Neki Lulaj: Jusuf Gërvalla ishte si nuri i bjeshkëve me dritën magjike të Dardanisë
| E Merkure, 23.01.2013, 07:00 PM |

Jusuf Gërvalla ishte si nuri i bjeshkëve me dritën magjike të Dardanisë

(Çaste të paharruara me Trinomin e Lirisë)

Pse po ndosh kjo zhagitje shumëvjeçare? Kujt i konvenon dhe nga vjen kjo neglizhencë e deritanishme? Pse akoma nuk është ndriçuar rasti dhe pse aktorët qyqarë të këtij krimi barbar kanë ngelur si sopata pa bisht në pyllin e dendur ku ata shëtisin të lirë, e besa, ku ta dimë ne, ndoshta ndodhen diku mes nesh!  Edhe sa kohë duhet rë presim zbardhjen e dorasve të këtij krimi tragjik?

Nga Neki Lulaj

Jusufi e nisi jetën njësoj siç e mbaroi: mes librave. Gjithçka dukej e thjeshtë dhe e pastër si loti, sepse ndërmjet fillimit dhe mbarimit ekzistonte një listë e tërë e gjërave që duhen kryer. Si sot e 31 vjet më parë, lajmi i hidhur na mpiu si opiumi i një gjarpëri mishngrenës kur mësuam se në Utergrupebach të Gjermanisë, në orët e kobshme të mbrëmjes së 17 janarit të vitit 1982, nga një pritë e pabesisë u krye atentati makabër mbi Jusuf e Bardh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Atentati shtetëror-sllav u krye në bashkëpunim me pjatëlepirësit dhe spiunët shqiptarë, të cilët i përcillnin atdhetarët tanë hap pas hapi, si korbi gjahun, duke ndjekur vendodhjen e vëllezërve Gërvalla e të mysafirit të tyre, Kadri Zeka. Ky atentat në zemër të Gjermanisë, të një vendi demokratik, kundruar nga këndvështrimi objektiv, s’është tjetër veçse një atentat drejtuar edhe kundër shtetit gjerman, sepse ata u vranë në tokën gjermane, andaj edhe vetë shteti  gjerman mban përgjegjësinë morale e ligjore për zbulimin e dorasve të krimit dhe për dënimin e tyre.

Pse po ndosh kjo zhagitje shumëvjeçare? Kujt i konvenon dhe nga vjen kjo neglizhencë e deritanishme? Pse akoma nuk është ndriçuar rasti dhe pse aktorët qyqarë të këtij krimi barbar kanë ngelur si sopata pa bisht në pyllin e dendur ku ata shëtisin të lirë, e besa, ku ta dimë ne, ndoshta ndodhen diku mes nesh!  Edhe sa kohë duhet rë presim zbardhjen e dorasve të këtij krimi tragjik? Ka ardhur koha kur kriminelët të identifikohen dhe përgjigjen para drejtësisë  e të mbyllën prapa grilave, e ne të ja kumtojmë lajmin nënë Ajshes, atje në Dubovik, në menyrë që asaj t’i pushojë i qetë  shpirti mes bijve në botën e amshuar.

Në shenjë respekti e përkujtimi për punën dhe aktivitetin e tyre për pavdeksinë e tyre në 30 vjetorin e vrasjes, Lidhja e Shkrimateve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, botoi një Antologji  prej më se tridhjet poetëve nga mërgata me titull “Trinomi i Lirisë”, të bashkautorëve Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla. Antologjinë në fjalë e përuruan në Koblenc të Gjermanisë dhe në Kosovë, në Prishinë dhe në qytetin e bukur të Dukagjinit,  në Pejë, në qytetin ku Jusufi filloi hapat e parë të krijimtarisë letrare,  artistike, teatrale e patriotike. Salla e Teatrit “Istref Begolli” ne Pejë ishte e mbushur plotë mysafirë në shenjë nderimi e respekti për Jusufin, Bardhin e Kadriun.

         Në lagjën e Kapishnicës në Pejë, mu  afët teatrit, Jusufi vite më parë i është kthye në bronz qytetit të Pejës  dhe më bëhej se atë ditë buzëqeshte me atë krenarinë sublime prej në aristi që e pat shkrirë gjithë jetën për komb e atdhe. I pari i komunës së Pejës, kryetari Ali Berisha, në fjalën e rastit përshendeti  bashkëshorten e Jusufit, Znj. Syzanë Gërvallën, familjarët e tjerë dhe gjithë mysafirët e pranishëm në sallë. Me fjalën e tij të rastit, ai posaçërisht shprehu fjalë miradije për mërgatën, duke potencuar  se diaspora ishte, është dhe do të jetë një gjenerator  i fuqishëm i punës, organizimit dhe aktiviteteve. “Ne mërgatës i kemi shumë borxh, sepse mërgata jonë, që nga koha e Jusuf Gërvallës e deri në ditën e sotme, kurrë nuk e ndali veprimtarinë. Ajo vazhdoi punën e pa lodhur, duke u bërë shërbyesi më i sinqertë i vendit tonë, andaj kurrë ne nuk do ta harrojmë kontributin madhor të bashkëkombasve tanë.”

          këtë  manifestim morën pjesë antarët e klubeve letrare të Pejës, klubi letrar i Deçanit, Gjakovës, Klinës, Prizrenit, Gjilanit, mysafirë nga SHBA dhe nga Zelanda e Re, Znj. Rita Salihu, artistët që shkëputën poezi dhe lexuan vargje nga Antologjia respektive, si  Sylejman Lokaj, Niman Muçaj, recenzentët Ali Demë Jasiqi, Halil Haxhosaj, e shumë mysafirë të tjerë. Pas akademisë dhe koktejit të organizuar nga nikoqiri, Zt Ali Berisha,  mërgimtarët, të shoqëruar nga Zt. Jahja Lluka dhe Znj. Syzanë Gërvalla,  bënë homazhe nderi pranë varrezave të vellëzerve Gëvalla në Dubovik, për të vazhduar me vonë një vizitë edhe në shtëpinë e Jusuf Gërvallës, ku bashkëshortja e rë ndjerit  evokoi një serë kujtimesh prekëse të kohës kur Jusufi ishte gjallë, dhe të kohës së krisur kur qe vrarë ky atdhetar me bashkëveprimtarët e tij më të devotshëm. Na rrëfeu për momentet e vështira të atyre viteve, duke e përkujtuar edhe nënë Aishen e shumë gjëra tjera interesante, të cilat deri atë ditë nuk kishim patur rastin t’i dëgjojmë apo lexojmë.

       Jusufi ishte si nuri i bjeshkëve me dritën magjike të Dardanisë. Në fund u ndamë shumë të entuziazmuar nga ajo ditë e pa lodhshme që e kaluam me pjesëmarrësen e shumë ngjarjeve të jetës së Jusuf Gërvallës. U ndamë duke e falënderuar përzemërisht Znj. Syzanë Gërvalla, kurse vajza e Jusufit në shenjë falënderimi, me atë rast pat thënë: “Sikur të ishte babai im gjallë, nuk do ta gjente veten kund më mirë se sa në mesin e lidhjes së shkrimtarëve, artistëve dhe mërgatës shqiptarë në Gjermani.” Andaj, në shenjë respekti, Lidhja e shkrimtarëve tanë e shpalli Anëtar Nderi.



(Vota: 24 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: