Tefik Selimi: Profesor Idriz Ajeti - një institucion i albanologjisë...
| E Enjte, 03.01.2013, 12:07 PM |

Në 95-vjetorin e lindjes

Profesor Idriz Ajeti - një institucion i albanologjisë...

Nga Tefik Selimi

“Në korpusin e madh të historisë së albanologjisë, Profesor Idriz Ajeti është i rëndësishëm për mënyrën se si ai në albanologji është identifikuar me jetën dhe veprën e tij: themelues i institucioneve albanologjike, bartës i qenësisë së tyre në situatat më të vështira politike; autor, projektues dhe drejtues i projekteve më të rëndësishme shkencore; kërkues, sintetizues dhe vlerësues i arritjeve më të larta në fushë të albanologjisë. Në këtë mënyrë, ai ka vazhduar ta ndërtojë institucionin e albanologjisë duke u bërë albanologjia vetë”, është shprehur, dr. Begzad Baliu, studjues i letërsisë shqiptare.

Shqiptarët nuk janë pa personalitete të mëdha të kombit. Nga ky popull, me histori të lashtë, kanë dalë shumë personalitete të mëdha, të cilat, sot, janë krenaria e atdheut dhe e kombit. Ky popull nuk është pa shkrimtarë, gjuhëtarë, poetë, artistë, dramaturgë, historianë, profesorë, doktorë shkencash, këngëtarë, arkitektë, piktorë e mendimtarë tjerë të fushave të shumta të dijes. Secili popull ka përse të krenohet me “dijetarët” e  tij, por edhe populli shqiptar krenohet me personalitetet apo figurat e mëdha që i ka. Këto figura të mëdha të popullit shqiptar e hijeshojnë kombin tonë. E bëjnë të jemi edhe me të tjerët të ecur përpara. Duke i pasur këto figura të mëdha, s’ka se si mos të jemi në hap me kulturat e vendeve  tjera të përparuara të botës. Pse jo? Edhe populli shqiptar është krenar me shkrimtarin e parë të letërsisë sonë, Gjon Buzukun, me veprën e tij “Meshari” i vitit 1555. Por, është krenar edhe me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Por, gjithësesi, populli ynë është krenar me ideologun e parë të vuarjes së themelit të shtetit Shqiptar, Ismail Qemailin. Por, s’duhet lënë anash edhe arkitektin e pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Po këtyre krenarive kombëtare shqiptare i shtohen edhe figurat tjera të shquara të kombit, si janë: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi; mandej, figura e shquara të fushave dijeve të jetës, si: Idriz Ajeti, albanologu i shquar i gjuhësisë dhe i kulturës së gjuhës; Ismail Karadare, shkrimtar kulmor i letërsisë shqipe, por edhe shumë të tjerë, të cilët, si një, kanë hyrë në panteonin e rrallë të historisë sonë. Pra, shqiptarët duhet të jenë krenarë edhe me luftën e drejtë që kanë bërë tash e njëqind vjet më parë në krjimin e shtetit Shqiptar, më 1912. Pse jo? E para, prej të parës, me rrugën e kombit “Ibrahim Rugova”, trojet shqiptare po bashkohen si një; e dyta, me daljen në dritë të Abetares gjithë shqiptare. Është për ta shënuar edhe 40-vjetorit të Drejtshrimit të gjuhës shqipe, ku shqiptarët po flasin me një gjuhë, me një standard, proces ky që po e afron kombin në mes vete kudo që po jeton. Pra, ky popull nuk është  pa histori, pa identitet kombëtar, pa gjuhë e pa figura të mëdha të kombit. Kësaj here, në këtë shënim, mu në përvjetorin e 95-të të lindjes, e veçuam figurën e madhe të dijes albanologjike, Profesor, Idriz Ajetin, i cili, për kohën kur po e jetojmë, dha më së shumti për gjuhësinë dhe kulturën në përgjithësi shqiptare. Autori i këtyre radhëve ishte student i profesorit Idriz Ajeti. Ishin këto vite 1973 e më vonë. Vite këto të vlimeve studentore, por edhe të përkushtimit për punë studimore e shkencore. E kësaj kohe ishte një gjeneratë e veçantë e grupit të Albanologjisë, nga e cila Katedër dolën shumë krijues, gazetarë, shkrimtarë e emra të shquar të jetës publike, shkencore, letrare e arsimore. Të kohës së artë të Profsorit Idriz Ajeti, ishin studentë të dalluar, si janë: dr. Tafil Kelmendi (i ndjerë), Isak Ahmeti, dr. Liman Matoshi, Mazllum Saneja, Hajrullah Hajra, dr. Zejnullah Rrahmani, Sadete Presheva (e ndjerë), dr. Emin Kabashi, Baki Ymeri, Bejtullah Sokoli, Ahmet Qeriqi, Nebih Bunjaku, Kumrije Rugova, Skender Blakaj e disa të tjerë, të cilët, disa prej tyre janë në vende kyçe të jetës publike. Ishte gjeneratë më “prodhimtare” në fushën e dijes së Albanologjisë. Por, s’duhet ta harrojmë Profesorin Idriz Ajetin, njërin nga figurat e shquara të jetës shencore shqiptare. Profesor Idriz Ajeti është e mbetet një fenomen i rrallë i dijes shqiptare. Njeri i tëri me dije. I papërsëritshëm në jetën shkencore. Një dijetar dhe studjues i thellë i dijeve të Albanologjisë. Profesor me dinjitet të rrallë. Njeri e dijetar me plot kuptimin e fjalës. Ai, në vitet 1970 na ligjëronte dhe na afronte dije me librat e tij që ishin atë kohë shkëndija të para e të forta të shkencës së gjuhësisë e kulturës në sonë në përgjithësi. Por, edhe profesorët tjerë shqiptarë punuan me me vetmohim për ditë të reja që vinin pastaj. Edhe ata na  lanë vepra të dijes, por na lanë edhe mbresa të thella si krijues të botës shkencore. Të papërsëritshëm kanë qenë profesorët që sot na mungojnë, si janë: Fehmi Agani, (i ndjerë), Mehdi Bardhi (i ndjerë), Hasan Mekuli (i ndjerë), Enver Gjergjeku (i ndjerë), Engjëll Sedaj (i ndjerë), Anton Çetta (i ndjerë), Latif Berisha (i ndjerë), Isak Shema, Gjyltekin Shehu, Isak Bajçinca, Hilmi Agani, Fadil Sylejmani, Rexhepi Ismajli e disa të tjerë. Ishin këto figura të rralla e të shquara të Katedrës së Albanologjisë, të cilët, edhe në kohë të ndera, ata nuk kursyen asgjë nga vetja që të japin krejt atë dije që e posedonin për ne shkollarët studentë. Por, Profesor Idriz Ajeti, na ishte një emër i veçantë i institucionit të Albanologjisë. Ai ka shkëlqyer në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Prishtinës. Por, edhe sot po shkëlqen si Njeri e si dijetar. Pse jo? Edhe ish studenti i tij, tash profesor e dr. Bahtiar Kryeziu, i cili, para pak dite, në Manifestim Kulturor, që u mbajt në Gjilan, ku shënohej 100 vjetori i bërjes së shtetit Shqiptar dhe shënohej 95-vjetori i lindjes së Profesor Idriz Ajetit, pat lexuar kumtesën e tij me titull “Lisi i madh – Akademik Idriz Ajeti”. Ky profesor (B. K.) e quajti Profesor Idrizin “Klasiku i gjuhës sonë”. Dhe shtoi: “...sot, për fat të mirë e kemi mes nesh, në fillimin e verës së sivjetme i mbushi plot 95 vjet e me shëndetin që gëzon, besojmë, thellë besojmë se do t’ia kalojë edhe shekullit. Kështu e deshi fati. Kështu e deshëm edhe ne, nxënësit e tij të dikurshëm e të këtillë e deshën dhe e duan, jemi shumë të sigurt, të gjithë ata që e njohin ose kanë lexuar a dëgjuar për profesorin tonë. Ky Lis i Madh, siç po e quajnë me të drejtë disa, “mbiu” më 26 qershor 1917, në një cep të Kosovës Lindore, në Topallën e Medvegjës, në ato tërthore që me shekuj nuk gëzuan të drejtën e tyre të jenë pjesë e Shqipërisë etnike. Mbiu atje për të lëshuar rrënjë të thella në të gjitha trojet e përtej trojeve shqiptare. Andaj, për mua, e besoj se edhe për ju, takimi i sotëm me akademikun tonë, (Profesor Idriz Ajetin) nuk ka se si të mos ketë domethënien e vet, kur dihet se fjala është për një njeri e intelektual të rrallë, i cili, me gjithë krajatat e vështirësitë që e përcollën: edhe si fëmijë, edhe si nxënës, edhe si student, por edhe gjatë punës së tij, diti dhe mundi t’i përballojë ato. Diti dhe mundi t’i mposhtë sfidat e jetës, për t’u ngjitur drejt majave të dijes e të shkencës, atyre majave të cilave ua mësyjnë shumë e ia dalin pak vetë”. Kur u thanë këto fjalë miradije për Lisin e Madh të kulturës shqiptare, sikur Profesor Ajeti e ndjeu vetën se po e “jetonte” jetën jo 95-vjeçare, por për gjysmë të kësaj kohe! E falenderoi nxënësin e tij. B. Kryeziun. Ishte moment prekës. Nuk munguan edhe duartrokitjet nga të pranishmit. Pse jo? Profesor Idriz Ajeti, edhe sot është abanologu, pas Eqrem Çabejt, i pari dhe më i shquari në gjuhësinë shqiptare tek ne. Për Profesor Idriz Ajetin folën fjalë miradije dr.Gjovalin Shkurtaj e dr.Emil Lafe, profesorë nga Shqipëria. E, pas kësaj “ngjarje”, Profesorin Idriz Ajetin, doli pa hezitim para masës gjilanase, e tha: “Gjilani po e çmon kulturën në përgjithësi. Sot është ky nderim i madh për mua. Ju falemderit...!” Kjo dalje e tij u prit me duartrokitje të forta e të gjata nga të gjithë të pranishmit. Akademik Idriz Ajeti e nisi ligjëratën për gjuhën standarde dhe vlerat e saj në praktikë. “Shihni, tha,  një popull identifikohet me gjuhën, që është vlera e parë e tij. Gjuha është tipari kryesor i një populli. Nuk ka popull që nuk e ka gjuhën e vet. Edhe ne, si popull i lashtë, e kemi gjuhën tonë shqipe standarde, e cila, siç dihet, themelet e saj janë vuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, tash e 40 vjet më parë. Dhe, rrugëtimi gjer te ditët e sotme të kësaj vlere të madhe të kombit, ishte i vështirë e me sakrifica. Por, ia dolëm faqebardhë. Gjuha standarde është gjuhë e të gjithë shqipfolësve, të cilët e kultivojnë dhe e ruajnë me gjelozi si vlerë të shenjtë. Duhet të kemi kujdes në respektimin e gjuhës sonë. Gjuha shqipe standarde i ka ligjet e veta. Ajo vetëm duhet të respektohet dhe admirohet nga të gjithë. Unë jam përpjekur të japi diçka nga vetja për këtë vlerë të madhe të kombit tonë shqiptar. Në këtë aspekt, kam bashkëpunuar me disa emrat të Albanologjisë, si janë: Eqrem Çabejn, Androklli Kostallarin, Shaban Demirajn, Mohir Domin e të tjerë. Gjuhën duhet ta kultivojmë dhe ta ruajmë si sytë e  ballit. Gjuha është vlera e një kombi”. Të gjithë shkollarët e tij i uruan shëndet Profesorit Idriz Ajetit, Lisit tonë të Madh të Albanologjisë!.


Gjilan, 3 janar

(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: