Ramiz Selimi: Prezantim modern i shtetit të Kosovës
| E Diel, 24.02.2013, 01:00 PM |

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë festoi pavarësinë e pestë

Prezantim modern i shtetit të Kosovës

Nga Ramiz Selimi

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë z. Dr. Sabri Kiqmari dhe zonja Afërdita Kiqmari organizuan një pritje me koktej dhe koncert të muzikës klasike, për nder të pesë vjetorit të pavarësisë.

Gjithçka ishte përgatitur bukur për një kremte, vërtetë shembullore, vërehej edhe nga jashtë, mu para pallatit “Palais Auersberg”, krahas flamurit Austriak me shije krenarie e në mënyrë ngadhënjimtare valonte edhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Z. Dr. Sabri Kiqmari me zonjën e tij, jo-rastësisht kishin zgjedhur për kremtimin e përvjetorit të

pavarësisë pallatin e pritjeve “Palais Auersberg”, në qendër të qytetit të Vjenës. Ai me bashkëshorten e tij qëndronte me dorë në zemër dhe me buzëqeshjen e tij miqësore tek dera e hyrjes e këtij salloni mikpritës. Ashtu siç ishte paralajmëruar, solemniteti filloi, kur ambasadori Kiqmari, cakërroi gotat me mysafirët e ardhur për këtë ditë feste.

Ambasadorë nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës dhe një numër i madh i diplomatëve të huaj, që janë me veprim në Austri, si dhe me praninë e bashkë-hartuesit të planit Ahtisari z. Albert Rohan, si dhe veprimtarë të ndryshëm nga Kosova e diaspora dhe afarist të ndryshëm, morën pjesë në festimin dhe koncertin solemn të organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë.

Pas intonimit të dy himneve, Ambasadori z.Kiqmari, para të pranishmëve mbajti një fjalim përshëndetës në gjuhën gjermane, ku i falënderoi të gjithë për këtë prezencë dhe më pastaj u ndal së veçuari, për kontributin e madh që e kanë dhënë në krijimin e këtij shteti miqtë austriak dhe diaspora shqiptare. Me krenari tregoi për të arriturat tona në fusha të ndryshme, por edhe në arenën ndrekombëtare, duke përmendur mendimin e GJND-s, e deri të bisedimet e fundit me fqinjin verior. Ambasadori Kiqmari ndër të tjera falënderoi edhe të gjithë ata që kontribuuan edhe me dërgimin e ndihmave të ndryshme humanitare dhe formave të tjera në forcimin e shtetit tonë.

Brenda gjithçka ishte përgatitur në mënyrën më të bukur, për një kremte shumë të këndshme, për një kremte shumë dinjitoze, shumë të madhërishme.

Në kthinat e shumta të atij pallati, shqiptarët dhe mysafirët tjerë llafosnin e kënaqeshin. Në të gjitha kthinat, në mes, ishin tavolinat e mbushura me mysafirët, por edhe kamerierët, pa përtesë, shpesh i frekuentonin mysafirët, me pije dhe me ushqime karakteristike. Gjithçka ishte më shumë se bukur dhe madhështore.

Ambasadori tashmë e ka bërë traditë, që t’i ftojë të gjithë veprimtarët e çështjes sonë kombëtare, studentët, artistët, profesorët, shkrimtarët, gazetarët. Normalisht që kishte edhe shumë liderë të institucioneve dhe të politikës Austriake, por nuk munguan as delegacionet e korit diplomatik të akredituar në Vjenë, nga shumë shtete të botës, miq të shqiptarëve dhe të Kosovës. Prezent ishin edhe ambasadorët e shteteve më te fuqishme të akredituara në Vjenë si ai nga SHBA, Britania, Gjermania, Franca, Japonia etj.

Mbarë stafi i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, me gjithë familjarët e tyre u kujdesën me përkushtim, që gjithçka të jetë bukur. Për xhirimin dhe fotografimin e çasteve më të bukura të kremtes, ambasadori kishte angazhuar profesionist të fotografisë.

Me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, nga ambasada u organizua koncerti i muzikës klasike, me tenorin e njohur Prof. Agim Hushi dhe pianisten e njohur Ardita Statovci. Mysafirët e shumtë dhe miqtë e korit diplomatik mbeten mjaft të kënaqur me tingujt e pianistes dhe zërin e bukur të tenorit, duke shijuar festën tonë sikur të tyren. Në fund të koncertit ambasada shtroj edhe një koktej rasti për mysafirët.

Si përfundim mund të them se kjo kremte madhështore, në zemër të Vjenës ishte një prezantim i bukur, një prezantim modern mu si të gjitha shtetet tjera perëndimore.



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: