Fritz Radovani: Formula e Pagëzimit - Dokumenti i Parë i Gjuhës Shqipe
| E Diel, 27.01.2013, 12:50 PM |

“UNË    PAGËZOJ...”

“Unte’ paghesone premenit Atit et birit et spertit senit”.

“Unë të pagëzonj p’r emnit (t’)Atit e t’Birit e t’Shpertit Shejt”.

Kjo asht Formula e Pagëzimit, ose Dokumenti i Parë i Gjuhës Shqipe i nënshkruem nga Argjipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli, me 8 Nandor 1462.

Deri sot ky asht dokumenti ma i vjetër i shkruem i Gjuhës Shqipe.

Nga Fritz RADOVANI

Tek libri “Shkrimtarët Shqiptarë” pjesa e parë 1462-1878, botue nga Ministria e Arësimit,  Tiranë, viti 1941, në faqën e parë shpjegohët se dokumenti ndodhej në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe u zbulue nga historiani rumun Nikolla Jorga (Nicolae Jorga, 1871-1940) në vitin 1915 e ka këtë shënim në katalog ku ruhet: “Ashburuham” 11, 1167.

Ky dokument u shkrue latinisht nga Argjipeshkvi i Durrësit Imzot Pal Engjëlli, në një qarkore (Constitutiones) që shperndau ndër meshtarë me datë 8 Nandor 1462, të nënshkrueme prej Tij në Kishën e së Shejtës Trini në Mat. Qellimi i kësaj qarkorje asht që meshtarët të mësojnë popullin me Pagëzue fëmijët e porsalindun në rast rreziku të jetës, kur ndodhën larg kishave e meshtarëve. Për këte arësye Formula e Pagëzimit u shkrue prej Imz. Palit edhe në Gjuhën Shqipe, që të kuptohej dhe të mësohej nga të gjithë besimtarët katolikë Shqiptarë.

Imzot Pal Engjëlli (1416 – 1470) i përket derës së Ejllorëve ase Radovanëve. Njoftimet historike e gjenealogjike të marruna prej librit të historianit Nikoll Mattia Rosi, botue në Bolonjë të Italisë në vitin 1787, kushtue Kontit Ndrek Ejllori ose Ndrek Radovani, që atë vit ishte Drejtor i Postës Spanjole në qytetin italian të Ankonës, mendoj janë dokumenti ma i saktë ku, përveç Stemës së Ejllorëve, shkruhet: “Kujtimet ma të sigurta e ma të imta për këte shtëpi janë ata të Shek. XV, në të cilin shkaku i të shkelunave e i luftave me të cilat kjenë rrahun këto krahina sëpari prej Sulltan Muratit II, e mandej prej Muhametit II, pat fushë të haptë me u nda në shenj edhe ma tepër virtyti e trimnia e Ndrekës dhe e Palit, birit të Tij që kje Argjipeshkëv i Durrësit.

Kur Venediku kerkoi nga Argjipeshkëvi me u lidhë me Skënderbeun, Ai u nis e shkoi menjëherë  me u takue me Skenderbeun, mbasi ishte e madhe kredia i tij para Skenderbeut, si dhe fjala nuk i thehej kurrë prej tij. Aq fort ia mbushi mendjen, sa menjëherë Skenderbeu, vendosi me thirrë e me mbledhë shumë princa e kryetarë të mendshëm ushtrijet dhe të gjithë së bashku me ia lëshue punën në dorë Argjipeshkvit tonë. Ky tue paraqitë disa veprime të reja të bame prej turqëve kundër Lidhjës, e sa vepra tjera, lidhi ndërmjet Skenderbeut e Venedikut një miqësi aq të fortë sa kurrma nuk u thye. Për këte u ba një kremtim i madh gjithkah. Kur e mori vesh Sulltani këte ngjarje u trondit aq shumë sa premtoi njëqindmijë dukat ari kush të muejte në ndonjëfarë mënyre me mbytë Argjipeshkvin, ndërsa dyqindmijë atij që ishte i zoti me ia çue të gjallë në dorën e tij”. Andrra e sulltanit nuk u realizue asnjëherë derisa plasi nga inati…

Por parët e sulltanit nuk e thyen besën e Shqiptarëve...E, ju lumtë!

Prof. Namik Ressuli (1908 – 1985), në kritikën e tij tek libri “Shkrimtarët Shqiptarë” Tiranë, 1941, shënon: “Padyshim ky prodhim verior është më i rëndësishmi i prodhimëve të pjesës se parë të leteraturës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe e gjerësisë si dhe nga pikëpamja e lendës dhe e mbrendisë. Këta shkrimtarë të vjetër të veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet alfabetin latinpo janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë. Madje, nga kjo pikëpamje kombëtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjës së Prizrenit, po t’ishte më e madhe vlera estetike e qellimi i përbashkësisë shqiptare.” (fq. 12).

***

Në vitin 1462 dhe deri me pushtimin e Kështjellave të Krujës, Drishtit, Lezhës dhe të gjithë Shqipnisë së Veriut, deri tek Kështjella e Shkodres në vitin 1479, perpjekjet e Shqiptarëve janë të mëdha per ruejtjen e Lirisë së Atdheut, Flamurit Gjergj Kastriotit, Gjuhës Shqipe e Shqipninë Europjane. Këto perpjekje nuk u shuen në gjithё Arbëni për shekuj të shekujve...

Perpjekjet shekullore per ruejtjen e Shqipnisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Atij Flamuri të lamë me gjakun e Atdhetarëve Shqiptarë per sa shekuj me rradhë, Gjuhës së Atyne Atdhetarëve dhe Shqipnisë Europjane...marrin fund në vitin 1944, nga barbarët ma antishqiptarë që ka njoh historia, bolshevikët shovenistsllavë – otoman... Tiranë – Beograd – Moskë.

Klerikët Katolik Shqiptar i dhanë Gjuhës Shqipe Alfabetin latin...e rujtën traditën e asaj Formulë nder shekuj... E ndoshta, nder të paktit popuj të Botës provoi mbas vitit 1967 jo vetem me u burgosë apo me u torturue për Formulen e Imz. Pal Engjëllit, po ishte Martiri Shqiptar Don Shtjefen Kurti që edhe u pushkatue me datën 20 Tetor 1971 vetem pse Pagëzoi një fëmijë.

Po sa mija e mija Shqiptarë humbën jeten nder kampe shfarosje, interrnimi, burgje dhe hetuesi, nder vuejtje dhe torturat ma të mnershme të komunizmit anadollak vetem e vetem se ishin të Pagëzuem dhe nuk mohuene Atdheun e Fenë e vet?

Porositë e sulltan Mehmetit II, vazhdojnë me u trashigue në gjak nga qeveritarët tanë...


Melbourne, 2013.

(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: