Zeqir Lushaj: Njeriu… dhe Njerëzorja
| E Hene, 24.12.2012, 06:00 PM |

Me miqtë e mi amerikanë

NJERIU…dhe NJERËZORJA

-Ekskluzivisht për ZSh-në, nga redaktori ynë në Nj, USA- Zeqir Lushaj

Parathënie për lexuesin e ZSh-së

-Sonte është 24 dhjetori,  nata e shenjtë e Krishtlindjeve dhe sot java, nata e Vitit të Ri. Qofshin të bekuara këto ditë të shenjëta që ne i quajmë permbledhtazi: Festat e fundvitit. Në këtë natë te Madhe do përcjell per ju të dashur e të rrespektuar lexues të ZemraShqiptare, disa skica-portrete me personazhe krejt amerikanë. –A e dini pse e bëra këtë punë?

Sepse, shpesh edhe ne gazetarët jemi të padrejtë. Ja, per shembull, vet unë autori i këtij shkrimi, në fillim të vitit që po na vjen mbushi plot 15 vjet në Amerikë. Edhe me punë tash 15 vite, që nga shtatori i 1998 e deri sot, edhe vet edhe gruaja ime Sabrieja, jemi në të njëjten store (dyqan) të kompanisë së njohur A%P. Me këta njerëz të mirë, shpesh edhe të mrekullueshem, punojmë e jetojmë, ndajmë të mirën e keqen si i thonë fjalës. Sigurisht që me punen dhe djersen tonë, por ama në fund të fundit në asnjë mënyrë nuk duhet të harrojme se “hajmë bukën e Amerikës”. Andaj edhe i kemi jo pak borxhe asaj. Dashuria e malli per atdheun, shpesh na bën të harrojmë se ku jemi, e se ku i kemi kokën e këmbët .

E pra, ato i kemi këtu, por shpirtin gjithnjë atje, në ato bjeshkë e deri në buzë deteve Adriatik e Jon ku na fali Zoti. Ky shkrim pra, është edhe si njëfarë borxhi moral për keta njerëz që na duan dhe i duam, na respektojnë e i respektojmë, paçka se, jo e gjithë bota mund të jetë -Shqipëri e jo të gjithë njerëzit e kësaj bote - shqiptarë!

Veçse mbi ketë tokë të Zotit, Njeriu …dhe Njerëzorja, duhet të jenë Një-

-------------------

1. Telefonata e parë…

Kish ditë që e shihja të punonte në repartin e mishit… Dukej korrekt e shumë i sjellshem, por mua, se si me dukej ai burr, shumë i vjetër. Mbas disa ditesh, tek po bisedoja me zotri Xhanin (John), ose “Presidentin” e Unionit, (është manaxher i departamentit të mishit por edhe perfaqesues i Unionit në storen tonë A&P nr 618 Nj), me këtë që shihni në foton lart, e pyeta se: -pse e ke marrë në punë këtë burr të vjeter e jo ndonjë djal të ri? Ai, buzeqeshi dhe nuk më dha ndonjë përgjigje edhe per faktin se ishim në levizje e sipër…

Një ditë tjetër, më ndaloi në koridore te magazinës dhe me tha se do të më jepte një kafe.

Morem kafet dhe ai, mu drejtua:

-Ziggy, (kështu e shqiptojnë amerikanët emrin tim), -Më ke pyetur një ditë per këtë punëtorin që ka ardhur këto kohët e fundit tek mishi….E di si është puna miku im? Pyetja jote është e drejtë, por unë per këtë njeri kam obligim tërë jetën.

-Per ç’farë,- e pyeta unë disi me nxitim?

Ai vazhdoi: -Unë jam rritur në këtë kompani të madhe e të vjeter të Amerikës, ama, kurr nuk mund ta harroj se në moshen time 18 vjeçare, maturant në gjimnaz, ky njeri më ka telefonuar per herë të parë per të ardhur e per të filluar punë në A&P, punë, ku vazhdoj edhe sot mbas kaq dekadash…!

-Keni simpatin time, zoti “president”, - i thash dhe vertetë më emocionoi.

E, këtu janë dy nderimi bashkë:

-Nderimi per at’ që të telefonoi per herë të parë, është i pandashëm me nderimin per vet punën, që ju amerikanët e keni organike.

---------------

2. Nusja nga Columbia: Lucy Mejia

E respektoja dhe më respektonte. Kisha pak afinitet me të, si emigrant por edhe se ajo kish vite që punonte këtu, në këtë store dhe kish jo vetem njohuri por edhe autoritet. Me kish thënë  që është martuar dhe ka një djal e një vajzë.

…Ndodhi që, mbas disa vitesh në punë të përbashkët, po e shihja gjithnjë e më shumë me një djal i cili, edhe ai kish ardhur me punë në A&P. Afiniteti mes tyre po behej perditë e më i dukshem. Bile , në dhomën e pritjes, ku punëtoret pijnë kafen ose hanë shpejt e shpejt ndonjë gjë, i shihja ulur jo veç  në një tavolinë, por edhe “tuj u shty” me njëri-tjetrin. Kjo “lojë”, me sa duket, i ra në sy edhe vet Rucit, se ndoshta po len ndonjë pershtypje jo të mirë. Një ditë, ajo mu drejtue shumë miqësisht:

-Kur të mbaroj pushimi, të lutem ndalu një minutë mbrapa se kam diçka me ty.

Ashtu u bë dhe unë u ula përball saj.

-Shiko Zeqir,- nderhyri ajo disi e skuqur, vertetë e emocionuar. –Unë të kam thënë se jam e martuar por nuk të kam thënë tjetren se, me burrin që kam patur ka disa kohë që jemi ndarë. Ashtu erdhen punet dhe s’më mbeti rrugë tjeter.Ti e sheh dhe e kupton se unë sot jam  perfshirë në një mardhenie të re, me Carlos Mejia. E duam njeri-tjetrin dhe mendojmë seriozisht të jetojmë bashkë…

-E ndjeva si detyrë të ta them që ti, të mos mendosh keq per mua, per mua që më don si motren tënde, o miku im.

Të ju them të vërteten, të nderuar lexues, jo se nuk e njoh ndoshta mirë boten femrore, por, këtu edhe unë u gjeta diçka si “ngusht”! …E urova per lidhjen e re e i thash se kurr unë nuk kam menduar keq për Ju, mikja ime Ruci.

E, me veten time u perpoqa që ta bluaj edhe me thellë këtë koinfindencë të një nusje nga Kolumbia! Pse ajo të ndjehet si ngusht përpara meje? Pse ajo të më deklarohet, ndoshta edhe perpara se njerëzve të vet per do “incidente dashurore” të cilat sot, jo në Ameriken e lirë por gati në gjithë boten nuk janë më “ilegale”?

…E pra, per mua, si në rastin konkret, ky nuk mund të quhet ndryshe veçse; - nderi i një femre.

Me kujtohet ky detaj që e shkrova sot, perditë kur kryqzohem me Rucin në rrugicat e supermarketit  si dhe sa herë e takoj të shoqin Karlosin,(ai tani është në një punë tjetër), i cili kurr nuk kalon pa më përshëndetur miqsisht. Kan një djal në moshen 6 vjeçare dhe me sa duket kalojnë të lumtur.

----------------------

3. Kolonel Hulio

…Ky, është një nga miqt e mi të ngusht në jetën amerikane. E shihni si duket, si Robin Hut!! E kam koleg tash 7-8 vjet. Eshte vertetë fantastik. Shtetas amerikan me qendrim politik nga Kuba e Kastros. Unë e therras Kolonel Hulio! Bile, tani, si me shaka keshtu e thërret gjithë storia, dyqani ku punojmë. (Fjala “dyqan” në shqip të jep iden e një gjëje të vogël, por ky dyqani ynë këtu është më I madh se pallati i kulutrës në Tiranë dhe ka mbi 100 punetorë dhe një parking sa sheshi “Skenderbej”).

Bota e mikut tim Hulio, është ushtria, armet, agjenturat si dhe shtypi. Gazmor, shumë pedant në paraqitje e komunikim, i mbajtur me kujdes sa nuk jep mbi 60 vjeç, kur para pak ditësh hyri për të 70-ën. Ka qenë në luftë në Angola me forcat ndërkombëtare rreth 5 vjet. Edhe në Rusi ka sherbyer në ushtri jo pak vite. Jo veç e pranon perfshirjen në veprimtari agjenturore në Kubë, SHBA e Rusi, por e ka edhe si krenari. Kastron e akuzon rëndë. Siç thotë Hulio, ai është agjenti nr 1 i vet amerikaneve per të bërë e për të patur ishullin të vetin.

…Ka qenë mik i ngusht i Nenës Tereza. E ka takuar tre herë. Ka foto e dhurata prej saj. Por , -aaah, bën Hulio! –Më mbeten fotot atje, në Kubë kur u arratisa. Vetem rrobat e trupit, s’mund të merrja gjë tjeter. Aaah!

Pasjoni i tij i pashkoqur është gazetaria. Per këtë me flet perdite dhe me tregon punimet. Ia kam dhënë 6 lbrat e mi si dhuratë, dhe me thotë shpesh se kjo është një ndër dhurata më të çmuara që ka.

-Eshtë dhuratë e mirë dhe nga një mik shumë i mirë, -më bën qefin mua kolonel Hulio!

Dhe vertetë e kam mik shumë të mirë at’ njeri… At’ ditë që ndoshta nuk e takoj, e ndjej se më mungon diçka. Më mban gjallë edhe në situata krejt të luhatshme të humorit të cilat i kalon pak a shumë çdo njeri e sidomos në kurbet ato janë edhe më te dukshme.

…Heeej! –Pershëndetje kolonel Hulio! –Gëzuar këto Krishtlindje si dhe vitin e ri 2013.

--------------------

4. SHOKU IM, BECI

Në këto 4 skica-portret të vogla, e ka vendin e tij edhe ky djal i ri. Ky është shoku im Beci. E unë, nuk po shkruaj se Beci është shoku im, por per një diçka tjeter. Këto krishtlindje do të jenë të paharruara per Becin si nxenës i vitit të tretë në gjimnazin e Cliffside Park. Diten e mërkurë, pra, pasnesër, një ditë mbas-kristmas, Beci per herë të parë fillon punen përkrah dajos, në supermarket. Krahas shkollës ai ka zgjedhur që edhe të punoj ngapak që tani e tutje, siç thotë si me shaka ai “të mos ju kërkoj më para prindërve”!

Beci është një djal shumë i mirë, shumë inteligjent dhe i sjellshem, është një amerikan shembullor. Tani që Beci po fillon punë, me sjell në kujtesë javën e parë të gushtit të vitit 1999, kur në moshen dy-vjeçare e mora per herë të parë përdore dhe u futëm në aeroportin e Rinasit, per të marrë rrugën e kurbetit per në dheun e largët por të andërrave të mëdha, per në Amerikë.

-Punë të mbarë i dashur Besfort (Beci) Ymaj dhe rruga të qoftë e hapur per lartësi e vepra të reja në jetën tende, që në një farë mënyre, po e hedh sot hapin e parë …

Puna i çel të gjitha shtigjet e jetës. Keshtu qofte edhe per shokun (neser e tutje edhe kolegun) tim Beci!

-------------------------

(Ekskluzivisht për ZSh-në, nga NJ USA, nata e Krishtlindjeve, 2012)



(Vota: 52 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: