Lutfi Alia: Kanuni - Kodi i së drejtës zakonore shqiptare (17)
| E Hene, 11.03.2013, 08:28 PM |

Në mbyllje të Ciklit:

KANUNI = KODI I SË DREJTËS ZAKONORE SHQIPTARE  (17)

Burrënesha

Shenim i Autorit:

-Kete shkrim deshiroja ta botoja me 8 Mars, në festen gazmore të grave, por impenjimet e shumta në punë më penguan, andaj po e dergoj me pak vonesë dhe me urimet më të mira e gëzime në festat e ardhëshme-

Ekskluzive nga Prof. Lutfi ALIA (MD, Ph)

Të gjitha kanunet shqiptare percaktojnë se burrënia, si kategori etiko-morale dhe etno-psikologjike nuk është atribut vetem i burrave, por dhe i grave dhe i vajzave të rritura, të cilat njihen historikisht si burrënesha.

Kanunet e maleve shqiptare, ashtu si të gjitha kodet e të drejtes zakonore të popujve të tjerë europian dhe me gjërë, të cilet kanë pasqyruar të drejten feudale të kohes që i prodhoje, permbajne elemente të shumta të pabarazisë shoqerore dhe sigurisht, ndermjet tyre shquhet diskriminimi i gruas.

Në strukturen e familjes patriarkale dhe ne shoqerine malesore, sipas Kanuneve te Maleve, gruaja eshte inferiore, e nenshtruar e pa te drejta shoqerore, madje dhe me te drejta juridike te kufizuara.

Megjithe kufizimet, nenvleftesimet e perçmimet, gruaja shqiptare ka gjetur forca dhe hapsire per te treguar vlerat e saj individuale, familjare, shoqerore, psikologjike, shpriterore, sentimentale, kulturore dhe fizike.

Termi burrenesha, nuk ka te beje me perkatesine e seksit, perkundrazi, eshte sfide ndaj sekseve.

Burrenesha quhen ata gra te martuara dhe vajza te rritura, qe manifestonin publikisht vlera te larta etiko-morale dhe etno-psikologjike, te njejta me ato te burrave. Ky nivel i larte shoqerorë i burrneshave, i kishte imponuar burrat t’i nderonin dhe t’i pranonin ne rradhet e tyre, madje u drejtoheshin me respekt, duke i pershendetur “tungjatjeta burrneshë”, pra me nderim sikur fjala burrëneshe te ishte nje titull fisnikerie.

Kanuni i Lekes dhe Kanunet e tjera te Maleve, kategorizojne burrnesha ato femra me karakter te forte, te beses, te ndereshme, fisnike, mikepritese, te mençura, te sakrifices, me kurajo e trimeri jo me pak se burrat. Burrneshat mbajne qendrime familjare e shoqeror te veçanta, te shprehura me sjellje si burrat, kesisoj ata nuk vishen e nuk sillen më si grate e tjera, pra dalin jasht kontureve te shtepijakes, duke marre pozicion shoqeror.

Në gjuhët e huaja, mungon një fjalë barazkuptimore, që të përkthejë të plotë burrëneshen shqiptare (njelloj si me fjalët besa e burrenia), madje dhe si koncept nuk gjen perputhje.

Mungesa e nje fjale identike ne gjuhet e tjera, spjegohet me faktin se ne gjuhen dhe ne kulturen arberoro-shqiptare, termi burrënesha shpreh cilesi të veçanta, qe e kapercejne kuptimin semantik te fjales si perku-fizim biologjik, pasi nuk kemi ndryshime seksi dhe as ndryshime te sjelljes seksuale, si ato qe shkruan Arsistoteli per shoqerine e lashte greke.

Emertimi burrenesha, ne fakt asht pothuajse nje titull nderimi shoqeror, qe i u jipej “zyrtarisht” ne Kuvend, grave dhe vajzave (virgjinave te betueme), qe manifestonin vlera te larta etiko-morale, duke u ngrijt shoqerisht ne nivelet me shanse te barabarta me burrat.

Burrneshat kane ekzistuar dhe ne Greqine antike, amazonat e fameshme, por historia e tyre ka mbetur si nje vegim i larget e i perhumbur ne harresen e kohes, si na e ka transmetuar Homeri ne Iliada dhe Odisea.

Aristoteli e kritikonte bashkesine platonike te grave, pasi e konsideronte kundra natyres. Ai preferonte zevendesimin e erosit platonik me philia te pergjitheshme te popullates, sepse e shihte si lidhje me pak kufizuese e me teper liri, por dhe funksionuese per polisin, ku qytetari i mire, i cili dhe pse mund te mos ishte burre virtuoz (pra nuk sillej si burre), nuk i pengonte grate te kontribuonin ne shoqeri.

Keto aspekte per te cilat flet Aristoteli, Kanuni i Lekes dhe Kanunet e tjera shqiptare nuk i pranojne, pra kundershtojne, qe burrat dhe grate te dalin jasht kuadrit te natyres humane.

E vetmja ngjashmeri e erosit platonik me Kanunet tona, shprehet ne lidhjet e pjesetareve te familjes, sidomos te femijeve te linjes se gjakut, qe i diferencon nga ato te linjes se tamlit (qumeshtit).

Per burreneshat, si fenomen tipik shqiptar, ka shume diskutime, madje dhe kontradiktore.

Ne menyre te veçante, ne dy dekadat e fundit, çeshtjen e burrneshave, studiuesit e huaj e kane shikuar ne optiken e koncepteve moderne mbi sekset, duke e interpretuar si shprehje e homoseksuale.

Si theksova me siper, Kanunet tona e kundershtojne me rreptesi, qe burrat dhe grate tona te dalin jasht natyres humane. Kete mendim e mbeshtet fuqishem dhe antropologia Antonia Young (ne studimin shkencor “Women who become men”), e cila e ka perjashtuar kete mundesi, duke u bazuar ne faktin se shoqeria malesore arberor-shqiptare, ashtu si percaktohet ne Kanunet, eshte ekstremisht maskiliste dhe e konsideron homoseksualitetin nje tabu, ndersa homoseksualiteti femeror, as qe duhet te imagjinohet, pasi Kanunet nuk e marrin ne konsiderate. Ne vazhdim A. Young shprehet: “duhet njohur fakti se keto gra dhe vajza, pasi shpalleshin burrnesha, problemi i seksualitetit ishte i ndrydhur dhe nuk bente pjese ne statusin e ri qe kishin marre”.

Albanologu i shquar Johann G. Von Hahn (filolog dhe diplomat austriak – zv.konsull ne Janine), qe i ka njohur mire zakonet tona, gjate udhetimeve neper trojet shqiptare, ne vitin 1863 shkruante se burrneshat perfaqesojne varjantin shqiptar te devotshmerise kristiane, mendim ky, qe ai e bazonte me mungesen e manastireve katolike ne shume treva shqipatre. Sipas Hahn, konceptet katolike te mos mbylljes te vajzave ne manastire dhe ruajtja-mbrojtja e pastertise morale, u shnderruan ne karaktere te forta luftarake.

Natyrisht, keto opinione bien poshte nga faktet se burrneshat – virgjereshat e betueme, jane si nga popullata katolike dhe nga popullata musulmane e bektashiane, kesisoj motivet fetare nuk e justifikojne kete zgjedhje, per me teper se fetë e tjera nuk kane institutcione te devotshmerise fetare te femrave.

Studiuesi Moikom Zeqo, ne nje analize antropologjike mbi burrneshat, e konsideron kete dukuri si jehone e krizes te matriarkatit, te cilave u shton dhe disa aspekte bixarre te ritit Kuvada te kultures preindoeuropiane. Sipas Moikom Zeqo, keto elemente jane ruajtur nga popullata e zonave malore, te cilet benin nje jete teper te izoluar. Ky varjant eshte pak i besueshem, pasi ne ritin Kuvada, figura qendrore eshte burri (imiton gruan shtatzene ne aktin e lindjes) dhe jo gruaja, ndersa burrneshat tona nuk imitojne, perkundrazi ngrihen me dinjitet ne nivelin e te drejtave te burrit, fitojne te drejten e shanseeve te barabarta.

Mikja e madhe e shqiptareve, Edith Durham, gjate udhetimeve neper trojet shqiptare ne fillimet e shekullit XX, i kishte njohur dhe i admironte burrneshat – virgjereshat e betueme, te cilat i konsideronte si shprehje magjepese e virtyteve te larta te shqiptareve.

Studiues te shumte si Andromaqi Gjergji, Milenko Filipovic, Karl Kaser etj, e lidhin zanafillen e dukurise te burreneshave me helenet dhe  iliret e lashte, pra i shohin burrneshat - virgjereshat e betueme, si jehone dhe ndikim i fenomenit te amazonave – grate luftetare.

Mendoj se eshte e rendesishme te ndalemi ne kete argument. Etimologjia e fjales amazonat (μαζόνες – grua pa gji), sipas mitologjise, i referohet tradites te grave te Sarmatit (ne Kaukaz ndermjet Iberia dhe Albania), te cilat ishin luftetareve te fameshme, qe e gjymtonin (e shtypnin) gjirin e djathte, me qellim, qe te mbanin me mire harkun dhe te rrisnin forcen e krahut te djathte.

Te gjithe autoret e lashte si Homeri, Eskili, Straboni, Herodoti, Esiodo, Diodori, Eustaki i Selanikut dhe me vone Virgjili etj, si dhe autoret klasike, kane theksuar se me ritin e gjymtimit te gjirit, amazonat i rrisnin aftesite fizike ne perdorimin e harkut, madje ishin me te afta se burrat. Greket i konsideronin amazonat armike, per me teper se ne shoqerine maskiliste greke, as qe mund te mendohej gruaja luftetare.

Homeri ne Iliada (k.III.188-190), tregon se mbreti trojan Priami, kish luftuar kunder amazonave, aleatet e sunduesit te Frigia, per te cilat thote se ishin luftetare te mireorganizuar e te forta njelloj si meshkujt.

Nuk ka dyshim se burreneshat - virgjereshat e betueme, jane nje reminishence e amazonave, te pranishme ne popullaten ilire (amazonat e Apollonise Ilire) dhe ne mesjeten arberore e ne kohet moderne. Ne legjendat tona, shpesh tregohet se gruaja, apo motra, apo vajza vishej si burre, luftonte krah vellezerve e bashke-fshatareve, çka evokon pranine e amazonave shqiptare nga lashtesia, ne mesjete e deri ne shekullin XX.

Ne vazhdim do te ndalem me hollesisht, por e konsideroj te rendesishme te shpreh mendimin se analogjia e amazonave te lashtesise me burrneshat – virgjereshat e betueme shqiptare, bazohet ne disa elemente me karakteristika te perbashketa.

Shpallja e burrneshave nuk ishte spontane, kush deshironte, perkundrazi bazohej ne proçedura kanunore. Pasi betoheshin para 12 pleqeve ne Kuvend, keto vajza visheshin si burra, i prisnin floket shkurt si burrat dhe vinin nje brez mbi gjinjte, per t’i shtypur e per te mos i lënë te rriteshin e ne kete menyre fshihej perkatesia femerore. Pra per virgjinat e betueme, riti i shtypjes se gjinjeve, ishte i detyrueshem dhe i njejte me ate qe kryenin amazonat e lashta, andaj insistoj te theksoj, se kjo proçedure rituale nuk kryhet nga asnje vajze, apo grua ne popujt e tjere ballkanik e me gjere, por u ruajt dhe u praktikua vetem nga vajzat shqiptare.

Disa studiues bashkekohes  italiane, per t’i dhene nje kuptim fjales shqipe burrnesha, kane perdorur stigmen “donna d’animo virile”, qe e perkthyer ad literam, do te thote “gruaja me shpirt burri”, por si kuptohet, ky eshte nje perkthim i pasakte, qe tregon se ata nuk kane kuptuar thelbin e fjales burrnesha. Italianet nuk kane arrijt te kuptojne, se keto burrnesha behen madheshtore ne qendrime e ne sjellje dhe me fuqine dhe pasurine shpirterore femeror dhe jo pse shpallen burrenesha dhe pse vishen e sillen si burra.

Studiues te tjere italiane i kane perkufizuar burreneshta si metamorfoze sociale e vajzave, nje veprim sui generis (i veçante), qe nuk nxitet nga motivet psiko-sociale, si mund te interpretohet ne ditet e sotme, kur nje grua, apo nje vajze, e ndryshon seksin.

Si shihet, shumica e studiuesve te huaj, ne menyre te veçante italianet bashkekohor, nuk kane arrijt te kuptojne thelbesoren e ketij fenomeni specifik te kultures se lashte iliro – arberoro – shqiptar, ata nuk kane arrijt te depertojne e te njohin boten shpirterore te ketyre vajzave e grave – amazona shqiptare, prandaj dhe analizat e konkluzionet e tyre jane teper te thjeshta, per te mos thene siperfaqesore.

Ne kete shkrim jam ndalur vetem ne disa aspekte te pergjitheshme karakterizuese te atyre grave e vajzave iliro-arberoro-shqiptare, qe i kemi njohur si burrenesha, si personazhe me rol paresor ne historine e popullit tone, nder te cilat rikujtoj amazonat e Apollonise Ilire, Nenen Rozafa, mbretreshen Teuta, Ajkuna, Argjiroja, princesha Mamica, Marta e vendlindjes time, Bubulina, Dora D’Istria, Nora e Kelmendit, Tringe Smajl Martini e Grudes, Nora Luli e Hotit, Shota Galica, Parashqevi Qirjazi, e Lumturumia Nene Tereza, por dhe mijera vajza e gra partizane, qe luftuan kunder pushtuesve nazi-fashista per çlirimin e atdheut dhe mijera gra e vajza, qe kontribuan denjesisht ne fitoren e demokracise ne vendin tone.

Krahas tyre, historia e popullit tone njeh dhe nje grup tjeter te madh burrëneshash, te cilat ne fakt jane burrneshat e verteta kanunore, jane ata qe kane jetuar e vepruar me mençuri e guxim, me dinjitet, ne heshtje deri ne madheshti, jane vajzat, qe kanunet tona i quajne virgjinat e betueme.

Si kuptohet, kanunet tona njohin dy tipe burrëneshe.

1- Në Kanunet e Skënderbeut, te Malesise se Madhe, te Martaneshit, te Pukes, te Mirdites, te Laberise, ne ligjet e Dibres etj, theksohet: “Grueja me karakter burrnor quhet burrnesha”, çka do te thote se, çdo grua e cila shquhej ne ndershemeri, ne bese, kurajo, trimeri dhe mençuri, kur mbante qendrime, qe e dallonin jo vetem nga grate e tjera, por e vinin krah burrave, madje dhe me rol paresor ne shoqerine malesore, atehere ata vleresoheshin burrnesha. Historia e popullit tone njeh plot burrnesha te tilla si Teuta, Mamica, Marta, Bubulina, Nora e Kelemendit, Tringe Smajl Martini e Grudes, Nora Luli e Hotit, Shote Galica etj.

2- Tipi tjeter i burrneshave jane te quajturat virgjinat e betueme, te njohura nga te gjitha Kanunet shqiptare.

Ne Kanunin e Lekes, ne librin e 12, kreu 24, § 1228, pika VIII sanksionohet: Virgjinat (femnat qe veshen si burra), s’veçohen prej grash te tjera, posë jane te lira me ndejt nder burra, por pa tager zanit ne kuvend.

Figura e virgjinave te betueme, ishte e veçante dhe teper komplekse, ishte nje jete paralele, teper dinjitoze.

Virgjinat e betueme perfaqesojne nje bote te pasur psiko-emocionale, pak te njohur e aspak te studiuar.

Pavaresisht se Kanuni i Lekes shprehet ne menyre te thjeshte, duke thene se virgjinat jane femnat, qe vishen si burra, ne fakt veshja ishte nje aspekt i jashtem dhe formal i paraqitjes ne publik, ndersa ne thelb ishte refuzimi i feminilitetit dhe pozicionimi shoqeror ne rolin e “burrit” te familjes dhe te kryetarit te shtepise.

Keta vajza ishin me te vertete virgjiresha, ishin te pamartuara, qe per rrethana social-ekonomike familjare, ose per rrethana te veçanta shoqerore, kishin bere nje zgjedhje te veçante ne jeten e tyre, kishin vendosur te mohonin feminilitetin e te “shnderroheshin” ne burrënesha.

Quheshin virgjine te betueme, pas betimit para 12 pleqeve ne Kuvend, ne nje ceremoni solemne e teper emocionuese, ku keto vajza benin bè dhe shpallnin publikisht, se ishin e do te ruanin virgjinitetin dhe do te vepronin si burrënesha, duke manifestuar tipare te larta etiko-morale, krenari, dinjitet dhe sjellje shoqerore njelloj si burrat.

Virgjinat e betueme, jane nje kategori sociale e pranishme prej kohesh ne jeten dhe historine e popullit tone dhe te njohura e te ligjeruara nga Kanuni i Lekes dhe nga te gjitha Kanunet e tjera arberoro-shqiptare.

Vetem ne gjysmen e pare te shekullit XX, ne trevat e banuara nga shqipetare njiheshin mbi 300 virgjinesha te betueme si ne Malesia e Madhe, Kelmend, Hoti-Gruda, Nikaj – Merturi, Malesia e Gjakoves, Peja, Prizren, Drenice, Kaçanik, Shala, Mirdita, Kurbini, Puka, Malesia e Lezhes, Martaneshi, Diber, Shen Gjergj, Benda, Çermenika, Polisi, Shpati, Gora-Opari, ne Laberi, Gramshi, Tomorrica, Skrapari dhe Çameria.

Virgjereshat e betueme gezonin respekt te madh shoqeror, askush nuk i paragjykonte dhe as nuk i perfliste per zgjedhjen e veshtire qe kishin bere, askush nuk guxonte t’i ironizonte e t’i perbuzte.

Me vendimin dhe betimin solemn per t’i u perkushtuar me devotshmeri familjes, keta vajza i kishin mohuar vehtes enderrat, ndjenjat dhe sentimentet, ishin mbyllur ne boten e brendeshme e misterioze te burrneshave.

Ne ditet e sotme duket paradoksale, madje e pa pranueshme ekzistenca e virgjinave te betueme, por te mos harrojme se keta burrenesha, keta amazona te maleve shqiptare, kane qene te pranishme dhe shume aktive ne jeten shoqerore shqiptare dhe disa prej tyre jetojne ende ne ditet e sotme, me shume dinjitet e krenari.

Kur i tregova Dorjanes, mbeses time, se po shkruaj per virgjinat e betueme, ajo filloj te me tregoj se kishte njohur nje virgjereshe nga Kelmendi, e cila i kishte treguar histori te shumta te jetes se saj te veshtire dhe per sakrificat, qe kishte bere per te mbajtur familjen. Jo vetem kaq, por Dorjana, per te me bindur se nuk ben konfuzion per kete argument, me dergoj dhe adresen e web-site ku jane prezantuar virgjinat e betueme (mes tyre dhe “miku” i saj), qe ende jetojne si ne trojet shqiptare, ashtu dhe ne vende te tjera ku kane emigruar.

E perfshire ne kete entusiazem, Dorjana vazhdon te me tregoj episode nga romani “Hana” te shkrimtares Elvira Dones, per te me demonstruar se eshte njohese e mire e botes psiko-emocionale te burreneshave.

Ne fakt shkrimtarja dhe gazetarja Elvira Dones, ka merita si per dokumentarin e pare, qe realizoj me 6 burrneshat e moshuara, duke e bere te njohur boterisht kete fenomen te rralle shqiptar, por dhe per romanin “Hana” (ne italisht me titullin “Vergine giurata”), i cili eshte nje realizim ne nivel te larte letrar i fakteve historike te virgjinave te betueme. Nepermjet protagonistes, vergjineshes se betueme Hana, autorja ka arrijt te depertoje me shume mjeshteri ne boten e brendeshme te ketyre femrave, ne sekretet qe fsheh, ne misteret qe e rrethojne. Per mendimin tim, suksesi me i madh i Elvira Dones eshte analiza psikologjike e statusit te virgjines te betueme, nepermjet se ciles Elvira ka arrijt te shprehi mendimet e ketyre vajzave, enderrat e thyera, emocionet e shtypuna, ndjenjat dhe deshirat e parealizuara, por dhe per feminilitetin e ndrydhur. Kjo eshte nje bote e madhe ndjenjash dhe e emocionesh, qe femrat arrijne ta fshehin me shume mjeshtri, si thote Eskili nepermjet Andomakes, por qe meshkujt nuk kane arrijt ta zbulojne, ndersa Elvira Dones, me shume mjeshtri dhe art ka arrijt te na e prezaanoj me romanin “Hana”.

Ekzistenca e virgjinave te betueme eshte nje fenomen antik, qe ka mbijetuar aktiv deri ne fundin e shekullit XX dhe ishte nje zgjidhje e mençur e popullit tone, sepse ne realitet ky verpim perfaqeson “konvertimin” e gruas ne “burre” me qellime ekonomiko-shoqerore dhe jo si mundohen ta deformojne disa studiues te huaj.

Shnderimi ne burrneshe, ishte nje vendim i ndergjegjshem dhe i ligjeruar nga Kanunet shqiptare, sepse kryhej per te mbrojtur familjen, per te garantuar mbijetesen dhe vazhdimesine e familjes, gurit themeltar te qytetërimit arberoro-shqiptar.

Kur nje familje malesore mbetej pa meshkuj, pra pa trashegimtar te linjes mashkullore (linjes se gjakut), çka ndodhte pas vdekjes natyrale te kryefamiljarit e te burrave te tjere te familjes, pas vdekjes nga semundje, ose kur burrat mbeteshin te vrare ne lufte, apo vriteshin ne gjakmarrja, atehere kjo shtepi nuk shuhej, familja nuk shperbehej, pronat nuk shperndaheshin fisit dhe as shiteshin, por vajza me e madhe behej kryefamiljare, e njohur nga burrat e fisit dhe nga pleqt ne Kuvend.

Termi virgjine e betueme, do te thote se vajza asht betuar te ruaj per jete virgjerine dhe te veproj si burreneshe.

Ne se keto vajza ishin te fejuara (shumica absolute ishin te fejuara qe ne djep), para betimit ne Kuvend, ata e prishnin me mirekuptim fejesen (sipas ligjeve te Kanunit), nuk martoheshin dhe i dedikoheshin “burrënisht” familjes, kujdeseshin per edukimin e te vegjelve, punonin me insistim shembullor per te mos e shuar emerin e familjes, per te ruajtur integritetin e pronesise, per te mbajtur lart emërin e shtepise.

Betimi ne Kuvend per te ruajtur virgjerine ishte kompromis moral dhe me familjen e te fejuarit, pasi ne kete menyre shmangeshin keqkuptimet dhe shmangej gjakmarrja per motivet e prishjes se fejeses.

Virgjinat e betueme ndryshonin qendrimin shoqeror, kesisoj silleshin si burrat dhe jo si grate.

Visheshin si burrat,

Vinin nje brez mbi gjinjet, qe t’i shtypnin (deri ne atrofi), per t’u prezantuar publikisht me pamje burri.

Mbanin arme, koburen ne brez dhe pushken ne krah,

Vinin kapuçin, ose qeleshen (ne vitet e voneshme kapelen) dhe pinin duhan.

Virgjinat e betueme ishin kryefamiljare, pronare te pasurise qe zoteronte familja, ne ndryshim nga grate e tjera, qe ishin te perjashtuara nga te gjitha te drejtat e pronesise, te trashegimise dhe te jetes shoqerore.

Keto burrenesha organizonin punet e shtepise, punonin token, kullosnin bagetine.

Ne festa, ne ceremoni fejesash e ne dasma, uleshin ne oden e burrave, ngrinin dolli me vene, ose raki.

Virgjinat e betueme pinin duhan, shkembenin kutine e duhanit me burrat.

Virgjinat merrnin pjese aktive ne bisedat dhe shprehnin lirisht mendimet.

Ne qendrimin shoqeror te burrneshave, konstatohet dhe nje veçori. Ata mund te rrinin me grate, pra kishin hapsire te gjere vepruese shoqerore, ndersa burrat ishin te detyruar te rrinin vetem ne oden e burrave.

Burrneshat merrnin pjese ne Kuvend, me te drejte fjale, shprehnin lirshem mendimet e tyre, por nuk kishin te drejte vote, si percakton Kanuni i Lekes dhe te gjitha kanunet e tjera.

Burrneshat shkonin ne lufte, kur i therriste Kuvendi dhe perfshiheshin ne gjakmarrje.

Burreneshat – amazonat shqiptare, kane qene jo vetem ne trojet shqiptare, por dhe tej kufijeve, ne vende te tjera, ku kane pas emigruar. Prania e amazonav shqiptare, deshmohet nga Princi francez Charles Joseph de Lignè, i cili ne vitin 1787, gjate vizites ne Teodozine e lashte te Detit te Zi, u befasua kur ne Kaffa, para tij parakaloj batalioni me 200 amazona shqiptare. Per kete fakt te perjetuar me emocione, Princi Lignè shkruan: “... Pashë, dhe e kam fjalën për fytyrat e zbuluar, të një batalioni shqiptarkash të një kolonie të vogël shqiptare, te vendosur në Balakllava. Ishin dyqind gra e vajza bukuroshe, me dyfekë me bajoneta dhe me heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjatë te lidhura gërshet hijshëm, qe kishin ardhur për të na nderuar, me rastin e vizitës sonë...”.

Ky eshte një rast i rrallë në histori, që deshmon se Perandoria Osmane kishte mobilizuar trupa amazonash shqiptare, pra kishte krijuar nje batalion me vasha shqiptare, qe shquheshin jo vetem per bukuri te rralle, por dhe per virtytet, per trimeri e shpirt luftarak.

Nje veçori tjeter tipizuese e amazonave shqiptare, ishte se 230 vjet me para, ato nuk e mbulonin fytyren dhe pse ishin repart i ushtrise turke, pra ishin vasha, si e thekson princi Lignè “me fytyrat e zzbuluara”, jo si disa vajza te diteve te sotme, qe ne menyre te pandergjegjeshme, mbajne shami per te mbuluar floket.

Te gjithe studiuesit, te huaj dhe vendas, qe kane analizuar hapsiren juridike dhe tradizionale ne Kanunet tona, gjejne nje kontradikte karakterizuese te drejtes zakonore shqiptare, e shprehur me dy aspekte te kunderta:

a. Nga nje ane gruaja konsiderohet shakull, perjashtohet nga te gjitha veprimtarite shoqerore, poltike dhe juridike, pra kishte trajtim diskriminues ne familje, me pozicion inferior dhe e nenshtruar nga “autoriteti” patriarkal i burrit - bashkeshortit; nuk kishte te drejte te marri pjese ne kuvend dhe ne jeten shoqerore etj.

b. Nga ana tjeter e drejta jone zakonore e njeh burrneshen dhe virgjinat e betueme, me te drejta ligjore e shoqerore si burrat, e lejon te jete e pranishme ne oden e burrave, pjesmarrese ne kuvend me te drejte fjale njelloj si burrat (por pa te drejte vote), njeh gruan gjykatese, gruan e armatosur e luftetare, madje dhe prijese – kapedane ne lufte.

Ky vizion me dy qendrime, eshte shprehje e zgjuaresise te pleqeve legjislator dhe e kultures te popullit tone, te cilet ne unitet e ne mirekuptim, kane ruajtur ekuilibrin mendor dhe shoqeror te popullates malesore.

Ne baze te Kanuneve shqiptare, pra në pikëpamjen juridike, ne strukturën shoqërore të familjes patriarkale, nena, gruaja, vajza, motra, trajtohen si komponente sociale pa të drejta; ndërsa në pikëpamje të “drejtës shpirtërore”, i është bërë vlerësimi i merituar.

Ky aspekt themelor sanksionohet qarte ne Kanunin e Lekes, ne Librin 2, nyja 28, § 57: “Burri e blen mundin e te jetuemit te gruas, por jo jeten e saj” dhe ne vazhdim ne § 61 theksohet qarte: “burri nuk ka tager mbi jeten e gruas”. Pra burri nuk ka pushtet mbi jeten e gruas, ajo nuk eshte skllave e tij.

Kanuni i Lekes dhe Kanunet e tjera, i mohojne gruas shume te drejta ne familje e ne shoqeri, por dhe e merr ne mbrojtje si shprehen dy ligjet e me siperme, madje e mbrojne nga gjakmarrja.

Edhe pse duket paradoksale, burrat arberoro-shqiptare nuk jane aq konservator dhe fanatik sa mendohet, pasi shprehin dhe qendrime me kulture te larte ne mardheniet me gruan, motren, vajzen, kusheriren.

Kete fakt e kane konstatuar dhe shume studiues te huaj, nder te cilet do te rendis Kordinjano, i cili për vlerën morale e shoqërore të gruas në psikologjinë dhe ne te drejten zakonore të maleve tona, ka thënë: “Gruaja përballë së drejtës nuk ka një personalitet të vetin dhe konsiderohet qenie, interesat materiale a ekonomike të së cilës i rregullon familja…; por është e qartë që shpirti i racës nuk ka lejuar ta bëjë skllave, të lindur për kënaqësitë e mashkullit. Jo,…gruaja shqiptare ruan gjithmonë në fund një dinjitet të vetin që spikat mirë,… ajo si motër, si grua dhe si nënë, ka në familje një mision e një vend të rendit të parë.”

Keshtu eshte shprehur P. Fulvio Cordignano S. I. ne librin “L’ Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario Italiano di Padre Domenico Pasi S. I. (1847-1914), volume I, Roma 1933. f. 108.

Gjate studimit te Kanunit te Lekes, jo rralle konstatohen ligje e norma etiko – morale, qe shprehin rolin dhe forcen shoqerore te gruas, madje i njohin te drejta te njejt me te drejtat e burrit, si shprehet ne Librin, 8 nyja 99, § 669: Ndermjetes mund te jete nje burre a grua, nje djale a vajze ose prifti.

Kanuni i Lekes i jep autoritet gruas, sa ajo mund te nderhyje ne shuarjen e konflikteve, sidomos ne konfliktet e armatosura te nxitura nga gjakmarrja, ndermjet individeve, familjeve e fiseve. Sipas Kanunit te Lekes, kjo grua me kete mision te larte si ndermjetes, mjafton te therriste: “ndalni, ju urdheroj une ndermjetesia” e gjitheçka nderpritej e me pas nderhynin pleqt, qe kerkonin se shuanin armiqesine.

Kete rol ndermjetese (si e parashikon Kanuni) e ka realizuar Nene Tereza ne luftën e Libanit në vitin 1975, kur OKB dhe diplomacia ndërkombëtare, nuk arriten të ndalonin luftimet, qe shkaktuan mijëra viktima ne popullatën civile, por ndërhyrja e fuqishme dhe burrenore e Nënë Terezës, beri te ndalohet lufta. Shqiptaria e fameshme, i u dërgoj mesazhe te fuqishme forcave ndërluftuese. Te dy palet e dëgjuan dhe e respektuan “urdherin” e Nene Terezes dhe i ndërprenë luftimet e bënë armëpushim.

Hapsira e te drejtave te grave ne  Kanunet e Maleve eshte shume e ngushte, ndersa pervoja e popullit tone deshmon se nenat, grate, vajzat dhe motrat tona, kane qene më me fat ne jeten dhe ne folklorin tone, sepse jeta e tyre shpirterore dhe sentimentale eshte e respektuar, e nderuar dhe vleresuar ne kenget qe i kane dedikuar burrat.

Gruaja arberoro-shqiptare eshte vleresuar dhe eshte dashur, jo vetem per bukurine natyrore qe e shquan, por dhe per mençurine, per pasurine ne ndjenja delikate, per shiprtin e madh dhe per trimerine.

Per kete aspekt Ismail Kadare shkruan: “Në poezinë popullore, femra ka një shkallë te larte respekti, lirie, aktiviteti, zhvillimi, që nuk e ka pasur në jetë. Duket, sikur atë që nuk ia dha dot në jetë bijave të tij, populli yne, me një shpirtmadhësi të paanë, ua jep në këngët”.

Natyrisht, dihet se poezia  e ka burimin në truallin shpirtëror, prandaj dhe raspodi - poeti popullor, i ka nxjerr vargjet nga shpirti, duke e shkrire tere talentin krijues e nuk i ka kyrsyer vleresimet, per te shprehur ndjenjat e tij delikate per bukurine e vashes shqiptare.

Nuk kam qellim te analizoj poezine dhe kenget popullore te dedikuara femrave shqiptare, por deshiroj te theksoj vetem nje aspekt, figurat e fuqishme letrare, metaforat dhe epitetet, qe jane perdorur per te pershkruar bukurine e femres shqiptare, te cilat jane unikale, si shihet ne dy strofat e shkeputur nga dy kenge popullore, e para nga folklori i Shqiperise veriore:

Dy t'bukrat me nji shpi

nuk dojn' as dritë as miri;

dy te bukrat me nji dere,

dimenin e bajin vere.

Ndersa nga folklori i Shqiperise jugore kam zgjedhur keto pak vargje:

Hanko, mos dil nga varret,

Se te gjallet i kalle

E te vdekurit i ngjalle.

Kjo tradite eshte kultivuar e perfeksionuar nga poetet tane bashkekohor, qe shquhen per vargjet plot ndjenja, qe e pershkojne frymezimin dhe krijimtarin poetike shqiptare si nje fllad Lasgushian.

Nderimin dhe respektin per gruan, nenen, motren, vajzen, burri shqiptar i ka shprehur gjithmone, duke i kapercyer me guxim kufizimet dhe pengesta qe percaktonin Kanunet e Maleve dhe kete e ka realizuar me ndergjegjie, pa asnje lloj imponimi. Shembujt jane te shumte, por ne kete shkrim do te ndalem ne dy aspekte te veçanta dhe unikale.

Malesoret e Kelmendit dhe te Martaneshit, qe ne kohet e mesjetes e deri ne ditet tona, ne mesin e muajit gusht, organizonin festen e perfundimit te korrjeve e mbylljes te puneve bujqesore, pasi me pas dimri i eger dhe bora e madhe, do t’i detyronte banoret e ketyre zonave te mbylleshin ne shtepite.

Kjo feste popullore eshte e veçante dhe unikale ne llojin e saj dhe organizohej me 15 gusht.

Kelmendasit, Logun e Bjeshkeve e orgnizojne ne livadhet e lulezuar te Qafes se Bordolecit, nje mrekulli natyrore mes maleve te Alpeve veriore.

Martaneshasit, mblidheshin ne livadhet e lulezuara te Ballenjes.

Ne keto festime popullore, mblidheshin te gjithe familjarisht. Ne nje atmosfere festive, me kenge, valle dhe me lodra popullore dhe ne gara me kuaj, i gezoheshin perfundimit te vjelave.

Kjo feste popullore eshte shume e lashte, e ka origjinen ne Romen antike. Romaket e quanin feriae Augusti (ferragosto – pushimet e Augustit), qe shenonte perfundimin e korrjeve te veres dhe perandori August shkonte per pushime. Ne ditet e sotme quhet ferragosto dhe festohet ende nga familjet italiane.

Nuk ka dyshim, qe festohej nga iliret, nga arberoret ne mesjete, kesisoj ne disa treva shqiptare eshte ruajtur deri ne ditet tona. Mund te festohet dhe ne zona te tjera e per kete nuk kam dyshime, andaj kush nga lexuesit ka informacion te sakte, mund ta tregoj ne “Zemra shqiptare” e kesisoj te japi nje kontribut te vlefshem, ne pasurimin e historise te popullit tone

E veçanta e festes te Logut te Bjeshkeve, asht se pas argetimit te gjithanshem me kenge,valle, lojra popullore dhe gara me kuaj, te gjithe pjesmarresit mblidheshin ne pjesen qendrore te livadhit dhe ndiqnin paraden e vajzave te veshura me rrobat me te bukura nacionale.

Nje mrekulli dhe paradoks i rralle i malesise shqiptare, kur mendojme sa i eger dhe i mbyllur eshte Kanuni ndaj te drejtave dhe lirise te gruas malesore, nga ana tjeter, po ky Kanun, po ata pleq, po ai keshilli i pleqeve konservatore, na shfaqen kaq liberal dhe pranonin nje manifestim te tille.

Te gjithe pjesmarresit jane te impenjuar ne zhvillimin e parades te vajzave (çikave, cucave malesore) dhe ne perfundim zgjedhin çiken ma te bukur, pra e thene thjeshte zgjedhin “miss malesia”, ose e shprehur sipas malesoreve “miss bukuria”. Pra konkursi i “Miss”, shqiptaret e kane njohur prej kohesh.

Logu i Bjeshkeve eshte nje feste imponente e madheshtore e popullatave malesore, e cila njihej e organizohej qe ne lashtesi, u ruajt nder shekujsh dhe pas nje pauze te padeshirueshme 50 vjeçare nga regjimi komunist, u ripertri me te gjithe vlerat dhe forcen e shpirtit te malesoreve, duke u bere nje protagoniste e shprehjes te vlerave kulturore, artistike, shpirterore dhe qytetare te popullit shqiptare.

- Shënim: -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të  qytetit Siena–Itali-

Me këtë shkrim të sotem, mbyllim Ciklin prej 17 shkrimesh:

KANUNI = KODI I SË DREJTËS ZAKONORE SHQIPTARE

-Për ZemraShqiptare, nga redaktori ynë në NJ, USA Zeqir Lushaj-

- 11 Mars, 2013-



(Vota: 29 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: