Frank Shkreli: OKB dhe të Drejtat e Njeriut
| E Enjte, 28.02.2013, 07:13 PM |

OKB-EJA DHE TË DREJTAT E NJERIUT - VEPRA E JO FJALË!

Nga Frank Shkreli

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB) për të Drejtat e Njeriut filloi të hënën punimet në Gjenevë duke shënuar njëherazi edhe 20-vjetorin e miratimit të Deklaratës së Vjenës që çoi në krijimin e postit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është të mbështesë përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe të ritheksojë universalitetin e këtyre të drejtave, si edhe obligimin e shteteve anëtare për zbatimin e tyre.    Këshilli përbëhet nga 18 vende anëtare dhe  angazhohet të  “Zbatojë standardet më të larta në promovimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Në këtë konferencë  që do të zgjasë katër javë, do të marrin pjesë udhëheqës shtetesh, diplomatë dhe personalitete të njohura botërore, dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe organizata jo-qeveritare  nga e gjithë bota, për të biseduar mbi çështje të ndryshme, që si bazë kanë të drejtat e njeriut - më konkretisht, respektimin ose jo të tyre anë e mbanë botës.    Në takimin e nivelit të lartë të Gjenevës, sipas burimeve të OKB-së,  përveç më shumë se 100-ministrave të jashtëm do të flasin edhe disidentë dhe persona që u kanë shpëtuar torturave dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe torturave në Rusi,  Kinë,  Iran,  Tibet,  Siri,  Korenë e Veriut dhe anë e mbanë  botës.   Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara  Ban Ki-moon, sipas njoftimeve të organizatës botërore, në një mesazh drejtuar konferencës së Gjenevës, tha se ''Ç'prej themelimit të Organizatës, vendet anëtare dhe partnerët nga shoqëria civile kanë punuar së bashku për të krijuar një numër programesh dhe marrveshjesh ndërkombëtare në mbështetje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.    Deklarata Universale i përcakton të drejtat e njeriut si,  ''gur-themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë.''

Edhe Komisionerja e Lartë e OKB-ës për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay në fjalën e saj drejtuar konferencës tha se, “është hera e parë që përfaqsues të qeverive dhe të shoqërisë civile flasin për të drejtat e grave në një konferencë kushtuar të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe jo të drejtave të grave në veçanti.   Por ajo shtoi se në këtë fushë mbetet shumë për t'u bërë pasi,  ''ashtu si edhe 20-vjetë më parë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë subjekte abuzimesh seksuale dhe fizike dhe se dhunuesit e tyre vazdojnë të jetojnë në liri'',   duke shtuar se anë e mbanë botës vazhdojnë dhunimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe se, ''premtimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit kudo, është ende një ëndërrë për shumë njerëz anë e mbanë botës'', tha Navi Pilay.

Zonja Pilay i tha mbledhjes së  Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se ndërsa mirëpret një angazhim më të madh të shoqërive civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  ajo ndërkohë  ka venë re një rritje të rasteve ku qeveritë e ndryshme përsekutojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, për arsye të natyrës së punës së tyre në mbrojtje të këtyre të drejtave.   ''Unë vazhdoj të marr raporte'', tha ajo, ''në lidhje me kërcënime, dhunime, burgosje dhe vrasje të gazetarëve, dhe mbështetsve të të drejtave të njeriut, vetëm e vetëm sepse ata kryejnë punën e tyre.'' Një gjë e tillë, kundër atyre që me të drejtë kërkojnë angazhimin e organizmave ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut, shtoi Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut - nuk duhet të tolerohet nga askush.

Punimet e Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojnë deri më 22 mars dhe pritet që të diskutohet për një numër çështjesh.   Në krye të listës siç duket është lufta në Siri, ku sipas Kombeve të Bashkuara thuhet se rreth 70-mijë veta mund të jenë vrarë, me qindra mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre,  dhe ku mbi 4 milionë banorë, në një mënyrë ose në një tjetër,  janë prekur nga dhuna dhe kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare.

Gjatë kësaj konference shumë pjesëmarrës të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe të shteteve anëtare do të shprehin,  ''shqetsimet e tyre serioze'' mbi shkeljet e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, do të bëjnë thirrje për paraqitjen e këtyre rasteve Gjykatës Ndërkomblëtare për ndëshkimin e individëve dhe të shteteve e qeverive që dhunojnë në mënyrë flagrante të drejtat themelore të qytetarëve të tyre, duke shkelur kështu edhe marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë këto të drejta dhe që ato vet  i kanë nënshkruar.

Duhet thënë se gjatë 20-vjetëve të fundit, ç'prej miratimit të Deklaratës së Vjenës, janë bërë përparime aty këtu por jo të mjaftueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Andaj lind pyetja.   A është me të vërtetë  serioz komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara se mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut është me të vërtetë një prioritet me rëndësi i politikave të tyre në arenën ndërkombëtare?   Fjalët dhe retorika  janë të mira për konsumim publik, por veprat e tyre venë në dyshim angazhimet e tyre serioze ndaj zbatimit dhe respektimit universal të këtyre të drejtave.

Dy shëmbuj ilustrues që e bëjnë edhe vërejtësin e pa-anshëm të dyshojë në sinqeritetin e këtyre deklaratave    Gjenevë nga udhëheqsit e ndryshëm të  OKB-së.    Punimet e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut i hapi kryetari i Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq.    Duke iu referuar situatës në Siri, ai tha se dëshironte të  ''shprehte shqetësimin e tij të thellë ndaj tragjedisë më të tmershme humanitare të ditëve tona''.    ''Për dy vjetë tani'',   shtoi  ish-ministri i jashtëm serb,  ''komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar këtë maskër.''

Tani, për lexuesin shqiptar nuk është e nevojshme të shpjegohet se kush është Jeremiqi dhe çfarë politike anti-shqiptare ndjekë ai dhe shteti i tij në Ballkan.  Për më tepër, Jeremiqi nuk tha në fjalimin e tij se Rusia dhe Kina, aleate të Serbisë, me të cilat ai punonte ngushtë për të penguar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj - janë aleate të ngushta edhe të diktatorit sirian dhe të cilat në të njëjtën kohë kanë bllokuar vazhdimisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe dhunës në Siri, gjë për të cilën tani  Jeremiqi  shprehet gjoja tepër i preokupuar si zyrtar  i Kombeve të Bashkuara.

Kur e merr me mend se ç'bëri Serbia mbi Kosovën dhe në ish-Jugosllavi, dhe tani ish-ministri i jashtëm i saj që ishte njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të asaj politike çfarosëse anti-shqiptare, fletë për të drejtat e njeriut, si njëri prej zyrtarëve më të lartë të OKB-së  - të pakën mua më  bën seriozisht  të dyshoj në seriozitetin   deklaratave të tij dhe në seriozitetin e OKB-së për të marrë ndonjë masë  për  të ndaluar  gjakderdhjen në Siri, apo kudo tjetër.

Një akt tjetër i turpshëm dhe absurd  i kësaj organizate, ndërsa filloi punimet në Gjenevë, ishte emërimi si nën-kryetar i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për 12 muajtë eardhëshëm,  i një përfaqsuesi të Mauretanisë.    Mauretania, sipas organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe sipas medias, ende praktikon skllavërinë.    Sipas Huffington Post, skllavëria praktikohet sistemakisht në Mauretani, ku afrikanët e pakicës me ngjyrë më të zezë, shërbejnë si skllevër për shumicën arabe.    Organizata  jo-qeveritare UN Watch me të drejtë   u shpreh e revoltuar se si është e mundur që Mauritania, një vend ky që mban në skllavëri me qindëra mijëra veta, mund    zgjidhet në detyrën e nën-kryetarit të Këshillit të OKB-së për te Drejtat e Njeriut?     Ky vendim, thotë UN Watch, përbën një mesazh të shëmtuar se, "organi kryesor i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  nuk zbaton  në praktikë ato që predikon vet'', dhe misioni i të cilit është ekzaktërisht  mbrojtja e të drejtave të njeriut.

UN Watch,  organizata jo qeveritare e të drejtave të njeriut me qëndër në Gjenevë, e cila monitoron zbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së, tha se ka ardhur koha që organi më i lartë i organizatës botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të kalojë nga retorika boshe në vepra konkrete dhe njëkohësisht, nënvijoi ajo, ''mbrojtja e të drejtave të njeriut në botë fillon në secilin vend më së pari”,  dhe shtoi se,  ''Antarësimi    Këshillin e OKB-së  për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është një pivilegj që bart përgjegjësi, dhe këto vende kanë dështuar në zbatimin e standardeve  bazë'',  të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut,  thotë organizata UN Watch.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: