Gani Mehmetaj: Ndërhyrjet ndërkombëtare dhe kompromisi shqiptar
| E Premte, 07.12.2012, 05:37 PM |

Ndërhyrjet ndërkombëtare dhe kompromisi shqiptar

Nga Gani MEHMETAJ

Ndërhyrjet e bashkësisë ndërkombëtare me paketën e Ahtisarit, kompetencat e EULEX-in në luftimin e krimit të organizuar, krahas ndërhyrjeve me pikat e marrëveshjes për veriun e Mitrovicës e trashëgimin bizantine që në mënyrë abuzive cilësohet trashëgimi serbe, vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. Me këmbënguljen e disa faktorëve me peshë, i jepet hapësirë Serbisë të bëjë presione të vazhdueshme e shantazhe në shtetin e ri, megjithëse minoriteti serb në përbërjen e përgjithshme është i papërfillshëm. Dy-tre për qind serb janë më pak se sa shqiptarët në Luginën e Preshevës, apo në Kosovën lindore sikurse quhet ndryshe, e cila deri me 1961 ishte pjesë përbërëse e Kosovës. Dhe pavarësisht këtij fakti Kosova nuk mund të ushtrojë ndikim të shqiptarët etnik të Luginës. Parimi i ndërsjelltësisë është i domosdoshëm, që të jemi korrekt me bashkëkombësit jashtë kufirit shtetëror dhe të jemi të ndershëm me veten. Pse e shpërfillin këtë parim fondamental faktorët ndërkombëtar dhe faktori shqiptar në Kosovë, është vështirë të arsyetohet.

Dhe derisa Serbia shpesh me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare mund të ndërhyjë në Kosovë, në emër të kinse mbrojtjes së të drejtave të serbëve, apo të mbrojtjes së trashëgimisë bizantine, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk e patën mbështetjen për të bërë presion mbi shtetin serb që të rregullojnë statusin e pazgjidhur të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, apo të bëjnë presion mbi Shkupin që t’u rregullohet pozita shqiptarëve në Maqedoni, që e përbëjnë 40 për qind të popullatës.

Më pikat e reja të marrëveshjes për veriun e Mitrovicës, ka rrezik t’i jepet mundësia Serbisë të ndërhy në Kosovë sa herë të përpiqemi të inkuadrohemi në institucionet ndërkombëtare. Investimet e huaja, po ashtu do të mungojnë në një rajon të paqetë.

Ngjashmëria me Bosnjë-Hercegovinën po vijëzohet, megjithëse modeli i këtij shteti është modeli më i keq në Ballkan dhe në Evropë. Brishtësia dhe paqëndrueshmëria e Bosnjë-Hercegovinës është pasojë e forcimit të padrejtë të serbëve në shtetin boshnjak, duke kërcënuar shtetin e brishtë dhe duke e pranuar gjendjen e krijuar me gjenocid në terren.  Edhe serbët në Kosovë po shpërblehen për gjenocidin ndaj shqiptarëve vendës. Instrumentalizimi i serbëve në Bosnjë dhe instrumentalizomi i serbëve në Kosovë, paraqet precedent të rrezikshëm, përkatësisht faktorë të destabilizimit në rajon. Pse duhet të luaj Serbia sërish rolin e xhandarit në Gadishull?  Ku qëndron arsyeja e zbutjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj kërkesave serbe? Të merr me të mirë ariun rus? Të shkëpusë Serbinë nga ndikimi i Moskës? Më këto veprime sigurisht që bëhet joshja e Rusisë në Ballkan përmes Serbisë, ndërsa Kosova që mund të jetë shtet i qëndrueshëm, qëllimisht dobësohet, sepse e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës, po edhe e Maqedonisë është e diskutueshme. Po e ardhmja e Kosovës - është në shtetin e pavarur, apo në bashkimin me Shqipërinë?

Prandaj, jo pa arsye shtrohet mëdyshja: Si do të përfundojnë negociatat me veriun e Mitrovicës? Duke i dhënë hapësirë interesave serbo-ruse  për të zbutur mllefin e serbëve, sepse e humbën Kosovë? Duke e dobësuar shtetin e Kosovës që ta nxis për bashkim?

Në një situatë të këtillë të politikës së paqëndrueshme, që të mos themi të politikës konfuze të BE-së , Kosovës nuk i mbetet hapësirë e madhe manovruese as mundësi e akrobacionit diplomatik, ndërkaq ne kemi mungesë të madhe të diplomacisë dhe të diplomatëve. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të gjenden para mëdyshjeve, ose para udhëkryqit. Mund të pranohet politika e kompromiseve të dhimbshme, pra e lëshimit pe para presionit ndërkombëtar ( autonomia e veriut të Mitrovicës), ndërkaq ky  qëndrim cilësohet qëndrim dhe veprim kapitullues ndaj Serbisë. Mund të refuzojnë përfaqësuesit e Kosovës pikat e marrëveshjes dhe të cytin mërinë e Bashkësisë ndërkombëtare, pra të mos fitojnë në zgjedhjet e ardhshme. Por mund të kërkojnë forma të tjera për të dal nga kriza: projektin e rilindësve për bashkimin kombëtar.

Euforia nacionaliste ishte fryma që e mbajti gjallë shqiptarizmin në detin e popullatës ardhacake sllave. Euforia nacionaliste krijoi mekanizmat e kundërvënies ndaj ish-Jugosllavisë e Serbisë. Kjo frymë duhet të kërkojë strategji të re për të dal nga kriza, sepse pas krijimit të skeletit të shtetit të ri të Kosovës, sikur kemi mbetur në vend dhe kurrsesi të ecim para. Forcat e tashme politike dhe ato që janë në pushtet zor se kanë energji e koncept për të dal nga situata. Forcat e reja më vështirësi po shpërthejnë, apo janë tepër të ngulfatura nga organizmat e fshehta,  OJQ-të e Bashkësia ndërkombëtare që duan njerëz të kompromisit e me dosje më parë se sa politikanë të ndershëm.

Natyrisht ky bashkim do të jetë shumë më i dhimbshëm se sa dikur, sepse territore të tëra  tashmë janë shkombëtarizuar, tokat shqiptare janë copëtuar në tri shtete sllave. Krijimi i programit të ri politik, apo kristalizimi i programit të mëparshëm të Rilindësve, kërkon forcë të re politike, potencë intelektuale dhe klasë politike më dinjitoze, të aftë, të pa dosje kriminale, (të papërlyer në krimin e organizuar, në vrasje politike, zhvatje, etj). Këtë projekt madhor nuk mund ta udhëheqin as pozita dhe as opozita e tashme, sepse nuk kanë potencë intelektuale, nuk kanë dije politike, u mungon karizma dhe u mungon morali politik.

Pjesa më e madhe e tyre janë zvetënuar, pjesa tjetër pos nëpunës, nuk janë  për poste më të larta, apo për misione më sublime; ata janë konsumuar ende pa vepruar.

Po roli i shtetit shqiptar, ku do t jetë në këtë mes? Roli i shtetit shqiptar është i pazëvendësueshëm. Do të goditej fryma dezintegruese  antishqiptare në të gjitha  segmentet e jetës politike, kulturore, gjuhësore, provinciale-fshatare. Do të bëhej një veprim më këmbëngulës dhe më i koordinuar.

Ndryshe Kosova është për t’ia qarë hallin...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: