Blerim Rrecaj: Mes dy zjarreve
| E Diel, 24.02.2013, 05:58 PM |

Mes dy zjarreve

Nga Blerim Rrecaj

Njëra nga lojërat fëmijërore që luanim ishte edhe ajo që e quanim “Në mes të dy zjarreve”. Në këtë lojë dy lojtarët që ishin nga njëri tjetri në një largësi të caktuar e gjuanin me top lojtarin që ndodhej mes tyre dhe vraponte e ikte sa në njërën anë sa në tjetrën për t’iu shmangur goditjes me top që e nxjerrte prej loje, e lojtari që ndodhej mes dy zjarreve ndërkohë përpiqej edhe të kapte topin pa rënë në tokë dhe çdo top i kapur atij ia shtonte edhe një “jetë”  tjetër. Ende mund të hasësh ndonjë lojë “Kaladibrançe” e që fatkeqësisht në të ende dëgjojmë  ndonjërën prej fjalëve serbe që përmendet duke kërcyer mbi shpinën e atij mbi të cilin kapërejnë. Por ndoku ndoku në këtë lojë mbase përdoren shprehjet vetëm shqip siç edhe i përdornim dikur pasi na tërhiqte vëmendjen ndokush si p.sh derisa kalonim duke vënë duart mbi shpinën e tjetrit thonim: “Kështu gatuhet buka”. Po lojërat fëmijërore si lojërat fëmijërore. Ato të dikurshmet dhe këto të tashmet. Na kujtojnë mjaft gjëra  e edhe fjalët e atyre që ankohen se si loja “Kërr” është shndërruar në “Counter”. Në një postim në facebook dikush ka postuar këtë karikaturë ku fëmija i drejtohet babait: “Babi unë përdor Ipad, MP3, Notebook, Smartphone. Po ju në shkollë çfarë përdornit?” E babai që mban kokën të “zhytur” në gazetë përgjigjet: “Kokën!”  Dhe vërtet koka duhet të jetë ajo që do të ishte mirë ta komandonte njeriun për të gjetur një lloj mesi të artë për të përdorur gjithçka me masë mund të themi derisa dalim prej ndonjë internet-kafeje ku shumë fëmijë e të rinj adoloshentë me vëmendje por të lodhur e me një lloj agresiviteti luajnë, “vrasin, prejnë e grijnë”  kundërshtarët virtual. Fjala nxorri fjalën por unë desha e do të dal për jetën tonë në përgjithësi , e në të ndodhemi mbase më së paku mes të dy zjarreve. Dhe vazhdojnë të vargisen e të dëgjojmë deklaratë pas deklarate, të ndryshuar a të sofistikuar, akuzë pas akuze, të vjetër e të re, e kërcënim pas kërcënimi me padi në gjykatë për çështje hajnie dhe një morie emrash për të si korrupcion, zhvatje, plagjiaturë  nëpër këtë fushë e atë livadh, në detr a në mal dhe thua se më jemi mësuar me të tilla aventura. Dhe rroftë interneti thotë dikush pasi që diku nëpër të po mundet të shfaq ndonjë mendim a pikëpamje të tij. Nëpër të kemi parë e po shohim skema klanesh si p.sh të strukturave të krimit serb në Mitrovicë, tash së fundmi edhe skema klanesh të ndikimit politik e ekonomik në e përtej Kosovës me figura publike shqiptare. E bredhëritja nëpër internet të sjell shkrimin e Isa Mulajt me titull: “Versioni elektronik i letrës së ambasadores së SHBA-së rreth paraburgosjeve, burgosjeve dhe torturave të USAID-it” ose ndonjë gjë tjetër  për Konferencën e Londrës 1913 si: Unioni gjithëshqiptar "Vëllazërimi ynë"  me titull: “Letër e hapur Kryeministrit të Britanisë së Madhe z. David Cameron! “. E çfarë të bësh shiko e lexo, (mos) like-os e (mos) komento. Vërtit mendjen e diç mëso.Shih se ende  ka probleme drejtshkrimore nëpër  tabela udhëzuese nëpër rrugë.Për të përmendur edhe një reportazh të gazettes spanjolle “El Mundo”  siç transmetojnë mediet në të cilin pos tjerash thuhet: “Të jetosh në rrugë me baltë por me emra plot ngjyra si “Silvio Berluskoni”, “Nikolas Sarkozi” ose “Moxart” dhe të punosh në “Manhattan”, “Coca Cola”, “Paris”, “Meksikë” ose “Dubai”, është një privilegj që e kanë vetëm njërëzit e varfër të qytetit të Kamzës në Shqipëri”. Plus kësaj s’ke se si të mos kujtohesh pak për ekstremizmin medial si për zi e si për bardh. Diku u tha se Norvegjisë ia kalojmë për rrugët. Për të mos e zgjatur për asfaltin në Drenicë a tabelat me e pa mbishkrime shqip e me shkronja me madhësi më të vogël të shqiptarëve të Maqedonisë të bie në mend edhe poezia e Faslli Halitit që titullohet Tabelat:  “Njerëz:/Ruani pemët dhe lulet!/Njerëz:/Ruani njerëzit nga njerëzit!”  Dhe pos tjerash merrja jo një kënge po një ecjeje të ngadaltë duke folur e u përshëndetur me dikë që ndeshesh rrugës , vështro trungun e zhveshur të një pishe që e paskan krasitur të tërën dhe nga qielli i hirtë si në të bardhë përjeto ca pika të lehta shiu pos tjerash edhe mbi këpucët. Dhe vështro zogj në kërkim të trohave qoftë edhe nëpër qese mbeturinash.  Dhe shih shumë pamje drejtpërdrejt që i ke parë me dhjetëra e qindra herë, e ç’të thuash tjetër pos se ende vazhdon gjahu nëpër kontenjerë. Mendo dhe për ata që në Kosovë nga jashtë janë kthyer  me ëndrra e shpresa për të kontribuar e jetuar  në vend të vet dhe shumë prej tyre që pasi letrat po i kanë Kosovën e përsëri po e lënë. Dikush dikujt i shkruan në facebook: “Me me ndëgju mua njëherë nuk kthehesh, se llugë asht kah shkon e zhgënjehesh”. Dhe dëgjo ato që thuhen e për të cilat flitet e përflitet  me të madhe  se ekziston rreziku i vazhdueshëm për  shpërthimin e trazirave politike e trazirave sociale… Derisa e ndjejmë se gjendemi diku mes ankthit e mllefosmërisë pyesim: A e di kush se çka po e çka do bëhet? Për të na kujtuar shkrimi i Petro Markos : “Nga t’ia mbajmë” ose atë që ka vendosur sociologu Fadil Maloku në statusin e tij në fb: “Çka duhet bërë”.  Për që po vazhdon të jetë kohë e përçudnive të mëdha  dihet…Ndryshimi e përmirësimi nuk vijnë vetë e pa i dashur…Thashë diç veç sa për të thënë diçka dhe nëpër mend më vërtiten edhe të tjera gjëra, si tregimi  shkrimtarit kinez  Lu Sin : “Keqardhje për të shkuarën”  ose  novella e Balzakut:  “Mesha e ateistit”...

Ditë të vakëta të këtij dimri vazhdojnë, nata mbrëmë ishte e ftohtë e me yje e një oxhak aq fort tymonte sa kishe përshypjen se nga tymi që dilte nga ai do të formohej një mjegull e dendur…



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: