Hazir Mehmeti: 100 vjetori - me simbolin e qëndresës kombëtare, Adem Demaçin
| E Premte, 09.11.2012, 05:06 PM |

Shënohet shekulli i pavarësisë në Gänsendorf, periferia e Vjenës

100 vjetori, me simbolin e qëndresës kombëtare, Adem Demaçin

“Ishte Hasan Prishtina bashkë me Ismail Qemalin dhe patriotët tjerë, të cilët e kuptuan momentin që shqiptarët duheshin të ngiteshin në kryengritje në mënyrë që shqiptarët të mos fundoseshin në rrënojat e perandorisë së kalbur otomane”

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Në fshatin e bukur Mainz, afër Vjenës u   shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe përvjetori i rënies heroike të heronjve të kombit Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut. Ky manifestim u organizua nga Shoqata Kulturore-Sportive “Afrim Zhitia” dhe Shoqata e Mësuesve e Prindërve Shqiptarë në Austri nga Vjena dhe rrethina.  Ishin prezent edhe Zëvendësministri  në Ministrinë e  Punës dhe Mirëqenies Sociale  në qeverinë e Republikës së Kosovës z. Fatmir Shurdhaj dhe këshilltari politik Viktor Mehana.  Dr. Vili Minarolli, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri Dr.Sabri Kiqmari, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Mr. Anton Marku, këshilltar në Ambasadën e Kosovës. Konsulli në Ambasadën e Maqedonisë z.Fitim Nuhiji. Mysafir i veçantë i manifestimit ishte simboli i qëndresës për liri e bashkim kombëtar z.Adem Demaqi, z.Prof. Dr. Shyqyri Galica, zv.kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Z. Sylë Zhitia, vëllai e Sadete Zhitia ,motra e dëshmorit Afrim Zhitia të cilët e madhështuan festën. Përfaqësuesit e Ligës Shqiptare të Futbollit etj. Programin e udhëhoqën mësuesi Osman Ademi dhe  studentja Albana Hasanaj. Programi u hap me himnin kombëtar të kënduar nga kori i nxënësve që vijojnë mësimin e  gjuhës shqipe të udhëhequr nga mësuesi veteran z.Shefqet Gashi. Nxënësit vinin nga Vjena dhe rrethina si, Deutsch Wagrami dhe Kremsi që i takojnë Landit të Austrisë së Ulët. Manifestimin e hapën nikoqirët: Naim Limani e Ibrhim Hasanaj, kurse historikun e shoqatës “Afrim Zhitia” e mbajti  z. Feta Saiti.

100 vjetorin e pavarësisë ua uruan mërgimtarëve Ambasadori i Shqipërisë, konsulli në ambasadën e Maqedonisë, vëllai i heroit Afrim Zhitia. Dr.Sabri Kiqmari, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Austri ishte njëri nga bashkëveprimtarët e bashkëluftëtaret e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut. Ai mes tjerash në fjalën drejtuar mërgimtarëve tha:,, Gjithmonë me respekt do të kujtojmë veprën dhe porosiste e heronjve të kombit si Afrim Zhitia, Fahri Fazlia e shumë të tjerë. Vepra e tyre, fjala e tyre janë bazamenti i gjithë të arriturave të kombit tonë. Gjithnjë do përulemi me respekt para veprës e porosive të tyre, përulemi me respekt para Komandantit Legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë dëshmorëve tjerë. Nëntori për kombin shqiptar është muaj i veçantë, pasi është muaji i dhembjeve dhe krenarisë. Po ashtu,  ne në këtë muaj shënojmë edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.  Isa Bletini në Vlorë përulet para flamurit, ku bashkë me Ismail Qemalin dhe burrat e tjerë të kombit vendosen që të përcaktojnë fatin e së ardhme së kombit. Njëqind vjet më vonë, një punë e mbetur përgjysmë, na mbeti  ta kryejnë gjeneratat e ardhme, por nuk e kemi kryer ende tërë punën. Ende ka për të bërë, andaj ne do të punojmë së bashku që kombin tonë ta prosperojmë në rrugën e Bashkimit Europian, në rrugën e kombeve të lira të Europës. Në këtë rrugë nuk ka kush që i ndalë shqiptarët kudo që janë. Sot, në mesin tonë është simboli i lirisë z.Adem Demaqi. Shumëkush e ka dëgjuar fjalën e tij. Gjithë ne kemi jetuar me zemër afër tij në kohët më të vështira. Cila do ishte rruga e lëvizjes sonë qe nga ilegalja në vitet 70-të, 80-të e më vonë pa Adem Demaqin? As që mund të merret me mend, është kështu pasi në kohën më të rëndë, e rëndë të mendoje e të flisje shqip, Adem Demaqi bashkë me shokët e tij vendosi që t’i thotë, Jo Jugosllavisë dhe t’i tregoi rrugën e vërtetë kombit shqiptar, e kjo  është rruga e lirisë dhe pavarësisë së popullit tonë. Në këtë rrugë ranë me mijëra vetë, në këtë rrugë ka rënë edhe Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, me të cilët bashkëvepruam dhe idol e kishin Adem Demaqin.  Gjithherë do mbetet simboli ynë për liri”

Prandaj,  Fjala e z. Adem Demaqit u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e publikut. Ai mes tjerash tha: “Heronjtë tanë me armë u treguan serbëve se ne jemi të gatshëm të vdesim për liri siç ishin heronjtë Regjep Mala me shokun e tij Nuhi Berisha,  Afrim Zhitia, Bahri Faziu e shumë të tjerë. Ushtria Çlirimtare po farkohej nëpër burgje për aksione të vogla e cila dalë ngadalë erdhi dhe filloi ta ngre me vete edhe popullin tonë liridashës shqiptar. Siç e dini kombin tonë e ndanë në gjashtë copë ata që dikur nuk i kishim miq, e sot shyqyr zotit i kemi miq, por shpirtin tonë liridashës, shpirtin tonë të bashkimit nuk e ndanë asnjëherë. Ky shpirt qëndroj gjithmonë i bashkuar dhe asnjëherë nuk i ndali aksionet dhe përpjekjet që dal nga dalë, pjesë-pjesë të çliroheshin. Sot e festojmë edhe 100 vjetorin e rilindjes së Shqipërisë e cila lindi me gjak e me shpatën e Skënderbeut dhe luftëtarët e Shqipërisë që u ngritën kundër sulltanëve të atëhershëm. Skënderbeu ishte ai i cili pengoi planet e sulltanëve që mendonin të kalonin detin dhe të dilnin në Itali e ta pushtonin Evropën. Për njëzet e pesë vjet luftë e përpjekje, arriti t’i jep historisë kaheje tjetër, arrit që Evropës t’i jep kohë përgatitje kundër një pushtimi gjakatar i cili na mbajti më shumë se 500 vjet. Pra, rilindi Shqipëria para njëqind vjetësh falë asaj, se shqiptarët nuk e ndalën luftën në të gjitha format e mundshme deri tek kryengritja e madhe e viteve 1909-1912. Ishte Hasan Prishtina bashkë me Ismail Qemalin dhe patriotët tjerë, të cilët e kuptuan momentin që shqiptarët duheshin të qoheshin në kryengritje në mënyrë që shqiptarët të mos fundoseshin në rrënojat e perandorisë të kalbur otomane. Dhe u bë mirë, sepse politika greke e sllave thoshin se nuk ka shqiptarë, këta janë turq dhe duhet përzënë këta turq nga Ballkani dhe ta ndajmë atë. Kjo ishte përgjigja e madhe që e kuptoj Hasan Prishtina, e kuptoj Ismail Qemali, e kuptoj Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri dhe heronjtë tjerë anë e këndë Shqipërisë. Kjo Shqipëri e cila na ndihmoj që dalë ngadalë të ngrihemi në këmbë duke filluar kryengritjen e madhe në Kosovë, në mars të 1998 e 1999 ku marren pjesë luftëtarë trima nga të gjitha trevat shqiptare. E arritëm atë që pak kush e besonte, veçan fuqitë e mëdha të cilat mendonin se shqiptarët nuk kanë fuqi të çliroheshin nga Serbia. E detyruam Evropën, e cila dëshironte ta mbante gjumin e përhershëm, që të vente në lëvizje forcat e veta  dhe të pengonte Serbinë çetnike që të qfaroste një popull të tërë. Kështu u bë Kosova, kjo që është, ende me probleme por në rrugë të sigurte kah pavarësia e plotë e progresi.”

Nga programi artistik, nxënësit recituan vjersha kushtuar heronjve, atdheut, pavarësisë, kënduan e vallëzuan vallet tona të bukura. Përgatitjen e tyre u bë nga mësuesit e gjuhës shqipe: Miradije Berisha, Shefqet Gashi, Hazir Mehmeti, Ibahim Hasanaj dhe Osman Ademi. Nxënësja Fjolla Kiqmari luajti në piano, me fyell luajti Erleta Ismaili, kurse në violinë nxënësja nga Tullni Fiona Kabashi. Si gjithnjë shkëlqeu me lojën e tij mjeshtërorë në çifteli dhe këngë e flamurit, nxënësi i vogël Alban Spahiu. Me recitime u paraqitën: Nazlije Salihu, Qefsere Limani, Hatixhe Alili, Fatjon dhe Elona Kabashi, Edona Alija, Gent Sahiti, Ehat Alili, Nazlije Salihu, Hatixhe Alili,Edita Limani, Shqipe Salihu ,Makfire Jashari ,Firmete Jashari, Alban Spahiu, Almir Imeri, Verona Alija, Besarta Limani,Rina Mavraj, Floriana Aliti, Dona e Melisa Mavraj, Erzana Ismajli, Fatime Idrizi, Sabedin Mustafa, Jehona Skeraj,  Programi artistik vazhdoi me këngëtarët Rami Sahiti e Adnan Isaku.  Shoqëria Kulturo-Artistike nga Badeni luajti “Vallën e Lirisë” nën udhëheqjen e z.Tahir Turkaj.

Z.Demaqit iu nda dhuratë nga Shoqata “Afrim Zhitia” të cilën ia dorzoi z.Selami Bilalli. Ndërsa dhuratë iu nda edhe Sylë Zhitisë të cilën ia dorzoi z.Nehat Emrullai.Organizatori falënderoi veprimtarin dhe bisnesmenin z.Xhevat Balaj për përgatitjen e veshjeve për nxënës me logon e bukur të pavarësisë. Në fund nikoqiri shtroi darkë me ushtime nga kuzhina shqiptare.

Historiku i shoqatës  ,,Afrim Zhitia”,  ajo u formua në vitin 1991 në qytezën Gänsendorf nga një grup veprimtarësh që vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Kryetari i parë i saj ishte Bashkim Gashi. Shoqata ishte bërthamë e fuqishme e lëvizjes kombëtare në të gjitha format. Veçanërisht dallohet përkrahja e luftës së UÇK-së,UÇMPB-së dhe UÇ Kombëtare, me ushtarë, ndihma materiale, logjistikë etj. Ndër a ata që i dhanë jetë e forcë shoqatës ishin: Abdullah Abdullahu, Xhevat Xhemajli, Naser Hani. Këtu duhet veçuar Xhevat Hasanin nën udhëheqjen e të cilit Këshilli për Organizimin e Mësimit Shqip hapi klasë me mësimin shqip dhe inkuadruan disa mësues shqiptarë. Mësuesi i rrethit u caktua Ibrahim Hasanaj i cili u dallua me aktivitetet e tij kulturore.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: