Zef Ahmeti: Disa aspekte të diplomacisë zvicerane
| E Enjte, 08.11.2012, 09:45 PM |

Disa aspekte të diplomacisë zvicerane

Nga Zef Ahmeti[i], St. Gallen Shtator 2012.

a)     Bazat e shtetit zviceran

Konfederata Zvicerane (franz. Confédération suisse, ital. Confederazione Svizzera, rom. Confederaziun svizra, lat. Confoederatio Helvetica) ka një traditë të lashtë historike. Bazat e këtij shteti fillojnë në vitin 1291 ku me aktin e njohur si Rütlischwur[1] vihet bazamenti i konfederatës zvicerane der Eidgenossennschaft.[2] Qëllimi kryesor i kantoneve të kësaj periudhe ishte rifitimi apo rikthimi i të drejtave autonome që kishin pasur këto përballë Perandorisë Romake të kohës. Dokumenti që lidhet ngushtë me rastin e themelimit të konfederatës së vjetër zvicerane quhet der Bundesbrief.[3] Ajo që ishte vendosur në vendin e quajtur Rütli ishte përmbledhur në dokumentin më të vjetër të shtetit zviceran – pra në “Bundesbrief”. Si hero kombëtar zviceran është i njohuri Wilhelm Tell.[4] Natyrisht historia e mëvetësisë gjatë historisë plotësohet edhe me ngjarje tjera si pjesë e identitetit zviceran e që kanë kalitur këtë vend në gjendjen që është sot. Ne më tutje do t`i cekim disa nga ndodhitë historike më të rëndësishme. Si datë tjetër e rëndësishme pas ngjarjes në Rütli kemi betejën e Morgarten (1315) e cila u zhvillua mes kantoneve të vjetra dhe Habsburgëve. Pernadoria e Habsburgërve kishte trajtuar këto pjesë (kantone) si pjesë përbërëse të perandorisë së tyre. Një akt tjetër që në historinë zvicerane ka zënë vend është edhe zgjerimit kantoneve në tetë vendet e vjetra (Die Acht Alten Orte )[5] 1332-1353. Ky zgjerim thekson edhe më heterogjenitetin e Zvicrës. E gjitha zhvillohej me anë të marrëveshjeve mes kantoneve. Mëtutje pason beteja e Sempach-ut (1386), në kantonin e Lucernit, që vlerësohet se ka qenë beteja kryesore dhe vendimtare që është zhvilluar përsëri mes zviceranëve dhe habsburgërve.

Në vitin 1449-50 zhvillohet një luftë mes Kantonit të Cyrihut me shtatë kantonet tjera. Këtu lufta u shkaktuar për arsye trashëgimie. Ishte fjala se kush duhet trashëguar apo të sundoj në pjesët rreth liqenit të Cyrihut dhe pjesëve tjera. Kantoni i Cyrihut kishte lidhë aleancë me Friedrih III-in e Habsburgërve. Kjo aleancë i kishte dhënë luftës dimension jashtë regjionale. Më tutje në vitet 1474-78 vijojnë luftërat e zhvilluara mes Zvicrës dhe dukës francez Burgund (Burgunderkriege). Në vitet 1481-1513 kemi një rritje të kantoneve në 13. Në kohën e reformacionit (1519- 1541) edhe Zvicra kishte figurat e veta. Këtu për tu cekur Ulrich Zwingli i njohur edhe si reformatori i Cyrihut.[6] Në vitin 1648 në Paqen e Vestfallit (Westfälischen Frieden) Zvicra ia arrin që me përfaqësuesin të saj Johan Wettstein të fitoj sovranitetin nga Perandoria e Shenjt Romake. Nga kjo kohë kantonet zvicerane e shikojnë vetën si republika të pavarura dhe fillojnë marrin kontakte dhe të ngrehin marrëdhënie me shtetet tjera evropiane.

Republika Helvetike (1798- 1803) thirret pas okupimit të Zvicrës nga ana e Francës. Pjesët e Zvicrës pas shpërthimit të Revolucionit Francez nuk ia dalin që të ndërmarrin hapat që të përshtatin kushtetutat individuale të tyre rrethanave të reja të krijuara. Njëjtë nuk arrihet që iniciativa e ndërmarrë për përforcimin e federatës të korrë sukses. Një situata e përkeqësuar tashmë kishte filluar të theksohet gjithnjë e më shumë pas vitit 1789. Këtë gjendje brenda kantoneve të Zvicrës dhe situatës së përgjithshme të përkeqësuar e kishte përkrahur fuqimisht “Ancien Régime[7] – forma e sundimit të vjetër përfshinë kohën dhe situatën e përgjithshme në Evropën e para Revolucionit Francez e që lidhet ngushtë edhe me formën monarkiste të sundimit. Në vitin 1798 në Bazel shpërthen një revolucion kundër klasës së pasur. Revolucione të tjera më vonë shpërthyen edhe në kantonet tjera. Pas këtij efekti fillojnë diskutimet lidhur me kushtetutën dhe rendin e ri të vendit. Ishte diskutimi lidhur me formën shtetërore, të merret forma e një shteti me sistem të centralizuar apo si subjekt me pjesë përbërëse nga kantonet me autonomit e tyre. Me ndikimin francez imponohet kushtetuta dhe Republika Helvetike ku më 12 prill proklamohet shteti i bashkuar. Pjesë të kantoneve të pjesës qendrore dhe asaj lindore kishin refuzuar tendencën franceze. Pas një procesi bisedimesh dhe në fund të një ultimatumi edhe kantonet e mbetura jashtë futen në republikën helvetike. Raporti mes shtetit helvetik dhe Francës ishte i rregulluar me një marrëveshje aleance të 19 gushtit 1798. Kjo periudhë lidhet ngushtë edhe me figurën e Napoleonit dhe përforcimit të pushtetit të tij. Pasi që eksperimenti i Republikës Hevetike kishte dështuar për shkaqe të ndryshme të rrethanave të brendshme e të jashtme, pason rindarja tradicionale e pjesëve të Zvicrës dhe hynë faza e ashtuquajtur “Médiation” (1803–1813). Kjo fazë lidhet me bisedimet dhe ndërmjetësimet që bëhen lidhur me të ardhmen dhe formën e re të shtetit të Zvicrës që bëhen në kuadër të bisedimeve që zhvillohen me Napoleon Bonapartën. Pas dështimit të sistemit të centralizuar shtetit të Zvicrës i rikthehet tradita e vjetër e autonomisë së kantoneve. Me Acte de Médiation (1803) Zvicrës i hapet rruga për një kushtetutë të re, e cila vlerësohet se ka qenë një akt i diktuar nga Napoeloni, edhe pse ai e kishte mbajtur vetën si mediator, ndërmjetësues. Me këtë akt vlerësohet se Zvicra edhe më shumë hynë në varësinë franceze.[8]

Në Kohën e restauracionit dhe Kongresit të Vjenës (1815) Zvicra kishte proklamuar neutralitetin e saj dhe me këtë akt ajo kishte hapur derën asnjanësisë. Neutraliteti i kishte mundësuar që Zvicra të merr premtime nga fuqitë se ajo nuk do të sulmohet por njëkohësisht ajo obligohet që mos të lidhë asnjë koalicion ushtarak me vendet tjera e trupa të huaja. Nga këtu fillon dhe zhvillohet përherë principi i neutralitetit të Zvicrës që edhe sot ruhet nga ana e këtij vendi. Në historinë e Zvicrës e hasim edhe luftën qytetare brenda territorit të saj që kishte zgjatur 27 ditë që nga 3 nëntori deri më 29 nëntor 1847. Kjo ngjarje ishte edhe fundit si konflikt ushtarak në tokën zvicerane. Arsyeja e shpërthimit të kësaj lufte qytetare ishte tendenca e kantoneve katolike dhe themelimi i lidhjes së veçantë të njohur si “Sonderbund” që njihej edhe si aleanca mbrojtëse e kantoneve katolike. Qëllimi ishte të rezistojnë forcat qytetare, protestante dhe liberale. Ngritja e kësaj lidhjeje kishte ndikuar që të tensionohen frontet mes forcave konservative dhe atyre liberale. Me kushtetutën e vitit 1848 për historinë e shtetit të Zvicrës fillon një fazë e re dhe e veçantë. Me këtë kushtetutë kantonet kane një shkallë mjaft të lart për të vendosur vet sidomos në fushën e arsimit, mirëpo njëkohësisht edhe shumë kompetenca kalojnë në federatë. Fillon një fazë e re në kuadrin e së drejtës dhe institucioneve.[9]

 

b)     Departamenti për Punë të Jashtme i Zvicrës

Në politikën e jashtme ngarkohet Departamenti për Punë të Jashtme që fillimisht ishte i kufizuar në mjete. Kantonet humbin gati gjitha kompetencat në fushën e politikës së jashtme. Me kushtetutën e re partner për bisedime ishte qeveria federale, edhe në disa pika speciale bisedimet zhvilloheshin në prezencën e treshes: shteti i huaj, qeveria zvicerane bashkë me kantonin. Si pikë kryesore në politikën e jashtme zvicerane në këtë kohë e hasim këmbënguljen për ruajtjen e neutralitetit, ashtu siç ishte proklamuar që në vitin 1815, por edhe në theksimin e sovranitetit dhe pavarësisë. Kalimi i kompetencave në qendër për shumë kantone ishte një çështje e cila nuk ishte pranuar lehtë. Qeveria federale shpesh kishte rikujtuar kompetencat kushtetuese sidomos në fushën e lidhjes kontratave me jashtë. Ishte përpjekja e theksimit sa më shumë e konfederatës zvicerane që nga jashtë të paraqitej e prezantohej si njësi e vetme. Më tepër diplomacinë zvicerane të kësaj kohe e përshkon lidhja e marrëveshjeve ekonomike e tregtare e industri. Sa i përket përfaqësive shtetërore Zvicra kishte hapë konsullatat e para që nga viti 1798. Deri në vitin 1848 vendi kishte 45 konsullata: 30 në Evropë, 14 në Amerikë dhe një në Algjeri. Brenda 15 vjetësh (1850-65) ngrihen edhe 33 tjera: 17 në Amerikë, 5 në Azi, 2 në Afrikë, 2 në Australi dhe 7 në Evropë. Nxitës kryesor për hapjen e këtyre konsullatave ishin diaspora zvicerane, dhomat ekonomike kantonale, apo edhe shoqatat tregtare. Deri në 1865 konsullatat luajnë rolin kryesor në avancimin e marrëdhënieve tregtare duke mos i përjashtuar as mbrojtjen e interesave të diasporës. Tregtia dhe ekonomia për shtetin zviceran kishte prioritet sepse kjo kohë në shumicën e kantoneve kishte varfëri masive e që ishte problem i madh. Nga dokumentet diplomatike të kohës del se shumë konsuj zviceranë ishin ankuar dhe kishin njoftuar se disa nga komunat zvicerane ua kishin paguar udhëtimin dhe largimin qytetarëve të vet me qëllim që ata mos të jenë ngarkesë e shoqërisë. Ky fenomen i ikjes së qytetarëve jashtë vendit qeveria federale e kishte vlerësuar si pikë që bie në kompetencat e kantoneve.[10]

Në kohën kur Evropa ndodhej në proceset e kthesave, edhe Zvicra kishte kaluar në një formë të re shtetërore, kjo e fundit kishte vënë si pikë qendrore në politikën e jashtë, tashmë siç theksuam, prioritet kishte përforcimi i pavarësisë dhe neutraliteti. Këto dy principe zvicerane është dashur të kalojnë disa provime tejet të ndjeshme. [11]

Vitet 1866-1872 vlerësohet se e mbyllin epokën fillestare të përforcimit të federatës së Zvicrës. Me “kthesën evropiane” hynë edhe një fenomen shumështresor i ndryshimeve strukturore mes shteteve. Brenda pak vitesh kemi dy luftëra (1866, 1871) me peshë evropiane dhe për vetë Zvicrën, pason edhe Koncili I i Vatikanit, unifikimet nacionale dhe përpjekjet për ngritjen e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Kemi një kthesë nga rendi i Kongresit të Vjenës drejt një rendi të ri të imponuar nga Bismarku, pra atij hegjemonial. Këto ndryshime të ndryshme në Evropë në aspektin psikologjik ndikuan pozitiv tek populli zviceran. Ndikoi që të ngritët dhe përforcohet bashkësia kombëtare-nacionale, ndërsa principi i neutralitetit kishte prekë shumë thellë vetëdijen kolektive. Departamenti Politik (ministria e jashtme) Zviceran përjeton për shtatë vite pesë drejtues të këtij departamenti. Prapëseprapë kishte një politikë të jashtme të gjallë. Këtë kohë mund ta përkufizojmë me: pakë politikë të madhe e shumë diplomaci përfituese. Kjo e fundit lidhet me rrjetin e marrëdhënieve tregtare, pastaj me ndryshimet e vogla kufitare, ndërtimi i infrastrukturës rrugore etj..[12]

Zvicra në “kohën e Bismarkut” (1873-1889) kishte bërë ndryshimet kushtetuese (1874) me të cilat ndryshime, si element për tu cekur, ishte referendumi në kuadër, në rangun federativ, pastaj ligji për fabrika vlerësohet si hap po ashtu i rëndësishëm. Kemi edhe konfliktin e paraqitur në tërë Evropën mes kishës dhe shtetit, shteti zviceran bëhet gjithnjë e më shumë vendstrehimi për të ikurit sidomos nga vendet fqinje që përndjekshin nga regjimet e vendeve fqinje. Në vitin 1873/74 ky vend përjeton një luftë kulturash[13] që pati ndikimet e veta edhe në ndryshimet kushtetuese, një konvergjencë me Gjermaninë, ndërsa në raport me Francën signalizohen tensione. Diplomacinë zvicerane të kësaj kohe e preokupon sidomos tensionimet që shkonin drejt luftës gjermano-franceze 1870-1871). Zvicra nuk e dinte çfarë do të ndodhte dhe kishte frikën e mundësisë që ky vend të kaplohet nga konflikti.[14] Në agjendën e politikës së jashtme bënte pjesë edhe aktivitetet e forcave revolucionare në Gjermani, Austro-Hungari dhe Rusi. E thënë në formë përmbledhëse tema kryesore e diplomacisë zvicerane e kohës 1873-89 përshinë luftë mes kulturave, politika ekonomike, pastaj ndërtimi i tuneleve të Gothardit dhe Simplonit, kodifikimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare etj.[15]

Përveç ngjarjeve që lidheshin me fqinjët e afërt, diplomatët Zviceran në fund të shek. 19 informojnë edhe për mundësit dhe strategjitë e fuqive jashtë Evropës dhe Ballkanin. Raportime dhe vlerësime drejtuar ministrisë së jashtme zvicerane vinin nga qendrat e ndryshme, si Vjena e Parisi etj. Raportet e tyre flasin për marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Austrohungarisë si dhe mundësinë e një konflikti ushtarak mes këtyre dy vendendeve që do të mund të shkaktohej për shkak të Ballkanit dhe dominimit në këtë pjesë të Evropës. Konsulli zviceran në Vjenë, A. O. Aepli, e njofton, pos të tjerash, shefin e politikës së jashtme të vendit të tij, se në një bisedë të zhvilluar me përfaqësuesin e Rumanisë në Vjenë, ky i fundit duhet t`i ketë thënë atij, se ardhmëria e Ballkanit është ende e hapur. Mbase sipas vlerësimeve të diplomatit rumun herët a vonë do të ketë një luftë mes Rusisë dhe Austrohungarisë. Kështu që nëse do të fitoj Austrohungaria, vendet e rajonit do të gëzojnë edhe më tutje mëvetësinë e tyre, po fitoi Rusia atëherë do të bien nën pushtetin e tyre.[16] Pra që nga kjo kohë edhe Ballkani bëhet gjithnjë e më shumë lëndë trajtimi edhe në politikën e jashtme zvicerane. Ndërsa Shqipëria si vend, duke u mbështetur në dokumentet e njohura diplomatike zvicerane, fillon të përmendet po ashtu në fund të dekadës së fundit të shek. 19. Dhe kjo si shembull mund të cekim një aneks[17] të ministrit të Zvicrës, që përfaqësonte vendin e tij në Paris, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane – Departamentit Politik.

 

c)      Diplomacia e zvicerane e viteve 1890-1903

Vitet 1890-1903 në përgjithësi përfshijnë kohën mes fundit të Evropës së Bismarkut dhe fillet e para të Entente Cordiale. Gjatë kësaj kohe marrëdhëniet mes fuqive ndryshohen në mënyrë të theksuar. E kishim dominimin gjerman që përpiqej ta mbaj të izoluar Francën në aspektin diplomatik pastaj ngritja e një kundërsistemi që kryesisht ndërtohej në aksin Paris-St. Petersburg dhe hyrja në lojë gjithnjë e më shumë e Anglisë. Në këto rrethana kishte përpjekje nga fuqitë për të ndikuar në shtetin e Zvicrës. Mirëpo ajo ia arrin që të mos përfshihet drejtpërsëdrejti. Kjo kohë përshkohet nga ajo që quhet Diplomaci e Fshehtë që dominonte në Evropë. Pastaj në këtë kohë kemi edhe periudhën më intensive të ekspansionit kolonial. Diplomacia zvicerane kalon disa situata tejet të ndjeshme në raport me Gjermaninë, Francën dhe Italinë ku arsyet ishin të ndryshe në raport me secilin nga këto vende. Pastaj në decenien e fundit të shekullit në fjalë gjithkund gjejmë agjitacionin e anarkistëve dhe atentateve që prekin edhe Zvicrën. Politika e brendshme zvicerane konfrontohej më shumë se kurdoherë më parë me numrin e madh të refugjatëve politik.[18]

Gjatë kësaj kohe hasim edhe njëherë në marrjen në trajtesë të Shqipërisë. Për tu cekur është letra e përfaqësuesit zviceran në Romë drejtuar Departamentit Politik të Zvicrës ku jepen mendime dhe njoftime lidhur me rrethanat politike mes Italisë dhe Autrohungarisë, pra edhe për Shqipërinë ku thuhet: “...4) qu`il nxiste, ainsi que je Vous l`ai déjà écrit, une entente spéciale entre l`Italie et l`Autriche-Hogrie sur la question de l`Albanie...”.[19] Më 5 qershor 1902 në adresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane (Departamenti Politik) po ashtu vjen një letër nga i dërguari në Paris i cili njofton për bisedën e zhvilluar me ambasadorin gjerman që ishte shprehur rezervat e tija përballë Italisë lidhur me aleancën e tre vendeve Autrohungari, Itali dhe Gjermani. Ai kishte deklaruar, pos të tjerash, se “... se çfarë (para)mendimi vërtetë ka Italia për Shqipërinë neve nuk na është e njohur, e ka të ngjarë as vet njerëzve nuk u është e çartë.”[20]

Në prag të Luftës së Parë Botërore çdo i shtati banor i Zvicrës ishte i huaj- kuotë kjo që i printe në gjithë Evropën. Shpërthimi i luftës dhe kombi i Zvicrës me gjuhë zyrtare gjermane, franceze dhe italiane e vënë vendin para një sfide tejet delikate.[21] Vitet mes 1914-1918 diplomacinë zvicerane e përshkon pozicionimi në shërbim të politikës koherente të neutralitetit për ta ruajtur pavarësinë e vendit edhe në raport me ndikimet nga fuqitë e luftës. Vërejmë një rrethanë që duhet potencuar. Fuqitë e luftës nuk kishin për qëllim nënshtrimin e Zvicrës nën politikën apo pushtetin ushtarak të tyre. Për më tepër fuqitë në luftë ishin të interesuara që të pengojnë njëra-tjetrën që kjo mos të ndodhë. Lojë tjetër luhej në aspektin ekonomik. Secila nga palët në luftë u përpoqën që të kenë ndikim në infrastrukturën prodhuese të Zvicrës për të shfrytëzuar secila për vete. Ndërsa vendet aleate u përpoqën që Zvicra të mos jetë vrimë e hapur përballë embargos së vendosur kundër Gjermanisë. Për Zvicrën sfidë nuk ishte vetëm ruajtja e kufijve por edhe e stabiliteti i brendshëm duke u përballur me ruajtjen e vendeve të punës dhe furnizimin e popullatës me ushqim të mjaftueshëm. Rrethanat e krijuara ndikojnë që ky vend të kaloj nga strategjia e mbrojtjes drejt një diplomacie neutrale aktive. Kjo formë do të reflektohet më së miri në fushat me karakter humanitar.[22]

Nga korrespodenca mes përfaqësuesve diplomatik të vendit dhe shefit të politikës së jashtme zvicerane vëmendje i kushtohet “Le drame de Sarajevo” – dramës së Sarajevës,[23] vlerësimet për pasojat e mundshme etj. Përfaqësuesi zviceran në Paris në letrën e 12 korrikut 1914, përveç që jep informacione të ndryshme, ai shkruan edhe për Shqipërinë me sa vijon: “De se côté encore, il paraî qu`il ne faut pas s`inquiéter, pas même por lÀlbanie; l`Europe ne se battra pas por l`Albanie; il est possible que l`anarchie s`y aggrave, qu`on doive chercher d`autores combinaisons; que l`Europe, par l`organe de la Commission internacionale, doive s`occuper encore longtemps de ce malheureux pays; qu`il faille y étudier un système fédérativ. Tout cela ne compromettra pas la paix cette année.”[24]

Për tu informuar me qëndrimet e ministrisë së jashtme gjermane, përfaqësuesi i Zvicrës në Berlin ishte takuar me nënsekretarin për të diskutuar pos të tjerash edhe për “çështjen e Ballkanit”. Sipas nënsekretarit qëndrimi i Austrohugarisë është ende i panjohur, ai kishte potencuar se kishte vetëm informacione se Autrohungaria do të nisë një notë në adresën e Beogradit.[25] Këtu ishte diskuar edhe rasti i Shqipërisë. Nënsekretari deklarohet: se “nuk duhet të pritet aksion kolektiv shpëtues në të mirë të monarkut të Shqipërisë nga ana e aleancës së treshes dhe nga fuqitë e Antantës.” Ai kishte deklaruar po ashtu se, Gjermania që nga fillimi nuk e kishte përkrahur von Wied-in. Meqë ishte vetëaktivizuar tani ai duhet edhe vetë që t`i bart konsekuencat. “E vetmja shpresë për monarkun e Shqipërisë që ende ekziston është vetëm nëse Austria dhe Italia vendosin që atij t`i sigurojnë një ndihmë të fuqishme”. Sipas nënsekretarit kjo nuk përjashtohet pasi që fuqitë e mëdha kishin heqë dorë të aktivizohen në këtë drejtim, e kështu që u mbeten duart e lira të veprojnë sipas dëshirës Austria dhe Italia.[26]

Përfaqësuesi zviceran në Paris në letrën datës 27 korrik 1914 e informon Departamentin Politik të vendit të tij, se në adresën e Beogradit kishte arritur një ultimatum: “La Serbie a, samedie soir, avdant six heures, accepté presque tous les points de l`ultimatum autrichien...[27]

Në letrën tjetër ministri zviceran në Berlin njofton shefin ministrinë e jashtme të vendit të tij: “Sot bisedova prapë me nënsekretarin, ai përsëriti atë që më kishte thënë më herët lidhur me qëndrimet e Italisë... Politika italiane në Shqipëri në njëfarë mase është politikë “de chantage”!” Megjithë kësaj ai i kishte sqaruar ministrit zviceran “se nuk pritet sulm armiqësor nga ana e Italisë”.[28]

Në letrën e 16 janarit 1915 përfaqësuesi zviceran në Vjenë e njofton ministrinë e vendit që përfaqësonte me sa thuhet: “Son rôle fans la crise balkanique se caractérise par les sympathies bulgares, par l`opposition aux tendances expansives de la Serbie et par la création de l`Albanie, enfant terrible dont la naissance pénible et l`existence précaire n`ont guère donné de satisfactions à ses auteurs.”[29]

Një korrespodence tjetër që vjen nga ministri zviceran në Vjenë në Adresën e Departamentit Politik të datës 20 dhjetor 1917 lidhur me Shqipërinë ai ia bashkëngjitë shkresës së tij një manuskript të W. von Wied, e cila “nuk ishte për publik”. Ministri shënon në letrën e tij: “A titre de curiosité je joins à cep li une broshure Denkschrift über Albanien «als Manuskript gedruckt! Nicht für die Öffentlichkeit» fans laquelle le prince d`Albanie et de Wied revendique ses droits tout en se montrant prêt à accepter une sorte de protektorat autrichien, mais se plaint en attendant de ce que ses futurs protecteurs l`empêchent de recevoir les visites de ses fidèles sujets ou de correspondre avec eux.”[30]

 

d)     Politika e jashtme zvicerane e viteve 1918-1920

Vitet 1918-1920 njihen si vitet e fazës kaluese në të cilën ndodhej Evropa e që kërkonte rrugën nga lufta nëpërmjet bisedimeve paqësore drejt një rendi të ri ndërkombëtar. Diplomacia zvicerane kishte dy sfida: e para lidhej me kërkimin e argumenteve për ta arsyetuar pjesëmarrjen e saj në Lidhjen e Kombeve si kompatibël me politikën e neutralitetit zviceran, ndërsa në politikën e brendshme kjo duhej t`ju dëshmohej edhe qytetarëve të saj edhe për rëndësinë e anëtarësimit të saj në këtë Organizatë. Përveç kësaj me një aftësi Zvicra kishte arritur ta tërheqë Lidhjen e Kombeve në gjirin e saj, në Gjenevë. Pos kësaj në arenën ndërkombëtare, por edhe në Evropë, kemi një lindje të shteteve të reja me të cilat është dashur të merret po ashtu politika e jashtme zvicerane përkitazi me problematikën e njohjes zyrtare të tyre, apo edhe qeverive të reja.[31] Prej 1920 deri më 1924 diplomacia zvicerane pos të tjerash preokupohet ngushtë edhe me ngritjen e Lidhjes së Kombeve. Gjeneva dhe Lozana janë qytete ku mbahen konferencat ndërkombëtare. Zvicra u përpoq që edhe më tutje të ruaj neutralitetin e saj, edhe pse ishte pjesë e procesit të ngritjes së Lidhjes së Kombeve. Veprimet e diplomacisë mbesin prapëseprapë të rezervuara. Kjo edhe për arsye se, qysh herët ishin hetuar mangësitë dhe mungesa e universalitetit të kësaj pararendëse të OKB-së. Pas vendosjes së LK në Gjeneve (1921) organizata e vënë diplomacinë zvicerane para një sfide tejet të vështirë. LK kishte kërkuar nga Zvicra që të lejohet marshimi i trupave të Organizatës nëpër territorin e saj. Duke u mbështetur në mungesën e solidaritetit përbrenda LK dhe në parimet e Deklaratës së Londrës (1920) ku thuhet se Zvicra ishte e zgjidhur nga gjitha sanksionet e marra nga Lidhja e Kombeve, kërkesa refuzohet.[32] Në letrën e datës 28 nëntor 1920 përfaqësuesi i Zvicrës në LK kishte njoftuar rreth ecurive dhe punëve të komisioneve të ndryshme që po bënin punët e tyre brenda Organizatës. Ai duke u mbështetur në Komisionin për Pranimin e Shteteve të reja në LK njofton se “Shqipëria nuk do të pranohet”.[33] Vitet e një ç`tensionimi të situatës, përkatësisht të një qetësie në Evropë vlerësohen të jenë vitet 1925-1929. Nënshkruhen marrëveshjet e Lokarnos, Gjermania pranohet në Lidhjen e Kombeve – pra u duk se kishte filluar një kthim i normalitetit edhe në marrëdhëniet mes shteteve. Në diplomacinë zvicerane kemi një numër të madh kontratash tregtare e qëndrimi me shtete të ndryshme. Raportet me Rusinë sovjetike edhe më tutje për Zvicrën mbeten të ngarkuara.[34]

Në kudër të këtyre ngjarjeve dhe rrethanave politike në rajon dhe në raport me politikat ndërkombëtare të kohës kishte ende shtete që hezitonin njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen e saj. Këtu hynë edhe shteti i Zvicrës, që gjatë procesit të mëvetësisë së Shqipërisë është marrë si shembull për disa fusha të funksionimit të sferave të ndryshme të shtetit dhe ligjit shqiptar. Wilhelm von Wied me ardhjen e tij në Shqipëri (7 mars 1914) atë e priste një situatë e tensionuar nga interesat ndryshme të vetë shqiptarëve por edhe të tendencave të fqinjëve. Përveç detyrave që kishin të bënin me konsolidimin dhe ngritjen e organeve të shtetit të Shqipërisë, ai u përpoq që me kërkesat e tij të fitoj njohjen në postin e Princit të Shqipërisë edhe nga shtetet që ende qëndronin me rezerva përballë ngjarjeve në Ballkan.

 

e)      Diplomacia zvicerane përballë nacionalsocializmit gjerman

Vitet 1937-38 në historinë e Evropës lidhen me krijimin e Boshtit. Armët e Gjermanisë nacionalsocialiste kishin filluar të bëjnë “rojë nate”. Në nëntor të vitit 1937 Hitleri para këshilltarëve të tij deklarohet, se “për zgjidhjen e çështjes gjermane ekziston vetëm rruga e dhunës”. Më 6 nëntor 1937 Italia i bashkëngjitet paktit në anën e Gjermanisë dhe Japonisë. Më 1938, pasi kishte zgjidhur Gjermaninë nga kufizimet që kishte pasur nga marrëveshja e Versajës, Hitleri aktivizohet dhe fillon të modifikoj kufijtë e Evropës sipas dëshirës së tij. Në këto rrethana diplomacia zvicerane mbetet e ngujuar mes fqinjëve të saj në veri e jug. E vetmja rrugëdalje në këtë situatë ishte zgjidhja e strategjisë së mbijetesës dhe mundësisht dëmet përballë (humbjeve të mundshme) sovranitetit shtetëror të mbahen sa më të ulta. Si asnjëherë më parë principi i neutralitetit bëhet si çelësi kryesor në politikën e jashtme zvicerane. Vendi në këto rrethana krejt të reja u përpoq të bindë partnerët e saj në Lidhjen e Kombeve se është e rëndësishme që Zvicra të lirohet nga kërkesa nëse do të kërkohej që ajo të ngrehë sanksione ekonomike. Diplomacia zvicerane me sukses e arrin këtë qëllim.[35]

Me largimin e Italisë nga Lidhja e Kombeve qeveria e Zvicrës fillon të marrë distancë gjithnjë e më të madhe ndaj Organizatës së LK. Vendi fillon ti afrohet Italisë. Zvicra ishte i pari vend që kishte njohur në fund të vitit 1936 sovranitetin italian mbi Abesinë. Nga kjo, në rrethanat e reja të krijuara, Zvicra mbledh frytet. Përballë Gjermanisë frika ishte më e madhe sepse programi i nacionalsocializmit gjerman parashikonte bashkimin e gjithë gjermanëve në një shtet, pra këtu hynte edhe pjesa gjermanofone e Zvicrës. Përderisa politika e qeverisë përpiqet të tejtheksoj neutralitetin e vendit, në media të Zvicrës bëhej beteja kundër qëllimeve gjermane.[36] Duke e parë rrezikun e kanosur Zvicra e njeh aneksimin e Austrisë nga Gjermania “për të sinjalizuar politikën e fqinjësisë së mirë”. Ky hap i politikës zvicerane bëhet në emër të asaj që me çdo kusht të ruhej sovraniteti i vendit. Aneksimi i Austrisë hapë edhe një kapitull të dhimbshëm në politikën zvicerane për çështjen refugjatëve dhe kjo sidomos përballë hebrenjve. Me rritjen e numrit të refugjatëve hebrenj Zvicra kishte vlerësuar se, ky vend nuk mund të shërbente më si vend transit, andaj edhe kishte marr vendimin për mbylljen e kufirit. Me iniciativë të palës zvicerane nga organet gjermane kërkohet që hebrenjve t`ju jepet një lloj pasaporte ku do të mund të identifikohej përkatësia hebreje, e me këtë atyre t`ju pamundësohet hyrja në Zvicër. Bisedimet përfundojnë me “sukses”. Pala gjermane vendosë që në pasaportën e hebrenjve të shënojnë shkronjën «J» për t`i identifikuar se janë judë.[37]

Zvicra e dinte se pa përkrahjen franceze e britanike ajo nuk do ketë sukses për ta ruajtur integritetin e vendit. Përballë SHBA-ve, në anën tjetër, u përpoq që mos të ndërmjetësoj përshtypjen se, Zvicra po i largohet frymës liberale. Vërtetë Zvicra ia doli t`i ikë përfshirjes drejtpërdrejtë në LDB. Mirëpo kjo atëherë për banorët e saj ende nuk ishte e njohur e nuk dihej se a do të shpëtoj a jo, andaj vendi kishte bërë edhe përgatitjet e nevojshme në rast se ajo do të detyrohej të përdorë forcën ushtarake për vetëmbrojtje.[38] Pas fitores së Gjermanisë nacionalsocialiste kundër Francës dhe hyrjes së Italisë në luftë në qershor 1940 Zvicra, për dallim nga Lufta e Parë, kësaj radhe ishte e rrethuar tërësisht nga fuqitë e Boshtit.[39]

Për të siguruar popullatën me ushqim dhe për ta siguruar furnizimin e vendit dhe ekonomisë vendore me lëndë të para Zvicra ishte e obliguar t`i shfrytëzoj territoret e fqinjëve të saj. Italia ishte tejet burokratike por e qartë, Franca vlerësohej si shikane dhe e luhatshme, kurse gjermanët kërkonin shërbim të ndërsjellët.[40]

 

f)       Politika e jashtme zvicerane gjatë LDB

 

Në vitet 1941-9143 në Evropë kemi disa ngjarje vendimtare të zhvillimit të LDB. Në qershor 1941 përfundon bashkëpunimi sovjetiko-gjerman, pason hyrja e SHBA-ve në luftë (dhjetor 1941), formohet koalicioni i kombeve të bashkuara (1942), ndodhë humbja e parë e madhe gjermane në Stalingrad (shkurt 1943), Italia kapitullon (1943), në jug të kontinentit të Evropës hyjnë trupat e aleancës. Gjitha këto shikohen si ngjarje të rëndësishme të LDB. Politika zvicerane ishte e detyruar që permanent të orientohet sipas rrethanave e ndodhive në arenën ndërkombëtare. Edhe pse situata i impononte Zvicrës një politikë tejet të matur e të kujdesshme përballë Gjermanisë, me kohë fillon të shprehet shpresa se vendi do të mbetet pa u prekur drejtpërsëdrejti nga lufta.[41]

Në pyetjen e shtruar nga shumë studiues, pse Hitleri nuk e kishte okupuar ushtarakisht Zvicrën, përgjigja ka mbetur deri më sot e rrethuar me legjendë. Një mit tejet i përhapur thotë se jo okupimi është meritë e strategjisë vetëmbrojtëse të gjeneralit zviceran Guisans që shprehet në kërkesën e tij për ngritjen e një bastioni në pjesët e Alpëve të vendit, dhe se kjo strategji thuhet se ka qenë e pamundur të mundet nga gjermanët. Ndërsa pozicioni tjetër thotë, se Zvicra ka shpëtuar meqë ajo i ka kryer shërbime Gjermanisë në fushën ekonomiko-financiare dhe duke e ndihmuar atë me furnizime. Zvicra duhet t`i ketë siguruar kredi të cilat duhet të kenë shërbyer edhe për blerjen e armëve. Kjo ndodhë paralelisht duke mbajtur marrëdhëniet tregtare me vendet Aleate.[42]

Sipas një komisioni i ngritur në vitet e `90ta të shek. 20 në bankat zvicerane dëshmohen 54.000 konto që kanë pas lidhje edhe me viktimat e holokaustit. Bartja e arit nga Gjermani në bankat zvicerane gjatë LDB sipas komisionit kishte shumën prej 1,6 deri në 1,7 miliard franga zvicerane, mes kësaj pasurie edhe ari të konfiskuar nga hebrenjtë. Kurse për këtë bankat duhet të kenë qenë në dijeni që nga viti 1940.[43] Bashkimi sovjetik që kishte dalë fituese e po merrte gjithnjë e më shumë formë e ndikim në politikën botërore në nëntor 1944 kishte refuzuar vënien e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën “pro-fashiste”.[44]

Me humbjen e Gjermanisë në frontin me rusët, reduktohet maksimalisht rreziku dhe kërcënimi i sulmimit të Zvicrës nga ana e fqinjës së saj. Në aspektin diplomatik Zvicra në vitet 1943-45 kishte marrëdhënie me gjithsej 25 shtete që mbante raporte me intensitete të ndryshme. Marrëdhëniet me Gjermaninë fillojnë të reduktohen gjithnjë e më shumë në vitin 1944. Nga këtu fillon një afrim gjithnjë në rritje me Amerikën. Gjatë kësaj kohe hetohet në diplomacinë zvicerane “politika humanitare” që demonstrohet në bisedime dhe intervenime. Edhe politika përballë hebrenjve fillon të ndryshoj me njoftimin se Gjermania naziste kishte ngritur kampe të përqendrimit. Ndërsa raportet me Kryqin e Kuq ndërkombëtarë bëhen më të theksuara.[45]

Me përfundimin e LDB (1945) në Evropë fillon një epokë e re. Si vendi i vetëm fqinjë i Italisë dhe Gjermanisë mbetet Zvicra që shpëton pa u okupuar apo pa u futur në mënyrë të drejtpërdrejt në luftë. Neutraliteti mbetet edhe pas luftës si nocion i theksuar në diplomacinë zvicerane – pra edhe përballë OKB-së. Sfidën kryesore të politikës së jashtme të vendit e bënin rrethanat e reja. Evropa dhe bota ishte në një fazë transitore edhe cila përcillet edhe me ngritjen e një rendi të ri botërorë. Fillon rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që iu kthehet suvereniteti pas përfundimit të luftës. Ngrihen marrëdhënie të reja me vendet e reja. Në raport me Bashkimin Sovjetik nuk kishte pas marrëdhënie edhe mes dy luftërave botërore për shkak se Zvicra kishte refuzuar ideologjinë komuniste. Me vendet aleate –sidomos me SHBA-të, Zvicra konfrontohet me hapjen e çështjeve ekonomike të cilat kishin nevojë të sqaroheshin. Si pikë kryesore ishte fati i pasurisë gjermane dhe pasuritë e Zvicrës në SHBA. Pra qëllimi ishte edhe i shpalosjes së pasurive të mundshme të nazistëve. Sepse, sipas aleatëve, kjo pasuri shikohej si kërcënim për paqen në të ardhmen. Kjo çështje e shpien diplomacinë e Zvicrës në një sprovë tejet delikate e të ndjeshme. Ndërsa në anën tjetër kjo diplomaci kishte nuhatur qysh herët se si Lufta e Ftohtë po merrte formë.[46]

 

g)     Periudha e pas LDB dhe ndarja Blloqeve

 

Vitet 1947-1949 vlerësohen si vitet e keqësimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kjo për shkak të rivalitetit mes Bllokut të Lindjes dhe Perëndimit. Me iniciativën e konstituimit të planit Marshall fillon edhe ndarja e Evropës dhe e Gjermanisë. Puçi i Pragës në shkurt të 1947 dhe bllokimi i Berlinit nga Stalini në qershor 1947 kanë kontribuar që të ndihen ndikimet e para të Luftës së Ftohtë jo vetëm në kokat e njerëzve por edhe në realitetin politik. Në kuadër të kësaj ndarje operonte diplomacia zvicerane me politikën e saj të njohur të neutralitetit, e cila nuk ishte edhe politike e lehtë.[47]

Në vitet 1949-1952 në arenën ndërkombëtare kemi prezencën e një tensionimi gjithnjë e më të theksuar mes Lindjes dhe Perëndimit. Tensionimet e arrijnë kulmin me luftën e Koresë. Këto rrethana ndërkombëtare e vënin politikën e neutralitetit të shtetit zviceran para një sfide të madhe. Vendi nuk mund të injoronte e të izolohej nga ecurit e politikës ndërkombëtare të kohës. Shtrohej çështja se a duhej të merret hapi drejt afrimit të Bllokut të Perëndimit bashkë me kërkesat që kishte të cilat nuk përshtateshin me politikën e neutralitetit, por edhe marrëdhëniet me Bllokun e lindjes lidheshin me një numër pyetjesh. SHBA-të kishin nxjerrur një listë të zezë të produkteve të cilat nuk guxonin t`iu shiteshin Bashkimit Sovjetik. Ndërsa në politikën zvicerane ishte e një rëndësie të madhe që ajo të mos kufizohej në ndërtim e marrëdhënieve tregtare me të dy Blloqet. Megjithë theksimit të neutralitetit Zvicra i afrohet proceseve që ndodheshin brenda Bllokut të perëndimit por me rezerva. Me rritjen e Organizatave me qendrat e tyre në Gjenevë vendi fillon të jetë në lidhje gjithnjë e më të ngushta me OKB-në. Si sfidë ishte politika ekonomike ishte çështja e pasurisë së gjermanëve në Zvicër. Ndërsa edhe më komplekse për diplomacinë zviceran ishte ngritja dhe marrëdhëniet me dy Gjermanitë – pjesës demokratike dhe asaj komuniste. Fillimisht Zvicra i ishte ikur njohjes së Gjermanive të “reja”. Me pranimin dhe marrjen mbi vete të borxheve dhe obligimeve tjera, të Gjermanisë pararendëse, nga Gjermania Perëndimore vendoset që nga ana e Zvicrës të njihet si shtet. Ndërsa raportet me Gjermaninë Komuniste mbaheshin kontakte “për zgjidhje praktike” që të mund të mbroheshin interesat e mijërave zviceranëve që ndodheshin në zonën sovjetike.[48]

Me vdekjen e Stalinit (mars 1953) në Evropë kemi një fazë të ç`tensionimit. Gjeneva në diplomacinë ndërkombëtare merr vend të rëndësishëm sidomos me mbajtjen e konferencave të ndryshme lidhur me konfliktet në Azi. Politika e jashtme zvicerane përgjithësisht fiton nga këto rrethana dhe vejnë “marrëdhënie të privilegjuara me burrështetas nga gjithë bota”. Me angazhimin e Zvicrës në Komisionin Mbikëqyrës Neutral i caktuar për të mbikëqyrur armëpushimin në konfliktin e Koresë i hapë mundësinë politikës së jashtme zvicerane që të kërkoj njohjen e politikës së neutralitetit të vendit nga te dy blloqet. Përballë NATO-s Zvicra mban qëndrim të rezervuar. Në OKB përfaqësohet me një të dërguar si përgjues. Aspekti ekonomik në politikën dhe diplomacinë e këtij vendi zënë përherë e në formë permanente vend të rëndësishëm dhe vihet si pikë me prioritet. Gjatë këtyre viteve ajo kërkon tregje të reja. Fillon një normalizim tregtar me Gjermaninë, Italinë, Francën. Marrëdhëniet me dy Blloqet ishin të ndryshme. Me BS pengesat ishin krejtësisht politike. Rezervat e shprehura të SHBA-ve përballë politikës së neutralitetit që aplikohej nga ky vend fillojnë të shkrihen duke iu falënderuar “shërbimeve të mira” të dëshmuara me angazhimin e saj në rastin e Koresë.[49]

Me mbajtjen e konferencës së katër fuqive, e cila u mbajt më 18 deri më 26 qershor 1955, fillon mbajtja e një sërë konferencash tjera në Gjenevë mes fuqive. Kështu në gusht të vitit 1955 mbahet konferenca ndërkombëtare për shfrytëzimin paqësor të atomit. Te dy këto konferenca që patën jehonë në gjithë botën ndikuan që të fuqizojnë edhe pozitën e Zvicrës në arenën ndërkombëtare. Gjatë krizës në Hungari, e cila shpërthen në kohën e Krizës së Suezit, qeveria zvicerane bën një hap të dallueshëm humanitar. Ajo pranon mijëra refugjat hungarez. Konflikti mes Dy Blloqeve mbetet ende i tensionuar. Vitet 1955-1958 përshkruhen edhe me procesin e dekolonizimit. Dhe konfliktet që shpërthejnë si rezultat i këtij procesi, preku edhe disa interesa dhe përfaqësi zvicerane në pjesën e Afrikës Veriore. Gjithnjë e më shumë rritej numri i shteteve të reja në këtë pjesë të botës. Për Zvicrën shtrohet pyetja a duhet të ngriheshin marrëdhëniet diplomatike më këto shtetet të reja, dhe nëse po, si duhet vepruar. Një aspekt tjetër i zhvillimeve i cili kishte vënë diplomacinë zvicerane para një pozite të vështirë për të vendosur, ishte trendi i përpjekjeve afruese që po merrte formë gjithnjë e më shumë në pjesën perëndimore të Evropës. Zvicra nuk dëshironte që t`i largohet përpjekjeve perëndimore për ngritjen e zonës së lirë tregtare, por njëkohësisht ajo nuk dëshironte t`i humbte as partnerët dhe tregjet që i kishte me vendet e Bllokut të Lindjes.[50]

 

h)     Fundi i politikës së jashtme të udhëhequr nga Petitpierre (1958-1961)

 

Petitpierre është personi që ka udhëhequr Departamentin e Politikës së Jashtme të Zvicrës që nga shkurti i vitit 1945 deri në korrik të vitit 1961. Dhe kjo periudhë vlerësohet edhe si fundi i periudhës së Petitpierre-it. Nëse shikojmë ngjarjet e viteve 1955-1958 në Evropë mund të themi se ato ishin të përshkruara me shpresën për paqësim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Vitet vijuese (1958-1961) karakterizohen me tensionimet mes dy Blloqeve që nxiten me krizën e Berlinit, Kubës dhe përshpejtimit të dekolonizimit të vendeve të Afrikës. Pastaj kemi edhe luftën Algjerisë, mëvetësia e Kongos. Në këto ngjarje politike ndërkombëtare që lidheshin ngushtë edhe me konfliktin lindje-perëndim, diplomacia zvicerane përpiqet edhe më shumë të theksoj politikën neutrale përkatësisht neutralitetin e vendit, por gjithnjë duke i bërë përpjekjet ma të mundshme për t`i ikur izolimit. Si sfidë e politikës së jashtme zvicerane paraqesin edhe ngjarjet e kohës që lidhen me ngritje e organizatave evropiane si Këshilli i Evropës, OEEC, EWG-ja, pastaj themelimi i EFTA-s dhe OECD-së, raporti me shtetet e krijuara të reja etj. Në politikën e brendshme diskutohet për pozicionin e Zvicrës në raport me shtetet komuniste por edhe për antarsimin e vendit në OKB. Sa i përket pikës së fundit, Zvicra mbante linjën njëzëri se, ajo nuk donte të hynte në OKB për shkak të vijës politike të neutralitetit. Pra sipas Ministrit për Punë të Jashtme, Petitpierre, “Zvicra duhet të mbetet e pavarur dhe e hapur”. Neutraliteti i shtetit zviceran nuk nënkuptonte pasivitetin përballë ngjarjeve që ndodhnin. Përkundrazi, ajo ofronte shërbimet e saja si në rastin e krizës së Algjerisë, mirëpo gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm se, ky vend ishte i vogël për të filluar një nismë për një zgjidhje paqësore të konfliktit global që ekzistonte.

Në këto vite që po i trajtojmë, fillon një politike më aktive e politikës së jashtme zvicerane e cila jep kontributin e saj edhe në Kongo, fushën e ndihmave humanitare por edhe duke trajtuar politikën e neutralitetit të vendin me integrimet ekonomike që fillojnë në Evropën e ndarë. Në aspektin e sigurisë së vendit e cila lidhej edhe me blerjen e armatimit, shpesh vihet në diskutim harmonia e politikës së neutralitetit përballë tregtisë me armë. “Politika e shërbimeve të mira” e shtetit të Zvicrës atë e avancon shumë në fazën që po e trajtojmë. Zvicra kishte bërë shërbime në politikën ndërkombëtare, sa ajo përforcon edhe më shumë pozitën e saj. Megjithëkëtë kishte fërkime të herëpashershme me Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik.[51]


[1] Rütli vendi ku është mbajtur lidhja zvicerane dhe është vënë gurthemeli i ngritjes së shtetit zviceran. Rütlischwur është një mit kombëtar zviceran ku marrin pjesë tri kantonet si Uri, Schwyz dhe Unterwalden. Shih më shumë në: Reinhardt 2006:6-10

[2] Zvicra është marrë shpesh si shembull nga shqiptarët. Në këtë rast Lidhjen e Prizrenit  E. Vlora e krahason si një qeveri popullore e ngjashme me besëlidhjen që krijuan në vitin 1291 kantonet zvicerane. Vlora 2003:159.

[3] Tektsi është i përpiluar në pernagment ka format 320 x 200 mm me 17 rreshta në gjuhën latine me dy vula të lidhura. Shih faksimilen në fund. Khs. Reinhardt 2006:11-22.

[4] Xoxi, 1995: 26. Vepra “Wilhelm Tel” (1804) e shkruar nga Schiller është përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1932 nga S. Laurasi.

[5] Bëhet fjalë për bashkëngjitjen që i bëhet nga pesë kantone (Cyrihu, Berna, Lucerni, Glarusi, Cugu) tre kantoneve të vjetra.

[6] Reinhardt 2006:51:57.

[7] Reinhardt 2006:74-82.

[8] Khs. Reinholdt 2006:82:92.

[9] Khs. Reinholdt 2006:92-100.

[10] DDS 1 1848-1865:XVIII-XXV.

[11] DDS 1 1848-1865:XXVIII.

[12] DDS 2 1866-1872:XVI-XIX.

[13] Kulturkampf: këtu bëhet fjalë për një luftë që shpërthen mes forcave konservative katolike kishtare dhe forcave radikale.

[14] DDS 3 1866-1872:677.

[15] DDS 3 1866-1872:XIII-XV, 677.

[16] DDS 3 1866-1872:787.

[17] 4 mars 1897 në: DDS 4 1890-1903:542-544 „…il est à craindre que les Italiens n`aient certaines ambitions, soit en Crête, soit en Albanie…”

[18] DDS 4 1890-1903:XVII-XX.

[19] Letra e datës 12 qershor 1901 në: DDS 4 1890-1903:803-805.

[20] DDS 4 1890-1903:883-884.

[21] Reinhardt 2006:106.

[22] DDS 6 1914-1918:XVI-XVIII.

[23], Letra e 20 qershorit 1914 e ministrit të Zvicrës në Vjenë dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane, në DDS 6 1914-1918:1.

[24] DSS 6 1914-1918:2-5.

[25] Letra e përfaqësuesit zviceran në Berlin (21 korrik 1914), dërguar shefit të Departamentit Politik të Zvicrës. DDS 6 1914-1918:7.

[26] DDS 6 1914-1918:7-8.

[27] DDS 6 1914-1918:59.

[28] DDS 6 1914-1918:136.

[29] DDS 6 1914-1918:138.

[30] DDS 6 1914-1918:654.

[31] DDS 7 1918-1920:XV.

[32] DDS 8 1920-1924:XVII-XX.

[33] DDS 8 1920-1924:7.

[34] DDS 9 1925-1929:XIII.

[35] DDS 12 1937-1938:XXI.

[36] DDS 12 1937-1938:XXI-XXI.

[37] DDS 12 1937-1938:XXIII. Khs. Reinhardt 2006:112. Dokumenti i marrëveshjes i publikuar në: dodis.ch/15384. Me thellësisht shiko po ashtu edhe: Die Schweiz, die Flüchtlinge und die Shoah in: http://www.dodis.ch/de/themendossiers/dossier-die-schweiz-die-nationalsozialistischen-verfolgungen-und-die-shoah.

[38] DDS 13 1939-1940:XVIII-XIX.

[39] Reinhardt 2006:110.

[40] DDS 13 1939-1940:XX.

[41] DDS 14 1941-1943:XV. Në një letër nga përfaqësuesi zviceran në Ankara dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës më 2 qershor 1943 për Shqipërinë ai shkruan një fjali të vetme: “Quant à l`Albanie, l`Italie entendait bien la conserver, mais c`était simplement par nécessité élémentaire de sécurité”, po aty fq. 1159.

[42] Reinhardt 2006:110-111.

[43] Reinhardt 2006:112.

[44] Reinhardt 2006:113.

[45] DDS 15 1943-1945:XVI-XVIII.

[46] DDS 16 1945-1947: XVII-XIX.

[47] DDS 17 1947-1949; www.dodis.ch.

[48] DDS 18 1949-1952; www.dodos.ch

[49] DDS 19 1952-1955; www.dodis.ch.

[50] DDS 20 1955-1958, www.dodis.ch

[51] DDS 21 1958-1961, www.dodis.ch



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: