Vangjush Saro: Shteti që nuk e kemi...
| E Diel, 03.03.2013, 10:00 AM |

Shteti që nuk e kemi...

Nëntitulli i parë: Violina e Nastradinit dhe paralajmërimi i vjedhjeve në zgjedhjet 2013

Nëntitulli i dytë: Grishje Kosovës t’i rrijë larg modelit qeverisës të Republikës së Shqipërisë

Nga Vangjush Saro

Përherë e më keq ndjehem ndërsa jam i shtrënguar të shkruaj në mënyrë kritike për vendin tim. Një nga çështjet që po bën bujë këto ditë në Shqipëri, është ajo e vrasjes së një komisari policie dhe pastaj flagranca e lidhjeve - të dokumentuara e të stampuara në fotografi - midis një individi tashmë nën hetim për atë vrasje dhe (siç thuhet) kupolës së Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Përmes përcaktorëve të Republikës së Shqipërisë përpiqemi të dallojmë këtë të fundit administrativisht nga Kosova, ku - shpresoj - ende nuk ka kaq shumë peshë e keqja.

Por le të kthehemi te individët që drejtojnë shtetin shqiptar dhe policinë shqiptare, drejtësinë, zgjedhjet…Çfarë mbetet tjetër? Në fotografi, mund të shikosh njerëz të ngrefur, me fytyra të lumtura, të anjtur nga koka dhe nga trupi, a thua rrinë gjithë ditën nëpër tavolina të shtruara…Për dreq, ka ikur edhe ajo kohë kur ne shqiptarëve çoç na dukej një drekë a një darkë disi e bollshme. (Deri vonë, dëgjoje në Tiranë që të flitej...ishim për drekë këtu dhe...hëngrëm një darkë atje…Ç’provincializëm! Jeta dhe karriera në një llokmë mishi.)

Po sikur të ishte fjala vetëm për dreka e darka apo për disa fotografi. Ç’më më thoni për Sali Berishën? Nga ta zë e nga ta lë...Erdhi në fillim të viteve ‘90 me bujë të madhe. Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë. Pastaj filluan t’i iknin të vetët një pas një. Kurse ai dhe klani i tij, i cilësonin tradhëtarë, më vonë puçistë. Ishte ai që i toleroi firmat rentiere që shkatërruan Shqipërinë dhe më pas mbollën aq shumë vdekje. Por gjithë fajin, u përpoq t’ua hidhte të tjerëve; (përpiqet ende). Edhe pasi u akuzua për Gërdecin, nuk i hyri në këmbë asnjë gjemb. Po ashtu për ngjarjen e 21 janarit. Me të gjithë Presidentët e zgjedhur pas tij, prej tij, ai nuk ka shkuar mirë; po ashtu, me Kryeprokurorët, gjithaq të tijët(!) Administrata e sotme është tejet e mbushur me militantë, njerëzit janë shumë agresivë ndaj shoqi-shoqit, kurse ai jep shembullin vetiak duke u kapur herë me njërin e herë me tjetrin, si një njeri i vockël. Shteti që ai ndërtoi, është ky që kemi sot, që s’di nga ta kapësh, ashtu si vetë doktorin autokrat. A thua, z. Arvizu, Ambasadori i SHBA-ve, ashtu kot ka përmendur këto ditë Llukashenkon e Bjellorusisë, si shembull i fitores “ligjore” të zgjedhjeve në kushtet e institucioneve të kapura...

Ç’më më thoni për për Fatmir Mediun? Ka sy e faqe e flet për zgjedhje e për ku di unë çfarë. Pa le, e ftojnë edhe në Mëngjesin e Lutjeve(!) Kështu ndodh kur askush nuk e çon Gërdecin në Strazburg dhe kur atje tek vdiqën 26 njerëz, ca të tjerë votojnë sërish për ata që iu vunë zjarrin. Ç’më më thoni për Ilir Metën? Të gjithë shqiptarët panë një video të regjistruar nga bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, ku bëheshin pazare të turpshme. Megjithatë, u desh një debat i gjatë (dhe i kotë) për ekspertizën e videos. Ekspertë amerikanë dhe britanikë e gjetën atë origjinale. Por nuk ishte i këtij mendimi...eksperti shqiptar. Dhe sidomos drejtësia...

Ç’më thoni për Edi Ramën? Mbaj mend, kur ishte Ministër i Kulturës, foli për “kthim në identitet” dhe për një zonë origjinale të Tiranës së kahershme, që nuk do të prekej. Çka po thua, more burrë! Është bërë Tirana Kandahar nga ndërtimet pa lejë. U ngrit ai biznesmeni Dine Fratari dhe e akuzoi publikisht për aq e kaq...Po a ndodhi ndonjë gjë? Asgjë nuk ndodhi, sikundër për vitin ‘97 dhe për floririn e Kërrabës, për tragjedinë e Gërdecit dhe atë të 21 janarit, etj.; sepse në Shqipëri nuk ka shtet, ka klane që pasurohen, pastaj përplasen apo hyjnë pak në ujë sa për demagogji dhe bëjnë çmos të zhdukin gjurmët. Në Shqipëri, njerëzit e politikës dhe fryma drejtuese në tërësi, qelben era komunizëm. Për fat të keq. Më thoni që flas gabim dhe i bie ndokujt në qafë: Pas 22 viteve në pluralizëm dhe ekonomi tregu, ne drejtohemi ende nga ish-Ministri i Brendshëm i PPSH-së Gramoz Ruçi apo ish-kryeredaktori i gazetës “Zëri i Popullit”, Namik Dokle, nga ish-Ministri i PPSH-së Skënder Gjinushi dhe mëkëmbësit e Ç. Rusmajlit dhe Xh. Gjonit, nga fëmijë prokurorësh e deputetësh të Komunizmit dhe nga ish-Sekretari i Organizatës-Bazë të PPSH-së dhe miku i Bllokut Sali Berisha; që të mos flasim pastaj për një sërë ambasadorë në Evropë, ish-drejtues në PPSH dhe në institucionet dhe gazetat e saj.

Më vjen ndërmend një moment i pakëndshëm nga koha kur punoja në gazetën “Alternativa SD” (1992-1994) kur PSD ishte në koalicion me PD e PR. Sapo ishte shkëputur nga PD Petrit Kalakula dhe kishte krijuar PDD (alias Partia e Djathtë Demokratike). Unë e përshëndeta me një shkrim, ku sillja në vëmendje mungesat e PD në tema të tilla, si kthimi i pronave (është  po aty), raporti me ish-të përndjekurit (është po aty), faktin që nuk kishte drejtues të ardhur nga shtresat e fisme e të përndjekura të shoqërisë shqiptare, por kryesisht ish-komunistë; (sërish është po aty). Të nesërmen e këtij shkrimi, në RD, ku unë kisha bashkëpunuar disa herë dhe kisha miq, ia behu një palo shkrim nja pesëmbëdhjetë radhë, ku çfarë nuk thuhej për rastin dhe për autorin e shkrimit...(Nuk ia vlente dhe nuk ia vlen të merresh me njerëz që bëjnë shërbëtorin e përulur dhe që lëpijnë kocka të tryezave për të cilat u fol më lart.)

“Armiqtë” dhe ata që “nxijnë realitetin” nuk kanë të mbaruar. Vështroni ç’ndodhi këto ditë. Kryeministri akuzoi gazetarin Marin Mema se...Nuk e di përse, por dikur, në kohën e socializmit, kjo quhej tamam kështu, “nxirrje e realitetit”; dhe dënohej. Gazetari iu përgjigj kryeministrit (që siç thamë, kapet me kë të mundet) duke risjellë pamje të rënda të zonave të lëna pas dore në Shqipëri: Njerëz që marrin ushqimet me lista, të tjerë që ende vuajnë për...drita, lumenj të shfytyruar, pyje të shkatërruara, shkolla skandaloze e të papërdorshme, muze që kërcënohen nga ndërtime pa lejë si edhe vjedhje e shkatërrime të pasurive kulturore, rrugë rurale si në kohën e shpellave, e të tjera këso, dhjetra fakte për të cilat nuk ndjehemi mirë. Nuk ndjehemi mirë, sepse vizioni ynë është përtej rafshit ku janë shtruar, hanë e pinë, vjedhin dhe gënjejnë...klanet që drejtojnë sot Shqipërinë.

Më në fund, këto kohë, ka filluar e flitet për “përpunimin” e zonave zgjedhore (përfitimi nga mandatet e sajuara), rikujtohet çështja e “rritjes” së popullsisë së Kukësit, thuhet se kemi tashmë një vendim të fshehtë të qeverisë për pasaportizimet...E dinë të gjithë atë anekdotën me violinën e Nastradinit, avazi i së cilës do të dëgjohej “të nesërmen”. Duhet të jesh i trashë që të mos e ndjesh paralajmërimin për vjedhje në zgjedhjet 2013. I kthehemi edhe njëherë shqetësimit të Ambasadorit të SHBA-ve…për shmangien e situatave të prekjes së rezultatit duke futur në lojë, shtigje dhe dredha ligjore të lodhshme, të cilat ai i ka përcaktuar si “torturuese për logjikën”. Sipas përcjelljes që disa gazeta i bëjnë këtij lajmi, SHBA dëshirojnë qartësisht “të shmangen situata si ajo e Bashkisë së Tiranës, ku rezultati u përmbys duke e futur në një “spirale ligjore” torturuese”. E megjithatë, nuk dihet nëse do të kemi një monitorim real dhe ndërhyrje penguese, apo prapë do të dëgjojmë fraza këso: “Zgjedhjet ishin...ato...shënuan një përparim...ishte një hap disi para...” Dhe nën zë: “Shqiptarë, hëngërshi kokat!”

Në gjithë këtë argument, shpesh hedhim sytë te panorama që na shfaq herë pas here Kosova. Nuk dimë në detaje ç’po ndodh atje; ka shumë shkrime kritike edhe për drejtuesit e shtetit më të ri në Evropë; lexojmë fraza të rënduara nga vreri, ndonjëherë shkruesit e zhveshin keq shpatën...Nuk kemi asgjë në dorë, përveçse ta grishim Kosovën dhe administratën e saj, përfshirë Policinë e Drejtësinë, pse jo edhe mediat, t’i rrijnë larg modelit qeverisës të Republikës së Shqipërisë. Me dhimbje. Madje, më vjen keq që e ceka sërish problemin e rrahur te shkrimi “Shteti-amë si shembull i keq”, por nuk gjej pamjen e duhur për të thënë vetëm gjëra pozitive. Ani. Një fjalë e urtë e popullit tim, thotë: “Ai që të shan, të do...”



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: