Idriz Zeqiraj: Mërgata shqiptare në Berlin
| E Diel, 13.01.2013, 01:25 AM |

NË KUADRIN E 100 VJETORIT TË PAVARËSISË TË SHQIPËRISË

MËRGATA SHQIPTARE NË BERLIN, NJË KOSOVË NË MINIATURË

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Metropoli gjerman, Berlini, ka hyrë në historinë botërore bujshëm, qoftë me mujshinë e tij të përgjakshme në vitet `40-a; qoftë me Murin ndarës ndërmjet dy Gjermanive të viteve `60-a; apo me rrënimin e këtij Muri në vitet `90-a. Ngjarja e parë, i kushtoi botës miliona viktima; ngjarja e dytë, nismëtoi Luftën e Ftohtë të dy supërfuqive botërore: Amerikës dhe Rusisë; ndërsa ngjarja e tretë, ribashkoi Gjermaninë dhe solli demokracinë në Evropën Lindore, si dhe luftë, ndarje dhe liri e demokraci në Ballkan.

Por, ne, shqiptarëve Berlini na sjell në mendje "Kongresin e Berlinit", të vitit 1878, ndarjen e trojeve shqiptare, për të kënaqur orekset e fqinjëve lakmitarë dhe hileqarë - njëherësh, madje me shprehjen mospërfillëse dhe përbuzëse të shefit të këtij Kongresi, Bismarkut gjerman se "Shqipëria është një shprehje gjeografike"!

Me kalimin e viteve, dekadave, do të ndryshonte edhe mendimi gjerman, madje për të mirë, ndaj Shqipërisë. Në vitin 1912, Gjermania, përkrah Austro-Hungarisë dhe Italisë, ishte gadi të hynte në luftë kundër shteteve të fuqishme të kohës: Rusisë, Anglisë dhe Francës, për të mbrojtur shqiptarët dhe realizimin e Pavarësisë të Shqipërisë.

Përveç strehimit dhe punësimit të mijëra shqiptarëve, për tri dekada rradhazi, gadishmëria e Gjermanisë, e kryesuar nga shefi i diplomacisë, Joshka Fischer dhe shefi i ushtrisë Rudolf Scharping, për ta çliruar Kosovën, në përmbyllje të shekullit XX-të, është dëshmi faktike e një miqësie pa hile.

SHOQATA KULTURORE ARTISTIKE  "ODA SHQIPTARE"

Përvjetori i 100-të i Pavarësisë të Shqipërisë, Mërgatën Shqiptare të Berlinit e gjeti të organizuar mrekullisht mirë. Kjo Mërgatë është përkujdesur për t`u organizuar, duke themeluar Shoqatën kulturore-artistike, me emrin simbolik "Oda Shqiptare". E vendosur në një hapësirë të bollshme, "Oda Shqiptare" ka dy dhoma kryesore, të mëdhaja: dhoma e ndejes me kuzhinë - bufe, e cila përdoret për të shikuar televizorin, për të ngrënë e pirë dhe për lojëra në tavolina. Dhoma tjetër është e rrallë, e veçantë në të gjithë Mërgatën Shqiptare - dhoma tradicionale e pritjes shqiptare. Ajo është e shtruar në tepih, brenda hyhet pa këpucë dhe ulje këmbëkryq.

Dekori i dhomës pritëse, tashmë, e emërtuar "Oda Shqiptare", është tipik shqiptar: me oxhak në ballore, me vegla muzikore të traditës, të cilat varën në të dy anët e oxhakut. Në stendën ballore dhe në muret anësore, janë përzgjedhur dhe varur fotografitë e figurave markante të historisë kombëtare. Në ballë të oxhakut zënë vend heroi ynë kombëtar i Mesjetës, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu; shpallësi i Pavarësisë të Shqipërisë, Ismail Qemal - Vlora, Hero i Popullit dhe shtetbërësi i Kosovës, Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova, Hero i Kosovës. Në dy muret anësore janë protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi..., si dhe figurat qendrore të Pavarësisë të Shqipërisë: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe të tjerë.

"Oda Shqiptare" në Berlin, është një Kosovë në miniaturë. Kuzhina, dhomat anësore për lojëra dhe argëtim; pikëtakimi më i njohur për mërgimtarët e kryeqytetit gjerman, e ka bërë këtë "Odë" bartëse të të gjitha aktiviteteve shqiptare këtu. Ajo shërben si vatër edukimi dhe frymëzimi, për ta ruajtur traditën e mirë shqiptare, këngët, vallet dhe kulturën kombëtare.

Emërtesa "Oda Shqiptare" në Mërgatë ka një ngarkesë të veçantë emocionale, sepse, veç tjerash, na kujton "Odën e Junikut", e njohur në tërë shqiptarinë për pleqërimin, drejtësinë në gjykimin e raporteve ndërnjerëzore. Zëri i "Odës të Junikut" mund të këtë marrë përmasë dalluese në kohën kur Juniku qe shpallur "Zonë Neutrale", zonë e lirë. Dhe, për ta hequr qafe Sheriatin islam, me ligjet e tij drakonike, madje hiç njerëzore, sidomos në trajtimin e fermës - nënë, njerëzit e zgjuar dhe atdhetarë, kanë menduar shkëputjen nga pushtuesi.

"Oda" na kujton pleqnarët e urtë si: Xhemajl Abria i Drenicës, Zukë Leci i Gmicës - Kamenicë, Mehmet Dyzi i Llapit, Ramadan Shabani i Kijevës, Brahim Hoxha i Junikut, Mujë Loshi i Padalishtës e tjerë, deri tek pajtuesit e gjaqeve: Anton Çetta, Zekirja Cana, Mark Krasniqi me shokë, duke kulmuar me urtakun modern, shpëtimtarin e Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova.

PËRVJETORI I 100-të I PAVARËSISË - KREMTIM SOLEMN

SHKA "Oda Shqiptare" vendosi për kremtimin e madhërishëm të 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë. Këshilli Organizativ, i themeluar në kuadër të "Odës", i përbërë nga Zyber Rrahmani - kryetar, Ejup Dibrani - sekretar dhe koordinator, Sedulla Ilazi - arkatar, Meriton Rexha - bashkëpunëtor, Hajriz Mamaj - skenarist dhe moderator, harton plan-programin e festimit deri në detaje.

Anëtarët e Kryesisë të "Odës Shqiptare", Nazif Bajramaliu, Arben Jerliu si dhe veprimtarët tjerë të Shoqatës: Basri Jerliu, Ibrahim Rexhepi, Talat Zeqiri, Mensur Qemali, Mustafa Sinani, Arsim Rexhepi, Lulzim Ajdini, në vijimësi, kontribuojnë në mbarëvajtjen e SHKA "Oda Shqiptare":

Për ta institucionalizuar kremtimin e 100 vjetorit, Këshilli në fjalë njofton organet përkatëse gjermane si dhe konsulton dhe kërkon mbështetje, në aspektin profesional dhe atë material, nga dy ambasadat tona: e Shqipërisë dhe e Kosovës. Dhe, kjo për faktin se shënimi i 100 vjetorit duhet ta këtë veçantinë e vet, në përputhje me datën dhe ditën e madhe: 100 vjet Flamur, 100 vjet Pavarësi.

Nën moton: "Ejani të festojmë sëbashku 100 vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë", Këshilli Organizativ parashtroi formën e organizimit të kremtimit një shekullor. Pjesë e përgaditjes ishin: sigurimi i sallës festive me kapacitet të mjaftueshëm; salla të jetë e pajisur me tavolina për ngrënie dhe pirje; e stolisur me dekor festiv e solemn; vendosja e fjamujve të vegjël kombëtarë në çdo tavolinë; të shërbehet me ushqim tradicional dhe specialitete të tjera, i cili përgaditet nga familjet, mbi baza vullnetare, ndërsa mishërat të porositën nga pjekja në skarë; pijet sigurohen nga organizatori dhe shpenzimet të mbulohen nga shitja e biletave me çmime të arsyeshme.

SKENARI DHE SKENOGRAFIA

Mjeshtri i skenarit dhe i dekorit, Hajriz Mamaj ishte në nivelin kulmor të detyrave të tij. Në funksion të realizimit të programit festiv, hyrja e sallës ishte dekoruar me dy flamuj: shqiptar dhe gjerman. Mbishkrimi sipër hyrjes ishte bërë në dy gjuhë: amëtare dhe vendore, gjermane: "Mirëserdhet në 100 vjetorin e Pavarësisë  të Shqipërisë"! Tribuna me madhësi 5x5 metra, me lartësi një metër, e stolisur mirë, në stendën ballore piktura masive, ku shquhen burrat - shpallës të Shqipërisë të mosvarme. Për të mbuluar hapësirën tonike, ishin vënë në dispozicion pesë mikrofonë, plus dy për drejtuesit e programit.

Kujdestaria ishte përgjegjësi e organizatorit, pra, e SHKA "Oda Shqiptare". Ftesat për mysafirët dhe shoqatat bashkëpunuese, brenda dhe jashtë Gjermanisë, ishin të shumëta, me shënimin klishe: "Ejani të gëzojmë dhe të kënaqemi sëbashku"!

100 VJET FLAMUR, 100 VJET PAVARËSI - FILLON MANIFESTIMI

Salla festive është tejmbushur, dominojnë familjarët. Tingujt e Hymnit Kombëtar dhe atij gjerman, disciplinojnë të pranishmit me qendrim në këmbë dhe heshtje. Zëra në surdinë shoqërojnë këndimin e Hymnit. Ky akt shënon hapjen e programit festiv.

Tashmë, në tribunë janë dy moderatorët: zotëri Hajriz Mamaj dhe zonjusha Vala Zeqiri, në prezantime në gjuhën shqipe dhe atë gjermane. Ata flasin shpengueshëm dhe kumbueshëm: "Sonte, të dashur bashkatdhetarë, jemi bërë bashkë, nga të gjitha trojet shqiptare, për ta festuar ditëlindjen e 100-të të shtetit shqiptar".

Përshëndetja e të pranishmëve dhe të mysafirëve ia lë rradhën nxënësve valltarë, të cilët kanë përshkuar rrugëtimin e gjatë në relacionin Vjenë  - Berlin, begatojnë programin festiv në plot shekullin e pavarësimit. Janë grupi i nxënësve të SHKA "12 Qershori" nga Vjena e Austrisë. Ishte një risi e këndshme, fort admiruese. Meritë prijetare ka kryetarja e kësaj Shoqate, zonja Rolanda Limani, e cila është e palodhshme në punën fisnike me fëmijtë e mërgimtarëve në Vjenë. Pjesëmarrja e saj, sëbashku me veprimtarët mërgimtarë të Vjenës dhe fëmijtë e tyre të mrekullueshëm, i dhanë sharm dhe hijeshi manifestimit të përvjetorit një shekullor të Pavarësimit të Shqipërisë tonë.

Nxënësja Belkisi Aliti, e mësuar nga nëna e saj intelektuale Ermira, këndoi Hymnin. Veçohen për mjeshtri kërcimi Loresa dhe Leon Limani, motër e vëlla si dhe vogëlueshi Ezan Vinca. Grupi i madh i fëmijëve valltarë vjenezë, pushton hapësirën mjedisore të sallës festive. Koreografi  Evzi Hani, nga Vjena, ka punuar palodhshëm dhe profesionalisht me fëmijtë valltarë. Ekzekutimi i valleve, kërcimi gjithë shkathtësi dhe në harmoninë ritmike me muzikën, krijon një atmosferë festive, të denjë për datën madhore - 100 vjet Flamur, 100 vjet Pavarësi. Për të realizuar programet e fëmijëve, zonja Rolandë ka mbështetjen e pakursyer, morale dhe materiale, nga sponzorët bashkëvendas: Nderim Istrefi, Esat Adili, Argëtim Hani nga Veleshta e Maqedonisë si dhe prindërit, të cilët i shoqërojnë fëmijtë e tyre në çdo veprimtari kulturore - artistike.

SHKA "Oda Shqiptare" në Berlin, i dha - Mirënjohje - SHKA "12 Qershori" të Vjenës - Austri, me motivacionin:

"Për kontributin e dhënë në kultivimin, ruajtjen dhe masivizimin e të rinjëve tanë në aktivitete në diasporë dhe për pjesëmarrjen në programin festiv kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë". Kryetari: Zyber Rrahmani.

"Kam nderin dhe kënaqësinë të ftoj në skenë Konsullin e Republikës të Shqipërisë, zotëri Ilir Halilaj, i cili na sjell 100 vjet pavarësi të shtetit shqiptar",- thotë moderatori Mamaj. Konsulli Halilaj përshëndeti të pranishmit dhe organizatorët. Kësaj mbremjeje ai ishte më shumë se diplomat, ishte vëllai ynë nga Tirana jonë. Me kohë ishte njoftuar se fjala kryesore, referimi për 100 vjet pavarësi, i ishte besuar pikërisht atij, Ilir Halilaj. Dhe, ai e justifikoi primatin e dhënë në këtë festë madhore. Një koinçidencë domëthënëse: stërgjyshi pjesëmarrës në veprimtaritë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; gjyshi në shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë. Dhe, nipi diplomat, Ilir Halilaj, pas 100 vitesh pavarësi, bën bilancin e historisë shqiptare.

Konsulli Halilaj, në fjalën e tij emocionuese dhe racionale, në mes tjerash, tha:

"Sot, si anjëherë tjetër, në këtë sallë janë mbledhur për të festuar shqiptarët, nga të gjitha trevat e tyre, pavarësisht nga vijnë. Kjo tregon se megjithëse ne jetojmë në shtete të ndryshme, nën flamurin kuq e zi, ne festojmë gjithmonë së bashku. Por, kjo tregon se askush nuk duhet të harrojë, se kur vjen puna për të mbrojtur liritë dhe të drejtat tona, gjuhën tonë, ne dijmë jo vetëm të festojmë, por edhe të luftojmë së bashku".

Një tufë lule për Konsullin Ilir Halilaj, tashmë, Anëtar Nderi dhe një mirënjohje nga "Oda Shqiptare", për mbështetjen e gjithmonshme morale, për pjesëmarrje në raste të kremteve dhe të aktiviteteve të tjera të Mërgatës, madje jo vetëm në Berlin, por edhe gjetkë në Gjermani. Për më shumë se një dekadë vazhdon misionin e diplomatit në Berlin, andaj ka zënë shumë shokë e miq, të cilët e duan praninë e tij, praninë e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, në gëzimet dhe aktivitetet e tyre. Tashmë, Konsulli Halilaj është i kudondodhur dhe është mësuar me udhëtimet e gjata: në Mynih, për 100 vjetorin e lindjes të Migjenit; në Frankfurt, në Simpoziumin e Lidhjes Shqiptare, organizuar, enkas për 100 vjetorin e Pavarësisë, nga zotëri Sebastian Nuiçi me shokë; dhe, përsëri në Mynih, në ditën e kulturës botërore, ku shqiptarët u përfaqësuan me këngë, recitime dhe vallëzime të fëmijëve shkollarë, si dhe në qytete të tjera.

Kuadrotë diplomatikë, njerëzit e kulturës dhe të artit, drejtues të redaksive televizive, nga Shqipëria, janë shumë të pranishëm në mjediset e Mërgatës shqiptare, sidomos në Gjermani dhe Zvicër. Shembujt janë të shumtë, por, ne po i përmendim vetëm disa syrësh: redaktorja e mirënjohur Tefta Radi, me mjeshtrin e kamerës Agim Kuri, nga TVSH; dr. Enver Bytyçi nga Ministria e Kulturës; shkrimtari i zëshëm Ismail Kadare,  si dhe shkrimtarë, poetë dhe studiusë të fushave të ndryshme. Ambasadori shqiptar në Bernë, Mehmet Elezi, pothuajse, të gjitha fundjavët i kalon në aktivitete të Mërgatës, madje edhe jashtë Zvicrës.

Pas shpalljes të Pavarësisë të Kosovës,më 17 shkurt 2008, në disa shtete u hapën përfaqësitë diplomatike. Kësaj mbremjeje i pranishëm në përvjetorin shekullor të Pavarësisë të Shqipërisë ishte edhe ministri pranë Ambasadës të Kosovës në Gjermani, zotëri Islam Spahiu me bashkëshortën - Shqipen. Për shqiptarët emri i zotit Spahiu është bërë i njohur kur ai ishte gazetar në "Deutsche Welle". Redaksia në gjuhën shqipe drejtohej nga komunistja e thekur Adelajde Falke-Tima, e cila kishte përzgjedhur elementin e kuq, më shumë nga Shqipëria e ndoca edhe nga Kosova, të cilët, si hiena, ishin turrur demokracisë në Shqipëri dhe Kosovë, duke u bërë argatë të sllavit e të djallit. Pothuajse, zë i vetëm informativ realist e kombëtar ishte pikërisht ministri i sotëm diplomatik, Islam Spahiu. Në këtë manifestim jubilar, ai ishte i drejtpërdrejtë në përshëndetjen dhe fjalën e tij përmbajtësore drejtuar mërgimtarëve. I kënaqur me organizimin dinjitoz të ketij përvjetori madhor, përgëzon organizatoren "Oda Shqiptare" dhe uron për ruajtjen e traditave kombëtare, të gjuhës  dhe folklorit burimor shqiptar si dhe porosinë e madhe për të qenë qytetarë të denjë në mjediset ku punojnë dhe jetojnë mërgimtarët tanë.

Vallet pasohen me recitime nga krijimtaria e rilindësit gojëmjaltë e pendartë - Ndre Mjeda dhe të poetit ndjenjëhollë e zemërplast - Filip Shiroka: "Lulja e vyshkun, këput kush të ka,

Nga shoqet tua kush të ka nda?...

Zëri i moderatorit mund zërat pëshpëritës në sallë: "Kam kënaqësinë ta ftoj në skenë njeriun e sakrificës, Idriz Zeqiraj, i cili ka vuajtur të zitë e ullirit në të dyja anët e kufirit: Kosovë dhe Shqipëri".

"Kur ta kthyem Kosovë shpinën,

E lamë  borë e gjetëm dimër",- moderatori Mamaj citon vargjet e një kënge të rapsodit të mirënjohur Dervish Shaqa dhe, pyet: "Në këtë 100 vjetor si i gjeni shqiptarët"?

Përgjigja e të ftuarit është: Më mirë se kurrë më parë. Por, vetëkënaqësia do të ishte fatale për shqiptarët e kudondodhur, sepse ne, shqiptarët ende jemi të parët në varfëri dhe të fundit në demokraci!!

Në fjalën e tij, veç tjerash, veprimtari dhe publicisti Idriz Zeqiraj tha se, sot, kur prisnim, më shumë se kurrë, rishikimin e historisë të së kaluarës, flakjen e shtrembërimeve dhe të falsifikimeve të vrazhdëta e banale, që i bëri asaj, historisë komunizmi diabolik, po bëhet vetëm ndonjë retushim i pandjeshëm. Ndërkohë, po vazhdon revanshi i nostalgjikëve enveristë-stalinistë, të ideologjisë të mykur sllaviste, për t`i vrarë me heshtje e harresë bërësit e luftës faktike dhe të vet shtetit të Kosovës, duke e sakatosur edhe historinë e sotme, madje në kohën e Internetit!!! Shqiptarët, pavarësisht indoktrinimeve ideologjike, tashmë, duhet të pranojnë se nëse Plaku i urtë i Vlorës - Ismail Qemali, shpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, Mbreti Zog e konsolidoi shtetin e brishtë shqiptar, ashtu siç e ideoi dhe mençurisht e realizoi shtetin e Kosovës Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova.

Tashmë, rradha është e organizatorëve, përkatësisht, e SHKA "Oda Shqiptare", me orkestrën e çiftelive, e cila është afirmuar me këngëtarë dhe instrumentistë virtuozë si: Avni Isufi, Nazif Bajramaliu, Benjamin dhe Patriot Mazreku, Nisamedin Mustafa, Fevzi Rrogaqi, Mustafë Sinani. Ata janë zëri burimor shqiptar, të cilët na ngjallin emocione, duke na krijuar mjedise të Atdheut, një copë Kosove, edhe këtu, në Berlinin e largët.

Ndarja e mirënjohjeve nga klube dhe shoqata të ndryshme në Mërgatë, tashmë, është bërë një traditë fisnike. Veprimtarët duhet të nderohen dhe respektohen. Një shpërblim i vogël, për punën e tyre të madhe dhe shumë domëthënëse, në rrethana të mërgimit.

Në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërsië, u nderuan me mirënjohje dhe u shpallën anëtarë nderi të "Odës Shqiptare": Ilir Halilaj - konsull i Shqipërisë në Berlin si dhe veprimtarët e dalluar të "Odës": Murat Dervishi, Ibrahim Rexhepi, Muhamet Selimi, Ejup Dibrani, dhe Talat Zeqiri.

Gjithashtu, me mirënjohje u shpërblyen edhe disa nga aktivistët më të shquar të "Odës Shqiptare": Demush Selimi, Basri Jerliu, Mark Lekaj, Rexhë Dobruna, Musë Tulaj, Nazif Bajramaliu, Naser Rexhepi, Zyber Rrahmani, Sylejman Tahiri, Ramiz Dervishi, Sabedin ..., Xhemil Ramadani, , Shaban Berisha.

Me mirënjohje të veçantë u nderua edhe Donald H. Zedler, ish-atashe ushtarak në ambasadën amerikane në Berlin.

Pjesa e parë e programit, tashmë, ka mbaruar. Moderatori Hajriz Mamaj, komunikon me publikun numerikë: "Në ditëlindje të tilla këndohen këngë, luhen valle, por, meqë ne, drejtuesit e programit nuk dimë të këndojmë, së paku, na lejohet të citojmë ndonjë poet, i cili i ka kënduar festës të pavarësisë, ndërsa këngët e vallet do t`ua lëmë artistëve. Dhe, ai deklamon vargjet e një poeti:

"Nëntor, këngë e hare, Nëntor,

Horizonti ynë i zgjeruar kah drita,

kah dashuritë e ruajtura me shekuj e shekuj".

Dhe, muzika vazhdon me mjeshtrit e saj profesionistë. Këngëtarja e muzikës të lehtë, Zela Suka mrekullon  publikun me këngën kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë.

Këngëtari i mirënjohur ulqinak, Nikollë Nikprelaj dhe Drita Musliu do të vazhdonin argëtimin e publikut me llojshmërinë e begatë të këngëve të përzgjedhura folklorike dhe qytetare. Atmosfera festive vazhdoi përgjatë natës me këngë ritmike dhe valle masive.

Në program lihet kohë dhe hapësirë edhe për amatorë vullnetarë në këngë dhe të tjera.

HAJRIZ MAMAJ - MJESHTËR SKENARI DHE MODERIMI dhe gazetar

I lindur dhe i rritur me një familje me traditë atdhetare të Samadraxhës të Suharekës; i shkolluar dhe i diplomuar në Degën gjuhë-letërsi shqipe, në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, punësohet mësues në Gjimnazin "Jeta e re" të Suharekës. Themi mësues, sepse kjo emërtesë shpreh shenjëtërinë dhe urtësinë e një profesioni që përgaditë brezat për të gjitha profesionet tjera. Mësuesi im  Eqrem Çabej thoshte se "jam mësues në Universitet." Dhe, krenohej me emrin mësues.

Në vitet `80-a fillon bashkëpunimin me Radio-Televizionin e Prishtinës, duke u dëshmuar për përkushtim dhe pasion të veçantë. Vitet `90-a i sjellin punonjësit e Televizionit para sfidave të reja. Nismat dhe thirrjet e dr. Ibrahim Rugovës për mosbindje gjithëqytetare ndaj pushtuesit; hapat e mençur të dr. Rugovës për krijimin e institucioneve paralele; pasqyrimi me besnikëri i këtyre kronikave kundrshtuese, ngjalli zemratën dhe egërsinë e pushtuesit, i cili, brutalisht dhe kriminalisht, pushtoi kalanë vizive - informative, RTV e Prishtinës, duke i përzënë përdhunshëm personelin profesional të Televizionit.

Hajriz Mamaj është pjesë e goditjes drastike. Pas peripecive të kohës, në vitin 1993, merr rrugët e mërgimit, duke u vendosur në Berlin. Arsimi do të mbetej fushëveprimi më i preferuar për mësuesin dhe gazetarin Mamaj. Me kalimin e kohës do të imponohet profesionalisht, duke u punësuar pedagog social në firmën "Navitas". Dhe, kjo i jep mundësinë e pritur për kontakte me njerëz të kulturave të ndryshme.

Në mesin e Mërgatës të Berlinit, me kudondodhjen e tij, zotëri Mamaj ka qenë kryetar i klubit "Bajram Curri", në drejtim të klubit futbollistik, në udhëheqje të Shoqatës për Arsim, Sport, Kulturë Diturie si dhe veprimtari të tjera të dobisdhme për mjedisin mërgimtar.

SHKA "Oda Shqiptare" i ka dhënë frymëzime dhe cytje për skenare dhe moderime mjeshtrit Hajriz Mamaj. Vetëm tani, brenda dhjetë ditësh, realizoi  suksesshëm tre skenarë dhe moderime - njëherësh, madje ndër qytete me distancë prej disa qindra kilometrash: Berlin - Mynih - Vjenë. I vullnetshëm, pa pazare, me dëshirën e mirë për të dhënë mdihmesën profesionale, për këdo që kërkon atë nga maestro Mamaj.

 

Cilësi dalluese të skenaristit dhe moderatorit Hajriz Mamaj janë: thjeshtësia e modestia proverbiale si njeri; komunikimi i shpengueshëm me organizatorët e kremteve festive dhe aktiviteteve tjera kulturore dhe artistike; zotërues i skenës dhe komunikues i shkëlqyer me publikun; serioz në përgaditjen paraprake, madje me shkrim, për secilën skenë e moderim veç e veç; krijues në monologje dhe gjetshmëri admiruese në dialogje të drejtpërdrejta; i kujdesshëm dhe racional në prezantime;  njohës i mirë i gjuhës, i figurave letrare, i krijimtarisë rilindase; është tokësor, i matur dhe logjik në emërtesa.

Për mësuesin, gazetarin, studjuesin Mamaj, një hero i vërtetë nuk mund të jetë edhe legjendar, sepse legjenda është sinonim i përrallës. Kur thuhet se iks - ypsiloni është  legjendar dhe nuk prmend asnjë fushëbetejë faktike, zhvlerësohet në përmasën e heroit të rremë, inekzistentë, të paqenë. Mjerisht, dukuria e përlavdërimit, e panegjerizmit pa mbulesë, ka marrë përmasa të marrëzisë, jo vetëm në mesin e masës, turmës, por edhe tek intelektualët, akademikët, pushtetarët shqiptarë. Dhe, kjo injorancë është e turpshme, e pafalshme, që synon dhunimin, shtrmbërimin, falsifikimin e historisë tonë më të re.

Me moton se "kurrë më i ri nuk bëhem", Hajriz Mamaj ruan freskinë mendore dhe fizike përgjatë gjithë programit festiv. Zakonisht udhëton një ditë më parë në qytetin e manifestimit, kontakton organizatorët dhe referuesit, folësit. Por, fëmijtë, nxënësit janë shqetësimi dhe përkujdesja parësore e tij. Në koordinim me mësuesit, koreografët, duke u proklamuar si pjesë e programit festiv, prezantohet para fëmijëve dhe bën provat finale, duke shtuar apo hequr diçka që është e tepërt, ose thjesht, e dobët, jo e denjë për përmasën e manifestimit.

Pa pjesëmarrjen e fëmjëve në çfarëdo feste, mësuesi Mamaj e quan të çalë, të mangët. Andaj, aty ku mungon organizimi kulturor dhe artistik i fëmijëve, ai e kompenson, e huazon, siç bëri, në rastin konkret me manifestimin e Berlinit, duke e sjellur grupin e fëmijëve nga Vjena. Dhe, ky mësues - moderator e novator, risimtar, nuk është aq i pasur, për të mbuluar rrugëtime kaq të largëta. Por, ai njihet për çiltëri, për qëllime të mira, pa hile e larg përfitimit vetjak dhe ballëhapur i shfrytëzon njohjet, miqësitë, shërbimet reciproke dhe sponzorët, njerëzit human dhe atdhedashës, përgjigjen, ndihmojnë pa u mëdyshur dhe pakursyeshëm.

Moderatori Mamaj është gjithnjë i pranishëm në skenë, pranë fëmijëve dhe të rriturëve, duke i përcjellur me vëmendje dhe, në rast nevoje edhe ndërhyn, për të mos i lënë të "turpërohen", në rast të një hutimi apo edhe bllokimi të ndonjërit në skenë.

Skenaristi dhe moderatori Mamaj ka edhe një qëllim fisnik: përgatitjen e elementëve për skenim dhe moderim të pavarur. Dhe, këtë provon ta bëjë në të gjitha mjediset ku ai është i pranishëm. Në Berlin, partnerja në moderim ishte Vala Zeqiri, studente e Planifikimit Hapësinor në Universitetin e Berlinit. Vala manifestoi paraqitje dinjitoze, gjithnjë e sigurtë, natyrshëm, e buzëqeshur, njësoj si maestro i saj - Mamaj. Vajzë e zgjuar, e talentuar për gjuhë të huaja. Aktualisht, flet gjuhën angleze, gjermane, spanjolle. Gjuhën amëtare, shqipen, e flet rrjedhshëm, edhepse Vala, moderatore me perspektivë të qartë, ka lindur në Gjermani.

Zotëri Mamaj, me bashkëshortën Hysnijen, kanë tre djem: Blerimin, Dritonin, Agronin si dhe shtatë mbesat: Artiola, Laura, Sara, Orkieda, Argita, Orsea, Kiara dhe nipi Roni. Shumësia e fëmijëve në shtëpi, sikur favorizojnë gjyshin Hajriz për të mbetur gjithnjë mësues i zellshëm.

Bëra një përshkrim të punës organizative të SHKA "Oda Shqiptare" të Berlinit si dhe portretizimin e skenaristit dhe moderatorit Hajriz Mamaj, për të parë mënyrën si punojnë në hartimin e plan-programeve të detajuara në letër, si pikënisje për të kaluar në veprime konkrete. Ka plot njerëz të talentuar dhe të vullnetshëm për punë të tilla, por u mungon përvoja për një qasje adekuate drejt suksesit.

Kam admiruar moderimin e herpashershëm të gazetarit dhe kameromanit Halil Rrustemaj, të reporterit të luftës Maxhun Smajlit, të ish-nxënëseve të talentuara: Agnesë Gashi në Mynih, Afërditë Leci në Kircheim-Teck, Ilire Syla në Ludwigshafen dhe të djemëve e vajzave tjera të Mërgatës, për të kulmuar me Arta Ramadanin, nga Mannheim-i, fituese e sivjeme të çmimit të parë për gazetari në Televizionin prestigjioz qendror gjerman.

DEA ISAKU - DJE E INTERNUAR, SOT DIPLOMATE

Fati më buzëqeshi të jem pjesë e tavolinës të diplomatëve të dy shteteve tona: Shqipërisë dhe Kosovës. Konsulli Ilir Halilaj ma prezantoi diplomaten - sekretare e Ambasadës të Shqipërisë, Dea Isaku, duke shtuar se "është vajza e poetit Agim Isakut". Ndjeva një kënaqësi të veçantë, ngaqë kjo familje ishte përballur me persekutimin monist, internimin në fshati Rrilë të Lezhës. Meqë unë kisha qenë mësues në Kallmetin e rilindasit Frang Bardhi, rrethi i Lezhës, biseduam për shumëçka. Unë i kujtova pularinë e Rrilës, Dea përmendi edhe shtallat e derrave, si mundësi reale për punësim, qofshin ata edhe shkrimtarë, poetë, siç është i mirënjohuri Agim Isaku.

Dea përlotët për rininë e bjerrur të prindërve në përndjekjen politike dhe fëmijërinë e trazuar të saj me motër. Por, ngushëllohet se demokracia u dha shanse të mira për punë dhe jetesë. Lum ata që arritën ta gëzojnë lirinë dhe demokracinë, sepse njëra pa tjetrën do të mbeteshin fjalë boshe, pa asnjë vlerë reale, dokrra e broçkulla.

Lezha shquhej dhe mburrej me dy veçantitë e saj, për të cilat ishte unike, e vetme: Shumësia e poetëve ose Grupi i poetëve të Lezhës dhe Ansambli i çifltelive të vajzave të Kallmetit të Lezhës, si i vetmi i këtij lloji në Shqipëri e më gjerë. Në festivalin e shkollave në vitin 1969 Kallmeti ynë zuri vendin e parë në Shqipëri, duke marrë edhe Flamurin e festivalit. "Kujdes shofer, po shkele një njeri, ke shkelur një poetë",- ma kujton Dea një shprehje - porosi për vëmendje për shoferët e Lezhës, duke aluduar në poetët e shumtë.

Poeti, publicisti, njeriu i letrave - Agim Isaku, sot, ambasador, përfaqëson Shqipërinë në Sllovaki. Edhe Dea me motër gëzojnë frutet e demokracisë, duke e kujtuar të kaluarën si një ëndërr të llahtarshme.

Në tavolinën tonë ishin edhe ministri pranë Ambasadës të Kosovës, Islam Spahiu me bashkëshorten Shqipen, Elida Vaso - konsulle e Shqipërisë, një burrë i lezetshëm në muhabet, i cili na shërbente papërtueshëm me pije dhe herpashere na cakërronte gotat. Me keqardhje, nuk ia mësova as emrin dhe as funksionin që ka në Ambasadë si dhe një zonjushe tjetër.

Mesnata kishte kaluar dhe gëzimi dhe hareja ishin shtuar. Bashkudhëtarët e mi: Osman Ferizi - kryetar i shoqatës "Sali Çekaj, në Gjermani, me veprimtarët e kësaj Shoqate Shemsi Haziri, Mustafë Shala dhe Gazmend Dashi, po përshëndeteshin kujdesshëm me organizatorët, të cilët, me disponimin e tyre, dukej se do prisnin mëngjezin me këndim e vallëzim.

Duke uruar Dean për suksese në misionin diplomatik e fisnik, e putha me ndjesi prindërore dhe e nisem kthimin e gjatë, prej 600 km., për në Mynih, me mbresat e thella të "Odës Shqiptare" dhe të manifestimit të bujshëm të 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë nga mergimtarët tanë në Berlin.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: