Sejdi Berisha: Këtu, vetëm varret frymojnë shqip...!
| E Shtune, 10.11.2012, 06:51 PM |

Shkrim refleksiv

Në vend të përkujtimit për krijuesin dhe studiuesin, Hasan Gjonbalaj (1935-2012)

Nga Sejdi BERISHA:

KËTU, VETËM VARRET FRYMOJNË SHQIP...!

Me dëshirën e zjarrtë u nisa për në Lezhë, ku organizohej një manifestim letrar dhe kulturor në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë rrugës, gjithçka më grumbullohej në mendje, por, tash sikur çdo gjë ishte e mbështjellë me gëzim e hare. Me kohë arritëm në Lezhë, unë me disa nga krijuesit nga Gjakova dhe Bajram Curri, sepse, tani na ka mundësuar Rruga e Kombit! Në këtë qytet, zbresim afër shtatores të At Gjergj Fishtës, e që ai shesh rrethohej nga gjurmë historike: Varri i Skënderbeut, busti i këtij heroi kombëtar, Biblioteka dhe Pallati i Kulturës. Ndërsa, lartë, sikur bënte roje Kalaja e Lezhës.

Miqtë nga ky qytet na presin me përqafime, dhe nuk vonojmë e nisemi për tek Mrizi i Zanave, për në Fishtë, ku do të mbahet edhe manifestimi, për të cilin do të shkruaj njëherë tjetër.

Sikur ta dinte se ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë...

...Dhe, pas manifestimit, të mbushur plotë oksigjen jete të kësaj ane, kthehemi për në Kosovë; për në Pejë e në Gjakovë, por edhe kolegët tjerë për në Bajram Curri. Posa iu afruam qytetit të Prizrenit, qytetit të Lidhjes për bashkimin kombëtar, telefoni më jap “shenjë” se më kishte arritur një mesazh. E hapi atë me kureshtje, e lexoj edhe mesazhin. Djali më shkruante: babi, ngushëllime... ka vdekur Hasan I. Gjonbalaj. U stepa dhe thjeshtë nuk besova dhe as nuk desha të besoj. Menjëherë më ka brofur mendja dhe më iku tek Krahina e Plavës dhe e Gucisë, të cilin vend aq shumë e deshi, për të cilin vend aq shumë bëri shkrime, aq shumë vepra shkroi, duke folur me krenari edhe për Vuthajt, për vendlindjen e vetë.

Tani, rruga më bëhet njëqind vjet, apo edhe sikur makina vendnumëronte. Sërish meditoj në atë rrugëtim të orëve të mbrëmjes, e në atë terr të dyfishtë për mua, më rridhnin lotët për mikun dhe krijuesin, i cili gjithnjë ka qenë i afërt, i ngrohtë dhe plotë energji përherë për të thënë e për të shkruar diçka me rëndësi e me peshë për atdheun e kombin.

Por, nuk pajtohem se ka ikur, Hasan Gjoni! Dhe, athua mund të jetë kjo koincidencë: unë në Lezhë e Hasan I. Gjobalaj të ikën në mënyrë aq “tinëzare”?!... Sikur ta kishte ditur se kisha udhëtuar dhe ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë, por edhe në Tiranë e në Shkodër...

Por, e tërë kjo është një imagjinim imi i ngarkuar me peshën e pikëllimit. Tani, ky njeri më kujtohet bashkë me veprat e tij, me çantën me shënime e libra, pesha e të cilave, pos tjerash, i sjellke telashe edhe me astmën, me frymëmarrjen! Takimet tona të shpeshta, të cilat nganjëherë begatoheshin edhe me gazin dhe humorin, na sillnin ide e vullnet për shkrime të reja për historinë, për rrënjët, për trungun dhe kurorën e kombit, por gjithnjë, shpeshherë pa e harruar Plavën, Gucinë dhe Vuthajt.

 

Është bukur vështirë ta shprushësh jetën por edhe krijimtarinë e Hasan I. Gjonbalajt. Sepse, ato kanë një mesazh të veçantë, një porosi si amanet për trojet shqiptare. Me këtë etje, ai gjithmonë  ishte i ngarkuar, sa që as shpirtin asnjëherë nuk e kishte të qetë. Ishte i etur... Për këtë arsye, veprat e tij: “Kelmendi-gjenealogjia e familjes Nikçi”, “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”, “Ali Pashë Gucia”, “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë”, “Plava Gucia-dy qendra një malësi”, “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi” si dhe shumë vepra të tjera me karakter studiues dhe me poezi, janë pasqyra krijuese e këtij shkrimtari, hulumtuesi dhe studiuesi.

Peja, e cila në ato çaste më dukej se i kishte drejtuar të gjitha shikimet kah unë, për të më thënë se sot këtij qyteti dhe jo vetëm kësaj qendre të Rrafshit të Dukagjinit, i iku një njeri që la vepra e histori. Apo, për të më ngushëlluar për mikun, që tani fryma e kishte tradhtuar, e cila shumë e shumë vite e kishte munduar për ta ushqyer shpirtin lirshëm me oksigjen atdheu.

Arrita vonë, shumë vonë, dhe këmbët nuk më provonin ta drejtoj makinën për në lagjen “Dardania”, në shtëpinë e familjes Gjonbalaj, ku aty edhe pak orë do të qëndronte, dhe, herët në mëngjes, trupi i tij do të nisej për në vendlindjen e vetë, për ta gjetur aty prehjen përgjithmonë. Aty,... në lëndinën e varrezave në Vuthaj.

Amaneti: pushimi në tokën ku lindet njeriu është sikur kur flenë qetë e me ëndrra të bukura në kopshtin plotë lule...

Një ikje e tillë është thjeshtë e papranueshme, por amaneti i tij me plotë gojë ishte: pushimi në tokën ku jam lindur është sikur kur njeriu flenë qetë... Deri në mëngjes flas dhe zihem me Hasanin, ashtu siç shpeshherë vepronim për t’i gjetur dhe krijuar gjërat e mira dhe fondamentale. Tani, me taksi arrita në lagjen “Dardania”, ku edhe ishte parkuar autobusi i cili ishte dedikuar për miqtë dhe dashamirët, që do të merrnin pjesë në përcjelljen për në shtëpinë e fundit të krijuesit.

Nuk bëra ballë të shkoj në shtëpinë e tij dhe të përshëndetëm me te, tanimë në mënyrë krejtësisht tjetër! Jo, nuk shkova. Sepse, dëshiroja ta ruaj kujtimin me shikimin dhe vitalitetin e këtij njeriu, i cili për asnjë moment nuk i harroi, por i madhështoi virtytet, doket dhe zakonet dhe karakterin e malësorit. Ishte moment i rëndë e i dhembshëm kur autobusi u nis. Përplot njerëz në autobus i cili ishte komod, por assesi, të paktën unë, nuk isha rehat.

Tani kaluam kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe gradualisht i afrohemi cakut. Një mik imi poet, më pyet se a ishim gati për të arritur, por nuk dija saktësisht t’i tregoja, sepse, më kishte shkëputur nga mendimet, edhe pse kësaj rruge, përpara ndoshta kisha kaluar qindra herë, e veçmas kur kam bërë shkrime për Krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në të arritur rrëzë Plavës, tani sikur toka, ajri, malet dhe majat e thepisura kishin aromë të shqipeve, frymonin shqip. Por, sa më shumë që i afroheshim Gucisë dhe Vuthajve, ankthi sa vinte e më shtohej. Autobusi qante rrugën e asfaltuar por të ngushtë. Dhe, tani kur arritëm në Vuthaj, u drejtuam për në varreza, të cilat ishin në një kodër të vogël, nga ku mund t’i shikosh të gjitha bukuritë dhe madhështitë e këtij fshati me histori të lashtë por tash të shurdhër, ngase këtu, pak vuthjanë kanë ngelur për të jetuar. Kurse, shtëpitë e reja, shumica syresh ishin me perde të lëshuara, të cilat brenda fshihnin vetminë, dhembjen dhe kallëzimet historike për këtë tokë e për malësorët e saj, shumë prej të cilëve kanë marrë rrugët e kurbetit, e shumë prej tyre kanë zënë vend e kanë krijuar jetë edhe në Kosovë.

Ndërkaq, ato shtëpitë e vjetra, të cilat Hasan I. Gjonbalaj i ka përjetësuar në veprat e tij, tanimë janë vetëm gjurmë kohe që i ngjajnë relikteve. Kanë pamje të librave të shumta, që kanë ngelur të pashkruara e disa edhe të palexuara. Dritaret, qepenat e të cilave pa mëshirë i rrahë era dhe koha, kurse, muret e shembura, shprehin qëndresën, por edhe lodhjen si qortim...!

Për të arritur trupi i pajetë i krijuesit deri tek shtëpia e përjetshme e tij, autobusi duhej të kalonte edhe një copë rrugë, të cilën, në shumë vende e kishte përlarë uji i lumit Gërlica, e besa edhe shumë livadhe e tokë pune. Thash: nuk është kjo pasqyrë e pakujdesisë së banorëve të këtushëm, por sot, ky ujë kaq i pastër është i zemëruar, sepse, një njeri që u lind në këtë tokë, sërish asaj po i kthehet përgjithmonë, por po kthehet në një formë tjerë. Po kthehet krijuesi dhe studiuesi i vlerave të kësaj ane, Hasan Gjoni, i cili, për ta kënaqur shpirtin me madhështinë e kësaj ane, por edhe për të bërë shkrime edhe më thelbësore, kishte ndërtuar një shtëpizë, ku verës i kalonte “pushimet” duke krijuar e duke thurë edhe vargje poetike. Kjo shtëpi është në vendin ku njeriun e provokojnë edhe Krojet e Ali Pashës!... Aty, Hasanit i dukej se brumoste më mirë, më fuqishëm dhe më ngrohtë shkrimet e tija, në të cilat, siç dihet dhe e kemi thënë, i ka kthyer në përjetësi rrjedhat historike, doket dhe zakonet, trimërinë dhe burrërinë, atdhetarizmin, mikpritjen dhe shpirtin e madh të njeriut të kësaj ane, të malësorit, që sot e kësaj dite të gjitha këto i ruan dhe i kultivon me fanatizëm.

Edhe sot, kombi dhe atdheu është i copëtuar, që dhembshëm reflekton dhe qorton...!

Ecim deri tek varrezat, duke ndërruar hapat tunxh. Sot, këto varre padyshim se ishin plotë dhembje, por dukeshin edhe krenare, sepse, këtu tani do të prehet përgjithmonë biri i kësaj ane, dikur fëmijë i urtë, dikur djalë i ndrydhur dëshirash por i sertë dhe me ndjenja, dhe më vonë, njeri që prej viti në vit puthitej me rrugëtimin e kombit, me fatin e tij, me çelikosjen në frymën dhe madhështinë e atdheut, të cilat gjëra e provokuan dhe e “detyruan” që shkrimi, vargu, krijimet nga fusha e studimeve dhe e kërkimeve të të gjitha gjërave që e kanë bezdisur kombin, atdheun, i cili, siç thoshte ai, është i copëtuar, dhe si i tillë reflekton dhembshëm dhe ftohtë, por edhe qorton.

 

Tani, para se t’u afrohemi varrezave, ishte radhitur familja Gjonbalaj dhe malësorët, që dora dorës përshëndeteshin me ne për të na falënderuar për pjesëmarrje në varrim, për mua të jashtëzakonshëm! Të jashtëzakonshëm, sepse, krijuesi nuk vdes, por shndërrohet në dritë e në fanar. Djemtë e Hasan Isufit, (kështu kishte dëshirë për ta thirr atë), Rifati dhe Malësori, më shtrëngojnë fortë e fortë, dhe lotët e tyre ishin ndjenje e shprehje e respektit ndaj meje e ndaj babait të tyre, të cilit më kurrë nuk do ta kanë rastin që t’ia dëgjojnë zërin dhe as ta përkëdhelin e përqafojnë si përpara. Janë këta dy intelektualë, sjellja e të cilëve më bën krenar, dhe them: lum Hasani për pasardhësit e vetë. Po ashtu them: i lumi unë që i kam këta djem të mikut tim dhe të krijuesit, i lumi kombi dhe atdheu që i ka!...

 

Tani, po afrohej koha kur trupi i krijuesit, trupi i pajetë i Hasan I. Gjonbalajt, i mbështjellë dhe i stolisur me flamurin kombëtar do të puthitet dhe ngjitet fortë e fortë me tokën e dheun e vendlindjes, bash ashtu si gjithmonë e kishte këtë shkrumb e këtë dëshirë. Mbi varrin e tij, vërshuan buqeta e kurora lulesh. Në vazhdim fliten edhe disa fjalë, që padyshim se janë pak për t’i dhënë lamtumirën mikut. Unë ia thashë vetëm këto fjalë: “I dashur Hasan, tërë jetën luftove për zbulimin dhe për forcimin e trungut të kombit në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Dhe tash, ike duke e afirmuar kurorën e këtij trungu. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke! Nuk dita se ç’t’i them gjë tjetër?!...

Pas pak, kthehemi prapa. Dhe, çfarë ndjenje më kaploi. Ia kthyem shpinën varrit të krijuesit,... ai ngeli vetëm... Kjo është e padrejtë! Por, sërish them: nuk ka më madhështi dhe kënaqësi më të madhe se sa kur t’i merr nën mbrojte dhe t’i ngrohë eshtrat dheu yt, i tokës sate. Sa ngrohtë është,... sa kuptim të madh ka. Besoni!

Kthehemi në rrugën e njëjtë gjarpërore deri në Pejë. Nga lartësitë e thepave të bjeshkës së Zhlepit, duke zbritur drejtë Radacit, shoh nën drita Pejën e Haxhi Zekës, e cila është histori e tregim në vete. Më bëhet se diku kah mesi i qytetit, një dritë është shndërruar në akull, në vetmi, në heshtje, aty pranë shtëpisë së Hasan I. Gjobalajt, në të cilën edhe tutje gjithmonë do të zhurmojë historia, në të cilën do të ketë mendje, njerëzi, por edhe frymë dhe atmosferë malësie e të njeriut të Plavës, Gucisë dhe të Vuthajve. Tërë këtë e dëshmon edhe Malësori, i biri i Hasanit, që pagëzimi i tij nuk është i rastësishëm por është simbol dhe zjarr shpirti i krijuesit, e që tash, Malësori, edhe pse i ri, ka hapëruar kah majat e mendjes, të mirësisë, të punës dhe sukseseve për kombin e atdheun.  Këtë e dëshmonte lumi i njerëzve që merrnin pjesë në ngushëllime e që vinin nga çdo cep i Kosovës dhe i Malësisë.

Ndërkaq, Rifati, djali më i madh, profesor i gjuhës dhe i letërsisë, edukon dhe i bën të vetvetes gjenerata e gjenerata në gjimnazin e Pejës.

Kështu afrohet edhe fundi i ditës së tretë të ngushëllimeve për ta nderuar jetën dhe veprën por edhe për ta ruajtur kujtimin për Hasan I. Gjonbalajn, për Hasan Isufin, të cilat e begatojnë jetën e njerëzishme të familjes së tij. Në këtë vazhdë, sërish më rrjedh mendimi për tërë krijimtarinë e këtij njeriu, që, për ta komentuar atë, patjetër se do të nxitën dhe provokohen lëruesit e shkencës dhe të historisë, për të bërë vepra të reja dhe akoma edhe më me peshë për rrugëtimin e njeriut tonë, i cili ende ka nevojë të begatohet me njohuri duke kulmuar historia dhe shkenca me vepra të reja... Them kështu, sepse, Hasani, në çdo takim, në çdo manifestim letrar, kulturor e shkencor, nuk harronte për ta theksuar Nokshiqin dhe disa vendbanime të tjera në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, ku siç thoshte ai: tani, këtu vetëm varret frymojnë shqip...!

Sa mesazh e metaforë që tronditin e të detyrojnë për ta ngritur zërin për shumëçka, që, siç e kam shprehi gjithnjë për të thënë, janë qortim të cilin duhet përfillë e jo vetëm për ta dëgjuar e vetëm sa për ta thënë diku tjetër. Dhe pra, pse është kështu: këtu, tash vetëm varret frymojnë shqip?!!...

...

... Iku miku dhe krijuesi, i cili pa dëshirën time ma detyroi këtë shkrim, të cilin ma rëndoi edhe më shumë biseda me A. G., pjesëtar i luftës në Kosovë, por edhe poet, që me vargje di për të përvetësuar e për ta therë edhe zemrën me dhembjen edhe shpirtin për njeriun. Ky më flet për Hasanin, dhe mes tjerash më thotë: ... Kur mora lajmin për vdekjen e tij, nuk dita se çfarë të bëja... Nxora telefonin dhe e thirra, siç shpesh bëja kështu... Matanë telefonit nuk kishte zë njeriu. M’u mbushen sytë me lot e zemra si të donte të më dilte nga kraharori, e pastaj më dolën fjalët: Të thirra në telefon, por ti nuk m’u përgjigje... Po, pse ishte kështu?! E di se përgjigjen nuk do ta marrë kurrë...

Tash, kah t’ia mbaj, o Hasan Isufi. Nuk di gjë tjetër, përveç se të të them lamtumirë, kurse kujtimin për ty e kam në zemër e në shpirt. Prehu aty ku gjithnjë kishe dëshirë,... mik, krijues dhe burrë i malësisë, i Vuthajve, ku tani përgjithmonë je pjesë e tij. Kaq. Lamtumirë...!



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: