Kalosh Çeliku: Kali Trojës në Bit-Pazar
| E Shtune, 09.02.2013, 06:09 PM |

KALI TROJËS NA POLLI NË BIT - PAZAR

NGA KALOSH ÇELIKU

E di. Edhe këtë “trim mbi trima”, nuk e njihni në barkun e Kalit të Trojës nëpër Bit – Pazar. E them se, atë ditë kur unë ia ngrita Kalit të Trojës bishtin në libër, edhe ky hyri bythekrye me shokë në bark të Pelës. Kalin e Trojës, atë ditë na e lanë “vëllezërit” pas porte. DoktorZiu doli tinës natën, e tërhoqi për freri dhe na e futi Kalin e drurit me gjithë “patriotë kuqezi” brenda në Qytet. Vetë i dyti me Rrumaducin u arratisën matanë Urës Gurit të bëjnë luftë për Dylqinenë e Tobozës. Përmbrapa e morën me vete edhe një Këlysh me zgjebe. Hojdodole Katundin e lanë te pragu i derës së Shtëpisë, të përkujdeset për kopilat me biberon në gojë.

Është mirë që nuk e njihni si “patriot” melez. Dhe, fitore e madhe që nuk e keni takuar nëpër Bit – Pazar duke i përdredhur bythët. E shihni për çdo ditë në syrret në gazetën e tij të “pavarur” partiake. Edhe në shkrimet e tija patetike - teknefese. Ose, në përurimet e librave të shkrimtarëve të Oborrit duke folur jerm para të parnishmëve për “vlerat e arrira artsitike”. Përgjumshëm dalldis hëmllave dhe flet jerm për “politikë madhore”. Fatkeqësia, i shurdhon me orë të pranishmit në vend të artit me parulla të djeshme teknefese komuniste. Tjerr fjali sakate duke i hedhur në grazhd pa fije turpi si lopa bajgën në mes të lëmës, t’i përtrypim duajt e tyre me kashtë arave ne të pranishmit në sallë. Librin “bestseller”, ose siç thotë Sala i Kërçovës – “librin e shekullit” na e shtron në sofër ta gëlltisim si “kulaç me farë”, edhe pse është i gatuar me krunde e na ka mbetur në fyt përpara Këlyshit me zgjebe, që i grisi duart copë-copë nga kënaqësia në rendin e parë duke u rënë shuplakë. Rrugë malore kjo, të cilën përpiqet me këmbëngulje ta trashëgojë nesër nga “mësuesi” i tij komunist në fushën e kritikës letrare. Fabrika e të cilit me firmë komunsite pjellë prodhime bujqësore me afate të skaduara serike: shkrimtarë e doktora shkence. Tezgat e Bit – Pazarit i kemi plot me trusakatë, që presin radhën t’i ngarkojmë nëpër kamionë për eksportim në tregun e jashtëm botëror për analiza dhe studime shkencore si tru unikat mushke. Edhe njëherë përsëritem, mirë që nuk i njihni këta “patriotë kuqezi” melez me qerre, që nateditë para kamerave televizive “luftojnë” për Shqipëri Etnike. Vërtetë, duhet të jeni të lumtur dhe t’i faleminderoheni Zotit.

Dhe, çka ju duhet ta njihni Rrumaducin me shokët partizanë në luftë për liri?! I dëmshëm për familje. I dëmshëm për shoqërinë shqiptare. I dëmshëm për letërsinë. I dëmshëm për Shqipëri Etnike...

E kush është, Rrumaduci me shokë?!

Rrumaduci me shokë, është shkrimtar Oborri me çmime të rrëmbyera humanitare e letrare. Kritik letrar – trusakat. Gazetar partie. Publicist Qeverie. Analist politik. Politikan. Rrufjan. Dudum i Partisë Komuniste në atë kohë, i shëtitur nëpër redaksi komuniste, e sot maz katundi i Partisë Politike Neokomuniste, që na e polli Kali Trojës, gjatë Natës së Madhe “demokratike”, në Bit – Pazar.

Rrumaduci me shokë, sot u ndërsehet pas shpine Partive Politke Shqiptare, kur nuk i japin ndonjë torbë taxhi, post politik në Qeveri: Ministër, drejtor, zëvendës drejtor, anëtar i komisoneve arsimore e kulturore. Çmim letrar të nivelit republikan si kalemxhi me një torbë taxhi për qafe për ta përcjellur në pension me duartrokitje frenetike qeveritare. Që, edhe nesër me të katra t’u ndërsehet pas shpine manifestimeve tona kulturore shqiptare. Revistave letrare. Shkrimtarëve shqiptarë disidentë duke i denoncuar te “vëllezërit” si të “rrezikshëm” për shoqërinë e “vëllazërim-bashkimit”. Dhe, Shtetin.

E ka thënë njëherë populli. Dhe, nuk kam çka t’i shtoj unë më tepër kësaj urtësie popullore kaq të përkryer në Ditën e sotshme: Qeni i keq ta sjellë Ujkun në Shtëpi. Vetëm, “patriotëve” të Nënës Parti, ky dudum shqiptar me shokë mund t’u shes dushk për gogëla. Vërtetë, janë gjysëmanalfabetë me diploma universitare. Nuk e di, a posedojnë ndonjë diplomë të shkollës së mesme sipas meritave apo jo, se ato universitaret moti i kanë varë nëpër mure me gozhda si stoli shtëpiake. Rrumaducin e di, i ka kryer sa për bela nja tre vjet shkollë nate në gjuhën e “vëllezërve”. Diplomën universitare e mori shpërblim për “flijime artsistike” në redaksi. Përçudi, seç ma kujtoi edhe atë thënien akademike komuniste të  “vëllezërve”: “shiftarima dajmu diplomu, ne daj mu znajnje” (Shqiptarëve  jepnu diploma, por mos u jepni dije). Nuk është rritë me librat e rilindasëve tanë në Shtëpi. Kurrë nuk i ka mësuar vjershat e tyre përmendësh te Librat e këndimit nëpër shkollat shqipe. Zemra dhe shpirti me shaminë e kuqe të pionierëve përqafe i ka vajtuar si qyqe pas “Jozhekut të vogël”, “Përrallës së përgjakshme” dhe “Duhanvjelësve” të fushave pjellore në Koperativën bujqësore. Përmëtepër, ky dudum shqiptar me shokë si përpiluses i teksteve shkollore, antologjive poetike, përzgjedhjeve të autorëve shqiptar në “Letërsinë maqedonase”, anëtar i komisioneve të ndryshme në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, i ka luftuar dhe përzënë Rilindasit si të “rrezikshëm” nga planprogramet shkollore. Shkaktari kryesor ky me shokë, që ne shqiptarët edhe sot e kësaj dite merremi me flamur, shkolla shqipe, gjuhë shqipe, tekste shkollore, lektyra shkollore, revista letrare... Probleme elementare këto të arsimit dhe kulturës për një shtet dhe shoqëri demokratike, që “vëllezërit” e Njerkës moti me kohë i kanë hequr qafe e na i lanë neve nëpër këmbë. Dhe, përçudi edhe në ditën e sotshme nuk bëjnë luftë për Shtet shqiptar, po për vende pune, poste politike në Qeveri. Edhe kjo, nuk ka gjithaq rëndësi në këtë shkrim profetik për Ditën e Nesërme. Mjerim historik shqiptar.

Vërtetë, më vjen keq për këto kalemxhinj, që përpiqen dhe shterzojnë si lopa në mes të lëmës kur e pjellë viçin, t’i hedhin dy fjalë bashkë në gazetën e tyre të “pavarur” partiake. Vështirë e kam, edhe t’i fajësoj më tepër në këtë shkrim, fajin e ka “pasur” koha qorre politike. Sistemi i atëhershëm komunist, që i ka mashtruar kalorësit e arratisur duke ua hedhur nga një asht shpërblim në shkollat e “vëllezërve” me gjuhën e perspektivës, ardhmërisë. Edhe pse, si tokmakë vathe që janë këmbekrye, përpiqen me këmbëngulje t’i zbulojnë miqtë e mi të Luftës me penë. Dorën në zemër, shumë janë në fushën e mejdanit me Lapsat në dorë. Luftë me armik e për armik. Tjetër punë është ajo se, ju në çdo koment dhe shkrim kundër meje, trumbetoni se jam fillkat vetëm: Gjeneral pa ushtar.

Hi-hii-hiii... Trusakatët e mi, sa fortë që ju dua edhe në këtë shkrim kryengritës, ma kënaqët Lapsin... Pavetëdije, më detyroni t’ju ndihmoj pak, pasi keni ngulur këmbë: Tri melaqe (engjuj gra) me nga dy shtamba verë më prinë në jetë. Fatkeqësisht për ju si dudumë shqiptar, që të trija janë gra azgane. Njëra më pri para e veshur me tirqi e xhamadan si Shotë Galica, e Dy të tjerat më mbajnë për krahu.

Përsëri, e shoh nuk jeni të lumtur si “patritotë” rruge krah për hrahu me “vëllezërit” në protesta “demokratike” duke e tërhequr për freri Kalin e Trojës me flamurin kuqezi në ballë nëpër Bit - Pazar?! Patjetër, me këmbëngulje doni t’i dini miqtë e mi të penës me të cilët jetoj nën një çati dhe bëj luftë ditenetë për Liri. Tashti, më detyroni të ju them publikisht për të njëqindën herë mes këtyre rreshtave: Vërtetë, jeni trusakatë. Humbje kohe është edhe në të ardhmen të merrem me këtë bërllok shqiptar, që gjithë jetën mbeti lypës i të drejtave kombëtare, argat politik te Ura e Gurit. Rrufjanë të Partisë Neokomuniste. Kalorës të arratisur, që dje na e hoqën me dhunë flamurin kombëtar nga Komunat shqiptare duke e shkelur me këmbë, na vranë e burgosën, që sot të dalin në protesta njëpartiake duke e përdhosur rrugëve të Shkupit para syve të shqiptarëve.

Edhe, trusakatët vazhdojnë krah për krahu me Luftën për pushtet në emër të popullit shqiptar. Gjatë këtyre viteve “demokratike”, përsëri na polli Kali i Trojës në Bit – Pazar. Çarshia e Shkupit u mbush plot me mëza patriotë të palëpi. Hingëllojnë. Turren me të katra mbi Urën e Gurit, matanë Vardarit. Kokë më kokë bëjnë “politikë madhore”, fushatë parazgjedhore me “vëllezërit” për zgjedhjet e ardhshme lokale. Pazarit në mes të Çarshisë, dukshëm ia kanë ulur çmimin, na shesin shumë lirë te “vëllezërit”. E ngrejnë bishtin mbi shpinë dhe turr me të katra për ndihmë matanë Vardarit, sa herë që i ndjek pas Zekthi si lopët në livadh. Herë pas here me të dyja këmbët e prapme qesin edhe shqelma. Ditën nën Rrap, pinë çaj rusi. I luten Zotit në xhami për mëkate. E natën dalin matanë Vardarit, kokë më kokë me “idealistët” e “vëllazërim-bashkimit” për fitore. I kullosin dhentë e nënkryeme që i kanë në vathë gjatë fushatave parazgjedhore lokale e parlamentare. I lëshojnë edhe maleve te Lugu i Ymerit. Ujë u japin te Qeveria “demokratike”, rrëzë Kalasë Dardane.

Ujku si gjithmonë i pret këmbëkryq te Ura e Gurit. Qengji i vogël me një zile në qafë varë, më kot u përpoq të pi ujë te Lumi. Ujku i kishte vënë pusi. E akuzoi:

- Heeej, ti vogëlush që pi ujë në Lumë, pse ma trubullon ujin?!

- Unë, nuk ta turbulloj ujin, o burrë! Uji rrjedh teposhtë nga ti tek unë. Vetëm ti mund ta turbullosh ujin që pi ujë mbi mua, në Qeveri! E jo, unë në Katund.

- Atëherë, me siguri vitin e kaluar ma ke turbulluar ujin, gjatë zgjedhjeve parlamentare në Pyllin e Egër. E di unë këtë pabesi, më ka treguar DoktorZiu.

- Jo, o zotëri! Unë kam lindur këtë vit, mezi iu përgjigjë Qengji duke u dridhur purtekë nga frika në breg të lumit.

- Në mos ti, atëherë Babai yt ballist, i bërtiti Ujku. Edhe për këtë pabesi më ka treguar DoktorZiu. Dhe, i kërceu Qengjit në shpinë...

Përralla popullore thotë: Që, atë ditë te Lumi, Ujku dhe qengji kurrë më, nuk u bënë miq. Edhe pse, Ujku ende me këmbën me miell na troket te porta, t’ia hapim derën. Ujku e ka mik besnik, DoktorZiun, Dum Dumin, Rrumaducin, Qen Sharrin, Këlysh Llagun... Edhe, Hojdodole Katundin... Po, jo edhe Qengjin me një zile në qafë varë. Që, sipas vjershës së Rexhep Hoxhës: Me dy brinja dap e dap, do të më qes mua në trap. Po, nuk më qet se, më ka shok. Prandaj, ecim të dy tok...

Ujku e Qengji vite me radhë janë armiqë shekullor. Edhe pse, Ujku i thotë, se: E ka mik shtëpie. E do Qengjin shumë si “vëlla besnik historik” nëpër shekuj. Vit për vit e fajëson se, ia turbullon ujin nën Urën e Gurit... E gjykon te Lumi...



(Vota: 81 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: