Fotaq Andrea: Pierre Coquelle - Italia dhe çështja shqiptare
| E Hene, 18.03.2013, 07:00 PM |

ITALIA DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE MË 1901

Dokumente në Mbështetje të Historisë së Kombit Shqiptar

Përgatiti Fotaq Andrea

Pierre Coquelle (1859-19..), arkivist e bibliotekar i komunës franceze të Maulanit në Lorrenë, është autor i mjaft botimeve dhe studimeve interesante, përqendruar kryesisht në çështjet ballkanike dhe ato të fesë, sidomos për kishën romake dhe krishterimin në përgjithësi. Ndër studimet e tij përmenden “Historia e Malit të Zi dhe e Bosnjës”, apo “Historia e mbretërisë së Serbisë”, krahas veprës së tij në zë “Napoleoni dhe Anglia në vitet 1803-1813”. Duke ndjekur nga afër zhvillimin e ngjarjeve në Evropë, e kryesisht në Ballkan, ai analizon me objektivitet e koncizitet dukuritë politike të kohës dhe studimet e tij i boton në  revistës prestigjioze “La Revue diplomatique”, ku është bashkëpunëtor i rregullt i saj. Shkrimin Italia dhe çështja shqiptare” ai e ka botuar në n°13 të kësaj Reviste, datuar, E diel, 31 mars 1901. Nuk dimë nëse autori e ka vazhduar këtë studim, ndonëse të fund të artikullit, ai ka vendosur fjalën “Vijon”.

 

Nga Pierre Coquelle

Ftohtësia e dëshmuar kohët e fundit nga ministri i ri italian ndaj Gjermanisë e Austrisë ka qenë tema e shumë artikujve të shtypit francez e të huaj. Italia, e lodhur nga aleanca me fuqitë gjermanike – dhe ne e kuptojmë më së miri që është e lodhur –, do dëshironte të mos ripërtërihej pakti që i bashkon me këto vende, afati i fundit i të cilit mbaron pas dy vjetësh. Ajo do afrohej me Francën, gjë krejt e natyrshme, në përputhje me të shkuarën e saj dhe me ndjenjën intime të masës së kombit, si dhe me Rusinë, gjë që shpjegohet më me vështirësi pas fushatës së mjerueshme të Abisinisë. Bashkimi i ngushtë që ekziston midis Shtëpisë së Savojës dhe vetë Oborrit të Malit të Zi, e afërt kjo me atë të Rusisë do ta bënte të mundur një afrim aq rrënjësor.

Si pasojë e këtij orientimi të ri të politikës së saj të jashtme, Italia do të hiqte dorë përgjithnjë nga kërkesat e saj mbi Triesten dhe Tirolin italian, dhe do të merrte kështu kompensime në Shqipëri.

Nën emrin e Epirit, Shqipëria ka luajtur një rol të madh në mitologji; atje ndodheshin Kolkida, Akeroni, Pindi, Kasiopea, Fushat Eliziane. Që nga ajo kohë, vlera ushtarake e banorëve të saj të njohur nën emrin Skipetar ishte e famshme, ashtu sikurse zakonet e tyre të ashpra e barbare. Ata ishin pjesë përbërëse e madhështisë dhe rënies së perandorisë maqedonase; më pas të lartësimit të Romës e të Bizantit. Nga koha e bashkimit të saj me perandorinë greke fillon të datojë emri i Shqipërisë (Albania) që më parë zbatohej vetëm për një pjesë të vogël të territorit. Shqiptarët arritën kështu të bëhen pak a shumë të pavarur nën perandorët e fundit grekë, pastaj luftuan me ngadhënjim kundër bullgarëve në shekujt IX e X dhe vetëm pjesa veriore e vendit mbeti e pushtuar nga sllavët. Të tërhequr në malet e tyre të pakapërcyeshme, Shqiptarët i shpëtuan sundimit të perandorëve bullgarë e serbë të Mesjetës.

Që na kjo kohë nis urrejtja e thellë e Shqiptarëve për Serbët; dallimi në fe ndihmoi shumë në këtë drejtim. Në fakt, Shqiptarët e shndërruar në kristianizëm në fund të shekullit IX mbetën katolikë nga të Romës, ndërkohë që Sllavët po në këtë periudhë përqafuan fenë greke ortodokse.

Një pjesë e bregdetit të Shqipërisë në detin Adriatik ra në shekullin XII nën pushtetin e Italianëve, të cilët pushtuan me forcë qytetet e Antivarit, Durazzos, Alesios e të Skutarit, dhe ky i fundit shpejt do të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë bregdetare. Megjithatë, asnjëherë Dozhët nuk u orvatën të shtrijnë sundimin e tyre në brendësi të maleve; një popullsi e ashpër, ndonëse e krishterë, që prej treqind vjetësh mbronte me fanatizëm krejt shtigjet e depërtimit.

Nga pikëpamja politike, Shqipëria e Mesjetës, ishte e përçarë në një mori principatash të vogla autonome, të pavarura nga njëra tjetra, dhe që përbënin në tërësinë e tyre një lloj konfederate. Në krejt shtrirjen e tyre sundonte sistemi feudal.

Erdhi pasandaj dyndja e Otomanëve dhe, duke harruar mëritë e vjetra dhe ndryshimin në fe, Fisnikët shqiptarë u bashkuan fillimisht me Serbët dhe luftuan me guxim, së bashku me ta, për krishterimin (Beteja e Kosovës). Pas dërrmimit përfundimtar të Sllavëve, ata e vazhduan të vetëm qëndresën e tyre në male, ndërkohë që Venedikasit mbronin bregdetin. Dhe ia vlen të përmendim këtu Gjergj Kastriotin, të quajtur Skënderbe, fisnikun e Kroias, i krishterë së pari, pasandaj vizitor në fenë e Muahmetit, komandant i kalorësisë së sulltanit, i rikthyer në besimin e të parëve të tij dhe i shndërruar falë bëmave të tij në prototipin e Vlerës së Fuqishme Shqiptare.

Duke qenë tepër afër kufijve të Kostandinopojës dhe goditjeve të saj të vazhdueshme, Shqipëria e pati të vështirë të çlirohej përfundimisht nga sundimi otoman; marrja e Skutarit nga Mehmeti II i largoi Venecianët; dhe tridhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mbrojtësit e fundit të maleve u detyruan t’i nënshtrohen Portës. Ky nënshtrim ishte tërësisht formal, feja e banorëve të saj respektohej, dhe më 1610, vetëm 1 % e Shqiptarëve ishte mysliman; haraçi përfaqësonte një vlerë të papërfillshme dhe asnjëherë nuk paguhej; vetëm disa qytete të rralla kishin një garnizon turk. Duke i përkëdhelur Shqiptarit anën e tij të dobët, lavdinë ushtarake*, sulltani i kërkonte veç një gjë: të shërbente në ushtritë otomane, kundrejt një pagese të majme. Më pas, përfitime të tilla materiale iu dhanë edhe Shqiptarëve që donin të bënin apostazi dhe muhamedanizmi u përhap pak nga pak në male e numri i të krishterëve u pakësua, por pa u zhdukur plotësisht. [...]

Bëmat e Aliut të Tepedelenit, pasha i Janinës në fillim të shekullit XIX u kushtuan Shqiptarëve shumë gjak dhe nuk i ndryshuan asgjë gjendjes së tyre ndaj Portës. Në fakt, ata janë sot, me pak ndryshim, ata që kanë qenë para pesë shekujsh, domethënë janë para së gjithash e mbi të gjitha Skipetarë, emër që do të thotë në gjuhën e tyre bij të shqipes[...] .



* Do shtonim këtu, krahas aftësisë ushtarake të jeniçerit të tmerrshëm shqiptar (mishit për top!), edhe aftësinë drejtuese të tij si administrator shteti, kur njihen tashmë 34 vezirët shqiptarë që drejtuan Perandorinë Osmane.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: