Vebi Xhemaili: Shqiptarët e Maqedonisë së sotme
| E Shtune, 05.01.2013, 10:12 AM |

SHQIPTARËT E MAQEDONISË SË SOTME

Nga Kryengritja e  Dervish Cares 1843 deri  te Kryengritja e Dibrës 1913

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili

KRYENGRITJA E DERVISH CARES

Për kryengritjen e Dervish Cares  kishte me siguri shumë shkaqe. Mirëpo shkak i drejtpërdrejt për këtë kryengritje ishte internimi e likuidimi i pashallarëve të Tetovës. Si dihet, deri në fillimin e viteve '40 qeverisnin gjysmë të pavarur tre vëllezërit: Havzi Pasha në Shkup, Hysein-Pasha në Qustendil dhe Abdurrahman Pasha në Tetovë. Kjo familje shqiptare kishte ndikim të pakufizuar mbi gjithë popullatën shqiptare, çdo fjalë e pashës në këtë kohë  ishte ligj për shqiptarët besnikë të këtyre trevave. Siç kemi thënë edhe brenda punimit, edhe të krishterët gjendeshin shpesh nën mbrojtjen e këtyre pashallarëve që nuk lejonin që disa turq e shqiptarë të padisiplinuar të prishnin rendin, rregullin dhe qetësinë në këto anë. Pashallarët shqiptarë në këto anë të  Shqipërisë gati qeverisnin si gjysmë të pavarur. Kjo qeverisje nuk i konvenonte pushtetit suprem të Sulltanit. Prandaj Qeveria e Stambollit donte të organizojë administratë të re qendrore, të kryejë ndarje të re administrative, t'i likuidojë pashallarët shqiptarë gjysmë të pavarur ndaj të cilëve ushqente mosbesim, pasi ata refuzonin t'i kryejnë shpesh kërkesat e Sulltanit dhe qeverisë turke. Sulltani priste vetëm momentin që ta dobësoj pakufizueshmërinë e kësaj familje të fuqishme shqiptare që sundonte nga Tetova, Kërçova, Shkupi, Kumanova e deri në Gjystendil, ky qytet sot i takon bullgarisë. Sunduesi i Tetovës dhe ai i Shkupit edhe pse ishin vëllezër u zunë për pronat trashëguese. Mosmarrëveshjet pronësore çuan deri te lufta në maj të vitit 1840, njëri kundër tjetrit dërguan ushtri që u konfrontuan te fshati Llërcë i Tetovës. Mirëpo, ndërmjetësit i pajtuan vëllezërit dhe kështu nuk shpërtheu lufta vëllavrasëse. Me këtë rast ndërhyri Porta e Lartë dhe i thirri vëllezërit në Stamboll që t'i pajtojë. Kur vëllezërit arritën në Stamboll ata u burgosën, ngaqë deklaruan haptas se nuk janë në gjendje të mbledhin rekrutë shqiptarë për nevojat e Perandorisë. Hyseini dhe Abdyrrahmani u internuan në Anadolli, kurse Havzi Pasha vdiq në burg. Sipas disa të dhënave nga të afërmit  e tij, atë e helmuan. Porsa arriti lajmi për vdekjen e Havzi Pashës në Shkup, gjithë popullata shqiptare e pjesërisht edhe sllavët e kësaj ane në fillim u çuan në kryengritje, në krye me Dervish Caren, një nga njerëzit e afërm të Havzi dhe Abdyrahman Pashës. Pas internimit të tre pashallarëve vëllezër u çuan Hasan-pasha, vëllai i Havzi Pashës dhe Qamil Pashës, djalë i Havzi Pashës. Këta të dy ishin të internuar në Azi të Vogël. Hasan Pasha pas gjashtë vjet vdiq në internim. Qamil Pasha u kthye në Stamboll ku edhe  vdiq. Në vend të Havzi Pashës së Shkupit u dërgua si mëkëmbës i Sulltanit Qor Mehmed Pasha, kurse Abdyrrahman Pasha u trashëgua nga vëllai Xheladin Beu, i cili ishte si sundimtar tejet i paaftë për qeverisjen e Pashallëkut të Tetovës. Këtë dobësi të tij e shfrytëzoi dhëndri i Havzi Pashës, Dervish Care nga fshati Pallçiisht, i cili në këtë kohë mbante postin udhëheqës në kazanë e Gostivarit e cila ishte pjesë e administrative e  Tetovës, e cila njëkohësisht ishte edhe qendër e pashallëkut në kohën e qeverisjes së Koxha Rexhep Pashës dhe Abdurahman Pashës.

Dervish Cara ka qenë një ndër kryengritësit kryesorë të kryengritjes antiosmane, ai ka lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. Nën udhëheqjen e tij u organizua kryengritja e njohur në këto treva të  Shqipërisë Lindore. Prandaj edhe u njohë me emrin e tij, Kryengritja e Dervish Cares.

Në vjeshtë të vitit 1843 Dervish Cara shpalli mos dëgjueshmëri në  Gostivar dhe më vonë me ushtrinë e tij  u rebelua. Në tetor Cara u drejtua me ushtarët e tij dhe vullnetarët e ardhur nga fshatrat e Gostivarit me rrethinë kah Tetova, që në atë kohë kishte 24 000 banorë. Synimi i tij ishte që ta dëboj Xheladin Pashën si sundimtar i fundit i kësaj dinastie. Me Dervish Caren dhe vullnetarët  e tij  u bashkuan edhe shqiptarët e Tetovës me rrethinë. Dervish Cara u bë shpejt i njohur në tërë territorin që qeverisej më parë nga pashallarët e Tetovës. Në këto rrethana të reja të rezistencës Tetova u shpallë edhe qendër e kryengritjes shqiptare. Në teqenë e Tetovës “Arabati Baba” u vendos shtabi kryengritës në krye me Dervish Caren. Pasi ky e morri qeverisjen në Gostivar e Tetovë, Dervish Cara i informoi pashallarët e trevave lindore për veprimtarinë e tij kundër dhënies së redifit (regrutimit). Ai dërgoi korrierë te pashallarët e Dibrës, Prizrenit, Prishtinës Kumanovës dhe Vrajës. Në anën tjetër Dervish Cara  bënte para përgatitje për të sulmuar edhe Shkupin, pasi kishte njohuri se në Shkup ka ithtarë të lëvizjes së tij për liri. Mijëra luftëtarë të udhëhequr nga Dervish Cara, pasi e morën Tetovën u nisën në drejtim Shkupit, ku u bashkuan me vullnetarët e Kumanovës. Pastaj së bashku nga Presheva vazhduan për në  Vrajë, ku pasi arritën ti largonin nga pushteti qeveritarët turq i ngritën organet e vetëqeverisjes lokale shqiptare. Ky çlirim i këtyre krahinave nga administrata turke zgjati për disa muaj, nga janari 1844 deri më 21 maj të të njëjtit vit, kur u zhvillua beteja e Katllanovës, nën komandën  Hajredin Pashës. Pas Betejës së Katllanovës të cilën e humbën shqiptarët  më 21 maj 1844 u shtyp kryengritja shqiptare e trevave lindore, kundër këtyre udhëheqësve shqiptarë Stambolli mori masa të ashpra. Pasi i zuri rob nga Shkupi deri në Selanik i ka çuar në këmbë dhe duar lidhur të gjithë. Procesi  gjyqësor u mbajt  në Stamboll, ku Dervish Cara mbajti një qëndrim burrëror duke e marrë mbi supet  e tij tërë përgjegjësinë e  organizimit të kryengritjes. Ai bashkë me 28 udhëheqës të tjerë u dënuan me vdekje nga i gjyqi special i Stambollit. Por më vonë pas disa viteve, dënimin e Dervish Cares e shndërruan në burg të përjetshëm, ndërsa disa nga bashkëveprimtarët  e tij pas disa viteve burg ua falën dënimin.

Pjesëmarrja e Shqiptarëve të trevave lindore në Lidhjen e Parë të Prizrenit 1878

Lidhja e Shqiptare e Prizrenit është edhe çelësi i Shqipërisë së Re, pas atij që themeloi Skenderbeu në Mesjetë. Pasi Lidhja në këtë kohë për herë të parë pas vdekjes së Skënderbeut paraqiti programin e saj për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo ishte ngjarje më e rëndësishme e shqiptarëve  dhe krerëve të saj në  historinë më të re, e cila paraqet formimin e  kombit shqiptar. Lidhja pati karakter progresiv për kombin shqiptar, e cila trajtoi platformën e luftës nacionalçlirimtare për çlirim e bashkim kombëtar. Me këtë program të unifikuar u njohën të gjithë shtet demokratike të Fuqive të Mëdha, poashtu u njoh edhe kryesuesi i Traktatit të Berlinit Oto Fon Bizmarku, se kombi shqiptar ka ngritur zërin për çlirim e bashkim kombëtar.

Ky program mbarëkombëtar është injoruar në radhë të parë nga Rusia dhe disa satelitë të saj që posa kishin krijuar shtetet e tyre midis Ballkanit, të ndihmuara nga vetë Peterburgu. Këto shtete sllave vrapuan të njollosin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare duke iu mëvesh  në radhë të parë epiteti panislamik. Ndërsa Lidhja e Shqiptare e Prizrenit u pagëzua se ideologji me karakter reaksionar, për themelimin e Shqipërisë së bashkuar ku bënin pjesë katër vilajetet shqiptare. Ky projekt panshqiptar nga qarqet e shteteve sllave është cilësuar me ide ekspansioniste. Kjo platformë mbarë shqiptare është eksploatuar nga pansllavizmi si kërkesë për krijimin e “Shqipërinë së Madhe”. Kjo terminologji sllave i ka shërbyer politikës shoviniste të shteteve sllavo-serbe- malazeze  dhe greke si ushqim për të mbajtur gjallë nacional-shovinizmin e tyre për të pushtuar tokat shqiptare nga Lufta e Parë Ballkanike 1912 deri më sot kur mbushen njëqind vjet. V.Xh).

Siç dihet në vjeshtë të vitit 1877 në Stamboll u themelua Komiteti Qendror i atdhetarëve shqiptarë për mbrojtjen  e të drejtave historike të Shqipërisë dhe  shqiptarëve, të cilët në programin e vetë kërkonin autonominë për të gjitha vilajetet shqiptare ku përbënin mbi 60% të popullsisë.

Burri i madh i Kombit Abdyl Frashri,  qysh në dhjetor të vitit 1877 e organizoi në Stamboll parinë shqiptare që përfaqësonin të gjitha krahinat shqiptare. Në këtë mbledhje u vendos që të themelohet Komiteti i Stambollit për kryetar u zgjodh Abdyl Frashëri. Nga kjo mbledhje u dërgohet ambasadorëve të Fuqive të Mëdha  një memorandum ku kërkohej bashkimi i katër vilajeteve të Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës në një shtet kombëtar shqiptar. Pasi në këto katër vilajete jetojnë me shumicë popullsi shqiptare, ku ata duhet të udhëheqin vetë dhe tu lejohet gjuha shqipe nëpër shkolla. Pra udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillim kërkonin autonomi, në kuadër të Perandorisë Osmane.

Siç dihet shqiptarët në luftërat serbo-turke dhe turko-ruse luftuan në krahun e Turqisë. Ata luftuan në krahun e tyre pasi ishin të rrezikuara trojet shqiptare nga hegjemonizmi sllavo-rus, pasi Rusia i kishte shpallur luftë Perandorisë dhe elementit jo sllav, për zgjerimin e pansllavizmit në Ballkan e cila shkonte direkt në dëm të vilajeteve shqiptare dhe vetë Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja që shqiptarët luftuan në anën e Turqisë për mbrojtjen e tokave të rrezikuara shqiptare në krahinën e Leskovcit dhe të Nishit. Prandaj shqiptarët pritnin që interesat e tyre tokësore të mbroheshin nga Qeveria Osmane. Por rrethanat ndryshuan pas disfatës së ushtrisë turke nga forcat e kombinuara ruso-ballkanike, me paqen e nënshkruar në Shën Stefan, ku toka të pastra të Shqipërisë iu dhanë Bullgarisë si dhuratë nga Rusia. Bullgaria  me këtë paqë fitoi territore të mëdha shqiptare duke e krijuar Bullgarinë e Madhe mbi një pjesë  territoreve të vilajetit të Kosovës dhe vilajetin e Manastirit deri në Dibër e Elbasan,  kjo ishte një ndër shkaqet kryesore që Komiteti i Stambollit e thirri Kongresin e Parë Shqiptar i pagëzuar në historinë tonë kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila u mbajt në Prizren disa ditë para fillimit të Kongresit të Berlinit.

Më 10 qershor 1878, në Prizren fillon me punë Kongresi panshqiptar i Lidhjes së Parë të Prizrenit, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ku merrnin pjesë 80 delegatë nga vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës, referatin kryesor e lexoi Kryetari i Komitetit Abdyl Frashri.

Shqipëria në Kongresin e Berlinit

Me iniciativën e Austro-Hungarisë u thirr Kongresi i Berlinit, qëllimi kryesor i Kongresit ishte që të revidoheshin vendimet e mara në Shën Stefan. Kongresi filloi punën më 13 qershor 1878 ku merrnin pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.  Sipas procedurës paraprake vendimet do të merreshin unanimisht. Në Kongresin e Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane i kryesuar nga Ministri i Jashtëm Kara Teodor Pasha, me ndihmësin e tij Mehmet Ali Pasha. Poashtu në këtë kongres ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shteteve ballkanike si: Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Vetëm shqiptarët nuk kishin të drejtë pjesëmarrje në Kongres.

Me fillimin e Kongresit të Berlinit defacto të gjitha vendimet e nënshkruara në Paqen e Shën Stefanit shpalleshin të pavlefshme dhe duhej të silleshin vendime të reja. Porta e Lartë në fillim kishte shpresë se do ndihmohej nga disa shtet të Fuqive të Mëdha që Kongresi ti kthej Perandorisë status quon e mëparshëme që kishte mbi disa shtete të Ballkanit, por hasi në rezistencë të fuqishme nga diplomacia ruse dhe ajo franceze, ndërsa diplomatët anglez mbanin qëndrim pozitiv në lidhje me pretendimet greke. Ndërsa vetë Bizmarku fare nuk e pranoi problemin shqiptar si çështje që duhej diskutuar në Kongres.

Diplomacia turke për të përfituar nga rasti në fjalë luajti një rol diplomatik të dyfishtë, në një anë pranoi të zbatojë të gjithë urdhrat e Kongresit, ndërsa në anën tjetër i armatosi shqiptarët duke e ndihmuar edhe me financa Lidhjen Shqiptare, që përsëri ato territore të ngelin nën ombrellën Perandorisë Turke. Por tani më çdo gjë ishte e qartë se shqiptarët duhej të mbronin vetë ato territore shqiptare, që Turqia i kishte miratuar në Kongresin e Berlinit.

Pas përfundimit të Kongresit të Berlinit më 13 korrik 1878, Lidhja shqiptare fillon të radikalizohet. Ajo në vitin 1879, kërkon autonomi të plotë administrative, por Porta nuk e pranoj këtë kërkesë të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Shqiptarët organizojnë demonstrata kundër Turqisë në disa qytete. Në mbledhjen e Lidhjes në qershor 1879, u mor vendim që pushteti turk të largohet me forcë nga tokat shqiptare, ku u kërkua që Lidhja ta merr me forcë pushtetin në duart e veta në të gjitha qytetet e Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit. Kundrejt këtij veprimi institucional të Lidhjes, Porta do të tentoj që me ushtri të rikthej pushtetin e saj në shumë krahina që deri tani më e kontrollonte Lidhja Shqiptare.

Në prill të vitit 1880, në tubimin tre ditor që u mbajt në Shkodër, midis myslimanëve dhe katolikëve, ku u vendos ti dërgohej një ultimatum  Sulltanit, ku kërkohej nga ai që ushtria turke dhe nëpunësit e saj ta lëshojnë vendin, që populli të zgjedh princin e vetë. Këto kërkesa ishin shumë më radikale se sa kërkesat serbe në vitin 1804 dhe ato t vitit 1813, për autonominë  e tyre. Lidhja duke mos pritur përgjigjen e kërkesave filloi me aksionet luftarake duke e çliruar tërë Shqipërinë Veriore, pastaj një pjesë të vilajetit të Kosovës me qytetet, si: Shkodër, Prizren Tetovë, Gjakovë, Pejë dhe Prishtinë. Këto qytete u pastruan nga nëpunësit turq dhe ushtria e tyre. Me fillimin e vitit 1880 Turqia i filloi operacionet luftarake kundër Kosovës dhe qendrës së saj në Prizren me komandantin e shquar antishqiptar Dervish Pasha.

Goditjen e parë ushtria Osmane ia dha Degës së Lidhjes Shqiptare në Shkup. Pushtimi i Shkupit  në mars të viti 1880 nga forcat turke pati jehonë të madhe për moralin luftarak të Lidhjes Shqiptare në përgjithësi, pasi Shkupi ishte një pikëmbështetje e fortë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pasi merret  Shkupi, ushtritë turke iu drejtuan Ferizajt të cilin e morën në pjesën e parë të Prillit. Tani më Dervish Pasha me të gjitha forcat e tij iu drejtua qendrës së Lidhjes, të cilin e mori më 23 prill. Pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Porta e Lartë bëri terror të pa parë për 3 vjet me radhë. Deri në vitin 1882 në Azi të Vogël u depërtuan mbi 3000 kryengritës.  Ndërsa pa gjyq vetëm në Prishtinë u dënuan mbi 4000, që kishin vepruar për çlirimin e Shqipërisë Etnike. Por edhe pse u ushtrua një terror nga ushtria turke, ajo nuk arriti të nënshtroj shqiptarët.

Kryengritja e Ilindenit ishte veprim  kundër interesave të Lëvizjes Kombëtare   Shqiptare për bashkim kombëtar

Qysh në fillim të shekullit XX kishin filluar kombinatorikat për ndarjen e re të Ballkanit. Në vitin 1902 Mali i Zi dhe Serbia ishin marrë veshtë që Serbisë ti takoj vilajeti i Kosovës, Malit të Zi Shkodra, ndërsa me Bullgarinë ndarja kishte kundërthënie të mëdha, pasi Serbia kërkonte  pjesën e Vardarit deri te lumi Bregallnica. Ndërsa me Greqinë marrëveshja ishte xhentlemene, ku pjesa e Shqipërisë Veriore deri te lumi Shkumbin i takonte Serbisë, ndërsa ajo jugore Greqisë.

Falë interesave të mëdha që kishin Fuqitë e Mëdha për Ballkanin, ajo filloi të duket në praktikë aty nga fillimi i vitit 1903. Fuqitë e Mëdha e kishin projektuar programin e tyre për Ballkanin, më të interesuara për ndarjen e sferave dominuese ishin Rusia dhe Austro-Hungaria. Në këtë kohë më kishte filluar të rritej tensioni i komitëve bullgarë në vilajetin e Selanikut dhe të Manastirit. Në këtë kohë Manastiri me veprimet e veta nacionaliste ishte bërë qendra e Shqipërisë, ku vepronin krerët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në gusht të vitit 1903 shpërtheu Kryengritja e Ilindenit, e cila u shtyp ashtu si e kishin parashikuar edhe bejlerët shqiptarë në mënyrë të ashpër, në takimin e tyre me përfaqësuesit austro-hungarez. Edhe pse kjo kryengritje zgjati vetëm disa ditë dhe pësoi fiasko të plotë, ajo la pasoja shumë të rënda për zhvillimin kombëtar dhe unitetin e krerëve shqiptarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe luftën e saj për çlirim e bashkim kombëtar.

Me shuarjen e Kryengritjes së Ilindenit, Rusia insistonte me çdo kusht realizimin e reformave në këtë vilajet shqiptar me qendër në Manastir. Fuqitë e Mëdha e intensifikuan trysninë e tyre në këtë pjesë të Shqipërisë lindore.  Mbi të gjitha do të kulminoj takimi i ardhshëm  midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, që u mbajt në Myrstag më 22 tetor 1903, në këtë takim të dy fuqitë u morën vesh më në fund për të vendosur një status quo në këtë qytet të Shqipërisë Lindore dhe hartuan një program reformash, do të thotë për të gjithë apo për një pjesë  të tre vilajeteve të Kosovës, Manastirit, dhe Selanikut, në këtë të fundit bënte pjesë edh krahina e Maqedonisë.

Ky program solli rritjen e pranisë së huaj në terren, me këtë marrëveshje u shpërthye hallka e programit kombëtar nga Lidhja e  Prizrenit për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare. Me marrëveshjen e Myrstagut, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare morën një grusht të fuqishëm në luftën e tyre për çlirim e bashkim kombëtar. Tani më rrugëtimi drejt autonomisë dhe bashkimit të katër vilajeteve në një shtet kombëtar pengohej me të madhe nga Fuqitë e Mëdha. Në veçanti me këto reforma të shpallura midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, në fillim të vitit 1904 në vilajetin e Manastirit zbarkuan oficerë dhe xhandarmëri; ruse, austriake, franceze, italiane dhe angleze, me kompetenca të pakufizuara.

Evoluimi i shqiptarizmës drejtë Autonomisë së Shqipërisë

Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të arritur qëllimin e tyre kombëtar vepronin në dy fronte: E para luftonin ditë e natë në internacionalizimin çështjes shqiptare te Fuqitë e Mëdha dhe e dyta Lvizja Kombëtare kurrë nuk hoqi dorë nga kërkesat e saja për realizmin e autonomisë së plotë në kuadër të Perandorisë Osmane. Këto kërkesa të shqiptarëve ku dominonte kërkesa për gjuhën shqipe e detyruan Qeverinë turke që në korrik të vitit 1902 të urdhëroj mbylljen e shkollës shqipe në Korçë, të cilën e kishte hapur vetë sulltani në vitin 1887, ndërsa mësuesi i saj u arrestua.

Në planin e përgjithshëm valinjtë kishin marrë urdhra të mbikëqyrnin patriotët shqiptarë, lëvizjet e tyre, opinionet e tyre; të ndalonin përhapjen e botimeve në gjuhën shqipe, të konfiskonin letërkëmbimet dhe librat e shtypur; të kontrollonin karvanët e qiraxhinjve dhe të mbikëqyrnin kafazet e konsullatave të huaja për shkak të kontrabandës së librave të shtypur shqip. Autoritetet osmane kërkonin të shkatërronin çdo lidhje me Perëndimin.

Komiteti sekret shqiptar për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare u krijua në vitin 1905, ky Komitet jo vetëm që mori të njëjtën formë që e kishin Ethniki Hetairia, ORIM ose KBP (Komiteti për Bashkim dhe Progres), por më  e rëndësishmja është se ajo u krijua edhe në Manastir. Pra shqiptarët edhe në këto rrethana të vështira vepronin ndaras nga lëvizjet bullgaro-maqedonase. Edhe pse Manastiri tani më ishte i njohur si vendtakim i propagandave të ndryshme nacionaliste dhe një vatër e rëndësishme e xhonturqve por edhe shqiptarëve.

Figurat kryesore të shqiptarizmit të dhjetëvjeçarit  që parapriu revolucionin xhonturk  të 1908, ishin pothuajse të bashkuara, pasi qëllimi i tyre ishte rruga drejtë autonomisë shqiptare, qoftë edhe për një kohë të caktuar  me lëvizjen xhonturke. Ndonëse disa veprimtarë të shqiptarizmit u bënë kundërshtarë të rreptë të xhonturqve, marrëdhëniet midis shqiptarizmit dhe xhonturqve  ishin shumë të ngushta në fillim, siç mund të vërejmë  nëpërrmjet deklaratave të Ismail Qmalit, Ibrahim Temos, Dervish Himës, Shahin Kolonjës, Nexhib Dragës dhe shumë të tjerëve.

Sulltani dhe pushteti turk morri masa të ashpra ndaj çdo lëvizje shqiptare. Në vitin 1906 u ndalua çdo gjë e shkruar në gjuhën shqipe, bile sa edhe kartolinat, përmbajtja e të cilave shpjegohej  në gjuhën shqipe. Edhe pse me ligj ishte lejuar përdorimi lokal i gjuhës shqipe, ndërsa në përhapje të shqipes me përmasa të përgjithshme, autoritetet osmane përdorimin e shqipes e konsideronin si tejet të rrezikëshm. Përderisa gjuhët tjera të rajonit greqishtja, bullgarishtja, serbishtja, turqishtja nuk ishin objekt i këtyre masave.

Politika turke kërkonte me këmbëngulje që të ndëshkuarit të dënoheshin shumë rëndë, ose të internoheshin. Për këto veprime një nacionalist shqiptar dënohej mbi tre vite burg, ndërsa një bullgar për vendosjen e një bombe dënohej vetëm me disa muaj heqje lirie. Në këto rrethana të veprimit të pushtetit turk, Manastiri dhe Shkupi u bënë në të vërtetë dy qendrat më të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar. Shumë veprimtarë të shqiptarizmit në këtë kohë vepronin në këto dy qytete, për të mirën e kombit dhe të Shqipërisë.

Pas vitit 1905 Komiteti “Bashkim dhe Progres” po përgatiste “revolucionin”, duke nisur nga Selaniku dhe Manastiri. Krahas këtyre zhvillimeve edhe nacionalizmi shqiptar do të merrte trajta të reja të veprimit. Në Manastir u krijua “Komiteti i Fshehtë”, ndërkohë që u shfaqën edhe çetat e para nacionaliste. Shqiptarizmi i viteve 1899-1908 u transferua në mënyrë të konsiderueshme. Përveç evoluimit të gjendjes të jashtme politike dhe të brendshme, i cili bëri për shembull që vatra nacionalizmit shqiptar të zhvendosej nga vilajeti i Janinës në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Rrënjët e këtyre transformimeve gjenden në ndryshimet që pëson shoqëria osmane  dhe në mënyrë të veçantë evoluimin që pëson shoqëria shqiptare myslimane, ku kërkesat e saj për një Shqipëri autonome po bëhej gjithnjë e më shumë radikale, para organeve dhe administratës turke. Në veçanti kërkesat për arsim kombëtar me alfabetin latin. Në këto rrethana të reja vend të rëndësishëm zuri zhvillimi i arsimit, rritja e burokracisë në të cilën po integroheshin gjithnjë e më shumë intelektual, formimi i një “klase të mesme” të arsimuar që rivalizonte me bejlerët dhe agallarë, që ishin pronarë tokash, autoritarizmi i sulltanit dhe shfaqja e një lëvizje opozitare, rritja e theksuar e fenomenit të emigracionit, të gjitha këta faktorë  ushtruan peshën e tyre mbi zhvillimin e shqiptarizmit në mesin e brezave të rinj shqiptarë. Kjo periudhë e re kohore në të vërtetë u karakterizua nga dalja, në krah të qeverive të huaja, të rinjve të arsimuar në fushën e shqiptarizmit, midis të cilëve edhe shumë shqiptarë myslimanë. Kësisoj do të kemi formulime të reja të shqiptarizmit, siç tregon përmbajtja e botimeve me frymë patriotike për myslimanët shqiptarë, fjala ishte të këmbëngul për të kërkuar një identitet evropian, një identitet mysliman evropian. I ndryshëm nga ai i myslimanëve turq, duke synuar kështu të legjitimonin në trevat e tyre kur perandoria do të detyrohej të tërhiqej nga Ballkani. Rrjetet e veprimtarëve të  shqiptarizmit u bënë më të larmishme, sidomos në funksion të grupeve fetare në vilajetin e Manastirit dhe atë të Kosovës, ku fillon një fazë e re e nacionalizmit shqiptar drejt çlirimit e bashkimit të kombit shqiptar.

Nijazi Resnja ushtarak me origjinë shqiptare që më vonë në revolucionin e 1908 u bë një nga heronjtë më të shquar shqiptar. I lindur në vitin 1873 në rajonin e Resnjes në jug perëndim të Manastirit, ai kishte studiuar në shkollën e mesme ushtarake  “Idadije” të Manastirit, ku profesorët i kishin futur ndjenjën e patriotizmit osman. Më vonë në vitet 1894-1897, kishte ndjekur shkollën ushtarake të Stambollit. Në  1897, kishte marrë pjesë në luftën greko-turke. Më tej ishte emëruar në Ohër dhe që prej 1904, bënte pjesë në batalionin e tretë të ndjekësve të çetave antiqeveritare. Ai u ndikua nga reformat e bëra nën presionin e Fuqive të Mëdha pas revoltës së Ilindenit. Për të dhe të gjithë atdhetarët shqiptarë ku bënte pjesë edhe Kristo Dako, Evropa i shtynte të krishterët të ngriheshin dhe me ta ajo dëshironte humbjen e Turqisë. Turqit nuk mund t’i linin më kështu rusët dhe austriakët që  të zhvillonin më propagandën e tyre në Shqipërinë Lindore me qendrat e saj në Manastir dhe Shkup. Bullgarët njëlloj si edhe armenët, kishin arritur ta sillnin opinionin evropian nga ana e tyre, ndërsa shqiptarët ende nuk kishin fituar simpatitë e evropianëve për të fituar autonominë e tyre. Pra, Fuqitë e Mëdha ishin epiqendra, ata diktonin hartën e re që do të krijohej në Ballkan, por pa Shqipërinë. (V.Xh) 

Kryengritjet e mëdha në Kosovë dhe trevat Lindore të Shqipërisë  1910-1912

Kryengritjet e një pas njëshme të Kosovës dhe trevave lindore ishin objekt studimi jo vetëm të shteteve ballkanike por edhe të Fuqive të Madha. Tani e tutje interesimi i tyre për çështjen shqiptare zë një vend me rëndësi, e dyta shqiptarët midis Ballkanit kishin një pozitë të favorshme gjeostrategjike.

Pas revolucionit xhonturk, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u bindën se erdhi çasti edhe për shqiptarët të rimëkëmbnin ndjenjat dhe vlerat e tyre kombëtare. Mirëpo periudha e liberalizimit i dha shkak zënkave ndër shqiptare për arsimimin e pavarur nga kultura arabe–turke, e veçanërisht me kërkesat themelore të atdhetarëve shqiptarë, të cilët me të shpejtë hapën klube dhe shkolla në gjuhën shqipe.

Por pas konsolidimit deri diku të pushtetit xhonturk, e cila pason me një fazë  të re të regjimit shumë të egër të turqve të rinj, të përkrahur edhe nga ushtria e Turgut Pashës, që nga atdhetarët shqiptarë u quajt diktator i kulturës dhe i arsimit shqiptar.  Në këto rrethana duken shenjat e para të grupimeve ekzistuese në mesin e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë që e shfrytëzuan turqit e rinj, të cilët u vërsulën kundër arsimit dhe kulturës shqiptare,

Këto rrethana të acarimit të marrëdhënieve të sunduesve të rinj duke pasur si mbështetje disa mercenarë shqiptarë. Në veçanti u eksploatua shumë Kongresi i Dibrës nga ana e turqve të rinj në vitin 1909. Kjo ishte një fazë e zënkave midis shqiptarëve në patriotë dhe tradhtarë, e cila zgjatë disa vite me radhë.

Krerët e Lëvizjes Kombëtare  u bindën se me lutje dhe kërkesa ishte e pamundur të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve para qeverisë turke, siç ishin kërkesat e shqiptarëve për arsim dhe njohjen e një autonomie në kuadër të Perandorisë Osmane. Kjo situatë i detyroi popullin shqiptar që të rrok armët dhe të marrë pjesë aktive në Kryengritjen e vitit 1910-1912. Në këto beteja kanë marrë pjesë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, Gjilanit, Kumanovës, Tetovës, Manastirit, Gostivarit, të Dibrës e tjerë.

Prandaj krerët e lëvizjes kombëtare shqiptare vendosën të dilnin me një kërkesë më radikale për një autonomi të plotë dhe të pavarur të kombit shqiptar. për këtë qëllim ata u mblodhën më 21 maj të vitit 1912 në fshatin Junik, në një kuvend ku morën pjesë mbi 300 përfaqësues  nga trevat verilindore të Kosovës dhe manastirit. në këtë kuvend u mor vendim që të rroknin armët deri në shpalljen e autonomisë së plotë të Shqipërisë.

Pjesëmarrja në këtë kuvend i krerëve shqiptarë të trevave lindore ishte i rëndësishëm, pasi në të morën pjesë edhe udhëheqësit më të njohur të kësaj pjese të Shqipërisë. trevat lindore me seli në manastir morën pjesë aktive në kryengritjen  shqiptare të Kosovës  dhe dhanë kontributin  e tyre  të çmuar, duke filluar që nga  tubimi i Prishtinës, Kuvendi i Ferizajt, deri në hyrjen triumfale të kryengritësve shqiptarë më 12  gusht të vitit 1912 në Shkup, ku forcat kryengritëse e ngritën  flamurin e Skënderbeut.

Por, pas premtimeve që ua dha Ibrahim Pasha krerëve të Lëvizjes Kombëtare në krye me Hasan Prishtinën ata  e lëshuan Shkupin duke u besuar premtimeve të qeverisë turke. Në këto rrethana, kur ende po zvarriteshin bisedimet shqiptaro–turke në Shkup, shtetet ballkanike i kishin intensifikuar bisedat diplomatike midis tyre e në veçanti ato ushtarake, ku pas tre muajve, më 8 tetor të vitit 1912, i shpallën luftë Turqisë, nën parullën për “çlirimin e vëllezërve të jugut”. e cila luftë kryekëput u zhvillua në territorin shqiptar.

Luftën e Parë ballkanike e para e filloi Mali i Zi më 8 tetor 1912. Ndërsa më 14 tetor  krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbajtën një mbledhje në Shkup në shtëpinë e Sali Gjukës, ku morën pjesë krerët më të shquar të kombit, si: Hasan Prishtina Mit’had Frashëri, Sali Gjuka, Sahit Hoxha, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Idriz Seferi. Ndërsa   me mbledhjen udhëhiqte Nexhip Draga, i cili e lexoi edhe referatin kryesor. në fund të mbledhjes ata dolën me kushtrimin për mbrojtjen e Shqipërisë. ata më 16 tetor me anën e një qarkore  njoftuan edhe përfaqësuesit e fuqive të mëdha që ndodheshin në Shkup, se do luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë dhe do të rrokin armët për të mbrojtur atdheun tyre nga invaduesit e huaj.

Në këto rrethana tepër kritike për vendin, me veprimet ushtarake të luftës së Parë  Ballkanike, gjërat u ndërlikuan edhe më shumë, sepse këto veprime ushtarake kundër turqve u bënë në trojet  shqiptare. Ata me operacionet luftarake po i afroheshin Prizrenit dhe në anën tjetër pas betejës së Kumanovës më 26 tetor e morën Shkupin pa luftë. Pjesa tjetër e Kosovës dhe e trevave tjera lindore deri në Dibër ishin ende pjesërisht në duar të kryengritësve shqiptarë, ku bënin përpjekjet e fundit për të ndaluar marrshmin e ushtrive serbe nga  Ferizaj dhe Tetova, Luma e Dibra. Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, Elez Jusufi, bënin përpjekje të jashtëzakonshme për mbrojtjen e çdo pëllëmbë toke nga agresioni serbo-malazez.

 Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë

Në këtë kohë Ismail Qemali ndodhej akoma në Stamboll. Diplomacia turke i kishte ofruar post Ismail Qemalit për ta dërguar në Tripoli, në çastet më të vështira, kur Kosova digjej në flakë nga ushtria serbo–malazeze. Kjo ishte arsyeja pse Ismail Qemali nuk e pranoi postin e ofruar nga Qamil Pasha, pasi ai tanimë ishte i bindur se Turqia do të dëbohet nga Ballkani dhe i kishte vënë vetes për detyrë parësore që të luftojë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Prandaj Ismai Qemali me djalin e tij u nis për në Bukuresht ku u takua me grupin e atdhetarëve që vepronin në Bukuresht. Në këtë takim u themelua një Komitet Drejtues për organizimin e vendit drejt shpalljes së pavarësisë. Pas këtij takimi ai u takua me ministrin e Jashtëm, kontin Berthold, dhe me ambasadorët e Anglisë dhe të Italisë. Pastaj përmes Triestes, i shoqëruar nga një grup atdhetarësh zbriti në Durrës, prej nga vazhdoi rrugën për në Vlorë.

Shqiptarët kësaj radhe ishin të bindur e të vendosur për Shpalljen e  Pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin mbarëkombëtar  në Vlorë, më 28 Nëntor, ku morën pjesë 83 përfaqësues nga të tre besimet dhe ngritën lartë flamurin kombëtar të Skënderbeut, që përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare,  prej Rrafshit të Dukagjinit në Veri, deri në Çamëri në Jug, prej brigjeve të detit Adriatik në Perëndim, deri në Fushën e Kosovës dhe Shkupit me pellgun e Tetovës dhe në Lindje deri në Veles. Këto treva, duke marrë pjesë aktive me pushkë në dorë në luftën  për çlirim kombëtar, vunë themelet e pavarësisë së shtetit të bashkuar shqiptar me kufijtë etnikë të saj,  duke e çimentuar atë me gjakun e bijve më të mirë të atdheut, hapën rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë. Ata ishin të bindur gjithashtu se Fuqitë e Mëdha kësaj radhe do të vendosnin drejt në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Me aktin e njohjes së Pavarësisë, pjesërisht sanksionohej e drejta e pamohueshme  historike e kombit shqiptar për vetëvendosje, si popull i lirë e i pavarur midis popujve të Ballkanit. 

Konferenca e Londrës me vendim arbitrar e copëtoi Shqipërinë Etnike më 22 mars 1913

Konferenca e Londrës me vendimin e 22 marsit 1913 i fali Serbisë, vilajetin e Kosovës dhe viset e Shqipërisë Lindore me qytet: Manastir, Strugë, Ohër deri në Dibër. Malit të Zi i fali Pejën e Gjakovën. Ndërsa Greqisë Janinën me Epirin. Me këtë ndarje të re politike pavarësinë  e fitoi vetëm një pjesë e popullit shqiptar, përafërsisht 800 000 shqiptarë e cila përfshinte një sipërfaqe vetëm prej 28 000 km2, ndërsa më shumë se 1,5 milionë shqiptarë të tjerë që jetonin në atë kohë në tokën e tyre etnike mbetën jashtë atdheut të vetë nën robërinë e shteteve sllave të Ballkanit e sidomos të Serbisë duke i dhënë asaj 39 000 km2 territor,  me një popullsi mbi 1 700 000 shqiptarë.

Siç shihet, Fuqitë e Mëdha edhe  kësaj radhe  përsëritën të njëjtën lojë diplomatike si në Kongresin e Berlinit. Në  këtë Konferencë Fuqitë e Mëdha ranë nën diktatin franko–rus, duke dëmtuar shumë rëndë Shqipërinë dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në kufijtë etnikë të saj. Shqiptarët, kudo që ishin, protestuan kundër kësaj padrejtësie. Në tërë qytetet shqiptare, në Shkodër, në Korçë, në Durrës, në Vlorë, etj. u mbajtën mitingje proteste. Krerët e Lëvizjes Kombëtare dhe shoqatat e ndryshme patriotike nga Egjipti e Amerika, dërguan memorandume për bashkimin e katër vilajeteve, duke filluar nga Ismail Qemali, Isa Boletini, Mehmet Tetova, Qerim Begolli, e shumë atdhetarë të tjerë. Ismail Qemali, së bashku me Isa Boletinin, Dhimitër Beratin dhe Luigj Gurakuqin, shkuan personalisht në Konferencën e Londrës dhe te qeveritë e Fuqive të Mëdha, duke protestuar kundër padrejtësisë që iu bë popullit shqiptar, me vendimin për ndarjen e tokave shqiptare në mes Shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Kryengritja  e Dibrës 1913 dhe gjenocidi serbomadh

Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të udhëhequr nga Isa Boletini, Hasan Prishtina, Mehmet pashë Tetova, Elez Jusufi, Halim Gostivari, nuk i pranuan kurrë kufijtë e rinj  politikë të caktuar në Konferencën  e Londrës nga Fuqitë e Mëdha dhe që këto vise krejtësisht shqiptare iu falën sunduesve serbo–malazez. Ata i bënë thirrje popullit  të ngriheshin në  kryengritje, e cila filloi në shtator të vitit 1913. Nga shumë historianë bashkëkohës kjo është quajtur si “Lufta e Tretë Ballkanike” ose si luftë “shqiptaro–serbe”. Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare arriti të dëbonte sunduesit serbë përtej Shkupit e Kumanovës, ku në viset e çliruara u ngrit lart flamuri shqiptar dhe u themelua edhe Qeveria e Përkohshme, në krye me Sefedin Pustinën.

Komanda serbe për fitoret e kryengritësve shqiptarë u mundua të fajësonte Austro–Hungarinë dhe qeverinë bullgare, sikur ato ishin si iniciator të fillimit të kryengritjes mbarë shqiptare me qendër në Dibër.

Edhe pse kjo kryengritje shqiptare nuk dha rezultatet e pritura deri në fitore të plotë, pasi agjentët e Nikolla Pashiqit, arritën përmes Esat pashë Toptanit dhe Arif Hiqmet Kumanovës me mercenarët e vetë në Tetovë dhe në Gostivar të dobësonin nga brenda Kryengritjen e  Shtatorit, e cila pati jehonë më të madhe në trevat lindore: Dibër, Ohër, Strugë, Resnjë, Kërçovë, Krushevë, Gostivar, Tetovë deri në Shkup. Forcat serbe, pas shuarjes së Kryengritjes së Shtatorit ushtruan dhunë dhe terror të papaparë, me djegie të fshatrave, dhunime dhe djegie për së gjalli edhe të fëmijëve, raste që deri në atë kohë ishin të papara, duke vrarë dhe zhdukur mbi 25 000 shqiptarë, ndërsa dogjën  më tepër se 180 fshatra shqiptarë të Maqedonisë, nga Shkupi, Gostivari, Kërçova, Krusheva,  Ohri, Struga deri në Dibër.

Në këto rrethana kur sunduesit serbë bënin terrorr të paparë ndaj popullatës shqiptare, e cila ndodhej nën sundimin e egër serbo–malazes dhe grek, në Shqipërinë autonome filloi lufta për pushtet ndërmjet fanatikëve myslimanë, që mbanin krahun e turkofilëve të udhëhequr nga Haxhi Qamili dhe rryma çifligare e udhëhequr nga Esat Pasha, të  cilët kishin deklaruar se ishin kundër qeverisjes së Princ Vidit. Esat Pasha, për të ardhur në pushtet, deklaronte se luftonte kundër Princ Vidit, i cili nga ana tjetër kishte edhe  përkrahjen e Serbisë, të Italisë e të Greqisë.

Por, në këto rrethana të rrezikshme për Shqipërinë autonome, shumë shpejt doli hapur tradhtia e Esat Pashës, i cili kishte nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me Nikolla Pashiqin, në Nish, ku sipas deklaratave të sekretarit personal të tij, Shahin bej Dinos, Nikolla Pashiqi i kishte premtuar Esat Pashës 300 000 franga ari, për një ndihmë reciproke luftarake që do të bënte Esati për rrëzimin e qeverisë së Princ Vidit, dhe pas ardhjes së tij  në pushtet, me ndihmën e ushtrisë serbe, ai  u  premtoi se do të luftonte deri në fund për likuidimin  e krerëve të Lëvizjes Kombëtare, që luftonin kundër sundimit serbo–malazez në Kosovë dhe trevat tjera lindore në luftë për çlirim e bashkim kombëtar.

Në këto kushte të vështira krerët e Lëvizjes Kombëtare nuk hoqën dorë në asnjë çast nga lufta për çlirimin e vilajetit të Kosovës dhe trevae lindore.

Por politika serbe e mbushur plotë urrejtje kundër popullatës shqiptare, pas rënies së vendeve tona nën sundimin e saj, rreptësishtë ishte  kundër  vlerave të civilizimit për ngritjen e vetëdijes  kombëtare. Kjo shihet më së miri në rezultatet e politikës obskurantiste të administratës serbe, kundër kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe, 1912–1915.

Me rivendosjen e sistemit serb, pas Luftës së Parë Ballkanike fillon një periudhë edhe më e vështirë, ku edhe ato pak shkolla u mbyllën brenda një nate dhe u ndalua rreptësishtë përdorimi i gjuhës shqipe, i cili mund të përdorej vetëm në shtëpi, brenda katër mureve.

Ndërkaq sistemi arsimor që funksionoi në këto anë ishte një armë e fortë në dorë të politikës hegjemoniste serbe. Ajo ëndërronte se nëpërmjet të kësaj politike asimiluese do të  arrinte qëllimet e saj, për krijimin e Serbisë së Madhe, mbi themelet e kulturës shqiptare në këto troje. Sundimi i egër i organeve serbe, që udhëhiqej  paralel me politikën e arsimit, ishte rezultat edhe e propagandës për shpërngulje të popullatës myslimane, duke propaganduar se ky popull mysliman (shqiptar), sa më parë duhej të shpërngulej për në Turqi.

Kjo ishte një ndër arsyet kryesore të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga Trevat lindore, si: Manastiri, Prilepi, Velesi, Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari  Kërçova, Krusheva, Ohri, Struga, Dibra, etj. Në bazë dokumenteve austriake, çdo muaj nga këto territore shpërnguleshin mbi 4 mijë familje, të cilët shkonin nëpërmes Shkupit me tren, e shumica nga këta kur nuk kishte tren, ishin të detyruar të niseshin në këmbë kah Bullgaria. Ka pasur edhe shumë raste  që nënat me fëmijë në gji të niseshin në këmbë kah Qustendili e Sofja, ku shumica ngelën përgjithmonë rrugëve, midis Ballkanit dhe shkretëtirës së nëmur të Anadollit. Sipas të dhënave të komisionit ndërkombëtar  të kontrollit, “vetëm nga  fundi i vitit 1912 dhe gjatë vitit 1913, nga trevat Lindore të Shqipërisë me qendër në Manastir dhe Shkup, janë shpërngulur mbi 200 mijë banorë”.

Qeveria serbe, për të shtuar intensitetin e  shpërnguljes të shqiptarëve në fillim të vitit 1914 nënshkroi Marrëveshjen Serbo-Turke, me të vetmin qëllim që sa më parë të ndryshoj strukturën e popullsisë në këto anë në favor të shtetit serb. Pushteti ekzekutiv i qeverisë serbe, si formë tjetër për grabitjen e tokës shqiptare, shpalli “Reformën agrare” si masë shtetërore dhe metodë tejet  e favorshme për “grabitje legjitime” të tokës shqiptare. Kësaj grabitje i dha impuls edhe marrëveshja serbo-turke e cila parashihte shpërnguljen e “turqve” dhe “myslimanëve” për Turqi. Pasi të gjithë shqiptarët në këtë kohë trajtoheshin si turq dhe për këtë duhej deklaruar para organeve të pushtetit deri në vitin 1917 dhe  mund të largoheshin lirshëm me leje të organeve serbe për në Turqi. Ky Traktat për shqiptarët ka qenë me dimensione të katastrofave politike. Me këtë marrëveshje de jure Turqia  merrte mbi vete pa të drejtë ti konvertonte shqiptarët për shtetas të saj. Me këtë të drejtë ndërkombëtare Turqisë de jure i lejohej të bënte rekrutimin e të rinjve shqiptarë në ushtrinë e saj. Ndërsa nga ana tjetër për politikën serbe kjo konventë ishte e mirëseardhur, pasi këto vise zëvendësoheshin me ardhacakë dhe kolonistë serb duke ndryshuar në favor të Serbisë strukturën e popullsisë, për krijimin e Serbisë së Madhe, në dëm të Shqipërisë Etnike.

Me ndarjen e Shqipërisë Etnike në dy pjesë, trevat lindore mbetën edhe më pas nën robërinë e shtetit serbo–sllav. Shqiptarët e këtyre trevave e vazhduan luftën e  tyre çlirimtare krah për krah me banorët e viseve të tjera të Kosovës deri në çlirimin përfundimtar të vendit nga robëruesit e huaj.  Por, edhe pse shqiptarët e këtyre trevave luftuan pandërprerë që nga viti 1912 deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore, Fuqitë e Mëdha përsëri  në Konferencën e Parisit vendosën kundër vullnetit të popullit shqiptar, ku ranë dakord që viset tona të mbeteshin edhe më tutje nën sundimin e ri të Mbretërisë SKS.

Me vendimin e njëanshëm politik të Fuqive të Mëdha nuk u pajtuan asnjëherë forcat e shëndosha nacionaliste e patriotike, të cilat u zotuan se do ta vazhdonin luftën për çlirim  e bashkim kombëtar deri në jetësimin sa më parë të Shqipërisë Etnike.

Përpjekjet e krerëve për çlirim kombëtar, që e kishin zanafillën nga Kryengritja e Dervish Cares, në Tetovë e Gostivar, hynë si program i shkruar me gjak nga atdhetarët shqiptarë në Lidhjen e Prizrenit, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri duke e vazhduar luftën pandërprerë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vazhdon me “Besa–Besën” e  Haxhi Zekës në Lidhjen e Pejës, ku morën pjesë edhe krerët e trevave Lindore të Manastirit, Strugës dhe Dibrës.

Në fund kjo luftë u kurorëzua  me fitoren e shqiptarëve  pas marrëveshjes së Prishtinës, ku kryengritësit shqiptarë të Kosovës dhe trevat tjera lindore të Shqipërisë, hynë  triumfalisht në Shkup, ku ngritën Flamurin kombëtar.  Ky Flamur valoi përgjithmonë në trevat shqiptare pas ngritjes nga dora e  Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912, me vendim unanim të Kuvendit Historik të Vlorës, ku u proklamua Pavarësia e plotë e katër vilajeteve të Shqipërisë.

 



(Vota: 45 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: