Fritz Radovani: Jam krenar me ju!
| E Marte, 27.11.2012, 07:04 PM |

FRITZ RADOVANI:

 

“JAM  KRENÁR  ME  JU !”

 

MELBOURNE  2012

 

RILINDJA KOMBTARE SHQIPTARE

Në 100 vjetorin e Pavarsisë Kombtare…

 

ANTON ZAKO (1866 – 1930) - Pseudonimi Çajupi.

Ka lé në Sheper të Zagorisë së Gjinokastres dhe ka vdekë në Kajro t’Egjiptit. Ishte Jurist dhe poet. Botoi “Baba Tomori”, “Përralla”, “Burri i Dheut” dhe “Pas vdekjes”.

ALEKS SOTIR DRENOVA (1872 -  1947) - Pseudonimi Asdreni.

Ka lé në Drenovë të Korçës dhe ka vdekë në Bukuresht. Poet Lirik, ka shkrue librat “Rreze Dielli”, “Endrra e Lotë” (1912), të cilët edhe janë botue.

At ANTON XANONI S.J. (12 Janar 1862 – 16 Shkurt 1915)

Ka lé në Durrës dhe ka vdekë në Shkoder. Vorri i asht shkatrrue në 1967.

Ishte një letrar i shquem dhe perkthyes me vlerë në Gjuhën Shqipe të paster.

ANASTAS KULLORIOTI (1820 – 1887)

Ka lé nё Athinё dhe punoi pёr Rilindjen tonё kombtare, prandej edhe e helmuen.

ALEKSANDER XHUVANI (1880 -  1961 )

Ka lé në Elbasan dhe ka vdekë në Tiranë. Perveç librave pedagogjike ka shkrue edhe materiale gjuhsore, ku spikatë gjuha e tij e Shqipnisë së Mesme.

At ANTON HARAPI OFM, ( 1888 – 1946)

Ka lé në Shirokë pranë Shkodres dhe asht pushkatue në Tiranë, nga komunistët.

Asht i njohun si shkrimtarë, polemist dhe orator. Ka shkrue disa libra: “Vlera Shpirtnore”, “Urti e Burrni ndër banorët e Cemit”, “Andrra e Pretashit”.

At BERNARDIN PALAJ OFM (1894 – 1946)

Ka vdekë në tortura në hetuesinë e Shkodres. Bashkё me At DONAT KURTIN OFM, (1903 – 1983 ) lé dhe vdekë në Shkoder, tё dy Françeskanё nder drejtuesit e „Hylli i Dritës“, kanё shkrue „Visaret e Kombit“ të mbledhuna nga goja e Popullit edhe shumë „Prralla“ etj, Kanë botue dhe librin „Kangë kreshnike dhe legjenda“.

ELENA GJIKA (1829 – 1888) Pseudonimi Dora D’ Istria.

Ka lé nё Bukuresht, Rumani. E para shkrimtare Shqiptare dhe publiçiste. Ka shkrue

librat “Kombёsia Shqiptare sipas kёngёve popullore”, “Shqiptarёt nё Rumani” etj...

Shkrimet e Saja tregojnë dashninë e pashueme per Atdhé.

Don EJËLL RADOJA (1820 – 1880)

Ipeshkёv i Shkodres qё ka mbёshtetё dhe perkrahё Rilindjen Kombtare tue e ndihmue nё botime librash. Ka shkrue poezi per fëmijë si dhe tregime e legjenda...

ERNEST KOLIQI (1903 –  1975)

Ka lé në Shkoder dhe vdekë në Romë. Poet dhe prozator, ka botue „Hija e Maleve“, „Kushtrimi i Skenderbeut“, „Tregtar Flamujsh“, „Shejzat“ etj.

FAN S.NOLI (1880 – 1965)

Ka lé n’Ibrik Tepe t’ Andrianopolit dhe ka vdekë në New York, ShBA. Asht perkthyesi i kryeveprave botnore ma i njohuni në gjuhën shqipe. Ka shkrue edhe „Historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut“ (1947).

FAIK KONICA  (1875 – 1942 )

Ka lé në Konicë dhe vdekë në ShBA. Ka pasë stil të fuqishem në publiçistikë. Asht një satirist i njohun me librin “Dr. Gjëlpëra“ dhe shumë perkthime të tij.

FILIP SHIROKA (3 Gusht 1859 – 1939)

Ka lé në Shkoder dhe ka vdekë në Hadet Beyrouth. Ka shkrue librin „Zani i zemres“.

Asht cilsue si klasik i Rilindjes sonё.

At GJERGJ FISHTA OFM, (1871 – 1940)

Ka lé në Fishtë të Shkodres dhe ka vdekë në Shkoder. Asht Poeti Kombtar i Popullit Shqiptar. Kryevepra e Tij asht “Lahuta e Malcisë”. Asht hartues I Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe i Revistës “Hylli I Dritës”….

HILË MOSI (1885 – 1934)

Ka lé në Shkoder dhe ka vdekë në Tiranë. Ka shkrue librin “Zani i Atdheut”, dramen “Cubat” dhe “Lulet e Pranverës”.

JANI VRETO (1822 – 1900)

Nga Stambolli ndihmoi per alfabetin, shkrimin shqip dhe zhvillimin e arsimit tonë.

Ka shkrue “Apologjia”, “Mirëvetija” etj...Ishte edhe publiçist e organizator.

At JUSTIN RROTA OFM, (17 Shkurt 1889 – 1964)

Ka lé dhe vdekë në Shkoder. Studjues i palodhun i bazave shkencore të gjuhës shqipe. Ka botue “Leteratura Shqipe”, “Per historinë e alfabetit shqip” etj...

KARL GURAKUQI (24 Mars 1895 – 6 Dhjetor 1971)

Ka lé në Shkoder dhe vdekë në Itali. Shkrimtar dhe perkthyes i mirë. Ka shkrue me Prof. FILIP FISHTEN (1904 – 1973) dy vllime me vlerё per folklorin shqiptarë.

KOSTANDIN KRISTOFORIDHI (1827 – 1895)

Ka lé dhe vdekë në Elbasan. Perkthyes në dy dialektet, Toskënisht dhe Gegënisht.

Ka perpilue edhe një fjalor të Gjuhёs Shqipe, botue në Athinë, 1904.

KOTO HOXHI (1824 – 1895)

Ka lé nё Qestorat të Lunxherisë në Gjinokaster...njihet nder publiçistët e palodhun.

Don LAZER SHANTOJA (2 Shtator 1882 – 5 Mars 1945)

Ka lé në Shkoder dhe asht pushkatue nga komunistët në Tiranë. Asht Martiri i Parë i Genocidit komunist në Shqipni. Poet dhe prozator elegant. Perkthyes dhe një nga publiçistët ma të mdhaj shqiptar, perkrah Konicës në Jug.

LUIGJ GURAKUQI (20 Shkurt 1879 – 2 Mars 1925)

Ka lé në Shkoder dhe asht vra nga Ahmet Zogu në Bari të Italisë. Asht i pari drejtor i shkollës “Normale” në Elbasan 1909. I pari minister arësimi në Qeverinë e Vlonës 1912. Njohës i dy dialekteve dhe luftar i vendosun per formimin e Gjuhës Letrare Shqipe. Ishte poet, prozator dhe publiçist demokrat i njohun.

MATI LOGORECI (1867 – 1941)

Ka lé dhe vdekë në Shkoder. Mësues! Figurë e Madhe e Arsimit tonë Kombtar.

Ka botue libra të historisë, lexime, antologji, revista dhe “Fjalorth”...

MID-HAT FRASHERI( 1880 -  1949) - Pseudonimi Lumo Skendo.

Ka lé në Stamboll, asht djali i Abdyl Frashërit. Ka punue per kulturen shqiptare.

MIHAJL GRAMENO (1872 – 1931)

Ka lé dhe vdekë nё Korçë...Poet dhe publiçist demokrat i Rilindjes. Ka shkrue librin “Oxhaku” dhe “Mallkimi i Gjuhёs Shqipe”.

MUSTAFA KRUJA (1887 – 1958)

Atdhetar i flaktё i Shpalljes sё Pavarsisё nё 1912. Dijetar nё fushen e gjuhёsisё dhe autor i projektit tё Gjuhёs Letrare Shqipe.

NAIM FRASHERI (1846 – 1900)

Ka lé në Frasher dhe ka vdekë në Stamboll. Atdhetar i palodhun per Shqipni.

Veprat kryesore të Tij në gjuhen shqipe per rininë Shqiptare janë “Lulet e Verës”, “Histori e Skenderbeut”, “Bagëti e Bujqësija”.

NAUM VEQILHARXHI (1767 – 1846)

Lindi në Vithkuq të Korçës.E helmatisen në Stamboll. Asht nder mendimtarët e parë të shquem të Rilindjes. Punoi për arsimin kombtar e ka shtypë një abetare 8 faqe.

Don NDOC NIKAJ (1864 – 1951)

Ka lé dhe vdekë në Shkoder, tue i sherbye Lirisë Kombtare. Asht romancieri i Parë.

Don NDRE MJEDJA (19 Nandor 1866 – 1937)

Ka lé dhe vdekë në Shkoder. Poet dhe veprimtar i Rilindjes. Poet lirik dhe një nga ma të njohunit në studimet e gjuhësisë. Pjesmarrës në Kongresin e Manastirit.

At PASHKO BARDHI OFM, (1870 – 1947)

Studjues i gjuhës dhe perpilues i “Fjalorit” të Shoqnisë “Bashkimi”, botue në 1908.

PASHKO VASA (1825 – 1892)

Ka lé nё Shkoder dhe ka vdekё governator nё Beirut, Liban. Poet i Rilindjes sonё.

PAPA KRISTO NEGOVANI (1875 – 1905)

Vdiq i masakruem nga grekët, si Atdhetar Martir dhe mësues i gjuhës shqipe.

PANDELI SOTIRI (1852 – 1890)

Ka lé nё Selckё tё Gjinokastres...Asht kenë drejtori i parë i mësojtores së Korçës.

Asht vra pabesisht në Stamboll, si veprimtar i Rilindjes Kombtare.

Don PASHKO BABI (1843 – 1905)

Ka le dhe vdekё nё Shkoder. Ka botue tektin e parё shkollor nё Shqipni.

PETRO NINI LUARASI (1865 – 1911)

Ka lé në Luaras të Kolonjes dhe vdiq i helmuem në Ersekë. Ishte mësues i shkollës së parë shqipe në Korçë. Publiçist i njohun dhe organizator i Rilindjes.

Don PJETER ZARISHI (1806 – 1886)

Ishte nga Zadrima e Shkodres, Poet, letrar dhe mjeshter i metrikes.

Imzot PRENG DOÇI (1846 – 1917)

Ka lé nё Bulger tё Lezhёs. Figurё e madhe e Rilindjes. Poet dhe shkrimtar. Ka lanё librin historik “Shqipnia nёn zgjedhen turke” etj...Drejtues i Shoqnisё “Bashkimi”.

RISTO SILIQI (1882 – 1936)

Ka lé dhe ka vdekё nё Shkoder. Poet dhe historian i Rilindjes sonё. Vepra e tij asht “Pasqyra e ditëve të pergjakëshme”, që demaskon shtetet shoveniste sllave fqinjë.

SAMI FRASHËRI (1850 – 1904)

Ka lé në Frasher të Permetit dhe vdiq në Stamboll. U formue me kulturë Europjane.

Ideolog i Rilindjes Kombёtare. Shkrimtar, botues dhe orator. Vepra kryesore e Tij asht “Shqipёria ç’ka qenё, ç’ёshtё e ç’ do bёhёt?”.

SOTIR GJIKA (10 Tetor 1889 – 12 Prill 1927)

Ka lé nё Sktikё tё Kolonjes dhe ka vdekё nё Verona Itali. Publiçist i Rilindjes.

Trashigoi nё gjakun e vet virtytin: “Me i sherbye Atdheut me besё e me nderё!”.

SPIRO DINE (1852 – 1922)

Ka lé nё Vithkuq tё Korçës dhe vdiq nё Egjipt. Ka shkrue librin “Valët e detit”.

At SHTJEFEN GJEÇOVI OFM, (12 Korrik 1874 – 13 tetor 1929)

Ka lé në Janjevë dhe asht vra nga serbët në Zym të Gjakovës. Asht nder të parët që ka mbledhë ligjët e Maleve, i ka perpunue e hartue në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”.

THIMI MITKO (1820 – 1890)

Ka lé nё Korçë dhe ka vdekё nё Beni Suef, Egjip. Ka punue per gjuhen dhe u shque në fushen e folklorit dhe publiçistikës. Ka shkrue librin “Bleta Shqiptare”(1878).

At VINÇENC PRENNUSHI OFM, (4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)

Ka lé në Shkoder dhe ka vdekë në burgun komunist të Durrësit. Poet atdhetar dhe demokrat perparimtar i shtetit shqiptar me petkun françeskan deri në vdekje.

Don ZEF ASHTA, Me 8 Janar 1960, mёsuesi Sander Troshani shenon:  Nё regjistrin e famullisë së Shirokës fq.22, shkruhet: “Shkolla ose mësojtorja për djemtë, filloi në vjeshtën e vitit 1874 kur në fshatin Shirokë prifti katolik Don Zef Ashta, qé i pari që hapi shkollën fillore (ose mësojtoren) e djelmënisë së këtij fshati…”.

ZEF JUBANI (NDOKILLIJA) (1818 – 1880)

Ka lé dhe vdekë në Shkoder. Ka botue libra me kangë popullore dhe ka lanë edhe një dorshkrim me vlerë “Historia e jetes dhe e veprave të Gjergj Kastriotit”.

ARBËRESHËT E ITALISË dhe TË GREQISË, që kanë luftue me shekuj me ruejtë me madhështi identitetin kombtar, janë një volum tjeter i Rilindjes sonë kombtare.

Nder figurat e mëdha janë: JERONIM DE RADA, ZEF SEREMBE, GAVRIL DARA I RI, F.A. SANTORI, ZEF SKIROI, DHIMITER KAMARDA. Nga Arbëreshët e Greqisë njihen:

A. KULLURIOTI, P. KUPITORI etj...

SHOQNITË ATDHETARE dhe KULTURORE janë të shumta tue fillue nga ato ma të vjetrat të Stambollit, Sofjes, Bukureshtit, Egjiptit, Athinës dhe deri pertej oqeanit në ShBA, të gjitha kanë luejtë një rol vendimtarë në Rilindjen Kombtare.

Puna e Tyne Atdhetare “ME PUSHKË e PENË”, u konorzue me FITOREN E MADHE TË PAVARSISË KOMBTARE, E SHPALLUN NË VLONË, ME 28 Nandor 1912.

Shenim: Vendosja asht ba simbas rendit alfabetik të emnit Rilindasit.

Kёtu janё vendosё emnat e Atyne Atdhetarёve qё kanё dhanё kontributin e Tyne nё fushen e Arёsimit, gjuhёs dhe letersisё sonё Shqiptare.

At Donat Kurti OFM, shenon rreth vitit 1760 – 1860 emnat e Kёtyne mёsueseve nё Shkoder: KUSH MICJA, TONE RADOJA, TEREZE BERDICJA, TINA e NIKËS.

Në vitin 1885 ase aty pranë, në Prizren, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.

Ndersa nё vitet 1800 e ma vonë shenon emnat e mësuesëve: Gegë Kodheli, Gjergj Benussi (1836),  GJON SHKRUMI, ZEF KAMSI, JAKU i TUSHIT të MARK KRAJËS -  (SPECI), SHOR MARKJA, Don Pepini, Don Engjëll Radoja, Don P. Babi.

Pothuej të gjithë të lanun në “harresë”!!.. Autori.

 

Melbourne, Prill 2012.

 

DISA FOTO TË RILINDASËVE TANË...

 

 

Harta e Shqipnisë Etnike mund të jetë veper e Prof. Ahmet Gashit.

Fotot janë marrë nga interneti.

 


Melbourne, Prill 2012.

(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: