Vangjush Saro: Drama e përndjekjes politike - si farsë
| E Diel, 10.03.2013, 10:10 PM |

Drama e përndjekjes politike - si farsë

(Përndryshe: Si do të sillet Shqipëria më 23 qershor me spiunët?)

Nga Vangjush Saro

Ka 22 vjet apo më shumë, që drama e madhe e përndjekjes politike, luhet si farsë e turpshme. Ndërkaq, e thënë pa kurrfarë ceremonie, nuk pamë e nuk dëgjuam asnjëherë në Parlament a në Qeveri mbiemra të tillë, si: Frashëri, Merlika, Mirakaj, Malëshova, Zavalani, Fundo, etj. Jemi me të vërtetë në rrethana komike. Si do të thoshte Esenini: “Po qeshej si palaçoja hëna...” Po si nuk e morëm njëherë në dorë veten në mënyrë serioze dhe pa u trembur nga harbutët...Se në vend të mbiemrave të nderuar që përmenda më lart, dhe shumë të tjerë, nuk munguan në këto dekada: çalamani, ekonomisti, dizenjatorja, çiftelia, shkrimtari, A.Ballshi, etj., etj., mbeturina të një kohe të errët, që s’ka asnjë shans të ndriçojnë këtë kohë.

Assesi, në këto radhë, dua të tërheq vëmendjen e lexuesve të nderuar të “Zemra Shqiptare”, sa edhe të kolegëve të përkushtuar, mbi dy fenomene: Së pari, në vlerësimin real dhe ndijesinë humane përballë fatit të të përndjekurve politikë, por duke  mos baltosur e fajësuar ndërkaq gjithë shqiptarët e tjerë, që e kanë jetuar atë periudhë në rrethana më të lehta e si qytetarë të lirë (aq sa mund të ishte i lirë njeriu në ato kohë). Pavarësisht se çfarë kishin në dorë të bënin, jo të gjithë i përcillnin njësoj episodet e dramës që ceka më lart. Së dyti, koha është që individët e ndotur, me dosje, të largohen nga vendimarrja dhe nga rafshet ku mund të ndikohet në publik.

Po sjell shkurtazi disa episode - në njëfarë mënyre mund të them diçka për to - duke shpresuar t’i ftilloj disi këto argumente.

Episodi i parë. Gërnjotët. Kam qenë në shkollën tetëvjeçare kur tentoi të arratisej dhe pastaj u burgos Dhori Gërnjoti. Atëherë një djalë i ri, boksier i madh. Ai i përkiste një familjeje boksierësh. I ati, Rafaeli (në atë kohë trajnier boksi) kishte qenë edhe ai boksier, madje edhe kampion në Argjentinë. Nuk di për ç’arsye ishte kthyer në Shqipëri dhe kishte ngecur. Edhe djali tjetër, Iljazi, ishte gjithashtu një boksier shumë i mirë. Ne ishim të vegjël dhe megjithatë e dinim që Dhori, me një grup shokësh, tentuan të arratiseshin, por i kapën. Ne e dinim edhe kush i kishte spiunuar, një shok i tyre, edhe ai boksier. Ne flisnim me njëri-tjetrin e na vinte keq.

Janë të njohura tashmë vuajtjet përgjatë tre dekadave të atij kampioni pa fat, përpjekjet për t’u arratisur nga burgu dhe gjithaq vuajtjet e familjes së tij. Dua të ndalem për fare pak në një aspekt të veçantë të kësaj drame. Vëllai i vogël i Dhorit, Thimi, (shpresoj nuk gaboj) ishte nxënës në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, më duket një vit poshtë meje. E mbaj mend si tani, djalë i gjatë, simpatik, i gjallë, aktivizohej në sporte dhe në veprimtari artistike, mbi të gjitha këndonte bukur; ishte një nga djemtë më të mirë dhe më të respektuar në ato vite, jo vetëm në gjimnaz, por edhe në qytet.

Sigurisht, ai dhe familja e tij e dinë ç’kanë hequr, nuk do të mundja ta zbusja a zbukuroja sadopak këtë  histori të rëndë. Por mund të them gjithaq pa zbukurime se në një rreth të caktuar shokësh e të njohurish - tani po kujtoj disa prej tyre: Edmond Budina (aktori), Kostaq Duka (shkrimtari), Dhimitër Xhambazi (futbollisti), por edhe Koço Broka, Irena Gjoka, Vaskë Karamelo, Vladimir Dardha, Bujar Gaxhaj, Pandi Papando, Dhimitraq Pllaha, etj. - askush nga ne nuk e vështronte Thimi Gërnjotin shtrembër, askush nuk i binte në sy e t’i kujtonte “biografinë”, si të thuash nuk mbaj mend të kishim dëshirë apo shtirje për t’iu kundërvënë, për ta rënduar qoftë edhe një çast ose për të mos i dhënë miqësi. (Natyrisht, kishte të tjerë që “mendonin” për këtë.)

Episodi i dytë. Nipi i ballistit. Aty nga mesi i viteve ‘70, kur ishte ashpërsuar lufta e klasave, si shpesh ndodhte, në fshatin Vidhan të Tomorricës (rrethi Gramsh) u arrestua me akuzën “agjitacion e propagandë”, babai i nxënësit tim Ruhi Braçe, që i binte të ishte nip ballisti. Unë nuk dija asgjë për të, sapo kisha filluar punë si mësues. Ruhiut të shkretë i thoja të bënte kujdes. Kurse të atin e tij, e kam njohur më pas, në rrethana të tjera.
Disa vjet më vonë, kreva një kurs pasuniversitar në Ish-Institutin e Lartë të Arteve dhe Ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, ku edhe arrita të filloja punë si redaktor-skenarist. Në një nga të hënat - në mëngjes herët - që nisesha për në Tiranë, përpara se të zija vend në autobuz, vjen e më takon Ruhiu. O mësues, si je, tek je? Po ti, i thashë. Jam fejuar, më tha, në Librazhd. Epo mirë. Me trashëgime! Në këto e sipër, u afrua edhe një burrë i shkurtër, i vockël, i tukequr, i druajtur, me një xhaketë ushtarake...O zot, ishte “armiku i popullit”, që pa le ç’gjëmë do t’i bënte socializmit atje lart në Vidhan a në Koshovicë (mal aty afër).
Kur u ndamë, unë po mendoja se sa qesharake ishte kjo situatë, madje doja të shkruaja një tregim, se si ishte bërë gjithë ajo bujë për arrestimin e atij njeriu aq  të përkequr. Por shumë shpejt, situata do të bëhej tragjike. Pak kohë më vonë, Ruhiu i shkretë do të gjendej i mbytur në Devoll. (Ai ishte thirrur disa herë në Degën e Brendshme.) Njerëzit pëshpërisnin se ai “iu kishte mbetur në dorë” atyre xhahilëve, që dyshonin (kështu flitej) se Ruhiu donte të arratisej. Askush nuk u përgjigj asnjëherë për atë jetë të shkretë. Jemi kaq larg së vërtetës...

Episodi i tretë. Merlika që ngiste mushkën. Diku në fillim të viteve ‘80, udhëtoja me gruan dhe vajzën dy vjeçe në rrugën Gramsh-Moglicë-Korçë; një rrugë o nëne o nëne. Me një skodë që transportonte dru. Për të kaluar Vitin e Ri në Korçë. Në një çast që makina po ecte shumë ngadalë, shikoj një burrë duke ngarë një mushkë. Ia pashë për disa çaste fytyrën dhe nuk e desha veten. Ai ishte një nga djemtë e doktor Merlikës. Nuk mbaj mend saktë, njëri ishte mësues fizike, tjetri mbase mjek...Nuk jam i sigurt. Ata kishin një shtëpi të bukur diku në një nga rrugët e kalldrëmta që të çonin te kinema “Morava”. Kur isha në gjimnaz, e bënim dy herë në ditë atë rrugë. Dhe i shikoja tek dilnin në mëngjes ata djem, si yje, që e kishin të shkruar në ballë inteligjencën dhe mirësinë. Atëherë nuk dija asgjë për lidhjet e tyre me Mustafa Merlikën. Por ata djem i nderonte e gjithë Korça. Nuk di cili prej tyre po ngiste tani mushkën atje poshtë; dhe ku do të shkonte, si do të ngrysej, ç’jetë po bënte në ato baltina...Ime bijë flinte mbi motorin e makinës. Kurse gruas do t’i tregoja më vonë për çka pashë dhe sa keq u ndjeva.

Unë nuk i hyj diskutimeve se kush ishte Mustafa Merlika dhe nuk do të inkurajoja gjithashtu përmbysje e ripërmbysje pa sens, përmes të cilave rivlerësojmë disa personalitete, duke hedhur baltë ndërkaq te emra që gjer më dje ishin aq të lançuar. Si ta them, ajo që dua të lexohet midis reshtave, është bindja ime se ata djem (dhe shumë të tjerë të persekutuar) asnjëherë nuk kanë rahur gjoksin, nuk janë ofruar për ta ngjyrosur pamjen në dobi të ndonjë partie a klani, paçka se vuajtën shumë. Shoqëria shqiptare është ende larg shpjegimit dhe përmbushjes së detyrimeve që ka ndaj tyre.

Episodi i katërt - gjysmëkomik. Në fund të viteve ‘80,  midis shumë halleve të tjera, shkova në një zyrë të ish-Komitetit Ekzekutiv të Tiranës për të kërkuar punë për gruan, që ishte arsimtare. (Sapo kisha vënë këmbë në Kinostudio, pas 12 vjetëve në Gramsh dhe pasi më ishte refuzuar disa herë kthimi në qytetin tim të lindjes, Korçë.) Inspektori i Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv më priti mirë, por më tha që ka radhë, probleme...Jo shumë kohë më vonë, në fillim të viteve ‘90, shikoj që ky inspektori ndërroi mbiemrin dhe na doli që ishte nip diku në familjen e një personaliteti të Ballit Kombëtar që (dikur) përndiqej nga rendi komunist(!) Me siguri, më pas inspektori do të ketë kërkuar edhe tituj e dekorata. Të më falin kolegët e nderuar, por a nuk ishte ai (me gjithë ballistllëkun e tij) një zyrtar i rendit tjetër? Dhe a nuk shkova te ai që të më zgjidhej halli, mua, që këto zyra gjithë jetën më janë dukur të huaja e të pamëshirshme...Jemi edhe më pranë së vërtetës? Jo?

Episodi i fundit. Më shumë se komik. Një nga këta “ndryshonjës”, që s’i duroj dot, dikur gazetar e punonjës në ish-ATSH, thotë diku në media: “Megjithëse kolegë, gazetarët e “Zërit të Popullit”, na përçmonin ne të ATSH-së...” Shikoni, pra se...këtu mund të përftohet njëfare disidence a përndjekjeje(!) Sa e turpshme, kur dihet se të gjitha gazetat dhe agjencitë, ca më shumë zyrat (episodi i katërt) - me apo pa dëshirë - ishin pronë e PPSH-së dhe shprehje e stilit dhe mentalitetit e kontributit prokomunist të asaj kohe.

Unë nuk mendoj se dikush që ka pas qenë fshehur, nuk ka të drejtë të pohojë se është nipi i atij dhe këtij...Unë nuk mendoj se një ish-gazetar i aksh organi të PPSH-së nuk mund të ndryshojë. Ajo që nuk durohet dhe që kërcet si në një mekanizëm të ndryshkur, është shtirja dhe sensi i përfitimit. Një ves tipik shqiptar.

Përfundimi i parë. Kësaj situate do t’i shkonte shumë thënia e mençur e Saadiut: “Zemërimi jashtë kufirit është egërsi; dhe butësia, kur s’është koha, të rëzon çdo rëndësi.” Nuk besoj se e teproj të them që jo e gjithë shoqëria shqiptare ishte njëlloj egërsire e shkretie, siç përpiqen ta paraqesin një sërë shkrues; siç përpiqen ta paraqesin klanet që drejtojnë, për të zbukuruar sadopak disa pamje të përçudnuara të të sotmes; (për faj të tyre). Jo të gjithë kemi qenë loço, pa ndjenja, që t’i përcillnim pa dhimbje vuajtjet e të tjerëve.

Përfundimi i dytë. Ka 22 vjet që faqet e grisura e të zhubrosura të dramës së përndjekjes politike, i shqyejnë edhe më, i përbaltin, i ngallosin me duart e tyre si të Uriah Ipit individë - hiena, klane mëtonjës e të panginjur. E dini pse nuk merr fund kjo farsë? Sepse nuk hapen dosjet. Po si hapen ato, pa shkaktuar një tjetër mëri a luftë klasash të re? Ja se si: Kushdo që qëndron apo futet në politikë, që konkuron për të drejtuar në institucione të rëndësishme shtetërore, që mëton të drejtojë në pushtetin vendor, që merr përsipër të ndikojë - përmes mediave - në opinionin publik, etj. duhet të tregojë pastërtinë e tij. Askush nuk i përndjek më ata që kanë bërë mëkate, le ta gëzojnë jetën, le të merren me biznes, le të pretendojnë të punojnë në pozicione modeste; por...të vijnë te ne, ashtu të kërrusur nga pesha e denoncimeve dhe e pseudonimit të tyre, dhe të përfitojnë ende nga kjo shoqëri e varfër, e pastabilizuar, madje të përdoren nga të tjerët për të manipuluar ligjet, aksionet e mëdha politike, tenderimet e majme, etj., kjo është e pafalshme. Nuk mund të sillemi më e pafundësisht si në tranzicion, paçka se atje ende jemi. “Zemërimi jashtë kufirit është egërsi; dhe butësia, kur s’është koha, të rëzon çdo rëndësi.”

Së paku në këto zgjedhje që po afrohen, le të themi, përzgjedhja e individëve...Hë! Mos po flas kot...



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: