Frank Shkreli: Organizata e Kombeve të Bashkuara nderon Nënë Terezen
| E Merkure, 19.12.2012, 05:48 PM |

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN  

Nga Frank Shkreli

Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore.  Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:  ''Këtu është një sallë fjalësh.  Disa ditë më parë në këtë tribunë  folën burrat më të fuqishëm të botës.  Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë.  Nuk besoj se është e nevojshme  tua paraqesë atë.   Ajo nuk ka nevojë për fjalë.  Por Ajo ka nevojë për veprat  tona.  Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku.  Ajo është  Kombet e Bashkuara.  Ajo është paqëja në botë.''

Sipas gjasës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.   Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.  ''Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,  thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

''Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë,  Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur  më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës.....Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t'i kemi dhënë njerëzimit.''

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ''Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ''Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane.  Me besim jam murgeshë katolike.  Si e tillë, i përkas të gjithë botës''.

Është ekzaktërisht kjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ''vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë'', përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,   siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z.  Ferit Hoxha – rreth të cilit të  mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: