Fritz Radovani: Dera që dhuronte dashuni - 65 vjet perpara
| E Shtune, 09.03.2013, 10:02 AM |

DERA    DHURONTE  DASHUNI

65  VJET  PERPARA…Me 11 Mars 1948...

Nga Fritz RADOVANI

Shikonje mirë këte Derë! Praku i saj shkelej vetem nga të zbathun e të varfën që në kambë kishin sandale të vjetra e të shkyeme nder rrugët e maleve, e plot pluhun nga rrugët e katundeve tona mesjetare të mbetuna me shekuj mbrapa qytetnimit nga sunduesit, që sa ikte njeni ia mërrinte tjetri edhe ma barbar se i pari... Sejcili zaptues kerkonte me ua vue ferren në këte Derë, e besa, me mujtë edhe me i qitë fare... Sa shumë ka pa kjo Derë!

Ishte e hapun! Nuk mbyllej kurrë! Dhuronte vetem Dashuni!

Kushdo, nga kjo Derë mund të merrte Dashuni e Mirësi falas!

Ah, sa kujtime ndryhen mbrenda kësaj Dére që donin t’a mbyllin perjetsisht!

Nga kjo Derë çdo i uritun merrte bukë, çdo i etun kalimtarë shuente etjen me ujë pusi të freskët e në zemer ai ngarkohej me dashuni, me dashuni per Atdhé e Fé, me dashuni per të varfër e me bujari të pashoqe… Të gjitha këta, dikur i dhuronte kjo Derë që shihni këtu…Asht nder Dyertë ma të vjetra që u pat hapë në Shqipninë e shekullit të XIII, nga të varfnit që vune këtu kambën e zbathun me plagët e Shën Françeskut t’ Asizit…

Edhe pse u rrezikohej jeta kjo Derë vazhdonte me dhurue Dashuni e Paqë!

Nga kjo Dérë mësuem se të gjithë Shqiptarët pa dallim Féje, jemi vllazen...

Tek kjo Dérë shperndahej falas edhe “Buka e Shna Ndout”! Kjo Dérë ishte që edhe shperndante falas kulturë e dije për të pamujtun me shkue nder shkolla, e kurrë nuk dijti me u mbyllë as per fëmijtë e besimeve tjera që ia mësyene per me marrë dije. Vetem Bujari buronte nga gurtë e kalldrameve të dikurshme që ishin të shtruem para kësaj Dére.

E pra, vetem një zhgun e një konop per bel kishte Ai Burrë që hapte këte Derë me buzqeshje e plot dashuni ftonte: “Eni vllazen Shqiptarë, eni e mirse iu ka prue Zoti!”...

Edhe pse nuk kishin kurrë zjarr me u nxe, as voter ku me u rrethue në biseda, e as shilte apo qylyma arabije, kjo ishte Déra e asaj shtëpi që thirrej e “Zotit dhe e mikut”! Vetem bukë, krypë e zemer u shtrue aty per Ata Burra që me gjakun e Tyne kanë shkrue Historinë e lavdishme të Popullit Shqiptar, tue fillue nga Dedë Gjo’ Luli, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli,  Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Mati Logoreci, Kel Marubi, Ismail Qemali, Ndoc Çoba, Gjon Kamsi, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Shuk Gurakuqi, Mark Kakarriqi, Lin Muzhani, Tef Curani, Mustafa Kruja, Dan Hasani, Qemal Draçini, Osman Kazazi, Muzafer Pipa e sa e sa diplomat të huej, sa artistë e muzikantë të njohun, sa oficerë e njerëz të mjeksisë apo, sa e sa studjues të shkencave të ndryshme, se këtu lulzonte letersia, gjuha, folklori, drama e poezia, ku arkeologjia dhe historia kishin strofullat e veta, e këtu edhe botanika ruhej nder kopshtije që ujiteshin me kova nga të zbathunit e trojeve të Gjergj Kastriotit, Flamuri i të cilit valvitej në kompanjelin madhshtor të Kishës së Françeskanëve të Gjuhadolit. Doni a nuk doni ju, prej kësaj Dérë doli i ngjeshun per gjokset e At Mati Prennushit dhe At Buon Gjeçaj, bash nen zhgunat e Tyne Flamuri i Shqipnisë me Shqipen Dykrenare të Kastriotit, dhe u nis e shkoi në Maje të Bratilës, ku Trimi i Hotit Dedë Gjo’ Luli me duertë e Tija e nguli aty per mos me u zhgulë kurrma, a merrni vesh, kurrma! Hidhni sytë pertej telave me ferra e aty asht edhe sot!

Kjo asht Déra e Flamurit Pavarsisë! Kjo asht Déra e Hymnit të Flamurit Kombtar!

Kjo asht Déra per të cilen u perplasën të gjithë tradhëtarët dhe okupatorët...

E vetem nga kjo Dérë buçiti një za “Ndalonju, ku veni Burra!”...E Ai za, duhej vra!

Kjo asht Déra që gjuhej me top nga malazezët e prap ma vonë nga sherbëtorët e tyne, po kjo ishte gurrë e pashterrshme Atdhetarizmi, Lirije, Drejtësie e Dashunie Njerzore!

Nga kjo Dérë Shqiptari mësoi çka domethanë “E drejta dhe liria e Njeriut...” e prej kësaj Dérë, Shqiptarët trashiguen Kanunin e Besës, Burrnisë, Bujarisë dhe vepren ma të çmueshme të qytetnimit: “Pajtimin e gjaqeve”, një kusht themelor me shkue drejtë Europës së qytetnueme, prandej Fratin që na la këte thesar At Shtjefen Gjeçovin, e vrau serbi...

“Nuk na duhej as Pajtimi i gjaqeve dhe as Uniteti Kombtar” i kënduem nën Flamur: “Bini Toskë e bini Gegë, si dy rrfé që shkojnë tue djegë...”, na duhej vetem “një rrufé” që do të binte mbi kullat e Burrnisë nder Malësitë e Veriut dhe mbi kumonaret e Kishave ku predikohej Paqa, Drejtësia dhe Vllaznimi i Popullit Shqiptar pa dallim Féje e krahine...

Até që nuk mujt me ba as turku, as malazezi, as italiani e as pushtuesit ma të rrebtë

e ma të terbuem kunder Shqiptarëve, e bane sherbëtorët tanë të serbit të vjeter e të rijë.

Atëherë kur Austriakët ndoqën nipin e Esad Pashë Toptanit, kje Frati At Palë Dodaj që i shpetoi jeten Ahmet Zogut, tue e mëshefë nën zhgunin e Tij në kuvendin e Rrubikut.

Edhe Ahmet Zogu porsa hypi në kolltukun e dhuruem nga serbët vari Don Gjon Gazullin, u mbylli shkollat fretenëve dhe e vazhdoi “mirnjohjen” e vet... deri sa iku...

Atëherë, kur Shqipnia u pushtue nga Italia Konti Çiano në kujtimet e veta shkruen: “Në Shkoder populli nuk na priti mirë, mbasi shkollat e Fretenëve kishin punue shumë per edukimin e ndjenjave Atdhetare...” E me gjithë rrezikun fashist Fretnit ishin Ata që me një Burrni e Trimni të pashoqe, e treguen dashuninë e vet edhe per shpetimin e të rijëve që aso kohe ishin perzi me grupet komuniste, të formueme nga serbët dhe drejtoheshin pikrisht nga ata anadollakë, që me masken e “bolshevikëve” serb të Titos, i sherbenin diktatorit ma barbar që ka njohë historia e shek. XX, J.V.Stalinit, që piksynimi kryesor i tyne ishte vrasja, terrori dhe shpartallimi me Gjenocid i Klerit Katolik Shqiptarë, e në veçanti kjo luftë shfarosëse drejtohej kunder kësaj Dérë, kunder Urdhnit Françeskan të Shkodres.

Kjo asht Déra që shovenistët serb me sherbëtorët tradhëtarë komunistë të vitit 1944, me daten 29 nandor në ora 6 të mengjesit, dhunuen Flamurin Kombtar me “yllin e kuq të robnisë” dhe të terrorit ma antinjerzorë që ka njohë Historia e Shqipnisë deri sot!

E të gjithë si bishat e terbueme per gjah ia mësyne kësaj Dérë Bujare!

Ardhja në Shkoder e grupit të kriminelëve komunistë Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Sheuqet Peçi, Ramiz Alia, Rahman Perllaku, Tuk Jakova, Gjin Marku, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Misto Bllaci, Aranit Çela, Xhemal Bejtja, Shaban Dautaj, Namik Qemali, Anastas Koroveshi, Esat Ndreu, Nestan Ujaniku, Nesti Kopali, Ali Xhunga, Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Zoi Shkurti, Bilo Bregu, Pjerin Kçira,  Ali Qorri (Bushati), Kasem Troshani, Toger Baba, Thoma Karamello, Jonuz Dini, Xhemal Selimi, Hysni Ndoja, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi, Vaskë Koleci, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku e sa të tjerë terroristë barbarë që dinin vetem një kangë: “Hakmarrje rini..!”

Gurtë që mbështetej kjo Dérë ishin shkrepat e Bjeshkëve të Nemuna! Duheshin thye e poshtnue Burrat e Atyne Bjeshkëve...E kjo veper tradhëtije në sherbim të shovenistëve të vjeter sllavë, filloi me luften dhe vrasjet e Malësorëve të Veriut, me Prek Calin, Gjelosh Lulin, Gjergj Vaten, Hasan Isufin, Llesh Marashin e qinda Burra tjerë, që mbasi i vranë mbas shpine trupat e tyne i tretën nder prroje e proska, mbasi kështu “kishte urdhnue edhe shoku komandant, terroristi Enver Hoxha”. Veriu i Shqipnisë nder male e fusha u la me gjak Atdhetarësh dhe Klerikësh Katolik Shqiptarë tue fillue me Don Lazer Shantojen, Don Ndre Zadêjen, At Gjon Shllakun, Don Nikoll Gazullin, Don Alfons Trackin, At Anton Harapin, dhe vazhdoi ke i merrte pushka kudo që shkrepej nder çela, Kisha, shtëpia, kulla e kasolla, tubime, zallishta e shpella, po edhe në Popullin e shkretë me faj e pafaj.

Shperthimi dhe deshtimi i Lëvizjes së Postribës, në 9 shtatorin e 1946 sjellë pasojat e projekteve të KGB sovjetike që po zbatoheshin në Lindjen komuniste edhe në Shqipninë e E. Hoxhës, me anen e specialistëve të UDB jugosllave dhe sigurimit shtetit shqiptar.  Sinjali i parë u dha në Orosh të Mirditës, ku kriminelët Bardhok Biba dhe toger Baba fusin armë në Kishë dhe per këte akuzojnë në Shkoder Imz. Frano Gjinin, zv. Delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipni dhe sekretarin e Tij Don Mark Xhani, të cilin e mbysin në tortura.

Kriminelët i drejtohen Gjuhadolit tek kjo Dérë, per me e shnderue dhe shperthye.

Duhej realizue plani i Titos edhe në Shkoder, ku sigurimi i shtetit futë armët në Kishen e Fretenëve të Gjuhadolit, me 16 nandor 1946 e deri rreth orës 2 të mengjesit të datës 17, nën drejtimin e Zoi Themelit, Hulusi Hakos dhe Dilaver Sadikut, të ardhun nga Tirana per këte qellim, pikrisht prej kësaj Dérë që lidhej me Kishen...rrethojnë Kuvendin dhe mbasi e kthejnë në burg, kjo u quejt Déra e Burgut të Kishës së Fretenëve, e mbasi kishin arrestue klerikët: At Mati Prennushi, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë dhe At Çiprian Nika, Rektor i Françeskanëve, vazhdojnë arrestimet me Fra Ndue Vila, At Frano Kiri, Imz. Gjergj Volaj, At Donat Kurti, Imz. Nikoll Dedaj, Don Tomë Laca, Don Ndoc Sahatçia, At Gjon Karma, Fra Gjon Pantalia, At Palë Dodaj, At Gasper Suma, Don Nikoll Shelqeti, At Mëhill Miraj, Fra Zef Pllumbi, Don Mark Hasi, At Rrok Gurashi, At Leon Kabashi, At Aleks Baqli, At Filip Mazrreku, At Augustin Ashiku, Don Anton Muzaj etj...

Déra e bamirsisë kishte kalue 15, 16 muej si hetuesi ku tortura, uria, etja, parazitët, vuejtjet...gjakosjet, deri në ngarkim karrosh me kufoma dhe tretje të Tyne tek Ara e Pashës dhe në Zallin e Kirit, ku siper Tyne derdheshin edhe karrot e pastrimit pusave të zezë.

***

Dera u mbyll... U mbyll shkolla, seminari, muzeu, biblioteka, teatri, orkestra...

Sigurimi i shtetit komunist e anadollak vodhi e plaçkiti gjithshka kishte aty...

Thesaret e kulturës, të shkencës dhe të artit u zhdukën...pergjithmonë!

Me daten 11 Mars 1948 kjo Derë, u hap në oren 4.30’ në mengjes. Edhe pse të çveshun dhe të pranguem po krenarë dhe si Burrat, u nisën nder kamjone drejtë Zallit të Kirit, u ndaluen per me zbritë në aren e Zef Sylës. Ishte grupi i Prelatëve të Klerit Katolik bashkë me të gjithë Ata Atdhetarë, që nuk u pajtuen kurrë me shitjen e Trojeve Shqiptare dhe tradhëtinë e partisë komuniste shqiptare, që shiti Atdheun tek Tito per kolltukun e E. Hoxhës...U prini pa u tutë Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Imz. Gjergj Volaj,  Imz. Nikoll Deda, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, e mbas Tyne, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, Qemal Draçini, Kolec Deda, e sa të tjerë që u vranë e u zhdukën pagjyq e sot, nuk figurojnë as në rregjistrin e të vramëve... Vetem një pemë blinit n’ atë oborr torturash e di të verteten...

Po Lisat, nuk ranë pa lanë edhe porosinë e Tyne të fundit para mitralozave:

“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’ eme.

Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnija!

U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(At M. Prennushi, Dosja 1302, Shkresa nr. 64/III, Arkivi MMbrend. Tiranë 1998).

E Zalli Kirit ushtoi nga krizmat e automatikëve...Gurët e bardhë si biluri të zbritun nga Alpet tona u lane në gjak... Me gjak Martirësh që vazhdoi me rrjedhë per 47 vjet rresht.

Çinari i Vorreve të Rrëmajit mêjti...E as kumbonët aty nuk ranë në njëanë...

E Déra lahej pa pushue me gjak Atdhetarësh... Lot Nanash e motrash...

Neper këte Dérë hyne kriminelë, torturues, gjaksorë, hetuesit, vrasësit, dhunuesit e pashpirtë, shpifsit agjentë, mashtrues e gënjeshtarë, prokurorë e gjykatës kasapë analfabetë,  plaçkitës dhe hajdutë... E deri sot, asnjë nga këto bisha nuk ka pranue pergjegjësi per veprat e tyne tradhëtare, ose si bashkpuntorë per krimet që kanë krye mbrenda kësaj Dérë!

Ajo Dérë vazhdon me kenë e mbyllun se asnjë gjaksorë nuk asht i penduem!

Ajo Dérë asht e mbyllun me urdhna e dekorata të “vrasësëve heronjë”...

Ajo Dérë nuk hapet pa u hapë dosjet e terroristëve barbarë!

Kjo Dérë tregon se Krenaria Kombëtare e Popullit Shqiptar; ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, detyra  pa të cilat, asnjëherë, kurrë, derisa të jetë Shqipnia Shqipni e Shqiptarët Shqiptarë, kurrë, nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!


Melbourne, Mars 2013.

(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: