Ukshin Morina në romanin Liridoniada”, me botën e tij krijuese përcjellë  me anë të gjuhës së zgjedhur, fragmente jetësore për të nxjerrë në dritë të vërtetat historike. Ndër të tjera imresionuese vargjet e poetit Esat Loshaj dedikuar shkrimtarit Ukshin Morina.

Miku im poet !

Nuk zbrazet bota në gota

S’pushtohet me raketa

Me këmbë e kalon detin

Pushton me dashurinë tërmetin

Brendi zemre ke

Qiell kaltërosh pa re

Këngëgjatë në ecje

Pa dhunë ngecje

Gjeografi e re

Emër për zemër

Së bashku me poezinë

Më të madhe ke lirinë…!”

Shkrimtari Lulzim Hajdari me erudicionin e tij, qartësinë dhe pasionin që ja njihnin pjesmarrësit, si krijues i trevës së Kukësit, përmblodhi në mendimin e tij të tjera vlera të librit. Veçanërisht u ndal në personazhin kryesor të romanit, gjeneralin, i cili vjen në rrëfimin e autorit me tërë kompleksitetin e një luftëtari të betuar për Atdheun dhe fatet e tij, nga një njeri që duatrokitej nëpër rrënjët e gjakut  derisa vdiq në mjerim, pa përkrahje.

Edhe autori i këtyre radhëve theksoi në fjalën e tij, se në romanin “Liridoniada”, spikat ligjërimi morfosintaksor përmes së cilës nxjerr në pah vlerat e veçanta kulturore artistike në fushën e prozës bashkëkohore me një  stolisje metaforike gjë që mundëson të lexohet me një frymë. Në roman rrëfimi i autorit ngërthen ngjarje, që detyrimisht e kanë burimin në historinë e kombit tonë, e që, padyshim, kanë brenda dhe fantazinë, shtjellimin e tyre të gjallë, për të mos rënë në përsëritje e agjitime të thata, por evokon artistikisht stacionet e kujtesës, fakte, detaje, rrethana, të luftës së Kosovës.

Nuk mund të rrinin pa shprehur edhe mendimin e tyre bashkëqytetarët e autorit. Kryetari i këshillit bashkiak, Selman Geca, vlersoi romanin në fjalë: Është shkruar me elegancë, pasqyrë e tabllove të luftës së Kosovës. Ndër të tjera u shpreh se, ne banorët e Krumës i përjetuam rëndë  ngjarjet e luftës së Kosovës, thellësinë e dhimbjes së vëllezërve të një gjaku e që drithëruan çdo qelizë njerzore, udhëtimin e tyre biblik, të shkatuar nga lukinia ushtarake serbe. Hapëm zemrat, strehuam, ndihmuam, sakrifikuam e luftuam për larine e Kosovës. Ukshini i ka trajtuar në roman hijet dhe gjysëhijet e që për opinionin publik kanë qenë enigmantike. Demlush Kurti,drejtues arsimi në Krumë, përshëndeti me fjalën e tij përgëzuese, duke e uruar autorin Ukshin Morina, që në të ardhmen të dhurojë për lexuesit libra të tjerë me vlera të larta ideoartistike dhe përmbajtësore.

Me fjalë të thjeshta e të ngrohta, shkrimtari Ukshin Morina, falenderoi pjesëmarrësit, duke shprehur gëzimin që ndjen nga fjalet përgëzuese e urimet miqësore por edhe për  mendimet e miqëve krijues.

Largohesh me gëzimin dhe ndjenjën e këndshme të festës së bukur letrare. Festa e gëzime paçim gjithmonë !

Shkrimtari Ukshin Morina në fjalën e tij përshëndetëse

Është kënaqësia të nderojmë bashkëqytetarin tonë krijues

Poeti dhe studiusi Hyqmet Hasko

Poeti nga Peja Esat Loshaj i dedikon vargje shkrimtarit Ukshin Morina

Shkrimtari nga Kukësi Lulëzim Hajdari

Shkrimtari Ukshin Morina nënshkruan autografë

Kopertina e romanit Liridoniada



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: