Kalosh Çeliku: E nesërmja në duart e shqiptarëve
| E Enjte, 14.02.2013, 10:33 PM |

E NESËRMJA ËSHTË NË DUART E POPULLIT SHQIPTAR

NGA KALOSH ÇELIKU

Në disa shkrime të publikuara në mjetet e informacionit kam thënë: Dielli që më rrinte mbi kokë si një saç i skuqur, përderisa unë kisha bërë një sy gjumë pas dere, ishte ngritur lart mbi male. Ku ta dish, ndoshta edhe sa herë e kishte zgjatur dorën të më zgjojë nga gjumi. Po ç’e do, kur unë shihja ëndërr në mes të ditës. I kisha hipur Gjokut pullali dhe fluturoja mes reve nëpër qiell. E shaloja atin, po ende nuk e kisha flug gurin pas shtatë maleve. E ç’është më me rëndësi, e dija se nuk jam Gjergj Elez Ali, që në trup t’i marrë nëntë plagë, e të dhjetën ta kërkoj nëpër Qytetin e qyqeve. Edhe pse, gji nën Rrap më jepnin për luftë Tri Zana. Njëra më printe përpara e Dy të tjerat më mbanin për krahu. Ja, mu pse isha shtrirë pas dere, nuk kisha mundur të zgjohem nga gjumi.

Dhe, kur i sheh sot patriotët e vonuar kaq të flaktë për Shqipëri Etnike, të vjen të pëlcasësh jo nga barku, po nga kurrizi. Komunistët e djeshëm të Partisë Komuniste, “demokratë” të sotshëm me fjalime të zjarrta patetike e shkrime “bombastike” nëpër istikame kulturore e politike. Njëri me kravatë të kuqe mbi shkrimin patriotik, i ndezur zjarr e flakë. Tjetri, me shqiponjën e pergjysmuar dykrenare kuqezi mes flamurit me një gotë çaj rusi përpara mbi tavolinë. “Disidenti” i Doktorziut në mjetet e informacionit po si Mic Sokoli duke e rrokur topin për fyti: “Shqiptarët do t’i zhgarravisin fletëvotimet, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, pres që të ketë incidente të përgjakshme, analisti i kërkon falje popullit shqiptar, a duhet të bashkohet Kosova dhe Shqipëria (edhe IRJ e Maqedonisë, Mali Zi dhe Lugina e Preshevës v. j.)”… Përditë, shesin mend me qerre: “ideologji e deledashëve”, presione, shantazhe dhe kërcnime të partive politike. Trusakatët që deri dje u bënin “temena” liderve partiak: Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Edhe, ua fërkonin natë e ditë me dorë për poste politike, tituj shkencor në Universitet. Përçudi, shih sot kur këta i përzunë nga Partia si material shpenzues (vetëm për një përdorim) dhe i flugën në hedhurinat e kontejnerëve të berllokut, gurë e dru hedhin mbi këta “burra mejdani”. Krah për krahu fotografohen me shqiponjën e zezë dykrenare me Skënderbeun e Adem Jasharin e improvizuar para kamerave televizive edhe në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipëririsë, qafë përqafe dalin në syrret me kësula të bardha, përkrenare e shpata në brez. E ti, kur i sheh kaq të “përmalluar”, kaq të mjerë, kaq të varfër në tru, aty për aty të hidhet t’i duash këta liderë partiak. E merr guximin të thuash në këtë shkrim: Po, mirë ua bëjnë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. E sidomos ky i fundit, Menduh Thaçi që është i pamëshirshëm për sojin e këtyre “patriotëve kuqezi”, që janë shërbetorë të dëgjueshëm dhe i ndrrojnë partitë politike si kurva brenda një nate burrat. Vetëm edhe Menduh Thaçi nuk rri duarkryq, i “dogj” gjatë këtyre viteve patriotët e rrejshëm me kësula të bardha në kokë. Meritë e vetme kjo patriotike e këtij lideri politik shqiptar, që i zhveshi burrat e grave para syve të popullit lakuriq e pisa ashtu siç i ka lindur nëna pas dere një natë dimri në Katund. “Kryengritësit” e këtij soji të zemëruar me liderët e tyre partiak, të nesërmen turr me shkrime e sharje duke hedhur gurë e dru mbi liderët e tyre partiak të themelojnë parti të reja politike edhe nëpër katunde. Dudumët, që pantollonat mezi i mbajnë me duar duke u rënë rrugës.

Përmëkeq, shqiptarët edhe sot e kësaj dite janë të përçarë nëpër parti politike. Një Parti Neokomuniste gjatë njëzet vjetëve i polli pas porte me dhjetra parti të tjera kopilesha “demokratike”. Fatkeqësisht, të njëtit individë njëzet vjet me radhë bëjnë akrobacione politike duke shëtitur parti më parti si kurva burrë më burrë. Dorën në zemër, kurvës edhe i ka hije. Po, jo edhe këtyre rrospive meshkuj me pashterka të kuqe, që gjatë natës na i flukin kopilat pas dere. Ose, nga pangopësia për pasuri e pushtet, përditë themelojnë parti të reja politike duke vazhduar ta përçajnë këtë popull edhe nëpër katunde. Fatkeqësia më e madhe: Gjithë këtë e bëjnë në emër të popullit dhe për popullin shqiptar. Edhe, qeshë me energjinë pozitive të popullit shqiptar. Vite me radhë e harxhon për zgjedhjen e kryetarëve të partive politike. Deputetëve të popullit. Kryetarëve të komunave. E, në anën tjetër pavetëdije e sakatoi arsimin dhe kulturën shqiptare, themelet e një shoqërie dhe Shteti demokratik. Populli i shkretë, sot e ka humbur rrugën në mes të oborrit përpara Shtëpisë. Nuk di pas kujt të eci, cilit t’i besojë ose t’ia japë votën. Kohë shterpë kjo, kur Gomari Babatasit i pri para këtij populli historik nëpër fushëbeteja për Liri. Rrugëdalja: Pajtohet me fatin, ende t’i prinë këta hajdutë politikë duke e vjedhur me duar e këmbë popullin dhe pasuruar veten brenda një nate, një rreth të ngushtë familjar, miqsor e klanor, grupe interesi partiak nëpër kabinete qeveritare.

Qesha përsëri në Ditën e sotshme të Motit Madh (2012). Dhe, them me vete: Po, në fillim të viteve ’90 –ta, në prag të ndryshimeve demokratike, këta “burra mejdani” ishin bashkë si një trup e kokë në themelimin e PPD -së, në Tetovë. Përjashtim këtu bënte vetëm Ali Ahmeti me shokë. Në atë kohë erdhën gra e burra nga të katër anët e botës nga toka e qielli me aeroplanë special në votime. Kurrë populli shqiptar nuk ka qenë më i bashkuar se atë ditë në atë kohë historike. Edhe Sheshin e Shkupit e mbushën me kësula të bardha e flamuj kombëtar kuqezi. Vetëm, tjetër është ajo se, ky “bashkim kombëtar” nuk zgjati shumë kohë. Plasi sherri për interesa të ngushta personale, ose hyri Dreqi me brirë në mes të “patriotëve kuqezi” me poste të djeshme komuniste. Nëna Parti çdo katër vjet, gjatë zgjedhjeve të reja pillte kopila e kopilesha pas porte. E përçanë popullin shqiptar, mos Zot më keq! Njëzet vjet me radhë të njëtit “patriotë kuqezi” i ngatrrohen popullit shqiptar nëpër këmbë. I hipin për çdo katër vjet mbi shpinë gomarit të Nastradinit nëpër beteja politike: Herë i hip Nastradini e herë Nastradinica. E kanë rrëzuar me të katër këmbët të shkretin asht e lëkurë në mes të udhës. E ky popull i dalldisur me turbofolklorizëm edhe sot e kësaj dite, përçudi nuk e hedhë samarin, barrën nga shpina në mes të batakut. Bythekrye t’i hudhë trusakatët në baltë.

Edhe sot si dje, zërin e ngrejnë për Liri trusakatët, hipin në foltore, nëpër karrige na rrëfejnë grushta patriotik e “luftëra heroike” në demokraci. Herë pas here në gazetë përmes partizanëve të tyre besnik na shkruajnë “letra dashurie”, se: Si e kanë kaluar natën matanë Vardarit me rrospitë meshkuj qafë për qafe. Na shesin mend nëpër emisionet debative televizive: “Një temë një bisedë”. Vëllazërim-bashkimin e ri që do ta ndërtojnë në Qytetin e qyqeve. Himnet e para partiake që do t’i shkruaj poeti Honxhobonxho. Kolumnat “profetike” Patrioti i Vonuar, “miku” i Abazit dhe armiku i Ali Ahmetit. Librin për të cilin në “Librarinë e Çarshisë” do të çohet aq pluhur nga Kritiku Teknefes (Sanço Panço i Doktorziut), që nuk ka haber nga letërsia. Bibanin Qafërjepur se, si fryhet para kamerave televizive me një torbë taxhi për qafe si pjellë komuniste dhe “flijimet e tij artistike” se, si e ka shpëtuar “Mëmëdheun” nga Përmbytja e Madhe…

E për sa u përket liderve të rinj partiak që gjatë këtyre ndryshimeve demokratike mezi i pollën me shterëzime partitë politike shqiptare: PPD, PDSH dhe BDI, nuk dua të flas mes këtyre rreshtave, kanë qenë vite me radhë shërbetorë të tyre “besnik” për një torbë tagji nëpër institucionet e shtetit. Edhe pse më shtini ta them haptas: Ata “patriotë kuqezi” të cilët i ka djeg Menduh Thaçi, kurrën e kurrës nuk mund të bëhen liderë të sukseshëm politik shqiptar. Realiteti, me këtë dua të them, edhe këtu në këtë shkrim: Menduh Thaçit duhet t’i takojnë meritat si politikan shqiptar në pastrimin e haleve të partive politike shqiptare, e jo në avansimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Nuk do t’i përmendi emrat e “dëshmorëve të luftës” në këtë shkrim, i di populli shqiptar. Fatkeqësisht, ndonjëri nga pakujdesia ka shkuar edhe si qeni në rrush.

Njëzet vjet na kanë hipur e zbritur nga shpina si gomarit të Nastradin Hoxhës.  Herë Nstradini e herë Nastradinica. Njëzet vjet na i  kanë shitur lirë të gjitha të drejtat kombëtare te ”vëllezërit”matanë Vardarit. Njëzet vjet na i mohojnë të gjitha librat. Njëzet vjet na i helmojnë fëmijët nëpër shkolla me tekste shkollore e planprograme sakate. Njëzet vjet me radhë na e shtinë në dhomën e librave Zonjën Vdekje… Njëzet vjet… O Imzot, njëzet vjet na kanë ndjekur maleve, vetëm e vetëm t’ju bindemi urdhërave të tyre, të udhëtonim nëpër gjiriz mes hithërave pas Shtëpie. Kujt i hynte në kokë, ose së paku të na dëgjonin se, ne i kishim frikë krimbat të na ecin nëpër trup. Atyre me rëndësi ishte t’u ndizet zjarri në oxhak. Tymi politik t’ju shkojë drejtë qiellit mbi çati. E për ne, kush e çante kokën se një ditë do të na e  burgosnin edhe Lirinë brenda katër mureve. Fajin e patën vetë, do të thoshin nëpër emisione debative, ne u dolëm borxhit. E nisëm nga të katër anët e “Mëmëdheut”  me karrocë e kuaj Ismail Qemalin për në Vlorë krah për krahu me Skënderbeun e Adem Jasharin. Lodrat i bëmë copë-copë duke hequr valle në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë veshur kuqezi anembanë Atdheut. Ekranet televizive me shpata në dorë e “nagantë” në brez nga secili katund e qytet, më këmbë e kuaj me mjekra e mustaqet vesh më vesh me nga një Isamil Qemal në karrocë arritëm në Vlorë. Dhe, vërtet duhet pranuar nëse ka Zot, se na “dolën” borxhit…

Dritat u shuan në tribinë. Në sallë shpërtheu një duartrokitje frenetike. Nëpër errësirë dëgjova edhe një zë femre. Thashë, me vete: Me siguri është Hojdodolja. O Imzot, ama ia kishte marrë një kënge partizane! Flamurin kuqezi e kishte hedhur krahëve. E përdridhte zërin, më thirrte me emër e mbiemër nëpër errësirë… Skënderbeu me Adem Jasharin krah për krahu në mesin e popullit. Grupi i burrave me çifteli: Ne gjatë këtyre njëzet vjetëve kemi gabuar në politikë, por nëse tani na e jepni votën “demokratike” – shpërblimin e popullit, kurrë më nuk do ta gabojmë rrugën politike. Tjetri duke mbajtur ison me alltinë në brez: Kryetarin e Parlamentit, nëse fiton Partia jonë demokratike do ta kemi shqiptar! I treti me një parullë partizane të Partisë Komuniste: Liri ose vdekje…

Punemadhe. Them unë në këtë shkrim artistik - profetik. Shqiptar e kemi pasur një kohë në komunizëm edhe kryetarin e Shtetit të Jugosllavisë (Sinan Hasani). Edhe atë, shkrimtar të stolisur me disa çmime republikane. Poashtu, në Kosovë e Maqedoni, gjatë sistemit komunist kemi pasur poste të larta në nivele shtetërore: Kryetar Kuvendi, Kryeministër Kuvendi, Kryetar të Lidhjes socialiste, Kryetar të sindikatës, ambasadorë e akademikë vite me radhë në disa shtete, ministra të shkencës, arsimit e kulturës, deputetë të popullit. Edhe dy shtete sovrane shqiptare i kemi sot në demokraci me plot parti politike: Shqipërinë dhe Kosovën. I treti shtet shqiptar e pret radhën pas porte. Që, nëpër dyluftime heroike për poste politike duam t’i ndajmë me litar jug-veri, siç e ndante gjatë një fushate parazgjedhore Xhaxhi Kuqezi Kërçovën. Dhashtë Zoti në këto zgjedhje lokale (2013) e ka humbur litarin, përndryshe na mori më qafë. Edhe gjatë ndryshimeve “demokratike”, poste politike kemi pasur e kemi me qerre për burrat e mejdanit, po nuk kemi pasur e kemi Shtet demokratik shqiptar: Shqipëri Etnike. Ekonomi të zhvilluar shqiptare. Barabarësi të plotë kombëtare me “vëllezërit” e Njerkës në këtë shtet të “përbashkët” në mes të Ballkanit. Shkaku, se: Ende shqiptarëve nëpër damarë u qarkullon gjaku komunist i vëllavrasjes për  pushtet. Vështirë e kanë në kohën e sotshme të gdhihen qafë për qafe si demokratë, këta burra mejdani me brekët mbi pantollona.

E thashë këtë mendim dhe u ula këmbëkryq mbi një varr, rrëzë Çukës. Vetëm se tani kukullat filluan të sillen në rreth, t’i rrahin duart herë pas here shuplakë. Kjo do të thoshte se, u pëlqente muzika e rokënrolit në këtë festival ballkanik. Ja, edhe pse e këpusnin mjedisin, i rrotullonin sytë, përdridheshin para kamerave televizive. I venin në përdorim të gjitha shkathtësitë politike, që para kukullave të ishin sa më bindës, sa më të zjarrtë. Vetëm pak veta i besonin lojës së tyre patriotike, kishin frikë mos thyejnë ndonjë këmbë në valle… Kokën... Nuk i kuptonin përdridhjet e tyre “artistike”, nuk e dinin ku i shpienin këta flamurtarë, në Liri ose Robëri. Një kukulle edhe i ra të fikët kur Vajza e Dr. Madhit një lojtari iu hodh në qafë. E mori për dore pas mullarit me bar dhe e rrëzoi në kokërr të shpinës nën qiellin e hapur me yje.

Edhe, them: BDI – në, nuk mund ta rrëzojë nga pushteti ky kapacitet politik që e kanë shqiptarët në Maqedoni. Problem kemi me “vëllezërit”. Përderisa, shqiptarët vazhdojnë të votojnë edhe në të ardhmen për parti politike, e jo për individë (personalitete) të dëshmuar me punë në shoqërinë shqiptare. Shembull: Shpallja e Ramush Haredinajt qytetar nderi i Tetovës. Deklarata e Rufi Osmanit se, vjen në skenën politike për ta rrëzuar nga pushteti Ali Ahmetin. RDK –ja në këto zgjedhje të parakohshme do të fitojë 17 deputetë. Mandatin e kryetarit të Komunës së Gostivarit do ta fitoj që në rrethin e parë në këto zgjedhje lokale. Ose: Paszgjedhjet e kaluara të parakohëshme parlamentere, ku Menduh Thaçi: Sinqerisht e uroi Ali Ahmetin për “fitoren”. Njëkohësisht, duke i porositur kopilat e PDSH -së që humbën në këto zgjedhje, t’i thonë lamtumirë “politikës madhore” shqiptare. Poashtu, edhe se do të jetë në të ardhmen një opozitë e fuqishme. Porosi kjo për BDI – në, që nëse nuk bënë reforma brenda partiake, pastrojë radhët e veta nga bërlloku i mbledhur me vite para dere, as le të mos marrë guximin t’i masi forcat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Enesërmja është në duart e popullit shqiptar…



(Vota: 144 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: