Myftar Memia: Një luftëtare e UÇK-së
| E Merkure, 30.04.2008, 06:01 PM |

Nga lufta çrimtare e Kosovës

NJË LUFTËTARE E UÇK-së
-Episode lufte-

Nga Myftar Memia

Studentja kosovare, Hysnije Emini, e burgosur dhe e përndjekur nga Serbia, u vendos familjarisht në Tiranë, vazhdoi studimet e larta gjuhë-letërsi shqipe. Përgatiti provimin e fundit të diplomimit dhe zhvillonte veprimtari për Kosovën...
Stacionet radio-televizive përhapnin lajmet tronditëse: Ushtria serbo-çetniko-fashiste me tanke, artileri të rëndë, raketa, aviacion e lëndë helmuese asgjësuese ka sulmuar barbarisht; Kështjellën e Kosovës, Drenicën.
Kryekomandanti i UÇK-së Adem Jashari, së bashku me Hamzën e të gjithë pjesëtarët e familjes dhe të trungut Jasharaj në Prekaz, kullat e tyre i kthyen në kështjellë. Ata me këngë në gojë, duke sokëllitur: “O prite Azem Galicën, bre!“ Burra, gra, pleq e fëmijë qëndruan deri në fishekun e fundit, duke e shpaguar veten shumëfish: Ata të gjithë qëndruan deri në fishekun dhe në frymën e fundit pa iu trembur syri në shënjestër, as gishti në këmbëz, si Oso Kuka në Kështjellë të barutit.
Studentja Hyrije me sy të skuqur nga emocionet e pagjumësia e atyre lajmeve tragjike nuk po përqendrohej dot në lëndën që po përgatiste për provim. Ajo i mbylli librat rrëmisht, thua se ato po e shqetësonin aq shumë;- Ajo monologoi: “Barbarët serboçetnikofashistë po shfarosin në masë popullin shqiptar në Kosovë, po djegin në zjarr burrat, gratë, fëmijët, pleqtë, plakat dhe nënave shtatzëna po ua çajnë barkun me thikat e tyre të helmatisura. Fshatrat, shtëpitë, shkollat, monumentet e çdo gjë shqiptare po i bëjnë shkrumb e hi...Po unë çfarë po bëj kur shokët e mi, madje edhe të moshuar, po vrapojnë në radhët e UÇK-së, për t`i dalë zot vatanit, për t`ua ndalë hovin barbarëve? Unë përgatitem për provim?! Prova e provimi im dhe i çdo atdhetari patriot tani është atje në ballë të luftës për shpëtimin kombëtar. O sot, o kurrë!“
Hyrija shkoi në odë tek e ëma.  I tregoi vendimin e saj pa mëdyshje dhe i kërkoi miratimin. E ëma, mesogrua, me fëtyrën e saj burrërore, me atë vështrim të ëmbël e mallëngjyes, e mbuloi të bijën nga koka e të këmbët dhe i tha:“ Nana për Kosovën të ka lind e të ka rritë. Për Kosovën po të shkollon... Shko, bija e nënës, e jepe provimin atje në fushë të luftës. Pushka top t`u bëftë!“
Hyrijen e përgëzova për provimin madhor që kishte dhënë në fushën e betejës dhe u kthye fitimtare pas 13 muajsh përleshjesh të pabarabarta dhëmbë për dhëmbë me barbarët serbosllavë çetniko-fashistë. Ajo me thjeshtësinë, modestinë dhe përkushtimin për çështjen kombëtare, që i karakterizon luftëtarët e paepur të lirisë kombëtare; më tregoi shumëçka, por unë në këto pak radhë po veçoj këto:
Së pari, si kanë përbiruar një grup luftëtarësh përmes mizërisë së ushtrisë, policisë speciale e paramilitarëve serbë, për të arritur zonën Operative të Nerodimes në Brigadën 161, që operonte në Jezerc të Ferizajt. Në fillim në atë zonë operonin Brigada 161 me komandantë Ahmet Koçiku dhe brigada 162 me komandant Agron Bajrami. Këta të dy komandantë kanë rënë në fushë të betejës. Brigadat 161 e 162 përjetësojnë emrat e trimave të paepur, që qëndrojnë në vijën e parë të sulmit. Pastaj në këtë zonë u formuan edhe Brigada 163 dhe ajo 164, sepse radhët e UÇK-së shtoheshin çdo ditë me trima e trimëresha.
Së dyti,  ajo më tregoi për Betimin Ushtarak solemn përpara Flamurit Kombëtar, për disiplinën e vetëdijshme, për unitetin moralo-politik të mendimit e të veprimit si një trup i vetëm: për stërvitjen intensive dhe për syçeltësinë e luftëtarëve të UÇK-së; për vendosmërinë e UÇK-së për të mos e lëshuar kurrë armën nga dora pa çliruar Kosovën nga barbarët serbosllavë çetnikofashistë.
Së treti, në Brigadën 161 militonin 16 vajza, nga Jezeca. Vinin shumë vajza por, nuk i mbante komanda për mungesë armatimi. Një ditë erdhën 2 vajza 16 vjeçare, ishin kushërira nga nënat. Njërës vëllai i kishte rënë dëshmor.
Ato erdhën për ta zëvendësuar, por komanda pranonte 18 vjeç e lart. Ato nuk pranuan të largoheshin kurrsesi dhe u inkuadruan në radhët tona dhe me këmbëngulje shkonin në vijën e parë të sulmit.
Së katërti, populli i thjeshtë, masivisht s`kursente as pasurinë, as jetën për çlirimin e Kosovës. Ai ishte i vendosur të flijohej pa hezitim për ta shporrur pushtuesin barbar serb nga trojet etnike arbërore. Ja një shembul: Djaloshi Nazmi Uksmajli po sa filloi lufta në Kosovë vjen nga vendet perëndimore dhe radhitet në Brigadën 161 në Jezercë, pa lajmëruar familjen. Më 16 korrik 1998 një njësit i brigadës me komandantin në ballë shkojnë për të bërë një aksion natën. Kalojnë pranë shtëpisë së Nazmiut, komandanti thotë:“Nazmi, ti ke kohë pa takuar babën, nanën, gruan, vajzën e njerëzit e familjes. Ndalu këtu. Kur të kryejmë aksionin, vijmë e të marrim“. Nazmiu nuk pranoi. Ai thotë:“ Komandant, pas aksionit, kështu si njësit do të pimë nga një kafe te prindërit e mi“. Njësiti bie në një pritë të barbarëve serbë. Nazmiu ra në fushën e betejës, dëshmori i parë i Brigadës 161. Pas luftimeve, njësiti shkoi në shtëpinë e Nazmiut. Komandanti e pyeti të jatin e dëshmorit:
-Sa djem ke?
-Tetë,- gjegjet i jati.
• A do t`ia falësh një Kosovës?
• Jo një, po të tetët, i qofshin falë Kosovës! Veç ta gëzojnë të lirë Kosovën brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë- gjegjet ai.
• Pra mbahu, i fortë, qëndroni burrërisht se sonte biri juaj Nazmiu ra trimërisht në fushën e luftës për lirinë e Kosovës Loke,- komandanti foli me një pikëllim të thellë, i pushtuar nga emocionet.
• Falë i qoftë Kosovës! Nazmiun nuk do ta qajmë. Dëshmorët e lirisë do t`i këndojë populli brez pas brezi,- gjegji i jati dhe i ngushëlloi bashkëluftëtarët e birit, pa nxjerrë as një pikë lot. Të njëjtin qëndrim stoik mbajti edhe e jëma e dëshmorit të parë të asaj zone operative.
Lufta për ne luftëtarët e UÇK-së dhe për mbarë popullin shqiptar mbaron vetëm kur Kosova të kurorëzohet me pavarësinë e saj të plotë. Prandaj unë do të kthehem përsëri në Kosovë- tha Hyrija, duke treguar copëza guximi, trimërie e heroizmi për luftëtarët e UÇK-së dhe për popullin patriot, por asnjë fjalë për bëmat e veta.

(Marrë nga revista „Mbrojtja“ 10/1999: oragan ushtarak e kulturor i Ministrisë Mbrojtjes-Tiranë)



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: