Nuhi Veselaj: Një shekull jetë, me shekuj lavdi
| E Premte, 09.05.2008, 07:03 PM |

NJË SHEKULL JETË, ME SHEKUJ LAVDI
Të lumtat! e  Mehmet Gjevorit

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Si të përmendet emri i Mehmet Gjevorit vetvetiu, jo vetëm ne mësuesve veteranë të Kosovës, por tërë  botës intelektuale te ne e më gjerë, na sjell ndërmend një histori të bujshme dhe krenare të  popullit tonë ndërlidhur me personalitetin e tij, të cilin e karakterizojnë këta tre faktorë: jetëgjatësia, mençuria dhe stimulimi, qoftë moral, qoftë material .që po i shtjellojmë më poshtë.
1. Për faktorin e parë mund të themi se e ka dhuratë nga Perëndia, por edhe ai vetë, siç e përmend ndonjëherë, i ka ndihmuar jetëgjatësisë së tij, ndër të tjera: së pari, duke përmbajtur shëndetin mental nën kontroll në të gjitha situatat e nervozizmit, si shoqëror, ashtu edhe në atë intim, familjar, së dyti me ushtrime trupore e ngapak edhe me punë fizike, sidomos në kopshtin shtëpiak) dhe së treti, me regjim të rregullt ushqimor, pa e rënduar organizmin me haje të tepruar, e as me duhan e alkool.
  2. Faktorin e dytë mençurinë (të lindur dhe të kultivuar) e ka shfrytëzuar si duhet, duke punuar me mend e rend e me urtësi, duke e lidhur atë veprimtari edhe me idealin kombëtar. Kështu pasi mori dije fillestare në Elbasan (vendlindja e tij), në atë kërthizë të Shqipërisë, siç e thoshte Naim Frashër, ose në atë qendër të arsimimit të Shqiptarisë, siç do të thoshim ne, mësimin dhe edukimin do ta vazhdojë në Tiranë në Shkollën e Fullcit, dega e mësuesisë, ku në moshën e djalërisë, u  brumos e u stolis me dije, disiplinë e shprehi pune, karakteristika këto që duhet t’i ketë edhe çdo mësues patriot që e do vendin e vet dhe ardhmëninë e brezave që ka për ideal t’i mësojë e edukojë. Ndërkohë kur arriti të formohej e burrnohej intelektualisht dhe të punësohej në profesionin e mësuesit, iu përgjigj thirrjes së Ministrisë  së  Arsimit të atëhershme që të ndihmojë shkollën e arsimin e një pjese të Shqipnisë së rilindur a të rinuar - Kosovës. Kështu ai, që nga viti 1941, vullnetarisht, erdhi dhe mbeti në Kosovë (siç e quan shpesh ai vendlindje të dytë të tij), për të dhënë kontributin vetjak në të mirë të shkollës shqipe e zgjimit kombëtar. Fillimisht selinë e pati në Prizren e pastaj në Prishtinë. E thamë seli, sepse puna e tij fillimisht, pothuajse, nuk kishte seli. Ai ishte kudo ku e lypte nevoja, si inspektor arsimi shërbeu në një kohë shumë të ndërlikuar, por ai nuk paraqitej si kontrollor oficiel, por si mësues e udhërrëfyes i mësuesve, qoftë në çdo shkollë drejtpërdrejt, qoftë edhe në kurse pedagogjike për mësues etj. Abetarja me emrin e tij shfletohej edhe jashtë bankave të shkollës, edhe nga pleq e plaka, por edhe nga mjaft të reja e të rinj që s‘kishin pasur mundësi të ndiqnin shkolla, ngase shkolla shqipe, as mësimi shqip në Jugosllavinë e Kralit të Serbisë, jo vetëm që nuk ishte i lejuar, por ndëshkohej rëndë secili që do të përpiqej të shprehte interesim në atë drejtim. Sidoqoftë, ne e quajmë mençuri, ndërlidhjen e punës së tij jo me politika të ditës  a karrierë kushtetore që mund t’i ofroheshin atëherë, por e mishëroi punën e vet vetëm në arsim, pikërisht me njohjen e rrethanave të caktuara shoqërore e politike në të mirë të shkollës shqipe dhe të zgjimit kombëtar, ndihmesë kjo të cilën do ta vijojë ai gjatë tërë veprimtarisë së tij jetësore këndej.
 Këtë që e thamë më së miri e vërtetojnë disa nga veprat e tij  tashmë të botuara:
-Abetarrja, themeli i alfabetimit të çdo civilizimi shoqëror;
-Rreth metodikës së lexim-shkrimit, përkatësisht Udhëzime për mësimin e lexim-shkrimit në klasë I fillore, ndihmesa këto, jo vetëm për mësuesit, por edhe për prindërit e edukatorët në përgjithësi;
-Prindërit dhe fëmijët si dhe Prindërit -edukatorë të parë të fëmijëve – vepra pedagogjike këto shumë të nevojshme, në fushë të edukimit;
-Frazeologjizma të gjuhës shqipe, material ky me shumë vlerë, ngase përmbledh një thesar shprehës mjaft voluminoz të mjaltit dituror e letraro-gjuhësor të  urtisë e të kulturës sonë kombëtare;
- 1) Kujtime e shënime rreth punës së shkollave të para shqipe në Kosovë, gjatë dhe pas Luftës II Botërore, 2)  Shkolla teknike e Tiranës,  3) Sami Raça, figurë e shquar e  arsimit shqip,  vepra monografike këto, me të cilat e ka pasuruar historikun e shkollës shqipe në Kosovë, duke i theksuar edhe edhe disa nga shembëlltyrat e ndritura të arsimit te ne
-  Ndihmesë për shqipen letrare, vepër gjuhësore kjo, ku përmblodhi disa nga punimet e tij nga fusha e normës letrare, sepse në këtë fushë, si ortolog normënjohës, ka dhënë kontribut me përvojën e tij disa vjeçare, qoftë si bashkautor tekstesh e si lektor, qoftë si redaktor gjuhësor për disa vepra të caktuara letrare e shkencore, punë kjo që meriton trajtim të posaçëm profesional, ngase autori nuk mbetet vetëm në “ndreqje gabimesh”, por shpreh edhe ndonjë kritikë a përplotësim të normës së sotme.
Siç po shihet nga veprat e sipërcekura  emri i Mehmet Gjevorit na del një autoritet që lavdinë nuk e arriti me pushtet ushtarak as me karrierë politike, as me para e shërbesa biznesi, por me mençurinë e tij, jo vetëm me punë e fjalë të ëmbla, por edhe dhe me pendë e punë përkushtuese, kryesisht në fushë të arsimit e të kulturës sonë edukative e gjuhësore.
 3. Ndonëse stimulimi moral e material nuk ndërlidhen domosdo me mençurinë e individit, ngase ajo mund të varet edhe nga rrethana të tjera, Mehmet Gjevori, duke mos e ngarkuar veten me gjëra që s’mund t’i bartte, por vetëm me ato që mund t’i kapërthente, pra në fushë të arsimit e të kulturës, i mundësoi vetes stimulim për lakmi, si mbi bazë materiale (siguroi me tapi shtëpi personale me oborr (10 ari) në qendër të Prishtinës), por aq më tepër pati stimulim mbi bazë morale, prandaj, edhe ne, ndonëse e dimë se në çdo punë e veprim stimulimi material është i domosdoshëm, me të drejtë, po e përmendim më shumë stimulimin moral, sepse është e vërtetë, se emri i Mehmet Gjevorit ecte më shpejt se që arrinin këmbët e fjalët e tij si inspektor në shkollat e fshatrave e të qyteteve an’e mbanë Kosovës e viseve të tjera shqiptare. Roli i tij  në vazhdim ishte edhe më i dukshëm, sepse duke ushqyer trungun e arsimit dhe duke u dhënë bulëzim e fryte pareshtur brezave dhe dijes përgjithësisht ia rriste edhe autoritetin vetvetes. Emri i tij arriti të dëgjohej edhe në anët më periferike të shqipfolësve dhe adhuruesve të mësimit shqip ane mbanë ish -Jugosllavisë, por edhe më gjerë.
Unë për vete, për të parën herë Mehmet Gjevorin e mbaj mend që nga viti 1946. Ai erdhi në shkollën tonë në Suharekë (Theranda e sotme). Mësues atëherë e kishim Adem Bllacën. Si shkollë shërbente një ndërtesë në Fidanishte (nga Topallnica).  Ne nxënësit e vumë re se ai inspektori ishte njeri rëndomtë, pa truprojë, pa pushkë a revole e salltanete të tilla që ishin rëndomësi e kohës, por  ishte një njeri kokulur që ecte shpejt dhe shpejt u ngjit edhe shkallëve për në dhomën e mësimit. Kur hymë në klasë vërejtëm se ai ishte ulur në karrigen e mësuesit dhe mbi tavolinë shënonte diçka shpejt dhe me një shkrim shumë të bukur. Pa mbaruar ora pyeti se a di kush ndonjë vjershë me recitue. U stepëm në çast, por pasi mësuesi më dha shenjë me kokë, u paraqita dhe ia fillova me vargjet: Sa e dua Shqipërinë (vjershë e Sejfulla Malëshovës). Pasi e recitova inspektori më  përkëdheli pak flokët dhe më tha: Të lumtë!  Ishte hera e parë që ne nxënësit dëgjuam një fjalë të tillë urimi. Më tepër për raste të tilla përdoreshin fjalë të tjera, si: pirolla, aferim, fort mirë, bash mirë, shumë mirë etj., ndërsa në shkollë thuhej edhe bravo!! 
Ç’ është e vërteta, Inspektori shkoi ashtu si erdhi me hapa të shpejtë, por te ne la përshtypje të paharrueshme, siç ishte, ndër të tjera, modestia dhe afria e tij me mësuesin (vartësin e tij)  dhe me nxënës bashkë me fjalë-urimin Të lumtë! S’mund ta fsheh të vërtetën. Fjala të lumtë! s’më hiqej nga mendja. Madje po këtë fjalë kur ma shënoi në letër më vonë, pas dy vjetësh, mësuesi i gjuhës Ndoc Deda,  kur pata guxim me ia dhënë vjershën e parë!, ajo gjithsesi mbeti nën hijen e fjalës magjike të thënë së pari nga Mehmet Gjevori. E vërteta, kjo të lumtë!  për tërë jetën më shoqëroi dhe më dha zemër që të vazhdoja me punue me vullnet sidomos në fushën e arsimit, por edhe më vonë në lëmin e vjershërimit e të krijimtarisë.
 Takimin tjetër me Mehmet Gjevorin rastisi të kem pas 30 e sa vjetësh, kur ai si redaktor i librit tim me vjersha Rrezet e Ylberta, përsëri ma lëvdoi punën, por nuk më tha të lumtë! Nuk më tha të lumtë as kur e mori vesh se  unë isha autor i  punimit Paskajorja – çështje e shqipes standarde (2000) të cilën e  pati në lektorim dhe e pëlqeu shumë. Pas këtij rasti me prof. Mehmet Gjevorin kam qenë më i ndërlidhur miqësisht, shoqërisht a si me thënë edhe prindërisht, por edhe si bashkëpunëtor, ngase kur kishte diçka me rëndësi konsultohej me mua, ndërsa edhe kërkonte dorëshkrimet e mia, qoftë letrare, qoftë ato shkencore, të cilat i lexonte pa përtesë, por edhe i verifikonte  drejtshkrimisht. Nuk sillej kështu vetëm me mua, por edhe me bashkëpunëtorë të tjerë të shumtë, prandaj të lumtat!, tashmë të pa shqiptuara me gojë, po me zemër prej nesh i meritonte vetë profesor Mehmet Gjevori. Një sqarim: veteranin Mehmet Gjevorin profesor e kanë quajtur edhe prof. Eqerem Çabej, Mahir Domi, Jani Thomai e të tjerë prandaj edhe ne, ngase vërtet me përvojën e me mësimet e tij ka arritur ta meritojë një emërtim të tillë stimulues. Është e vërtetë se në çdo bisedë në çdo takim me të, kishte e ka njeriu çka të mësojë nga përvoja e tij shumëvjeçare, përvojë e vlefshme kjo që ia vlen ta shfrytëzojnë edhe brezat e ardhshëm. Nga konteksti i veprimtarisë së tij doli edhe frymëzimi që ta shkruaja oden, me titull: Me breza ndër breza, kushtuar veteranëve të arsimit, të botuar në gazetën Shkëndija,  me tekst të futur brenda kornizës së fotografi-skicës së tij.
E tani do të më lejohet  të shtoj edhe një të dhënë tjetër me shumë rëndësi për jetën e tij. Duhet thënë me plot gojë, jo sa për të thënë, por për hir të së vërtetës se pleqërinë e tij të mbarë me mjedis komod të rehatshme ia ka mundësuar sidomos gjiri i ngushtë familjar, me djalin Shkëlzenin, renë Bakijen, nipin e mbesën, për edhe familja e gjerë e vajzave të tij si dhe miqtë e adhuruesit e tij të shumtë. Vetë qindvjeçari ynë rrëfehet se ka pasur fat ogurbardhë që i ka ra hise reja Bakie, e cila, nuk kujdeset vetëm për të e për mbarëvajtjen e shtëpisë, por  meriton lavdërim e mirënjohje sidomos për pritje të ngrohtë dhe e të përzemërt që tregon ajo ndaj vizitorëve të shumtë, qoftë nga familja e tij e gjerë nga Elbasani e Prishtina,, qoftë nga adhuruesit  e miqtë e tij të shumtë të vjetër e të rinj an’e mbanë botës shqiptare.
Sidoqoftë, jeta dhe vepra e prof. Mehmet Gjevorit mund të përmblidhet në fjalët që i dhamë titullin këtij shkrimi Një shekull jetë me shekuj lavdi!, lavdi kjo që nuk do të shuhet, por do të ketë rritje deri në amshim. Si dëshmi më e mirë janë kujtimet për veprimtarinë e tij, por sidomos veprat e shkruara që na i ka lënë të botuara dhe shpresojmë se do të mund të botohen edhe të tjera qoftë edhe nga  penda e tij, qoftë nga të tjerat për të e për veprat e tij, të cilat pritem të vlerësohen edhe më profesionalisht nga specialistët e fushave përkatëse ditunore.

Prishtinë, 22.12.2006



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: