Selim Nëngurra: Kleri katolik dhe lufta në Dardani
| E Diel, 03.03.2013, 09:14 PM |

KLERI KATOLIK DHE LUFTA NË DARDANI

-…per periudhen e viteve 1990 - 1999 populli flet me admirim per klerin katolik. Qarkullon në popull thanja : .... a nuk e paskeni ditë. Vërtetë meshtaret na kan shpëtue nga rreziku që na kanosej per të na zhduk serbët. Nese s’do ishin meshtarët neve do ishim djegë e pjekë per së gjalli. Populli i Dardanisë mban mend shumë meshtarë dhe me respekt i permend ata dhe veprimet e tyne-

Nga Selim M. Nëngurra - Redaktor i ZSh-së

Sado që tashma gati po bahen 14 vite nga perfundimi i luftës në Dardani, megjithatë koluareve flitet dhe perflitet ajo luftë. Fliten e pergojohen individ, personalitete si dhe grupe të caktuara të popullit shqiptarë në Dardani.

Me grupe të caktuara kam parasyshë faktin se si gjithmonë (per fatkeqësinë tonë) në perpjekjet tona per Liri e Mvetësi territoriale e kombëtare jemi kenë të ndamë në grupe, në klane, në religjione, në perkatësi fetare (jo shumë shpesh fatmirësisht) si dhe në percaktime ideore që ishin shkaktari kryesor pse neve asnjihere nuk arritem të bahemi shtet i mirfilltë, asnjihere nuk arritem të bahemi popull për të na respektue të tjeret sepse neve nuk respektojnë vetveten.

Kisha nji miqësi familjare me nji familje në nji katund të Lugdrinit Komuna e Klinës dhe ato herë që shkoja ta vizitoj atë familje gjatë bisedave me ta ashtu pa asnji qellim tregoja se kam miq (vëllazen) familje të besimit katolik në disa katunde të Lugdrinit dhe jo vetem njihere ish miqet më folshin keq per katoliket. Fjalët ishin të thjeshta, por ishin akuza të randa deri me epitete të tradhtisë kombëtare. Nuk flitshin me emna per asnjë njeri, por pergjithsonin gjanat dhe i futshin të gjithë në një thes. Sipas fjalve të tyre katolikët nuk paskan ba asgja per Dardaninë në kohen e okupimit, ata paskan pas ngjyros kulmet e shtëpive me kryqa të bardhë me shpresen se do shpëtojnë nese pushtuesi serb ndërmerr ndonji ofensivë shfarosëse ashtu sikur edhe ndodhi në pranveren e vitit 1999 kur fati i Zotit dhe fryti i punës së mrekullueshme të Ibrahim Rugovës dhe presioni i UÇK-së, solli aeroplanet ushtarak të NATO-s dhe neve shpetuem.

Unë disha se ato që fliteshin e që edhe tash fliten në bloga të ndryshem interneti nuk janë asgja ma shumë se propagandë per perçamje dhe nxitje të luftës vëllavrasëse në Dardani, andaj asnjihere nuk mu prish vullneti dhe respekti per vëllaznit e mi të besimit katolik, perkundrazi sa here dhe sa më shumë qëllon të   ndegjoj shpifje per ta, unë aq ma shumë i due dhe i perkrahi.

Mirpo këto ditë lexova librin " DOM ANTON KÇIRA SHËRBESTAR I ZOTIT E I ATDHEUT" të autorve Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova dhe faktet e shtrueme në librin në fjalë per veprimet patriotike e humane të Klerit Katolik gjatë luftës në Dardani ma parkujtuen tash shpirtligsinë e shpifarakve të ndryshem andaj ashtu vetvetiu u inspirova ta baj këtë shkrim ta zbardh të vertetën dhe të jap sado pak kontribut në perkrahjen e vëllaznive të mi të gjakut sepse shof se neve që nuk kryqohemi ( unë po, per veten time ), por bijem shahadet (unë kurr nuk ka ra shahadet) bukur fort kohëve të fundit po koritemi (mos të tham se po i diskriminojmë) me vëllaznit tanë të gjakut.

Do shtroj këtu disa nga ndodhitë, nga faktet dhe nga ndihmat kolosale që priftën shqiptarë të kishave katolike në Dardani kan ba per popullin shqiptarë në vitet 1998 - 1999.

Populli i Dardanisë gjithandej mban mend se Kleri Katolik gjithmonë gjatë historisë ka dhanë provimin tue nda të miren dhe të keqen me popullin dhe nese lypset edhe tuj e rrezikue jeten e vetë per ta shpëtue popullin. Vetem per periudhen e viteve 1990 - 1999 populli flet me admirim per klerin katolik. Qarkullon në popull thanja : .... a nuk e paskeni ditë. Vërtetë meshtaret na kan shpëtue nga rreziku që na kanosej per të na zhduk serbët. Nese s’do ishin meshtarët neve do ishim djegë e pjekë per së gjalli. Populli i Dardanisë mban mend shumë meshtarë dhe me respekt i permend ata dhe veprimet e tyne. Flitet shumë per meshtarin e Gllogjanit dom Kelmend Spaçi, per Marjanin, nji frat të ri nga Gjakova, dom Rrok Gjonlleshaj famullitarin e Stubllës, dom Marjan Sopi famullitari i Klinës, dom Fran Kola famullitar i Novosellës, dom Nosh Gjolaj famullitar i Prishtinës, dom Lenc Sopi famullitar i Pejës, Dr. dom Lush Gjergji famullitar i Binçës, dom Kolë Thaçin famullitar i Becit, dom Lush Sopi famullitar i Zllakuqanit, dom Marjan Dema famullitar i Budisalcit, dom Mikel Sopi etj, etj klerikë atdhetarë që panderpre i sherbyen Zotit dhe Atdheut e popullit të vet shqiptar pa dallim feje.

Dom Kelmend Spaçi kur serbët kan fillue ti ndajnë besimtaret e besimit islam në nji anë (të gjithë të ardhun nga Drenica), si refugjat per tu strehue në Gllogjan të Dielen e Pashkëve famullitari ishte shqetsue aq shumë dhe i del perpara forcave serbe dhe ju thotë: -Së pari na vrisni neve tue fillue nga unë e pastaj vrisni edhe këta. Oficeri i asht drejtue me fjalët; -edhe këta musliman janë tuejt? Po asht pergjigjun meshtari shqiptarë së bashku me murgeshat që kishte pran dhe kështu kan shpëtue refugjatet nga pushkatimi. Pikrisht nga njerzit e ligj kishte thashetheme deri në këtë kohë per Klerin Katolik, por nga kjo kohë UÇK-ja ma nuk ka besue në trillimet qellimkëqija dhe ka fillue ta respektoj Klerin Katolik.

Në Novosellë në vitin 1998 nxansit e shkollës fillore nga Firaja dhe Gllogjani i Rekës të gjithë të besimit islam janë strehue në kishen e shën Rrokut. Forcat serbe kan mbajt të rrethueme kishen dhe u kan ba presion motrave të tregojnë se ku gjenden ushtarët e UÇK-së, por ato me stoicizmin e pashoq kan qendrue dhe nuk kanë tregue edhepse e kan ditë se në fshat ka ushtarë dhe ku janë ata.

Në rrethin e Vitisë ndodhet famullia e Stubllës në të cilen me mija shqiptarë të besimit islam kan gjetë strehimin dhe kanë shpëtue nga dora vrastare serbe. Dom Rrok Gjonlleshaj dhe dom Pashko Gllasnoviq kanë lujtun rrol shumë të madh per shpëtimin e shqiptarve në këto anë.

Gjatë vizitës së ti Atdheut, Dom Anton Kçirra në vitin 1999 pasi viziton shumë famulli vjen në famullinë ku ka sherbye vetë me vite dhe në Kishen që e ka ndertue vetë në Gllogjan pritet ngrohtësishtë nga dom Kelmend Spaçi me çrast dom Antoni i shperndan ndihmat e grumbullueme nga ai në Detroit gjithsejtë  90.000 marka gjermane.

Ipeshkvi i Dardanisë i asaj kohe Shkelqësia e Tij, mons. Mark Sopi (i baftë shpirti dritë në Parajsen e Zotit) me 16 shtator të vitit 2000 së bashku me dom Anton Kçiren takojnë në Baltimor ish Ambasadorin amerikan në Bosnje z. Mekenzie me çrast shkelqësisë së Ti Mark Sopit, personalitete të ndryshme të politikës amerikane i bajnë pyetje të ndryshme, por në pyetjen e Ambasadorit Mekenzie; -Ku qendroni ju katolikët? Shkelqësia e Ti Mark Sopi pergjigjet: -Ne jemi shqiptarë të gjithë. Nuk ka pasun probleme fetare kurr në Dardani, por perkundrazi ne kemi jetue me të gjithë në paqe. Edhepse qeveria serbe ka propagandue se lufta në Dardani asht luftë religjioze, kjo nuk asht e vertëtë. Ata (serbet) kan pas në plan gjithnji per ti zhduk shqiptarët.

Me 16 dhetor 1990 në sallen e Kishës Shen Pali në Nju Xhersi u tubuen shumë besimtarë shqiptarë katolik. Dom Anton Kçira famullitar i kishes fal i pari 1000 dollar per ti dergue në Dardani. Pas ti vershojnë vëllaznit shqiptarë katolik dhe per nji orë e gjysëm grumbullohen 34.000 dollar amerikan. Në 15 ditë në vijim të vitit 1990 mblidhen edhe 64.000 dollar të tjerë.

Po në këtë periudhë në Detroit vjen dom Simon Jubani dhe në pritjen vëllaznore që i asht ba nga komuniteti shqiptar katolik aty edhe jan mbledh 80.000 dollar vetem naten e parë gjatë darkës ndersa të nesermen jan mbledh edhe 70.000 dollar të tjerë, pra gjithsejtë 150.000 dollar per ndihem kishave në Shqipni. Me këtë rast janë dhan edhe shuma të tjera per nevojat e njerëzve në Shqipni e në Dardani. Per këte qellim jan mbledh 385.337 dollar. Vlen të permendet rasti kur dom Anton Kçiren e pyet nji biznismen; -çfarë jepni ju dom Anton sonte si ndihmë per Dardaninë dhe prifti patriot i rrept si shqiponjë i pergjigjet; -unë jap pagen time mujore që asht 2000 dollar. Biznismeni nxinet ngusht dhe ai nxjerr 5000 dollar dhe i falë per Dardaninë dhe popullin e saj të robnuem.

Në Novosellë të Eperme në kishen e re dhe të madhe e moderne gjatë vitit 1999 dhe luftës në Dardani kan gjetë strehim me mija refugjat shqiptarë pa dallim feje. Aty janë strehue dhe kan marr ndihma të ndryshme edhe ushtarë të UÇK-së. Famullitari sypatrembun në Kishen e shen Rrokut dom Fran Kalaj disa here ka vu kryet në rrezik tue i ndihmue jo vetem refugjatet, nxansat e shkollave por edhe ushtarët e UÇK-së. Sidomos ata me plagë të marra në luftime i ka ndihmue dhe i ka mjekue me ato mjete e mundësi që kishte ai dhe motrat në atë Kishë. Këtë fakt e permend edhe sot e kësaj dite lideri i partisë AAK, z. Ramush Haradinaj që ishte Komandanti i zonës së Dukagjinit gjatë luftës në Dardani. Refugjatet shqiptarë janë strehue dhe janë ndihmue dhe në kishat e tjera si në Zllakuqan, në Budisalc, në Pejë etj, etj.

Qellimisht nuk po flas per ndihmat kolosale të Shoqates Bamirse Nana Tereze që me vite ishte i vetmi institucion shendetsor per shqiptaret e Dardanisë, i vetmi institucion social sepse aty njerzit merrnin ndihmat per të mbijetue tmerrin që i kishte sjell pushtuesi serb.

Mendoj se sikur vetem këto të dhana që i mora nga libri " DOM ANTON KÇIRA SHERBËSTAR I ZOTIT E I ATDHEUT " të autorve Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova të ishin të vetmet janë mjaftë, janë kolosale per ta admiurue klerin katolik shqiptarë, per ti dasht e respektue vëllaznit tanë që me mundime e sakrifica kan ruejt rranjet tona tue mbet në besimin tonë të parë.

Pra, vëllau asht vëlla gjithmonë, sepse vëlla asht vetem Ai që ta ban Nana e jo tjeterkush që vjen e të pushton, të konverton në fe dhe ta ndërron identitetin me dhunë.


-Borgenhaugen: 03.03.2013-

(Vota: 40 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: