Lutfi Alia: Kanuni - Kodi i së drejtës zakonore shqiptare (16)
| E Shtune, 09.03.2013, 09:03 AM |

KANUNI = KODI I SË DREJTËS ZAKONORE SHQIPTARE  (16)

Isa Boletini
Isa Boletini

Burrënia

-Burrënia perfshine ne kompleksitet virtytet, cilesite e larta karakteriale dhe vlerat humane te burrit, te nderthurura ngushtesisht mes tyre dhe te shprehura ne raportet shoqerore-

Ekskluzive nga Prof. Lutfi ALIA (MD, Ph)

Burrenia eshte qendrimi shoqeror i burrit te ndershem, me besë dhe trim. Sipas te drejtes zakonore shqiptare, nuk mjafton te jesh burre, por duhet te shprehish qendrime burrënore si ne familje, ashtu dhe ne mardheniet shoqerore ne fshat, ne krahine dhe per interesat e atdheut.

Nga pikëpamje semantike, emërtimi i kategorisë së burrënisë është i lidhur me fjalën burrë, që në kuptimin biologjik cileson mashkullin në moshë të pjekur (pjekuria seksuale), por në kuptimin e shoqeror shpreh ne kompleks cilësi dhe virtyte te larta etiko-morale te burrit, si nderi, besa, trimëria, urëtia, fisnikëria, bujaria etj, cilësi keto, që përfaqësojnë personalitetin etno-kulturor te shqiptarit.

Sipas Kanuneve shqiptare, burrenia eshte teresia e virtyteve te burrit, cilesite e larta karakteriale dhe vlerat humane, te nderthurura ngushtesisht dhe te shprehura shoqerisht ne menyre te unifikuar ne kategorine kanunore te burrenise.

Burrenia eshte kategori etiko-morale, qe i atribuohet burrit si individi, por dhe kolektivit, pra grupit te burrave ne perberje te familjes, te lagjes, te fshatit, te krahines, te cilet e shprehin burrnine ne raportet sociale si kategori etno-psikologjike.

Burrenine mund ta humbi individi, ashtu dhe kolektivi.

Kanuni i Lekes ne librin e 10 percakton: “kanù detyret e burrnijet, që i kanë pasë malet tona, që se mbahet mend”. Ky perkufizim nuk do te thote se kanuni eshte vetem per burrat, por shpreh qartë dallimin ndermjet kodifikimit te “kanunit detyrë”, që i takon fushës gjyqësore – juridike dhe “kanunit burrni”, që i përket fushës shpirtërore dhe psikologjike te shqiptarit. Kur thuhet Kanuni detyre, kuptohet se flitet per detyrime ligjore, ndersa kur thuhet Kanun burrnije, shpreh detyrimin moral dhe shpirtërorë te burrit, per te zbatuar burrenisht ligjet, rregullat dhe normat kanunore.

Konkretizimin e ketij parimi te rendesishem e ndeshim te sintetizuar ne librin 10, nyja 122, § 855, te Kanunit te Lekes, ku asht sanksionuar: Me çue gjind per besë âsht kanû,me dhânë besë âsht detyrë e burrëni.

Dhenia e beses, per te ndaluar pershkallezimin e gjakmarrjes eshte akt i larte burrnie, madje ne kanun konsiderohet nje velere shtese e burrnise, pasi eshte veprim i kryer si detyrim ligjor dhe njekohesisht eshte detyre morale dhe shprehje e burrnise.

Burri dhe burrnia, si kategori kanunore qendrore, mbrohetn me ligje dhe materializohen ne shoqerine malesore, nepermjet burrenise si shprehje e vlerave shpirterore arberoro-shqiptare.

Fjalet burri, burrenia dhe plaku (pleqt), jane tipike pellazgo – iliro – shqipe, qe e kane ruajtur te pandryshuar kuptimin semantik, qe nga zanafilla e tyre ne lashtesi e deri ne ditet e sotme. Nuk eshte rastesi, qe populli yne i ka perdorur si mbiemra fjalet Burri dhe Plaku, çka vertetohet si ne zbulimet arkeologjike dhe ne burimet dikumentare.

Fjala burri dhe burrenia ne Kanunet tona, nuk kane barazkuptim ne gjuhet e tjera. Kjo inkonvenienc eshte pasoje e kuptimit te veçante semantik, qe kane ne gjuhen shqipe dhe qe nuk e gjejme ne gjuhet e tjera.

Ne romen e lashte, burri quhej homo, ndersa per te shprehur burrnine perdorej fjala virilis (es vir), qe si dihet e perkthyer ne shqip ad letteram, do te thote mashkull, pra percakton seksin mashkull dhe burrin seksualisht aktiv, por ne plan zyrtar perdorej si perkufizim i mashkullit kur arrinte pjekurine seksual.

Sipas gjykimit te Ciceronit (vepra “De Inventione”), virilis, eshte shprehje shpirterore (habitus), qe mbahet per interesat e pergjitheshme dhe qe i atribuohet çdo burri me vlera dhe me dinjitet. Si kuptohet, romaket e barazonin virilis, pra “burrnine” me dinjitetin dhe me vlerat fizike e shpirterore te burrit.

Ne Perandorine Romake, me virilis cilesohej dhe luftetari trim – legjionari, qe shquhej ne lufte, por dhe gladiatori, pra perdorej per te shprehur burrin me force te veçante fizike dhe seksualisht potent.

Ne Kanunet tona dhe ne kulturen e shoqerise iliro – arberoro – shqiptare, kategoria e burrnise ka permasa me te gjera, pasi perfshine burrin me virtyte e me vlera te larta shoqerore: me bese, te ndershem, trim, bujar etj.

Per te cilesuar burrërinë, në gjuhen italiane përdoret dhe sintagma comportamento virile (sjellje burri), por qe nuk eshte sinonim i fjales shqipe burrenia. Kete dallim thelbesor e evidencojne At Giuseppe Valentini (Zef) dhe Sisto Kapra, te cilet duke komentuar burrerine e shqiptarit shkruajne: “... eshte nje identitet ndermjet virilitetit, realitetit ontologjik te burrit dhe nderit te tij, prej nga kuptohet, se nje burre qe ka humbur nderin, per familjen, fisin, fshatin e krahinen, ai ka humb dhe dinjitetin, pra sipas Kanunit te Lekes eshte çburrnuar, eshte i vdekur shoqerisht”.

Nder studiuesit shqiptar, i pari qe ka dhene perkufizimin me te plote per burrnine eshte Ernest Koliqi, i cili krahas karakteristikave baze percaktuese si nderi, besa, trimeria, bujaria, ka shtuar dhe komponenta te tjere te rendesishem tipizuese, duke konkluduar se “burrenia eshte dhe  urti (mençuri) dhe dinjitet njerezor”. Sipas Koliqit, nuk mjafton te jesh burrë trim e i ndershem, por duhet te veprosh dhe me mençuri e me dinjitet.

Me keto perkufizime dhe me keto terma, kuptohet nderthurja e disa virtyteve, qe karakterizojne burrin dhe qe shprehin burrënine si: urtia – mençuria, guximi – trimeria, nderi – nderëshmeria, miku – mikepritja, fisniku – fisnikeria, zemergjeresia, roli i prindit edukator ne familje, atdhedashuria, detyrimi dhe ndergjegjesimi per te respektuar normat, rregullat dhe ligjet e shoqerise malesore te sanksionuara ne Kanunet.

Duke analizuar burrënine, ne raporte me kategorite e tjera etiko-morale te Kanunit te Skenderbeut, Dom Frano Illia (mbledhesi i Kanunit te Skenderbeut), shkruan:“...ndershmeria dhe burrnia pasqyrohen njera ne tjetren, ndersa besa eshte shprehje ne jete e te dyjave”. Pra, sipas ketij koncepti, burrenia eshte shprehje vetem e nje burri te ndershem, i beses, ai qe e mbane fjalen e dhene. Ne kete plan kuptohet se burrenia eshte ne varesi te dyjave, prandaj kush humb nderin dhe kush nuk mban besen (nuk mban fjalen), çburrnohet, eshte i paburre, eshte i pandere, eshte i çnjerzuem.

Dom Frano Illia, duke komentuar kategorine e burrnise, ka dhene disa perkufizime, qe krahas vlerave letrare, marrin dhe rendesi etike, kesisoj ai shkruan:

“Burrenia eshte te rezistosh ne te mire e ne te keqe, eshte besa, nderi, fisnikeria, eshte kurajo, patriotizem deri ne heroizem, eshte qendrushmeri e kembengulje per te mbrojtur te drejten”.

Burrenia shprehet me patriotizmin e shqiptareve, madje me sakrifica te medha deri ne heroizem, per te mbrojtur burrat e tjere bashkeluftetare, si ka vepruar Mic Sokoli, Selam Musaj, Vojo Kushi etj.

Ne vazhdim Dom Illia e zgjeron konceptin e burrnise duke shtuar: “burreni asht me kenë i qëndrueshëm në të mirë e ne te keq, asht fisnikeri, kreshnikeri, zemërgjanësi, dordhani, atdhetari, pa prekshmeni në të drejtën e të mirën. Me fjalë të tjera, burrëria është sintezë e virtyteve me të larta morale të shqiptarit”.

Si nocion, shkruan Krist Maloki, burrenia rrjedh prej fjalës burrë, e cila ka nji vështrim aq të hapun, sa âsht jeta dhe të pjekunit e tij me shka e rrethon”, ndersa në vazhdim, si një analist i hollë dhe psikolog Maloki shton: “... burrenia eshte shprehje e krejt dinjitetit njerëzor”.

Dom Illia mbeshtet mendimet e Koliqit, ne lidhje me raportet e burrnise me urtine, kesisoj ai thekson se urtia (mençuria), pothuajse asht sinonim i burrenise: “Urtia (mençuria) e transmetuar nepermjet gojes se Kanunit, eshte nje virtyt, i cili perfshine ne vetevehte cilesite me te mira njerezore, si pjekuria, inteligjenca, drejtesia, ndershmeria, serioziteti”.

Ne te gjitha Kanunet tona, burrënia eshte sinteza e virtyteve me te larta te etikes dhe te moralit arberoro-shqiptare, te cilet se bashku prezantojne personalitetin etno-psikologjik te shqiptarit.

Per kete aspekt, Dom Frano Illia, ka dhene dhe nje perkufizim psikologjik:“burrenia èshte karakteri i forte e i vendosur, eshte rezistenca, mos perkulja dhe mos gjunjezimi para veshtiresive. Burreni asht te perkulesh vetem para te vertetes, para drejtesise dhe para te mires”.

Nga kjo analize, del ne pah nje tipar tjeter dalluese i burrnise, pikerisht karakteri i fore, qendrimi i vendosur, rezistenca deri ne vetmohim.

Burri nuk perkulet, nuk gjunjezohet para veshtiresive, nuk dorezohet kurre, madje ai vetesakrifikohet si ka vepruar Oso Kuka, per te mos rene rob ne duart e armikut, pasi i dorezuar, ul vehten, fyen e poshteron bashkeluftetaret, pra humb burrenine.

Megjithate, sipas Kanuneve tona burri me burreni, nuk eshte kaq i ngurte, pasi ai ka kurajo te perkulet vetem para te vertetes, para te drejtes, para drejtesise, si e percaktojne te gjithe Kanunet e Maleve. Kur nje burre e sheh vehten se ka gabuar, ai me shume burreni e i ndergjegjesuar, kerkon ndjese.

Ne studimin e botimeve mbi kanunin dhe te dedikuara burrnise, kam konstatuar se si autoret e huaj dhe ato shqiptare harrojne te evidencojne vlerat humane te burrnise te malesorit, madje shume prej tyre dhe i mohojne, sidomos kur i referohen gjakmarrjes.

Malesori shqiptar nuk eshte fanatik, i ngurte, i vrazhdet, i pa shpirt, apo si e pershkruan ndokush i eger, perkundrazi ka nje shpirt te ndjeshem e teper human, qe e ka treguar ne momente e ne situata teper te veshtira. Nuk mund te gjejsh vlera me te larta te humanizmit, kur kujtojme ata mijera malesore, qe me kurajo e burreni shembullore, kane falur gjakun e kane perqafuar gjaksin, madje kane lidhur dhe krushqi ndermjet dy familjeve ne gjak, duke krijuar miqesi e respekt reciprok dhe ne kete menyre kane ndalur zgjerimin e metejshem te konflikteve te gjakmarrjes.

Keto shembuj humanizmi eshte veshtire t’i rastisish ne popuj te tjere.

Falja e gjakut eshte nje nder mbivlerat e burrit, i shquar per burreni.

Ne te njejtin kontekst botkuptimor shprehet dhe Krist Maloki i cili thotë: “burrnia përfshinë në tê krejt shka mund të veprojë mashkulli: vullnesë, guxim, qëndresë, bujari e çdo virtyt që e plotëson shpirtnisht e njerëzisht. Ky nocion përshinë dhe trimin, por dhe zotnimin e vetvetes, nderimin e vetes e të tjerëve, qetësinë e qendresën ne të papriturat e rreziqet, papërkulmeni e pathyeshmeri kundrejt rreziqeve e armiqeve”.

Intermezzo.

Studiuesi i apasionuar Anton Cetta, kategorine e burrnise ne Kanun, e spiegon me nje histori poullore.

Gjate nje bisede burrash ne odë, dikush beri nje pyetje:“sa mund te jete e larte dhe sublime burrenia”?

Njeri prej pleqeve mentora i u pergjigj: “burrenia ka tre rende dhe i sipermi shkon shume lart”.

- Ne rendin e pare eshte burrnia e shprehur nga ata burra, qe i rezistojne te keqes, vuajne dhe e perballojne heroikisht dhe te vetem gjendjen e veshtire, nuk ankohen, nuk qajne e nuk e vrasin vehten. Keto jane burrat.

- Ne rendin e dyte eshte burrnia, shprehje e burrave qe e parandalojne te keqen, pa provokuar konflikte dhe pa derdhje gjaku dhe keta jane burra nder burra.

- Ne rendin e trete, eshte burrnia e burrave me karaktre te forte, trima e patriota, qe nuk ndalen e nuk thyhen para veshtiresive, qe e falin te dobetin dhe keto jane burra permbi burra (superuomo).

Kanuni nuk eshte thjeshte nje permbledhje konvencionale ligjesh, pra vetem nje kod ligjesh, por ka permasa me te gjera, permbane nje thesar te vertete vlerash etiko-morale dhe kulturore.

Ligjet, normat dhe rregullat kanunore jane te lidhura ngushtesisht me vlerat e tyre shoqerore, pra me zbatimin ne jeten shoqerore, per rrjedhoje jane te integruara thelle ne ndergjegjien e malesoreve, qe i respektojne e i zbatojne me besnikeri dhe me ndershmeri admiruese.

Mungesen e nje autoriteti shteteror, per te imponuar e krijuar ekuilibrin shoqeror me ane te bindjes dhe te forces se ligjeve, populli arberoro - shqiptar e ka kompensuar me noram etiko morale te veçanta e kesisoj ka krijuar kategorite kanunore te burrit dhe te burrnise, te beses dhe nderit, qe jane kolonat kardinale, te cilet e mbanin dhe e drejtonin rendin ne shoqerine malesore.

Ne kete plan vlen te theksohet, se ne rradhe te pare, Kanuni e ka mbajtur rendin nepermjet edukimit dhe jo me mekanizmin e frikes dhe te ushtrimit te forces. Kanunet tona nuk kane ligje, nuk kane rregulla dhe as struktura per mbajtjen e rendit me forcen e policise, as me milici, as me ushtri. Mardheniet mes malesoreve, familjeve, fiseve, fshatrave bazoheshin dhe rregulloheshin nepermjet respektimit te ligjeve dhe te normave etiko-morale, ndersa kur rrezikohej fshati, krahina, atdheu, atehere Kuvendi shpallte mobilizimin e pergjithshem te popullates, me parimin nje pushke per çdo shtepi, pra nje luftetare per shtepi.

Ndonese Kanunet tona percaktojne nje burre per shtepi, ne raste te veçanta, kur atdheu kercenohej nga armiqt e huaj, sigurisht mobilizimi ishte dhe me igjere, si p.sh rasti i Isa Boletinit, te cilin e ndiqnin ne lufte te gjithe djemt e nipat.

Kete disipline dhe kulture bindjeje ndaj ligjeve dhe rregullave, prinderit e transmetonin femijeve nepermjet edukimit, duke i instruktuar me te gjitha aspektet e kanunit, çfare ishte e mira e cila duhej zbatuar e mbrojtur dhe çfare ishte e keqia, negativia, e cila duhej te shmangej, qe shpreh karakterin parandalues te Kanunit. Ne kete menyre, Kanuni realizonte formimin e burrit dhe ndergjegjesonte qendrimin dhe sjelljen burrnore.

Burrenine arberoro-shqiptare e karakterizon dhe një tipar tjetër  qe është urtia – mençuria. Në përkufizimet, që i janë dhënë burrnise prej studiuesve vendas e të huaj, përmendet dendur urtia si përbërës i qenësishëm, me rendesi percaktuese per burrnine, e cila renditet krahas beses, nderit e mikpritjes.

Ernest Koliqi, njohës i thellë dhe studiues sistematik i mendësisë dhe psikologjisë etno-kulturore të male-soreve, ne kete aspekt na ka dhënë përkufizimin më të plotë: “… burrënia është urti dhe dinjitet njerëzor” e më tej shton: “me këtë term, në gjuhën shqipe kuptohet ndërthurja e dhuntive, guximi i matur, ndjenja e shkëlqyeshme e nderit, pa shfaqje të sedrës së sëmurë, plotësimi i detyrimeve të mikpritjes, shpirtmadhësia, te cilat se bashku duhet ta dallojnë shqiptarin:”.

Keto koncepte etiko-moraale jane te pranishme ne te gjitha kanunet tona.

Për Dom Frano Illia, urtia asht sinonim i burrërisë: “Urtia në gojë të Kanunit asht nji virtyt, që përmbledh në vetvete cilësitë më të bukura njerëzore të burrenise shqiptare si maturia, dija, drejtësia, nderi”.

Është për t’u theksuar këtu, se populli ynë nocionet i urtë, urtì, urtësi, nuk i perdor vetëm te lidhura me sjelljen e qendrimin, pra per te treguar individin me sjellje te butë, te shtruar, te qetë (rrin urtë) fjale pak dhe i bindur, po dhe burrin e ditur, te mençur, te rrahur me përvojën e jetës, plakun e urtë, plakun e mençur, burrin qe flet me urti, qe e degjojne, me te cilin keshillohen, qe e nderojne dhe e respektojne te gjithe.

Folja me urtesuar - urtësohem, do të thotë me fitu dije të thella e të gjera nga përvoja e gjatë e jetës dhe me shkollimin, me e njoh mirë jeten – shkollen e jetes, me u pjek, me u bere burre, me u burrenue.

Përdorim i fjaleve i urte, uretia, janë te lashta, i gjejme në folklorin tone, sidomos ne shume fjale te urta, ne gojedhana, ne eposin e kreshnikeve dhe ne shkrimet e shume autoreve te vjeter, sidomos te rilindasve.

Ndoshta fjala urtia është më e vjetër se sa mendojmë ne. Originen e lashte na e sugjerojne dhe shkencëtarët Stjuart Man dhe Zaharia Majani, te cilet fjalën urtia e kanë lidhur me emrin e perëndeshës ilire të diturisë Uridia; çka dëshmon, se ilirët e kishin ngritur urtine - diturinë deri në kult, pra e kishin hyjnizuar.

Per origjinen e lashte pellazgo – ilire te urtise shkruajne nje numer i madh gjuhetaresh te huaj si Thumser, Pauli, Norden, Busolt, von Nopça, Šufflai, Brandenstein, Hahn, Krahe, Pokorny, Georgiev, Kretschmer, Hesselmeyer, Lochner-Hüttenbach etj.

Një pjesë e studiuesve shqiptarë e përkrahin tezën e lidhjes pellazgo-iliro-shqiptare duke u mbështetur ne shpjegimin në gjuhën shqipe te disa emrave të hyjnive të mitologjisë së lashte dhe të heronjve të eposit Homerik, por per fat te keq, një pjesë e shikojnë me skepticizëm këtë tezë, madje me heshtjen e tyre dhe e kane mohuar.

Deshiren e madhe per te mesuar, per te zgjeruar njohurite dhe diturine, populli yne i shpreh me shume fjale, qe ne fakt jane sinonime si: i urtë - urti, i ditur - dituri, i mençur -mentor - mençuri, mendje holle, mendje ndritur, mendje kthjellet. Keto nuk jane thjesht epitete, por vleresime per burrat dhe grate mentore.

Ashtu si kategorite e tjera etiko morale dhe etnopsikologjike, kategorite e burrit dhe te burrenise kane anet e tyre negative, anen e kundert, qe ne Kanunin e Lekes percaktohen ne nyjen 85, paragrafi 518: Je i lirë me mbajtë burrnin tande, je i lirë me u çburrnue, ndersa ne paragrafin 519 sanksionohet: Ftyren e vrugnueme ne daç laje, ne daç zezoje edhe mà (nxije dhe me shume).

Ne Kanunin e Lekes dhe ne gjithe Kanunet e tjera jane te percaktuara kategorite e çburrnimit, te çnjerezimit, te paburrit, te burrit te felliqur, burrit te pander, burrit te pabese, burrit shoqerisht te vdekur, si shprehet Kanuni i Lekes ne librin e 8°, § 600: ai te cilit i u muer ndera, xehet i dekun kah kanuja.

Sipas Kanunit te Lekes, çburrnimi ishte ndeshkim shoqeror i rende:“Kanuja ja njet vulën e shnjerëzimit brez mbas brezi mje në shtatë faqe”, pra te paburrin e njeson me çnjerezimin dhe vula çburrnimit i mbetet ne shtate breza (gjeneracione).

Rastet e çburrnimit, populli yne nuk i harron, perkundrazi i permend si shembuj negative, madje ne kete menyre kane ndikuar ne parandalimin e gabimeve te renda, pasi jane perdorur si komponent edukimi per femijet duke i u thene “respektoje dhe nderoje mikun e mos e ban si filan-fisteku, qe e preu mikun ne bese”. Ky paralajmerim, ishte mesimi me i rendesishm dhe me i vlefshem per te gjithe, pasi nderi i burrit nuk e pranonte te njesohej e te krahasohej me nje te paburre.

Format e çburrnimit sipas Kanunit te Lekes jane te ndryshme. Burri çburrnohet kur genjen (populli yne te perqesh duke thene mos u baj rrenacak si filan-fisteku), kur fyen ne kuvend, kur prish ndermjetesine, kur thyen besen, per imoralite, kur fyen mikun, kur i merr armen e krahut a te brezit dikujt dhe ne shume rrethane te tjera, te cilat jane te percaktuara me saktesi ne librin e 8°, ne paragrafin 691 te Kaanunit te Lekes.

Personin e çburrnuar, Kanuni e konsideron me rrezikshmeri shoqerore, prandaj e i izolon nga mjedisi familjar dhe shoqeror, madje sipas nyjes 108, paragrafi 647 e ndalon te marri pjese ne Kuvend, pra i heq te drejten e fjales: “Me kanu te hereshme, gjyqi ate qe e quan te pabese, nuk e pranon ne kuvend burrash”.

Ne shoqerine malesore te paburrin e ndeshkonin rende moralisht, madje dhe e poshtronin, si parashikohet ne nyjen 108, § 645 (libri i 8°): Atij qe i u pre miku ne bese, çdo send do t’i jepet me dore te majte dhe nen gjù, deri sa ta paguaj mikun.

Ne Kanunin e Skenderbeut (mbledhur nga Dom Frano Ilia) sanksionohet: “ndeshkimi i paburrnisë asht

vetëm faqja e zezë, që asht ma e keqe se mortja”.

Sipas Kanunit, personi i çburrnuem ka vulen e turpit per shtate brezni.

Ky ndeshkim i rende, ne menyre te veçante i jepej tradhetarit, madje dhe pasi e denonin me vdekje, keto etiketime perbuzese, i mbeteshin nder shekuj atij dhe familjes.

Tradhetia eshte kategori negative, e ndeshkuar rende nga te gjitha Kanunet shqqiptare.

Tradhetia ne Kanun percaktohet si akt i turpshem, i kunderligjshem, i konsumuar si tradheti ndaj mikut, ndaj shokut, vellait, fisit, bashkefshatarit, fshatit, krahines dhe me e renda - tradhetia ndaj atdheut.

Sipas Kanunit te Lekes dhe kanunet e tjera shqiptare, tradhetari eshte individi me i urryer, me i perçmuar dhe me i kritikuari, qe njeh historia e popullit tone.

Tradhetari eshte i çburrnuem, i çnjerzuem, i pabese, i pander dhe mbane vulen e tradhetise nder shekuj.

Rastet e tradhetise populli yne nuk i shlyen nga kujtesa, perkundrazi i ruan ne memorje si elemente kritike, si paralajmerim per te mos u imituar e per te mos u perseritur.

Kane kaluar mbi 2000 vjet dhe nuk harrohet Dhimiter Fari, qe tradhetoj mbretereshen Teuta ne luften iliro-romake; kane kaluar 550 vjet e nuk asht harruar Hamzai, qe tadhetoj Skenderbeun; kane kaluar 100 vjet e nuk eshte harruar poshtersia dhe pabesia e Esat Pashe Toptanit, qe e tradhetoj popullin e Shkodres dhe Atdheun.

Si kutpohet, burrëria është koncept etnopsikologjik kategorik; qe nuk ka të bëjë me drejtësinë, nuk ka të bëjë me procedurat kanunore, as me pengjet, as me gjyqet e dënimet, por kur personi shkel parimet kanunore te burrenise, ai merr dënimet me te renda morale si çburrënimi, koritj, turperimi, qe jane me keq se vdekja.

----------------

(Në numërin e ardhëshëm do të lexoni per burrëneshat)

- Shënim: -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të  qytetit Siena–Itali-

-Për ZemraShqiptare, nga redaktori ynë në NJ, USA Zeqir Lushaj-

- 8 Mars, 2013-



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: