Vangjush Saro: Çudia më e madhe zgjat tre ditë
| E Enjte, 04.04.2013, 06:00 PM |

Çudia më e madhe zgjat tre ditë

(Nëntitull. Më mirë, replikë me bërtitësit e këtyre ditëve: Çfarë kini menduar, që do të udhëtojmë drejt BE-së ashtu pa zhurmë, pa eksese, të udhëhequr nga idealistë të kulluar apo thjesht “burra të mirë”? Të tillë nuk ka.)

Nga Vangjush Saro

Këto ditë, ka pasur shumë reagime në lidhje me lëvizjet e fundit në hapësirat e majta të politikës shqiptare. Largimi i LSI-së nga qeveria dhe projektimi i një koalicioni të ri, krijuan njëlloj turbullie në rrethe të caktuara në Shqipëri (dhe jo vetëm). Në këto radhë, do të përpiqemi t’i shkojmë këtij zhvillimi sa më afër, ndërkohë që do ta përcjellim atë pa entuziazëm, pa brohori, por edhe pa mallkime...Tani kjo ndodhi, donin apo nuk donin bërtitësit e këtyre ditëve. Duke kërkuar një shpjegim për çka ndodhi, më vijnë në mendje fjalët e avokatit në novelën “I huaji” të Alfred Kamysë: “Ja fytyra e këtij procesi. Gjithçka është e vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë.”

Përtej aludimeve dhe lojërave stilistike, cilat janë problemet që mund të prodhojë ky koalicion? Sigurisht, në të dyja krahët e pellgjet politike, uji do të turbullohet paq një copë herë, paçka se edhe kështu, i turbulluar është mjaft. PD do të shtrëngohet të gjejë të tjerë aleatë, por mes dhimbjesh. Bie fjala, PBDNJ e minoritarëve dhe PDIU e çamëve, vështirë të rrinë nën një strehë. Por kemi parë edhe më keq. Mund të rrinë. E njëjta dhimbje, do të ndjehet te të majtët, ku partitë e vockla që tani kanë filluar të bëjnë lojëra emocionale. Më në fund, dy koalicionet do të shkojnë në zgjedhje duke vështruar me frikë shoqi-shoqin. Dhe zgjedhjet nuk do të jenë të qeta. Por sërish mund të them, kemi parë edhe më keq.

Po a mund të ketë pas kësaj lëvizjeje valëzime a dallgëzime që edhe i dimë edhe s’i dimë të gjitha? Sigurisht. Së pari, ky zhvillim duhet kuptuar si një presion i të huajve për të ndryshuar raportet politike dhe për të parë në një dritë tjetër perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE; gjithaq, ky presion vjen edhe nga vetë njerëzit, paçka se shkrues të ndryshëm janë grindur këto ditë si rrallëherë, ndërkohë që kushërinj të tyre në politikë kanë vrapuar të dalin nga PS për t’i shërbyer shumicës inekzistente e që, për fat keq, ende (keq)qeveris vendin. Më tej, një rotacion qeverisjeje është i nevojshëm dhe koalicioni i ri, i saposhpallur, duket se mund ta realizojë atë. Gjithsesi, kjo është një tjetër provë për njerëzit: e duan ende autoritarizmin dhe delirin berishian apo iu duket më e drejtë të provojnë një qeverisje (ndoshta) ndryshe?

Tani, le të flasim edhe më hapur. Fundja, çfarë prisnin shqiptarët, një zgjidhje me deus eks makina, një zhvillim me figura politike të pastra e të papërgojuara dhe një vallzim danubian drejt BE-së? Atyre që grinden për “tradhtinë” në PS, mund t’iu kujtojmë se kjo e fundit nuk se është ndonjë krijesë kështu fine, pa mëkate, pa hije. Apo jo? Të gjithë e dinë sa herë është vënë përballë akuzave (soj-soj) lideri Edi Rama, sa edhe deputetë të tjerë, me gjithë djemtë e tyre të përkëdhelur. Çfarë mund të ndodhte sipas bërtitësve të këtij zhvillimi, të rilindej një burrë si Ibrahim Rugova, që ishte aq i urtë dhe që e zotëronte veten dhe çështjet? Çfarë menduan shqiptarët, që do të udhëtojnë drejt BE-së ashtu pa zhurmë, pa eksese, të udhëhequr nga idealistë të kulluar apo thjesht “burra të mirë”? Nuk ka të tillë për momentin; ka njerëz që janë prej kohësh në politikë, qëndrojnë atje fort, bëjnë ç’të mundin për veten dhe për klanet që përfaqësojnë; i bëjnë mirë këto gjëra. Ja kaq.

Kur mendoj pak më shqipërisht, më del se edhe unë vetë kam pasur më shumë dashamirësi për politikanë të cilët nuk mbijetuan dot, si të thuash i kanë “dëbuar” tashmë. Po përmend vetëm disa prej tyre: Haxhi Aliko, profesor, ish-rektor universiteti, ish-deputet i PSD, njeri me karakter dhe i qendrueshëm, asnjëherë i përgojuar. Aleksandër Biberaj, profesor Universiteti, ish-deputet i PD-së, njeri me mendje të kthjellët dhe me karakter, i papërgojuar. Më tej, në një sens realist, ç’faj iu kanë qytetarëve dhe shkruesve gjaknxehtë politikanë si Panariti apo Haxhinastoja, që nuk janë dëgjuar të përzihen në ndonjëlloj afere?

Pra, kur tentojmë të bëjmë një analizë apo të flasim për një grup të caktuar, edhe pse liderët (veçmas në Shqipëri) “peshojnë” shumë, mirë është të vështrojmë në krejt panelin; hapësira është edhe e të tjerëve. Problemet e hapura, të formuluara disa herë, ndaj krerëve të politikës, Berishës, Ramës, Metës, le t’i përballojë drejtësia. Gjysma e shqiptarëve që votojnë, ata kanë zgjedhur; pra le të mendohen më mirë herë tjetër, të gjejnë mënyrën për të kërkuar modelin perëndimor kundrejt atij lindor, fundja të tregohen më të zgjuar në aventurat e tjera zgjedhore. Çka tjetër mund të flasim...Në një nga poezitë e tij, Sergei Esenini thotë: “Jam gati që kravatën më të mirë,/ t’ia fal kalit që më parë të dalë.”

Hajde, mos u mërzitni...



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: