Sejdi Berisha: Ymer Lushakaj, “Nderi i qytetit të Durrësit”
| E Enjte, 01.11.2012, 06:31 PM |

Njerëz të fatbardhësisë së turizmit dhe të ekonomisë shqiptare

YMER LUSHAKAJ, NDERI I QYTETIT TË DURRËSIT...!

...Kur e sheh njeriu nënëloken me mbi të nëntëdhjetat dhe punën e madhështinë e Lushakajt, atëherë, patjetër të imponohet si mendim apo edhe si ekuacion jo matematike: e madhe është jeta,... krenare është jeta,... madhështi është jeta,... por nganjëherë e poshtër është jeta...!

Në plaketën e këtij Çmimi të cilin e ndanë Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”, në mes tjerash shkruan: “Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”, z. Ymer Lushakajn e nderon me Çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit” për kontributin e rëndësishëm që jep në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, mbështetjen e aktiviteteve në promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale dhe humane”...

Nga Sejdi Berisha

Se turizmi është njëri prej faktorëve më të rëndësishëm dhe njëra prej fushave më vitale për zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor por edhe për afirmimin të një vendi, dëshmojnë shumë faktografi dhe shkrime e studime shkencore në botë. Këtë privilegj, si duket, më në fund tani e ka edhe Shqipëria, e cila ka bërë hapa të konsiderueshëm në zhvillimin e turizmit bregdetar. Këtë e dëshmon vargu i pakëputur i objekteve hoteliere dhe turistike të ndërtuara pothuaj se përgjatë tërë bregdetit, pakëputur. Dhe, këtë dhuratë apo përparësi e ka sjellë respektivisht e ka ndihmuar padyshim edhe njëra prej veprave më kapitale dhe historike, Rruga e Kombit, e cila ka shpejtuar zhvillimin e përgjithshëm të vendit, por edhe fuqishëm ka nxitur bashkimin e çdo ecurie kombëtare, mbase edhe të atyre historike.

Por, kjo është një komponentë e veçantë, e cila do respekt, trajtim dhe afirmim të posaçëm. Mirëpo, kësaj radhe, në shkrimin tim do t’i theksoj disa veçori e karakteristika në fushën e turizmit, të cilat gjithnjë e më shumë po mbështeten dhe përkrahen në forma dhe mënyra të ndryshme, jo vetëm nga faktorët kombëtarë por edhe nga ata ndërkombëtar. Kurse rezultatet që po arrihen, ato po cilësohen dhe veçohen duke i shpërblyer me mirënjohje, të cilat reflektojnë për stimulim por edhe për begatimin e rrjedhave zhvillimore dhe të rrjedhave historike të ekonomisë turistike por edhe në zhvillimin e përgjithshëm.

Edhe sivjet ishim dëshmitarë i të gjitha këtyre, duke i vizituar plazhet dhe objektet e shumta hoteliere dhe turistike të Durrësit, të cilat tanimë kanë krijuar një madhështi përrallore dhe kanë sjellë cilësi të rrallë të turizmit shqiptar. Nuk duhet harruar, por gjithnjë duhet veçuar cilësinë e punës në shumë hotele dhe objekte turistike, siç është Hoteli “Dolce Vita”.

Aty, së pari, kushtimit të them, hasim  tri klima, të cilat i “prodhojnë” parqet, pishat, pishinat dhe pastaj plazhi i mrekullueshëm i detit.

Këtë gjë, më provokoj ta theksoj edhe Festivali i vitit të kaluar, “Ditët e ullirit”, i cili u organizua në qendër të qytetit të Durrësit, e në të cilin isha i ftuar edhe unë.

Në këtë manifestim tradicional, Hoteli “Dolce Vita”, respektivisht, pronari i këtij objekti madhor, z. Ymer Lushakaj, ky njeri modest, por i palodhshëm, i qetë e me plotë ide, por edhe me bindjet e forta vetëm për suksese të reja është i ftuar, me ç’rast do të nderohet me çmimin më të lartë të qytetit, “Nderi i qytetit të Durrësit” për sukseset dhe të arriturat e tij.

Turizmi në Shqipëri është duke marrë këmbë të shëndosha...

Duke u mbështetur në të gjitha këto që theksuam më lartë, pra, dëshmohet se turizmi në Shqipëri është duke marrë këmbë të shëndosha, dhe është duke u kyçur suksesshëm në rrjedhat cilësore të kësaj dege ekonomike në Evropë dhe botë. Për këtë, dëshmon edhe puna profesionale dhe cilësore e Hotel “Dolce Vita” në kompleksin e turizmit bregdetar të Durrësit.

Edhe pse tani ka kaluar koha e sezonit turistik, ka kohë që mendja më grishte për ta bërë një shkrim për aferimin e këtij kompleksi turistik por edhe për pronarin e tij, z. Ymer Lushakaj, i cili është njeri që reflekton në zhvillimin e turizmit shqiptar, të cilin e mbështet qyteti i Durrësit dhe ekonomia turistike, të cilës i ka dhënë shumë por atë është duke e zhvilluar edhe tutje. Shkak i këtij shkrimi ishin shumë arsye, por edhe ajo që kam theksuar më lartë, se  pronari i tij është nderuar me Çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit” për të arriturat dhe për avancimin e vlerave turistike shqiptare, por edhe të ekonomisë përgjithësisht.

Nëse flasim pakëz për biografinë e këtij njeriu, z. Ymer Lushakaj, një njeri i thjeshtë në dukje dhe modest, me pedanteri përcjellë mbarëvajtjen e punëve, në mënyrë që çdo mysafir, çdo turist të jetë i kënaqur dhe rehatshëm të pushojë e të relaksohet. Kjo kishte qenë gjithnjë edhe ëndrra e tij, i cili qysh herët, në kushte të vështira ekonomike, kishte qëndruar i pathyeshëm që të arrijë diçka për vetveten por edhe për kombin dhe për atdheun.

Atëbotë, kishte rrahur rrugën e tregtisë-kafshatë e hidhur e bukës Shqipëri-Stamboll, duke blerë e shitur “cikërrime” gjërash, por që i nevojiteshin  njeriut për të mbijetuar mbase edhe për ta marrë veten për të bërë dikur diçka të madhe e të dobishme.

Ky njeri i urtë për kah natyra por këmbëngulës në biznes, i cili e ka prejardhjen nga Kosova, ishte përplasur dhe kishte pasur shumë sfida, të cilat, pothuaj se të gjitha i ka tejkaluar, dhe sot, sot vërtetë është krenaria dhe nderi i familjes, është krenaria e qytetit, është krenaria e turizmit dhe e hotelerisë, është krenaria e ekonomisë shqiptare. Ai, ka një histori plotë përplasje e me rrugëtim të përshkuar me djersen e mundin për ta luftuar e flakur skamjen, varfërinë... Histori e gjatë është kjo etapë e jetës së tij, e cila i ngjanë luftës më interesante të njeriut që bën me vetveten në radhë të parë, e pastaj, edhe me stuhitë e kohërave, të cilat, për shqiptarët dhe për Shqipërinë kanë qenë dhe vazhdojnë të janë ende të pamëshirshme.

Nëse flasim për veprimtarinë e tij, për të arriturat, për vazhdimësinë e planeve zhvillimore dhe të synimeve të tij, gjithnjë të bëhet se ky njeri nuk është ai i cili vetë e shpjegon historikun e jetës. Hoteli dhe shumë objekte të tjera hoteliere përreth, të cilat vetë i menaxhon, frymojnë me profesionalizmin turistik bashkëkohor dhe të përmasave ndërkombëtare. Këtu, çdo gjë është, rri dhe funksionon me shkallën më të lartë të profesionalizmit.

Mysafirët nuk kanë rast të hasin në parregullsi, dhe çfarë është më e rëndësishmja, nuk ka as më të voglën papastërti. Bile, edhe nëse rri kujdestar për të gjetur diçka që nuk funksionon, që prish imazhin dhe frymën e nivelit dhe të kulturës turistike, nuk ke rast ta hasesh.

Hoteli “Dolce Vita” është i “mbytur” në gjelbërim dhe i rrethuar me drunj pishe dhe me komplet infrastrukturën tjetër, që ia mundësojnë dhe ia madhështojnë prezencën e tri klimave përnjëherë të natyrës: atë mesdhetare, malore dhe kontinentale, të cilat “mbërthehen” e “zhyten” në ujin e kthjellët të pishinës, që është pjesë e pandarë e kompleksit hotelier, e gjelbërimit dhe si lidhëse me plazhin dhe me detin.

Deti shqiptar tek sa ka ngrehur kokë për ta treguar peshën dhe rëndësinë e vendit në ekonominë e turizmit...

Nuk është vetëm kjo. Rehatia e pushuesve përshkohet me sigurinë por edhe me qetësinë pa braktisur frymën e pushimit dhe të atmosferës së plazhit dhe të detit madhështor shqiptar, i cili tek sa ka ngrehur kokë për ta treguar peshën dhe rëndësinë e Shqipërisë në këtë fushë turistike dhe të ekonomisë. Dhe, po që se e pyesim z. Ymer Lushakajn për tërë këtë “diktaturë” turistike dhe hoteliere, ai, sërish qetë dhe butë do të përgjigjet: e tërë kjo që shihni, është bërë dhe synon të bëhet akoma edhe më e mirë, sepse, për çdo mëngjes mirëmbahet, përgatitet, “ledhatohet” dhe menaxhohet çdo rrënjë bari, çdo lule e çdo pishë e pemë, të cilat, nëse i vëren pak më ndryshe, të gjitha sikur këndojnë për rritën dhe bukurinë e tyre, që ua ka dhuruar natyra dhe njeriu i këtushëm, por edhe Shqipëria.

Këtu qëndron e tëra, thotë me krenari pak të mbështjellë me modesti, z. Y. Lushakaj. Dhe, gradualisht i afrohemi bisedës për shpërblimin-çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit”. Ky njeri ka dhënë shumë kontribut edhe në fusha të tjera. Ka ndërtuar objekte të kultit që i shërbejnë njeriut, komunitetit, ka kultivuar shumë sipërfaqe me pemën e shenjtë-ullirin. Ka bërë edhe punë të tjera të cilat me siguri se ia stolisin jetën jo vetëm atij...!

Duke biseduar, nuk konsumojmë gjë tjetër përveçse ujë pa gaz dhe ndonjë kafe... Edhe do të thotë shumë...

Gjerdan i bisedës rrëfimi dhe dashuria edhe ndaj prindërve...

Dhe, vazhdon “gjerdani” i rrëfimeve për ardhjen deri këtu ku ka ardhur sot. Bisedën e “përzien” edhe me dashurinë që kishte dhe e ka për prindërit. Babai i ka ikur në pa kthim, kurse nënëlokja me mbi të nëntëdhjetat, ia madhështon dhe ia ndriçon tërë biznesin, tërë atë vend duke shëtitur për çdo ditë andejpari, me tërë atë peshë mbi supet e saja. Ndërsa, Lushakaj, sikur rinohet dhe merr krahë kur e sheh nënën duke i ndërruar hapat, edhe pse pak ia ka rënduar mosha, e me atë veshë tradicionale që ia hijeshon trupin, kurse, neve na kthen prapa për të medituar  e për të shprushur për shumëçka e për gjithçka...!

Kur e sheh njeriu nënëloken me mbi të nëntëdhjetat dhe punën e madhështinë e Lushakajt, atëherë, patjetër të imponohet si mendim apo edhe si ekuacion jo matematike: e madhe është jeta,... krenare është jeta,... madhështi është jeta,... por nganjëherë e poshtër është jeta...!

Gjatë bisedës me z. Y. Lushakaj, dot nuk mund të na ikën periudhat historike, edhe Lufta e Parë Botërore, edhe Lufta e Dytë Botërore, edhe figurat madhore historike si Skënderbeu, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Sali Berisha dhe figura të tjera të shquara kombëtare, të cilat, dorën në zemër, e kanë bërë historinë, e kanë madhështuar atë dhe vendin, edhe pse, aty-këtu, disa edhe e kanë “rënduar” dhe vështirësuar... Po, nuk bën ndryshe, ore! Kështu them kur i krahasojmë edhe periudhat historike të vendeve dhe kombeve të tjera me traditë dhe me histori dhe me fuqi të madhe ndikimi.

Historia e popullit tonë është ndër më karakteristikja, të cilit, ndoshta lashtësia por edhe shumë gjëra e rrethana ia kanë kushtëzuar të duket si një pemë e madhe dhe e vjetër, me rrënjë të thella e të forta, me trung të gjerë e të palakueshëm dhe me kurorë të madhe e të paparë, e cila gjithnjë bën fruta të mira, por që ndonjë syresh zhvillohet e thatë, e hidhur, me dergjë dhe e vockël!...

Tash, i them bashkëbiseduesit se kam dëshirë të flasim më shumë për të sotmen, për këtë që e kemi para sysh.

Është privilegj të nderohesh me Çmimin “Nderi i qytetit...”

-Po! –më thotë Lushakaj, dhe sikur i vjen keq për t’më thënë se unë vetë ia imponova nga pak historinë. Dhe, në duar kam ftesën për manifestimin “Festa e ullirit”, kur u nderua me Çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit”, në të cilin manifestim aq shumë pata dëshirë të marr pjesë, por ngjarjet, rrugëtimi i jetës, shpeshherë befasisht dhe dhunshëm të pengojnë t’i realizosh shumë gjëra, siç ishte edhe rasti i këtij manifestimi, sepse, në qytetin tim, në Pejë, dy ditë më përpara ndodhi një fatkeqësi, ku dy fëmijë, dy vëllezër të moshës shumë të re, gjetën vdekjen në flakën e zjarrit, i cili kishte shpërthyer në shtëpinë e tyre. I gëlltiti flaka,... i mori ata, kurse babai i tyre ishte mik imi dhe i shumë të tjerëve. U përpoqëm që sadokudo t’ia zvogëlojmë ose t’ia zbusim dhembjen me prezencën tonë, me qëndrimin tonë afër kësaj familje fatkeqe. Dhe, ky ishte shkaku që më pengoi të jam unë dhe dhëndri im, Arbëri, në festën e ullirit në Durrës. Por, me këtë tragjedi nuk do t’ua rëndoj disponimin dhe kureshtjen për sukseset e njeriut që ka dhënë shumë e planifikon për t’i realizuar edhe shumë projekte të tjera, të cilat e qojnë përpara zhvillimin e turizmit, i hapin perspektivë vendit dhe ekonomisë së tij për t’u afirmuar gjithnjë e më shumë edhe në arenën ndërkombëtare.

Atë mbrëmje, e cila ishte festive, sepse, në te ishte paraparë edhe një program i begatë kulturor dhe artistik, ishin tubuar njerëz të mendjes, të punës dhe kulturës, të ekonomisë dhe të turizmit, për ta festuar të gjithë, ditën ose manifestimin “Dita e ullirit”. Aty ishin prezent shumë njerëz edhe nga Kosova, që e ka kuptimin dhe domethënien e vetë shumëdimensionale, aty u takuan dhe këmbyen përvoja e mendime edhe shumë kreatorë të vlerave të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Nuk harrohet një gjë e tillë. Nuk harrohet as momenti kur z. Ymer Lushkaj nderohet me Çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit”. Moment festiv dhe historik. Në mënyrë solemne i dorëzohet edhe Mirënjohja edhe Çmimi. Që të dyja e bëjnë krenar këtë njeri, por njëherësh edhe e obligojnë që të punojë edhe më shumë, të punojë, dhe vendit e kombit t’i sjellë çmime të ngjashme me punë e kreacion.

Momentet e tilla mbetën në histori, por janë edhe një akt i cili mobilizon dhe obligon për angazhim dhe punë e rezultate të reja. Pas tërë kësaj, me siguri se programi festiv i jap peshë edhe më të madhe këtij evenimenti shumë të rëndësishëm për qytetin e lashtë dhe historik e me vlera kulturore, Durrësit, por, i japë peshë edhe tërë vendit.

Durrësi i ka karakteristikat më sublime për begatinë dhe lashtësinë e kulturës, të ekzistencës dhe të zhvillimit të përgjithshëm të vendit, qytet i cili ka lënë gjurmë nëpër shekuj, nëpër periudha historike, ka lënë gjurmë të pashlyera në fushën e zhvillimit dhe të ruajtjes të vlerave shpirtërore dhe kulturore të kombit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe vlerat dhe peshën si qendër bregdetare, e cila ka shërbyer dhe shërben si port ndër më të rëndësishmit jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë. Pra, janë të gjitha këto që ia shtojnë vlerën dhe ia ngritin peshën edhe Festës së Ullirit, por edhe pjesës solemne që i përket temës për të cilën jemi duke e shkruar.

Durrësi i çmon vlerat dhe kontributin për zhvillimin e vendit...

Një çmim i tillë nuk është rastësi, që i ka takuar njeriut, i cili për asnjë moment nuk pushon dhe as nuk mbetët i kënaqur vetëm me atë që ka arritur. Veç kësaj, ai, gjithnjë ka menduar dhe mendon se të arriturat e individit nuk kanë vlerë nëse ato nuk i takojnë edhe shoqërisë së gjerë, edhe vendit, Shqipërisë...

Në plaketën e këtij çmimi, të cilin e ndanë Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”, në mes tjerash shkruan: “Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”, z. Ymer Lushakajn e nderon me Çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit” për kontributin e rëndësishëm që jep në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, mbështetjen e aktiviteteve në promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale dhe humane”.

Hoteli “Dolce Vita” me suksese të reja edhe në arenën ndërkombëtare të turizmit...

Në vazhdën e sukseseve të reja dhe në kuadër të zgjerimit e të zhvillimit të vlerave turistike, Hotel “Dolce Vita” në konkurrencën ndërkombëtare, për shërbime dhe ofrim të kushteve turistëve dhe klientëve që pushojnë në bregdetin shqiptar, i është ndarë Kupa për turizëm dhe hotelieri, e cila dëshmon rangun ndër tri subjektet më të suksesshme në Evropë, duke llogaritur këtu edhe Anglinë.

Kjo është edhe një e arritur jo vetëm e këtij kompleksi turistik në bregdetin e rivierës së Durrësit dhe atij shqiptar, që hapë rrugë dhe mundësi të reja për afirmimin e vlerave turistike që ofrojnë kapacitete hoteliere dhe turistike për të gjithë turistët e vendit dhe të huaj. Shpërblimet dhe mirënjohjet e tilla e kanë peshën e veçantë, sepse, në konkurrencën ndërkombëtare vështirë se mund të depërtohet, bile edhe atëherë kur plotësohen shumë kushte.

Dhe krejt në fund, do theksuar se edhe shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë po përshkohet me të arritura të reja edhe në fushën e turizmit, në ç’drejtim, edhe sukseset e Kompleksit Hotel “Dolce Vita”. kanë lënë gjurmë e do të mbesin vepër krenarie e profesionalizmi, të cilat e afirmojnë Shqipërinë kudo në Evropë dhe në botë. Këto rezultate në turizëm por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës do të janë themel të cilin do ta forcojë edhe më shumë edhe Rruga e Kombit por edhe shumë objekte të infrastrukturës që e kanë stolisur pothuaj se çdo qytet e bashki në çdo cep të Shqipërisë.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: