Petrit Mateli: Kujtime për skuadrën e futbollit të Ballabanit
| E Marte, 02.04.2013, 04:21 PM |

Futbolli është i bukur se të ushqen dashurinë për njëri-tjetrin.

Kujtime për skuadrën e futbollit të Ballabanit.

Nga Petrit Mateli

Para viteve 1990 zona e Ballabanit ka qenë ndër më të populluarat dhe ekonomia më e madhe në rrethin e Përmetit. Ka qenë zonë e rëndësishme për prodhimet blegtorale e bujqësore. Sidomos frutikultura. Shumllojshmëria e pemëve ishte e pranishme në çdo fshat. Fillonin me frutin e qershisë aty nga mesi i Majit dhe përfundonin me dardhët dimërore. Ruajtja e rrushit, e varur nëpër tela poshtë çatisë së shtëpisë dhe ruajtja e dardhëve, ftonjve dhe mollëve në vende të veçanta, bënin që një pjesë e dimrit të shoqërohej me fruta. Në ato kushte, dëshnicari i kishte dhënë kuptim jetës së tij me punë të ndershme e me përkushtim ndaj familjes e njëri-tjetrit. I gjithë fshati konsiderohej si një familje e madhe.

Në vitet `70 të shekullit të kaluar, edhe pse kam qenë fëmijë, mbaj mend se fshatrat nuk kanë qenë të izoluar nga njëri-tjetri. Ata bashkëpunonin dhe një frymë miqësie e vëllazërie ekzistonte midis tyre. Në fillim të viteve `70 kam qenë nxënës në shkollën 8-vjeçare të Mazhanit. Shkolla jonë zhvillonte një sërë veprimtarish kulturore dhe sportive. Më shumë, shkolla jonë bashkëpunonte me shkollën 8- vjeçare të Ballit. Midis dy shkollave tona zhvilloheshin ndeshje sportive të rregullta që përsëriteshin vazhdimisht. Qysh në ato vite lindi tek unë dashuria për sportin që më shoqëroi gjatë gjithë jetës. Mësues Fiskulture patëm Ilmi Duron nga Topojani. Ilmiu është babai i dy futbollistëve të shquar të Kombëtares sonë, Klodian e Albert Duro. Ilmiu na përgati dhe na mësoi mjeshtërinë e futbollistit.

Në ato vite ishte ngritur klubi sportiv me qendër në Ballaban që ishte dhe qendra e ekonomisë bujqësore. Skuadra e futbollit të Ballabanit ishte krijuar në ato vite, kur unë isha ende fëmijë. Për herë të parë më kujtohet një ndeshje që u zhvillua në Ballaban. Luante Ballabani me Topojanin. Ishte ndoshta viti 1976 dhe, me sa më kujtohet, ajo ndeshje midis atyre dy skuadrave pati këtë rezultat:

Ballaban -Topojan 3:1

Topojan -Ballaban  2:2

Në këtë kohë me skuadrën e Ballabanit luanin midis lojtarëve edhe:Nderim Kaziu, Hysni Xhani, Petref Velaj (mbrojtje), Astrit Raufi, Dhimitër Kosta, Eqerem Xhaferri, Fadil Velaj, Pëllumb Elezi, Islam Voda(portier) Ilmi Nebiaj (mbrojtje) që kanë qenë ndër më të spikaturit dhe që dalloheshin për përkushtimin dhe shpirtin e sakrificës. Po nga viti në vit skuadrës iu shtuan lojtarë cilësorë si: Gani e Bujar Xhani, Tajar Xhani, Sinan  Çomollari, Rrahman Velaj e shumë të tjerë.

Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim jepnin edhe Gëzim Meçani e Kaso Okolishta. Ata i gjendeshin pranë skuadrës dhe e frymëzonin pothuaj në në gjithë veprimtarinë e saj. Kujtim Hoxha, që në ato vite ka qenë mësuesi i filozofisë në shkollën e mesme të Ballabanit, ka qenë një nga lojtarët më të mirë.

Unë u aktivizova me skuadrën e futbollit aty nga fillimi i viteve `80. Ishte rritur në ato vite fryma sulmuese e skudrës sonë dhe filluam të luanim jo vetëm me skuadrat brenda rrethit të Përmetit, por edhe me rrethet fqinj si Berati, Tepelena, e Skrapari.

Vitet 1982-1983 kanë qenë ndër vitet kur skuadra jonë lunte pothuaj rregullisht dhe çdo fund javë stërviteshim në mjedisin sportive të ekipit tonë. Po kujtoj disa nga ndeshjet më të rëndësishme të vitit 1983, siç ka qenë ajo me skudrën e Zhepovës dhe me Buzin e Tepelenës që u zhvillua në fshatin Selckë. Ja dhe rezultatet e atyre takimeve.

Viti 1983

Zhepoë- Ballaban 3:1

Ballaban-Zhepovë 4:0

Ballaban-Buz  1:2

Buz- Ballaban 1: 5

Skuadra e futbollit kishte një mbështetje të mirë ekonomike si : ushqimi, uniformat, dita e punës, transporti etj. Po ajo që është për t`u theksuar është se disa nga kuadrot kryesorë të atëhershme na shoqëronin pothuaj në të gjitha veprimtaritë futbollistike. Pa këtë mbështetje nuk mund të bëhej asgjë, po të kihet parasysh që qendrat e disa prej skuadrave ku do të shkonim për të luajtur, ishin nëpër fshatra tepër malorë, që edhe mjetet e transportit shkonin me vështirësi. Në këto vite ishin krijuar skuadra futbolli gati në të gjitha kooperativat bujqësore. Herë i nxitnim dhe herë na nxitnin për të luajtur me njëra-tjetrën. Në vitin 1984 skuadra e Ballabanit njohu rritje dhe shënuam mjaft rezultate pozitive. Le të kujtojmë ndeshjet që bëmë me skuadrën e futbollit të kooperativës së Sukës, për të cilën duhet thënë se ishte një skuadër mjaft cilësore.

Viti 1984

Ballaban-Sukë 3:0

Sukë- Ballaban 0:1.

Në këtë ndeshje goli u shënua nga Ëngjëll Karati.

Ndërsa arriheshin rezultate të mira me ekipet kundërshtare, duhet të theksojmë se ishte shpirti luftarak i disa prej lojtarëve që vinin nga të gjitha fshatrat e kooperativës së Ballabanit.

Le të kujtojmë disa prej tyre: Fatmir Memajdini, Qemal Duro (portier), Vladimir Xhaferraj, Agron Pacani, Agim Aliaj, Petrit Aliaj, Muzafer Çela, Astrit Muçaj, Pëllumb Muçaj, Petrit Xhani (mbrojtje-mesfushë) Asqeri Muhameti, Durim Beqari, Pëllumb Muhameti (mesfushor), Bajram Memajdini (mesfushor), Kastriot Karati (mesfushor), Ëngjëll Karati (sulm) Veliko Mateli, Flamur Zoto, si dhe shumë të tjerë. Ishin këta lojtarë që bënin që skuadra jonë të ballafaqohej me cilëndo skuadër. Në vitin 1985 ishte rritur dukshëm cilësia e skuadrës. Bëmë disa ndeshje ku mund të përmendim midis tyre atë me Këlcyrën.

Viti 1985

Këlcyrë- Ballaban 0:3

Ballaban-Këlcyrë 2:0

Vitet 1986 e 1987 patën një jehonë të mirë për skuadrën tonë. U interesuan të luanin me ne edhe skuadra të rrethit të Skraparit, të Beratit dhe të Tepelenës me të cilat luanim për herë të parë. Kështu luajtëm me skuadrën e Vëndreshës (Skrapar) dhe me atë të Rehovës (Berat).

Në këto vite u dalluan vëllezërit Bashkim e Bilbil  Zaimi. Ata vinin larg, që nga Bubësi i Dytë dhe u dalluan për kontributin që i dhanë skuadrës së Ballabanit. Po kështu edhe Pali Alliu, Adriatik Duro, Hysmet Bendo, Zylyftar Memajdini,  e shumë të  tjerë. Artur Dalipi  ka qenë për një kohë të gjatë trajneri i skuadrës sonë.

Ja disa nga rezultatet në vitet 1986-1987.

1986

Ballaban-Kosinë 2:0.

Kosinë- Ballaban 2:1

1987

Ballaban-Petran 4:1

Petran – Ballaban 1:1

Ballaban-Vëndresh2:1

Vëndresh- Ballaban 1:2

Rehovë- Ballaban 1:1

Ballaban-Rehovë 4:1

Në këto vite, disa prej tyre edhe më parë, u dalluan për kontributin e dhënë për skuadrën tonë si: Nafiz Kambellari (Komorak), Mit`hat Çomollari (Komorak), Sulo Kaziu, i palodhur (Pavar) Adriatik Anxhaku(Vinokash), Ladi Canollari (Kondas), Agim Lara (Kondas), Gramoz Murati (Bubës I) e shumë të tjerë. Për t`u shënuar si arritje për skuadrën e Ballabanit janë dhe ato të vitit 1988. Luajtëm e skuadrën e Mërtinjit, që duhet thënë se ka qenë një ndër skuadrat më të mira të krahinës së Dëshnicës. Po pati një interes të veçantë edhe nga disa skuadra të rrethit të Tepelenës si ajo e Izvorit dhe e Cërrilës dhe e fshatit të Memaliajt. Në këto veprimtari, gjithmonë e pa u lodhur na është gjendur pranë vëllai im Tefik Mateli. Në këto vite ai ishte tajner i skuadrës sonë dhe një këshillues i mirë.  Në këtë vit u arritën rezultatet e mëposhtme:

Viti 1988

Ballaban-Mërtinj 1:1

Mërtinj-Ballaban 2:1

Ballaban- Izvor 5:2

Izvor- Ballaban 0:2

Ballaban-Cërril 3:1

Ballaban- Memaliaj (fshat) 2:2.

Theksojmë se gjithmonë kemi pasur dhe një arbitrim të mirë nga Kastriot Saliaj, i cili e shoqëronte skuadrën tonë në të gjitha veprimtaritë e saj. Të palodhur kanë qenë dhe lojtarët, të mrekullueshmit: Adriatik Anxhaku,  Gëzim Shkurti, Isuf Ademi, Krenar Karati, Selim Beqari, Pëllumb Karati, Qerim Aliaj, Plotim Xhani, Arben Mateli, Memo Xhaferri, e shumë të tjerë.

Nga kjo skuadër dolën lojtarë shumë të mirë të cilët pas viteve `90-të luajtën dhe me skuadra të tjera jashtë rrethi tonë. Mund të përmendim Ardian Pacanin. Në vitet 1992-1995 luajti me skuadrën  “Dajti” të rrethit Tiranë, e cila në ato vite ishte në kategorinë e parë. Ardiani u dallua si një nga sulmuesit më të mirë të kësaj skuadre. Fitoret e skuadrës “Dajti” kishin dhe emrin e tij, se Ardiani ishte golshënuesi më i mirë. Me këtë skuadër luajta dhe vetë rreth 9 vite, duke u bërë për mua skuadra e dytë pas asaj të vendlindjes.

Duke i mbyllur këto kujtime për skuadrën e Ballabanit, nuk mund të mos kujtoj të palodhurin Pëllumb Elezi, mësuesi i fiskulturës në shkollën e mesme “Zyrihana Xhako” Ballaban,i cila ka qenë një nga organizatorët kryesorë të këtyre veprimtarive, si dheGuri Shehun i cili ishte përherë shoqërues i skuadrës sonë.

Kanë qenë vite të bukura. Po kush merret me futbollin, e ka përherë jetën të bukur. Futbolli të jep shëndet, të bën të lumtur, të rrit ndienjën e mirëkuptimit dhe reciprocitetit, të bën që të duash ata mijëra që të mbështesin dhe ti po gjithashtu të sjellësh në kujtesë e t`i duash këta mijëra që kanë qenë pjesë e jetës tënde.

Duke medituar për ato vite të rinisë sime, ne dëshnicarët kemi me se të krenohemi, sidomos futbollistët. I shoqëronin ndeshjet tona disa qindra kur luanim në Ballaban, po shumë prej tyre vinin bashkë me ne nëpër fshatra malorë, por sidomos kur luanim në zonën fushore siç është Suka dhe Këlcyra . Këta qindra, pse jo dhe mijëra, kishin mundësinë që pas një pune të lodhshme të argëtoheshin pak. Të harronin për disa orë shqetësimet që jepte jeta, e cila shoqërohej ndonjëherë me ngarkesa të panevojshme. Aty, pranë fushës së futbollit, brohorisnin apo dëshpëroheshin bashkë me ne futbollitët. Shkëmbenim fjalë mirësie me njëri-tjetrin e jeta shkarkohej nga disa ngarkesa negative. Jeta bëhej më e bukur. Na lumturonin me përkushtimin që kishin ndaj futbollit dhe ne ua shpërblenim me punë e rezultate.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: