Fotaq Andrea: Fjalë të arta për jo-dhunën
| E Shtune, 09.03.2013, 10:00 AM |

Fjalë të arta për jo-dhunën

« Paqja, e vetmja luftë që ia vlen të ndërmerret »

Mbledhur: Zhan-Mari Myler

Përktheu: Fotaq Andrea

Duhet pranuar : në zhurmën shurdhuese që dhuna shkakton çdo ditë në realitetin e sotëm, rrallë na ndodh të dëgjojmë fjalë jo të dhunshme. Ideologjia e dhunës së nevojshme, të ligjshme dhe të denjë sundon shoqëritë tona. Kultura jonë na e shfaq dhunën si virtyt të njeriut të fortë që ka guximin të marrë në sy rreziqet më të mëdha për të luftuar kundër padrejtësisë dhe për të mbrojtur lirinë. Jo-dhuna trajtohet kësisoj si dobësi e njeriut të frikur, të gatshëm për t’iu nënshtruar zgjedhës së shtypësve dhe të prirur paraprakisht për t’u marrë vesh me agresorët.

Në të vërtetë, jo-dhuna gjendet e skalitur në zemër të  të gjitha urtësive njerëzore, si forma më e lartë e guximit. Kur të urtët – qoftë Lao Tseu, Buda, Jezusi apo Gandi – na mësojnë jo-dhunën, lypset të tregohemi sa më shumë të vetëdijshëm ndaj dhunës, të ndërgjegjësohemi për çnjerëzinë dhe pakuptimin e saj. Ata na ftojnë të hedhim poshtë çdo përligjje që e bën dhunën një të drejtë të njeriut. Ata na shtyjnë të përfytyrojmë mënyra të tjera për t’u bërë ballë konflikteve, të tregojmë mençuri për të nxjerrë në dukje një forcë tjetër që të luftojë padrejtësinë dhe t’i bëjë qëndresë agresionit.

Të zgjedhësh jo-dhunën do të thotë të mos pranosh që jeta dhe historia jonë t’i nënshtrohen fatalitetit të dhunës, të kërkosh të çelësh një shteg lirie që t’u krijojë njerëzve mundësi për të rënë në ujdi me vetë mirësinë e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme vëllazërore. Të zgjedhësh jo-dhunën do të thotë të pranosh se në vënien ballë për ballë me tjetrin, njeriu nuk ka vetëm dhunën si mundësi të vetme. Vetëm jo-dhuna është ajo që e thyen përfundimisht qarkun e urrejtjeve, shpagimeve dhe hakmarrjeve, që sjell drejtësinë dhe paqen.

Për të mos qenë një largim nga realiteti, jo-dhuna nuk duhet shënuar në regjistër të ëndrrave, por në regjistër të mendimit e të veprimit. Domosdo, edhe vetë ajo është një rrezik, po rreziku që i jep kuptim dhe përsosuri jetës së njeriut. Ajo është vetë rreziku i vetë shpresës.

Zhan-Mari Myler

***

Atëherë, tek po ecnin, ata vunë dorë mbi Jezusin dhe e mbërthyen. Po veç kur njëri prej shokëve të Jezusit çoi vrulltas dorën te shpata, e nxori nga milli, goditi shërbëtorin e të Madhit Prift dhe i këputi veshin. Atëherë, Jezusi i thotë : « Fute brenda shpatën ; kushdo që përdor shpatën, do vdesë nga shpata. »

Jezusi i Nazaretit

***

Mendoj në të vërtetë se në duhet patjetër të zgjedhësh midis dhunës dhe frikës, unë do të këshilloja dhunën…Por mendoj gjithashtu se jo-dhuna qëndron pafundësisht shumë më lart nga dhuna.

Gandi

***

T’i përgjigjesh grushtit me grusht, do të thotë të përhapësh dhunën, ta bësh edhe më të errët një natë tashmë pa yje. Mirëpo errësirat kurrësesi s’mund të shpërndahen vetiu. Është drita ajo që i zhduk. Po ashtu, urrejtja nuk e zhduk urrejtjen. Vetëm dashuria ia arrin. Pikërisht këtu qëndron edhe vetë bukuria e jo-dhunës : e lirshme ndaj çdo pengese, ajo shpërbën reaksionet në zinxhir të së keqes.

Martin Luter Kingu

***

Dhuna dhe forca asnjëherë nuk ndërtojnë. Dhuna dhe forca asnjëherë nuk e shpërblejnë njeriun. Ato mund të kënaqin veç ata që lumturohen me diçka të përkohshme. Edhe pse kemi në themele tërë qytetërimet tona perëndimore, ne asnjëherë nuk kemi rreshtur duke u kënaqur me diçka të përkohshme. Ndoshta jemi në kohë për të menduar për diçka të përjetshme.

Zhan Zhiono

***

Të godasësh apo të goditesh është një dhe e vetme poshtërsi. Ftohtësi e çelikut është po aq vdekjeprurëse sa doreza dhe maja.

Simon Vej

***

Forca është ajo që cilindo e bën t’i nënshtrohet diçkaje. Kur ushtrohet deri në fund, e bën njeriu një send në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, sepse e kthen në kufomë. Dikush ndodhej aty, dhe një çast më pas, nuk ndodhet më askush.

Simon Vej

***

Për fisnikun, kurrëfarë arme nuk ka që të jetë e arrirë :

Mjet’ i mjerimit aspak s’është mjet’ i tij.

Në u dashtë, e përdor jashtë çdo dëshire,

Tek kërkon mbi gjithçka qetësi e paqë ;

Po prapë, edhe në ngadhnjim, aspak nuk ndien gëzim ;

Sepse, që kënaqësi të ndjejë, i duhet të vrasë.

Po kur masakër e njerëzve veç i pëlqen,

Ç’gjë tjetër vallë do mund të bëjë në botë të tyre ?…

Zi e lotë për masakër të njerëzisë,

Rit të përmortshëm, ngadhnjimtar për të dalë.

Lao Tseu

***

Njeriu është bërë për ta dashur, i vetmi realitet që i jep botës qëndrueshmërinë e saj. Asgjë nuk bëhet, asgjë nuk nis, për aq kohë sa njerëzit nuk njohin shoshoqin. Lufta nuk është veçse një sëmundje e rrezikshme e një njerëzimi foshnjor që kërkon dhimbshëm rrugën e vet. Tortura, ky dialog mizor, nuk është veçse ana e pasme plot tmerr e komunikimit vëllazëror. Ajo e poshtëron atë që e kryen më shumë se atë që e pëson. Të dorëzohesh para dhunës e torturës, do të thotë të mos besosh në fuqinë e njeriut, në heqësh dorë nga ndërtimi i një bote më njerëzore.

Gjenerali Zhak dë la Bolardier

***

Keni dëgjuar të thuhet : Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë. E pra, unë po ju them : mos e shpaguaj të ligun duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë ; përkundrazi, kur dikush të godet në faqen e djathtë, ti zgjati të majtën ; kur do të të akuzojë dhe të të rrëmbejë tunikën, ti mos i kurse as mantelin ; kur do që ti të rendësh një milje me të, bë atëherë dy milje. Kush të kërkon, jepi ; kush do borxh, mos i kthe krahët.

Keni dëgjuar të thuhet : Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun që ke. E pra, unë po ju them : Duajini armiqtë tuaj.

Jezusi i Nazeretit

***

Dhuna, e ndjerë ashpërsisht, duhet të shmanget një herë e përgjithmonë, me qëllim që njeriu të hyjnë në të sotmen.

Erik Veil

***

Kundërshtarëve tanë më të egër, ne u themi : « Aftësisë suaj për të na shkaktuar vuajtje, ne do t’i kundërvëmë aftësinë tonë për ta duruar vuajtjen. Forcës suaj fizike, ne do t’i përgjigjemi me forcën e shpirtit tonë. Bëni me ne ç’të doni, ne do të vazhdojmë t’ju duam. Ne nuk mundemi, me ndërgjegjje të plotë, t’u bindemi ligjeve tuaja të padrejta, sepse mosbashkëpunimi me të keqen është, po aq sa bashkëpunimi me të mirën, një detyrë morale. Na futni, po të doni, edhe në burg, ne përsëri do t’ju duam. Dërgoni në mesnatë tek bashkësitë tona kagularët1 tuaj, për të ushtruar dhunë e për të na lënë gjysmë të vdekur, ne përsëri do t’ju duam. Por të jini të sigurt se ne do t’ju çojmë drejt rraskapitjes nëpërmjet aftësisë sonë për të vuajtur. Një ditë, ne do të fitojmë lirinë, por jo thjesht për veten tonë. Ne do të lëshojmë në zemrat dhe në ndërgjegjet tuaja një thirrje të tillë, sa ju do të bashkoheni me ne rrugës dhe atëherë fitorja jonë do të jetë fitore e dyfishtë. »

Martin Luter Kingu

***

Orvatem ta nxjerr tërësisht jashtë përdorimit shpatën e tiranit, jo duke e përplasur me një çelik më të mprehtë, por duke thyer padurimin e tij për të më parë t’i bëj qëndresë fizike. Ai do të gjejë tek unë një qëndresë të shpirtit, që i shpëton shtrëngimit të tij. Kjo qëndresë, fillimisht do ta verbojë dhe më pas do ta detyrojë të dorëzohet. Dhe ky dorëzim nuk do ta poshtërojë agresorin, përkundrazi do ta lartësojë atë.

Gandi

***

Jo-dhuna nuk është mosqëndresë para së keqes, ajo nuk është pafuqishmëri, as mospërfillje. Ajo nuk është plogështi, as shtrëngesë plogështie. Ajo nuk është nënshtrim para fatalitetit. Ajo nuk është pranim i padrejtësisë, as lëshim, as përshtatje, as lajkë ndaj tiranit, as bashkëfajësi e heshtjes me mosveprimin, as qetësi fodulle, as dezertim para ndeshjes. Ajo, përkundrazi, mbron çështjen e saj me një durim të paepur, me një qetësi ndjellëse dhe herë-herë sulmon. Kurrë nuk shmanget, kurrë nuk tërhiqet, kurrë nuk lëshon, kurrë nuk qëllon.

Ajo i përgjigjet çdo goditjeje duke qenë e gatshme për goditje të reja. Ajo i përgjigjet sharjeve me mirësjellje. Ajo i përgjigjet akuzave për paburrëri duke dëshmuar me praninë e vet para rrezikut, si dhe me durimin e vet gjatë vënies në provë. Ajo i përgjigjet gënjeshtrave nëpërmjet rivendosjes së paepur dhe përherë të saktë të së vërtetës. Ajo u përgjigjet dredhave përmes thjeshtësisë dhe çiltërsisë. Ajo u përgjigjet talljeve me një seriozitet të denjë. Çdo force të së keqes, ajo i kundërvë jo një forcë të së njëjtit lloj, por një forcë të një lloji të kundërt, që e plotëson.

Lanzo del Vasto

***

Është mëse e sigurt se një njeri i vetëm, në dukje i çarmatosur, por që guxon të thotë fuqishëm një fjalë të vërtetë, që e mbështet këtë fjalë me gjithë qenien dhe jetën e vet, dhe që është gati ta paguajë shumë shtrenjtë, ka, edhe pse mund të duket shumë e çuditshme dhe zyrtarisht është i zhveshur nga të drejtat, një pushtet më të madh nga pushteti që kanë mijëra zgjedhës anonimë në kushte të tjera.

Vaslav Havel

***

Ju të gjithë që në heshtje vuani,

Tek e shihni a e ndjeni të humbur,

Këtë vend që veç shitet e blihet

Me çmim të arit, me çmim të gjakut ;

 

Mblidhuni në më të madhin kuvend

Dhe fuqimisht shapllni,

Me fjalë të qetë, me fjalë të mirë :

« Zoti na ka bërë të lirë – do mbetemi të lirë. »

 

Qëndroni të qetë e të vendosur,

Si pyll i dendur e i heshtur

Krahët kryq, vështrimin krenar

Këto të pathyeshmet armë.

 

E atëher’ tiranët në guxofshin,

Le të hedhin mbi ju kalorësit që kanë,

Le të godasin, të presin, të therrin,

Ç’të duan të bëjnë – lërini, pa i ngarë !

 

Krahët kryq, syrin pishë,

Pa habi e pa frikë,

Vështrojini, tek vrasin e presin

Gjersa tërbim i tyre të vdesë.

 

Mbuluar me turp, do kthehen

Nga vendi që kanë ardhë ;

Mbi faqe të tyre skuqur flakë

Gjaku i përhapur do flasë.

 

« Ngrehuni të shumtë e të pathyeshëm,

Si luanë të rënë në gjumë të thellë ;

Shkundni fort si atë vesë

Që gjumin tuaj e kish veshë

Zinxhirët e egër të skllavërisë :

Ju jeni të shumtë, ata janë të paktë ! »

Persy Bysshe Shelley

***

Si ndodh që gjithë ata njerëz, gjithë ato qytete, gjithë ato kombe durojnë ndonjëherë gjithçka prej një tirani të vetëm, që s’ka fuqi tjetër veç asaj që i japin, që s’ka pushtet tjetër për t’i dëmtuar veç për aq sa duan e durojnë, dhe që asgjë të keqe s’do mund t’u kish bërë po qe se ata s’do kishin dashur më mirë të vuanin prej tij sesa ta kundërshtonin.

Etien de la Boesi

***

Ligje të padrejta ekzistojnë : a do pranojmë t’u bindemi ? … Nëse, nga vetë karakteri i saj, makina qeveritare kërkon të na bëjë mjetin e padrejtësisë kundrejt fqinjit tonë, atëherë unë ju them : shkelni ligjin.

Henri David Toro

***

E kuptoj se, i nxitur nga zemërimi, urrejtja, hakmarrja, nga humbja e vetëdijës së humanizmit të tij, një njeri edhe mund të vrasë, duke mbrojtur një qenie të afërt a duke u mbrojtur ai vetë. E kuptoj po ashtu se ai mund të vrasë edhe për shkak të një frymëzimi patriotik, mobilizues, duke u rrezikuar me vdekje dhe duke marrë pjesë në një vrasje kolektive në luftë e sipër. Por që njerëz, në zotërim të plotë të aftësive të tyre, të mund të pranojnë, me qetësi dhe në mënyrë të matur e të peshuar, nevojën e vrasjes së një qenie njerëzore, dhe të detyrojnë krijesat të kryejnë këtë akt të pështirë për natyrën njerëzore – këtë, unë kurrë s’e kam kuptuar.

Leon Tolstoi

***

Bota është ajo që është, domethënë jo kushedi se çfarë. Që prej ditës së djeshme, këtë cilido e di falë koncertit të zhurmshëm që shpërthyen radiot, gazetat dhe angjesitë e lajmeve lidhur me bombën atomike. Dhe në fakt, na mësojnë, mes një morie komentesh entuziaste, se cilido qytet i përmasave mesatare mund të shuhet krejt nga një bombë në madhësinë e një topi futbolli…

Kemi të drejtë të mendojmë se ka njëfarë paturpësie që arrihet të festohet në këtë mënyrë një zbulim, i cili, mbi të gjitha, vihet në shërbim të tërbimit më të egër shkatërrues që ka treguar njeriu që prej shekujsh. Që në një botë të gllabëruar nga tërë dhimbjet e dhunës, të paaftë për kurrfarë kontrolli, shpërfillëse ndaj drejtësisë dhe lumturisë së thjeshtë të njerëzve, shkenca të arrijë t’i kushtohet vrasjes së organizuar, askujt, pa dyshim, veç për ndonjë idealizm të pacipë, nuk do t’i shkonte ndër mend të çuditej…

Përpara perspektivave të tmerrshme që i çelen njerëzimit, ne shohim edhe më mirë se paqja është e vetmja luftë që ia vlen të ndërmerret. Kjo, nuk është më një lutje, por një urdhër që duhet të ngjitet nga popujt drejt qeverive, urdhri për të zgjedhur përfundimisht midis ferrit dhe arsyes.

Albert Kamy

***

Vrasja është e mundur. Por është e mundur kur nuk e ke parë tjetrin në sy. Pamundësia e vrasjes nuk është reale, ajo është morale… Vështrimi moral mat, në fytyrë, të pafundmen e pakapërcyeshme, ku endet dhe fundoset qëllimi vrasëtar.

Emanuel Levinas

***

Indiani dhe anglezi

Indianët, në luftë me anglezët, u zunë këtyre rob një djalë të ri. E lidhën pas një peme dhe u gatitën për ta vrarë.

Një indian plak afrohet e u thotë :

- Mos e vrisni, ma jepni mua më mirë.

Ia dhanë. Indiani plak e zgjidhi anglezin, e çoi në kasolle të vet, i dha për të ngrënë dhe i gatiti një shtrojë për të kaluar natën.

Të nesërmen në agim, indiani urdhëroi anglezin t’i binte pas. Ecën gjatë dhe kur u ndodhën pranë kampit anglez, indiani i thotë :

- Njerëzit e tu vranë tim bir, kurse unë po të shpëtoj jetën. Shko bashkohu me shokët dhe vazhdo të na vrasësh.

Anglezi shqeu sytë nga çudia :

- Përse po tallesh me mua ? – i tha. – Unë e di që tanët kanë vrarë tët bir : më vrit pra dhe ti, ç’pret !

Indiani ia ktheu :

- Në çastin kur do të vunë thikën në fyt, solla ndër mend tim bir dhe më erdhi keq për ty. Nuk po tallem : shko te shokët, dhe vazhdo, në ke dëshirë, të na vrasësh.

Dhe indiani e la anglezin të lirë.

Leon Tolstoi

***

I trajtoj me mirësi ata që kanë mirësi ; i trajoj me mirësi, ata që janë pa mirësi. Dhe kështu mirësia fiton.

Lao Tseu

***

Një herë Buda po rrinte në Srâvastî, në korije të Jetës, në kopshtin e Anâthapindadës. Asohere, I Nderuari i Botës u thotë murgjëve :

« Në larminë e madhe të qëndrimeve, unë shoh vetëm njërin prej tyre, përmes të cilit, po qe se kultivohet prej kohësh, fitohet lumturi ndër njerëzit, fitohet lumturi lart në qiell dhe ia del mbanë për të shkuar në Nirvâna : të mos vrasësh qenie të gjalla ».

Buda

***

Ja tek po sjell me zemrën time të Vërtetën dhe Drejtësinë,

Sepse shkula prej saj tërë të Keqen.

Unë nuk u kam shkaktuar vuajtje njerëzve.

Unë nuk kam përdorur dhunë kundër të afërmve të mi.

Unë nuk e kam zëvëndësuar Drejtësinë me Padrejtësinë.

Unë nuk kam pasur lidhje me të këqinjtë.

Unë nuk kam bërë krime.

Unë nuk i kam bërë të tjerët të punojnë për mua me tepri.

Unë nuk kam intriguar nga lakmia.

Unë nuk i kam keqtrajtuar shërbenjësit e mi…

Unë nuk i kam hequr asnjë vendasi bukën e gojës…

Unë nuk kam lejuar që një shërbenjës të keqtrajtohet nga i zoti i tij.

Unë nuk e kam bërë tjetrin të vuajë.

Unë nuk kam shkaktuar uri.

Unë nuk i kam bërë të përloten njerëzit përreth meje.

Unë nuk kam vrarë dhe as kam urdhëruar të vrasin.

Unë nuk kam shkaktuar sëmundje midis njerëzve…

Unë nuk kam bërë përpjekje të zgjeroj pronat e mia

Duke përdorur mjete të paligjshme

Dhe as të gllabëroj tokat e tjetrit.

Unë nuk kam bërë hile në kandar dhe as te bishti i tij.

Unë nuk ia kam rrëmbyer qumështin nga goja një fëmije.

Unë nuk kam vjedhur bagëti në kullota…

Unë nuk i kam vënë pendë ujrave për të vaditur tokat e mia.

Unë nuk i kam hequr pendët e vëna për të vaditur tokat e të tjerëve.

Unë nuk e kam shuar flakën e një zjarri

Kur ai duhej të rrinte i ndezur.

Libri i të Vdekurve i Egjiptianëve të Lashtë

***

Pema e Paqes së Madhe

Unë jam Deganawidahu dhe, tok me kryetarët e Pesë Kombeve,

Po mbjell Pemën e Paqes së Madhe…

Pema e Paqes së Madhe lëshoi rrënjë të largëta,

Janë Rrënjët e Mëdha të Bardha të Paqes…

Nëse ti dëshiron, ngado që të jesh,

T’u bindesh ligjeve të Paqes së Madhe,

Mjaft të ndjekësh këto rrënjë gjer në burim të tyre,

Dhe atëherë mund të prehesh nën hijen e Paqes së Madhe…

 

Unë, Deganwidahu,

Dhe kryetarët e Pesë Kombeve të Paqes së Madhe,

Do ta shkulim bredhin më të lartë

Dhe në gropën e thellë që do krijohet

Do vërvisim tërë armët e luftës.

Në thellësi të tokës,

Në zemër të saj

Tërë armët e luftës do lëshojmë,

T’i zhdukim përgjithnjë.

Pastaj pemën sërish do ta mbjellim

Dhe Paqja e Madhe aher’ do mbretërojë.

Poemë irokuaze1

***

Tek ai, moral i të cilit

mbërthehet pas objektesh

të ndjenjave me interes

të përqëndruar, një dashuri

lind për vetë këto objekte ;

nga dashuria lind dëshira,

dhe nga dëshira, zemërimi.

 

Zemërimi çon në shthurje ;

nga shthurja vjen

humbje e kujtesës,

nga ku intelekt shkatërrohet krejt ;

me shkatërrim të intelektit,

njeriu vdes.

 

Për atë që s’është në Jogë1

nuk ka as intelekt,

as përqëndrim të mendimit ;

për atë që është pa përqëndrim,

nuk ka paqë ; dhe për atë

që është pa paqë, si vallë

mund të ketë lumturi ?

 

Kush braktis gjithë dëshirat

dhe jeton e vepron i lirë nga çdo ngasje,

kush nuk ka kurrfarë « uni », kurrfarë « të mijat »

(kush egon e vet individuale e shuan

në një « Un » të tërë

dhe jeton brenda tij),

ai paqes së madhe do t’ia mbërrijë.

Bhagavad-Gîtâ

***

Zigongu : A ka një fjalë që mund të udhëheqë veprimin gjatë gjithë jetës ?

Mjeshtri i Madh tha : « Shpirtmirësia », a nuk është vallë fjala e artë ? Atë çka nuk dëshiron që të tjerët të ta bëjnë ty, edhe ti, mos ua bë të tjerëve.

Konfuci

***

Ne, nga brenda buzëqeshim.

Këtë buzëqeshje ne e fshehim

tani.

E paligjshme buzëqeshja

- siç është bërë i paligjshëm vetë dielli,

e paligjshme e vërteta.

Ne buzëqeshjen tonë e fshehim,

sikurse fshehim në xhepat tanë

fotografinë e së dashurës,

sikurse fshehim vetë idenë e lirisë

në palat e zemrës sonë.

Të gjithë ne, këtu poshtë, kemi të njëjtin qiell,

dhe të njëjtën buzëqeshje.

 

Nesër, ndoshta, jetët tona do na i marrin.

Po këtë buzëqeshje dhe këtë qiell,

kurrë nuk do mund të na i marrin.

Janis Ricos

***

Do ndodhë një ditë që popuj të shumtë, me shpatat e tyre do farkëtojnë plugje parmendash dhe me heshtat e tyre, drapinj për korrje. Kombet nuk do ngrenë më shpatat ndaj shoshoqit dhe nuk do përgatiten më për luftë.

Isai


1 Aktivistë por-fashistë.

1 Tërësi sistemesh filozofike dhe praktike të Indisë që shërbejnë për t’u treguar njerëzve mënyrat e ndryshme për të çliruar shpirtin e tyre nga lidhjet materiale me jetën tokësore. 



1 Poemë e indianëve të Amerikës së Veriut.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: