Entela Binjaku: Të jesh grua në Shqipëri…
| E Enjte, 07.02.2013, 06:32 PM |

Të jesh grua në Shqipëri…

Nga Entela Binjaku

Papunësia dhe varfëria kanë lënë mënjanë çështje të ndjeshme për shoqërinë tonë siç janë ndër të tjera p.sh. ato të pozitës së gruas. Për hir të përkatësisë gjinore ndoshta ky duhej të ishte edhe shkrimi im i parë i këtij cikli, që ka filluar prej javësh “Të jesh qytetar i Shqipërisë”. Në fakt për të shkruar këto rradhë jam nxitur nga fjalët goditëse të shkëmbyera midis  një çifti, që arrinin tek unë me ndërprerje në një nga kafenetë e zhurmshme të Tiranës:  “Ti je i ikur gjithë ditën..kam frikë të të flas se mos zemërohesh.. më tha djali sot: Mami pse nuk i kreh flokët..dukesh e vjetër..ndërsa ti as nuk e vë re”..

Për sociologët sigurisht nuk është fakti në vetëvehte që përbën interes studimor, por se sa ky fakt përbën një shëmbull të sjelljes njerëzore. Shembujt nga jeta e gruas shqiptare janë sa të larmishëm, aktualisht edhe aq të bujshëm, dhe flasin për një pozitë  inferiore, pre e paragjykimit të gjithanshëm.  I kujt është faji?...

Aktualiteti shqiptar është i mbushur me statistika, që përshkallëzohen: nga  gratë e vrara, e deri ato të dhunuarat, nga gratë e shfrytëzuara e deri tek ato që fyhen përditë, dukuri  kjo që as nuk statistikohet.

Të jesh grua në Shqipëri do të thotë të mos të gëzosh punën që ëndërron por të  pranosh të varesh nga burri, të jesh grua në Shqiperi do të thotë të mos qeshësh kur do,  por të varesh nga humori i burrit, të jesh grua në Shqipëri do të thotë se po të jesh e re, “je tepër e re” e po të jesh më e vjetër “je tepër e vjetër”. Të jesh grua në Shqipëri do të thotë të privohesh nga një lindje, ose të eleminohesh ende pa lindur, të jesh grua në Shqipëri do të thotë se kur dhunohesh nga burrat, duhet të presësh ndihmë po nga burrat.

Pra, të jesh grua në Shqipëri do të thotë të heshtësh dhe të vetëpërmbahesh edhe kur të lëndojnë,  edhe kur të mënjanojnë apo shpërfillin.  Të jesh grua në Shqipëri do të thotë që të gjitha të drejtat e tua të shkruara të mbeten të shkruara pasi nuk janë tema humori për burrat. I kujt është faji?...

Pra, të jesh grua në Shqipëri, do të thotë të përballesh me vështirësi të natyrave të ndryshme që burojnë nga stereotipizimet kaq karakteristike për mendësinë tonë tradicionale.

“Ti nuk je njëlloj si yt vëlla”…”Epo, unë jam grua, nuk jam njëlloj me burrat”…kështu pohohej  në fillimet e shekullit XX, kështu pohohet edhe në fillimet e shekullit XXI.  Georg Simmel, (1858 / 1918) thoshte se “Burrat dhe gratë… me kalimin e kohës  kanë krijuar profile të ndryshme, por përfundimi është i njëjtë: nga njera anë kërkojnë të theksojnë individualitetin, dhe nga ana tjetër synojnë pranimin e tyre nga ana e shoqërisë”. Pra, pa kërkuar tjetërsimin e tipareve gjinore, apo sjelljeve të secilës gjini do të duhej të respektohej secila prej tyre nga njera tjetra. Ky do të ishte dhe këndvështrimi më i pranueshëm dhe i vërtetë i asaj që do të kërkohej sot.

Realisht në Shqipëri, në të dyja periudhat, ka ndryshime përsa i takon pozitës së gruas, por ende në të shumtën e herëve pohimet që i takojnë një shekulli më parë mbeten aktuale.  Safet Butka pohonte se “keqpërdorimi që i është bërë grave në të shkuarën, ua ka hequr atyre besimin dhe ua ka shuar vullnetin”, A nuk është i vlefshëm ky pohim edhe sot? I kujt është faji?...

Megjithatë të flasësh për gruan shqiptare e shekullit XXI do të thotë të kesh pranuar së paku neutralitetin e kushtetutës sonë ku në nenin 18 të saj përcaktohet se “të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit dhe se askush nuk mund të diskriminohet për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja… etj. Por shpesh harrojmë e madje harrohet edhe prej vetë grave se duhet të jenë ato që mund të ndryshojë pozitat e saj në shoqëri dhe nuk duhet të presë që shoqëria, apo burrat të kujtohen ti lëshojnë ajas vendin. Në mënyrë paradoksale bashkëkohësi i Safet Butkës, fitues i Nobelit në letërsi Anatole France, (1844 / 1924) pohonte se ”gruaja është edukuesja e madhe e burrit. Ajo i mëson atij disa virtyte të çmuara siç janë  mirësjellja dhe krenaria; disave si të jenë të pëlqyeshëm;  por të gjithëve ju mëson si të mos jenë të papëlqyeshëm”.

Në realitetin Evropian të shek XXI roli i grave, megjithë ndryshimet nga vendi në vend ka arritur nivele akoma të panjohura për kulturën tonë sociale. Sipas ”open data.al, në Bashkimin Evropian 21.2% e parlamentarëve janë gra; përqindjen më të lartë të grave parlamentare e ka Suedia me 45% të vendeve në parlament,  dhe përqindjen më të ulët e ka Greqia me 9%. Në vendin tonë aktualisht 16.4 % totalit të parlamentarëve e përbëjnë gratë, nga 30% që parashikon Platforma e Pekinit për këtë rast. Tek ne një përfshirje më e lartë e gruas do të nënkuptonte edhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj çështjeve shoqërore, duke frenuar dhunimin e gruas,  promovimin e kujdesit ndaj saj dhe fëmijëve dhe duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes dhe luftën ndaj korrupsionit.

Duke u kthyer në realitetin e shekullit XXI, në qershorin e vitit 2008, Hillary Clinton pasi mblodhi 18 milionë vota, por  sërish të pamjaftueshme për t’i përfaqësuar demokratët,  ushpreh kështu përpara mbështetësve të saj: “...çfarë progresi kemi arritur! Që sot e tutje ka për të qenë e  zakonshme që një grua mund të jetë edhe presidentja e ardhshme e USA”.  Në këtë kuptim çdo fitore e grave për arritjen e të drejtave të tyre është shprehje e sanksionimit të vlerave dhe të drejtave të saj në shoqëri. Duke u udhëhequr nga këto ide si përfundim mund të pohojmë: Fajin e kemi ne gratë, pasi nuk kemi mundur akoma të edukojmë vetvehten, fëmijët dhe burrat tanë për të respektuar më shumë, për të mirëkuptuar më shumë dhe për të dashuruar më bukur.


M.A Entela Binjaku, Sociologe - Fondacioni "Harriet Martineau”

(Vota: 35 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: