Fotaq Andrea: Prof. Zhak Semlin - Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi (I)
| E Hene, 11.03.2013, 07:42 PM |

I dashur Gëzim,

Më lejoni t'ju shpreh së pari mirënjohjen time të thellë për punën e lavdërueshme të stafit të nderuar të "Zemrës patriotike Shqiptare", që po bën një punë të shkëlqyer, ndër më të rrallat forume virtuale shqiptare për trajtimin e problemeve serioze të shoqërisë mbarëkombëtare.

Duke parë se përkthimi im "Fjalë të arta për jodhunën" pati interes të veçantë dhe nisur nga mendimi largpamës i Zotërisë së nderuar Fritz Radovani, të cilin e falënderoj publikisht nga zemra, po ju dërgoj edhe këtë material që është botuar në fakt para një viti te revista shkencore "Lente Sociologjike" drejtuar nga Prof. Zyhdi Dervishi, sociologu ynë i shquar.

Ky shkrim përfundon me vlerësimin e lartë për figurën e Dr. Ibrahim Rugovës, Nobelistit tonë të Madh të Paqes, pikërisht sic e vlereson figurën e tij edhe Z. Radovani, dhe ka rendësi sidomos për edukimin e brezit tonë të ri shqiptaro-kosovar, e ardhmja e Kombit.

F. Andrea.

Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi

Nga Zhak Semlin

Përktheu Fotaq ANDREA*

Prof. Zhak Semlin, politolog francez, jep mësim në Institutin e Studimeve Politike në Paris dhe është Drejtor në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS). Punimet e tij shkencore kanë të bëjnë në radhë të parë me kuptimin e gjenocideve dhe të masakrave gjatë shekullit XX dhe vepra e tij madhore titullohet “Purifier et détruire” (Spastrim e shkatërrim). Është anëtar i Komitetit redaktues të revistës Shekulli XX  dhe drejton projektin elektronik për një Enciklopedi elektronike rreth dhunave masive. Në vitet 1970 u përfshi i tëri në lëvizjen në mbështetje të jodhunave. Ka botuar rreth 12 vepra shkencore, kryesisht kundër dhunës, që prej vitit 1983.

“Babi, jodhuna është një fjalë e çuditshme: a mund të ma shpjegosh?”

Që prej njëzet vjetësh punoj mbi dhunën dhe veprimin e padhunshëm. Si mund t’u përgjigjem atëherë fare thjesht dy vajzave të mia, njëra 13 vjeçe dhe tjetra 8 vjeçe e gjysmë?

Vumë përpara një revistë vizatimore mbi luftën e Martin Luter Kingut dhe të zezakëve amerikanë. Ndoqa me kujdes reagimet e tyre dhe mbajta shënim pyetjet që më bënë. Shumica kishin të bënin me jetën e tyre të përditshme: Nëse ndokush më sulmon, çfarë duhet të bëj unë në këtë rast? Ç’duhet bërë po të të grabisin dhe të kërcënojnë në shkollë? Po kur duan të të ngacmojnë seksualisht? Pse ka dhunë te të rinjtë? Pse ka racizëm? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, e të tjera si këto, lashë mënjanë studimet e mia të dashura... U vura të shkruaj këto faqe që herë pas here ua jepja për lexim: shpesh më është dashur edhe t’i rishkruaj.

Synoja në radhë të parë t’u shpjegoja se jodhuna nuk ka të bëj aspak me qëndrimin duarlidhur: jodhuna është një mënyrë të qeni dhe një mënyrë të vepruari, që synon të zgjidhë konfliktet, të luftojë padrejtësinë, të ndërtojë një paqe të qëndrueshme. U mbështeta në shembuj të shumtë, të nxjerra nga jeta e përditshme dhe nga historia.

J.S.

- Jodhuna, është një fjalë disi e çuditshme. A mund të ma shpjegosh?

- Ke të drejtë, më e lehtë është të shpjegosh dhunën sesa jodhunën. Dhuna, e dimë të gjithë ç’është: grushtet që lëshohen, bombat që shpërthejnë, gjaku që rrjedh. Po jodhuna, ç’është? Sepse zhurmë nuk shkakton. Dhe është e padukshme.

Në të vërtetë, pandehet se kush nuk është për dhunën, thjesht kundërshton luftën, është pra paqësor. Në këtë mënyrë, atë e shohin si një njeri që nuk ka guxim, që është pra frikacak dhe që s’do të përplaset me askënd. Duke qenë se dhuna është kudo, kujtojnë se ai që e kundërshton s’është fare në këtë dynja dhe se me të mund të bësh ç’të duash. “Unë jam kundër dhunës: mund të më bëni ç’të doni”. Paqe!

Mirëpo, siç po e sheh, jodhuna nuk është kjo.

- Po çfarë është atëherë?

- Është një mënyrë të qeni dhe të vepruari në rast konflikti, që respekton tjetrin. Pikërisht këtë përkufizim themelor dua të të shpjegoj përmes shembujsh të shumtë.

- Një mënyrë të vepruari! Nuk qenka pasivitet?

- Aspak. Është e vërtetë që vetë përbërja e fjalës “jodhunë” të shtyn ta mendosh një gjë të tillë. Domosdo, kemi të bëjmë me atë qëndrim që i thotë “jo dhunës”. Ky është kuptimi i parë i jodhunës. Më konkretisht: të mos e godasësh tjetrin, po as të mos e keqtrajtosh, dhe më keq akoma ta dhunosh ose ta vrasësh. Këtë s’ka njeri të mos e kuptojë. Për më tepër, kur flitet për jodhunën nëpër gazeta, kuptimi pothuaj në çdo rast është mospërdorimi i dhunës. Madje një herë më ka rënë në sy një reklamë e lezetshme …për një pluhur larës “të padhunshëm”: “Blini këtë pluhur larës sepse nuk ua dëmton rrobat!”. Tani po flitet për lojëra elektronike të padhunshme, në të cilat, për shembull, s’ke pse të vrasësh armiq për të fituar.

Por jodhuna ka edhe një kuptim të dytë, atë të veprimit. Sepse për t’iu kundërvënë në mënyrë të efektshme dhunës, lipset të jesh veprues, madje shumë veprues! Këtë ide, vetë përmbajtja e fjalës “jodhunë” nuk e jep. Andaj shpesh parapëlqehet përdorimi i fjalëve “veprim i padhunshëm” ose “jodhunë vepruese”.

Me një fjalë, jodhuna është veprimi i padhunshëm kundër dhunës. Si? Ka një mijë e një mënyra për të zbatuar jodhunën, herë të trishta, herë të këndshme. Sepse jodhuna përmban shpesh mjaft humor. Jodhunë do të thotë të përdorësh jetën për të fituar, ndërsa dhunë do të thotë të përdorësh gjithmonë kërcënimin me vdekje ndaj tjetrit, të kërkosh vdekjen e tij.

- Po si mund të ndeshesh pa dhunë? Si shumë e vështirë më duket!

- Kur njerëzit duan me të vërtetë të luftojnë shoqi-shoqin, rendin kah dhuna. Dhuna dhe lufta qëndrojnë në themel të historisë sonë. Nëpër filma, nëpër libra vizatimorë, shpesh duan të të tregojnë se dhuna është mjeti për të sunduar tjetrin. Të të shpjegojnë se dhuna paguan: Po pate më shumë armë se tjetri, s’e ke për gjë t’i thuash: “Do bësh si them unë!”, sepse kështu e tremb. Ligji i më të fortit shpesh është ligji i më të dhunshmit.

Megjithatë, ka raste në histori kur nuk ndodh kështu, kur nuk pranon më të bindesh, edhe pse kërkojnë të të trembin; raste kur më të dobëtit, më të varfrit përpiqen të mbrohen… pa armë. Të duket e pabesueshme? Po ç’mund të bëjnë tjetër? Nuk kanë asgjë: as pushkë, as topa. Po edhe sikur t’i gjejnë, e dinë që kundërshtari i tyre do ketë përsëri shumë më tepër se ata. Atëherë, ata janë të detyruar të mbrohen ndryshe. Lipset të mësojnë të bëhen të fortë pa pasur mjetet e dhunës. Kjo është forca e të dobëtve. Kam bërë mjaft kërkime për të zbardhur këtë mister lidhur me forcën e të dobëtve.

- Shumë mirë, mund të më thuash një shembull?

- Një nga shembujt më të njohur është lufta që ndërmori Martin Luter Kingu për zezakët në Shtetet e Bashkuara. Ka një revistë vizatimore për të, e hartuar shumë bukur. Por po të duash, po të flas më konkretisht.

Gjithçka filloi më 1955. Në jug të vendit ka shumë racizëm dhe dallim racial, çka do të thotë se zezakët nuk kanë të drejtë të përzihen me të bardhët. Në autobus, për shembull, ata duhet të ulen nga fundi dhe të lënë të lira vendet e para për të bardhët. Në disa restorante ose kafene ata nuk kanë të drejtë të futen. Shpesh vareshin tabela: ”Ndalohet hyrja për zezakët dhe qentë”. Qëllonte që të bardhë ekstremistë sulmonin zezakët , i rrihnin, madje edhe i vrisnin.

Por një ditë, në një qytet tepër racist, në Montgomeri të Alabamës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme. Filloi me diçka shumë të thjeshtë. Më 1 dhjetor 1955, një rrobaqepëse zezake, Roza Parks, kthehet në shtëpi pas pune. Është shumë e lodhur dhe kur ngjitet në autobus, në vend të shkojë nga fundi, siç bënte ngaherë, u ul në radhët e para. Domosdo, një i bardhë kërkoi t’i zinte vendin dhe u ankua te shoferi: “Ç’dreqin ka kjo zezake e ndyrë që i zë vendin një të bardhi?” Gruaja në çast u ndalua nga policia. Një pasagjer zezak doli dhe u pagoi gjobë policëve, mjaft që gruaja të mos shkonte në burg. E megjithatë, Roza Parks është e tërbuar nga inati. Ti tani mund të thuash me vete: ”Kushedi sa urrejtje kishte!” Ajo nuk e duronte dot këtë dallim racial. Së bashku me burrin që i ndihu, vendosin t’i hapin zemrën një kleriku protestant zezak në moshë të re që sapo ka mbërritur në qytet: Martin Luter Kingut. Është 26 vjeç, i martuar dhe baba me një fëmijë. Edhe ai nuk e duron dot dallimin racial. Do që kjo gjë të ndryshojë. Është e vërtetë se zezakët nuk janë më skllevër si para një shekulli. Thuhet se gëzojnë liri. Por në të vërtetë, nuk ka ditë që të mos poshtërohen nga të bardhët, të trajtohen si qenë; Martin Luter Kingu është plot energji për të luftuar, por nuk kërkon të përdorë dhunën. Atëherë, ç’të bëjë?

Të nesërmen në mbrëmje, Martin Luter Kingu organizoi një mbledhje me një rreth miqsh. Të tërë janë të një mendimi: nuk mund të vazhdohej më kështu. Papritur, njëri parashtroi një mendim gjenial: ”Le të organizojmë një bojkotim. Asnjë të mos hipë më nëpër autobusë! Kur shoqëria e autobusëve (domosdo e drejtuar nga të bardhët) të shohë se po i ikën paraja, ka për të na trajtuar më mirë.” Të nesërmen, ata u kërkuan të gjithë zezakëve të qytetit të mos hipin më në autobusë: ”Mos shkoni më në punë, në shkollë, e kudo me autobusë!” - ishte thirrja e tyre. Rezultati: Një sukses i madh. Autobusët qarkullonin të zbrazët ose gati të zbrazët. Por duhet nga ana tjetër që zezakët të organizohen: për të qarkulluar, ata hipin shumë vetë në një veturë, lëvizin me taksi. Shumë të tjerë ecin me këmbë, edhe pse duhet të bëjnë kilometra të tëra.

Të bardhët nuk merakosen fort. Mendojnë: “E paskan gjetur një lojë për t’u argëtuar zezakët! Po do t’i shohim ç’do bëjnë kur të mos qëndrojnë dot më këmbë dhe kur t’u vijë shpirti në majë të hundës!” Më racistët kalojnë në sulm; Martin Luter Kingu kërcënohet me anë të telefonit: ”Zezak i poshtër, ndyrësirë, ke për të parë po s’të rropëm të gjallë!” Sharjet nuk pushojnë. Madje një bombë shpërthen përpara shtëpisë së tij më 30 janar 1956. Për fat të mirë, nuk ka të plagosur. Zezakët duan të hakmerren dhe të sulmojnë të bardhët me armë. Martin Luter Kingu i ndal: “Arma jonë është jodhuna”, u thotë. Në fund të fundit, ajo çka ne duam, është të respektohemi nga të bardhët. Po t’a nisim me të vrara, s’kemi gjë në vijë. Pastaj, të mos harrojmë se ka edhe të bardhë joracistë që na përkrahin.” E megjithatë, e kollajtë nuk është. Shumë herë policia arrestoi, burgosi dhe liroi Martin Luter Kingun. Racistët kërkojnë ta thyejnë, po s’kanë se për çfarë ta akuzojnë, kur ai s’bën gjë tjetër veçse kundërshton dhunën.

Bojkotimi zgjat muaj të tërë dhe shoqëria e autobusëve nuk dorëzohet. Mirëpo lëvizja fillon të njihet në krejt Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit. Dhe jo vetëm Martin Luter Kingu, por të tërë zezakët e Montgomerisë bëhen të famshëm, ndonëse nuk shkatërrojnë asgjë! Më në fund, gazetarët interesohen për ta. U jepet fjala: “Kërkojmë të njëjtat të drejta si të bardhët.” Përfundimisht, më 10 nëntor 1956, Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara e shpall dallimin në autobusë të kundërligjshëm, duke qenë se të gjithë qytetarët janë të barabartë. Zezakët fitojnë kësisoj të drejtën për t’u ulur përkrah të bardhëve. Bojkotimi zgjati 382 ditë.

- Në revistën vizatimore që më tregove, më pëlqen shumë ajo gruaja që thotë: “Më përpara, këmbët më çlodheshin, po mendja më lodhej. Tani, më lodhen këmbët, po ama mendjen e kam të çlodhur!” Ajo ecën më këmbë kilometra të tëra çdo ditë, po nuk pyet: ka dinjitet.

Pëlqej po ashtu edhe pjesën kur ata kanë fituar dhe kur Martin Luter Kingu u thotë: “Fitorja jonë nuk e ka zhdukur racizmin. Duhet të tregohemi të vëmendshëm, të mos i lëndojmë të bardhët dhe të mos i vëmë në lojë nëpër autobusë. Lipset t’i respektojmë. Në këtë mënyrë, ata do mësojnë të na respektojnë.”

- Po pse?

- Sepse shihet qartë që ata nuk kërkojnë pushtet, po vetëm të respektohen.

- E vërtetë: qëllimi i një lufte të padhunshme si kjo është të respektohesh. Jo thjesht të fitosh të drejta, të ulesh ku të duash në autobus; fjala është të fitosh respektin e të tjerëve. Por Martin Luter Kingu shton: ”Të respektojmë të bardhët dhe ata do të mësojnë të na respektojnë. Jodhuna pra, ecën në dy drejtime: vërtet ti kërkon të të respektojnë, por edhe ti, gjithashtu, respekto të tjerët.” Logjike, apo jo? Në Francë, një lëvizje e gjimnazistëve më 1997 u udhëhoq pikërisht nga parulla: ”Më e fuqishme nga dhuna, respekti”.

Të kujtohet? Në përkufizimin bazë që të dhashë për jodhunën, theksohet se ajo është një mënyrë të qeni. E pra, kjo mënyrë të menduari është respekti. Mirëpo, nuk është e lehtë për të respektuar njëri-tjetrin. Kjo nis që në familje midis prindërve dhe fëmijëve, vëllezërve dhe motrave. Edhe ne të rriturit, jo gjithmonë ia arrijmë. Shpesh e trajtojmë njëri-tjetrin me lloj-lloj etiketimesh. Duam t’i dërrmojmë të tjerët, sidomos gjatë punës. Ku e ku të kurdisim maskarallëqe për të qenë më i forti, i pari, për të fituar më shumë para. Kështu nuk u jepet shembulli të rinjve.

Megjithatë, ka edhe njerëz që luftojnë duke i respektuar kundërshtarët e tyre. Ata besojnë te njeriu ose te perëndia dhe në emër të parimeve të tyre ose të besimit që kanë, hedhin poshtë praktikën e disa gjërave. Është gjë e rrallë, por megjithatë ekziston. Shpesh thuhet për ta se e mbajnë fjalën, domethënë mund t’u besosh. Ata mendojnë se njerëzit s’duhen trajtuar si objekt, si mall. Dhe nuk është se janë naivë; ata dinë të mbrohen dhe arrijnë t’ia dalin mbanë në jetë. Këta njerëz kanë pra një botëkuptim jodhunimi, edhe pse kurrë nuk e kanë dëgjuar këtë fjalë.

- Me një fjalë, mesazhi bazë për jodhunën është: ”Mbrohu, por respektoje kundërshtarin tënd”?

- Pikërisht ashtu. 

* * *

- Ti thua që i padhunshmi e kundërshton dhunën. Po dhuna, ç’është?

- Për të folur për jodhunën, lipset fillimisht të njohësh dhunën tënde. Gjithsekush prej nesh mund të bëhet i dhunshëm, madje tepër i dhunshëm. Djemtë, sikurse dhe vajzat. Vërtet, djemtë rrihen ca më shpesh se vajzat. Po edhe vajzat mund të ushtrojnë dhunë: me fjalë, për shembull, mund t’i bësh shumë keq tjetrit; mund ta plagosësh e ta poshtërosh. A nuk thoni: “Ia ngjitëm një nofkë atij”? Vështroi fëmijët se si zbaviten herë-herë duke ua shkulur një nga një këmbkat ndonjë insekti… thjesht për të parë se ç’do të ndodhë.

S’ia vlen të të shpjegoj se qeniet njerëzore mund t’i sulen individëve të sojit të vet për t’i masakruar. Kulmi në këtë drejtim u arrit nga ish diktatori i Gjermanisë Adolf Hitleri, nga nazistët dhe nga të gjithë ata që bashkëpunuan me ta. Hitleri urdhëroi të vriteshin miliona hebrenj në dhomat e gazit, por edhe ciganë, sakatë e të tjerë.

- A beson se mund të zhduket dhuna?

- Nuk jam shumë optimist për natyrën njerëzore. Pas kampeve naziste, pasi panë të digjeshin qeniet njerëzore në furrat e krematoriumeve, si në Auschwitz, Poloni, njerëzit thanë: ”Kjo s’ka për të ndodhë më kurrë!” E megjithatë, jo shumë larg nesh, në Jugosllavi, në Bosnje dhe në Kosovë zunë të shpërngulin dhe të vrasin me mijëra vetë pa mbrojtje, gra, fëmijë, pleq. Si të mos ishte kuptuar asgjë nga ç’kish ndodhur më parë.

Të thuash se do t’i jepet fund dhunës, kam përshtypjen se kjo s’ka për t’u arritur kurrë. Por e pakta që mund të bëhet, është ta shmangësh! Për fat të mirë, na qëllon të jetojmë edhe në paqe! Të mposhtësh dhunën, kësaj po, mund t’ia arrish; pak a shumë si ai kalorësi që e bën zap një kalë të egër. Po për këtë, lipset në radhë të parë të njohësh mirë dhunën.

- Qenka si një forcë që del prej nesh: s’bëkemi dot asgjë.

- Vërtet, disa mendojnë se dhuna është një lloj energjie, si një rrymë elektrike që del nga trupi ynë dhe që ne s’mund ta ndalim kurrë. Dhe kështu, dhuna njëjtësohet me jetën! E gjithçka bëhet dhunë! Është një gabim i madh të ngatërrosh në këtë mënyrë forcën me dhunën. Edhe vetë fëmijët e bëjnë dallimin. Kur thuhet për një njeri: ”Sa i fortë që është!”, sepse ka muskuj dhe mund të ngrejë i vetëm një piano, kjo nuk do të thotë aspak se ai është i dhunshëm. Dhuna është një formë e veçantë force që bën keq, plagos ose vret: për shembull, një njeri që ka pirë, zë të godasë të shoqen.

Po ashtu, të jesh njeri luftarak, nuk do të thotë të jesh i dhunshëm. Shpirti luftarak është i nevojshëm për të shkuar përpara, për të shpalosur vlera para të tjerëve, qoftë në punë, qoftë në sport. Kjo nuk do të thotë që ti kërkon të dërrmosh tjetrin, por që ti vetë ke dëshirë t’ia dalësh mbanë. Mund të flitet në këtë rast për një shpirt luftarak të padhunshëm. Gjatë gjithë jetës së tij, Martin Luter Kingu nuk rreshti së shprehuri: “Detyra ime është të zgjoj shpirtin luftarak të zezakëve”.

- Nëse zemërohesh ndaj dikujt, a kemi të bëjmë këtu me dhunë?

- Do thosha më shumë me agresivitet. Po ka disa që këtë e quajnë dhunë. Unë për vete, s’jam i të njëjtit mendim. Për ta, një fjalë e thënë kuturu nga një i ri ose një i rritur do të thotë dhunë. Jo! Dhuna përcakton gjithçka që nuk e duron më. Po t’i japësh kësaj fjale një kuptim tepër të gjerë, kjo më në fund, nuk përcakton dot asgjë konkrete.

Të jesh agresiv, kjo mund t’i ndodhë kujtdo. Të zemërohesh, të thuash një fjalë të keqe, ndonjëherë kjo të bën mirë. Është një mënyrë për të thënë se s’mban më, se të ka ardhur shpirti në majë të hundës! Kushedi, kjo ndoshta ndihmon edhe në lidhjen e ndonjë dialogu të ri me një të rritur ose një mik.

- Po atëherë, çfarë quan ti me të vërtetë dhunë?

- Quaj pikërisht atë që çon në mohimin e tjetrit dhe, në fund të fundit, në vdekjen e tij. Jo vetëm në vdekjen e tij fizike, por edhe në vdekjen e personalitetit të tij. Ti nuk e sheh më atë si njeri, si qenie njerëzore, por si një objekt ose shtazë që mund ta shfrytëzosh, ta dhunosh e së fundi ta asgjësosh.

Ja përse nuk ka një dhunë të vetme, por shumë dhuna. Në mjaft raste, ajo kufizohet me dhunën fizike, me të shtëna revolveri ose me atë çka shihet përditë në televizor e kinema. Mirëpo, ekzistojnë edhe forma të tjera dhune që janë më pak të dukshme: kur një njeri poshtërohet, kur nuk ka më mjete jetese a shtëpi, kur madje as nuk përshëndetet në rrugë. Pikërisht kjo dhunë të vret shumë: në heshtje. Dhe një ditë, ai njeri revoltohet ose vret veten. Atëherë, të tjerët habiten e thonë: “Ç’i hipi në kokë? Vërtet?… As që na e merrte mendja!” Të luftosh kundër dhunës, nuk do të thotë thjesht të godasësh pjesën e dukshme të ajsbergut; do të thotë, gjithashtu, të luftosh kundër asaj që është në thellësi: mjerimit dhe përjashtimit shoqëror, padrejtësisë dhe pabarazisë.

Besoj se s’po të mërzis me tërë këto përkufizime…

- Megjithatë, sikur s’po shoh se ç’duhet të bëjë unë vetë, në rast se dikush më sulmon.

- Ke të drejtë. Atëherë, më lejo dhe mua të të bëj edhe unë një pyetje: nëse dikush të godet, në shkollë, për shembull, çfarë do të bëje?

- Do t’ia ktheja! Do t’i thosha atij që më goditi: “Ti e fillove i pari; tani është radha ime!”

- Që t’ia kthesh, normale më duket. Madje, gjithë prindërit u thonë fëmijëve: ”Mbrohu edhe ti!” Por, a mund të ketë, sipas teje, edhe ndonjë mënyrë tjetër për t’u përgjigjur, veç asaj që të hahesh dhëmb për dhëmb?

- Jo, s’ka mënyrë tjetër. Me anë të jodhunës, ti nuk mbrohesh dot fizikisht: edhe të rrihesh, edhe të thuash faleminderit!

- Kurrsesi jo. E di ti ç’është akidoja?

- E di vetëm si emër. Një shoqja ime bën akido.

- Është një lloj sporti luftarak i padhunshëm, që meriton të përhapet më shumë. Parimi i tij është të mbrohesh pa sulmuar. Ti vë në përdorim forcën e kundërshtarit tënd për ta çekuilibruar dhe nxjerrë atë jashtë luftimit. Nuk është thjesht një teknikë e frikshme që të lejon të përballosh një sulm që të bëhet, por është po ashtu edhe një gjendje shpirtërore bazuar në respektimin e jetës. Qëllimi është ta “çarmatosësh” tjetrin nga çdo synim armiqësor, ta nxjerrësh jashtë mundësisë për të të dëmtuar, por pa e dëmtuar atë vetë fizikisht.

Akidoja mund të praktikohet si nga të rinjtë ashtu dhe nga të vegjëlit, nga gratë ose pleqtë. Është një shkollë ekuilibri fizik e psikologjik. Të praktikosh akidon, do të thotë të mos kesh më frikë se mund të sulmohesh, sepse ti e di se ç’duhet të bësh në këtë rast. Ke mësuar ta vështrosh kundërshtarin tënd drejt e në sy.

Sigurisht, nëse ndonjë djalë të godet në oborrin e shkollës, unë nuk të këshilloj t’i bësh se s’bën një kapje akidoje…Po kur të merret vesh që ti njeh disa kapje të veçanta, do ketë nga ata që do mendohen mirë dy herë përpara se të të bien në qafë!

- Patjetër!

- Po kam edhe ide të tjera që mund të të hyjnë në punë në raste të tilla. Sepse akidoja, është një përgjigje e mundshme në raste të rënda. Veç kësaj përgjigjeje fizike, ka edhe të tjera.

- Cilat?

- Para se të jap përgjigje, dua të të shpjegoj një tjetër dallim të rëndësishëm: atë që ekziston midis dhunës dhe konfliktit. Një zënkë midis shokësh, një sherr midis prindërve, jo doemos është dhunë. Është normale të mos jesh përherë në një mendje me tjetrin. Konflikti dhe dhuna, nuk janë e njëjta gjë. Dhuna është një konflikt që përfundon keq.

Tërë çështja është të dimë si të sillemi në rast konflikti. Cili është qëndrimi më i mirë për t’u respektuar, duke shmangur që të arrihet në dhunë? Nuk është aspak e lehtë. Ne të rriturit nuk arritëm ta mësojmë në shkolla dhe është për të ardhur shumë keq, sepse kjo do të na kish ndihmuar për tërë jetën. Sot, do të ishte mirë sikur shkolla t’ju përgatiste më mirë në këtë drejtim!

Përgjithësisht, kur ndodhesh përballë një konflikti, të jepen tri mundësi:

1. Të hiqesh sikur nuk e vë re konfliktin, të rrish pasiv, të hiqesh sikur pret që gjithçka do rregullohet vetvetiu. Por këtu, në asnjë rast nuk i bën dot llogaritë e sakta. Shpejt a vonë, shuplakë e konfliktit mund të të ngjishet fytyrës!

2. Të thuash se fajin e ka tjetri, t’i mbash atëherë mëri, të bëhesh agresiv dhe i dhunshëm ndaj tij. Përvoja e dëshmon më së miri: dhuna të duket sikur jep rezultat… dhe zgjidhje të shpejtë. Por, në mjaft raste, ai që rrihet, do kërkojë të hakmerret. Dhe në të vërtetë, konflikti në këtë mënyrë nuk është shuar kurrsesi!

3. Të gjesh një zgjidhje që të jetë e pranueshme për të dy palët, çka quhet kompromis. Kjo nënkupton që gjithsekush të heqë dorë nga një pjesë e interesave të veta të veçanta, me qëllim që të tërë të mund të mbeten të kënaqur. Kjo është përçapja pa dhunë e konfliktit. Është një mjet i mirë për të ndërtuar paqen për një kohë të gjatë. Ndonjëherë, është fare e kollajtë për t’u marrë vesh: mjaft të bësh një ndarje të asaj çka e trajtoje thjesht si tënden. Por në rastet e ndërlikuara duhet kohë. Duhet t’i japësh fund sharjeve të ndërsjella, të ngulmosh për sqarimin e gjërave, të kërkosh me të vërtetë vendosjen e paqes. Asgjë nuk është e sigurt! Po ka edhe metoda që mund të të vijnë në ndihmë, si për shembull ndërmjetësimi. Do të të flas edhe për këtë. Sido që të ndodhë, vrite mendjen për të propozuar një zgjidhje për të cilën askush nuk ka menduar më parë… Fryma e krijimit është mjet ndihmës i efektshëm: jo vetëm për reklamat, por edhe për zgjidhjen e konflikteve tona.

- Po konkretisht, sikur të më qëllojnë me pëllëmbë në një faqe, s’kam pse të nder faqen tjetër, apo jo!

- Shpresoj se jo! Ti ke këtu parasysh shprehjen e Jezusit: ”Në të qëllofshin në faqen e djathtë, nder faqen e majtë.” Vërtet, është e vështirë për t’i dhënë një kuptim të saktë. Të mos i përgjigjesh dikujt që të godet me pëllëmbë, kjo është e rëndë. Po, për më tepër, t’i nderësh edhe faqen tjetër, kjo atëherë duket tamam provokim! Një gjë është e sigurt: Jezusi kërkon në këtë rast të mos i shëmbëllesh agresorit tënd. Të mos bësh si ai, do të thotë të dërrmosh një nga mekanizmat më të fuqishëm të dhunës: shembëllimin. Nga ana tjetër, kjo thënie duhet parë e lidhur me parimin ungjillor veçanërisht të vështirë: “Duajini armiqtë tuaj” që Martin Luter Kingu e shpreh me fjalët: ”Ndeshuni me armiqtë tuaj, por respektojini ata.”

- Po ç’duhet bërë atëherë?

- Shih se ç’bën Jezusi kur qëllohet, pas arrestimit që i kanë bërë. Goditet nga një shërbëtor, i cili e bën me faj se i ka folur keq klerit të madh. Në përgjigje të kësaj, Jezusi e pyet: ”Në kam folur keq, më trego se për çfarë gjëje. Në kam folur mirë, atëherë pse më qëllon?” Në vend që t’i nderë kështu faqen tjetër, ai përdor forcën e fjalës për të prekur ndërgjegjen e agresorit të vet.

Të përgjigjesh me anë të fjalëve në vend të goditjeve, kjo duket qesharake, por shpesh është një veprim mjaft i frytshëm. Ja dhe një rrugë tjetër që të çon te jodhuna. Secili mund ta provojë ndonjë ditë, s’ka rëndësi në beson apo jo te Zoti. Fjala e çliron dhunën. Kujdes: jo çdo fjalë. Jo britma dhe sharje që tregojnë se ti ke frikë. Jo, një fjalë e vërtetë, që ul tensionin e krijuar. Pak humor po ashtu nuk bën keq. Po edhe një vështrim, një vështrim drejt e në sy, pa agresivitet, mund të jetë nga ana tjetër një përgjigje e merituar.

- Për shembull?

- Kam parasysh një ndodhi të vërtetë që ma ka treguar një mikesha ime psikologe. Një vajzë e re, me shtatin shumë të madh, vuan shpirtërisht ngaqë nuk është si të tjerët. Kalon rrugës dhe kalimtarët kthejnë kokën e tallen me të. Më në fund, detyrohet të shkojë për vizitë te psikologia. Ca nga ca, fiton besimin te vetja. Një ditë, në rrugë i kalojnë pranë dy djelmosha. Njëri i thotë tjetrit: ”Me një femër si kjo, duhet të mbash me vete përherë një stol!” Vajza kthehet drejt tij, i ngul një vështrim të thellë dhe, pa ligësi, ia kthen: ”Sa keq që qenkeni kaq i vockël!”

Sigurisht, të arrish të përgjigjesh në këtë mënyrë, duhet të kesh fituar besim te vetvetja.

- Po, por s’është aspak e lehtë. Më e lehta do qe t’ia kishe veshur një shpullë të mirë atij çuni!

Çështja është si të krijosh në veten tënde këtë besim. Sa je i ri, jo gjithmonë e ke… Por duhet të dish se edhe kur je i rritur, pak a shumë e njëjta gjë është…Për këtë gjë nuk mund të japësh këshilla të sakta. Keq më vjen, po ja që kështu është! Mund të të flas vetëm për përvojën time vetjake dhe të të tregoj ndonjë mënyrë.

Për të pasur më shumë besim te vetvetja, duhet zbuluar pikërisht forca që ka gjithsekush në veten e tij. Forca në të cilën mbështetet dinjiteti i gjithkujt: një forcë e brendshme. Shpesh, kur plagosesh nga jeta, mund t’i zbulosh më lehtë burimet e një force të tillë. Dhe kjo është e vërtetë që gjatë fëmijërisë. Në përgjithësi, kur ti e ke ndier veten të poshtëruar, kur ke vuajtur nga diçka që e ke trajtuar si padrejtësi, vihesh përpara dy mundësive:

Ose kërkon të hakmerresh dhe të gjithë i sheh me sy të shtrembër dhe, për pasojë mund të bëhesh i dhunshëm, në fund të fundit agresiv – për këtë folëm më lart;

ose mëson pak nga pak ta kapërcesh dhimbjen dhe sa më shumë që ia arrin, aq më shumë ndien se si bëhesh përherë e më i fortë në brendësi të vetes. Në këtë drejtim, disa veprimtari mund të të ndihmojnë për t’u shprehur: muzika, piktura, teatri, sporti dhe pse jo? të të lindë pasioni edhe për matematikën ose frëngjishten. Jo pak të rinj ia dalin mbanë në këtë mënyrë. Jo se harron ç’të kanë bërë, por arrin të kontrollosh më mirë vetveten.

Ta dish ti, kështu më ka ndodhur dhe mua. Kur isha në shkollë, nuk shikoja mirë nga sytë. Disa djem më kishin ngjitur nofkën “gjarpri me syze”. Një ditë, s’e di se ç’më hipi në kokë, ua ktheva se boll më kishin rënë në qafë dhe se në fund të fundit kisha për t’i lënë në bisht! Dhe iu vura mirë mësimeve në shkollë! Ka shumë raste si kjo që më ka ndodhur mua. Vuajtjen që ndien në vetvete përpiqesh pra ta kthesh në diçka pozitive për t’ia dalë mbanë.

- Po vetëm fare s’mund t’ia arrish dot.

- Në mjaft raste gjendet një njeri, në një mënyrë ose në një tjetër, që të vjen në ndihmë a të merr në ngarkim. Të kërkosh ti vetë të ndihmohesh, të dëgjojnë hallin tënd, kjo gjithashtu është një rrugë drejt jodhunës. Por lypset që ti vetë të vendosësh të shkosh te njeriu që do t’i kërkosh ndihmën.

Të guxosh të shprehesh, ja forca e vërtetë. Të guxosh të shprehësh dhimbjen tënde, të guxosh të shprehësh edhe frikën tënde gjithashtu. Të flasësh për frikën që ndien, është një përçapje për t’u çliruar prej saj. Gabimi është kur atë e mban përbrenda. Sepse atëherë ajo ka rrezik të shkatërrojë gjithçka. Të kesh frikë, është më se normale. Po vetëm mëso si ta zbusësh atë. Dhe për t’u shkëputur prej saj, për t’u çliruar prej dhimbjes, merr guximin të flasësh, të thuash një fjalë të vërtetë: fjalën tënde.

Për shembull, kur një vajzë ose një djalë është ngacmuar seksualisht, është shumë e rëndësishme që ajo ose ai t’i hapin zemrën një njeriu tek i cili kanë besim: mik a mikeshë, i ri apo i moshuar qoftë. Nuk është e lehtë, por nuk është se po bën ndonjë turp. Mjerisht, raste përdhunimi, ja që ndodhin, qoftë nëpër familje, qoftë midis të rinjve. Duke folur për një gjë të tillë, lehtëson veten. Kjo ndihmon të distancohesh me atë që ka ndodhur. Të shprehesh, do të thotë të rilindësh në njëfarë mënyre, t’ia nisësh sërish nga e para. E njëjta gjë, po ashtu, edhe për një fëmijë që rrihet nga prindërit. Edhe pse mund t’i duket sikur po tradhton pak a shumë babanë ose nënën e vet, e mira është që ai t’i shprehet dikujt. 

- Nuk është aspak e lehtë për ta bërë një gjë të tillë.

-Ashtu është, ja që është e vështirë të mos ndihesh viktimë. Megjithatë, nuk mund të ketë zgjidhje të padhunshme në një konflikt, nëse viktima nuk shfaqet. Të mos duash më të jesh viktimë, të mos pranosh më të jesh i keqtrajtuari i të tjerëve, është fillimi i një mundësie tjetër për të shmangur dhunën.

Duke kundërshtuar qenien viktimë, shkëputesh nga një lidhje, në të cilën e ke ndier veten të humbur. Ti s’do që të luash më lojën që të kërkojnë të luash. Thua me forcë: ”Kurrë më. Kurrën e kurrës jo!” Bëhesh kësisoj subjekt i jetës tënde, i vetvetes, realizon çka të ka ngjarë.

Për më tepër, kur një lojë bëhet e dhunshme, fëmijët dinë fare mirë ta shprehin. Ka nga ata që e thonë me zë të lartë: “Stop! Mjaft më! Po më dhëmb! Çfarë loje dashke të bësh ti!” Për të ndalur dhunën që të bëjnë, ose ngacmimet e dikujt, e rëndësishme është gjithmonë të gjesh guximin për të thënë “Jo”. Një “jo” të fuqishme, të drejtpërdrejtë, që do të thotë se ti nuk e pranon atë që po të bëjnë.

- Po mirë, konkretisht, kur të rrëmbejnë gjërat në shkollë dhe të kërcënojnë që të mos tregosh, ç’duhet bërë? Një nxënësi të klasës sime kështu i ndodhi. Në fillim, i morën bluzën, pastaj këpucët. Herën e fundit, çantën.

- Po ti, ç’mendim ke, si mund të veprohet në një rast të tillë?

- T’ua lësh çka duan dhe pikë! S’mund t’u thuash: ”Shihni pak me se po merreni, me poshtërsi. Dhe përse? Ngaqë keni kaluar një fëmijëri të vuajtur dhe prindërit nuk janë marrë me ju”. S’mund të luash kështu rolin e psikologut!

- Po shoku juaj, a foli që në fillim me ndonjë të rritur për çka i kish ndodhur?

- Që në fillim? Nuk e di.

- Kur të grabisin në shkollë dhe s’tregon, në të vërtetë të vjen turp nga vetja. E lë tjetrin të të nënshtrojë dhe s’ta mban t’u thuash një fjalë të tjerëve. Për më tepër, ata që të zhvatin, të kërcënojnë: ”Po hape gojën, t’i thyem turinjtë.” Atëherë nuk thua asgjë. Dhe meqë hesht, s’ka arsye që kjo gjë të mos përsëritet për herë të dytë a për herë të tretë. Ligji i grabitjes së dhunshme është ligji i heshtjes.

Pra, e vetmja zgjidhje është të flasësh për këtë me një të rritur të besuar dhe aty për aty. Edhe kur vetëm sa je kërcënuar. Duhet shkallmuar ligji i heshtjes. Është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur. Në këtë rast, gjithashtu, përçapja e padhunshme ka të bëjë me faktin që arrin të marrësh guximin për t’i thënë gjërat hapur, me qëllim që të mos biesh më viktimë.

- Bukur, por halli është se ai shoku ynë duket që ka pamje prej viktime: është i shëmtuar, mban një palë syze me skelet të trashë…

- Atëherë sipas teje, qenka faji i tij që e piketojnë për ta grabitur?

- Pothuaj. Nuk është rastësi që kapen pas tij.

- Është e vërtetë se të rinjtë që bëhen viktimë e grabitjes, shpesh kanë një “profil” prej viktime. Mbase për shkak të paraqitjes së tyre fizike? Pjesërisht po. Por në radhë të parë sepse atyre u mungon besimi te vetja. Grabitësit e ndiejnë që këta janë gjahu i tyre më i lehtë. Për rrjedhojë, është e rëndësishme që këta të rinj të flasin hapur për atë që u ka ndodhur, sepse kështu reflektojnë më mirë për të mos rënë më në pozita viktime ose të të keqtrajtuari.

Por çështja e grabitjes në shkolla nuk është thjesht çështja e të riut që e pëson. Është një çështje që i takon të gjithë atyre që janë përreth dhe që e bëjnë syrin qorr. Për të rriturit patjetër, nëse s’mbajnë qëndrim. Por edhe ju, nxënësit e tjerë, duhet të kundërveproni. Një ditë, s’dihet, kjo mund të të ndodhë edhe ty vetë. Atëherë, në pritje që nxënësi viktimë të rifitojë besimin te vetja, për të shmangur një grabitje të dytë, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë dhe shumë të frytshme: të dalë nga shkolla ose gjimnazi i shoqëruar prej dy-tre shokësh. Të mos jesh i vetëm, kjo shmang mundësinë për të të sulmuar.

- Bashkimi bën fuqinë.

- Pikërisht. Është një parim i rëndësishëm i veprimit të padhunshëm: fuqia e numrit që do të ta shpjegoj më gjatë. Po më parë, dua të të flas për ndërmjetësimin, sikurse të dhashë fjalën.

- Vërtet, çfarë është konkretisht?

- Një mënyrë për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve duke bërë të mundur që të mos ketë as të fituar, as të humbur; me një fjalë që secili të ndihet i kënaqur nga zgjidhja e çështjes.

Ndërmjetësimi është i nevojshëm te të rriturit, për shembull kur një çift kërkon të ndahet. Por ai mund të përdoret edhe me të rinjtë. Për më tepër, në disa shkolla, ka filluar të ketë nxënës ndërmjetësues, djem dhe vajza. Në orët e pushimit kur ka ndonjë problem, ata nuk ngurrojnë të ndërhyjnë.

- Po si kanë mësuar të luajnë këtë rol?

- Përgatiten për këtë punë. Në fillim synohet t’u vihet në ndihmë për të fituar besimin te vetja, për të njohur sa më mirë vetveten. Në këtë mënyrë zbulojnë si duhet të dëgjojnë. Të dish të dëgjosh të tjerët, është një kartë e fortë në jetë. Gjatë përgatitjes, të mësojnë disa metoda. Për shembull, pjesëmarrësit ndërgjegjësohen për vështirësinë që do hasin në dëgjimin sa më mirë të të tjerëve nëpërmjet organizimit të një loje si ajo e “telefonit të prishur”. Dikush të thotë një fjali, ti ia thua shokut në krah, i cili ia përsërit tjetrit dhe kështu me radhë… Në fund fare, fjalia është krejt e ndryshuar, sepse nuk e ke dëgjuar mirë.

Nxënësit mësojnë, po ashtu, të kuptojnë se çfarë ndodh gjatë një konflikti dhe e analizojnë atë. Bëjnë në këtë rast plot ushtrime praktike. Zgjedhin vetë një konflikt, pastaj e luajnë midis tyre sikur luajnë një pjesë teatrore. Më në fund, studiojnë zgjidhjet e ndryshme të mundshme. Në këtë mënyrë, në oborrin e shkollës dinë si të ndërhyjnë sa më mirë.

“Hej çuna, a mund të më thoni pak si është puna që po ziheni me njëri-tjetrin?” Përpiqesh atëherë të dëgjosh sa më mirë pikëpamjen e secilit. Kujdes: gjatë një ndërmjetësimi, ti nuk gjykon. Nuk duhet të thuash: ”Shiko se ti e ke gabim… Qenke rrotë fare, s’duhej ta kishe bërë këtë gjë…” Jo, në fakt ti përpiqesh të kuptosh atë çka ndiejnë në vetvete ata të dy që janë zënë dhe i orienton për të gjetur një zgjidhje në mes tyre. Të luash rolin e ndërmjetësuesit, është si të ndërtosh një urë midis dy brigjeve, midis dy vetëve. Shpesh, rezultatet e arritura këtu të habisin, edhe pse jo gjithmonë i arrihet qëllimit. Për konfliktet më të rënda, kërkohet kohë.

Ndërmjetësuesit thonë se mësimi i ndërmjetësimit është shumë i favorshëm për ata vetë në radhë të parë, sepse i ndihmon në jetën e përditshme, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje e në rrethin shoqëror.

- Por në shkolla mund të ketë raste dhune tepër të rënda që nxënësit nuk mund t’i zgjidhin dot vetë. Me siguri që në këto raste të rriturit duhet të ndërhyjnë.

- Domosdo. Ndonjëherë dhuna është aq e lartë, sa të gjithë duhet të mobilizohen kundër saj: mësues, nxënës dhe krejt trupa pedagogjike. Po të mbyllësh sytë para një dhune të tillë, kjo mund të bëhet shumë e rrezikshme. Sepse të rinjtë që priren drejt dhunës, do shkojnë më larg, në veprime dhune të egra. Ja një rast që ma kanë treguar: një nxënës i klasës së shtatë, sulmon një nxënës tjetër dhe të rriturit nuk i thonë asgjë. Një herë tjetër ai sulmon një mësues, dhe prapë nuk i thonë asgjë. Pastaj nis e bën mungesa në shkollë dhe kur vjen në mësim, asgjë s’i thonë. Përse? Sepse “ai nxënës jetonte në një familje të vobektë dhe shpresonin se mbase do korrigjohej”. Por në të vërtetë, i duhej thënë “mjaft më, i ke kaluar të gjitha caqet!” Duhej menduar një formë dënimi që do ta ndihmonte vërtet të korrigjohej. Në vend të kësaj, nuk u bë asgjë. Dhe kështu ai vijoi të ecë në udhë të keqe: drejt krimit dhe drogës. Mirëpo, unë jam i bindur se vetë ai djalë u kërkonte në të vërtetë të rriturve që ta ndalnin, që t’i thoshin: ”Ndal, ja kufiri yt, që s’mund ta kalosh! Ja ç’thotë ligji!” Është shumë e rëndësishme që të rriturit t’u vënë kufi të rinjve.


* Kujdes: Pjesë nga ky material mund të përdoren për programet shkollore, duke vendosur përherë emrin e autorit si dhe emrin e përkthyesit. 


Vijon

(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: