Frrok Vukaj: Një javë vizitor, një ditë emigrant
| E Merkure, 16.01.2013, 07:42 PM |

Shënime udhëtimi nëpër Greqi

NJË JAVË VIZITOR, NJË DITË EMIGRANT

-Mbresa dhe refleksione nga ndërrim-vitet ’12 në ’13-

EKSKLUZIVE NGA FRROK VUKAJ - Akademia Pedagogjike e Tiranës

PROLOG

Pas disa mëdyshjesh për ta festuar Vitin e Ri në Tiranë apo Greqi u nisëm bashk me Dilen më datë 28.12.20012 për në Greqi. Ishte hera e parë që e vizitoja vendin fqinj. Kisha vizituar Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën po se po, por jo vendin me histori të lashtë dhe të lavdishme, Greqinë. Megjithëse u nisëm në orën 5:15 të mëngjesit, arritëm në Sika të Lamias në orën 20:30 me orën e Shqipërisë duke kaluar në shumë fshatra të bukura, por edhe qytete si Kozan, Larisa, Stilidha, Lamia etj.

Na doli para qysh në qytet Arbri, djali i baxhanakut Viktor Lika. Na pritën me dashurinë më të madhe, Viktori, e shoqja Lina, fëmijët Arbri, Besmiri dhe Silvana. Veçoj sinqeritetin dhe ngrohtësinë familjare  të atyre ditëve që qëndruam atje. Dy ditët e para qenë me shi dhe qëndruam kryesisht brenda duke u çmallur e duke bere gjithfarë bisedash për jetën në Shqipëri dhe në Greqi.

Sapo unë indirekt shpreha dëshirën për të vizituar Athinën, të gjithë se bashku ma përkrahen me shume dëshire idenë e vizitës. Viktori kërkoi te falur për pamundësinë e shoqërimit duke me dhëne makinën dhe djalin për shofer.

Udhëtimi në Athinë

Mëngjesin e 31 dhjetorit bëmë përgatitjet e fundit. U nisem ne ora 8:30 unë, gruaja ime, Dila, Besniku 24-vjeçar, Silvana, gjimnazistja 18-vjeçare. Pas orës 9:00 arritëm ne qytetin e Lamies e morëm drejtimin për  Athinë. Djathtas, male të larta me plot gjelbërim, por disa prej tyre me shkëmbinj të thepisur e gryka te ngushta. Besmiri më shpjegoi se ishte “Gryka e Termopileve” e ajo ndërtesa poshtë “Muzeu i Leonidhës”. Majtas nga deti kanë ardhur persët me anije e në atë Grykë është bërë beteja e famshme. U kënaqa shumë se pashë këtë vend historik duke përfytyruar e sjellë në mendje ato që kisha lexuar në libra e parë në filma. Diku afër mesit te rrugës disa km gjatësi, vend i thatë, me kodra të  larta e shkurre që ngjanin si ato të Vaut të Dejës a bokërimat e Qafës së Qelës afër Pukës. Sipër atyre kodrave shikoja me dhjetëra a më që prodhonin energji me ane të  erës. I shikoja kodër pas kodre e mendja më shkonte në Shqipëri ku në shume zona fryn erë e madhe sa shkul lisat, por akoma i pashfrytëzuar ky burim me vlerë. Pas një rruge te këndshme, ndonëse duhej paguar në disa vendkalime të autostradës, arritëm në Athinë pas orës 11:00. Përshtypja e parë ishte shtrirja e madhe e qytetit, dendësia e ndërtimeve, pjesa dërmuese jo më shumë se 5-6 kate, pa mohuar pastërtinë e hapësirat e gjelbra deri diku të bollshme. Pasi kishin biseduar dje e sot disa herë na priti Leni, një shoqe e Silvanës e Besit. I priti me shumë përzemërsi e u përqafuan si të ishin të një familje. Dy shoqet qëndruan se bashku, ndërsa ne u nisem për tek Metroja.

Disa kate nën tokë udhëtuam në metro me një shpejtësi qe i afrohej 200 km në ore. Pas pak minutash u gjetëm para portës se Akropolit ku ishte edhe qëllimi i vizitës sonë. Takuam Mehill Ndoin nga Fierza e Rubikut, metalurgun e palodhur që Sigurimet Shoqërore i kishin ngatërruar pensionin nëpër zyra e gjykata. Me të patëm udhëtuar para dy a tri ditësh dhe pasi kaluam doganën greke, edhe unë u përfshiva në ato debate të zjarrta dhe të këndshme me Mehillin, Xhevatin nga Trebinja, sot banor ne Pogradec i cili shkonte me të shoqen tek fëmijët në Athinë, por edhe me një çift tjetër të moshuar që nuk ua mësova dot emrin.

Qysh para një ore e ca na priste Mehilli,  për të qenë sa me korrekt ndaj meje. U nisëm në atë te përpjetë jo të thekshme e para nesh shpalosej një pamje magjepsëse dhe madhështore. Ai masiv i lartë e plot pyje gjithfarësh, kryesisht me pishë, ato ndërtime me mure e kalldrëme mijëravjeçare,  interesante e me shije. Ç’të shikoje me parë? Besi e Mëhilli na shoqëronin dhe shpjegonin. Unë pyesja me padurim, lëvizja i pangopur shpejt e shpejt, por edhe ndaloja e vështroja ngultas e me kureshtje sa majtas e djathtas. Mundohesha me  rrokë me sy, me këqyr e precizue sa me saktë gjithçka. Ato mure madhështorë, ato kolona interesante, ai amfiteatër imponues dhe i bukur, ku janë luajtur tragjeditë e famshme greke, tashme janë para syve te mi qe nuk ngopen se pari.

Një befasi e këndshme na ndodhi sapo premë biletat dhe po drejtoheshim për t’u ngjitur në kurorën e kësaj mrekullie. Dëgjoj të flitej shqip. Dikush pyet për hyrjen. Kthej kokën dhe shoh inxhinierin e talentuar Gjin Rosaj, punëtorin e palodhur dhe te pasionuar pas energjisë elektrike. Pa me parë, i them:

-Po ku do te shkosh, o Gjin?

I befasuar kthehet e rrokemi me njeri-tjetrin duke bërë ato pyetjet e zakonshme kur takohen dy të njohur. U ndamë duke e sqaruar se duheshin blerë biletat. Ato kushtonin 12 euro.

Vazhduam ngjitjen dhe pamja bëhej më interesante e madhështore. Shohim nga sipër Amfiteatrin, shkallaret, skenën, pjesën rrethuese dhe objektet e tjera që shkëlqejnë. Gjithçka shumë e qartë dhe konkrete. Na mungonin vetëm aktorët e gjallë, por unë i kisha në imagjinatën time. Bile mundohesha t’i rikrijoja skenat e dialogët nga tragjeditë e famshme greke, vlerat e të cilave shkëlqejnë edhe sot. Pas pak dolëm në sheshin më të lartë që zotëronte gjithë Athinën e rrethinat. Syri ynë kap hapësira të pamata, aq sa pamë Pireun e detin, vazhdimi i Athinës madhështore, i atyre ndërtimeve që dukeshin si pyll i dendur. Unë sigurisht shkruaj për aq sa shoh, njoh e di. Me qindra e mijëra emigrantë kanë punuar dhe jetuar ne Greqi. Shumë prej tyre i kanë vizituar këto monumente të kulturës së përbotshme, i njohin dhe i dinë më mirë se unë, por ka edhe te tjerë që nuk e kane shfrytëzuar ketë mundësi. Mos u habisni. Besi me tha se ka shumë shokë dhe shoqe të tij, bile edhe të Athinës, që nuk e kanë vizituar Akropolin.

Pamjet ishin përrallore, kolonat e mermerta, muret e larta, skulpturat e përsosura, piktura e basorelieve, ndërtime nga me interesantet,  sidomos kolonat e rrumbullakëta, mënyra se si janë lidhur ato me muret, si janë gërshetuar e shkelur gurët ne përmasa aq te mëdha. Kërshëria me shtyn te vërejmë më me kujdes e  shohim se kolonat me përmasa te mëdha, apo me te vogla, janë pjese cilindrike mermeri te dimensioneve te ndryshme, qe shkonin deri ne 1 metër lartësi, te vendosura mbi njëra tjetrën, me aq saktësi, siç puthiten dy gurët e mullirit te blojës, bilës edhe me te puthitur, sa mezi  dallohej vendi i bashkimit. Te përkryer e te papërsëritshëm janë ata mjeshtër te mëdhenj qe kane gjetur mënyra aq praktike dhe precize për këto ndërtime qe janë shpallur pjese e trashëgimisë kulturore  botërore. E bukura dhe e madhërishmja janë aq të përsosura, bile te paarritshme, sa habitemi edhe sot.

Kur  pashë nga këto lartësi Stadiumin e Lojërave Olimpike apo Panteonin, ndjeva kënaqësi te madhe dhe shova deri diku atë kuriozitet te kahershëm për këto vepra te pavdekshme e me histori te madhe.

Nuk gjej fjalët e duhura te përshkruaj plotësisht ato qe pashe me sy (se për te prekur nuk lejohej). Po përpiqem te hedh ne letër ato mbresa te pashlyeshme qe nuk harrohen lehte. Për te plotësuar sadopak ato qe pashe, për kënaqësinë time, por edhe te lexuesve, bëra shume fotografi disa prej te cilave po i ekspozoj. Besi na shoqëronte me kënaqësi e pa përtesën me te vogël na ofronte ndihmesën e tij, aq sa e kisha të rendë, kur me merrte nga dora çadrën apo pallton kur bëja fotografi. Atje sipër, mes shume vizitoreve nga e gjithë Shqipëria e bota, pashe përsëri atë grupin e shqiptareve ku bënte pjese edhe Gjini. Nga një takim i rastësishëm ne ketë dite feste pashë shkodrane, tropojanë, mirditorë e pukianë. Me siguri se ka pasur edhe nga rrethet e tjera, por unë nuk i kam njohur. Me keqardhje them se nuk arritëm te vizitonim Muzeun e Famshëm Arkeologjik, ndërtuar vitet e  fundit, sepse ishte mbyllur atë dite, por vërejtëm nga afër, me aq sa mundem,  arkitekturën dhe ndërtimin interesant e dëgjuam me vëmendje për ato pasuri te mëdha qe ruhen aty.

Thashë disa gjera, por shume te tjera janë te pathëna e te pazbuluara, jo vetëm ne Athine, por edhe ne Shqipëri, pune te cilën duhet ta bëjmë ne e brezat qe do te vijnë.

Një dite pune në ullinj

Ne këto 5-6 ditët e vizitës sime u çmallem e biseduam me gjate me baxhanakun tim, se kur ishim ne Shqipëri. Largësia e Lekbibajit ku banoja unë nga Fusha-Arësi e puna e shtetit na pengonin për te qëndruar bashke me shume se 1 natë. Bile edhe kjo ndodhte rralle, deri ne vitet qe ai iku ne Greqi. Një gjë me beri shume përshtypje. Atë e respektonin shumë, si emigrantet shqiptarë, por edhe grekët vendas. Kjo dukej edhe në vizitat që i bënin në këto dite festash, ndonëse grekët festojnë me madhështi Krishtlindjet. Ne datën 2 janar, herët, troket dera e në paradhomë paraqitet Thanasi, një grek që jetonte në qytetin e Lamias. Pas urimeve për Festen, biseduan disa minuta e ai kërkonte nëpërmes Viktorit 5-6 punëtorë për te vjele ullinj. Unë ne dhomën përkarshi, dëgjoja bisedën e habitesha se si po kërkonte te punonte edhe ne dite pushimi. Ne Shqipëri  e kemi zakon ta shkrehim punën dy a tri dite para e pas feste. Me telefon mezi siguroi një djalë xhaxhai, Artur Liken, i cili nuk mjaftonte . Te tjerë bashkëbisedues e kishin refuzuar Viktorin. Unë, i shtrire ne krevatin ku flija, nuk shihja, por dëgjoja e këto veprime bëheshin disa fshehurazi meje, sepse qysh ne ardhje pata shprehur dëshirën për te marre pjese a te paktën për te pare vjeljen e ullinjve. Ketë e beja për dy arsye: Për t’u njohur me ketë përvoje pune për të cilën flitej aq shume nga shqiptaret, por edhe për te pare konkretisht parcelat e plantacionet për te cilat Greqia është shume e njohur dhe, siç me thane, zë vendin e dyte pas Spanjës. Pa e zgjatur shume, u ngrita nga krevati e shfrytëzova rastin qe me erdhi ne shtegun qe dëshiroja. Pasi u përshëndeta me grekun, ia përsërita mendimin Viktorit, i cili kundërshtonte me vendosmëri. Unë e dija se c ‘mendonte për mua dhe për veten e tij. I vinte disi rende qe një ish-drejtor i shkollës se mesme, një intelektual disi i moshuar, te punonte ne ullinj. E dija se ai me kishte prezantuar për se largu tek shqiptaret, disa prej te cilëve me njihnin, por edhe tek greket kishte folur për këtë baxhanak nga Tropoja qe, sipas tij, shquhej ne punën e shtetit, por jo ne punët bujqësore. Mua aq me bënte ajo, sepse i kam respektuar dhe i respektoj shume njerëzit e punës, se ata sjellin përparim, te mira material e shpirtërore. Me pune dhe vetëm me pune te çdo moshe, bota ka arritur këtu ku është dhe ambiciet janë shume me te mëdha. Këmbëngulja  ime, por edhe përkrahja e gruas sime dhe e kunatës, zbehen kundërshtimet e Viktorit e unë fitova. Pas një mëngjesi te shpejte, u veshëm për pune e u nisem me makine rreth 20 minuta larg. E ndieja veten te gëzuar, jo vetëm për punën qe do te beja, por me shume për çka do te shihja konkretisht. Sa shume e shume kisha dëgjuar e lexuar për fushat e gjera, për punët e renda te emigranteve, për trajtimin e tyre, për përndjekjet nga policia, për jetesën e vështirë e te tjera gjera tronditëse qe s’dua t’i përmend për te mos prishur atmosferën e gëzuar te ndërrimit te viteve. Ullinjte ishin te mbushur plot e degët vareshin gjer ne toke nga kokrrat e bëshme e te tejpjekura. Shume shpejt u përshtata me punën, e cila nuk te këpuste, por duhej te ishe i shpejte e i zhdërvjellët. Thanasi, “pronari ynë”, jo vetëm ishte veshur për pune e punonte njëlloj si ne, por kishte siguruar mjetet për pune pa harruar asgjë: Thasët, shtrojat qe vendoseshin poshtë kurorës e afër trungut, te cilat shërbenin për grumbullimin e ullinjve, krehrat ne formën e prashajkave a te gishtave te dorës, bostiat (shkopinj pylli me maje e gjatësi deri 3-4 metra), sharre me shkop te gjate për te sharruar degët e largëta, bile edhe motosharrë. Sigurimi i plote i mjeteve te punës kursen kohe e shton rendimentin, por shpesh ndodh edhe e kundërta. Mësimi është i qarte për çdo njeri. Puna vazhdonte zinxhirë, shkundeshin ullinjte tek pema e pare, pastaj tërhiqeshin shtrojat tek ulliri tjetër. Kur pesha e vjeljes rritej, ato hidheshin ne thasë. Unë punoja dhe përfytyroja plantacionet e gështenjave, arrave e lajthive ne Tropoje e gjetke. Jo vetëm qe nuk ua punojmë token rreth trungut, por as ferrat e shkurret nuk ua presim, ndërkohe qe 5-6 muaj, fshataret e zonave malore pothuajse pushojnë. Sipas punëtoreve, unë u përshtata shpejt me punën qysh ne minutat e para e po e justifikoja veten. Unë me shume punoja nga një lloj sedre a krenarie ndaj vetvetes dhe Viktorit, i cili siç thashë me lart,  me kishte prezantuar tek te tjerët me vlera me shume sesa i meritoja. Ishte hera e pare qe punoja si “emigrant”, jashtë Shqipërisë apo ne këtë proces pune qe ne veri te Shqipërisë njihet pak.

Kur ne darke baxhanaku foli me Naimin, djalin tim ne Shqipëri, ai me humor iu përgjigj:

“Babi nuk ka mbledhur ne Tropoje gështenjat sa grushti, bile na ka kërkuar me ja ba bacrugë-porogaça  (thelpinj) kur i kemi hangër”. Thanasi ishte rreth 40 vjeç dhe asnjëherë nuk na beri asnjë vërejtje, por rrinte ne humor. Qeshi me te madhe kur i thashë:

-Sot do të punojmë shume se kam ardhur edhe unë.

Me erdhi keq se ishte edhe beqar, bile me shaka i premtova për një nuse nga Shqipëria,  te cilën, po me shaka, nuk e kundërshtoi. Ajo bisede mbeti shaka, se ne nuk u takuam me, por siç me thane, grekët i preferojnë femrat shqiptare si besnike dhe punëtore qe dine te krijojnë e ruajnë familje. Thanasi na qerasi diku nga ora 10:00 me frape e raki dhe me vone na solli edhe hamburger. Siç duket, “pronari ynë” ishte i mire, mendim qe ua shpreha  me shaka punëtoreve.

“Qenka burrë i mire ky Thanasi, nuk po na bën vërejtje, as po na kërkon te punojmë me shume e po rri i qeshur se përgjegjësit bërtasin edhe kur punohet mire”.

Nuk vonuan e ia shpjeguan shakanë time e te gjithë se bashku qeshem me te madhe. Unë e di se vitet e fundit, si kudo, është demokratizuar jeta. Edhe ne Greqi qëndrimi ndaj emigranteve ka ndryshime pozitive, çka ia rrit vlerat edhe shtetit Helen, pa mohuar edhe rastet kur flasin ndryshe.

Besoj se edhe vete lexuesi e kupton se pse u mundova ta justifikoj veten ne atë dite pune. U mundova te isha ne krahun e atyre qindra e mijëra emigranteve shqiptare qe kane krijuar emër te mire ne bote duke siguruar te mira materiale dhe shpirtërore. Dëshira për pune është ndjenja me fisnike e njeriut qe ka çuar boten para. Kjo pune e palodhur  shume shqiptareve u ka siguruar kushte te mira jetese për vete dhe fëmijët e tyre, por edhe grekeve u kane dhëne një shtyse te mire ekonomike-shoqërore.

Vizite ne Fthiotida

Diku pasdite u nisem me Viktorin e gruan time Dilen. Më makine bëme një rruge relativisht te gjate e eliptike deri sa u kthyem aty ku u nisem. Gjarpëron rruga drejt bjeshkëve te bukura, majat e te cilave zbardhin nga bora. Ndonëse është dimër, mbizotëron kudo gjelbërimi nga pyjet e bollshme halore e ullinjte, por edhe pemët frutore ne fusha,  me ngjyre te kuqërremtë,  akoma kane shume gjelbërim. Sa me larte ngjitemi, shtohet gjelbërimi e dendësohen pyjet. Kur dalim ne një kodër, na shfaqet një pyll i pjerrtë qe ngjante me kodrat pothuajse pingule te Alpeve tona, por plot gjelbërim, qe na humbet ndjesinë e dimrit, po qe se nuk na kujton ajri disi i laget e i ftohte. Në atë hapësire, në atë shpat mali, i cili ndahet vertikalisht nga 2 përrenj e horizontalisht nga rruga e makinës e shtruar me asfalt, është krijuar një rezervat natyror 2 pjesësh disa hektarësh, i rrethuar me tela. Siç me shpjeguan, flora e fauna janë te pasura ku nuk mungojnë përkujdesjet e studimet me vlera shkencore. Në sqetull te kodrës, në një rrafsh rreth 2 ha,  i ndërtuar bukur është një Manastir interesant i rrethuar me pisha e selvi, pyje e peme te shumëllojshme. Koha pothuajse  e vrenjtur, pylli i dendur me ngjyre te blerte disi te mbyllur, hijet e perëndimit te diellit, por edhe reflekset  qe krijon  afrimi i natës, i japin natyrës një pamje hijerënde e te frikshme e cila me vone merr disa nuance me optimiste, kur sheh ato ndërtime interesante, kryesisht me gur te gdhendur sipas traditës. Një ansambël ndërtimesh, lulishtet ne mes, një rezervuar qe furnizohet me ujë te rrjedhshëm, ne te cilin kakarisin shume pata, rosa, fazanë e të tjerë shpendë, gjallërojnë këtë mjedis, por ndjen keqardhje për një struc te vetëm qe duket si jetim. E vizituam atë Manastir hijerënde, bile hymë edhe ne sallën ku jepej meshe, më drita gjysme te fikura, që ngjante si një hapësire mes dy jetëve.

Vizituam edhe një  kthine tjetër qe shtonte misterin duke e shndërruar atë ne epiqendrën e manastirit e besimtareve. Kjo zuri fill para 4-5 vitesh, kur hapen varrin e një prifti bamirës, kryesisht ne vitet e luftës së mëvonshme. I veshur me rrobat e zeza, por me zemër te bardhe, me shkop ne dore, kalonte shtëpi me shtëpi, kur vendi ishte i pushtuar e u shpërndante te varfërve ushqime e rroba për veshmbathje…

Emri e fryma e tij humane mori nam, ndaj e varrosen atëherë me nderimet me te mëdha. Hapja e varrit pas shume vitesh për ta sjellë këtu, tronditi krahinën e me gjere, bile shkruan e folën shume mediat greke. Trupi i tij kishte qene pothuajse i paprishur, siç me thane mua. E pashe edhe unë te ekspozuar nen xham ne atë kthinën qe përmenda me larte. Ngjante si ato mumiet egjiptiane te balsamosura shume shekuj para. Edhe ne ketë dite disi te ftohte kishte shume vizitore, ndërsa ne ditët e mira shumëfishoheshin. Kaq te devotshëm ishin besimtaret grekë, sa edhe ne kohen e pushtimit gjerman, kishin ndërtuar një bodrum te nëndheshëm me hyrje, mure e mbuloje te maskuar, ku kryheshin ritet fetare. Çdo fshat qe kaluam kishte jo një, por disa objekte kulti te ruajtura e te mirëmbajtura qe u shërbenin për te kryer ritet e duhura e për t’u përsosur moralisht, gjë qe është e nevojshme edhe për ateistet. Diku larg, ne një lendinë mes pyjesh e shkëmbinjsh, me ra ne sy një ndërtese e vogël. Edhe ajo ishte një kishëz e ndërtuar me mjete rrethanore, por për transportin e llaçit, të hekurit, dyerve e dritareve ishte përdorur helikopteri, pasi nuk kishte rruge makine. Objekte te tilla maje shkëmbinjsh e deri lart ne male shërbenin për te kryer ritet udhëtarët e zakonshëm apo barinjtë, por edhe si strehim për gjahtarët, kryesisht ne kohe dimri. Një te tille pame edhe ne maje te një kodre prej ku dukej fusha e paane e malet rreth e rrotull. Pozicioni i kësaj pike ishte shume i zgjedhur. Ndërtimi i një rruge te thjeshte këmbësore te shtruar me zhavorr e çimento, është sponsorizuar me një vlere jo te madhe nga një banor vendas. Çdo vit komuniteti vendas, por edhe ata te qytetit që kthehen për pushime, mblidhen e vendosin për te ndërtuar apo shtuar diçka te re. Mirëmbajtjen apo ruajtjen e bëjnë vendasit.

Ne një lëndine te bukur, maje një kodre, pame një aeroplan te vendosur ne tre platforma betoni, i dhuruar nga shteti, ne shenje respekti për pilotin trim e te talentuar qe kontribuoi për atdheun. Askush nuk e dëmtonte, as e lëvizte. Pame edhe shkolla te braktisura e kënde sportive qe ruheshin dhe mirëmbaheshin nga komuniteti e pushteti vendor. Asgjë nuk lejohej te tjetërsohej apo te dëmtohej, por te ruhej si relikte e gjalle, si muze i hapur qe tregon një pjese te historisë se fshatit. Pame edhe shtëpi te braktisura, por te padëmtuara. Pame te tjera qe shfrytëzoheshin për pushime, sidomos verës. Një pjese e konsiderueshme e qytetareve vinin e punonin tokat ne fshat duke marre pjese direkt ne pune. Pame edhe plantacione me peme frutore qe shfrytëzoheshin, por edhe ripërtëriheshin vit pas viti. Nuk dua te hymnizoj asgjë, por e ndiej veten keq, kur kujtoj ato vitet e trishtuara kur shembem kisha e xhamia, dogjëm libra e persekutuam intelektuale e njerëz te thjeshte, ato vite kur menduam se mbollëm diçka, por bjorrem shume. Nuk dua te kujtoj vitet e largëta, as ato te vonat, kur shkulem e premë rrafsh me tokën blloqe te tera me peme, prishem stalla e magazina, shkolla e shtëpi kulture, muze e pallate sporti, thyem depo armatimi e deri banka, prishem kanale e rruge makine, uzina e fabrika, rrjete elektrike e rruge treni. Prishem edhe imazhin tone ne bote duke i rene njeri thumbit e tjetri patkoit. Prishem shume vlera materiale e morale, por uroj te kemi zëne mend. Nga shoku e komshiu i përparuar duhet mësuar e dëgjuar dhe për këtë duhet te jemi nxënës te zellshëm. Pa përfunduar një vepër a rruge, ajo fillon te prishet nga cilësia e dobët e punimeve e shpërdorimet monetare.

Pashe një rast interesant ne zonën rurale te Makrakomit. Kaluam mbi një ure te ngushte, mezi njëkalimshme. Unë i habitur pyeta diçka. “E ka ndërtuar gjermani ne kohen e Luftës. Te gjitha urat e tjera i ka marre lumi gjate një rrebeshi…”. E kam prape parasysh atë ure te ngushte e me rritet admirimi për ata qe bëjnë pune te sakta. Pasdite vone, prape vizituam disa qyteza te tjera, por kudo shkuam, zbukurimet për Vitin e Ri ishin te përmbajtura dhe jo te mbingarkuara. Mbase për arsye krize, por edhe pa ketë, teprimet nuk janë te këshillueshme as tek ne.

Diku lart nxinte një pyll i dendur me trupa te bëshëm gështenje e me thane se quhej Kastenije. Siç mund te kuptohet lehte nga një gjuhëtar, ky emër duhet te ketë ardhur nga emri gështenje qe ne shume zona te Veriut quhet “keshtaj” apo “keshtanj” e vendi “kashnjet”. Afria shekullore ne mes dy popujve ka ndërthurje e shkëmbime te vazhdueshme me  ndikime te ndërsjella ne kulturë e ne gjuhe. Për studiuesit e shkencëtaret ka një fushe te gjere për saktësime e studime objektive e me vlere.

Megjithëse kohe krize, shteti prape subvenciononte librat e nxënësve, transportin falas ne çdo fshat, qofte edhe për një fëmije apo “bonuse” te tjera për kulturën, shëndetësinë e bujqësinë. Përveç te tjerash, teprimet e shpërdorimet e kaluara kane pasur peshën e vet ne keqësimin e ekonomisë greke.

Viktori dhe greku Panajoti

Çdo vizitor kur shkon ne një vend për se pari ka kërshëri për te pare e mësuar sa me shume te vërteta se ky është qëllimi kryesor i çdo vizite, aq me shume kur shkon ne një shtet tjetër. Ditët e pushimit, disa prej te cilave me shi, na krijuan mundësinë për t’u njohur direkt e indirekt me shume gjera. Çelësi i kësaj është Viktori qe jeton prej 20 vitesh ne Greqi. Njeh mire vitet e para me vështirësi te mëdha, peripecitë e rrugën e mundimshme për te jetuar me djersen e ballit. Jo vetëm kaq, por njeh edhe ato marrëdhënie te brishta ne mes te emigranteve e pronareve vendas. Ai është rreth 50 vjeç, nga Fushe-Arësi, me arsim te mesëm profesional për mekanik. Mori rrugët e vështira te kurbetit për një jetese me te mire. Më vone mori gruan Linen, fëmijët, Arbenin, Besmirin e Silvanen e vogël e cila kur flet sot shqip, pyet për ndonjë fjale qe nuk e gjen dot. Fati i solli ne këtë fshat me emrin Sika, ku jetojnë edhe sot. Historitë e përvojat janë nga me te ndryshmet, por dua te përqendrohem tek historia e kësaj familje e cila me shërben si një test për te arritur ne disa përfundime sa me objektive. Këto përfundime plotësohen akoma me shume nëpërmes lidhjeve e marrëdhënieve me shume njerëz te moshave e profesioneve e kombësive te ndryshme. Viktori nuk flet shume, por qarte, me ndjesi e vërtetësi, me mirënjohje e sinqeritet, pa ngarkese emocionale te tepruar, qe te zbehin vërtetësinë e realitetit. Siç thashë, fati e dallgët e jetës e sollën ne Sika, por dallgët janë dallge, te lëkundin, të përplasin, bile krijojnë edhe tragjedi. Në një moment, kur ai po lëkundej për t’u kthyer ne Shqipëri për arsye te papunësisë e  përndjekjeve, strehimit e diskriminimit, takon një burrë babaxhan me emrin Panajot Vasilonikolles, i cili, si psikologu i afte, lexon ne sytë e Viktorit një shqetësim e dileme te madhe. Njiheshin edhe me pare nëpërmes punës dhe i besonte shume djaloshit shqiptar. T’i fitosh zemrën jo vetëm grekut, por çdo njeriu, bile edhe te afërt, është shume e vështire, por pukiani e kishte arritur këtë me pune te ndershme e te sakte.

“Jo, nuk do te ikësh, por do te rrish këtu. Do te kesh përkrahjen time se e meriton. Ti me familjen tende do te banosh ne shtëpinë time, unë ne katin e dyte e ju ne katin e pare”. Për Viktorin kjo ishte befasuese. Jo se nuk e meritonte ndihmën, por te ishte aq bujare, nuk i shkonte ne mendje. E kupton edhe ti, i dashur lexues, se greku nuk gënjehet lehte (bindet), bile as një fëmije 5-vjecar, por ai ishte bindur gjate punës për cilësitë pozitive te emigrantit shqiptar e te familjes se tij.

Këto lidhje forcohen e rriten nga dita ne dite, pasi po ndërtoheshin mbi themele te forta e mirëbesimi. Pasi u strehuan ne katin e pare, jeta vazhdonte normalisht e marrëdhëniet reciproke përmirësoheshin vazhdimisht. Shpesh here pinin kafe bashke, por edhe hanin ne një tavoline. Aq mire shkonin këto marrëdhënie sa ngjanin si një familje. Panajoti ishte human e i pakursyer, bujar e miqësor. Shpesh here kontribuonte shume me tepër se i takonte ne furnizimet me ushqime apo pagesën e dritave e ujit. Fëmijët e tij, qe jetonin ne Athine, tashmë te rritur e ne gjendje te mire ekonomike, ishin po kaq miqësorë e bujarë. Here pas here vinin për vizita e festa e jetonin si një familje, kontribuonin e binin dhurata me vlere. Në mes te tjerash, me përmendin një televizor qe kushtonte me shume se 400 EU. Ne këto lidhje, sigurisht se kishte edhe interesa te ndërsjella, por ne themel qëndronte humanizmi e mirëkuptimi. Puna, miqësia e sinqeriteti forconin lidhjet e kontributet ndaj njeri–tjetrit deri aty sa një dite, Panajoti i ofroi Viktorit për t’i përdorur për nevojat e familjes, zetorin e mjetet e punës, stallën e token prej 10 ha, pa asnjë detyrim, bile nuk do te paguante as qiranë e shtëpisë.  Sigurisht se mirënjohja e familjes shqiptare ishte e madhe e nuk nguronte për t’i kompensuar sado pak, atij e fëmijëve ne Athine, këtë respekt e ndihme me prodhime bujqësore e blegtorale. Një dite, kur po pinin kafe ne oborrin e shtëpisë në sy te vajzës se tij, Karules, i kishte thëne Viktorit:

“Unë jam plak e një dite do te ndahem nga kjo jete. Siç e ke kaluar me mua do ta kalosh edhe me fëmijët e mi. Mjetet e punës, shtëpinë, stallën e token do t’i përdoresh për aq kohe, sa te zgjidhesh problemet e tua ekonomike”. Duket e pabesueshme, por kështu kishte ndodhur. Shpesh njerëzit nuk i tregojnë nderet, bile edhe i mohojnë, por kjo familje kishte dëshire ne shenjë dashurie e homazhi, ta shprehte këtë vepër humane te grekut e fëmijëve te tij. Tashmë ai nuk jeton prej 2 vitesh, por për jete ruajnë respektin me te madh, ashtu siç e kishin kur ishte gjalle. Kur vdiq plaku, Viktori kërkoi te përballonte shpenzimet, por i biri, Jani,  kundërshtoi me vendosmëri, sepse nuk ndjehej keq nga ana ekonomike. Dukë pare se këmbëngulja ishte e madhe, pranoi gjysmën e vlerës, më shume për te respektuar ndjenjat e dëshirën e kësaj familje dinjitoze shqiptare.

Disa dite pas vdekjes se babait, duke lexuar diçka ne sytë e Viktorit, Jani tha:

-Ne do te vazhdojmë si me pare, asgjë nuk ka ndryshuar. Ju falënderoj shume për respektin qe i keni bere babait tim e familjes sime.

-Kur te vini me pushime, duhet te me tregoni me pare qe t’ju liroj shtëpinë,

-shton Viktori.

-Ashtu si me pare, mos e ndjeni veten keq. Ju ne katin e pare, ne në te dytin.

Kane kaluar mbi 2 vite e sa here vijnë nga Athina, jetojnë se bashku si me pare. Jani me nusen e tij Theodhoren e motrën Karulen, qe te tre me arsim te larte, punojnë e jetojnë ne Athine. Janë po aq miqësorë e humanë sa Panajoti, bile, te bën shume përshtypje, se edhe familja e nuses tregojnë te njëjtin respekt. Unë veçoj e me bën shume përshtypje një detaj i plakut kur ishte gjalle, mesazhi i te cilit duhet vlerësuar e afirmuar shume:

-Tashti unë mendoj me shume për familjen tende sesa timen. Fëmijët e mi janë rritur e janë ne gjendje te mire ekonomike. Pra, nuk kane nevoje për ndihmën time. Shqetësohem me shume t’ju ndihmoj juve, - i kishte thëne Viktorit gjate një bisede.

Kjo është shume prekëse e meriton respekt, por duhet te frymëzojë edhe shume familje e pronare grekë qe kane mundësi te integrojnë ne jetën shoqërore-ekonomike emigrantet shqiptare te cilët zotërojnë energji te mëdha fizike e intelektuale duke u bere gjithnjë e me shume frytdhënës e dinjitozë.

Sigurisht se lexuesi është i interesuar te dije diçka me gjate për këtë familje qe përmendëm me lart. Kryesorja është se janë te përkushtuar për punë qe është themelore për çdo njeri. Nuk kane pasuri te madhe, por kane krijuar një stabilitet te kënaqshëm ekonomik e shoqëror. Viktori ka marrëdhënie te shumta me familjet greke te krahinës, me emigrantet shqiptar, me shoke e miq, veçanërisht me komunitetin ku punon e jeton, për te cilët shpesh ka kontribuar e vazhdon përsëri pa u vetëmburrur. Punon me zetorin e tij ku kane nevoje banoret vendas, pa sy tamahqari, duke qene edhe human. Token qe ka ne përdorim e punon te teren duke e shfrytëzuar ne maksimum, ndihmon edhe te shoqen ne atë stallën ku mbajnë disa bagëti për nevojat e veta. E shoqja kujdeset për një shtëpi të braktisur, jo me larg se 100m e merr një shpërblim te kënaqshëm për punën qe bën.

Arberi ka mbaruar shkollën e mesme për mekanik e prej 5-6 vitesh, punon ne një servis makinash. Është djalë i qete, i palodhur e i afte profesionalisht, i ndershëm e komunikues. Për te plotësuar portretin e tij mjafton vetëm ky fakt: Pronari e ka mbajtur ne pune prej vitesh, duke larguar edhe punëtorë grekë, por këtë jo, pasi ka përshtypjet me te mira.

Besmiri i zhdërvjelltë, i shoqërueshëm e hokatar, me njohuri te admirueshme për kulturën greke e shqiptare, ka mbaruar arsimin e mesëm e vitet e fundit ka punuar si hidraulik. Kriza e kohëve te fundit i ka pezulluar punën edhe pronarit te tij, por po përpiqet për punësim tjetër.  Këmbëngulja e tij flet pozitivisht, bile syrin e ka hedhur deri ne Australinë e largët. Mos u habisni, ëndrrat e guximshme bëhen realitet vetëm nga njerëzit e guximshëm.

Silvana vazhdon me përkushtim gjimnazin, por përpiqet te mësojë edhe pasuritë e mëdha shprehëse te gjuhës shqipe, të cilën e zotëron ne mënyre te kënaqshme.

Me te ardhurat e fituara, kjo familje, përveç te tjerash, do te blejë se shpejti një shtëpi banimi aty afër .

Kthimi

Dihet se çdo vizite dikur i vjen fundi. Për ne kjo u përshpejtua pak, pasi Arbëri e Besi do te vinin ne Shqipëri për te pare gjyshërit e te afërmit e tjerë. Me date 4 janar 2013 u nisem ne ora 6.00 me orën tone. Hapësirat e makinës të mbushura plot e përplot me ushqime e dhurata për shume te afërm, nuk mjaftuan, por sajuan edhe koshin sipër,  te papërdorur prej vitesh. Edhe kjo qe pame ishte shprehje e zemërgjerësisë së natyrës bujare te kësaj familjeje e cila ndjente me shume kënaqësi, kur gjente ndonjë vend për te shtuar gjëra te reja. Dita shume e bukur e shtonte kënaqësinë e bukurinë e udhëtimit tone. Dyfish emocionues e me interes e beri këtë udhëtim edhe kalimi afër 70% ne një rruge te re, pra ndryshe nga kishim ardhur. Dalëngadalë rrezet e diellit shkrinë lagështirën e ftohte te natës e rriten temperaturën. Edhe një here kaluam për here te dyte neper qytetin e bukur te Lamies te shtrire rreze kodrave te veshura me ndërtime te reja deri afër majës, por edhe anash tyre e ne lugina te hapura. Edhe pse disa rruge te ngushta ne qendër te qytetit, nuk e ndjeje ngarkesën e trafikut, pasi ai funksiononte vetëm ne njërin krah. Kaluam kodra e male te larta, por edhe fusha te gjera te punuara me kujdes, duke pare edhe një pjese te Fushës me emër të Thesalisë e cila shquhet për pjellorinë e saj. Një gjë me beri përshtypje. Fshatrat ne te dy anët e rrugës se makinës nuk shquheshin për ndërtime te bukura apo për një nivel te larte jetese, mesa kuptova unë. Kaluam  ne qendër te qytetit te bukur Trikala me ndërtesa  te larta, por te sistemuara dhe me arkitekture te këndshme. Mbizotëronte pastërtia e gjelbërimi kudo qe kaluam. Bukurinë e këtij qyteti e shtonte shume edhe lumi qe rridhte i qetë mes përmes tij. Fushat përreth, malet si kurore, pyjet e bollshme e me ne veri kullotat alpine e shkëmbinjtë interesantë, te mbuluar me një shtrese bore te holle, ngjanin si gjerdan me fishekë. Pamja te shpërfaqej si një stadium gjigand. Hijerëndë, si dëshmi e historisë, majë një kodre, qëndronte edhe Kalaja me mure te trasha, rrethuar me pyje te shumta, kryesisht pishe e selvi. Nuk udhëtojmë shume e na shfaqet parasysh diçka shume interesante. Shquhet një masiv shkëmbor, konturet e te cilit behën gjithnjë e me te qarta, sa me shume afrohemi ne. Ka një pamje ballore te gjere, por me vone dallojmë edhe te ndara natyrore deri afër “rrënjëve te tij “ qe shërbejnë si porta për te kaluar pas tij. Ne këmbët e tij tashme shohim qarte qytetin Kallabak, por vëmendja jone ngulet tek ai shkëmb i stërmadh qe vendasit e quajnë “Meteor”. Ndoshta me te drejte, se hapësira bën shpërthime te papritura, befasuese e te vështira për t’u njohur. Tashme ne jemi përballe këtij monumenti natyror gjigand te ngulur thelle ne toke, me atë pamje magjepsëse, ato porta ndarëse deri ne toke, me atë sipërfaqe disi te ashpër e te murrme si e suvatuar me çimento ku vërejmë edhe disa fshikuj a si litarë te mëdhenj mbi “lëkure“ që zgjaten deri ne themele. Këto e te tjera janë mrekulli te natyrës, shume te vështira për t’u njohur e përshkruar. Ashtu si padashje, larg në horizont, syri yne  mezi shquan maje shkembinjeve qindra metër te larte, mu buze humnerave te larta, disa manastire qe duken si vetulla te thinjura.

Me këto ndjesi mbresëlënëse ndahemi nga këto pamje mahnitëse e shkurtojmë kilometrat e rrugës. Sa me shume vrapojmë, unë humbas  ne mendime e përfytyrime rrëqethëse për ato rruge aq mizore e te errëta për emigrantet e viteve te para. Makina gulçon e shfryn nga te përpjetat e tatëpjetat e rrugës, ndërsa unë kujtoj copëza tregimesh tronditëse te emigranteve fatkeq. Shoh konkretisht e përfytyroj skenat e llahtarshme te shume adoleshenteve e te rinjve shqiptarë qe morën rrugët e gjata e te panjohura. Nata e mistershme, grykat e ngushta te maleve, shkurret e ferrat e dendura diku-diku edhe lëndina “tradhtare” te pafajshme, janë kurthe te rrezikshme për çdo kalimtar te paligjshëm. Dramatizmin  e tragjizmin e shtojnë akoma me shume bora e stuhitë e mëdha, vende-vende pyje te larta shekullore ku rrezet e diellit nuk depërtojnë as ditën, urat e disa lumenjve te panjohur me ujin pis te zi jo vetëm natën, por edhe ditën e të tjera tablo rrëqethëse për çdo udhëtar te natës me mistere te pafundme. Edhe gjeografi me i shquar të vështirë e ka te orientohet ne kushte te tilla. Shpresa e vetme e tyre, Zoti e shtyllat e tensionit te larte për Athinë. Segmente të policisë së atëhershme ne ato pike kalime te jetës a vdekjes u zinin pusi atyre njomëzakeve fatkeq. Sikur te mos mjaftonin këto qe thashë, ne shume vende, pashe tabela dritheruse me mbishkrimin grek “Kujdes, kalojnë arushat”.

Kane kaluar vite e shumëkush mendon se ndonjëri po ndërton jetën e tij ne ndonjë ishull magjik duke harruar familjen nga erdhi. Mendime ogurzeza me vetëtijnë ne koke. Mundohem t’i largoj, por me sillen si hije te liga.

O Zot, mos qofshin te vërteta!

Meditime pas vizite

Kur njeriu ndodhet larg shtohet malli e dashuria për te afërmit, për shoqërinë e vendlindjen. Sa me shume i afroheshim doganës shqiptare, aq me mire e ndjenim veten e sikur harliseshim duke marre edhe fryme me lirshëm. Mesazhet e fjetura ne telefon sa vinin e shtoheshin, por edhe unë fillova komunikimin me te afërm e miq, sikur te isha ndare prej vitesh. Shijoja me kënaqësi ato pamje te mrekullueshme e krijoja me to një lloj intimiteti qe ta jep vetëm vendi yt. Ç’të përmend me pare: Fushën e Devollit, malet përreth, Korçën a Pogradecin me perlën e tij qe s’ka te krahasuar, Luginën e Shkumbinit e ato ura befasuese qe zemra ma beri “tak”, kur kujtova vitet e aksionit si student, apo Elbasanin e Ri e te Vjetër, me Kalanë ne zemër, dëshmi e rrënjëve te thella e luftërave shekullore. Me te bukura e me interesante m’u duken edhe Qafe Thana e Qafe Kërraba qe duhen shijuar e vlerësuar me shume. Tirana ruante atmosferën e Festes e llamburiste nga zhurma e dritat shumëngjyrëshe. Është e natyrshme, se pas çdo vizite, njeriu bën një lloj analize, krahasimi e vlerësimi te shpejte e te sinqerte për çka ka pare e dëgjuar.

Zemra m’u rrit kur pashe Rrugën e re për në Elbasan, por ajo qetësi e 4 janarit nuk me pëlqeu e si pa dashje m’u kujtua ai greku qe punonte qysh me 2 janar.

Ne asnjë fshat apo qytet te Greqisë nuk pashe grumbuj mbeturinash as varreza makinash, bile as letër e plastmase te hedhur.

Pak njerëz shëtitnin e pinin kafe neper qytete a fshatra; akoma me pak lëvizje neper rrugët ku kalova.

Zbukurimet për Vitin e Ri ishin modeste, ndoshta nga kriza, por me shume ekzistonte ndenja e kursimit.

Dukeshin sheshit shume shtëpi te pabanuara e fshatra me pak banore, por jo te braktisura. Ku me shume e ku me pak ruheshin lidhjet e vërehej një tendence për t’u kthyer ne fshat, pa mohuar edhe përpjekjet për një jete me te mire jashtë vendit.

Me sa pashe e kuptova, ka një klime me te mire për emigrantet, pa përjashtuar se vende-vende gjallojnë edhe ndjenja e praktika te diskriminimit.

Është rritur dinjiteti e niveli ekonomik i shume shqiptareve përmes punës e qëndrimeve korrekte ne komunitet.

Shume fëmije mësonin me pasion ne shkollat greke, por mësimi i gjuhës shqipe lë për te dëshiruar. Me shume mësohej ne mjediset shqiptare, por kjo nuk mjafton. Ne dy familje pashe dy pamje te kundërta: fëmijët e njërës dinin shqip, ndërsa te tjetrës jo. Komuniteti i ka mundësitë e punësimit te një mësuesi për mësimin e shqipes.

Me beri përshtypje se shume te rinj përpiqeshin për punësim e zanate te reja, por vërejta edhe një rast interesant: një grua ishte kasapja me ne zë ne atë zone e cila rripte qengjin për 15 minuta. Fillesën e shprehive të para e kishte që në moshën e rinisë nga babai i saj në Iballën e largët. Ajo quhej Xhevahire Lika dhe vërtet ishte e tillë.

Me kryesorja është, se kudo shkova e këdo takova, jo vetëm pyesnin me mall  për Shqipërinë, por mbanin edhe lidhje te ngrohta me familjet e tyre e te afërmit.

EPILOG

Shume ujë ka rrjedhur ne lumin e historisë e shume gjera kane ndryshuar për se mbari. Shume vone e jo sa duhet. Bota gjithnjë e me shume po integrohet, por ne  Ballkanin problematik, me gjithë arritjet, prapë enden hijet e se kaluarës, ato hije ogurzeza qe sollën aq shume fatkeqësi e prapambetje. Vatrat e shovinizmit,  diku-diku, ende po lulëzojnë e ato janë kobzeza, janë paralajmërim për gjithë shoqërinë, për Evropën,  Amerikën e mbare  Boten, për me shume masa parandaluese, për me shume kura efikase. Në te kundërt, tragjedi te reja do te shohim, me përmasa e pasoja te pariparueshme. Lojëra te rrezikshme nga aventurier te çekuilibruar po ndodhin shpesh. Atyre u duhet treguar vendi. O Zot, urojme te mos ndodhe më e keqja, por më e mira. Ndihma e secilit vlen shumë e ajo duhet dhënë pa kursim.

-----------------------

(Per ZSh- nga redaktor ynë në NJ, USA, Zeqir Lushaj )

–14  Janar 2013-



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: