Entela Binjaku: Harresa jonë kolektive
| E Diel, 13.01.2013, 10:51 AM |

Harresa jonë kolektive

Nga Entela Binjaku, sociologe

Pak kohë më parë, në qendër të Tiranës, pranë Pallatit të Kulturës, pranë meje ecte me hap të ngadaltë një figurë e gjatë, pak e përkulur, një burrë i thyer në moshë. Përballë tij dy mesoburra ndërsa ecnin ju drejtuan me zë të lartë: “Spiun, sa njerëz ke marrë më qafë ti”! Zotëria vazhdoi rrugën, ndërsa unë mbeta me tronditjen e këtyre fjalëve si në skenën e një filmi. Nuk përcaktohej më cili ishte viktima dhe cili agresori. Ajo që dëgjova jo vetëm që nuk ishte e bukur, edukative dhe civile, por shëmtonte ata dy njerëz të cilët sistemi i kaluar i kishte përçudnuar edhe  moralisht. Por siç duket, edhe ky sistem në vend që të arrinte të shuante plagët e së kaluarës, i kishte lënë ato të gjalla brenda ndërgjegjes së dikujt. Çështja e kujtesës kolektive ka mbetur shumë pas dore në shoqërinë tonë të sfilitur nga problemet e post totalitarizëm, kur ndërkohë do të duhej të ishte e pranishme në shumë nivele të shoqërisë. Po të ishte trajtuar nga shoqëria me seriozitetin e duhur, një përballje e tillë, publike dhe individuale me siguri nuk do të kishte ndodhur. Kriminelët dhe ekstremistët e atij regjimi totalitar do të merrnin secili dënimin e merituar dhe nga ana tjetër viktimat e këtij regjimi do të riaftësoheshin fizikisht dhe shpirtëtrisht për të hyrë në rrjedhën e një shoqërie normale.

Trajtimi i së kaluarës së regjimit totalitar me objektivitetin e duhur, do të ndihmonte shumë në vendosjen në vend të së vërtetës shoqërore, do të përshpejtonte emancipimin shoqëror dhe do ta çlironte shoqërinë tonë nga qëndrime paragjykuese për ngjarjet e asaj periudhe.

Dihet se çdo shoqëri njerëzore, pavarësisht shkallës së zhvillimit në të cilën ndodhet, ruan në kujtesën e vet përvoja, praktika sociale apo ngjarje sipas një mënyre të caktuar. Shoqëritë post totalitare evropiane i shërbyen kujtesës së tyre edhe me qëndrimet dhe trajtimin që i bënë periudhës së regjimit totalitar ku ish bashkëpunëtorët e regjimit u denoncuan, u deklaruan, u dënuan për fajet e kryera, dhe shoqëria mbajti një qëndrim.  Nga ana tjetër, brenda mënyrës kolektive individët kanë edhe një mënyrë personale të depozitimit të informacioneve dhe  të vënies në veprim të tyre i  cili ndikohet nga formimi, edukimi,  shkalla e pjekurisë, botëkuptimi si dhe interesat personale. Imagjinata sociologjike në këtë rast më solli në mendje disa skenarë të mundshëm që lidhnin në ndërveprim disa njerëz më përvoja jetësore të ndryshme, të jetuara në kohë të ndryshme. Falë saj nisa të mendoj sesi do të kishte qenë kjo skenë nëse  këta individë do të ishin më të rinj. Në rastin konkret, mosha e thyer e zotërisë më bëri të nënkuptoja se ai kishte qenë një shërbyes i devotshëm dhe ndoshta ekstrem i atij sistemi të kaluar, por po të kishte qenë më i ri, shërbimi ndaj regjimit mund të shpjegohej me papjekurinë e mjaftueshme por sidoqoftë devotshmëria ndaj  tij do të kërkonte një analizë që shoqëria  jonë duhej ta kishte kryer tashmë.

Nëse dy mesoburrat do të ishin pak më të rinj, do të mund të vetëpërmbaheshin më shumë, e nëse do të ishin fare të rinj, ndoshta as nuk do të mendonin për këto çështje.

Provova të imagjinoj nëse ata do të kishin qenë politikanë; me siguri këtë skenë nuk do ta shihja pasi ata do të udhëtonin me makina luksoze.

Kujtesa  kolektive e cilësdo shoqëri është në thelb kujtesë shoqërore, sepse ajo zhvillohet brenda disa përvojave shoqërore dhe sipas rregullave të caktuara. Por çdo herë që diskutohet kujtesa kolektive, natyrisht me të duhet të diskutohet edhe harresa kolektive, pra kundërpesha e saj.  Harresa apo shkatërrimi i kujtesës  shoqërore mund të vijë si rezultat i kohës, i ngjarjeve tronditëse që ka përjetuar një shoqëri, i presionit politik dhe ideologjik. Në plan individual ne harrojmë për të shpëtuar nga lëndimet, nga sekretet që na torturojnë kujtesën, harrojmë për të ndërtuar një të vërtetë tonën.  Në plan shoqëror, shkatërrimi i kujtesës zakonisht është produkt dhe pasojë i regjimeve totalitare. Megjithatë shoqëritë post totalitare evropiane falë katarsisit sot janë të çliruara nga pesha e mëkateve dhe raportet ndërnjerëzore janë më të lehtësuara nga veprimet e së kaluarës.

Sot, pesha e halleve të reja shoqërore përveç atyre të kujtesës, mungesa e një katarsisi tërësor të të gjithë shoqërisë që ka ardhur nga udhëheqës me këmbë të në dyja regjimet, bën që edhe sot shoqëria të vuajë pasojat e këtij regjimi. Nga ana tjetër, në shoqërinë tonë  harresa kolektive  për çështje të ndryshme është shumë e pranishme dhe shfaqet me shkatërrimin e dokumenteve dhe dëshmive nga fusha të ndryshme, më zhdukjen ose eleminimin e vlerave të së kaluarës e vecanërisht me instalimin i injorancës që minoi qytetarinë, e cila kohët e fundit është  kthyer në mjetin  kryesor që po kontrollon të tashmen tonë shoqërore. Falë kësaj harrese shoqërore  figura të ndryshme politike, të ashtuquajturat  “xhaketat të kthyera” mbijetojnë dhe flirtojnë me pushtetin, kur koha ka sjellë në vëmendje një brez të ri, të shkolluar mirë dhe të papërlyer me mëkatet e regjimit.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: