Fritz Radovani: A ''gaboi'' imzot Luigj Bumçi, në vitin 1920!?
| E Enjte, 22.11.2012, 07:52 PM |

A  “GABOI”  IMZOT  LUIGJ  BUMÇI,    VITIN  1920  !?..

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

Nga Fritz RADOVANI

Kisha me thanë se jo vetem “gaboi” Ai vetë, po bani me “gabue” edhe Papen…

Edhe pse pjesa ma e madhe e Shqiptarëve, bashkë me Trojet e veta, kishte mbetë jashtë asaj copë tokë që në vitin 1912 i kishin vue emnin “Shqipni”, prapseprap nuk munguen të gjitha perpjekjet e Atdhetarëve tanë per me mujtë me i bashkue edhe ata Troje, që mund të bashkonin, e që fqinjët, padrejtësisht, kerkonin me i mbajtë me paturpësi nen sundimin e tyne barbar. Mbas vitit 1912 Shqipnia e Pavarun nga Turqia nuk mërrijti me u shkundë nga balta e mentalitetit të anadollakëve, që shikonin Atdhetarët tue vrapue në Vlonë me ngulë shtizen e Flamurit, se në pelhuren e kuqe të Tij ua vriste synin Shqipja Dykrenare e Gjergj Kastriotit...Një pjesë e mirë  nuk vonoi me tregue ftyren e vet të vertetë pa kalue as viti nga 28 Nandori 1912, edhe pse dukeshin të gëzuem e të qeshun, ma shumë ishin të piklluem dhe të ngerdheshun nga ajo ngjarje e madhe historike. Zemra e tyne “e plasun” ishte e vetmja që dinte sa e dhimbëshme ishte ndamja nga osmanllinjtë ...Kur ata mujten me kuptue se nuk janë n’ anderr, ashtu si i mbytuni kapet per shkumbë...ua mësyen komshijëve “dashamirës”, që asnjëherë nuk  janë kursye me na shtue mundimet e coptimet kur ua dhanë rasa, kjoftë edhe me na qitë fare, gja që po e vazhdojnë dhe sot! E pse jo!? – Asnjëherë nuk i munguen as mjetet, as agjentët dhe as tradhëtarët tanë!

Kur Dedë Gjo’Luli i Hotit i mësoi Lidhjes së Prizrenit sesi fitohet Liria, e pa kalue viti u mblodhën në Gerçë me i thanë Europës se “nuk mjaftohemi me kaq!”, ishin malazezët që bash Atë Dedë kerkuen me e fshi me farë e me fis e që as nuk u kursyen me kerkue varjen në litar të At Mati Prennushit, që po i rrinte në krah Dedës, dhe nuk po i dhimbsej as jeta per me mbledhë Atdhetarët Shqiptarë në qelen e vet. Në fillim të muejt Qershor 1911, me datën 10 u nënshkrue Memorandumi i Gerçës, i cili njoftonte haptas Turgut Pashën, se: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi...” (Doc. Public Record Office Foreign Office,  – P.R.O. F.O. 371. 1230. Fq. 450.)

Të gjithë këta Burra që nenshkruene “Memorandumin e Gerçës”(1911), nuk besoj se i keni lexue ndonjëherë në libra “historie”...tue fillue nga i Madhi Dedë Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës, Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës, Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937)

Kur Don Nikollë Kaçorri u nis per Vlonë, as Mirditen, as Durrësin  Ai nuk i la jashtë kufinjëve, se aty ishte Preng Previzi me shokë, por mori me vete një Luigj Gurakuq mbas të cilit vrapoi Isa Boletini me 300 Trima me u gjetë ku ishin Burrat e Dheut e “mos t’mi presin kush në besë!”. Iu sillnin rreth një tavolinës Ata Burra “tue mendue mos të na zemroheshin osmanllinjtë!..” derisa Luigji nxori patllaken e u tha: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!” Flamuri u ngrit në Vlonën e Shqipnisë Mosmvarëme me 28 Nandor 1912. E edhe sot ka firma që nuk di kush me i lexue se nuk kishte as kater vjet që At Gjergj Fishta u kishte mësue Shqiptarëve me cilat shkronja duhet të shkojmë të Lirë drejtë Qytetnimit Europjan. ...Pak ma andej Drinit Prifti Don Ndre Mjeda i tregonte “atyne” që nuk po donin me dijtë se ka Shqipni: “Lirinë e keni ju, na hekra kemi...”

Një tjeter Burrë germonte gropa me hy Ai vetë i gjallë në dhé, aqsa nuk i dukej as koka kur kerkonte “monedha Ilire e rrasa të dhênme me shkrojla të vjetra”, me ua mbushë mendjen dijetarëve të Athinës e të Romës se At Shtjefen Gjeçovi “po ua tregon edhe ju ku ishte dikur Shqipnia e Ilirëve të vjeter e pak ma andej Dardania e Tij!” Dikund nder shpella, një tjeter Atdhetar, e ndiente veten ma rahat tue fjetë me krye të mbështetun nder gurë, se nder jastekë puplash e me faqe të zezë...Merrte e jepte me disa Freten cigare aty në Gjuhadolin e Shkodres e kur shtrihej me pushue në shtëpinë e tyne, Ai aty kishte shtratin e vet të drrasave, që nuk guxonte me fjetë tjeter kush perveç Bajram Beg Currit...Shkodres së rrethueme nga malazezët iu desht edhe një vit me vuejtë nga urija dhe vrasjet barbare të armëve që kerkonin dhunimin me gjak të Lirisë! E kur një qytet ngopej me çorbë kelkazash... mbas gardhiqeve nuk mungonin kusarët me armët e “faluna”, shkembye me “copa” Trojesh Shqiptare, per me sjellë një robni të ré në këte vend ku pa kalue viti 1912...nga kaçubat e ferrave shekullore mbinë farat e këqija të xhonturqëve me do Esad Pasha e Zogolla, Haxhi Llesha e Qamila, Enver Hoxha e Hoxhë Alia, Mehmet Sheha e një hu pleha... që per me vjedhë e me sundue tue vra e pré Shqiptarë ishin kenë të vetmit!

Do të flas me dokumenta të tjerë e jo të shkrueme në organët fetare të Shkodres, për me tregue të vërtetën që pasqyrojnë ata në lidhje me qendrimin e premë antiturk dhe antisllav të Klerit Katolik të asaj kohë në të gjitha trevat Shqiptare, mbasi për fat sot, kjo dokumentohet me qendrimin e zotni Count de Salis, i cili i tregon zotni Edward Grey, Ministër i Jashtëm britanik, dhe shprehimisht shkruen: “Cetinë, 28 Janar 1913,... Malësorët kanë vendosë me ndërpre dhe mos me pasë ma punë me Malin e Zi” (Doc. 4391, fq. 184. P.R.O.F.O. 371, 1758.).

Takimi i Imzot Bumçit në Podgoricë, kur Ai organizoi krenët e Malësisë nën drejtimin e Dedë Gjo’Lulit me u takue me ministrin turk, mbetët ndër perlat e historisë së pashkrueme të Veriut, ku porsa ministri u thotë malësorëve se kam ardhë me urdhën të mbretit me ju pa, në çast i përgjegjet Deda: “S’na ka pase marrë malli për ty!” E, Imz. Bumçi, shpjegon sesi ju desht me e përkthye se nuk kishte kah me ia mbajtë...Të gjitha këto veprime arrijnë me detyrue Austrinë me deklarue në Konferencë të Ambasadorve, me 7 Janar 1913 për çeshtjen e  madhe të Shkodres, se: “...Banorët e këtij qyteti, si përsa i përket origjinës etnike, ashtu edhe nga pikëpamja e besimit, nuk kishin asnjë afersi me Malin e Zi.” ( P.R.O.F.O. 371. 1757 fq.222.)

Në këte moment kritik, ashtu si edhe tjera herë asht edhe Miss Mary Edith Durham, që me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do t’i bajë të kjartë qarqeve angleze dhe ndërkombëtare se: “...egzistonte në qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (po aty 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913. M.E.Durham.).

Në vitin 1919, me vendim të Qeverisë së Durrësit, Imzot Luigj Bumçi emnohet Kryetar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Materiali i z.Valentina Duka, paraqitë në librin “Krishtërimi ndër Shqiptarë” në vitin 2000, më ndihmon me përcaktue me saktësi një nga ata momente kyqe të historisë ku Imzot Bumçi, me aftësitë e një gjeniut, arrin me shpëtue nga kthetrat greke Korçën dhe Gjinokastrën, ndonse edhe për këte pseudohistorianët “heshtin”...

Korça e Gjinokastra vazhdonin me kenë jashta vizave e disa blloqeve të çimentos të quejtuna “piramida” kufini... Shkruhen e shkarraviten libra nga “dr. prof. e akademikë” e edhe pse Imzot Luigj Bumçi ka vdekë në shtrat në vitin 1945...siç thonte At Pjeter Mëshkalla: “Ti nuk vdiqe po plase!”, edhe pse vdekja e shpetoi nga plumbi komunist, prapseprap edhe vepra e Tij “nuk duhen zanë me gojë” me që edhe Ky ishte Klerik Katolik Shqiptar, ndonse Kryqin e mbante nën pallto, por kur e nxorri mbi pallto më duket se edhe aty “gaboi”...

Imz. Bumçi takohet me disa përfaqësues shtetësh tue fillue nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, Serbisë, Greqisë dhe sa e sa të tjerë, me të cilët komunikoi direkt pa përkthyes, mbasi zotnonte disa gjuhë të hueja, dhe arrin me i bindë ata, se çeshtja Shqiptare nuk asht një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por asht problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Europën.

Imzot Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës. Ai ishte i pari politikan Shqiptar që mendoi se trupat amerkane janë ata që mundën me shpejtue çlirimin e Tokave Shqiptare të Kosovës nga Serbia, prandej edhe i kërkoi Presidentit Willson hymjen e trupave amerikane në këte zonë. Imzot Bumçi ishte i pari strateg “profet”, që parashikoi pikërisht até që do të ngjante në Kosovë gati 80 vjet ma vonë, në vitin 1999.

Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me datën 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të  gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme si kur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” (V. Duka. Po aty, Fq. 300)

Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar...dhe, e mbajti premtimin!

Me 17 Dhetor 1920, me rastin e pranimit të Shqipnisë në Lidhje të Kombëve, ambasadori i Indisë, tha: “Kur në Botë zhvillohen ende lufta ndërfetare, në Shqipni myslimanët, katolikët e ortodoksët jetojnë në harmoni dhe asht fakt i shkelqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane, me pasë këtu Përfaqësues një të krishtenë, madje dhe një Prift.”

Ndërsa Luigj Gurakuqi jep formulën e bazës së bashpunimit ndërmjet elementave fetar të ndryshem, të cilët duhet të kenë si bazë Njësinë e Atdheut. Vetëm atëherë kur Shqiptarët ditën me ruejtë të pastër dhe të fortë cilësinë e tyne të parë, që i dallonte edhe në Ballkan: Tolerancën Fetare, vetëm atëherë, kishte Unitet Kombëtar!

Jeta e përditëshme e Imzot Bumçit asht historia e përshkueme prej Tij në çdo çast që ka kalue në të gjitha fitorët dhe humbjet e Populli Shqiptar. Ai ishte një dijetar i madh i psikologjisë sonë, por edhe një depërtues i thellë në mbrendinë e shpirtit t’anmiqëve të Kombit tonë.

Ai njihte Mikun, por dinte edhe sesi me u ruejtë nga anmiku shekullor. Ja porosia e Tij:

“Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njenitjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mënitë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tonë e të mos ftohim e të ashpërsojmë mardhanjet në mes të Shqiptarëve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të jenë. Për të mirën e Atdheut, duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerve.

Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht kjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat e kundërshtarve të njenit e të tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e anmiqve.” (po aty, fq. 301.)

***

Qendrimi që po mbahet ndaj Këtyne Atdhetarëve Shqiptarë prej gati 70 vjetësh dhe prap sot në prag të këtij 100 vjetori të Pavarsisë sonë kombëtare, nga të gjithë qeveritarët tanë, pseudoprofesorë e doktorë historianë, deri tek akademikët e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë, që me “heshtjen” apo perçmimin ndaj veprave të Tyne të mëdha per Liri, Pavarsi dhe Shqipni Europjane, vetem pse Këta ishin Shqiptarë Katolikë, besoj lexues të nderuem, se ua bajnë kjartë edhe Ju, se cila asht arsyeja që më shtynë me thanë se: “Gaboi, e gaboi randë” Imzot Luigj Bumçi, gabuen Don Nikollë Kaçorri, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi e Gjelosh Luli, dhe ma shumë se të gjithë Këta Burra, Luigj Gurakuqi, ndonse Ky e pagoi me jeten e vet, po edhe me themelin e Shtëpisë së Tij, ku gjithmonë rreth atij oxhaku mendoi e punoi per Shqipninë e Pavarun dhe të Perparueme Europjane, nen Flamurin e të Madhit Gjergj Kastrioti!


Melbourne, 2012.

(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: