Zeqir Lushaj: Intervistë ekskluzive me shkrimtaren dhe poeten Drita Lushi
| E Hene, 13.05.2013, 06:00 PM |

INTERVISTË EKSKLUZIVE

DASHURI ME FJALËN E SHKRUAR

…Ose: -Njeriu jeton aty ku ndihet i lirë, jo aty ku flitet për liri-

- Bisedë,  permbi Oqean Atllantik, nga buzëlumi Hudson në NJ, USA, në brigjet buzë Shkumbinit në At’dhe,  e redaktorit tonë të kulturës Zeqir Lushaj, me bashkpunëtoren e ZSh-së, doktoreshen farmaciste, shkrimtaren dhe poeten Drita Lushi,  (pikrisht sot, në këtë mesmaj,  në Dat’Lindjen  e saj)-

-Në punën time marr ndjesi të thella njerëzore, jetoj mes sëmundjes dhe shëndetit, mes jetës dhe vdekjes, e shpesh më duket vetja si një vijëndarëse që mund të jap shtytjen dhe animin tim drejt jetës, jo vetëm me medikamentet por edhe me fjalën e mirë-

I. –LIBRAZHDI IM, O SA FORT TË DUA…!

1.Megjithëse jemi në kohën e lëvizjes së lirë, megjithëse keni edhe një shtëpi në Tiranë,(madje edhe bashkshorti juaj punon në Kryeqytet), ju  jeni “gozhduar” në Librazhdin mes malesh, aq sa na kujton këngën e vjetër të rreth gjysëmshekulli më parë: -Librazhdi im, o sa fort të dua…!

-Pergjigje:

Gozhduar? Ah,jo!

Njeriu jeton aty ku ndihet i lirë, jo aty ku flitet për liri.

Mua nuk më pelqen ajo liria e tejskajshme që të ofrojnë pa kursim qytetet e mëdha;

S’më pëlqen të humbas, e të më gllabërojë e përditëshmja, të më humbë mëngjesi e mbrëmja, urbaneve, kafeneve, thashethemeve, s’dua të ma marrë shpirtin stresi e  pasiguria;

S’dua të them në mbrëmje me pishman :”Ua si iku dhe kjo ditë pa kuptuar!”

Unë dua qe t’ia ndjej orët e minutat ditës, të lë një hap mbi to, dhe ato të lënë gjurmë  tek unë.

Të jap dhe të marr nga ato orë që jetoj, që edhe nëse nesër kthej kokën pas, të them : Unë kam jetuar, e s’bëhem  pishman për një rrudhë, për një thinjë apo për një vit më shumë.

Jeta kjo është, por dhe ne jemi dikush përballë saj!

Nësë do të dimë të ndryshojmë raportet, të mos na vërë poshtë e përditëshmja, punët pambarim,  do të dimë ta presim shumësin e viteve të qetë, dhe natyrshëm.

Unë dua lirinë që kam ëndërruar që kur fillova të mendoj qartë, e që besoj kam arritur ta kem, brenda realitetit ku jetoj.

Dua ato rruget e vogla të qytetit tim ku kam  kaq vite që shkel, dua aromën e blirëve anës trotuarëve që sa vijnë e më bëhen më të dashur, dua atë ballkonin tim, nga i cili shoh Shkumbinin në çdo stinë; të vrullshëm, të turbullt, të qetë, e të kristaltë.

Dua edhe aromen e akacieve bri punës sime;

E tani në maj, kur gjelbëron e lulëzon çdo gjë,  më duket se rilind dhe unë.

Unë shkoj e vij në Tiranë, sepse kam familjen, ose me saktë shkojmë e vijmë të gjithë.

Por në qytetin tim ndihem unë, ndihem vetja.

Dua çdo gjë;

Që nga mirëmëngjeset e njerëzve në rrugë, deri tek ato vështrimet e pacienteve, e urimet e tyre pasi shërohen.

Më beso: Edhe ata njerëz që njoh, ata pacientë të çdo lloj moshe, janë një arsye e fortë për të mos i lënë.

2. Keni kaluar të dyzetat, e poezitë tuaja, duken si të një njezet vjeçarjeje. Ku qendron sekreti?

-Pergjigje:

Po 40-ta, a nuk perbehet nga dy 20-ta? Hahahaha.

Kështuqë unë ndihem brenda dy njëzetave, e prandaj poezitë e mia vlerësohen të sinqerta, të thjeshta e thuhet se kanë më së shumti ndjenjë brenda.

Kur shkruan, ose mënyra si shkruan, nuk përbëjnë asnjë sekret. Çdo gjë është brenda njeriut, e mjafton që ai të mund ta shprehë atë, pa ndroje, pa autocensurë, pa menduar se ç’do të thonë të tjerët.

Nëse nuk ia jep lirinë shpirtit e mendjes tënde, e, si mund të ti japin ato të tjerët?

3. Në Librazhd të njohin të gjithë si në një familje, por lexuesit e ZSh-së që janë në të katër anët e botës deri te Fritz Radovani në Melbourne  të Australisë, duan të dijnë diç më shumë per poeten e tyre të dashur. Dy fjalë pra- per vete, -ju lutem.

-Pergjigje:

Së pari dua të theksoj, se Zemra Shqiptare më është bërë tashmë si pjesë e zemrës sime.

Më ka mbështetur në punen time krijuese e botuese, e unë jam ndier komode gjithmonë duke publikuar shkrimet e mia në poezi, prozë e më gjerë.

Duke e konsideruar kështu, e duke respektuar lexuesin tuaj, që tash është njëkohësisht edhe lexuesi  im, që më ka komentuar e vlerësuar, do ti thoja dy fjalë për veten, por shpresoj mos të mbërrij deri tek shprehja : “Doni më për Belulin”?

Mendoj se peremri vetor  “unë” - duhet të përdoret sa më pak ndër njerëz.

…Me lindi ime më, në një ditë plot trëndafila ku ajri më priti ngrohtë dhe më këndoi më këngë cicërimash që iu bashkuan zërit  të sime mëje dhe dëshirës së gjyshes për të më quajtur Dritë.

Babai ka qenë një pjesë e rëndësishme në jetën time, ka lëne tek unë të gjitha vlerat më të mira që çdo fëmije do dëshironte ti trashëgonte nga prindi i vet.

Ai ka qenë inxhinier ndërtimi në profesion, por ka qenë artist në shpirt.

Zoti e la mbi Toke vetëm 57 vjet dhe e mori pranë vetes, por Ai ka lënë Emrin e mirë pas, për vete e për ne fëmijët e tij.

Kam qenë fëmijë i urtë . Këtë se them unë; por ime më nuk lë pa ia thënë kujt : “Drita ka qenë fëmijë e mbarë, e urtë dhe e mirë. Më e mira ndër fëmijët”.

E nuk ka si të mos më bëhet qejfi nga këto fjalë.

Pastaj erdhën pa kuptuar rritja, e kur akoma isha një piciruke ime më, më merrte tek puna e saj, ku unë u recitoja vjersha shoqeve të saj, që ishin në rolin  e spektatorëve, sepse mbaj mend, që sa mbaroja, ato duartrokisnin. Kanë qenë  kohë të bukura.

Më tej vazhduan angazhimet në shtëpinë e pionierit, të cilat kanë qenë kontaktet e para me botën e artit. Natyrisht kanë qenë kohë të vështira, sepse ndonëse fëmijë, arrija të kuptoja e të ndieja varfërinë që na rrethonte gjithkund, por kjo ishte e njëjtë per të gjithe e nuk di si e kalonim aq lehtë.

Gjithashtu në shkollë të mesme, kam vazhduar të angazhohem në shtëpinë e kulturës së qytetit, ku viheshin teatro në skenë.

Kam recituar, kam qenë prezantuese e festivaleve të fëmijëve, kam luajtur teatër, por nuk kam kënduar kurrë, ndonëse muzikën e dua shumë.

Dëshira ime ishte të studioja lëtersi ose gazetari, por rrethanat deshën që të vazhdoja fakultetin e Mjekësisë e të diplomohesha në degën e Farmacisë.

Me vonë krijova familjen time, e sot jetoj me bashkëshortin dhe vajzën.

4. Si e gjeti poezia Drita Lushin dhe kur e binde veten se mund të botosh libra?

-Pergjigje: -

Ishte një dëshirë e kahershme.

Qysh në adoleshencën e hershme shkruaja vargje, proza te shkurtra poetike, nëpër fletë fletoresh, ose në kapakët e librave.

Por jeta ka të papriturat e saj, që të bejnë të harrosh dëshirat, hobit dhe pasionet.

Futesh në rutinën e ditëve dhe harron që ekziston dhe ana tjeter.

Mirepo ja, vjen një moment (mrekullisht), ku njeriu i vë ca gjëra në terezi (po shprehem me gjuhë popullore), e i them vetes:”Po dëshirat e mia, ëndërrat e dikurshme, ato copëra fletësh e blloqesh të mbushura me vargje, si i kam harruar?”

Pra,unë nuk e binda veten se mund të botoja. Me bindën poezitë, që mund të botoja një libër. Ato flinin sirtarëve, disa i kisha shkrojtur vitin e fundit. Me dukej sikur me thonin: “Dritë, mos na lër në harresë, edhe ne jemi shpirti yt, ajo ç’ka ke ndjerë; mos e lër shpirtin sirtarëve…”.

A lihet e braktiset shpirti?

E unë i mblodha, u kujdesa , i lëmova, i zbukurova dhe i botova, se bashku me redaktorin  e librit tim, të ndjerin Daniel Gazulli, në librin që e titullova ”Ëndërr…”

5. Libri juaj i titulluar “Ëndërr…”, tregon që e kishe ëndërr botimin apo se sheh shumë endërra?

-Përgjigje:

Unë s’e kisha ëndërr botimin, as që e kisha menduar këtë gjë.

Por të ëndërrosh, është normale, të mos ëndërrosh është handikap.

Unë kam ënderruar qysh fëmijë,  adoleshente, e re, ashtu dhe sot që kam rënë në dashuri me fjalën e me të shkruarit. Kush s’ëndërron , kush nuk shpreson vdes së gjalli.

Edhe gjumi s’ka kuptim pa ëndërra, e jo më, të mos ëndërrosh në orët që ke botën ndër sy, e syri prek  jetë.

Libri im titullohet “ËNDËRR…”, dhe  ka tre pika pas (…).

Retiçienca është e dukshëme dhe domethënëse: pra, një ëndërr që do të vazhdojë.

II.  XH’VESHJA E DROJTJES KRIJUESE

1. Libri i juaj i dytë që e ke në prag-botimi a e ka emocionin e përgjegjësinë e  librit të parë?

-Pergjigje:

Ndërsa libri i parë është kënaqësi për vetën, plotëson si të thuash një hobi vetes, në botimin e dytë, të tretë e me rradhë, veç kënaqësisë, përgjegjësia është e madhe sepse ndjen detyrim ndaj lexuesit, i cili tani të sheh me tjetër sy, se ç’do të shkruash, ç’do thuash etj.

Por s’janë gjëra që i  kërkoj me ngulm. Ato vijnë natyrshëm tek çdo krijues.

Ashtu si çdo gjë në jetë, edhe mendimi, pjekuria artistike, gjykimi poetik vijnë e përsosen  tek krijuesi.

Emocioni ështe po ai. Nëse e konsideroj librin si lindjen e një fëmije, si mund te mos të emocionojë një lindje e dytë apo e  tretë? Janë librat e tu, e s’ka si të mos i ndjesh e duash, s’ka si të mos të sjellin emocion.

2. Ma merr mendja se lista e poeteve tuaj të preferuar nuk është shumë e gjatë.

-Pergjigje:

Cilësia, nuk varet në është e gjatë lista apo jo.

Ndër poetët shqiptarë Fatos Arapi, natyrisht, per mua  mbetet i pazëvendësueshëm, poet i mirëfilltë. Kur flitet për poezinë shqipe moderne, emri Fatos Arapi është një sintezë e saj.

Nuk anashkaloj asnjë emër, secili ka veçantinë e vet poetike, stilin që e bën atë të veçantë, sepse poezia nuk ka një ngjyrë, sens, apo një  taktikë të caktuar .

Uollt Uitman, është gjithashtu një poet që u ka rezistuar kohëve e vjen aq aktual me poezine e tij edhe sot e kësaj dite aq ngulitës, sa ke ç’të mësosh.

Gjergj Fishta, i cili  ka shkrojtur aq bukur dhe besnikrisht në gegnisht, po të dish ta lexosh, (jo në kuptimin e dialektit, por në stilin poetik që perdor), ke  mjaft ç’të mësosh.

Mendoj se kush ka dëshirë të shkruajë duhet ti lexojë jo veç këta që permenda unë, por edhe shumë të tjerë emra që kanë lënë shenjë në poezi.

3. A ndjeni mungesen e një kritike letrare profesionale per vete e per të tjerët?

-Pergjigje:

Kritika , do thoja është mbi artin.

Të bësh art, është talent, dhunti, por pa mohuar në asnjë mënyrë punën.

Një talent, pa punë vdes. Ashtu siç është e domosdoshme të punojmë për të jetuar, po kaq e domosdoshme është të punosh në dobi të talentit apo dhuntisë.

Ndërsa të jesh kritik, duhet të jesh një njohës i mirë i artit, në çdo fushë.

Edhe kjo është talent, madje është talent mbi talent.Të zbërthesh artin e të tjerëve, atë që sheh, që shkruan, që flet, e jo vetëm kuptosh, por ta trajtosh është vërtet dhunti dhe punë.

Një njeri s’mund të shkruajë pavarësisht talentit që ka, nëse nuk lexon, nëse nuk zgjeron horizontin, nëse nuk njeh historinë, filozofinë njerëzore, nëse nuk ka lexuar kryeveprat botërore;

S’mund të shkruajë edhe nëse nuk lexon çdo ditë.

Po kështu dhe kritiku: pavarësisht talentit për ta kuptuar artin është e nevojshme të studjojë rregulla e norma poetike, që të jetë i aftë të gjykojë në mënyrë objektive poezinë nga vargëzimi, vjershëzimin nga poezia, folklorikën nga modernja, e aq më shumë sot, ku secili është i lirë të shkruajë, të botojë, të mbarojë universitete private etj.

4. Tani që jeni një poete e pjekur a të qëllon të grisësh ndonjë vjershë siç na ka ndodhë jo rrallë në fillesat krijuese?

-Pergjigje:

Unë nuk e di në jam poete e pjekur apo jo, por mund të them kaq gjë:

Ka poezi që shkruhen në një çast,dhe janë aq të bukura, sa ngelin aty e s’është nevoja të vihet dorë mbi to;

Ka të tjera që flenë, u kthehesh e rikthehesh që ti zgjosh, por ato “tekanjoze”, e të përgjumura presin  derisa ti përkëdhelësh që të shkelqejnë bri simotrave të tyre.

E kjo, mund të dojë edhe vite.

Nuk mund ta grisësh një poezi, ashtu si pa të keq. Eshtë si të grisësh një shpirt.

Mund të mos të pëlqejë po, por jo ta braktisësh.

Më ka ndodhur që edhe të kem humbur poezi, apo shkrime, por që ti gris?

Kurrë!

S’do ta bëj këtë gjë asnjëherë. Eshtë si të shkel mbi fjalën dhe mendimin tim.

5.  A është bashkvendësi juaj Koçi Petriti ndër poetët tanë më të mirë?

-Pergjigje:

Ai ka jetuar ne Librazhd, mjaft vite.

Unë atëhere kam qenë nxënëse në gjimnaz e ai profesor në shkollë.

Perderisa ka jetuar në Lb, është bashkëvedësi im e i shumë të tjerëve që kanë jetuar e që jetojnë akoma në Lb, por mbi të gjitha mbetet një ndër poetët e pikasur shqiptarë, që ka emër në poezinë shqipe, krahas shumë emrave të tjerë.

III. HORIZONTI…, KU ZHBIRILON SHIKIMI I  POETES

1. A mban laps e leter tek komoja afër kokës së krevatit dhe a je ngritur shpesh nga gjumi per të shkruar dy-tre vargje që të kan ardhur në mendje?

-Pergjigje:

Ndoshta s’e kam bërë, por është e domosdoshme ta bëjë çdokush që shkruan.

Ndonjëherë, sapo shtrihem në shtrat për të fjetur më vjen një mendim, një poezi, a diçka tjetër, dhe ngrihem e ulem në kopmjutër për ta shkruar.

Ndonjëherë më ka ndodhur ti them vetes: “E shkruaj nesër, sapo të zgjohem, e jam përpjekur ta mbaj mend, por çuditerisht gjumi më ka marrë çdo mendim, dhe mendja është zgjuar e bardhë, pa asnjë rresht kujtese mbi të.

Prandaj është e domosdoshme që vërtet një laps e letër, të na shoqërojë në gjumin tonë, e  si abazhur të na ndriçojë e të na ruajë  mendimet tona.

2. Si e konturon një libër dhe kur e quan të skicuar a të projektuar atë?

-Pergjigje:

Nëse dikush vendos të botojë, duhet të dijë që libri ngelet gjithë jetën.Prandaj nuk duhet nxituar, të punohet shkel e shko.

Në një liber ka rëndësi edhe një zanore, një shenjë pikësimi, një theks mbi gërmën e duhur.

Janë keto imtësi, të cilat e bejnë të rëndësishëm  një liber, i cili edhe nëse shfletohet pas disa vitesh apo dekadash, të kënaq me përsosmërinë estetike, perveç vlerës artistike që duhet të mbartë.

Prandaj nuk duhet vrapuar në garimin se kush të botojë më shumë, por çka boton, sa cilësisht, estetikisht e poetikisht boton.

Ndiej kënaqësi kur marr librin tim në dorë dhe e shfletoj. I kam qëndruar si të thuash në kokë, që nga faqosja, e çdo procedurë tjetër. Pra, e kam ndjekur vetë hap pas hapi, deri në momentin që doli nga shtypi.

3. A të pelqejnë promovimet e librave të rinj dhe si i mendon ato edhe më interesante?

-Pergjigje:

Natyrisht të botosh një liber e të mos i bësh një promovim, është si të lindësh një fëmijë e te mos i festosh datlindjen.

Kryesisht nëpër promovime ftohen ose shkojnë më shumë poetë apo shrimtarë.

Do ish’ mirë që këto promovimë të bëheshin sa më popullore, sepse nder poetë tash’ njihesh e i njeh, por si do të të njohë lexuesi i thjeshtë?

Ai të lexon vërtet.

Kam  përshtypjen që ka ardhur një kohë që jo vetëm lexohet pak, por mund të kesh libra edhe të dhuruar nga autorë të ndryshëm, që zëne pluhur ndër biblioteka pa u lexuar aspak!

Pra autorët, në përgjithesi (edhe) nuk i lexojnë autorët.

Unë them se tjetërkush është lexuesi.

4. Ke botuar disa esse filozofike - psikologjike…  A mos po kthehet balanca kah proza?

-Pergjigje:

Balancën e vendos vetë krijuesi;

E ajo, anon  nga ana ku ai ndihet më mirë, më qetë e më sigurtë.

Ajo varet nga momenti, nga periudha që kalon, nga situatat, nga ngjarjet nga ambjenti.

Ka mbresa që s’të mjafton një poezi ti shprehësh dhe kalimi në gjininë e gjatë është domosdoshmëri. Pastaj unë nuk shkruaj me rimë, jam e lirë në varg, e kjo, më  ndihmon mjaft që të shkruaj lehtësisht edhe në  prozë.

Esetë e skicat, janë një çlodhje, një shfryrje, vrojtim ose përfundim mbi fenomene të ndryshme që ndeshim në përditshmërinë tonë. Më vijnë natyrshëm këto skica, kanë momentin e vet. Por unë kam botuar edhe tregime artistike.

Besoj libri pasardhes i këtij viti do të jetë pikërisht me prozë-tregime, por mund të jenë të botuara edhe dy libra njëherësh; Një në poezi, e një në prozë.

Pra s’jam unë që zgjedh çfarë të shkruaj. Eshtë situata, ajo që ma dikton këtë gjë.

5. Jeni bashkpunëtore e kualifikuar e ZSh-së. Aty keni shumë miq, lexues, komentatorë e dashamirë që ju vleresojne mjaft. Ështe edhe kjo një nxitje në punen tuaj krijuese?

-Pergjigje:

Natyrisht që është njënxitje. Shkruaj, e mendimi i parë është që ta dërgoj tek Zemra Shqipare.

Aty ka vërtetë mjaft lexues, këtë e kuptoj nga komentet, por mendoj se Zemra Shqitare me atë staf që ka, është portali më i rëndësishëm , më i madh, e më i lexuar shqiptar.

Një lexuesi duhet ti rrish besnik, korrekt dhe sa të mundesh ta kenaqësh me krijimet e tua.

Mendoj se po vjen koha, ku gjithshka do të lexohet e serviret në internet, madje edhe libra të tërë.

Mund të klikosh në Google emrin që do, apo vepren e një autori dhe gjen ç’ka do.

Pra Zemra Shqiptare, ndonëse një revistë elektronike, mund të jetë më e lexuar se shumë e shumë gazeta prej letre.

IV. PER DRITA LUSHIN,  FAMILJA ËSHTË E SHENJTË

1. Keni qenë femija i madh, si një kryefamiljar ndaj vëllezërve e motrës. E veshtirë?

-Pergjigje:

Familja është e shtrenjtë. Unë kam familjen time të vogël, por dhe familjen e madhe që është shumë e rëndësishme për mua.

I dua shumë dy vëllezerit dhe motrën time.Tashmë të gjithë janë të rritur, të burrëruar në punërat e familjet e tyre. Por prindi ngelet prind. Nëna ngelet ajo që të gjendet në çdo kohë, të degjon e këshillon pa u lodhur. Ngelet dhoma jonë e rrëfimit.

Në një familje të bashkuar çdo gjë kalohet më lehtë. Unë kam pasur dhe kam mirëkuptimin e të gjithëve, e natyrisht kjo i lehteson gjerat.

2. Duke qenë shumë e  lidhur me nënën tuaj, a mendon se edhe vajza jote e dashur do jetë po kaq e kujdesshme ndaj teje?

-Pergjigje:

Unë jam e lidhur me nënën sepse tek ajo kam dy në një. Pra jo vetem nënën por edhe babain e munguar prej 15 vitesh.

Unë kujdesem ashtu siç do të kujdesej çdo fëmijë për prindin e vet, e ashtu siç duhet të kujdeset çdo fëmije për prindin e vet.

Vajza ime është akoma e vogël, e si kam menduar këto gjëra.

Së pari dua që ajo të rritet e shëndetëshme dhe e lumtur. Të tjerat ti mëson koha dhe vitet.

3. Shpirtit të papushtueshëm të poetes nga ia gjeti anen ai, djali i Kolonjës që të bëri per vete?

-Pergjigje:

Shpirti një poeti ështe sa i papushtueshëm, aq dhe i paqtë, i ndjeshem, e  brishtësisht njerëzor.

Por në fakt duhet pyetur ai , se ç’gjeti tek unë.

Por unë e di: Është e njëta gjë, që gjeta edhe une tek Ai: dashurinë dhe mirëkuptimin, sinqeritetin dhe mirëbesimin.

4. Të ka thenë ndonjëherë burri: -Leri tani o Drita keto vjersha dashurisë se sikur s’ka lezet…!

-Pergjigje:

Hahahaha Zeqir, ma qite gazin me këtë pyetje. Megjithese s’jemi parë kurrë bashkë, sikur ke jetuar me ne. Natyrisht që po, më ka thenë. Më ka thënë jo ndonjëherë, por shumëherë. Po njeriu po s’guxoi, po s’provoi si do t’ia  arrijë asaj që do?

Unë e di, që edhe nëse bashkëshorti im ma thotë këtë gjë, e bën se une vërtet e teproj ndonjëherë,  e teproj me ndejtjet gjatë në kompjuter. Por, kur e kam gjetur me librin tim në dorë, jam ndier e lumtur. Kur  ke një mbështetje brenda  familjes, ndihesh dyfish më mirë, më e frymëzuar e më e obliguar. Nuk mund të shkruash kur nuk ke qetësinë dhe mirëkuptimin në familje.

Ndoshta, ne, në familjen tonë ia kemi arritur kësaj.

Të ndihesh mirë dhe e lirë brenda normave, ështe shtysë, për të ecur përpara në krijimtari.

5. Si  harmonizohen tek Drita Lushi puna në farmaci, krijimi letrar dhe obligimet familjare?

-Pergjigje:

Kur dëgjoj disa të thonë: “Uf, nuk shtyhet dita”, apo : “S’dimë si ta mbushim kohën, u mërzitëm”, mua vërtet më vjen çudi.

Më beso, mua nuk më del 24-orëshi, e shpesh s’arrij të kryej shumë gjëra brenda këtyre orëve.

Primare ështe puna, pacientët, të  cilëve duhet t’u buzëqeshësh e tu flasësh me mirësi dhe qetë, e jo vetëm se janë të sëmurë, por mbi të gjitha i shikoj si njerëz, e pas tyre mund të ishte kushdo, ti, unë, apo një i afërmi jonë.

Eshtë e vërtetë që fjala e mirë të shëron. Unë ndihem mirë kur ata ikin të qetë e disi më të lehtesuar, kur dalin nga farmacia.  Ka të tillë, ose disa të tillë që më kanë puthur dhe dorën.

Në punën time marr ndjesi të thella njerëzore, jetoj mes sëmundjes dhe shëndetit, mes jetës dhe vdekjes, e shpesh më duket vetja si një vijëndarëse që mund të jap shtytjen dhe animin tim drejt jetës, jo vetëm me medikamentet por edhe me fjalën e mirë.

Por duke qenë një punë ku jam “vetë e parë e vetë e fundme”, natyrisht që nuk lë kohë te lirë, ose orë, të më fluturojnë  tej.

Por, ulem dhe… shkruaj ose lexoj.

Eshtë  e rëndësishme, që të paktën edhe nëse nuk je në gjendje të shkruash, sepse jo gjithmonë të vjen fjala, mendimi apo poezia, është e rëndësishme që të lexosh atë ç’ka ke shkruar, sepse gjithmonë ke çfarë të korrigjosh apo të përmirësosh.

Unë s’kam një familje të madhe por rëndësia e saj është më shumë se e madhe.

Mundohem që veç profesionit tim, pasionit për të shkruar, të  mos cënoj kohën që duhet të merrem me vajzën dhe bashkëshortin.

Por pa një bashkëpunim, asgjë nuk arrihet.

Edhe ata më japin kohën e tyre, në mënyrë të ndërsjelltë.

V. DIÇKA SI INTIMITETE APO,  “5 PYETJE MIKS”!

1. Dukeni shumë e urtë dhe e qetë por zemra juaj rreh si një fortunë dashurie... A jo?

-Pergjigje:

E qetë dhe e urtë?

E urtë jo, por e qetë përgjithësisht po, derisa nuk ma bën borxh dikush.

Por kjo është e përgjithëshme për çdo njeri, mendoj unë.

Jam  hazërxhevap, spontane, them ç’ka mendoj dhe ndjej.

Prekem e më ngelet hatri shpejt sidomos nga njerëzit që dua më shumë.

Ndonjëherë të jesh i drejtëpërdrejtë ka edhe kosto, e kjo më ka bërë që shpeshherë ndokush edhe të mos më kuptojnë, e nuk janë të pakta rastet kur jam mërzitur.

Por nuk mund të ndryshoj, as që do doja të ndryshoja, ndryshe s’do të isha kjo që jam, pra nuk do identifikohesha si Drita Lushi.

2.  A të ngelen shpesh enët pa larë në darkë nga nxitimi per te kompjuteri?

-Pergjigje:

Tani janë modernizuar gjërat, mund ti fusësh në lavastobilje, por si tradicionale që jam e duke mos qenë familje e madhe, preferoj ti laj me dorë, qoftë edhe pas 12 orësh, hahaha!

Pra, kush thotë që “s’më ngelen enët pa larë” droj se ju gënjen.

Unë po ju them një të vërtetë që është e vërtetë.

Por vetëm do ju korrigjoja: Jo nga kompjuteri, por nga një shkrim, apo poezi e caktuar që mund të kem në dorë.

3. Zgjidh e merr njeren: -librin -filmin - muziken… apo internetin?

-Pergjigje:

Të zgjedhësh një, gjithmonë është vështirë, sepe duhet të godasësh tek 10-ta  për tu ndjerë fitimtar. Por duke ditur që të kenaqin edhe 9-ta  apo 8-ta, do të doja  të zgjidhja tre.

Libër- muzikë dhe internet.

Ju më kerkoni një, e unë mundem tëzgjedh dhe në vështirësi: -Pra, do zgjidhja internetin.

E zgjedh për faktin se kam internet në kompjuter dhe duke e pasur laptopin tim shok të pandarë kudo shkoj, sepse aty mund të them është mendja (shkrimet e mia). Ky është fakti që zgjedh atë.

E mendoj se kjo është një zgjedhje perfshirëse, sepse aty edhe mund të lexosh e të dëgjosh  muzikë.

4. A do e pranoje një propozim per të kandiduar per kryetare bashkie të Librazhdit?

-Pergjigje:

Hahahah, ç’pyetje interesante!

Unë  mund t’u bëj më mirë njerëzve, si farmaciste, si poete sesa si kryebashkiake.

Politika nuk është për mua.Unë e konsideroj si një zgjedhë, të merresh me politikë.

Ajo e ndryshon njeriun.

Unë dua të jem kjo që jam edhe pas shume vitesh, e të vdes e qetë, pa e ngjyrosur zemrën.

Do preferoja të mbaja më mirë fletë ku të shkruaj sesa teserë partie.

Eh! Jam aq larg nga politika!

5. Ç’është per ju lumi Shkumbin … (dhe tani)  tuneli i Qafë Krrabës?

-Pergjigje:

Lumi Shkumbin?

Është fëmijëria ime, e sot, një ndër muzat e qetësitë e mia.

Tuneli i Qafë Krrabës?

Më bën që për një orë të takohem me Tiranën e Familjen, e të mos e braktis kurrë Qytetin tim, Lumin tim as Punën time.

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare,  Maj 2013-



(Vota: 79 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: