Xhevahir Cirongu: Jehona e këngës Skraparase në qytetin e Durrësit
| E Diel, 28.04.2013, 05:59 AM |

Jehona e këngës Skraparase vallëzon me kaltërsinë e valëve adriatikase në qytetin e Durrësit

…Baba Tomorri,-puthë kupën qiellore e takon zotin!

Ekskluzive nga Xhevahir Cirongu

Ngjitemi në të përpjetën e kodrës së Vilës ,atje ku nga ajo  kodër  me ullinjë shekullorë nga lartësia e sajë shikohet si në pëllëmbë të dorës  me sy të lirë qyteti  bregdetar i Durrësit. Vështron  detin që dallgëzon lehëtas me valët e bardha që puthin tokën e kthehen andej nga kanë ardhur. Eshtë Prill, e rrezet e diellit sapo janë ulur këmbëkryq  bregut të detit me ngrohtësin e tyre. Edhe dallëndyshet kanë ardhur më herët e kanë ngrutur foletë e reja strehëve të shtëpive apo të ballkoneve të pallatave. Pulbardhat  gugisin me zërin e tyre  gëzueshëm nëpër kaltërisnë e detit. Gjelbërimi i pemëve e lulet buzëqeshin  në këtë prill me diell pranveror. Ky peizazh pranveror ka  lajmëruar  para kohe mirëseardhjen për  pushuesit e shumtë  që frekuentojnë  këtë  qytetet  me plazhin e bukur që ka.. Në qytetin bregdetar  ka  jetë e gjallëri për gjithë stinët e vitit. A nuk janë si zogjtë shtegtarë emigrantë shqiptarë të të gjithave trojeve tona që hyjnë e dalin në nyjen e portit më të madh të Shqipërisë  e të ballkanit që vinë e shkojnë me tragete aty?! Por edhe vizitorët e shumtë i pret e i përcjell  ky qytet sa i lashtë e i ri të ditëve tona.  E veçanta e qytetit  shekullor të Durrësit qëndron në faktin se edhe në ditët e sotme ai ka ditur t’u thotë ‘’mirëseardhjen ‘’ edhe migrantëve të ardhur nga e gjithë shqipëria: nga Veriu e Jugu ,por edhe nga  shqipëria e mesame në këto vite tranzicionit. Të ardhurit  në këtë qytet mikëpritës janë integruar  me  punën , arsimin e kulturën  që mbart  e përcjell  jeta  shoqërore qytetare në edukimin shoqëror e atdhetar. Janë të shumtë  skraparas  që u zhvendosën nga  vendlindja e tyre  në këto vite të fundit , sot banojnë e punojnë  në lagjet e këtij qyteti bregdetar. Sipas statistikave zyrtare   numri i Skraparasave  që jetojnë punojnë në Durrës kapin shifrën  rreth 13 mijë banorë. Ata janë shtrirë pothuajse në çdo lagje të qytetit,por    kodrat mbi Spitalin Rajonal të Durrësit , gjendet komuniteti më i madh me Skraparas; sa  vendasit e kanë emëruar “ Lagja e Skraparasave’’. Shtëpitë i kanë ndërtuar  me komoditetin e kohës që të rrëmbejnë për nga  arkitetura karakteristike ndërtimore. Një komonutet  i  gjerë ndodhet edhe në komunën e Rrashbullit, kryesishtë të ardhur aty nga fshatrat e zonës Tomorricë, saqë emërtimin ia kanë thirrur ‘’Tomorroca e vogël’’.

–Ky emërtim i shkon  kësaj lagjjeje, sepse kështu e kishte emrin edhe makina  shirëse e grurit  që u prodhua në UMB-në, Durrës rreth viteve 80 –të, - na thotë një banor i këtij fshati i cili kishte qënë agranom  në vitet e komunizmit në zonën e Tomorricës.

–Kur na merr malli për vendlindjen tonë, na thonë Skraparasit, ngjitemi aty në Kodër Vilë e sytë i hedhim andej nga lind dielli, pra në malin e perëndive te  baba Tomorri! Dhe kjo është më se e vërtetë, sepse gjithë shqiptarët kudo nëpër botë marrin bekimin tek ky mali i  shenjtë, mal i magjishëm  me mistere që shkenca  po punon për të zbuluar të vërtetat  e fshahta që ka mali i Tomorrit në mirësinë e njerëzimit. Aty janë thurur  shumë legjenda, pra që nga lashtësia e deri sot.

Ishte rruga e gjatë historike e atdhetarëve  shqiptarë që nën një emër simbolik me emrin Tomorr organizuan në Bukuresht duke shkrirë tre shoqata ‘’Dituria’’, ‘’Drita’’, e ‘’Shpresa’’ me emrin simbol ‘’Shoqata Tomorri’’ e cila mori udhën e saj të jetës më 2 Nëtor të vitit 1906 në shtëpinë e Kristo Meksit me 92 firmëtarë. Mali i Tomorrit është simboli i bashkimit dhe i qëndersës  në shekuj  të shqiptarëve për liri e barazi shoqërore. Jo më kot Naimi i këndoi dhe iu drejtua këtij mali si asnjë tjetër. Por, edhe Kristoforidhi, Çajupi, Azdreni, De Rada. Udha e shoqatës ‘’Tomorri’’ shtriu veprimtarinë e vet edhe në Egjipt,Turqi,ShBA. Ajo mori përmasa ndërkombëtare.Shoqata Tomorri e Bukureshtit në formë klubesh shtrin degët e sajë nëpër Shqipëri si: ‘’Pellazgu’’ në Skrapar me drejtues  Abdulla Koprëncka, klubi ‘’Bashkimi’’ në Vërzhezhë e drejtuar nge dervish Iljaz Qafoku, por  të tilla klube bashkimi u krijuan edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

…Në udhëtimin 10 vjeçar të shoqatës ‘’Tomorri’’( dega Durrës)

Tashmë shoqata ‘’Tomorri’’ shtrihet  pothuajse në të gjitha qytetet apo krahinat e Shqipërisë. Madje ato janë krijuar edhe në  Kosovë, Maqedoni e gjetkë që zhvillojnë aktivitetin e tyre atdhetar e shoqëror në edukimin e brezave me traditat tona më të mira. Edhe në qytetin e Durrësit kjo shoqatë festoi  më 20 Prill 2013, dhjetë vjetorin e krijimit të saj. Në këtë shoqatë marrin pjesë nga gjithë komunitetet e Shqipërisë të cilët jetojnë në qytetin e Durrësit. Larmija e aktiviteteve  është e dukshme nga kjo shoqatë aktive në festimet e ndryshme të ngjarjeve historike e kulturore. Kështu, në nëntor 2012 u përkujtua me anën e një dokumentari  jeta e veprimtaria  atdhetare për Zylyftar Veleshnjen. Me interes në këto aktivitete është ndjekur edhe dokumentari ‘’Tomorri në Kosovë’’, por edhe  njohja me ‘’Këngët e Tomorrit’’. Drejtuesi i shoqatës  ‘’Tomorri’’ (Dega Durrës)z. Hajri Nuhu ,na thotë me krenari se kjo shoqatë  është rritur  në shifrat numerike me një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Ata janë jo vetëm nga Skrapari, por edhe nga Berati,Korça, Gramshi, Përmeti, Durrësi, Tirana, Elbasani, Lushnja, Shkodra, Kukësi,Dibra, Tepelena, etj. Interesante e kësaj shoqate janë  edhe aktivitete që zhvillon në njohjen e prapagandimin e librave si thesare të diturisë, kulturës  e të historisë. Janë organizuar promovimesh  libra si: ‘’Sfidat e poetit’’ të  autorit  Nuri Dragoi për  poetin Xhevahir Spahiu,’’ Orakuj të harruar’’, Zylyftar Hoxha, ‘’ Edhe kështu mirë’’ të  Abdulla Bregut, ‘’Shëndetësia në Skrapar’’ të autorit Novruz Gërxhani, ‘’Pleqtë e lagjes sime’’ me autor Gëzim Aliaj etj. Ajo që të bën përshtypje e që të afron me vendlindjen janë edhe pikturat universale  të piktorit  skraparas  Nuri Jaupi. Nga ky piktor janë hapur disa ekspozita me pikturat    flasin me ngjyrat  e ndezura  plot kolor nga gjithë trevat e shqipërisë, Kosovës, etj. Herë pas here janë organizuar edhe koncerte me këngë e valle të grupit ‘’Riza Cerova’’ e ‘’Demir Zyko’’.Koncerte me Dule Malindin,Irini Qiriako, Nertla Vreto etj.

Kush janë sfidat e shoqatës ‘’Tomorri’’ për të ardhmen e afrtë?

Sipas organizimi të ri që po bën kjo shoqatë, ka nisur regjistrimi dhe aderimi i antarëve pjesëmarrës. Çdo anëtar  do të ketë kartën diçitale. Nga kjo kartë regjistruese  indetifikuese çdo anëtar i saj do të përfitojë  bonos  falas pranë spitalit IKEDA në Durrës. Po kështu ka nisur abonimi për gazetën ‘’Dielli i Tomorrit’’ që është organ i shoqatës ‘’Tomorri’’. Një lajm i mirëpritur nga pjesëmarrësit  në festimin e 10 vjetorit të degës Durrës, ishte ajo e nisjes së shpejti  nga puna transmetimi  i emisioneve ‘’Radio Tomorri’’.  Aktiviteti i organizuar nga shoqata pati një pjesëmarrje të gjerë rreth 350-400 pjesëmarrës . Një pjesëmarrje  më të dukshme në këtë aktivitet  mbreslënës ishin  nga zonat Vëndreshë, Tomorricë e Qëndër. I ftuar në këtë eveniment atdhetar e kulturor  ishte edhe këngëtari  Dule Malindi.Kënga e vallja Skraparase  u bashkua me valet e detit adriatikase në qytetin e Durrësit. Të gjithë këndonin e vallëzonin me bekomin e Baba Tomorrit , sepse e sotmja dhe e nesërmja  kanë e do kenë kaltërsinë tomorriane e atë  adriatikase të bashkuar  për një jetë sa më dinjitoze.

Fotot nga Xhevahir Cirongu : Pamje  nga 10 vjetori i shoqatës ‘’Tomarri’’Prill 2013, Durrës.

 

…Në Tomorr ku mblidhen retë, të bashkuar motë  e jetë!


Durrës, Prill 2013

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: