Elvi Sidheri: Harku i Kostandinit, Zgërdheshi (Albanopolisi) dhe Shën Sofia... tre pelegrinazhet e munguara të shqiptarëve!
| E Enjte, 14.02.2013, 06:30 PM |

Harku i Kostandinit,  Zgërdheshi (Albanopolisi) dhe Shën Sofia... tre pelegrinazhet e munguara të shqiptarëve!

Nga Elvi Sidheri

Në Romë, për ata që kanë qenë aty ose që nuk kanë qenë asnjëherë e ndoshta do shkojnë dikur, krah Koloseut që njeh gjithë bota, ndodhet edhe një hark i madh triumfi, i cili përveçse është dukshëm më i vjetër se ai i Napoleonit në Paris, ky pra ka dhe një lidhje shumë të madhe me neve si shqiptarë.

Ku buron kjo lidhje në mes nesh, nacionalitetit tonë dhe një harku triumfal në Romë?

Qëndron në atë që ky hark është ndërtuar për nder të...dhe nga perandori Kostandin i Madh!

Mjafton ky si shpjegim për t’a bërë sadopak të qartë idenë e asaj çfarë po shtjelloj?

Kostandini, ky njeri madhështor, ky perandor romak, i cili për nga veprat e tij jetësore, është lehtësisht i krahasueshëm me Çezarin, Hadrianin apo Augustin, për shkak të rëndësisë që ai vetë si person dhe vendimet e tij patën jo vetëm për perandorinë në fjalë, por më tepër për vetë vijimin e historisë botërore deri ditët e sotme, ai pra siç e dimë (po e ditëm të gjithë gjithmonë, se ka dhe që s’e dinë, prandaj më shkoi goja prapa mua duke e theksuar këtë gjë), ishte i lindur në Naissus-Nishin e sotëm.

Nishi si dhe Shkupi ishin qytete të mëdhaja të Dardanisë së lashtë ilire dhe sadoqë nën pushtetin romak, me një popullsi ca të romanizuar në tradita e deri diku në gjuhë, ai rajon ishte padyshim një tokë ilire 100%.

Tani t’i hyj e të tregoj me data apo gjenealogji familjare origjinën e Kostandinit, dikush edhe mund të lodhet sepse jo të gjithë kemi qenë të dhënë pas historisë në shkollë, por ka rëndësi të dihet që ky njeri vinte nga një familje perandorake.

I ati quhej Kostanc Klori dhe ishte një nga perandorët romakë, që erdhën pas ilirit tjetër të madh, Dioklecianit nga Dalmacia.

Diokleciani, i zgjedhur perandor romak nga ushtria, njeri me origjinë shumë modeste, është një tjetër figurë e jashtëzakonshme për nga lartësia e vlerave që ai paraqet historikisht e për nga sjellja që ai pati si perandor, po aq sa edhe për gjestin e tij të rrallë edhe për ditët e sotme, atë të tërheqjes apo dorëheqjes nga pushteti, pa qenë i detyruar për t’a bërë një gjë të tillë nga asnjë rrethanë imponuese.

Kthehemi tek Kostandini për të mos t’a shpërndarë vëmendjen.

Kostandini thonë se është zgjedhur perandor kur bashkë me të atin ndodhej në Britani dhe mesa di unë, statuja e tij sot e kësaj dite qëndron krenare në Jork të Anglisë, aty ku ai ndodhej kur u zgjodh për të drejtuar atë perandori të pamatë.

Pas vdekjes së babait të tij, ai merr titullin perandor dhe niset nga Britania drejt Romës për t’u ndeshur me rivalët e tjerë për fronin.

Rrugës ai heq qafe Maksimianin, Masencin dhe në fund Licinin, por për t’a realizuar këtë gjë, atij do t’i nevojiten shumë mund e përpjekje.

Njihen betejat e tij të mëdhaja në Torino, Mediolanum (Milano sot) apo Verona, ku ai rrethon trupat e kundërshtarit Masenc, si dhe zgjuarsia e tij tipike ilire në fushëbetejë, kur në Verona për shembull ai ushtarët e Masencit i detyron të dalin jashtë mureve dhe aty i “sheshon” me sulmin e tij.

Kjo ndodhi pasi Masenci në atë qytet kishte lënë një gjeneral të tijin shumë të aftë, Pompeianin dhe ky i fundit trupat i mbante mbyllur pas mureve të qytetit i cili ndodhej në një gadishull dhe i rrethuar nga tre anë prej lumit Adixhe i cili i lejonte nga ana tjetër të rrethuarit të merrnin edhe furnizime nëpërmjet lundrimit në lumë.

Prandaj Kostandinit ju desh të bllokonte kalimin lumor së pari, duke e vënë totalisht nën rrethim kështu qytetin e më pas i detyroi të rrethuarit të dilinin e të luftonin në fushë të hapur.

Armiqtë e Kostandinit ishin sërish më të shumtë në numër, por strategjia e perandorit ilir ishte më efikase dhe pas luftimeve që zgjatën tërë natën, në mëngjes ai kishte fituar betejën, Pompeiani kishte lënë lëkurën aty dhe kështu rruga për në Romë ishte e lirë.

Aty e priste rivali Masenc me 100 mijë njerëz.

Beteja finale mes të dyve u bë në Urën Milvio pranë brigjeve të lumit Tevere.

Ishte viti 312 pas Krishtit.

Ky moment historik kujtohet jo vetëm për shkak të fitores së shkëlqyer të këtij iliro-romaku të madh, por edhe për shkak se nata para betejës, ndryshoi përfundimisht historinë e botës.

Atë natë e ditën e mëpasshme siç tregojnë, Kostandinit ju shfaq dielli me shenjën e Kryqit dhe fjalët:”In hoc signo vinces-Me këtë shenjë ti fiton”.

E të nesërmen ai vërtet fitoi.kjo fitore ka një prapavijë sa profetike, për shkak të lidhjes së pazgjidhshme me fenë e krishterë, aq edhe praktikë e taktike.

Trupat e Masencit dimë nga burimet historike që ishin më të shumta në numër se ato të Kostandinit.

Por morali i trupave të perandorit ilir ishte dukshëm më i lartë ndërkohë, pasi veç eventit profetik për të cilin folëm, ata vinin  nga një marshim i tërë triumfal nga Britania deri në portat e Romës.

Nga ana tjetër, që në fillim thonë se Kostandini vuri re pikën e dobët të vendosjes taktike të ushtarëve të Masencit.

E miq të dashur, për t’u kapur pak me një temë më të gjerë, ky tru gjenial në luftë e politikë, dallohet mes gjithë personazheve mitikë me origjinë iliro-shqiptare që ka njohur historia, që nga Pirro i Epirit, i cili njihet si i vetmi që mundi romakët, në Tarent ku edhe pse humbi shumicën e ushtrisë së tij, ai sërish FITOI dhe për të fshehur këtë humbje të rrallë sa dhe të turpshme, romakët më pas shpikën teorinë poshtëruese të “Fitores së Pirros” e cila gjasme nuk vlen për asgjë!

E gjejmë këtë shpirt vigan dhe mendje të mprehtë edhe tek Aleksandri  iliro-maqedonas dhe çarja e tij mespërmes Azisë deri në Indi, e gjejmë po aq edhe tek Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe mbrojtja legjendare që ai i bëri vendit të tij kundër fuqisë më të madhe e të egër të kohës, domethënë osmanëve turq.

Ku vajti e u zhduk ky shpirt i pamposhtur shqiptar që do të duhej t’a kishim trashëguar në ADN-në tonë prej këtyre njerëzve të paharruar?

Me siguri atë e kemi trashëguar ne shqiptarët e sotëm po ashtu, por ai është nënshtresuar poshtë shumë llumi e mbetjesh që na ka lënë “dhuratë” historia shpesh pak bujare me ne.

Kthehemi në temë tani.

Pika e dobët e rreshtimit taktik të ushtarëve të Masencit, ishte se ata qëndronin të gjithë përbri brigjeve të lumit Tevere, në bregun që ishte përballë Romës, në anën ku ishin edhe trupat e Kostandinit tonë.

Ky veprim taktik i Masencit e bëri Kostandinin të dali në dy përfundime të rrufeshme, të cilët më pas i dhanë atij fitoren në betejë dhe luftë.

Ai kuptoi se së pari, duke qëndruar përpara lumit, ushtarët e Masencit në rast sulmi, nuk do kishin ku të tërhiqeshin dot më, pasi prapa tyre ishin vetëm ujërat e ftohta e të rrëmbyera të Teveres.

Po ashtu konstatimi më i rëndësishëm që bëri Kostandini i shkathët, ishte se për t’i vënë në atë rreshtim “vetvrasës” ushtarët e tij, Masenci kishte qenë i detyruar nga mosbesimi që ai dukej të ndjente ndaj ushtarëve të tij.

Dhe duke i vënë me shpatulla nga lumi, ai i detyronte ata të mos kishin ku të tërhiqeshin dhe që të luftonin deri në fund, pasi s’kishin çfarë të bënin tjetër, ndryshe do mbyteshin në ujë.

Çdo udhëheqës tjetër ushtarak me mend në kokë, trupat do i kishte vënë në mbrojtje të urës dhe të bregut tjetër të lumit, ku të kishin dhe hapësirë manovre në rast nevoje, por Masenci nisej nga mosbesimi dhe një gjeneral që s’ka besimin e ushtarëve të tij, është i dënuar të humbë.

E ashtu ndodhi vërtetë.

Kostandini sulmoi me të gjitha forcat, i shtyu drejt lumit ushtarët e Masencit, të cilët u kapën nga paniku dhe nisën të hidheshin në lumë.

Beteja kaloi edhe në Urën Milvio dhe ndërkohë trupat e Masencit ngritën dhe një urë tjetër artificiale nëpër të cilën duhej të largohej lideri i tyre, perandori uzurpator.

Por në mes të kësaj arratie të çmendur dhe të paorganizuar, me ushtarët e pretorianët e tij, që binin si mizat nën goditjet e shpatave e heshtave të trupave të Kostandinit, vetë Masenci ra e u mbyt aspak fisnikërisht në lumin Tevere.

Kjo ngaqë duan të thonë historianët, vetë ai dhe shumë prej ushtarëve të kalorsisë së tij, ishin të veshur me parzmore e kokore hekuri, të cilët ua bënin të pamundur notimin në ujërat e lumit.

Kështu përfundoi ky uzupator i fronit.

Pas betejës që Kostandini me zgjuarsi e guxim, e fitoi triumfalisht, trupi i Masencit u gjet, koka e tij u pre dhe majë ndonjë heshte ajo u soll si trofe në Romë, ndërsa Kostandini dhe trupat e tij bënin xhiron e rrugëve të Citta Eterna-Qytetit të Përjetshëm.

Më pas Kostandini bëri shumë gjëra të mëdha, si për shëmbull luftoi edhe me rivalin e fundit Licinin, të cilin edhe e mundi pas shumë kohe dhe në 324-ën ai u shpall më në fund Perandor.

Kundërshtari i tij final, Licini me të cilin ndau perandorinë në paqe për ca vite, u mund përfundimisht në Krisopoli, në pjesën aziatike të Stambollit të sotëm, në Üsküdar për ata që si unë e kanë parë atë lagje buzë Bosforit.

Kostandini dhe e ëma Elena (Shën Elena, pelegrinia e parë e Tokës së Shenjtë), njihen si nga themeluesit e kanonizimit të krishtërimit siç e njohim neve dhe bota ditët e sotme.

Kisha e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, është vepër e tyre nënë e bir dhe puna për të ka nisur diku nga vitet 325-326 kur është ndërtuar dhe bazilika kostandiniane.

Sot e kësaj dite, aty ndodhet edhe selia e Patriarkatit Ortodoks të Jeruzalemit.

Fakt ky që vjen në mbështetje të rëndësisë së pamohueshme historike të Kostandinit për historinë botës dhe të krishtërimit, por edhe të rrënjëve ilire të kishës lindore ortodokse, e themeluar KRYEKËPUT sipas udhëzimeve të Kostandinit në Koncilin e Nikesë e më tej.

Vetë Kostandini është i konsideruar si i shenjtë dhe i përafërt me apostujt nga kisha ortodokse, e cila vetëm kështu mund t’a vlerësonte themeluesin e saj iliro-romak.

Dimë dhe që Kostandini zhvendosi qendrën e tij dhe të perandorisë në qytetin i cili mori emrin e tij, pra në Kostandinopojë.

Ajo që na intereson ne, është në këtë rast Harku i Kostandinit në Romë.

Këtu dua sërish të ndalem pak unë dhe t’u flas ca më tepër për këtë vepër të mrekullueshme arkitektonike që aq shumë lidhet me ne shqiptarët, por për ekzistencën e të cilës ne nuk dime thuajse asgjë.

Ky hark u vendos të ndërtohej sapo perandori ilir i Romës, hyri triumfalisht në qytet pasi shkërmoqi Masencin.

Ai hark është sipas mendimit të historianëve dhe arkeologëve, as më pak e as më tepër se një përshkrim, një “kronikë mbi gur” për të treguar jetën dhe bëmat e këtij perandori deri në ngritjen e harkut në vitin 315 pas Krishtit, për dhjetëvjetorin e pushtetit të Kostandinit.

Aty tregohen të gjitha betejat e këtij udhëheqësi dhe modernizuesi të perandorisë, rrethimet e fushatat e tij dhe po ashtu aty gjendet një veçanti unike, ajo e një ushtari romak që paraqitet i skulpturuar ndërsa po bie, pra po vdes, gjë kjo e pandodhur kurrë më parë në artin romak, që njihte dhe paraqiste veçse triumfe në monumentet e tij...e sigurisht që ky i rënë vinte nga trupat armike të Masencit.

Në hark paraqiten edhe statujat e perandorëve të mëdhenj romakë si Trajani, Hadriani e Mark Aureli të cilëve u përafrohet pamja me atë të Kostandinit tonë, si për t’u treguar romakëve atëherë e botës akoma, se ky perandor ishte pasuesi i tyre i denjë.

Aty ka të skalitura dhe pamje të princërve barbarë (dakë) të mposhtur nga Trajani e skena të tjera të shumta që çdo shqiptar do nevojitej t’i shikonte vetë me sytë e tij, për të admiruar për së gjalli këtë kryevepër të njerëzimit e cila flet me shkronja latine e pamje të gdhendura në gur, për veprën e jetën e një njeriu, një “iliri” të madh i cili i dha botës emrin dhe legjendën e tij të pavdekshme.

Aty mund të shikojmë edhe dëshminë e diplomacisë së rrallë të këtij iliri që sundoi me inteligjencë të lartësuar atë perandori të stërmadhe, kur në mbishkrimet e harkut, lexojmë sesi vullneti i tij për të qenë i kuptuar nga të tëra shtresat e shoqërisë romake, bën që ai të shprehet e lexohet sipas çdo syri e ndjesie religjioze, kur thotë ...:”Instinctu divinitas”-pra :”Me frymën e perëndisë”.

Në të vërtetë ai megjithëse së shpejti do të shpallë krishtërimin fe zyrtare, sërish lë qëllimishit vend për interpretime që zgjasin dhe sot e kësaj dite, pasi perëndinë nuk e ka të përmendur me emër qartësisht!

Ajo mund të ishte Perëndia e të krishterëve, ajo që atij iu shfaq natën para betejës në Urën Milvio dhe nëpërmjet kryqit të nesërmen në luftë, sa edhe perëndia diell, me rrënjë të forta kudo në perandori sa edhe mes ilirëve të tij, aq sa simbolin e Diellit Zot-Sol Invictus, e gjejmë tek simboli i Aleksandrit të Madh, si dhe tek mburojat e trupave të vetë Kostandinit të Madh pikërisht para asaj beteje vendimtare kundër Masencit.

Një diplomaci dhe proselitizëm fetar, që dhe në ditët tona, mes shqiptarëve, pasues të kësaj figure madhështore, vazhdojnë të jenë po aq të gjallë edhe pas 1700 vitesh.

Po ju jap të plotë tani edhe shkrimin kryesor në hark:”Për perandorin Cesar Flavius Konstandin Maksim, I ndershmi, i lumturi August.Senati dhe populli romak, i dedikuan këtë hark si simbol të triumfeve të tij, sepse ai me frymëzimin e shenjtë dhe madhështinë e shpirtit të tij, nëpërmjet një lufte të drejtë, me ushtrinë e tij, ua mori me të drejtën e tij shtetin tiranit dhe fraksioneve”.

Ka edhe shkrime të tjera si:”Liberatori Urbis dhe Fundatori Quietis”-pra “Çlirimtari i qytetit dhe Themeluesi i qetësisë”.

Ai hark për të cilin po rrekem të flas pra, ndoshta “tu i ra içik si gjat”, ai monument imponent i cili akoma sot zbukuron e i jep hijeshi qendrës së Romës, së bashku me Koloseun dhe rrënojat e tjera të atij qyteti mitik, ai është sadoqë neve nuk e dimë, një objekt i vyer ndër të tjera edhe i trashëgimisë tonë historike si shqiptarë.

Vërtetë që Kostandini ishte perandor i Romës, por po aq është e vërtetë që atëherë Iliria e tij, ishte e përfshirë në shtetin romak.

Shtet i madh e kulturuar, që botës i la rrugët, ujësjellësat, shkollën, shkrimin, traditat e mbi të gjitha ligjet tij, të Drejtën Romake pra.

Kostandini, në fronin e asaj perandorie e më pas të Bizantit që vetë e themeloi, nderoi gjakun e rracën e tij ilire, që është e njëjta rracë e i njëjti gjak i yni sot!

Krishtërimi botëror, miliarda njerëz të atij besimi, këtij iliri-romak, i detyrohet ligjërimin e kanonizmin e tij, të cilin në përqindje të madhe e ka të njëjtë edhe sot.

Kishat Katolike e Ortodokse, ende sot mbeten në skizmë, ndër të tjera, veç dogmës fetare edhe për shkak të prevalencës së figurës së Kostandinit dhe lidhjeve të tij sa me Kostandinopojën-Stambollin (ku gjendet dhe sot Patriarkana Ekumenike) aq dhe me Romën.

Perandoria që ai ngriti, Bizanti jetoi deri më 1453-shin kur turqit mongolë çanë muret e hynë aty me dhunë, pra rreth 1000 vite pas Kostandinit e qyteti i tij Stambolli akoma është një nga qytetet më të rëndësishme në botë.

S’ka nevojë të them sërish që duke qenë ky ilir-romak, ”babai” i kishës lindore dhe iniciuesi i kanonizimit të fesë së krishterë, pesha jonë si shqiptarë në krishtërim dhe tek ana ortodokse e tij veçanërisht, është tejet e ndjeshme dhe kjo gjë hedh me të pasme përtokë që në gjenezë të tëra pallavrat sa greke e po aq brendashqiptare për identifikimin si helenë apo sllavë të pjesës ortodokse të popullit shqiptar.

Kjo do të thotë, që unë në kishë njoh Perëndinë, Krishtin e dogmën e religjionit tim si shqiptar ortodoks, por di dhe që kjo kishë, jetën e saj ligjërisht e kanonikisht e ka  nisur nën drejtimin largpamës të një njeriu të gjakut tonë, një iliri me emrin Kostandin nga Nishi, perandori i Romës e Bizantit!

Prandaj o shqiptarë të çdo feje, krahine dhe ideje, po u ra rastësisht rruga nga Roma (se thonë se ngahera aty të çojnë të gjitha rrugët)...kushtojini sikur edhe pak minuta dhe ndonjë fotografi, atij harku, Harkut të Triumfit të një iliri, një shqiptari të madh të quajtur Kostandin!

Do shpenzoja, duke dashur të mos u kem lodhur akoma me “ligjërimin” tim nacional-historik, edhe ndonjë rrjesht për të folur pak për dy tempuj të tjerë të harruar nga ne shqiptarët.

Së pari për njërin prej tyre që e kemi pak kilometra nga kryeqyteti ynë Tirana dhe ca pëllëmbë më tej se Kruja kastriotase.

Bëj fjalë për rrënojat akoma të dukshme të qytetit antik të Albanopolisit, apo siç quhet tani Zgërdheshit.

Një vend që ndodhet pranë Fushë-Krujës e ku çdo shqiptar po të donte, mund të shkonte pa u lodhur fare.

Lokacioni i këtij qyteti të lashtë, është afër aeroportit të Rinasit, Tiranës dhe Krujës.

Një trekëndësh i mrekullueshëm pra, shumë lehtësisht i vizitueshëm nga kushdo.

Përreth nesh kemi plot fqinjë ziliqarë, të cilët do e falenderonin Zotin 3 herë në ditë po të kishin pasur fatin tonë e të kishin para hundës gjenezën e rracës e nacionalitetit dhe emrit të tyre ndërkombëtar.

Ne që këtë fat e kemi, as që e vëmë ujin në zjarr fare.

E kujt i bëhet vonë fundja?!

Se t’a kishim vërtetë seriozisht, aty tashmë do ishte gërmuar cep e më cep ai lokacion dhe do kishte dalë në dritë gjithçka ka mbetur ende nga Qyteti i Albanëve!

Dhe siç e dimë, neve që nga Ptolemeu në mos gabohem, bota na njeh si Albanë.

Pra emri i këtij fisi të lavdishëm ilir, na ka identifikuar këtu e dymijë e ca vite ne shqiptarët.

Albanë, që domethënë indoeuropianisht (familja e madhe gjuhësore, ku hyn dhe shqipja jonë e bukur)...”të bardhë”-apo “njerëz alpesh”, siç ne shqiptarët kemi qenë e jemi.

Jo rastësisht ky emër na ka mbetur në mijëvjeçarë pra.

Ne popujt e lashtë të Europës, ndajmë të tilla emra, kam dëgjuar që edhe skocezët e sotëm, në gjuhën kelte i thonë “Alba” vendit të tyre të lashtë plot male.

Ngjashmëria është e qartë dhe prezenca në kulturën skoceze e “Kilt-it” të ngjashëm me “Fustanellën” tonë, apo ajo e gajdes, të bëjnë të mendohesh.

Por po thoja që serbët apo sllavët e tjerë, për të kërkuar rrënjët e tyre duhet të shkojnë në fushat ukrainase apo në Rusi.

Turqit duhet t’ia mallarin (fusin vrapit) tek stepat e shkretëtirat mongole.

Kurse ne, si pak të tjerë, kemi burimin, kërthizën e vërtetë të emrit e qënies tonë, e kemi të zbuluar, të faktueshëm me të dhëna historike, e dimë ku ndodhet dhe me të s’bëjmë asgjë prej gjëje.

S’ka një agjenci që t’a promovojë e mbrojë atë vend.

Nuk ka turist, jo më të huaj, por shqiptar që t’a vizitojë.

Duket sikur kuriozët e fundit për atë qytet ilir kanë qenë Herodoti e Ptolemeu dora vetë e pas tyre kërshëria për atë vend, duket të ketë vdekur bashkë me ta.

Para se ai qytet, rrënojat e tij, të bëhen të vizitueshme për të huajt, ato DUHET të jenë tempulli i krenarisë e memories tonë historike si shqiptarë.

Dhe kjo nevojitet të ndodhi, pa ose me interesimin e shtetit.

Unë s’kam nevojë të më kujtojë shteti për ekzistencën e Albanopolisit-Zgërdheshit, se të kem mundësi shkoj aty vetë e prek me duart e mija, të njëjtat gurë apo mure ku kanë shkelur e janë mbështetur albanët, ata që na kanë falur emrin e bukur me të cilin na njeh tërë bota.

Edhe emri i dytë që ka ai qytet, Zgërdhesh pra, sipas mendimit që kam dëgjuar, do të thotë “i hapur”, nga fjala “gardh”-pra i mbyllur, e “zgardh”-pra hap.

Ai është një qytet, një lokacion arkeologjik që kemi fatin t’a kemi aty afër kryeqytetit aktual e qytetit të pamposhtur të Gjergj Kastriotit, ai sipas emrit të tij, është gjithmonë një “qytet pa gardh-Zgërdhesh” e aty çdo shqiptar mund të shkojë e të bëjë pelegrinazhin e tij personal apo familjar në atë tempull të përjetshëm të shqiptarizmës.

Në fund do flas pak edhe për kishën e Shën Sofisë në Stamboll.

Kishë e dy shenjtëve Justinian e Kostandin, këtyre dy perandorëve ilirë që ndritën botën e Bizantin.

Kishë e ndërtuar me formën që ka edhe sot, përfundimisht në vitin 562 dhe e ngritur me urdhër të perandorit Justinian i Madh nga Tauresiumi i Dardanisë.

Kishë kjo që për shekuj ishte më e madhja dhe e rëndësishmja e krishtërimit derisa u ndërtua ajo e Shën Pjetrit në Romë.

Kush ka qenë ky njeri i mrekullueshëm që ringjalli Romën e lindjes, pra Bizantin e që reformoi legjislacionin e saj dhe tentoi të bashkonte sërish perandorinë romake, që u përball me sllavët e gjermanikët barbarë dhe që ngriti nga e para qindra kështjella në Ilirinë e tij, këto besoj se i dini apo i keni dëgjuar, por mund të merremi me to herë tjetër.

Por kisha e tij, një muze sot, është akoma aty në Stamboll, në zonën e quajtur “Sulltanahmet”, afër Xhamisë Blu e Obeliskut të Teodosit, pranë Urës së Gallatës e Kapallëçarshisë.

Pra e keni në zonën më turistike të mundshme të Stambollit o e nderuar gjindje shqiptare.

Kur t’u bjerë udha nga ato anë, futuni aty brenda, paguajini ato 10 euro dhe hyni në ngrehinën hyjnore të këtij iliri të madh, në qytetin e themeluar nga iliri tjetër Kostandin.

Rastësisht ajo nuk është më një kishë, por një muze, siç kam shkruar herë tjetër, brenda gjeni ikona e citate kuranore.

Pra më shqiptare, më multifetare se kaq s’bëhet!

Sa largpamës e sa shqiptar paska qenë ky Justiniani ynë ilir!

Siç neve shqiptarët kemi 5 fe, jemi të krishterë e myslimanë, sa jemi dhe laikë e ateistë, edhe qyteti i Kostandinit është një udhëkryq mes krishtërimit e myslimanizmit, mes Europës e Azisë, me kisha e xhami, siç ne shqiptarët jemi edhe sot kaq shekuj pas këtyre perandorëve ilirë të Romës e Bizantit.

Harroni që ajo kishë ndodhet në shtetin e turqve apo që i thonë gërqisht Agia Sofia, sepse ajo është Shën Sofia e perandorit ilir Justinian, e cila ndodhet në qytetin e perandorit ilir Kostandin.

Këto janë tre pelegrinazhe të munguara shqiptare që desha të përmendja sot.

Gjithë të mirat deri herën tjetër popull!



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: