Sinan Kamberaj: Një takim i paharrueshëm me Nënë Terezen
| E Premte, 21.12.2012, 06:51 PM |

Një takim i paharrueshëm me Nënë Terezen

Një fytyrë që rrezaton fisnikëri…

Nga Sinan Kamberaj

Sapo hapem zyrat e Gazetës Illyria, ra telefoni. Misioni Shqiptar në OKB na njoftoi se pas një kërkese që i kishin parashtruar zonjat dhe fëmijët e personelit të këtij Misioni,  zyrës së Motrave Misionare, për një takim të shkurtër me Nënë Terezën në Bronx, kishte arritur pëlqimi për takimin. Redaksia jonë kishte nderin dhe privilegjin të merrte pjesë në takim, gjë që ishte një kënaqësi e vecantë, e paharrueshme.

Takimi, në fakt, e kishte një të metë: nuk mund të bënim intervistë me Nënë Terezën, sepse Ajo ishte e lodhur nga puna që kishte bërë gjatë qëndrimit disaditor në Amerikë. Marrëveshja, si e tillë, duhej respektuar.

Kush do ta refuzonte këtë shans, pavarësisht nga ky kufizim? Do ta takonim Nënë Terezën, do të bënim fotografi bashkë, do të këmbenim ca fjalë, fundja, do ta përshëndesnim dhe do t’i thoshim shqip atë që duhej thënë: Lutu për ne!

E po, a nuk ishte ky një rast i rrallë?

Takimi u zhvillua gati ashtu siÇ e imagjinuam. Në një Shtëpi (të vogël) Misionare në St. Rita Church në Bronx, po na priste një Nënë e Madhe: Gonxhe Bojaxhiu  - Nënë Tereza.

“Do ta takoni pas pak Nënë Terezën”, tha Jenny, një ndihmëse e saj, e cila na priti ngrohtësisht para hyrjes së Shtëpisë.

U ngjitem shkallëve në katin e parë dhe sakaq u shfaq Nënë Tereza.

“Mirë se vini! Zoti ju bekoftë!”, përshëndet mysafirët Nënë Tereza dhe ulet në një karrike, në një dhomë të mobiluar fare thjeshtë.

“Është një nder për ne që e kemi Nënë Terezën në mesin tonë, krenarinë e kombit shqiptar dhe të gjithë njerëzimit” filloi të fliste ambasadori Pëllumb Kulla. “Kjo, me të vërtetë është një ditë e veÇantë për ne, që Ju takojmë këtu”, iu drejtua ai Nënë Terezës.

Ajo falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Fytyra e Saj rrezatonte ngrohtësisht mirësi dhe fisnikëri. Për një Çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare. Fytyra e saj është vërtet një fytyrë tipike  e nënave tona, e atyre plakave fisnike, të cilat, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat e tyre bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi e butësi qiellore.

Në këtë Çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!

(Sa fotografi të Saj i kam parë të varura në muret e shtëpive shqiptare në Kosovë, në muret e klasëve në shkolla, sa këngë janë kënduar për Të në kopshte e shkolla, sa vizatime me fytyrën e saj, me të hequra vijash të sigurta, nga duar fëmijësh, sa vargje në faqet e shtypit shqiptar: “Nënëz-o, Nënëz-o!...)

Gonxhe Bojaxhiu ka shkruar edhe vetë poezi. “Po lë shtëpinë zemërfanar/ Vendlindje e farefis/ Po vete n’Bengalin dergjevarë/ Atje në të largëtin vis”. (Nga poezia: “Lamtumirë”, shkruar më 9 dhjetor 1928, gjatë udhëtimit për në Indi).

Dora e ngrohtë e saj prek butësisht duart tona. Gishtërinjtë magjikë përkëdhelin flokët e butë të fëmijëve mysafirë. Ata e shikojnë me kurreshtje dhe dashuri dhe sakaq edhe ne të rriturit, më bëhet se bëhemi si ata. Unë, për veten time - po. Me vinte t’i pyesja fëmijët: Si e ndjeni vetën kur, në Çastet e Çapkënërisë, pas ndonjë sherri të vogël, nëna ua ngre veshin? Ju dhemb? Jo, jo, ju “djeg“ ëmbëlsisht, sepse gishtërinjët e  nënës janë magjikë?

Kthjellohem kur Nënë Tereza fillon të flasë, qetë-qetë. Nuk mund të mos e përfytyrosh gurgullimën e Vardarit të Shkupit. Tek lutet, Ajo palos cepin e veshjes së bardhë, me vija ngjyrëkaltër të  Çelët, ndërsa ti përfytyron shkumëzat e bardha të Lumbardhit të Prizrenit, pas përplasjes me shkëmbin.

“Ma kanë punuar të sëmurët leprozë shqiptarë”, thotë ajo në anglishte.

Tek zë ngoje Shqipërinë, padashur të shkon ndërmend se dy lumnej - njëri i trungut familjar Bojaxhiu, ndërsa tjetri - i fëmijërisë së Gonxhes, rrjedhin në dy drejtime të ndryshme dhe derdhen në dy dete, poashtu të ndryshme: Lumbardhi - në Adriatik, kurse Vardari - në Egje.

Familja Bojaxhiu është e shpërndarë në disa vende të botës. Është e sigurt se familja e saj rrjedh nga Prizreni; një pjesë jeton ende aty, një pjesë në Shkup. Dega shkon deri në Egjipt.

Gonxhja u lind në Shkup, më 27 gusht 1910, nga babai Kolë Bojaxhiu, një tregtar i madh e i ndershëm, patriot i flaktë, si dhe nga nëna Drane, një grua fisnike e bujare.

Njëri nga studiuesit e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Dom Lush Gjergji, duke iu referuar rrëfimeve të vëllait të Gonxhes, Lazrit, thotë se “shtëpia e Kolë Bojaxhiut ishte gjithmonë krahhapur, si për miqtë, ashtu edhe për të varfërit. Ajo ishte një Çerdhe politike, kulturore, ndërtimtare…”.

Dom Gjergji shpalos kujtimin e Nëne Terezës për të jatin e saj, Kolën.”Bija ime, mos e le asnjë kafshatë buke pa e ndarë me të tjerët…”.

Lorenc Antoni, tashmë i ndjerë, një kompozitor i njohur nga Prizreni, bashkëkohanik dhe farefis me Nënë Terezën, thoshte se më 20 gusht 1928, duke u kthyer nga Kisha Katolike Shqiptare e Letnicës së Vitisë së Kosovës, Gonxhja i kishte thënë në besë: “Kam vendosur para Zojës së Letnicës të shkoj në misione dhe t’i kushtohem tërësisht Zotit për shëlbimin e shpirtërave…”

Që nga viti 1948 Nënë Tereza jeton në Kalkutë të Indisë, midis njerëzve të uritur.

Ajo, edhe pse mban mbi supe 85 vjet, ngrihet lehtësisht. Flet kulluar “Edhe pse po i mbushi 85 vjet, ndjehem mirë, sepse të gjithë luten për mua”, na thotë ajo në anglishte.

“Presidenti (Berisha) më ka ftuar të shkoj të jetoj në Shqipëri”. “Nëse dikush dëshiron të të vizitojë apo të bisedojë me Ty, le të vijë në Shqipëri”, më tha ai, - shton Nënë Tereza, duke qeshur. “Ndoshta do ta dëgjoj sugjerimin e Presidentit”.

Nënë Tereza e kishte nënën, vëllain Lazër dhe një motër në Shqipëri. Regjimi komunist i Tiranës nuk e lejoi ta vizitonte as varrin e së ëmës, as varrin e së motrës, deri në gusht të vitit 1988. Ky akt do t’i ketë shkaktuar dhimbje Nënë Terezës, por jo edhe zhgënjim. Dhimbjet e bëjnë njeriun të fortë, por akoma më të fortë janë ata që kaliten me vuajtje e dhimbje në fëmijëri.

Babain e Gonxhe Bojaxhiut, Kolën e kishin helmuar serbët në Beograd, në vjeshtë të vitit 1918, pas një mbledhjeje të rëndësishme të Parlamentit, ku ishte diskutuar për Çështje shqiptare. Kola ishte përfshirë në debat, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve si deputet i Shkupit.

Vdekja e Kolës kishte shkaktuar dhimbje të madhe në familjen e tij, por edhe në mesin e shqiptarëve të këtij qyteti. Ishin pikëlluar veÇanërisht varfanjakët e shumtë të qytetit, të cilët i kishte mbajtur gjallë ai. Kola u varros me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, në varrezat katolike në Shkup. Pas tërmetit fatal që goditi Shkupin, në vitin 1963, eshtrat e Kolë Bojaxhiut u zhvarrosën, bashkë me eshtrat e shqiptarëve të tjerë dhe u rivarrosen në periferi të qytetit të Shkupit.

Vitet e fundit Nënë Tereza ka qenë shumë herë në Shqipëri. Herën e fundit ishte më 25 prill 1993, ku bashkë me Papa Gjon Palin mori pjesë në ceremoninë madheshtore të inaugurimit të Katedrales së Madhe në Shkodër.

***

Është koha ta lëmë të qetë Nënë Terezën. “Rrnofsh sa malet!”, i thotë kolegu im, Isufi. “Ju kujtohet kjo uratë shqip?”, shton ai. “Ma përsërit ngadalë!”, thotë Ajo. “O, po, po!”, përsërit duke buzëqeshur. “Na rrnofsh sa malet”, - i themi edhe ne. “Edhe Ju”, thotë Ajo.

Nënë Tereza na përcjell deri te dera. I përqafon fëmijët, i ledhaton. Na uron rrugë të mbarë.

***

Pas ndarjes, nuk mund te mos meditosh për takimin. Si është e mundur që një komb i vogël, si ne shqiptarët, - bukur i pafat gjatë historisë, - t’i jepë botës figura kaq të mëdha, si Nënë Tereza. Nobelistja e Paqes, tashmë është, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e gjithë njerëzimit. Më 557 shtëpitë e saj në 126 vende të botës, Misionet e saj ndihmojnë qinda mijëra fëmijë e pleq, të vuajtur e të uritur, njerëz të sëmurë e të pastrehë. Nënë Tereza ka në Shqipëri tetë Shtëpi Bamirësie. Në Kosovë i ka dy Shtëpi të tilla.

“Në Kalkutë i kemi marrë nga rruga të gjithë njerëzit e uritur dhe të sëmurë, i kemi strehuar dhe nuk i kemi lënë të vdesin në rrugë”, reprodukoj në mendjë fjalët e sapothëna të Nënë Terezës në zyrën e Motrave Misionare në Bronx.

Në redaksinë e gazetës, nxjerr nga rafti një libër me kujtime të Nënë Terezës, të Dom Lush Gjergjit.

“Kemi qenë një familje e lumtur, plot hare e dashuri … Edhepse kam vijuar shkollën laike, së pari familja ime, e më vonë “Famullia e Zemrës së Krishtit”, më kanë dhënë një edukim të shëndoshë dhe të thellë fetar”, shkruan Dom Gjergji, t’i ketë thënë Nënë Tereza.

Ndërkaq, vëllau, Lazri e kujton të motrën: “Ishte vajzë normale, ndoshta pak e mbyllur… Qysh nga vitet e para të shkollës fillore hetohej talenti dhe shkathtësia e saj për mësim. Ishte nxënësja më e mirë në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët…”

Teksa filloj t’i shkruaj këto rradhë, më shfaqen para syve gishtërinjtë e këmbëve të Nënë Terezës, që dukeshin paksa të ndrydhur në sandalet e saj të grisura… Pastaj, gishtërinjtë magjikë të duarve që preknin faqet e skuqura të fëmijëve mysafirë, të këtyre vogëlushëve që u bënë sebep për këtë takim të paharrueshëm.

“Prej nga je Ti, vogëlush?”. “Nga Shqipëria”. “Po ti?”. “Nga Kosova”. “Zoti Ju bekoftë!”.

Ajo lutet për liri e paqe midis njerëzve. Atë do ta ketë bekuar Zoti, qëkur u lëshua në krahët e Tij. Ndaj, Ajo lutet edhe për të tjerët që t’i bekojë e t’i pranojë në Mbretërinë e Paqes së Përhershme.

“Nuk është popull i vogël ai që ka dhënë një Nënë kaq të Madhe”, ka thënë për Nënë Tërëzën kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë, Paskal.

Ky reportazh eshte botuar ne gazeten shqiptare-amerikane "Illyria" nr. 411 (29 qershor - 1 korrik 1995) ne New York. Eshte ribotuar po ne kete gazete me 28 Nentor 20012.

NEW YORK, 28 qershor 1995


Fotografitë: Isuf Hajrizi

(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: