Nuhi Ismajli: Mjerimi ynë intelektual!
| E Premte, 28.12.2012, 12:00 AM |

Mjerimi ynë intelektual!

(Reagim)

Nga Nuhi Ismajli

Ç’po ndodh me intelektualët shqiptarë?! Ku janë ata?! Ç’bëjnë?! Mbase, kanë harruar obligimin dhe idealin e tyre dhe, pa farë brengosjeje, janë fundosur në gjumin më të thellë të pavetëdijes njerëzore e kombëtare. Kështu mund të pohohet, pa asnjë dyshim, kur vërejmë se ç’po ndodh në mesin tonë, në njërën anë, dhe heshtjen absurde të intelektualëve, në anën tjetër. Një heshtje e pakuptueshme, absurde, tepër çnjerëzore e intelektualëve shqiptarë kjo, në rastin e përpjekjes së kryeministrit dhe ministrit të arsimit të Kosovës, për të ndryshuar historinë e popullit shqiptar, përmes teksteve të historisë, sipas kërkesave të qeverisë turke!

Qeverisë së Turqisë, që e paraqet veten si pasardhëse të P. Osmane, nuk i pëlqyeka që shqiptarët e konsiderojnë pushtuese P. Osmane dhe, që, natyrisht, në harmoni të plotë me natyrën dhe arsyen njerëzore, urrejnë robërinë dhe pushtuesin osman. Prandaj, nëpërmjet qeverisë së tashme të Kosovës, kërkojnë t’ua ndryshojnë mendjen e bindjen shqiptarëve nëpërmjet teksteve, në mënyrë që, shqiptarët, në kundërshtim me natyrën dhe arsyen njerëzore, në vend të urrejtjes, ta duan pushtuesin dhe robërinë, në këtë rast ta duan pushtuesin dhe robërinë osmane! Dhe, një rast i volitshëm për qeverinë turke, ta bëjë një gjë të padëgjuar, pasi gjeti kryeministrin dhe ministrin e arsimit të Kosovës, për një gjë të tillë!

Pse e bëjnë ata një gjë të tillë?!

E kemi bindjen e plotë se kryeministri dhe ministri i arsimit të Kosovës, që pranojnë të bëjnë tekstet e historisë së popullit shqiptar, sipas diktatit të qeverisë turke, nuk janë të vetëdijshëm për peshën e kësaj të keqeje tejet të tmerrshme. Ata, thjesht, nuk e dinë se ç’është kjo. Ata nuk e dinë se tekstet e historisë, si çdo tekst tjetër, nuk janë tekste të denja për njerëzimin, kur hartohen nën diktatin e pushtetit e, aq më tepër, kur hartohen nën diktatin e pushtetit të një vendi tjetër. Ata nuk janë të vetëdijshëm se nuk duhet bërë tekste të tilla në të cilat njeriu mëson ta dojë atë që është e keqe, antinjerëzore, ta dojë robërinë dhe pushtuesin. Ata nuk janë të vetëdijshëm se me aktin e krijimit të teksteve të historisë, sipas diktatit të qeverisë turke, po i fusin shqiptarët në një robëri të re, në robërinë neootomane. E të tjera të këqija.

Pozita e kryeministrit, që e mban njëri, dhe pozita e ministrit të arsimit, që e mban tjetri, nuk lejojnë që ata të luajnë me historinë e popujve që udhëheqin, sepse historia është përbërës i identitetit të popullit dhe nuk luhet me të. Pra, edhe sikur të mos ishin fare shqiptarë, kryeministri dhe ministri i arsimit të Kosovës, nuk do të pranonin të ndryshonin historinë e popujve që udhëheqin, sepse detyra e tyre është të mbrojnë identitetet e popuve dhe jo t’i zhbëjnë ato me forcën e pushtetit.

Në situatën tonë, kur tekstet shkruhen sipas diktatit të pushtetit dhe ndërhyrjeve më absurde, sikur të ishim në rrethanat e pushtimit osman, ne nuk na habisin aq logjika dhe veprimi i qeverisë së Kosovës, as ndërhyrjet e jashtme absurde, sa na habisin veprimet tejet të ulëta, pandiesia dhe pasiviteti i intelektualëve tanë përpara së keqes së paimagjinueshme, siç është tani loja djallëzore me tekstet dhe identitetin shqiptar.

Për ne, veprimi i ulët antinjerëzor dhe antishqiptar i kryeministrit dhe ministrit të arsimit të Kosovës, për të bërë tekstet e historisë shqiptare, sipas kërkesave turke, nuk është aq i ulët dhe tronditës, sa është i ulët dhe tronditës veprimi i disa “dijetarëve, intelektualëve e patriotëve shqiptarë”, të cilët i hyjnë me zell punës  për të bërë gënjeshtra politike të historisë, sipas kërkesave të  pushtetit dhe të qeverive të vendeve të tjera. Sipas shtypit (shih: Jeton Musliu: “Ndryshimi i historisë zbut P. Osmane”, “Gazeta Jeta në Kosovë”, 17 dhjeror 2012), tekstet, jo sipas rezultateve të shkencave, po sipas kërkesave të pushtetit dhe qeverive të vendeve të tjera, i kanë bërë: prof.dr. Shkelzen Raça (historian), prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.

Ç’është kjo?! Secili autor i tekstit të ardhshëm diktatorial të historisë së popullit shqiptar dhe, jo vetëm të historisë, po edhe të letërsisë, gjuhës, muzikës, gjeografisë, ka përpara titullin dr. ose mr.!!! Ndonjë prej tyre, mbase, edhe lavdërohet se i ka “kontribuuar” historisë dhe kulturës shqiptare, përmes ndonjë shkrimi të tij! Pra, mund të quhet krijues. Intelektual. I vetëdijshëm. Patriot. Po, ç’krijues?! Ç’intelektual?!, Ç’patriotë, kur paraqesin mjerimin vetë?! Ç’krijues?! Ç’intelektualë?! Ç’patriotë, kur instruksionet për hartimin e teksteve, për shqiptarët, ata i marrin nga Instituti për hartimin e teksteve shkollore dhe kurrikulave të Ankarasë?! (po aty).

Për ne, veprimi i ulët antinjerëzor dhe antishqiptar i kryeministrit dhe ministrit të arsimit të Kosovës, për të bërë tekstet e historisë shqiptare, sipas kërkesave turke, si dhe ndërmarrjet e disa “dijetarëve, intelektualëve e patriotëve shqiptarë”, të cilët i hyjnë me zell punës për të bërë gënjeshtra politike të historisë, sipas kërkesave të  pushtetit vendës dhe të qeverive të vendeve të tjera, nuk është aq i ulët e tronditës, sa është e ulët e tronditëse pandiesia, heshtja dhe pasiviteti i intelektualëve shqiptarë, para një mjerimi të tillë kulturor për shqiptarët.

Deri më tash, në Kosovë, lidhur me krijimin e një historie të pandershme, të panjerëzishme për shqiptarët, ka reaguar vetëm ndonjë intelektual, ndër të cilët edhe intelektuali Adem Demaçi. Po, ku janë janë të tjerët?! Ku janë ata krijues, të cilët, me aq intuziazëm, kanë shkruar vepra e vepra, në të cilat kanë ndriçuar aq bukur të kaluarën e ndritshme shqiptare?! Ku janë ata intelektualë shqiptarë që, me aq pasion, kanë shkruar vepra e vepra, në të cilat kanë interpretuar e përhapur idetë dhe idealet e ideologëve të shquar shqiptarë të së kaluarës, të cilët në veprat e tyre, P. Osmane e kanë urrejtur, ashtu si duhet të urrehet pushtuesi dhe robëria?! Ku janë intelektualët shqiptarë, që heshtin, apo mos janë penduar për atë që kanë shkruar dhe tani dëshmitë e pamohueshme të së  kaluarës dhe, bashkë me to, edhe veprat e veta, duan t’i shpallin të pavlefshme, para mjerimit kulturor e shpirtëror të kohës sonë?! “…Shqipëtar, mos rri, po duku, shqipëtar!” (Ç.)



(Vota: 44 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: