Kalosh Çeliku: Zhurmë rreth Tortës së Pavarësisë
| E Merkure, 16.01.2013, 10:32 PM |

ZHURMË E DALLDISUR “KULTURORE” RRETH TORTËS SË PAVARËSISË

NGA KALOSH ÇELIKU

Historikisht, populli shqiptar  kurrë nuk ka vajtuar si sot sokaqeve të Bit-Pazarit, në Shkup me kaq shumë lot derdhur rrëke për Shqipëri Etnike. Duartrokitë Robërisë nëpër përvjetore e “manifestime kulturore”. Ose, i është turrur me të katra kulaçit në sofër. Tortës së Pavarësisë nëpër sheshe. Gjithë jetën nëpër shekuj ka bërë luftë me armë e penë në dorë, herë me Krajl e herë me Mbret. Fajin, kurrë nuk ua ka hedhur armiqëve shekullor, po vetes se si e duron Robërinë me shekuj mbi shpinë. Çajupi në një vjershë te libri i tij me famë botërore Baba Tomorri e ngre zërin: Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq!... Si s’të lodhi robëria, Shqiptar! Tytën e pushkës verë e dimër ia ka kthyer armikut e jo mikut të Shtëpisë. Shkurt, siç thotë këngëtari popullor me çifteli: Për çdo vjet e kemi nisë nga një luftë, herë me Krajl e herë me Mbret. Përmëtepër, nuk ka qenë popull euforik i dasmave pa Nuse, me zhurmë politike - “kulturore” parazgjedhore nëpër sheshe e stadiume sportive në dyluftime demagogjike fyt për fyti me armikun, po kaçak që me pushkën krahut ka dalë maleve për Liri.

E, sot?! Sot, është mu si te ajo vjersha e Vaso Pashë Shkodranit: Moj Shqypni e mjera Shqypni. Populli shqiptar, sot më shumë se kurdoherë është i përçarë nëpër parti politike, që turren i madh e i vogël pas pushtetit. “Burrat dhe gratë e Kombit” të Nënës Parti të veshur kuqezi  bëjnë fytas luftë për pushtet me këngë e valle. Poste politike. Pasuri. Përdhosin flamurin kombëtar, fytyrat tona më të ndritura historike. Vend e pa vend i varrosin e rivarrosin personalitetet historike (mu si te ajo poezia e Fan Nolit: Dhe Feridi faqe ndrrron/ Dje shante sot lëvdon), ngrejnë përmendore të fytyrave historike shqiptare. Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë e festuan sipas bindjeve të tyre politike partiake në Tetovë, Shkup, Prishtinë, Tiranë e Vlorë. Secila Parti politike i shpalli si personalitete historike dhe i nderoi me çmime vjetore partizanët e vet partiak. Nëpër sheshe shtruan torta gjigante duke iu sulur me legenë, karroca dore e çizme dhe shkelur me këmbë para syve të botës. Fat, ndoshta patën një mijë deshët kurbanë të “Bajramit Vogël”, nëse kësaj radhe falë Zotit shpëtuan nga kasapët politik me thika në dorë para kamerave televizive. Vetëmse, asgjë nuk besoj në Ditën e sotshme historike pa i parë vetë me sy e dëgjuar me veshë. Vështirë e kanë pasur t’u ikin këtyre ujqërve të rrezikshëm me dy këmbë pa i gjykuar nateditë në  pusi te Lumi. Në çdo qytet para popullit nxjerrin nga një flamur kuqezi të cilin e kanë ngritur të parët e tyre patritotë. Tjetër punë është ajo se, ne vite me radhë e kemi mësuar në shkollë, përgaditur shfaqje teatrore, se: Flamurin kombëtar e ngriti Ismail Qemali me shokë në Vlorë.

Vërtet, sot e ndjej veten krenar që edhe Katundi im nuk e nxori në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë atë flamurin historik kuqezi me të cilin mësuesi i popullit nga Shqipëria, Llaqi Prenqi bashkë me nxënësit e sulmoi stacioninin e karabinierve në fshatin Premkë të Kërçovës. Flamur, të cilin një familje e fshatit Cërvicë e ruajti me xhelozi pesëdhjetë vjet me radhë të feshehur në kohën e komunizmit. Interesant, si nuk e nxori edhe kjo familje të lëvdohet pak para kamerave televizive me familjarët e tyre për veprat patriotike. Kohë kjo, kur qyqet politike me të madhe propagandojnë patriotizëm “institucional”, arsim, shkencë e kulturë partiake në emër të popullit shqiptar. Përditë, kujt si t’i teket organizon festivale mbarëkombëtare, koncerte e sofra njëpartiake lokaliste rreth sofrave e oxhakut në vend të atyre mbarëshqiptare. Festivale teatri kombëtar të improvizuar në çdo qytet, pa Teatër Shqiptar. Nderon me çmime republikane rrumaducë që nuk kanë “haber” nga arti hyjnor i Perëndive. E aspak, ose së paku të jenë afër vlerave të arrira artistike të nivelit mesatar botëror.

Popullin shqiptar, partitë politike sot  e kanë përçarë edhe nëpër katunde. Brenda një nate dudumët shpallin patriotë dhe tradhtarë me thasë e qerre. Shkurt, presim të vdekurit të na e sjellin me koçi Lirinë. Krushqit t’u prinë mes maleve për Liri në ballë me flamurin kuqezi. Këngën popullore: Hajdeni bini djemtë e Shalës, permes Sarajeve të Pashës! Paralajmërojnë njëzet vjet me radhë Bashkimin Kombëtar me fjalime patetike në foltore. Shqipëri Etnike. Ose, ndryshe me sopatën e madhe: Fytyrat politike shqiptare  siç duket ende e mbajnë veten gjallë në pushtet me punën dhe famën e atyre personaliteteve historik, që sot nuk i lënë rehat as edhe nëpër varre. Në Ditën e sotshme të Motit Madh (2012) u janë ngjitur për herdhesh me të dyja duart për pushtet si rriqëra me parulla demagogjike nën hijen e Dardhave gorrice.

Fatkeqësisht, fajin edhe sot ua hudhin të tjerve, armiqve shekullor: Na e kanë marrë Lirinë përpara Shtëpisë. Shqipërinë Etnike. Përditë na vrasin, dhunojnë para fëmijëve e duan të na përzënë me dhunë nga Atdheu. Gjakun nëpër oda të burrave, sofra qytetare, xhami e oxhaqe televizive e derdhin me  çifteli deri në gju për Liri. Edhe, nëpër “gazetat e pavarura”. Vatëm hapni kanalet televizive shtetëror e nacional (privat e të “pavarur”): Valle dhe këngë gjithë ditën e natën kuqezi. Shqiponja e qyqe bashkë krah për krahu. Matanë Lëmës hedhin valle e këndojnë këngë edhe laraskat brez për brezi me sorrat e zeza. Pushkë e shpata nxjerrin nga brezi për Liri. Shqipëri Etnike. Flamurin kombëtar kuqezi e zvarrisin rrugëve, nëpër skenë e nëpër festivale. Gjoksin para vdesin e ringjallen në “fushën e mejdanit” me shpata e kobure në brez. Herë hidhen më një anë, herë në tjetrën anë duke u rënë duarve shuplakë. Përdredhin bythët para kamerave televizive e nxjerrin sisat për mejdani me këngën e Adem Jasharit. E hipin mbi tank heroin legjendar në Katund sikur të ishte partizan komunist i shokut Tito. I shpallin qytetarë nderi personalitetet me famë botërore nëpër lagje e katunde në vend të qyteteve. Emrin e Shkollës  fillore “7 Marsi”, Ditën e arsimit të shkollës në gjuhën shqipe  e zëvendsojnë me atë të Adem Jasharit. Emër ky, që do t’i kishte hije një kazerme ushtarake. Shkolle ushtarake. Akademie ushtarake. Gazetat e “pavarura” në gjuhën shqipe që dalin në IRJ të Maqedonisë plot reklama partiake kuqezi: Urimet e kryetarëve të partive politike, ministrave, kryetarëve të komunave shqiptare me fotografi të partizanëve teknefesë të Nënës Parti me poste politike, që të strukur nëpër istuticione shtetëror, kurrë nuk e kanë futur dorën në xhep për arsimin dhe kulturën shqiptare. Askund një varg për mall, një poezi shqipe, shkrim për arsimin dhe kulturën shqiptare. Interesant, ku e kemi kokën e ku bythën?!  E të mos flasim për manifestimet tradiconale ndërkombëtare poetike që mezi e mbajnë veten gjallë në këtë zhurmë të dalldisur “kulturore” të partive politike shqiptare. “Burrat dhe gratë e kombit” me të dyja këmbët haptas para syve të botës përparimtare e shkelin pamëshirë trurin e popullit shqiptar.

Imzot, i hidhni një sy arsimit dhe kulturës shqiptare! Partizanët e Nënës Parti, nuk i shihni se bëjnë zhurmë teknefese politike “arsimore - kulturore” deri në qiell me ngjyra partiake. I kanë zënë rendet e para trusakatët partiak dhe fotografohen pa fije turpi para kamerave televizive nëpër përvjetore historike, pothuajse arsimi e kultura shqiptare i takojnë vetëm një partie  politike e jo mbarë popullit shqiptar i shpërndarë si Kashta e kumbarës nëpër botë. Përditë, hapin ekzpozita figurative e përurime të librave të autorëve me vlera partiake duke i futur krijuesit shqiptar si kunguj Stambolli në një thes me arna. Partizanë të djeshëm komunistë, sot të shndërruar brenda një nate në “patriotë kuqezi” nderohen pa fije turpi me çmime të nivelit republikan. Këlyshët e djeshëm me zgjebe të rritur dje nëpër redaksi komuniste me  një asht në gojë ose një torbë taxhi, sot dërdëllisin jerm para kamerave televizive për “vlera të arrira artistike”. Jargët u rrjedhin për goje e për bythe që i përdredhin nëpër “manifestime kulturore” si kurvat para syve të Nënës Parti. Turren me të katra të gjithë brenda një nate të bëhen artistë, shkenctarë, kritikë letrar e profesorë universitar. Vend nuk të lënë para Vitit Ri nëpër lokalet e Shkupit dhe Tetovës heroike të pish rehat me Miken edhe një kafe. Njëri pas tjetrit e në kope si të tërbuar garojnë dhe shtyhen me bërryla para Vitit Ri me “projektet e tyre kombëtare” për një torbë taxhi në prehërin e Qeverisë. Dudumët, që pesëdhejtë vjet me radhë i ngatërrohen nëpër këmbë popullit shqiptar me hapa “madhor arsimor e kulturor” nëpër programe partiake “institucionale” të “vëllazërim-bashkimit”. I mbushën thasët e grisur arnë përmbi arnë me para “hallall” në emër të popullit shqiptar e asgjë deri më sot nuk nxorën me vlerë në dritë për Ditën e Nesërme.

Momentalisht, jemi populli më i “lumtur” në botë plot “patriotë kuqezi” e pa Shqipëri Etnike. Nuk e duam Serbinë, shkaku se e kemi brez pas brezi armik shekullor, po jemi bërë edhe më zi se “vëllezërit serb”, i këndojmë Robërisë dhe humbjeve historike me vite nëpër dasma, festa e përvjetore. E shpallim Shqipërinë Etnike nëpër stadiume sportive, sikur ato të ishin Akademi të Shkencave dhe Arteve. Vetëm se, kësaj radhe në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë na mungoi Kali i bardhë me një këmbë të thyer me “Heroin legjendar” mbi shalë me shpatën e Skënderbeut  në dorë, në mes të Tetovës heroike (Arusha e Malit). Hava e Bit-Pazarit, sesi e përcjellë në luftë me dajre e këngë patriotike. Përditë përurojmë varre, pllaka përkujtimore dhe përmendore. Gjithë kohën e kalojmë mes varreve me fjalime patetike e zbuluar përmendore nëpër sheshe e katunde duke u fotografuar para kamerave televizive krah për krahu si “patriotë kuqezi”. E pak kohë na mbetet për punë, Liri. Politikë “madhore” bëjmë nëpër çajtore e xhami me çaj rusi kokë më kokë duke u përpjekur t’i imitojmë burrat e asaj kohe.

Popujt tjerë moti i kanë përveshur mëngët, i janë futur punës Zotit. Nuk e fajsojnë asnjë popull për dështimet e tyre historike. Nuk manifestojnë si ne “fitore” nëpër varre. Nuk ngrejnë përmendore për të vdekurit, kur të gjallët vdesin edhe për bukën e gojës. Fëmijët (ardhmërinë e Nesërme) edhe në ditën e sotshme i kemi pa plan-programe shkollore. Tekste e lektyra shkollore. Libra të këndimit. Revista letrare. Emisione radiotelevizive. I kemi, po hapsirat e tyre i kanë uzurpuar partizanët partiak duke ligjëruar “tema politike evropiane” partiake para fëmijëve në vend të shkrimtarëve. E thirrin “Lirinë” nga minaret e xhamive me trutë dhe këmbët në legen mes flamujve turko-arab me gjysmë hënë. Trusakatët e soçëm, që harrojnë se ne si popull flamurin shqiptar kuqezi e kemi hipur në minare të xhamisë edhe në kohën e komunizmit. Dorën në zemër, përjashtim bëri në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë – Shqipëria Nënë, që i stolisi me flamurin kombëtar kuqezi dhe shqiponjën dykrenare përveç shesheve, institucioneve shtetërore edhe minaret e xhamive shqiptare. Nuk vajtuan si qyqe politike lis më lis duke i lënë vezët nëpër çerdhet e huaja nëpër botë. Përpak, e harrova ta përmend edhe një fshat shqiptar të Kërçovës (Llagje), në minaren e të cilit në këtë Njëqindvjetor të Pavarasisë së Shqipërisë valoi krenar edhe flamuri kombëtar kuqezi.

Koha është sot, populli shqiptar ta fajsojë veten si armikun kryesor historik për dështime politike. Përveshi mëngët dhe pantollonat deri në gju, në vend të tirqve falso me gajtana nëpër manifestime e përvjetore, t’i futet punës historike si dikur Rilindasit. Në vend që të derdhi gjakun deri në gju nëpër manifestime të improvizuara kulturore, përvjetore historike, varre e ekrane televizive, derdhi djersë pune në arenën e politikës botërore. Shpatën e Skënderbeut dhe dy koburet e Isë Boletinit në Ditën e sotshme t’i zëvendsojë me penën me dy tyta nëpër libra. Studime shkencore nëpër institucione. Akademi të shkencave. Përfundimisht, hedhë euforinë patriotike që i ka hipur në shpinë mbi samarë duke pasur parasysh ta mashtrojë për pushtet popullin shqiptar, e në realitet me vite e mashtrojnë vetveten si parti politike. Çiftelinë me dy tela, vallen dhe këngët e sotshme patetike “rreth oxhakut” e sofrave të katundit, që nuk hiqen si dikur dorë për dore, krah për krahu e brez për brezi. Edhe, këngët patriotike - patetike “tallava kuqezi” duke derdhur vetëm me fjalë gjakun për liri deri në gju nëpër “manifestime kulturore” e përvjetore partiake para kamerave televizive. Politikokuajt (kërkoj falje nga kuajt se janë kafshë besnike të njeriut) të pushojnë së lehuri për Shqipëri Etnike pas porte para zgjedhjeve lokale dhe parlamntare duke kërkuar ndihmë nga intelektualët t’i shpëtojnë nga mbytja ku kanë rënë bythekrye në hurdhë. Edhe pse, shumica e “intelektualëve” dhe mjeteve të informacionit janë shitur shumë lirë te partitë politike duke manipuluar me popullin shqiptar. Trusakatët harrojnë se, Truri i popullit shqiptar, falë punës së tyre “patriotike kombëtare” nëpër institucione të shtetit kanë mbetur edhe pa bukën e gojës. Dhe, nuk ka pasur njeri t’i shti edhe në varr.  Vite e vite, trusakatët i presin të vdekurit te pragu i derës të ngriten nga varret bashkë me ndërkombëtarët të na e sjellin lirinë në lëmë me koçi, që të na shpëtojnë nga robëria shekullore.

Mjaftë më vajtuat si qyqet lis më lis pa fole! Qyqja e di, kërkon të Vëllain. Hall, kam me ju “patriotët kuqezi”, nuk e di cilin “vëlla” ose “motër” e kërkoni nëpër shekuj në Ditën e sotshme?! Dhashtë Zoti, nuk e kërkoni Babadovletin. Përditë e përnatë  gjatë gjithë Motit Madh (2012) na mbytët me zhurma të dalldisura “kulturore - patriotike” e përurime të librave me autorë neokomunistë . Partizanët partiak, që e kënaqën “politikën madhore”, tashti i janë sulur me “lapsa” në dorë edhe kulturës dhe letërsisë shqipe. Lëmsh i keni bërë profesionet. Politikani merret me kulturë e artisti me politikë. Partitë politike dhe Komunat shqiptare gjatë gjithë vitit u morën me përurimin e librave, në vend të institucioneve kulturore. Koha është, t’i përveshni mëngët dhe t’i futeni punës historike! Hidhni inatet personale për pushtet, Shqipëri Etnike në emër të popullit shqiptar duke na i shpallur familajrët e juaj si heronj kombëtar e na i mbushët arat e bukës me varre e përmendore. Pangopsinë e pasurisë në emër të popullit shqiptar duke e rrjepur si qengjin të gjallë mes livadheve. Ujku nuk e hëngri kaq egërsisht si ju, kur e gjykoi fatkeqin te lumi. Edhe pse, ia turbulloi ujin Babai i tij vite më parë, ai bridredhur disa herë rreth veshëve. Nevojë kemi për Shtet Shqiptar, bukë dhe çati mbi kokë. Muhamedi a. s. e ka thënë moti: Pa Vatan, s’ka iman. Vetëmse, nuk e ka pasur mendjen te shtëpia. Pejgamberi ynë i fundit, sipas Kur’anit, gra dhe shtëpi ka pasur sa t’ia dojë qejfi. Vatan për të ka qenë Atdheu.

Nateditë i nderoni paraardhësit tanë trima për interesa të ngushta personale e partiake për ta mbajtur veten gjallë edhe ndonjë ditë në politikën “madhore” si burra të pushkës e penës. Flamurin kombëtar kuqezi në Vlorë, Tiranë, Prishtinë e Shkup, po e përdhosni duke e  harruar rrugëve me vite nëpër shtylla elektrike e varre. Përditë e mashtroni popullin shqiptar se, të vdekurit do të na e sjellin një ditë Lirinë… Shqipërinë Etnike… Përmëkeq, simbolin tonë kombëtar të Shtetit Shqiptar, kujt t’i teket e hedhë krahëve si ferexhe dhe ngjeshë si poshterkë te bytha.

Përçudi, ju edhe në Ditën e sotshme të Motit Madh (2012) kënduat këngë festive, copë-copë e bëtë çiftelinë me dy tela dhe i ratë fyellit të bariut nëpër oda për “fitore”... Nateditë i luteni Allahut me trutë dhe këmbët në legen në xhami duke e thirrur për ndihmë nga minaret me flemuj turko-arab t’ju shpëtojë nga Dexhalli. Amani, po më villet në Ditën e sotshme të Motit Madh. Zorrët do t’i nxjerr jashtë para këmbëve. O popull, m’i hiqni nga qafa qyqet politike e fetare me votën e juaj të lirë demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare! Mjaftë më dolën në rrugë me protesta partiake-fetare për Liri! Emisione televizive përpara Qeverisë duke na i fotografuar para kamerave televizive fytyrat e djeshme të dështuara komuniste. “Padëgjushmëri qytetare” nëpër institucione të shtetit. Kuvend të improvizuar në rrugë. Koha është të votoni për individë të shekullit, që e kanë dëshmuar veten në arenën politike me punë dhe vlera patriotike për çështjen ende të pazgjidhur shqiptare, e jo për parti politike.

Përfundimi. Pak më ndryshe në Ditën e sotshme historike, jo si te ajo poezia e famshme e Asdrenit për Kosovën: O shqiptar, rrokni huj e shpatë,/ ta shptojmë Kosovën e ngratë! Kosova sot është shtet i lirë demokratik dhe i pavavarur, e njohur nga disa shtete të botës përparimtare. Nesër, e pret edhe një rrugë historike: Rruga e Bashkimit Kombëtar. Vargu im luftarak në këtë shkrim për Nesër, ndryshe e jep kushtrimin nga Dita e djeshme mes mjegullave mbi Shqipëri që na e fshehin me shoshë Diellin:

Ooo, shqiptarë! Koha është t’i bashkoni forcat intelektuale përparimtare dhe përvishni mëngët deri në bërryla për Ditën e Nesërme Shqiptare me punë produktive e jo me fjalë e premtime patetike mes varreve! Përralla arabe duke rrëfyer nëpër sheshe para kamerave televizive. Rrokni penë e libër, ta shpëtojmë Shqipërinë e ngratë!…

Edhe, në këtë fushatë parazgjedhore lokale e parlamentare (2013), e di se nëpër sheshe e stadiume sportive do të çirreni në kupë të qiellit dhe “kërkoni luftë heroike” për Shqipëri Etnike. O, bini burrat e mejdanit – bini Tortës së Pavarësisë!... Dihet, si gjithmonë edhe kësaj radhe fyt për fyti me “armikun për fitore historike” nëpër përvjetore duke iu sulur me legenë e karroca dore Tortës së Pavarësisë (popullit shqiptar)…



(Vota: 237 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: