Fritz Radovani: Kush e shkatrroi Shkodrën, Krajl Nikolla me topa, apo Enver Hoxha me hora?
| E Shtune, 10.11.2012, 06:26 PM |

KUSH  E  SHKATRROI  SHKODREN,

KRAJL  NIKOLLA  ME  TOPA, APO  ENVER  HOXHA  ME  HORA ?

Në 100 vjetorin e Pavarsisë...

Nga Fritz RADOVANI

Gjuhej me top Shkodra, gjuhej me top Rozafa, gjuhej me top Katedralja…e gjylet binin ku u mbushej mendja, veç kur hapej gropa e copat e mishit të njeriut fluturonin me buca dheu…

Kam lexue tre libra per “Rrethimin e Shkodres” të viteve 1912 – 13 të shkruem nga Gjino Berri, Don Ndoc Nikaj dhe At Justin Rrota, ku tregohet me saktësi ajo që ngjau nga shteti fqinj i Malit të Zi kunder një grushti Shqiptarësh, të pushtuem 500 vjet nga turqit, po që ishin zgjue nga gjumi në Prillin e vitit 1911, atëherë kur Dedë Gjo’ Luli me Trimat e Tij, e jo me pak gjak, ngriti në maje të Deçiqit Flamurin e Gjergj Kastriotit me Shqipen dykrenare.

Me daten 11 Nandor 1912 filloi lufta nga malazezët. Shkodra fillon shek. XX me “racion buke”, ndoshta pa u kujtue se ashtu do t’a mbyllte atë të zi shekull. Gjithshka rrokolliset poshtë në mjerim, skamje, uri dhe frikë. Buka, drutë dhe qymyri kontrollohen nga shteti turk, i cili i jep ata tue perfitue ryshfete të panjohuna deri atëherë. Ftyrat e qeshuna të shkodranëve hyjnë nën hijen e zezë dhe të pashpresë të tymit të zi, që shperthen bashkë me flaken zharitëse të predhave.

Me 12 Mars 1913 gjuhet me 20 predha Kisha e Madhe ku ishin të strehuem mbi 1000 vetë e ku humbin jeten 9 shkodranë. Mbrendë bie edhe zjarri. Me daten 14 bienë poshtë edhe dy kumbonë nga kompanjeli i gjuejtun me top dhe i kapun flakë. Lypsit e bukës janë në çdo qoshe.

Me daten 23 Prill 1913 Shkodra, e shterngueme nga uria, dorezohet... Një shkodran po lypte bukë. Një roje malazeze e sheh dhe e pyetë: “Sa lypë, pse nuk vret veten?”...Qytetari e sheh dhe i pergjegjet: “Nuk kam armë!” Gjendari i tha: “Na armen time!”...Shkodrani merr armen dhe vret veten. Gjendari merr iken kur e sheh të shtrimë perdhe...Shkodrani thrret: “Jepni armen atij gjendarit dhe falnderonje prej meje!” Gjino Berri shenon: “Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit ishin gjokset e shkodranëve...Të ngjeshuna dhe të papushueme ndiheshin qitjet e mauzerreve ruse me të cilat ishin paisë ushtarët malazezë.” Njerzit marrin iken... Qyteti vazhdon i robnuem.

Krajl Nikolla nuk bani luftë pa një qellim të vetin! Deshira e tij ishte që Shkodra të ishte kryeqyteti i Malit të Zi dhe jo larg mbasi të kanalizohej Buna, me kenë edhe porti detar ma i madh dhe ma i randsishem në detin Adriatik. Ai vdiq pa e realizue andrren e vet. Pengesa e tij e pakapercyeshme kje Austro – Hungaria, e cila jo vetem ndihmoi në formimin e një inteligjencës së mirfilltë në qytetin e Shkodres, por edhe krijoi kushtet e Pavarsisë në vitin 1913.

Mbas tradhëtisë së Esad Pashë Toptanit dhe vazhdimësisë së rrugës së Tij nga Ahmet Zogu, Shkodra ra në doren e zaptuesëve ilegalë, por të njohun dhe të perkrahun nga sllavët.

Në kjoftë se Krajl Nikolla mendoi me varë bashkpuntorin e Dedë Gjo’Lulit, klerikun At Mati Prennushi dhe i fali jeten me nderhymjen e At Gjergj Fishtës, Ahmet Zogu vari Don Gjon Gazullin dhe ishte i pangopun me vuemjen në litar të vetem “një” kleriku katolik Shqiptar.

Në vitin 1941 kur Enver Hoxha krijon PKSh, me porosi e nen drejtimin e Titos, premtimi i parë ishte shkatrrimi dhe mjerimi i pashembullt i Qytetit Shkodres, tue u konsiderue si qender e nacionalizmit dhe e katoliçizmit, po i cilsuem nga të dy palët “pengesa kryesore per triumfin e komunizmit në Shqipni...” sepse Atdhetarët dhe Kleri Katolik nuk pajtoheshin as me pretendimet e shovenistëve sllavë, as me pushtimin e Shkodres nga dora e tyne anadollake me masken komuniste të Titos dhe të Stalinit, i deklaruem “baba i pushtuesëve bolshevikë” të Popullit Shqiptar. Në vitin 1913, një nder lagjet ma të damtueme ishte ajo e Badrave, pra rruga ku kam lé, ku numroheshin afro 100 te vdekun nga malazezët. Në janarin e vitit 1945 vetem në Luften e Kelmendit kunder Atdhetarit Prekë Cali, mbrenda muejt, komunistët Mehmet Shehu, Shefqet Peçi etj., kanë masakrue dhe vra 118 Malësorë që ua kanë tretë dhe trupat e Tyne nder prroska “me urdhen të shokut komandant”, siç ka deklarue tradhëtari vrasës komunist Koçi Xoxe.

Në 1913 gratë shkodrane që do të lindnin fëmijë u larguen nga Shkodra, per mos me pasë raste vdekjesh nga zhurmat e topave të malazezëve...dhe një nder Ata që ka lé në Vaun e Dejës në atë vit asht kenë Imzot Ernesto Çoba. Ndersa mbas vitit 1944, shefi i sigurimit të rrethit Shkodres, Zoji Themeli i thotë në hetuesi Prof. Sami Repishtit që “kur të permendet emri komunist do të bëjmë që të dridhet foshnja në barkun e nënës!”...Prandej edhe në Shkodren e dy vjetëve të pushtimit komunist, në vitin 1946, kishim 26 burgje të diktaturës komuniste, ku vritej e torturohej inteligjenca, tregtarët, studentët, djelmë e vajza të familjeve Atdhetare Shkodrane pa dallim feje, veç mjaftonte deklarata e “urrejtjes” antiatdhetare dhe plumbi të çonte në gropat e zeza të Zallit të Kirit... Nuk do të hy me shpjegue se çfarë bahej me qindra familjarë të Atyne Burrave që moren malet apo u arratisen me shpetue nga plumbi. Ata që u privilegjuen aso kohe ishin agjentët e sigurimit të shtetit, të kudondodhun dhe ndonjë komunist që kishte mbetë mbrendë në kurthën e tyne gjatë viteve të luftës e që pothuej të gjithë u zhduken deri 1954.

Në vitin 1967 nen masken e luftës kunder Fesë, Shkodra peson rrenimin ma të madh që ka pasë nder shekuj, tue u rikthye në një qytet ku mbizotnonte vorfnia, frika, padija dhe terrori. Drejtuesi fanatik anadollak Ramiz Alia drejton këte “Revolucion kultural” tue shkatrrue të gjitha objektet fetare dhe kulturore, ndersa ndaj Klerit Katolik, me porosi nga Enver Hoxha, ai ka krye  Gjenocid ndaj një grupi fetar e shoqnor të caktuem tue pushkatue dhe mbytë nder burgje vetem mbas vitit 1967 edhe 12 Klerikë Katolikë dhe tue denue e ridenue me shumë vite burg dhe interrnim edhe 23 Klerikë të tjerë, prej të cilëve ka nga Ata si Don Nikollë Mazrreku apo Don Mikel Koliqi, që kanë ba ma shumë se 37 apo 38 vjetë burg e internim...

Mbas vitit 1967 në Shqipninë e Gjergj Kastriotit nuk kishte ma Asnjë Kishë Katolike...

Ndoshta, as turqit, as shovenistët sllavë, dhe as kinezët nuk e kanë mendue këte...

Atëherë..!?

KUSH  E  SHKATRROI  SHKODREN,

KOMUNIZMI  A  FANATIZMI ?

Isha tue ecë në bulevardin e Tiranës krejt vetem e tue mendue…mbeta i vogel pa e njoh as Baben nga lufta…mbetem pa shtëpi e shkollë…nën tehun e mprehtë të “Luftës së kllasave!” Kur nga larg më thirri një mik, B.S., me të cilin ishim njohë në 1965…Ai asht me origjinë nga Gjinokastra dhe mik i mirë i imi Musliman, jeton në Tiranë.

I tregova se ku po fluturonte e shkreta mendje! Më shikoi me keqardhje dhe gati tri orë kemi bisedue se kush e shkatrroi Shkodren, komunizmi, apo fanatizmi anadollak?!

Kur u themelue PKSh u eleminue grupi komunist i Shkodres dhe me ta edhe shumë komunistë Ortodoksë, se nuk pajtoheshin me qellimet shoveniste sllave. Ata që u pajtuen me politiken e Enver Hoxhës, si katolikë e muslimanë, pa kalue as tre – kater vjet, u zhdukën nga faqja e dheut e ngordhën ndër burgje e interrnime. Edhe ndonjë që mujti me shpetue shihej tue ecë e tue sjellë koken mbrapa se i dukej se po e ndiqte hija e vet.

Të vetmit që mbijetuen ishin ata që ishin të lidhun me sigurimin e shtetit. Ndersa pjesa tjeter vazhdonte ndër vende pune të rendomta e krejt pa vlerë. Mbizotnonte klasa puntore dhe ushtrija e arsimtarëve, që u shkoi jeta ndër biçikleta e fshatra...Vorfnia ishte e pranishme dhe e tejskajshme kudo në qytete e fshatra...Radhat e bukës nuk zhdukeshin, vazhdonin!..

Shkodra nuk u mjaftue vetem me 26 burgje e hetuesi...por edhe një farë dyndje oficerash sigurimi, policije, ushtrije nga Jugu dhe krahinat e Kukësit e të Peshkopisë, që u ishin krijue të gjitha kushtet e jetesës ndër shtëpijat e “anmiqëve të popullit”, tregtarëve, që ishin tue hanger dajak me dorzue arin, shtëpijat e kishës, po edhe nder banesa që atyne u pelqenin dhe ishin komode për atë kohë. Pronari lajmohej që mbrenda dite duhej lirue shtëpija ose dhomat ku do të banonin oficerët dhe të nesermen aty ishte “pronari i ri”. Ka edhe sot shtëpija në Shkoder, që njihen me emnat e atyne që erdhën me punë në sigurim, apo kuadro partije, si bie fjala “shtëpia e Hilmi Seitit”...etj. Pronari i vertetë u harrue pergjithmonë!

Mbas vitit 1946 – 48 elementi katolik pothuej u fshi nga të gjitha institucionet e sigurimit dhe të pushtetit lokal. As nuk bahej fjalë për sekretarët e parë të PPSh apo nder komitete ekzekutive me pasë në pozitat e randesishme shkodranë katolikë. Ndersa sigurimi i shtetit mbas viteve 1950 nuk kishte asnjë oficer katolik, ndersa në polici mund të kishte ndonjë fshatar që ishte sjellë nga ndonjë zonë e thellë malore ku kishte dhanë prova “besnikërije” tue spijunue ndonjë rrezikzi, që në tentativë arratisje prej tij, kishte perfundue në kampet e shfarosjes...

Nga elementi anadollak kishte edhe oficera hetues apo shefa seksionesh e ndonjë kishte mbërrijtë edhe nder podrumet e ministrisë së mbrendshme për kontributin e tij që kishte dhanë kur asht kenë hetues, torturues apo shef seksioni në sigurimin e Shkodres. Këta hora e vagabonda nuk i perkitshin familjeve shkodrane. Shumica ishin t’ardhun apo që me lidhje martesore i kishin futë në sherbim të sigurimit edhe miqtë e tyne.

Komiteti ekzekutiv, i rinisë, bashkimet profesionale etj. ishin pothuej të gjithë në duertë e turkoshakëve, që shtriheshin deri tek drejtorët e ndermarrjeve, sekretarët e partisë punës, shefat e kuadrit, pergjegjsat e reparteve dhe operativat e sigurimit të ndermarrjeve, që kur kishin rasen të bajshin gjamen e të fshinin nga faqja e dheut me 10 apo 20 vjet burg...

Në degen e mbrendshme të Shkodres kishte edhe një “Seksion Katolik”, që e pata mësue se ka kenë nga z. Gjon Ljarja aty nga viti 1993. Të gjithë shefat e atij Seksioni nga 1946 janë kenë oficera anadollakë, antishkodranë të betuem. Asnjë qytet tjeter, tue perfshi edhe kryeqytetin Tirana, nuk kanë pasë një Seksion të tillë, e per çudi nuk dihet se ka ekzistue një Seksion i tillë as per muslimanë e as per ortodoksë as nder qytete të tjera.

“Seksioni Katolik” i sigurimit të shtetit në Shkoder asht kenë i vetmi në Shqipni, ashtu si “Muzeu Ateist” i Shkodres, që ishte i vetmi në Botë...As “Seksion Katolik” nuk e besoj se ka kenë në ndonjë shtet tjeter komunist të Europës...Nuk shpjegohet prej ndokujt se kush e “krijoi”, por dihet se aty mendohej, trillohej, shpifej, krijohej, flitej, diskutohej, projektohej, aprovohej, planifikohej, vendosej dhe zbatohej çdo ide që mund t’i shkonte nder mend Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij kundër Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës Katolike, qytetarëve të thjeshtë apo fshatarëve të varfen, të cilet porsa hynin në projektin e zhdukjes nga “Lufta e kllasave”, ishin në programin e GJENOCIDIT që do t’i ndiqte për 47 vjet pa asnjë nderpremje nga dita që kishte fillue hapjen e “dosjeve” të para me të Ndjerin Dedë Coku... me 29 nandor 1944.

Me zhdukjen e inteligjencës Katolike ajo menjëherë u zevendsue nga një grup i njohun servilash anadollakë, që u ba aq i neveritshem, sa edhe sot në familjet tradicionale shkodrane të besimit Musliman, Ortodoks dhe Katolik të Shkodres, ata konsiderohen agjenta të sigurimit, të cilëve për kontributin e dhanun në këte institucion “partia” u dha tituj “dr.prof... e deri shefa të katedrave e docenta” të universiteteve apo mejtepeve të Enver Hoxhës. Këta u pajtuen edhe me vendimet e Kongresit të drejtshkrimit në 1972, ku bashkë me “vllaznit” kosovarë, eleminuen perfundimisht Gjuhën Gegënishte, vetem e vetem me zhdukë 70% të letersisë Gege. Shkollat e kuadrot e pergatituna në Perëndim u zhduken tue marrë me vete jo vetem Katolikët, por edhe Muslimanët e kryesisht ata studentë që shkollat e mesme i kishin krye në gjimnazet e Shkodres, kjoftë edhe até shtetnor. Ka pasë familje muslimane shkodrane që miqsinë apo lidhjet  tradicionale të qytetit i kanë pague aq shtrejtë, sa familjet katolike. Ka qytetarë Muslimanë që janë pushkatue vetem se kanë perfundue shkollat në shtetet Europjane Perëndimore. I Ndjeri Osman Kazazi, bani 42 vjet burg e interrnim pse kje dy vjet nxanës tek Gjimnazi i Fretenëve.

Perballë Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, ku gjeten vdekjen mizore mbi 61 Klerikë dhe 70 tjerë u arrestuen e vuejten deri në 20, 25, 38 dhe 39 vjet burg, asht  shumë domethanës fakti që perballë këtij rrebeshi antikatolik, nuk u pushkatue asnjë nga Kleri Musliman i Shkodres dhe as nuk dihet se ka vdekë ndonjeni nder kampe shfarosje.

Si shpjegohet ky fakt sot nga historianët apo studjuesit e Gjenocidit antikatolik?

Nëse komunistët luftonin të gjitha Besimet njëlloj, si nuk u pushkatue të pakten një Hoxhë nga Besimi Musliman, në qytetin e Shkodres?

Nëse Kleri Katolik ishte “agjent” i Vatikanit a i ndonjë shteti Perëndimorë, Italisë, Francës etj., si shpjegohet që në 47 vjet diktaturë komuniste, asnjë hoxhallar nuk u akuzue agjent i Turqisë, Egjiptit, Iranit apo Afganistanit? Kush ishte që e mbështeti dhe nuk e preku me dorë Klerin Musliman në Shkoder, PPSh apo sigurimi i shtetit, që i sherbenin edhe shteteve fqinjë?..

Kjoftë PPSh apo sigurimi i shtetit, të dy institucionet që kanë ushtrue Gjenocidin kunder Katoliçizmit në Shkoder, ishin organe të diktaturës komuniste vetem në duert e elementave fanatikë anadollakë, që nuk kishin në trupin e tyne asnjë pikë gjak shqiptari.

Unë do të tregoj një ngjarje në burgun e Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në vitin 1947. Mbasi hetuesi Pjerin Kçira torturon për vdekje Hafiz Dergutin, del nga biruca e tij dhe takohet në korridor me Dulaç Lekiqin, të cilit i thotë: “Merre Hafizin e hidhi një kovë ujë se asht pa ndjenja!...” Dulaçi i pergjegjet: Këte që ke ba sot mos e persërit ma, Pjerin, po deshte me torturue, shko e rrah ata Priftit tuej. Hoxhallarët mos i prek me dorë, se me ta merremi né e nuk asht nevoja me i torturue ti...A more vesht?” Këte dëshmi e dij nga një bashkvuejtës i asaj kohë, që asht torturue si pak kush, i Ndjeri Ragip Meta. Emnat e këtyne katilave mund t’i gjeni në rregjistrat e “të dekoruemëve hero i popullit ose nderi i kombit...” për veprat e tyne në sherbim të Gjenocidit antikatolik, që edhe sot prap vazhdohet vepra e tyne nga trashigimtarët... Ishte një llom i tanë që kishte invadue Shkodren. Disa nga fanatikët anadollakë shkodranë u ndihmuen dhe shprazen vnerin e tyne kunder elementit katolik të perkrahun dhe të siguruem nga një mori horash e terroristësh toskë, të sjellun në Shkoder nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, grupi vëlleh i gjykatësëve etj. Vandalizmi në qendrat kulturore, muzeumet dhe bibliotekat e institucioneve fetare e private, shpronsimet dhe vjedhjet e rezervave të arit, pasunisë private, shtetizimet, zhdukjet misterioze të tyne apo djegëjet e tyne bashkë me Pazarin e Vjeter, që ishte ndër tre ma të vjetrit në Ballkan, janë flaka zhdukëse e traditës kulturore e qytetare. Shkatrrimet e institucioneve fetare katolike nder ma të vjetrat dhe të pasunat në Europë e deri tek shembja e shtëpisë së Atdhetarit Demokrat Luigj Gurakuqi, të pashoq në Historinë e Popullit Shqiptar...në këta vitet e fundit të “Demokracisë” (u mbajshin mend)...Janë deshmija e pakundershtueshme se: Fanatiku Enver Hoxha me pasuesit e vet, të vjeter e të rijë...jo vetem ka krye Gjenocid kundër Katolikëve dhe inteligjencës Atdhetare, por edhe ndaj të Gjithë Shqiptarëve që kanë mendue dhe punue per një Shqipni Europjane.

Dhe në mbyllje me 14 korrik 1990 Ramiz Alia porositë “pasuesit e vet”: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.” Kjo porosi perforcon até dëshmi rrenqethëse që ka thanë komunisti Sh.S., një burrë i sinqertë nga Shkodra, një mikut të vet: “Ai më tha, duke me pyetur se sipas meje: në cilen zonë, në cilin qytet, komunizmi ka qenë ma i ashpër? Unë, i thashë, mendoj se Vlona. Jo, më tha, aspak, Vlona ka furnizue me komunista Shqipninë, por komunizmi asht zhvillue ma egersisht në Shkoder, tamam tamam në lagjet tuaja, më tha e më shikoi drejtë e në sy dhe mandej m' u kthye: Nuk e kena marrë teseren e partisë se e deshtem komunizmin, që nuk e kuptueme kurrë, por e morem se na erdhi rasti me nxjerrë shpaten e me ju shkatërrue ju. Kjo ishte andrra e gjyshave e baballarëve tanë. Partia e punës na e dha këte mundësi.”


Melbourne, Nandor 2012.

(Vota: 16 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: