Beqir Cikaqi: Intervistë ekskluzive me “Artistin e Popullit” Skënder Sallaku
| E Merkure, 12.02.2014, 09:04 PM |

Ripublikim

Intervistë me “Artistin e Popullit” Skënder Sallaku

A e them edhe një…!

Ekskluzive nga Beqir Cikaqi

Skënder Sallaku “Artisti i Popullit”, është njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, ish kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur  për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk… Humori dhe cirku është  vetë jeta e tij...! ''Talentin e kam pas dhunti, por publiku me ka bërë që unë të jem ky që jam…!''

Me Skënder Sallakun u takuam në fundvitin që lamë pas. Përveç disa bashkëkombasëve në atë pasdite dhjetori, me “Artistin e Popullit” ishte edhe shoqëruesja e jetës së tij, artistja e madhe e cirkut shqiptar, zonja Vitore Sallaku që mban çmimin“Mjeshtre e Madhe”. Zonja Vitore, përveç që është (ishte) artiste e cirkut, ndryshe njihet si njeriu pa eshtra, është edhe autore e disa librave, ku autorit të kësaj interviste i dhuroi dy libra autorial. Meqenëse ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të takosh artistët e mëdhenjë të estrades shqiptare, nuk e lëshova rastin ta marr një intervistë të cilen ekskluzivisht do ta botojmë në ZEMRA SHQIPTARE. I madhi Skënder Sallaku, rrëfente pa asnjë hezitim, batuta, ngjarje nga jeta  private, jeta artistike, shoqërore, etj. Sa mbaronte një rrëfim apo batutë, ulej, e “freskonte” gojen dhe në shenjë nderimi kërkonte leje: A e them edhe një! Natyrisht aprovohej me shumë dëshirë dhe ndiqej me vëmendje…!

Para se të vendosim të i parashtrojmë pytjet e intervistës, për lexuesit të iu kujtojmë (edhe një herë) se cili është profili, në vija të shkurta i Skënder Sallakut!

Skënder Sallaku “Artisti i Popullit”, është njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, ish kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur  për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk. Përndryshe, Skënder Sallaku ka lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë, ku ka kryer fazat e para të shkollimit, 7 vjeçaren të shkolla “Lidhja e Prizenit”, Liceun artistik te ”Jordan Misja”, mandej ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet  specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Ka punuar si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobati në cirk duke e ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të bukur. Ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj.

Ka një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë, tani në janar 2013 i bën plotë  gjashtëdhjetë vjet në skenë për të cilin është shkruar e folur në shumë gazeta, radio, televisione e mjete tjera elektronike e të shkruara. I cilësuar si kllounatës i parë në cirk dhe komedinë shqiptare, të cilën edhe vete e pranon se humori dhe cirku është  vetë jeta e tij. Është i martuar me artisten e cirkut znj. Vitore Sallaku (Rasha), ku  kanë një djalë e një vajzë të trashëguar  edhe me nip e mbesa. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ka edhe çmimet”Artist  i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, “Urdhri i punës i klasit të dytë”, etj.

Kur keni patur paraqitjen e parë në publik?

Skënder Sallaku: Unë fillimisht jam marr me mundje, natyra ma fali trupin për mundje. Madje dy vjet isha kampion shtetëror i mundjes klasike. Nga rezultatet e arritura në nivel shtetëror më ftuan në kombëtare, kështu përfaqësova Shqipërinë në ballkaniadën e Sofies.

Cili ishte suksesi i juaj në atë Ballkaniadë?

Skender Sallaku: Ani se në  Sofie nuk arrita ndonjë rezultat të lakmueshëm, vetë pjesëmarrja ime, ku  përfaqësoja  kombëtaren  në stilin mundjes klasike dhe dalja jashtë shtetit për herë të parë e konsideroja si sukses. Me thanë të drejtën kjo ishte edhe dëshirë e gjithsecilit të ri në atë kohë që t’i jepet rasti e të dalë jashtë shtetit. Gjatë kohës sa  zhvillohej Ballkaniada, ne bënim përgatitje, dhe meqenëse isha edhe akrobat i cirkut, gjatë provave dhe kohës së lirë bëja akrobacione që pëlqeheshin nga të pranishmit, andaj fitova një simpati të veçantë. Aty nis edhe kontakti im i parë me gjuhen italiane. Sa herë që drekoja apo darkoja, një gazatar italian afrohej dhe më thoshte: buono apetitto! Nuk e dija se çka po me thoshte. Kështu vazhdoi disa herë, dhe dikur e fitova përshtypjen se më pyet si quhem. Herën tjetër kur më përshëndeti: buono apetito, iu përgjegja: Skënder Sallaku… I tregova përgjegjësit të grupit tonë se  kështu, kështu…me përshëndet një gazetar. Më tha se ajo fjalë do të thotë të bëftë mirë! U gëzova që e mesova këtë përshëndetje italiane, dhe me vrap shkova në restorant ta përshëndes edhe unë gazetarin në gjuhën e tij. Dhe, kur e përshëndeta “buono apetitto”, e dini si m’u përgjegj: Skender Sallaki!

Po me zonjën Tuaj kur u njoftuat dhe si u arrit martesa !?

Skënder Sallaku: Me u njoftua me këtë zonjë (i drejtohet me dorë, sepse e kishte në krahun e djathtë) nuk ishte rastësi, u njohëm në cirkun e Tiranës kur Vitorja ishte vetëm 15 vjeçe. Aty na u krijua spontanisht lidhja e dashurisë, sikur dinë të dashurohen të rinjët. Kështu me kalimin e kohës u forcua lidhja e jonë, sa ishte e mjaftueshme të vendosim që të martohemi. Për të bashkëjetuar e mendoja se i kishim dy pengesa të mëdha para neve. Një se Vitoria ishte nga një familje e fesë katolike, e unë nga një familje i fesë muslimane, kështu i frigoja se nuk do të hasi në përkrahje të familjes, konkretisht të babës tim. Ndërsa pengesa e dytë  ishte shumë ma e madhe dhe e pa kuptueshme, se Vitore Rasha i takonte një  familje që ishte në kundërshtim me “pushtetin popullor”. Me familjen time nuk pata shumë probleme sikur e paramendoja. E mendova ta improvizoj një “lojë” të cirkut. Në valigje e futa Vitoren dhe e dërgova në familje te baba. Sapo e hapa valigjen doli Vitorja, babai dhe të tjerët u befasuan… Ndërsa, kur vendosa të lidhë kurorë me Vitoren, pata probleme të jashtëzakonshme dhe presione të ndryshme nga “pushtetarët”. Por unë isha këmbëngulës, madje e afrova edhe teseren e partisë, se ashtu edhe kërkuan po deshe Vitoren  dorëzo teseren…! Megjithate nuk ma muaren teseren e partisë!

Ia dolët të jeni  bashkë, madje edhe të avansoheni në profesion. Si është e mundur, kur dihet se ishte vështirë të ia dalësh kur bie ndesh me “vijen e partisë”…!?

Skënder Sallaku: Së pari ne të dy ishim të vendosur, sidomos kjo varej nga unë, prandaj isha shumë i vendosur që ta kem shoqe të jetës Vitoren, duke përballuar çdo kusht e barikadë që më vihej. Dhe, nuk jam pishman asnjëherë. Po si të bëhem pishman me këtë bukuroshe, i drejtohet Vitores dhe ia plase së qeshuri. Qeshëm të gjithë pas tij… Ndërsa tjetra që ia dolem, mendoj si kryesore ishte talenti i ynë, e sidomos i Vitores në akrobacionet e cirkut, ku edhe fitoi të drejtën të specializojë në Moskë, e mandej së bashku në Pekin, etj.

Përveç rastit që kishe me kurorëzimin me zonjen Vitore, ke qenë edhe ndonjëherë në pozitë të palakmueshme  në raport me “pushtetarët”?

Skënder Sallaku: Po! Në pragë të festës së vitit të Ri, çdo herë organizoheshin takime në mes artistëve të estradës, këngëtarëve të njohur me drejtuesit e Byros Politike, ku çdo herë ishte prezent edhe “shoku” Enver (Hoxha). E prezentova një batutë, të gjithë duartrokiten, vetëm “shoku” Enver jo! Si duket  nuk i pëlqeu. Në prapaskenë, njeri nga kolegët, më tha e “hëngre”, se nuk të duartrokiti “shoku” Enver. Me thanë të drejtën më kaploi  një frikë e pa kuptueshme. E mundova në kokë  një ide-batutë duke e inskenuar, dhe dola pa e planifikuar edhe një herë para të pranishmëve, kësaj radhe edhe pa planifikimin e regjisë. Ia përshtata krejtësisht “shokut” Enver. E kuptoi si të drejtë, ashtu sikur edhe e pata paramenduar! Filloi të duartrokas i pari…! Unë fillova të lirohem nga ai ankth. Më pas  duartrokitën edhe të tjerët.

Dhe nuk e lëshova rastin të shprehi “frikën” dhe “fitoren” time, duke iu drejtuar të pranishmëve: ”e sikur të mos duartrokiste “shoku” Enver, edhe kësaj radhe unë do t’a haja…!” Mora edhe një herë duartrokitje! Ika prapa skenes, morra frymë  lirshëm. Ndërsa në përfundim, qëllimisht iu afrova “shokut” Enver, i cili më rrahu supet duke më thënë ”Të lumtë o Skënder, i fortë je…!”

Ishe mundës, akrobat cirku, humorist skene, imitator, aktor filmi,..etj. Cili “profesion” nga këta iu ka lënë mbresa e suksese?

Skënder Sallaku: Me secilën këto profesione kam pasur suksese! Në mundje, përveç që isha kampion  kombëtar për dy vite, pata fituar të drejten e daljes jashtë shtetit për herë të parë.  Gjithashtu, edhe në cirk fitova të drejtën të specializoj në Kinë dhe ta mësoj kinezishten në shkallë të kënaqshme. Me humor e imitime gjej emocione të veçanta sikurse edhe në rolet që luaja në film. Nga mundja jam larguar që në fillim të karierës. Kam vazhduar paralelisht me cirkun dhe estraden, sa ishin së bashku. Kur u nda estrada nga cirku, unë i mbeta besnik estrades, sepse cirku do shumë punë e stërvitje të pa ndërprerë, prandaj në estradë kisha ma shume kohë për pushim e relaksim. Talentin e kam dhunti natyrore, por që ta ruaj dhe ta përsosë  më shumë, më është dashur  punë profesionale që duhen kombinuar të gjitha mundesitë. Psh. Për të luajtur një skenë humori duhet të përvetësosh tekstin e rolit, mandej imitimin e rolit që të del sa ma i kapshëm për publikun edhe disa elemente të akrobacioneve që lidhen me cirkun, pra i gërshetoja të gjitha këto elemente. Edhe filmi “Cirku në fshat” ku kam rol të rëndesishmëm  jo astësisht ka marrë këtë emërtim.

Ndonjë emocon të veçantë me publiku, në skenë dhe jashtë skenës?

Skënder Sallaku: Publiku është ai që më ka sjellë emocione të jashtëzakonshme. Ai me duartrokitjet e veta të përvetëson, të nxitë që të japësh maksimumin. Talentin e kam pas dhunti, por publiku me ka bërë që unë të jem ky që jam! Në cirk duhet të jesh shumë i kujdesshëm, se mund të pësosh. Kështu nga një jo koncentrim  i duhur, një herë për pak sa nuk e pësova, dhe falë gjindëshmërisë time u kapa për perde, të cilat kur u shkulen u mbyta me pluhur, ndërsa spektatori mendonte se kjo që ndodhi ishte e përgatitur…! A e them edhe një…! Në vazhdën e shumë ndodhive që më kanë shoqëruar…! Duke ecur rrugëve të Tiranës, më vjen një zë, o Skënder, o Skënder…! E kthej kokën, vërej një person që ma bën me dorë, duke me urdhruar që të pres. Vjen afër, përshendetemi, ndrrojmë pak bisedë, dhe unë nis të vazhdojë rrugën. Më thotë ndal, ti më njeh! I them të njoh po s’ta them dot emrin! Po, kur ishe në Kukës me estraden, unë isha në publik në rreshtin e katërt. Ta bëra me dorë, edhe ti më përshëndete. Ai jam! Ashtu!- i thash, ti qenke ai…! E sa me paska marr malli të të takoj - i them pa e ditur se kush është. E po e shef se unë s’të kam harruar- më tha! As unë jo,- iu përgjigja! U ndamë me të panjohurin, u gëzua edhe më shumë që i thashë se më kujtohet… Kështu kam dhe shumë e shumë raste të tjera, që njerëzit më ndalin  e unë duhet të iu përgjigjem se i njohë! Kjo është kënaqësia e ime dhe besoj e çdo artisti.

Kur është  fjala për artistët, ju në karrieren gjashtëdhjetvjeçare keni bashkëpunuar me shumë artistë. Mund ta veçoni ndonjë që duhet përkujtuar?

Skënder Sallaku: Është e vështirë të përmenden të gjitha ata artistë, regjisorë, skenografë, tekstshkrues etj. sepse janë të shumtë. Frigohem se do të iu mbetem borxh nëse dikujt nuk ia pemend emrin. Por nuk mund ta anashkaloj Telat Agollin te cirku. Dikur ishte i njohur edhe humoristi  Tano Banushi, etj. ndërsa tani do përmendja  Behar Merën, Agron Llakën, etj.  Është mëkat që Estrada e Tiranës nuk ekziston më, artistët janë shpërndarë në gjithë rruzullin. Kisha edhe unë oferta, madje edhe në Amerikë, por nuk kam pranuar. Për mua Tirana është qyteti më i dashur në gjithë botën… Më vjen shumë keq edhe për cirkun shqiptar që dikur ishte i një niveli shumë të lartë, e tani është në nivelin zero.

Me çka merret aktualisht “Artisti i Popullit”  Skënder  Sallaku?

Skënder Sallaku: Në këtë janar i mbush  78 vjet jetë dhe 60 vjet në skenë, ku jam nga mosha  tetëmbëdhjetë vjeçare. Jam akoma vital. Paraqitem herë pas here nëpër televizione të ndryshme. Të merresh me cirk do të thotë se disa sekrete magjie nuk lejohen të publikohen, ato ruhen në mes vete artistëve e magjistarve. Më ka rastisur një moment që i kam dalur në ndihmë edhe magjistarit vlonjat Nadir Nura, edhe atë në Preshevë. Kohë pas kohe shkoj për vizita nëpër vende të ndryshme, sikur tani në Itali që jam. Nga do që shkoj më shoqëron Vitorja, të cilen e kam më besniken në këtë jetë. Kur jemi vetëm nganjëherë zihemi… Hahaha qeshet. Më sugjeron që mos të pi jashtë nga shpija. Dhe, ashtu i kam premtuar! Një ditë në qytet u takova me do bashkëmoshatarë të mi, pimë nga një, dy,… dhe kur u ktheva në shtëpi, e vërejti menjëherë gjendjen time  Vitoria. A të kam thënë që mos pi jashtë- m’u drejtua. Iu betova në kokë të saj, se ishte shi jashtë e kemi pirë mbrenda, mos u bëj merak ! Filloi të qeshet duke bërë me mimikën e syrit! Qeshi edhe  Vitoria! Qeshëm të gjithë…!

Për fund të kësaj interviste dhe të këtijë viti kalendarik, ke ndonjë mesazh?

Skënder Sallaku: Jam i moshuar dhe nuk mundem t'i shqiptoj fjalët nganjëherë mirë. Kështu në vend se të them urime! Them udhime!...dhe qeshet. Pas pak vazhdon, e pata për humor! U ndieva shumë i relaksuar që isha sot në këtë mes dhe që mu dha rasti të bashkëbisedoj me ju. Me qenëse jemi në vigjilie të ndrimit të viteve, tani jo me humor, po me seriozitetin më të lartë dhe sinqerisht uroj: Gëzuar shqiptar kudo që jeni! Ju dëshiroj që Viti i Ri 2013  të jetë një vit sa ma i mbarë për të gjithë ! Shnet!

Duke të falenderuar për kohën shumë të çmuar tuajen që e keni ndarë, për këtë intervistë, në emërin timin personal, të redaksisë dhe lexuesve të Zemra Shqiptare, ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat Juve dhe familjes Tuaj!

Skënder Sallaku: Ju lutem e faleminderit!


Zemra Shqiptare, 13.01.2013

(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: