Traboini-Lushaj: In Memoriam - Toninit tonë të dashur
| E Hene, 29.04.2013, 06:06 PM |

Tonin Shtjefnit - In Memoriam -

TONINIT TONË TË DASHUR

-Tonin Shtjefni, me profesion gazetar, ka lindur ne vitin 1949 dhe ka ndrruar jete ne vitin 2009. Pas mbarimit te studimeve universitare per gazetari ka punuar ne organe te shtypit, gazeta "Studenti" gazeta "Zeri i Rinise", Revista " Ylli". Mjaft vite ka qene punonjes aparati, ndersa mbas vendosjes se demokracise eshte ngarkuar me detyren e shefit te zyres se shtypit ne Kuvendin Popullor e pas kesaj drejtor i Bibliotekes se Universitetit Politeknik te Tiranes. Ka botuar shtate libra, poezi, publicistike dhe dy novela.-

Nga: Traboini-Lushaj

REQUIEM PËR HESHTJEN…

”Ku shkove kështu, cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë, si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur, ikën e ikën e asnjë fjale s’të thamë.”

Nga Kolec Traboini

Në rininë tonë në Shkodër, Tonin Shtjefni konsiderohej si një nga poetët e rinj më të talentuar dhe me një të ardhme të padyshimtë. Ishte një lirik i spikatur dhe ne fillestarët në fushë të letrave e ndiqnim me admirim krijimtarinë e poetin të ri gjimnazist. Në atë kohe në Shkodër shkruanin autorë tashmë të njohur Frederik Reshpja, Aleksandër Gera, Fadil Kraja, si dhe disa të tjerë që nomenklatura i imponoi përdhunshëm, por u harruan shpejt.

Nga autorët fillestarë binin në sy grupi i Profesor Hasan Lekaj, i cili drejtonte rrethin e letrarëve të rinj para e pas vitit 1970, ndër të cilët ishin Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Riza Lahi, Fluturak Gërmënji, Mehmet Gucia e tjerë. Binte në sy dhe studenti i Institutit të Lartë Petagogjik Dodë Kaçaj, që bëri karrierë në politikë, u zgjodh deputet demokrat, ndërroj jetë në moshë relativisht të re dhe një shkollë në Malësi të Madhe mban emrin e këtij mësuesi e poeti.

Siç kishim të njëjtin pasion për letërsinë, rasti e solli që të studionim në të njëjtin fakultet, atë të gazetarisë, në Universitetin e Tiranës. Pas librit per femije “Endrra të këputura” do te botonte dy vellime publicistike. Tonin Shtjefni krahas studimeve do të bënte punën e kryeredaktorit të gazetës universitare "Studenti". Mbas mbarimit të studimeve do të punonte në disa organe shtypi si "Zëri i Rinisë" dhe revista “Ylli" dhe më pas mjaft vite si punonjës aparati. Gjatë kësaj kohe boton edhe dy libra të cilat nuk i takojnë sferës së letërsisë artistike.

Në vitet të demokracisë, kur ishte me detyrën e drejtuesit të Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës, tashmë me fytyrë të kthyer nga letërsia, botoi dy librat: "Krishti e ka fajin", impresione personale, 2003; si dhe vëllimin me esè në vargje "Filozofia e jetës".

Të dy këto botime me sasi faqesh modeste, por me mendime të thella reflektive, spikasin si arritjet më të mira në krijimtarinë e Tonin Shtjefnit. Ndersa “Shtegtarët e Velushit” dhe “Pallati i miqësisë”, të botuar në 2007, ishin punime të viteve `80, ndoshta për këtë, nuk shënojnë arritje përkundër dy titujve që cituam.,

Në librin "Krishti e ka fajin" ka vëzhgime të imta të ngjarjeve të vitit 1990 dhe më pas, në ato mjedise ku ai ishte dëshmitar autentik. Si leitmotiv ka vënë vargjet sinjifikative: "Pse ngecëm në mes të ferrave/ ku jemi /na ndihmo o Zot, na ndihmo Shën Mëri. /Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur /por robër të mëkatit mbetëm përsëri."

Që në krye të librit "Filozofia e jetës" Tonini Shtjefni shkruan, "…Vendosa ta botoj këtë libër i shtyrë jo vetëm nga malli për vitet e largëta, atëherë kur mendoja se poezia ishte gjithçka....". Mesa duket autori e pranon se prej poezisë kishte hequr dorë shpejt e me ndërgjegje dhe iu kthye asaj vetëm në fund të jetës, por pa marrë guximin ta cilësojë librin e tij poezi, anipse ato janë poezi të mirëfillta dhe vende-vende shumë të realizuara artistikisht. Le të citojmë:

"Kam parë yjet që binin nëpër qiejt e Europës/kam kujtuar shumë gjëra/dhe kam harruar shumë/ nëpër këtë lotim qiejsh kam kërkuar vetveten/dhe kam thirrur me forcë:/ Kush jam unë?”

Në faqet e librit gjen vargje të goditura që të vënë ndër mendime:

“Ne dëshmitarët e kësaj bote çdo të kujtojmë nesër? / Nesër, kur bota më e bukur do të jetë/do i themi njeri-tjetrit/si në një marrëveshje të heshtur/rob të kujt ishim/dhe rob të kujt kemi mbetë.”

Dhe ja një fund i trishtë, i rënduar tej mase në një ecje të autorit që meditonte në të gjallë për fatin e të shuarve, shpesh herë të harruarve:

“Unë ecja në trotuar/sipër kokës sime degët e thata kërcitën dhe ranë/unë i shkela me këmbë/por ato sikur pëshpëritën./ Kështu vitet e tua kanë filluar të thyhen/dhe kur ti të biesh i gjithë përtokë/dikush mbi to do të ecë rëndë-rëndë.”

Nuk e dimë se cilat ishin shkaqet e brendshme që e shtynë autorin në konkluzionin se “në rini mendohet se poezia është gjithçka”, apo kur shkruan: “Në këtë shekull erdha/asnjë gjurmë për të mos lënë/në mes të miliona anonimëve për të mbet anonim/fletoren e bardhë e mbylla/ për ta dorëzuar ashtu/me fletë të bardha, pa asnjë shënim./Ndonëse gjysma ëndërr më thoshte / shkruaj diçka/gjysma tjetër më thërriste “JO””.

Ishte kohë antipoetike. Tonin Shtjefni e dinte këtë më mirë se kushdo, sepse koha në invers, aty nën hijen e Piramidës, i vuri talentet të hartonin raporte, analiza, të shkruanin për një dritë që nuk shihej kurrkund, vetëm në kokën e ideologëve të demagogjisë. Ja si e shtjellon më tej mendimet e dilemat e tij tek “Filozofia e jetës”: “Ndonëse kisha shumë gjëra për të thënë/si në një morg të rëndë/unë vetëm heshta/gjersa në një mëngjes si somnambul/ në trotuar, mes njerëzve/veten gjeta./ Po qenka shumë vonë /më kuptoni miq më ndjeni shokë/gjysëm zgjuar, gjysëm ëndërr/ përsëri do të vazhdoj të endem nëpër botë.”

Poezia në të vërtetë është gjithçka, por ajo kërkon hapësira lirie, është e vërteta më pranë diellit, në kuptimin e artit të arteve, gjithdimensionale, që shkruhet e pëlqehet pa dallim moshe apo profesioni, poezia është gjithëçka për ata që i përkushtohen asaj dhe nëse i jep poezisë shumëçka nga jeta jote, ajo ta kthen madhërisht përkushtimin.

Ndoshta kthimi i vonuar i Tonin Shtjefnit përkah poezia ka qenë një pendim i thellë, një dramë personale për pasionin e harruar të rinisë, të cilën nëpër vite si punonjës i një strukturë hijerëndë kish patur frikë t`ia zinte në gojë edhe emrin, sepse mentaliteti kuadrovik të gjykonte… si mund të merrej me poezi një punonjës aparati?!

Sa e vërtetë është kjo e thotë vetë poeti në vargjet e tij si testament poetik: “Ju të gjithë më shikoni të çuditur,/ku shkon ky nëpër muzg,/nëpër natë,/pa e ditur se ç’bren e ç’gërryen një njeri, /memecllëku i gjatë.”

Drama e mospohimit të vetvetes ka peshën e saj emocionale në mesazhin poetik të Tonin Shtjefnit. Ajo është e vërteta e dhembshme që na bën ta sjellim në kujtesë si një autor premtues që e bëri harakiri talentin e tij apo se ndoshta nënvleftësoi vetveten si letrar, se harroi nëpër vite se veprat krijuese janë jeta e dytë e njeriut në art. Kryekreje ky autor përjetoi një dramë, të cilën e mbarti tërë jetën me vete dhe që tashmë kthehet në një mesazh të krijimtarisë së tij.

Të gjitha harrohen, edhe ato të cilat i konsiderojmë aq të qenësishme në jetën tonë, por ato pak çfarë shkroi me dashuri e dhembje një autor, i kujtojmë dhe i rilexojmë me endje edhe atëherë kur emri i tij të jetë kthyer në një kujtim.

Ikja e Tonin Shtjefnit kaloi në heshtje. Nuk lexuam kurrkund dy fjalë për këtë autor kur në kryeqytetin tonë dalin vandakë gazetash e revistash e ku shkruhen marrëzira të pafund, perversitete politike, llafeollogji mjerane dhe servilizëm i shpifur partiak, ndaj dhe e shohim me vend ta mbyllim këtë Requiem për një mik të rinisë, një talent që heshti pa arritur të thoshte deri në fund fjalën e vet, t`i drejtohemi pra Tonin Shtjefnit me vargjet që ai vetë shkroi nga fundi i jetës : ”Ku shkove kështu?/Cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë?!/ Si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur /ikën e ikën e asnjë fjalë s’të thamë.”

-Tiranë 2010 -

-------------------

MBUROJË SPARTANE

-Shokut dhe kolegut tim, (të ndjerit),poetit Tonin Shtjefni- (Pastmortum, 2010)

Nga Zeqir Lushaj

…!

Me erdhi fjala jote,

Thuej Zeqos:

-Eja e më tako!!

 

Këmbët, merrnin rrugën,

Zemra thoshte:

-Ku po shko?!

 

…!

Nuk erdha Tonin,

Miku im i mirë i rinisë,

Të të shihja në çastet e fundit,

Në rrugën pa kthim ku ishe nisë!

 

Mos më qorto,

O  Tonçe Shkodrani,

Prap , bashkë do të jemi,

Prap, bashkë do të rrimë,

 

Si në radhën e qumshtit,

(Në kohën e Tufzimit),

Tek dera e varrezave,

Rradhën presim që të hyjmë!

 

…!

Në shenj autokritike ndaj teje,

Në të gjallë tim po të nisi letër,

Ta mbajë si mburojë spartane,

Ndaj “sulmeve” në botën tjetër.

./.

 

FILOZOFIA E JETËS

Nga Tonin Shtjefni

 

Tonin Shtjefni në kohën e studimeve universitare

 

Me këmbët e zbathura në rrathët e ferrit,

ecim dhe mundohemi

këtë shteg të kalojmë,

duke shtyrë njeri-tjetrin,

ne të burgosurit e lirisë në mëkatin tonë.

Jemi të gjithë këtu, me nga një kryq mbi supe,

duke u përgjakur mbi ferrat ku ecim,

duam të bindim vetveten se jemi të ndershëm,

Por ç’do të thotë ndershmëri,

pyesim dhe heshtim.

Përse ngecem këtu në mes të ferrave,

ku jemi,

na ndihmo Zot na ndihmo Shën Mëri,

Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur,

por robër të mëkatit mbetëm përsëri.

Në këtë shteg të lodhshëm po na zë nata,

ditët po i presim në këtë shteg me rradhë,

duke urryer njeri-tjetrin,

duke e rrëzuar njeri-tjetrin,

njeri-tjetrin duke pështyrë dhe sharë.

 

* * *

Dje ishte një ditë me diell,

por kopshti i mendimeve kishte ngrirë nga ngrica,

unë shkela në truadhin që kërciste mjerueshëm,

shkela përdhunshëm,

dhe përdhunshëm ika.

Mu dhimbs kopshti im që e lashë në të ftohtë,

ktheva kokën dhe e pashë përsëri,

i bindur se një ditë prap këtu do të kthehem

kur të vijë pranvera e ngrica të shkrijë.

 

* * *

Një kalë trokon nëpër heshtjen time,

trokon,trokon e ikën papushim,

sa larg ai qënka,

sa kohë paska shkuar,

sa kohë paska shkuar,

duke trokuar në ditët pa kthim.

Ky kalë i vetmuar qënkam unë vetë,

i lodhur, i djersitur,

nëpër diell e shi,

njerëzit kthejnë kokën dhe I thonë njeri-tjetrit,

nga vjen e ku shkon ky kalë në vetmi.

 

Tonin Shtjefni, fragment nga libri “Filozofia e jetës”,

Enti botues “Gjergj Fishta” 2003

-----------

Drejtues i Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës.

----------------------

-Ky botim në shenj kujtimi per mikun, shokun e kolegun tonë të paharruar Tonin Shtjefni-

-Nga Kolec Traboini e Zeqir Lushaj-

(Si montazh trio, ekskluziv per ZSh-në,  Prill 2013)



(Vota: 31 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: