Frank Shkreli: Kur në Kosovë ndërroi epoka
| E Hene, 01.04.2013, 03:37 PM |

KUR NË KOSOVË NDËRROI EPOKA

Nga Frank Shkreli

Katërmbëdhjetë vjetë më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i  atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për brutalitetin e një fushate ushtrake të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullësisë së Kosovës.

“Ne e ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshmëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar botës fillimin e sulmeve ajërore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj popullësisë shqiptare në Kosovë.

Operacioni ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa anijeve ushtarake -- kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë –kësaj rradhe në përgjigje të keqësimit të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër popullësisë shqiptare të pa mbrojtur.   Zyzrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqës dhe sigurisë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s, Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misjonin dhe objektivat e sulmit të njoftuar një natë më parë nga Presdienti Klinton, duke thënë se qëllimi, “I operacionit  ushtarak të NATO-s është për të  sulmuar forcat ushtarake dhe ato të policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat ushtarake dhe policore serbe     t’i  shpartallojmë ato dhe më në fund t’i asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.   Nga këjo pikëpmaje, operacioni ushtrarak i NATO-s do të jetë aqë i gjatë dhe aq i vështirë për Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjetë më parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.

Më 3 Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar për paqë duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s ratifikoi marrveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrejdhim, operacionet sulmuese ajërore kundër Serbisë.   “The rest is history”, siç thotë fraza anglisht, ose pjesa tjetër është histori.

Më 17 Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.   Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.   Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë.   Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se “Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik i saj”.

Gjatë këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të përparojë.

Është kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe shtetërore të reflektojnë ashtuqë të shënohen përparime të dukshme drejtë forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në vend, me qëllim që të bindet pikëspari populli i Kosovës, por edhe miqët e saj të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze -- që me ndihmën e miqëve të Kosovës -- është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat euro-atlantike,  në Bashkimin Evropian dhe NATON.

Me të drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës -- pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjetë më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës -- ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.   Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një triumf i përmasave historike për kombin shqiptar.   Por, Kosova, si çdo vend tjetër  pëballet me sfida e probleme të mbrendshme dhe të jashtme.   Në arenën ndërkombëtare, aleatët e Serbisë,  Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit.   Por, mbrenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre.   Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë po ashtu të mëdha.   Historia e shqiptarëve është e mbushur me sfida, por në kohë të vështira, shqiptarët gjithmonë janë nda me nder.

Ndërhyrja ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjetë më parë në mbrojtje të popullësisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët.   Tashti është në dorë të Shqiptarëve që të sigurojnë bashkpunimin dhe të fitojnë paqën me njëri tjetrin, me qëllim që të bëjnë historinë e kombit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: