Elvi Sidheri: Serbë në Libofshë?
| E Merkure, 27.02.2013, 07:05 PM |

Serbë në Libofshë?

Nga Elvi Sidheri

Epo ore popull, gjithçka kisha menduar në jetë, deri që do na binte me furi ndonjë meteor si në Rusi së fundi, por.....që do na dilnin serbë të “pazbuluar” në katundet e Fierit, këtë s’e kisha menduar kurrë!

Isha mësuar me Vorio-Epirët e shumtë, me minoritarë inekzistentë, me grupe të ndryshme “subversive” të huajsh brenda shoqërisë sonë, por edhe këtë s’ma merrte mendja!

E për të thënë të drejtën lexues të nderuar, atë ditë që dëgjova për këtë thagmë të rradhës (sepse të kalojë një ditë pa të tilla punë në Shqipëri s’i bëhet dot), nuk e kisha shumë mendjen tek televizori ku ndërkohë rridhnin shkronjat me informacionin në fjalë...

...i cili na thoshte se ambasadori bla bla bla serb-oviç, kishte marrë rrugën për Fier dhe aty se ç’na pati inauguruar një palo shoqatë serbësh!

Po ore, s’e dëgjova keq, organizatë serbësh prej vërteti, jo gjë tjetër!

Dhe menjëherë truri filloi të më çonte njëri pas tjetrit mesazhe konfuze lidhur me këtë temë...!

Të ketë serbë vallë edhe në Fier??????????

Të ketë mbetur ndonjë nga pasardhësit e Stefan Dushanit gjallë që para 700 vitesh dhe të na jetë fshehur e kamufluar aq mirë gjithë këto shekuj, si laramanët a kripto-kristianët në kohë të turkut dhe tani këta serbë të lashtë të na jenë ringjallur si ndonjë feniks sllav dhe t’a kenë ngritur zërin vëndçe mu në mes të Fierit e të Lalërisë historike në Myzeqe?

Ua, po ç’na polli kjo punë!

Këtë mister të denjë edhe për librin më të padeshifrueshëm deri në faqen e fundit, të Agata Kristit, unë në ato momente të cilat ndershmërisht i quaj të “hutuara”, nuk e zgjidhja dot!

Jo thashë, s’ka sesi të na jenë çuar nga varri i historisë pasaardhësit e Dushanit, i cili siç na thonë vetë historianët, në këto anë nuk e mbajti prapanicën e tij pushtuese më tepër se pak vite, sepse e thënë thjesht dhe troç, të tillë pasues të atij Car-i serb apo të ndonjë ekspedite tjetër pushtuese serbe, në Shqipëri nuk ka fare.

Atëherë truri m’u fut sërish në punë, pasi zakonisht deri sa të më vijë përgjigja e duhur, të më ndizet llampa pra, mendja vazhdon në të sajën të punojë pa pyetur fare për mua dhe kështu u mendova ca më thellë.

Thashë pale, ndonjë vrakaçor, pra e thënë me kulturë, ndonjë malazez i atij fshati të Shkodrës, ndoshta në kohë të partisë, ka zbritur gjer në Fier dhe aty do ketë punuar në ndonjë uzinë a fabrikë...në ara-fabrika-kantiere pra siç bënin gjithë banorët e këtij vendi atë kohë.

Tek Azotiku apo në fushat e naftës pranë Patosit a në Ballsh diku!

Në tru më erdhën menjëherë si shqiptar i mirë që jam edhe teori të rrufeshme konspirative si për shembull se ky ambasadori aktual serb në Tiranë, ka vajtur e ka këputur qafën në Fier, sepse qeveria e tij, mund të jetë kushedi e interesuar për nëntokën naftëmbajtëse të rrethit të Fierit dhe kështu që serbëve mund t’u interesonte ndonjë dorë minoritet i tyre aty pari!

Aha, i kam rënë pikës e po ashtu edhe presjes, pikëpyetjes dhe pikëpresjes-thashë!

Meqë Shqipëria është toka ku konspiracioni, agjitacioni dhe propaganda, ashtu si edhe para dhe prapamendimi, gjejnë parajsën e zhvillimit të tyre në planetin tonë, atëherë edhe këto hamendësime të miat, ndoshta do të kishin kuptim!

Lëre pastaj që Albpetroli s’u shit dot!

Tak-fak  ky rast u nuhat nga serbët e etur për naftën tonë dhe menjëherë, sa hap e mbyll sytë, ambasadori i tyre, mbiu e shkriu në Fier, duke rrëmuar për ndonjë minoritet potencial serbësh aty rrotull!

Në sytë e mi të mjegulluar nga kjo fantazi e shfrenuar me naftë e serbë minoritarë, në ato çaste nisa të parafiguroj ambasadorin në fjalë duke gërmuar vetë me lopatën e tij diplomatike (e pajisur edhe ajo me shkronjat e pamunguara CD)...tokën pjellore të Myzeqesë, në kërkim të naftës poshtë ndonjë shtëpie minoritari serb të asaj zone.

Thashë, iku kjo punë, vate për lesh nafta jonë shqiptare!

Edhe naftën na e morën shkiet o njerëz!

Mendova për fyerjen e pamatë që po u bënim jetës, veprës dhe kockave të dinosaurve shqiptarë të parahistorisë, të cilët në ato troje kishin ngordhur miliona vite më parë, për t’u transformuar më pas në naftë për brezat e ardhshëm të banorëve humanë të këtyre tokave, të shqiptarëve modernë pra!

Tiranosaurus Rex Albanensis, ndonjë mamuth shqiptar apo balenat e lashta shqiptare që akoma ishin me këmbë e s’kishin hyrë të bëheshin peshq në det, të gjitha këto krijesa gjigande parahistorike, deri tek ameba e parë njëqelizore shqiptare, ato të cilat ishin fosilizuar e transformuar në naftë për neve shqiptarët e sotshëm, tani po të na shihnin, do na këpusnin një gëlboqe (pështymë) në mes të turirit!

Sepse neve, sipas fantazisë sime të pakufijshme në ato momente...po ia shisnim naftën, mbetjet e atyre kafshëve të lashtësisë sonë shqiptare, po ia dorëzonim si pa të keq një ambasadori serb i cili në atë zonë myzeqare dukej se kishte gjetur një minoritet.

Thashë me vete, ku janë nacionalistët, flamurmbajtësit e patriotët?!

Të mblidhen këtu-këtu e të nisen për Fier që të mbrojnë naftën tonë nga kthetrat grabitqare të serbomëdhenjve!

Edhe dinosaurët dhe fosilizimin e kockave të tyre të kthyer në naftë, nuk do e lëmë të na e marrin serbët...thashë!

Jo, kjo është e patolerueshme!

Larg duart serbe nga nafta dhe kujtimi i përndritur e i lavdishëm i dinosaurve, mamuthëve e balenave tona...mendova!

Këta serbët, s’mjafton që na kanë marrë toka e na kanë vrarë njerëz, që na vjedhin e rrjepin prej 14 shekujsh gati, por t’i hyjnë tani edhe parahistorisë sonë, kjo është e tepërt, kjo nuk ka të pranuar dhe duhet ndalur me çdo mjet!

...Pastaj më kaloi momenti i frymëzimit imagjinativ dhe erdha sërish në vete.

Si nuk i dhashë kësaj çështje një shpjegim llogjik, pasi një të tillë nuk e kishte, atëherë e kalova të menduarin për të, në një kohë më të përshtatshme.

Dhe kjo kohë erdhi një ditë, kur misteri i pashpjegueshëm e gjeti zgjidhjen e tij!

Serbë në Fier nuk kishte, por në Libofshë kishte e ç’të pasur!

Në Libofshë?????

Jo e pamundur.

Po çfarë duan serbët në Libofshe, ç’i pruri aty në mes të Myzeqesë?

Tani Vraka në Shkodër dhe Libofsha janë dhe ca si larg mesa di unë, s’është dhe ndonjë rrugë e shkurtër mes dy fshatrave që të mundësonte një lidhje të tillë?!

Pastaj serbishtfolës, ata pak që kanë qenë, ka pasur rreth Shkodrës ca kokrra dhe kaq, se edhe serbët e malazezët në kufi me ato zona janë, çfarë t’i shpinte serbët deri në Libofshë?

Direkt në mendje më erdhën dy miq të mitë, të cilët janë të vetmit njerëz që njoh dhe që kanë ndonjë lidhje më këtë fshatin që po flasim.

Njërit prej tyre, dikur i kishte dalë një problem i vogël me gjendjen civile, pasi siç i kishim deri para ca kohe regjistrat neve në Shqipëri prej letre, atij shpesh ia ngatërronin gabimisht vendlindjen e tij me Libofshën, për shkak se emrat ngjanin.

Kështu ai në pasaportë kishte lindur në qytetin e tij, kurse në çertifikatë lindje, ishte nga Libofsha.

Zura të mendoja...”ke shpëtuar mirë vëlla, se do kishe dalë serb tani, shkie e keqe do na ishe bërë”!

Ka bërë mirë tjetri që “atdhetarisht” ka hequr dorë nga të qënurit i lindur, qoftë edhe gabimisht në një tokë të ndotur nga prezenca e shkieve si kjo Libofsha!

Apo ndoshta, po t’a kishte mbajtur vendlindjen si nga ai fshat, ky shoku im sot do ishte antarësuar në shoqatën bla bla bla serbomane të asaj zone, do kishte mësuar një dorë të mirë serbisht në shkollën private serbe të hapur tek shtëpia e një pseudo-serbi të atyshëm dhe padyshim që ky shoku im do kishte marrë dhe një shuk lekësh a eurosh në dorë direkt nga ambasada serbe për këtë gjest të madh patriotik të tijin.

Por po ashtu m’u kujtua dhe një shok tjetër i imi nga fshatrat mes Fierit dhe Lushnjes, aty diku ku në mos gabohem bie edhe Libofsha.

Thashë t’a pyes njëherë se mos është largësisht serb edhe ai se ku i dihet!

Pastaj më ra menjëherë në mendje se ky shoku im myzeqar është shqiptar së pari dhe me fe është ortodoks, ndaj dhe serb nuk ka sesi të jetë!

Ndokush do habitej me këtë pohim, se e di që edhe serbët janë të fesë pravosllave, por ja që këta serbët e pretenduar të Libofshës na qenkan myslimanë për nga përkatësie fetare se!

Pra ky shoku tjetër i imi, serb nuk është.

Atëherë në këtë pikë thashë t’i jap drejtim kësaj pune dhe fët e fët i gjeta ca informacione të nevojshme e mora vesh pa u lodhur së tepërmi se serbët e sipërpërmendur të Libofshës, na paskan ardhur në Shqipëri andej nga viti 1924 dhe që ata na paskan qenë nga Sanxhaku e që janë të fesë myslimane.

Tani ka ca mospërputhje në këtë mes...

Me çfarë di unë, serbë jo pravosllavë nuk ka!

Pra nuk ekzistojnë as serbët myslimanë e as ata katolikë!

Brenda në Serbi, ka myslimanë serbishtfolës, por ata quhen thjesht myslimanë ose boshnjakë.

Në këtë rast, po këta të Libofshës çfarë të jenë vallë?

Si ka ndodhur që të parët serbë të fesë jo-pravosllave të gjenden pikërisht në Shqipërinë tonë?

Të jetë ajri tolerant dhe harmonik fetarisht shqiptar, ai që ka bërë që edhe këta serbë të humbur, të jenë ndjerë aq harmonikë sa të mbeten serbë edhe duke qenë myslimanë e jo-pravosllavë si serbët e tjerë në mëmëdheun e tyre?

Po të jetë ky shpjegimi, do të thotë që ne shqiptarët kemi bërë një tjetër mrekulli tolerance dhe harmoninë tonë fetare kështu e kemi kaluar edhe tek serbët e mbyllur  dhe tejet hermetikë nga ky këndvështrim.

Ec aty, po hapim modë ne shqiptarët duket!

Jashtë këtij këndvështrimi praktikisht të pamundur, në mendje nisën të më burojnë ide të tjera kësaj rradhe aspak të favorshme lidhur me këta serbë dhe prezencën e tyre në vendin tim.

Kjo jo ngaqë jam racist, por ngaqë jam realist dhe kur punët bien erë kërrmë, të tilla janë me të vërtetë!

Kjo puna e serbëve të Libofshës e tillë është prandaj!

Të ndodhte atë ditë që të kisha parë ambasadorin serb në Vrakë a Shkodër, s’do isha ndjerë i habitur aspak, kjo është normale, pasi edhe për ata 5 serbishtfolës të asaj zone që kanë mbetur në Shqipëri, unë nuk kam as më të voglën antipati.

Në të kundërt, Vasil Shanton e respektoj si figurë të luftës për çlirim nga pushtuesit fashistë (e siç thonë burimet konfidenciale, ai si dhe Qemal Stafa u shitën nga vetë Enveri për arsye të ndryshme dhe më pas ranë në kurthe ku edhe dhanë jetën).

Po aq respektoj edhe Vojo Kushin dhe gjestin e tij heroik gjatë luftës.

Mesa di nga ai komunitet ka pasur edhe ndonjë futbollist të nderuar e personalitete të tjera të njohura.

Po ata e di që janë serbishtfolës prej vërteti sidoqoftë.

Këta të Libofshës më vijnë erë stisje të largët serbe.

Një stisje që del të ketë filluar që para 89 vitesh!

E nuk janë pak ëëëëë!

Janë shumë vite.

Vite gjatë të cilëve ata kanë ardhur e kanë bujtur si burra të mirë në Shqipëri, janë shumuar e kanë punuar e jetuar.

Ata shteti  shqiptar që nga koha e Zogut, pa përjashtuar çdo sistem e regjim, i ka mirëpritur, s’i ka keqtrajtuar e u ka dhënë tokë, punë e bukë!

Po, sepse ata kanë ndërtuar shtëpitë mbi tokën e shqiptarëve e kanë mbjellë një tokë po aq shqiptare nga e cila kanë marrë frytet gjithashtu shqiptare e me to kanë mbushur barkun për kaq vite, për 9 dhjetëvjeçarë me rradhë.

Pra prej gati një shekulli ata kanë ngrënë bukën e shqiptarëve në shtetin amë të shqiptarëve, në SHQIPËRI!

Tani mirë që kur erdhën para 89 viteve s’e shqepën gojën të thonë se janë serbë, mirë që jetuan si shqiptarë-mes shqiptarëve për kaq kohë, por si bëhet që tani të na dalin se janë serbë?

Dhe të vetmit serbë me fe myslimane në gjithë rajonin ndërkohë!

Sepse veç boshnjakëve, goranëve, torbeshëve filo-shqiptarë (se po kthehen tani), filo-maqedonas apo filo-bullgarë, unë të tjerë myslimanë sllavishtfolës nuk njoh e s’di të ketë!

E ja ku na dalin këta serbët e Libofshës, që janë edhe serbë edhe myslimanë!

Në këtë pikë, bëj autokritikë të ndershme dhe ndjej nevojën të rivlerësoj edhe boshnjakët e rrethinave të Shijakut!

Ata edhe kur i pyetën, boshnjakë thanë se janë të paktën, jo serbë!

Dhe njëkohësisht, megjithë rolin e ndonjë prej tyre në kohën e Haxhi Qamilit, përgjithësisht ata i janë mirënjëhës shijakasve dhe Shqipërisë që i mbajti me aq përkujdesje sikur të mos ishin në tokë të huaj.

Kurse këta “serbët e humbur” të Libofshës, u fshehën tërë këto vite dhe tani na mbijnë si farë e huaj, në mes të fushave pjellore shqiptare të Myzeqesë tonë!

Pa lëre pastaj që nëpër dokumentarë të realizuar “me lot e me qurre” siç i themi neve në gjuhë popullore...nga gazetarët e reporterët serbë, këta na shfaqen si tejet të ethshëm për identitetin e tyre serb, na këndojnë atë himnin serb, mësojnë shkronjat e bukura serbe dhe plasin nga malli për atdheun.

Kur i preu kaq shumë malli për Serbinë, pse dreqin erdhën në Shqipëri atëherë?

Pse e mbyllën shpellën (gojën) për 89 vite dhe s’thanë që ishin serbë, por e gjetën vetëm tani që të thërrasin ambasadorin serb që t’u shkojë aty e t’u krijojë edhe një shoqatë është që është?

Se me ç’di unë, në Fier ka shumë shqiptarë me origjinë nga dy rajone shqiptare, pra nga Kosova dhe Çamëria, të cilët për arsye të shtypjes në periudha të ndryshme janë mbledhur deri në Fier dhe rrethinat e tij.

Por serbë ata s’janë dhe këtë e dimë.

Kurse këta që po flasim, serbë thonë të jenë dhe këtë e gërthasin sa u ha rryli i fytit të tyre serb!

Unë si ide, s’dua t’ia di fare për çfarë pretendojnë ata, se janë serbë, havaianë megjithë ukulelen në dorë (tip kitare Hawaii) apo beduinë shkretëtire!

Ajo që ka rëndësi për mua, është që kjo puna me ta bie erë të keqe dhe këtu s’e kam fjalën për erën e padurueshmë të gazit e naftës nëntokësore që rëndom vjen përreth Fierit.

Aq më keq do ishte, po qe se këta serbët myzeqarë, të kenë ardhur para 89 vitesh në Shqipëri si shqiptarë të vuajtur të përzënë me dhunë nga serbët!

E që pas kaq vitesh papritur na i thonë vetes serbë!

Po edhe sikur të kenë ardhur si boshnjakë apo myslimanë sanxhakas, ata dikur (në mos i paçin nisur apostafat për të na i lënë si “dhuratë” apo ishull serb në shtetin tonë)...besoj se janë larguar nga vendi i tyre për Shqipëri, sepse dikush do i ketë detyruar të lenë vatrat e tyre amtare.

Pra ne i mirëpresim e ata na bëhen pas kaq vitesh minoritet, për më shumë minoritet serb?!

Kjo është totalisht e papranueshme.

Më vjen mirë që censusi që u zhvillua parvjet, i cili për nga disa aspekte la shumë për të dëshiruar, nga kjo anë sidoqoftë nuk kishte asnjë të çarë dhe këta serbomanë sanxhakas të harruar, të cilët tani i kanë shtuar me iniciativë dhe vetëveprim edhe nga një “viç” mbiemrave të tyre, këta pra as i mori në konsiderim si minoritet.

Sepse në census nuk gjen asnjë shifër konsistente serbësh apo qoftë dhe malazezësh, se edhe ata të Vrakës kanë vite që janë larguar me dëshirën e tyre për Mal të Zi.

Censusi nga kjo anë shkëlqeu, e pranoj.

Pasi fundja edhe shumë miliarda euro pensionesh helene për mbi 20 vite (një nga arsyet pse ka falimentuar Greqia sot, sepse ka hedhur kështu eurot në plehëra)...nuk çuan më larg se 0.87% minoritarë grekë në vendin tonë.

Dhe as të tërë këta nuk flisnin greqishten si gjuhë të parë, por shqipen!

Pra gjithë 18’000 pensionet e minoritarëve e shumë investime të tjera debile helene, në këtë rezultat komik për masën e sforcos gjigande greke, përfunduan.

Prandaj grekët tani prishën ligjin e para 3 viteve për pasaportat dhe minimizuan në kulm pensionet e minoritarëve, se po u bien brekët e tyre dhe s’merren dot me mbathjet e ndonjë minoritari tek ne.

Kjo puna e serbëve të Libofshës, më bën më shumë për të qeshur, se kjo gjë askund nuk i çon ata vetë si dhe shtetin e pjerdhur serb, që kapet pas qimeve të prapanicës së atyre serbishtfolësve të rrethinave të Fierit, në mënyrë që të nxjerri ndonjë minoritar tek ne.

S’e kam aty punën fare.

Por sigurisht që s’më pëlqen aspak kjo gjueti ambasadoriale serbe, në kërkim të gjurmëve të humbura të gjakut serb në Shqipëri!

Të vihej ambasadori ynë në kërkim të rrënjëve shqiptare nëpër Serbi, nuk besoj se autoritetet e atij vendi, do qëndronin kaq të qeta.

Bëhet fjalë për një flluskë sapuni e serbët shpesh kanë treguar se me kënaqësi e hanë sapunin për djathë, ndaj t’i lemë serbët e Libofshës dhe të afërmit e tyre në Beograd a qoftë në ambasadën serbe në Tiranë, që të ushqehen mirë me sapun, sa t’u bëhet një lavazh i mirë goje dhe të paktën të mësojnë sesi flitet kur na përmendin!

Me kaq mbaroi Dosja X për sot...ky mister tashmë i zgjidhur i serbëve të panjohur myzeqarë!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: