Hazir Mehmeti: Përkujtim i viktimave nga nazizmi në Austri
| E Hene, 13.05.2013, 05:58 PM |

Përkujtim i viktimave nga nazizmi në Austri

Ambasada e Kosovës nderon viktimat nga fashizmi në Mauthausen

...në listën e të ekzekutuarve në Mauthausen ish 133 shqiptarë, pa llogaritur edhe shumë nga shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera etnike shqiptare...,,Shkallët e vdekjes” fundosnin çdo ditë njerëz të ngarkuar me gur në ferrin e zi... “Nie mehr Faschismus“ -“Kurrë më fashizëm”.

Ekskluzive nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Edhe këtë vit u shënua ngadhënjimi mbi fashizmin në shumë nga vendet që u prekën nga krimet   fashiste kundër popujve tjerë.  Pranë përmendores përkujtuese vunë kurora ambasadori i Shqipërisë në Ausrtri Dr.Vili Minarolli dhe grupi i gjerë i personelit të ambasadës, atasheu ushtarak shqiptar në Austri. Kurora vuri edhe Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri dhe stafi i ambasadës, Zana Rugova, sekretare e parë; Faruk Ajeti, asistent ekzekutiv dhe  Haxhi Kadria, asistent konsullor.  Në nderim kishin ardhur  mërgimtarë nga qyteti i Lincit dhe  rrethina. Flamujt e dy shteteve shqiptare zbukuronin koloritin e hapësirës së flamujve të kombeve aleate kundër nazizmit. Vërehej një rregull mbresëlënës në vënien e kurorave pranë lapidarit përkujtimor në qendër të muzeut, dikur kamp famëkeq. Me përkujdesjen e Ambasadës së Kosovës dhe direkt z.Kiqmari u bënë plotësime dhe korrigjime në emrat e atyre kosovarëve që ishin të burgosur në Mauthausen. Është hera e parë që kompletohen emrat e kosovarëve të cilët deri me tani ishin në listat e dosjeve përkujtimore në Mauthausen e të shënuar si shtetas të Jugosllavisë dhe atyre të Shqipërisë. Po shihet mundësia e themelimit të një hapësire  aty pranë asaj nga Shqipëria për ndërtimin e lapidarit apo ndonjë  pllake përkujtimore për ata që vendlindje e kishin Kosovën, tani shteti më i ri në Evropë. Dihej se deri më tani në listën e të ekzekutuarve në Mauthausen ish 133 shqiptarë, pa llogaritur edhe shumë nga shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera etnike shqiptare që ishin përfshi në regjistrat e jugosllavëve.

... e zezë

Në Austri ishte i fuqishëm veprimi i nazistëve në vrasjet e njerëzve të pafajshëm nga shumë kombe e shtete. Logori i Mauthausenit në rrethinë e Lincit ishte pika më e zezë në hartën e shfarosjeve masive të njerëzve. Teknika e konfiguracioni i Mauthausenit ishte në mbytjen e njeriut përmes mundimit në punë, krahas formave të njohura të kromatoriumeve, dhomave të gazit, eksperimenteve çnjerëzore me njerëz etj që nazistet i aplikuan gjithandej. Historiku i torturave të rreth dyqind mije të burgosurve, gjysma nga të cilët dorëzuan shpirtrat e tyre, flet mbi njërën nga faqet më të errëta të historisë njerëzore.  Vargu i të vdekurve, të torturuarve  preku kombe nga e gjithë globi. Kjo shihej në vargun e flamujve të vendeve që nderonin viktimat e fashizmi, përmendoret e shumta të ngritura në hapësirat e kampit që tani është shndërruar në muze me karakter ndërkombëtar. Në mesin e popujve që luftuan fashizmin ishte edhe populli shqiptar i cili strehoi dhe mbajti  hebrenjtë nga rreziku  si askund tjetër në Evropë, gjë që sot po i mahnitë gjithë ata që po mësojnë për këtë. Kombi i vogël por më zemër të madhe.

Kampi u ngrit në vitin 1938 nga njësia SS dhe vazhdoj deri në maj të vitit 1945 kur amerikanët e çlirojnë përfundimisht kampin duke shpëtuar shumë nga të burgosurit në frymën e tyre të fundit. Ja çfarë na tha para tri vjetësh pjesëtari i delegacionit përkujtimor nga Florida e SHBA, Zotri, Jamie Blackman, njëri nga të burgosurit e këtij kampi ,i cili në moshë të shtyrë mbante numrin e tij U-67245 si kujtim i Mauthauseni. “Me familje na internuan të gjithëve. Këtu më sollën mua dhe babin tim në vitin 1944. Pjesa tjetër e familjes sime u ekzekutua në Aushvic. Këtu rrallë mund t’i përballonin torturave mbi tre muaj. Unë dhe shoku im këtu përkrah meje i përjetuam torturat. Pas lirimit nga ushtria amerikane shkuam në Amerikë dhe krijuam biznes të suksesshëm. Amerika është vendi më i bukur në botë. Rroftë Amerika” ne me respektin ndaj jetës së tij u ndamë duke e uruar për kurajën.  Repartet e këtij kampi famëkeq ishin edhe Kampet në Gusen dhe Melk  në Austrinë e Epërme afër qytetit Linz, dikur  vend gurëthyese e cila i takonte Kampeve të kategorisë 3. Ky ishte lloji i

vetëm i kësaj kategorie në hapësirat e Raichut,  ku njerëzit mbyteshin nëpërmjet punës së rëndë. Deri më 5 maj të vitit 1945, kur u çlirua nga ushtria amerikane u mbyten në format më çnjerëzore 120 mijë të burgosur, kurse kaluan nëpër tmerret e tij më shumë se 200 mijë njerëz nga 30 kombe të botës. Gratë e sjella aty nga Kampi tjetër Ravensbryk përbënin 2,5 për qind, u detyruan në prostitucion, ato shtatzëna u përdorën për eksperimente në mjekësi duke përdorur format shtazarake. Kishte po ashtu fëmijë e të rinj jeta e të cilëve nuk zgjate shumë brenda këtij ferri. Mesatarja e jetës në te 6 muaj deri në 15 muaj e jo më shumë. Në vitin 1944 kishte 128 komando të SS dhe 475 ushtarë mbikëqyrës. Të burgosurit mbyteshin në format më mizore në Kabinagazi, furra, punë të dhunshme, vriteshin, hidheshin nga shkallët ashtu si ishin të ngarkuar me gurë. Jeta e tyre ushqimore e higjienike ishte mizërie. ,,Shkallët e vdekjes” fundosnin çdo ditë njerëz të ngarkuar me gur në ferrin e zi qindra metra thellë. Njerëzit binin në ,,botën e poshtme” për të mos u ndritur kurrë. Mjerisht, mjeshtrit e ,,shkallëve të vdekjes” e ushtruan zanatin më gjatë se sa do duhej. Rrokullisjen mbi to e përjetuan njerëzit që nuk e shuan përpjekjen për lirinë e njerëzoren deri në ditët tona. ,,Shkëmbi i parashutave” do flet gjatë mbi fluturimin e njerëzve në botën tjetër së bashku me barrën e gurëve të cilët mbetën kujtim i fundit i kësaj bote. Porosia e tyre u mbeti gurëve bashkë me fajin e peshës së tyre.

Po e përsërisim shkrimin e një pllakati që bartnin të rinjve austriak. “Nie mehr Faschismus“ -

“Kurrë më fashizëm”.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: