Vangjush Saro: Çka jemi në shqiptarët, komikë, tragjikë...
| E Premte, 01.02.2013, 04:59 PM |

Çka jemi në shqiptarët, komikë, tragjikë...

(Titull rezervë: Në Tiranë kanë roitur)

Nga Vangjush Saro

E ndjej të udhës të pohoj që në fillim të këtij shkrimi se këto radhë janë një opinion vetiak dhe se nuk kam dëshirë t’i imponohem askujt; por në të njëjtën kohë, askush nuk na ndalon dot sot, të shprehemi dhe të grishim për debat në çështje që dhembin. Tani më ndjeni për pyetjet e mëposhtme. Por ç’njerëz jemi ne shqiptarët? Komikë? Tragjikë? Me cipë? Pa cipë? Të flashkët? Robër ideologjish? Gjytyrymë?...Që s’rrimë dot pa diktaturë mbi kokë? Çfarë po ndodh me ne, me vendin tonë, me atë palo-shtetin tonë, me historinë dhe kulturën, me gjuhën dhe letërsinë, me ekonominë, ekologjinë dhe trashëgiminë?

Më e keqja po ndodh. Prandaj duhet thënë se jemi në skeç...Po lozim skeç. Në kryeqytet, pritet një “tërmet” tjetër kundër trashëgimisë kulturore dhe atij pak gjelbërimi që ka mbetur. Ekspertët e mjedisit dhe të trashëgimisë thonë se i ashtuquajturi Plan Rregullues i Tiranës parashikon për ndërtim edhe parkun më të madh që ka qyteti brenda tij, ai i ndërtuar tek ish-fusha e Aviacionit, po ashtu lulishten pranë Kullave Binjake, atë pranë ish-Partizanit të panjohur, etj. Gjithashtu, në plan mungon…lartësia e objekteve që do të ndërtohen; kuptohet pse. Gjelbërimin do ta bëkan majë pallateve(!) Këta që s’janë në gjendje të mbjellin një pemë e një lule, por veç beton hedhin mbi tokën e shkretë.

Ky lajm shumë i keq, vjen pasi atij që bënte fjalë për copëtimin me sqepar dhe vjedhjen si suva të veprave të Onufrit, ndërkohë që shteti i gjashtëmujorëve hesht dhe zgërdhihet. Më parë kemi bërë sehir se si e marrin një përmendore dëshmorësh (bie fjala atë të heronjve të Vigut) dhe e shpien në vendderdhjen e plehrave. E nuk ndodh asgjë. Unë e kuptoj ndryshimin në mënyrën se si përceptohen shumë episode të së shkuarës, kam shkruar për qetësim dhe kthjellim, larg urrejtjeve të pamenaxhuara. Por gjithsesi, nuk kemi pse e përdhosim një monument; tek e fundit, mund ta vendosim gjetkë apo, më e keqja, ta çojmë në derë të asaj force politike që i del për zot, sikur edhe në oborr të ndërtesës së vet ta mbajë, pasi që t’i shpjegojmë se një Këshill a Komision i caktuar, që e ka tagrin, ka venduar të mos jetë më në sheshin qendror të qytetit...E pse nuk  e kemi ne kaq etikë? (Nuk dua të bëj paralele me atë çka ndodhi në Preshevë, pikëllimin e konstatuan të gjithë; por edhe për ato monumente që turpërohen në Shqipëri, shumëkujt i dhemb.)

Sot, heshtja dhe përçmimi po shoqërojnë edhe rënimin e objekteve muzeale e ndërtesave me vlera të rralla; (kujtojmë rënimin e disa kështjellave, si ajo e Ali Pashë Tepelenës, të cilit këta “të djegurit” për patriotizëm duan t’i sjellin nga Turqia kokën; shikoni sa të prapë, horror dhe anakronikë janë). Në një reportazh të botuar te “Zemra Shqiptare”, kam folur dikur për rënimin e shtëpisë së Mihal Gramenos në Korçë, për mungesën e një shenje të Aleksandër Moisiut në Kavajë (qyteti ku aktori i madh ka lindur), dhe përgjithësisht për memecërinë në përcjelljen e trashëgimisë së gjithanshme në qytetet tona kryesore. Nuk paska derman kjo punë. (Më falni për atë fjalë, e di që s’është shqip.) Por së fundi, po vidhiset edhe shtëpia ku është mbajtur Kongresi i Lushnjës. Sipas mediave, muret janë çarë pothuajse të gjitha. Çatia është gati në të rënë. Në katin e dytë nuk mund të hipin më shumë se 5-6 persona...Vazhdon skeçi, hë?

E ndërkaq, qeveria shqiptare i gjen paratë për të shpëtuar pushtetin e korruptuar dhe tashmë larg parimeve e praktikave demokratike të Sali Berishës dhe klanit përqark tij. Me taksat e qytetarëve shqiptarë, paguhen kompani të huaja, të cilat bëjnë shërbime lobimi për autokratin e pandreqshëm në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Babiloni! Dhe nuk mjafton kaq. Në skeç, korentet janë nga më të ndryshmet. Indeksi i korrupsionit i Transparency International, për vitin 2012, tregoi se Shqipëria ishte një prej vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë. Kurse Global Financial Integrity, një grup avokat i anti-korrupsionit me seli në Washington, na tregoi se elita e korruptuar e vendit nxorri 1.3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010. Kemi dëgjuar të përgjigjet apo të japë shpjegime dikush për gjithë këto akte të rënda? As që bëhet fjalë; sepse ata që e drejtojnë Shqipërinë na e kanë marrë dorën: Ecë ecë, thonë ata, se një tufë budallenjsh kemi përpara...

Lajmet aspak të mira ndjekin njëri-tjetrin. “Reporterët pa Kufij”, në raportin e tyre për lirinë e shtypit në botë, e rendisin vendin tonë në vendin e 102-të, 6 pikë më poshtë se një vit më parë. (Por ndjehemi mirë që së paku Kosova renditet e 85-ta, duke u ngritur një pikë. Të shpresojmë, dikush të na shpëtojë emrin dhe nderin...) Dhe dëgjoni, nga programi i Maturës Shtetërore, janë hequr Shekspiri, Wollt Witmani dhe Kadareja. O Zot, të mendosh se dikur jemi përpjekur të tallemi me të ashtuquajturin Revolucion Kulturor Kinez...

Por skeçi nuk mbaron as këtu. Shikoni ç’absurd: Dalin në ekranet televizive dhe ankohen...dhomat e huaja të tregtisë, Dhoma Amerikane dhe Dhoma Gjermane, ndërkohë që dhomat shqiptare rrinë gojëkyçur, nuk e di askush, rrojnë a s’rrojnë, janë në hije e në turp, për shkak se pushteti iu ka vjedhur pavarësinë, kompetencat, i ka shkelur me këmbë; sikundër ka bërë edhe me një sërë institucione të tjera që...do të duhej të jepnin pamjen e një shteti demokratik, të ndërtuar sipas parimeve të demokracisë dhe ekonomisë së tregut(!) E dini sa biznese ka Tirana? 40 mijë më së paku. Dhe e dini sa anëtarë ka Dhoma e Tiranës, që për muaj të tërë nuk paguan dot punonjësit e vet? Nja 300-400 anëtarë...Kemi institucione, jo llafe. Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë...

Edhe në çështjen kombëtare, deri më sot, ka vetëm propagandë dhe prirje për përfitime vetiake a partiake. Siç e kam shkruar edhe në një tjetër analizë, në gjendjen që jemi, ne nuk mund t’i ndihmojmë dhe t’iu shërbejmë si duhet Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Preshevë e gjetkë. Kjo për shkak se ata na shohin ne në një gjendje absurdi, si dhe në një luftë të egër për pushtet (jo për Shqipërinë, jo për objektivat demokratike;) gjithaq sepse drejtuesve të Shqipërisë duket sikur dikush ua tërheq litarin nga kryeqytetet fqinje, në Veri dhe në Jug; paçka se kanë bërë aq shumë lëshime, me det e me toka, me tendera dhe me përfitime të tjera politike. Mbase koha është që çështja kombëtare kërkon Ministrinë e vet tashmë; dhe programe bashkëpunimi konkrete e në të gjitha fushat.

Ja edhe një fakt i fundit dhe po i vë pikë. Siguria dhe punësimi nuk kanë asnjë përmirësim, në mos kanë shkuar drejt degradimit. Kryeministri Berisha dhe kolegët (miqtë, armiqtë, çfarë i ka) opozitarë bashkë me të, duhet të dinë se aq shqiptarë sa janë punësuar në Shqipëri për gjatë 22 viteve të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut, po kaq janë punësuar vetëm në Itali(!) Mjafton kjo e vërtetë përvëluese, për të kuptuar se demagogjia e punësimit është më e errëta ndër ato që përdor pushteti i sotëm.

Për ta sheqerosur sadopak gjithë këtë pamje për të qarë e për të qeshur, për ta bërë skeçin edhe më skeç, prodhohet pareshtur propagandë. Kohët e fundit, një e dy, bëhen peticione si të kohës së diktaturës, kur njerëzit detyroheshin të firmosnin për marrëzira që pushtetit i zgjatnin jetën; ishte fjala për ato familje që shteti i konsideronte të afërta me të, që si ta themi “nuk ia prishnin dot Partisë”. Sot po ndodh e njëjta gjë, madje edhe më paturpësisht, sepse (mburremi që) jetojmë në një rend të ashtuquajtur demokratik e ku flitet për ekonomi tregu. Por peticioni për ndotjen e Gjirit të Vlorës nuk u lejua. As për zbrazjen e plehrave të Evropës këtu...në këtë çikë vend, referendum nuk bëhet...Jemi në skeç edhe në një skeç të trashë, ku vetë aktorët qeshin e zgërdhihen, kurse spektatorët ngrenë supet.

Po cilët janë spektatorët? Shqiptarët e tjerë jashtë kufijve administrativë. Diaspora. SHBA-të. Evropa. Me keqardhje, më duhet të them se në diasporë ka ende njëlloj entuziazmi nga kujtimet e fillimit të viteve ‘90 dhe, sidomos, një glorifikim të zhvillimeve të para demokratike në Shqipëri; çka ndodh më pas, vështrohet me ftohtësi, pse jo edhe në mënyrë të gabuar. Sa për qëndrimin e ndërkombëtarëve, le të kujtojmë ç’thanë para zgjedhjeve vendore të shkuara, që nuk do të bënin asnjë lëshim, do të kërkonin vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme; më pas, ata u fshehën pas termave të zbutura, me të cilat “përkëdhelin” vende gjysmëdemokratike si Shqipëria. Në një nga veprat e shquara të dramaturgjisë së lashtë, në tragjedinë “Prometeu” të Eskilit, thuhet diku: “ Është një mundim për mua të rrëfej, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.”

Nga duhet të fillojmë për t’i ikur skeçit dhe për ta ndryshuar pamjen? Së pari, nga rotacioni: ai politik dhe ai organizativ, pra ndërrimi i drejtuesve të korruptuar dhe të shfytyruar, mbeturina të komunizmit, Berisha, Ruçi, Gjinushi, si dhe largimi i njerëzve me dosje, që prej 22 vjetësh janë në politikë, nëpër zyra të rëndësishme, madje edhe thjesht persona publikë. (Kjo kërkon shkundjen e strukturave të vogla dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për detyrat që iu takojnë sot, në mënyrë urgjente.) Së dyti, ekspertë të huaj, të pavarur, për të ekzaminuar (mbi bazën e gjithë informacionit që ka në Parlament, në KLSH, në media, në institucione të tjera) rastet më flagrante të korrupsionit. Së treti, rikthimi në sallat e drejtësisë i një sërë çështjeve gjoja të mbyllura: Gërdeci, Remzi Hoxha, 21 janari, aferat korruptive më të prekshme, etj., për të vënë përpara përgjegjësisë jo vetëm qehajallarët, por më së pari urdhëruesit, si dhe për t’u bërë mësimi mësim. Më tej, programe të gjera dhe të vërteta bashkëpunimi në planin kombëtar, të tilla që të shohin larg, në bashkimin e shqiptarëve në kuadër të BE-së. Më në fund, rishikimi i raporteve edhe me miqtë dhe monitoruesit, për të mos u menderosur e servilosur pas çdo fjale e gjesti të tyre, por me iu dhënë aq vend sa iu takon dhe duke kërkuar më shumë dinjitet e vetëveprim.

Detyra të vështira, hë? Epo, thamë të dalim nga skeçi...



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: