Nuhi Veselaj: Rreth prejpjesorëve pandajshtesorë në gjuhën shqipe
| E Shtune, 19.04.2008, 02:27 PM |

Rreth prejpjesorëve pandajshtesorë

  GJUHËN shqipE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

 

 

Nisur nga fakti se çdo gjë që lind në gjuhë lind nga nevoja që ndjen ajo, më drejt bashkësia përkatëse e shoqërisë njerëzore që e përdor atë, për t’u marrë vesh, përkatësisht për të shprehur veprime konkrete e abstrakte, po kështu, s’do mend se po nga nevoja, u krijua edhe tërë sistemi foljor e emëror i gjuhës sonë, fillimisht më thjeshtë, por që pak nga pak erdhi duke u kompletuar deri sa arriti në gjendjen e sotme, e në këtë kuadër po nga mbëhia lindi fillimisht në gjuhën tonë edhe i ashtuquajturi emërzim pandajshtesor i pjesoreve. Pikërisht emrat e formuar sipas kësaj mënyre emërzimi (me konversion) që i paraprinin mozaikut të pjejpesorëve të tjerë që ekzistojnë tani, por që u përftuan më vonë, siç po shihet nga titulli i punimit, ne i quajtëm  prejpjesorë pandajshtesorë. Meqë kjo temë mjaft e ndërlikuar, si shumë të tjera, por e rëndësishme për njohjen e tërësishme të strukturës emërformuese në kuadër të sistemit emëror të shqipes, me sa dimë, del jo mjaft e njohur për opinionin tonë, ndonëse nuk është temë e paprekur fare, ne, morëm guximin me e trajtue sadokudo më në hollësi, duke e përqendruar vëmendjen tonë sidomos në rrafshin sinkronik, por pa i ikur paksa edhe analizës diakronike

Lidhur me këtë temë historiani ynë i mirënjohur i gjuhës sonë prof. Shaban Demirajt, na bën me dije. se:

“Tipi më i hershëm i emrave prejpjesorë është ai që paraqitet si një emërzim i pjesores më –ë, pa paranyjëzim dhe pa ndonjë ndajshtesë. Mbeturina të këtij tipi janë emri femëror pasë-a, që haset vetëm te Buzuku, i cili e përdor krahas emrit prejpjesor asnjanës të pasurin-itë  (sot të pasur-it n.v.) në një raport dendurie 6 : 4, si edhe gegizmat dekë-a (çam. vdekë-lë) lypë-a etj., që nuk është  i panjohur edhe në të folmet toske (sosë-a, kullotë-a, nisë-a), por me kohë erdhi e u zmbraps nga gjallërimi i emrave prejpjesorë (të paranyjëzuar) asnjanës e më pas edhe nga emrat prejfoljorë prapashtesorë të tipit vdekëlë – vdekje”.  Po ashtu duke sforcuar mendimin e tij vazhdon se në atë fazë:”relativisht të hershme të gjuhës shqipe, kur  s’ishin ende emrat prejpjesorë të paranyjëzuar të tipit të folurit, emrat prejpjesorë të paparanyjëzuar të tipit pasë-a, lypë-a etj. ishin mjeti themelor për emërtimin e veprimeve abstrakte, ose të një gjendje jo si proces, veprime këto që zakonisht dilnin me kuptim vepror (lypë-a), por që mund të kishin edhe kuptim pësor (pasë-a) (Shih Gramatika historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, f. 158-159 dhe 957).

 

Pra, si mënyra e formimit të emrave të tillë me konversion, ashtu si edhe hershmëria e krijimit si dhe nënfusha semantike e tyre që mbulonin fillimisht, në parim, pranohen si konstatime shumë të drejta prej nesh, por pohimin, me të cilin thuhet se mënyra e tillë emërformuese “erdhi e zmbraps nga gjallërimi i emrave asnjanës të paranyjëzuar, e më pas edhe nga emrat prejfoljorë prapashtesorë” fjalën zbrapsje ose zëvendësim, siç thuhet në një vend tjetër, që nënkupton rrëgjimin që e plotëson me konstatimin tjetër të shprehur me fjalën“mbeturinë”, ne e marrim me shumë rezervë. Për mendimin tonë përftimi i asnjanësve të paranyjëzuar, madje edhe i prejfoljorëve prapashtesorë, nuk duhen kuptuar, si diçka vërtet penguese, shkatërruese, konkretisht ndaj emërzimit me konversion të pjesores përkatëse, por si një diçka normale që e ka ndihmuar dhe e ndihmon në konkurrencë lojale specifikimin e mënyrave të caktuara në kontekste përkatëse për nënfusha a profile të ndryshme brenda fushës përkatëse semantike. Kështu themi, sepse mënyra e përdorimit të emërzimeve pandajshtesore (me konversion) të pjesoreve të shkurtra që dikur, sipas gjurmëve të lëna, përveç në të folmet veriore, paska pasur përhapje edhe në toskërishte, pra, në të dy dialektet, gjë që e  pohon edhe prof. A. Kostrallari, gjallon edhe sot e kësaj dite, madje si një model jo i dështuar a i konsumuar, siç del nga ai konstatim, vështruar sipërfaqësisht, por përkundrazi shfaqet si një gjedhe mjaft vepruese e prodhimtare edhe në shqipen tonë letrare.

Gjithsesi ekzistenca ose qëndrueshmëria e një modeli të tillë mund të dëshmohet fare lehtë me shembuj të shumtë edhe në gjendjen e sotme të standardit. Këtë të vërtetë, po fillojmë ta dokumentojmë paraprakisht me një të dhënë shumë domethënëse, se vetëm në Fjalorin e shqipes së sotme (2002), dhe kjo vetëm mbi temë të foljeve në bashkëtingëllore, ndeshim të regjistruar mbi 100 shembuj të tillë.

Ne, sa për ilustrim, për të kuptuar më lehtë këtë të vërtetë, po i japim disa shembuj nga ky burim, duke i shoqëruar në kllapa me paskajoren e mirëfilltë (me + pjesore), ngase mendojmë se nga formë-gjymtyra e pjesores së paskajores së tillë, në gjendjen e sotme, vihet në pah më së miri kuptimisht e formalisht pjesorja si temë fjalëformuese e emrave në fjalë, d.m.th. në këtë mënyrë del sheshazi pikërisht pjesorja e shkurtër (e cila nga kodi i shqipes së sotme letrare në fuqi del e anashkaluar për klasat më prodhimtare të foljeve), por që është version i vetëm këtë rast që shërben konversionisht për emërtimin e fjalë-formave në shqyrtim. Ja disa shembuj:

 

çelë-a (me çelë), djegë-a (me djegë), fikë-a (me fikë), futë-a (me futë), ikë-a (me ikë), hedhë-a (me hedhë), heqë-a (me heqë), kapë-a (me kapë), lagë-a (me lagë), lypë-a (me lypë), llapë-a (me llapë), ndejë-a (me ndejë), përcjellë –a (me përcjellë), plasë-a (me plasë), rreshkë-a (me rreshkë), rritë-a (me rritë), rrjedhë-a (me rrjedhë), rrokë-a (me rrokë), pjekë-a (me pjekë), pritë-a (me pritë), shterë-a (me shterë), tekë-a, (me u tekë), terë-a me terë), thithë-a (me thithë) veshë-a (me veshë) etj.

 

Ç’është e drejta, mbase ndonjë rast nga emrat e mësipërm e të tjerë, sot për sot, mund të shpjegohet i përftuar edhe anasjelltas si një foljezim prejemëror ose si formim me analogji, marrë në përgjithësi mënyra e tillë emërformuese del si një model i qartë e i qëndrueshëm fjalëformues që njihet me emërtimin: emërzim i pjesores së shkurtër. Gjithashtu nuk dimë arsyen, siç e pamë nga konstatimi i prof. Sh. Demirajt, siç mund të shihet edhe nga shembujt e mësipërm që sollëm ne, pse u përmendën si raste  vetëm formimet që kanë të bëjnë me foljet me temë në bashkëtingëllore e jo edhe ato mbi temë në zanore? Siç e pamë, po përsërisim, prof. Sh Demiraj ka shënuar vetëm shembuj të tipit mbi foljet me bashkëtingëllore: sosë, lypë, dekë), ashtu bëmë edhe ne, me 25 shembujt e paraqitur, prandaj, me të drejtë, shtrohet pyetja: Nga një dukuri e tillë emërzimi a kanë qenë të prekura, në të njëjtën periudha relativisht të hershme, edhe foljet vokalike apo jo? Këtë çështje, me sa kemi njohuri, nuk e ndeshim të sqaruar enkas nga studiuesit e gjuhës sonë, megjithatë pa vështirësi shihen jo vetëm gjurmë, por edhe prova se edhe tipi i foljeve me temë në zanore a togzanor, siç është grupi i foljeve më -Oj e të tjera, qe i përfshirë nga i njëjti proces. Këtë fakt të rëndësishëm e dëshmojnë praktikisht Xhuvani- Çabej, kur i trajtojnë emrat prejfoljorë me fundoren –ë, të cilën e quajnë, si me thënë, njëherazi prapashtesë emërformuese, por edhe si fundore të pjesores. Ja  konstatimi tyre:

 

“Me prapashtesën –Ë janë formuar prej foljesh kryesisht emra veprimi dhe abstraktë si blojë, çojë, ikë, lojë, mardhë, ndezë, ngalosë, sëmundë, rrojë, sjellë, sosë, shpojë, vdekë, dekë, zanë. Përveç emrave abstraktë janë  formuar edhe disa emra konkretë, si hjedhë, kullotë,  kullosë,  mbulojë, mbathë, rrenojë, shtrojë, veshë, pritë etj.,

duke përfunduar, gjithashtu pohojnë theksueshëm se:

“prapashtesa –Ë që fonetikisht ka dalë nga një A e gjatë, morfologjikisht mund të themi se është identike me trajtën e shkurtër të pjesores më –Ë, punë që e vërteton vetë përdorimi i gjuhës: kam dalë / dalë-a, kam sjellë / sjellë-a. M’anë tjetër këto formime pjesoresh u poqën në gjuhë me femëroret më –ë dhe kështu u shumuan (Shih Aleksandër Xhuvani I, Prapashtesat e gjuhës shqipe, Tiranë 1980, f. 474).

 

Pra, nga të dhënat dhe shembujt që u paraqiten nga ata (nga të dy tipat a seritë e foljeve: konsonantike e vokalike) marrim jo vetëm mbështetje, por edhe përgjigje mjaft të qartë edhe për pyetjen tonë të saposhtruar, ngase ata, siç mund të shihet, shembujt  ikë-a, sosë-a, dekë-a, kullotë-a etj. i shënuan të pandara  nga shembujt  e prejfoljorëve mbi temë të foljeve vokalike: blojë, rrojë, shtrojë, lojë etj. dhe këtë formë, d.m.th. pjesoren si temë foljeformuese e cilësojnë identike me temën e pjesores së shkurtër, siç janë shembujt dalë-a (me dalë) ose sjellë-a (me sjellë) etj. Po kjo formë (me –Ë fundore), siç dihet, në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes dilte e shtrirë në të gjitha foljet konsonantike dhe si e tillë ishte pothuaj e vetmja trajtë e normëzuar e pjesores, përkatësisht edhe e paskajores së mirëfilltë me + pjesore, për një periudhë mjaft të gjatë. Për këtë mjafton të rikujtojmë faktin se deri në drejtshkrimin e vitit 1951 e më vonë vazhdonte të praktikohej që ajo trajtë, d.m.th., pjesorja  e shkurtër e foljeve konsonantike në gegërishte, tipi rritë-a (me rritë), pritë-a (me pritë) etj,  të shënohej me –ë në fund, jo me –un pritun (tosk rritur, pritur), ndërsa rekomandohej gjithashtu që edhe pjesorja nga foljet vokalike të shkruhet e shkurtë, d.m.th. vetëm me zanoren e rranjës, përkatësisht me diftong në fund, tipi: pi (me pi), shkrue (me shkrue etj., jo pim a pin(ë),pinun, shkruem a shkruemun (tosk, pirë, shkruar) (Shih: Ortografia e gjuhës shqipe Tiranë 1951 dhe Ortografia e gjuhës shqipe, Beograd 1964).

Gjithashtu mësojmë nga materiali që e paraqitën këta dy doajenë të gjuhësisë sonë se emërzimet e tilla kohësisht ishin relativisht të vjetra, ngase trajta vdekë, siç theksohet prej tyre, ndeshet edhe në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe njëkohësisht  trajtat më -OJË fundore  ndeshen deri edhe në ndonjë toponim ose nënfushë tjetër semantike. Kështu sipas Çabejt bërojë (me bërue! n.v.) ka shkuar edhe në aromunishte (Studime gjuhësore VIII, f. 202), ashtu si edhe drojë-a  (me drue!) (Studime gjuhësore I, f. 142). Edhe toponimin Bëltojë (nga baltë-a me bëltue!) Çabej e quan toponim të vjetër të formuar mbi bazë të foljes së shqipes mbëltoj a mbëltonj  (Shih Studime gjuhësore IV, f. 79).

Edhe prof. Enver Hysa, ka konstatim të ngjashëm, por kur është fjala te tema fjalëformuese paksa hamendet (në raportin trajtë e së tashmës së dëftores / pjesore), por megjithatë për shumicën e shembujve anon rreth –Ë-së fundore të futur nga “pjesorja e cila përputhet fonetikisht me këta emra dhe nga e cila mendohet se u shkëput prapashtesa –ë” , ndërsa  nga sfera e përdorimit sipas tij “në mjaft raste (në raport me pjepjesorët prapashtesorë më –im e –je) vihen re ndryshime në kuptimin e dy njësive të formuara me mjete të ndryshme, gjë që lejon përdorimin e këtyre çifteve për synime të ndryshme, pa u mënjanuar nga përdorimi në gjuhën e sotme asnjëri prej tyre”. (Shih: E. Hysa, Formimi i emrave me ndajshtesa në gjuhën shqipe, Tiranë, 2004, f. 132-133)

Mbasi formimet mbi bazë të pjesoreve të shkurtra me –Ë fundore  të prejpjesorëve pandajshtesorë nga foljet konsonantike janë aq bindëse sa që s’del e nevojshme të diskutohen a të vihen në dyshim, tashti ne do të përpiqemi, me sa kemi mësuar nga të tjerët, me shpjegue ecurinë e formimeve të pandajshtesorëve, pikërisht mbi bazë pjesoreve të foljeve vokalike, siç janë foljet më: –OJ (*ONjë –O(N)J(ë))  pastaj –IJË  (*-INjë), -EJË (*ENjë), -YEJË (-*YENjë), -AJË(*-ANjë.e kështu me radhë. Lidhur me këtë marrin fillimisht ndihmën tejet të çmuar të prof. Besim Bokshit, i cili na bën me dije se:

 

 “Për studiuesit nuk është fare kontestuese se participi i ndërtuar mbi temën në zanore, në radhë të parë në –o, formohej me prapashtesën –N (*gëzon, *përvëlon, * pëson etj.), e cila përmes proceseve fonetike që kaloi përfundimi –ON, ka rënë  mjaft herët ... Edhe -N e pjesores me temë në zanore të tjera e në diftong, kishte rënë, vërtet më vonë se –N e përfundimit –ON, po shumë kohë para veprës së Buzukut”,

mandej po lidhur me këtë çështje profesori i nderuar vazhdon me konstatime, më drejt me gjykime të tjera si:

“Rënia e N-së  participore që e la temën të përfundonte në zanore a diftong ndodhi në një kohë në tërë shqipen. Me përdorimin e prapashtesave të shënuara në gegërishte zbulon për atë kohë ndarjen e saj në katër zona nëndialektore me -M, -TË, –NË dhe ZERO, ndërsa toskërishtja doli me seleksionim unik të prapashtesës –RË”

ose, siç e përforcon shpjegimin ai në një vend tjetër:

“Gjendja e shënuar e distribucionit të formanteve me tipin III të temës (d.m.th.me temë vokalike n.v.) na bën të përfundojmë pa asnjë dyshim se prapashtesa zero u zëvendësua me prapashtesat e shënuara –M (shkuem), -T(Ë) (shkuet) –N(Ë) (shkuen) tosk. –R(Ë) (shkuar) /Sqarim: kllapat dhe shembujt u shtuan prej  nesh  n.v./, por “në disa të folme na u sinjalizua se prapashtesa zero kishte qëndruar si variant i lidhur me këtë tip të temës (siç ishte më parë varianti –N) pa lejuar përdorimin e ndonjërës nga  prapashtesat e shënuara (Shih Pjesorja e gjuhës shqipe, Prishtinë 1998 f. 27, 28, 38-39).

 

Meqë, pra, shumë kohë para veprës së Buzukut u krijuan edhe prejpjesorët pandajshtesorë mbi temë të foljeve konsonantike, sosë, lypë etj. (Sh. Demiraj), ashtu, siç nënkuptohet edhe nga konstatimi i prof. Bokshit,   po në atë periudhë, madje “para se të përfundonte procesi i rotacizimit e para diftongimit të –O-së  (Vepra e cituar, 57 edhe pse prof. Bokshi nuk i cek emrat në shqyrtim, mund të jenë përftuar edhe prejpjesorët mbi temë të participit të foljeve vokalike. Mirëpo, po përsërisim, meqenëse konkretisht lidhur me temën tonë, nuk kemi të dhëna nga burime të tjera, po e shfrytëzojmë  edhe  konstatimin tjetër të prof  B. Bokshit, i cili thekson se ndërkohë tek pjesorja e gjuhës sonë mbi bazë të foljeve konsonantike ndeshen “dy variante të lira formantesh: –ë-ja (si mbaresë-prapashtesë zero) dhe prapashtesa –un (-unë) brenda të folmeve të caktuara të gegërishtes, dhe në këto raste varianti i parë (më –Ë), del natyrshëm me “zotërim absolut, sepse këtu kemi të bëjmë me procesin morfologjik relativisht të ri të shkurtimit të formës së pjesores në të gjithë tipat e temës, me ç’rast, si në çdo proces të tillë, mbetet në përdorim për një kohë relativisht të gjatë edhe formanti i vjetër -un” (Aty f. 37). Pra ne nga gjykimi i tillë mësojmë se jo vetëm pse vihet në dyshim me të drejtë konstatimi e mëparshëm gjoja në gegërishte te foljet konsonantike pjesorja e shkurtër u përhap në dy shekujt e fundit nga analogjia me pjesoret e foljeve  apofonike më -Ë  (tipi vjelë, marrë, sjellë), por që ka zanafillë më të hershme. Pikërisht ky fakt ka rëndësi  edhe për temën tonë, ndryshe s’e dimë si mund të arsyetohet shfaqja e hershme që në lashtësi e tipit të prejpjesorëve pandajshtesorë konsonantikë të tipit: lypë, sosë,kullotë etj.. Megjithatë, lidhur me konstatimin e mësipërm të profesor  Bokshit, del e paqartë  për temën tonë në këtë proces të ri, rreth masivizimit të pjesores së shkurtër, që me siguri paska lindur para veprës së Buzukut, si qëndron pozita e  prejpjesorëve në shqyrtim e të dy tipave të prejpjesorëve pandajshtesorë (vokalikë e konsonantikë), pasi nga konstatim-gjykimet që u cekën më sipër nuk mohohet dhe as pohohet ekzistenca më e hershme e pandajshtesorëve në shqyrtim. Pra shtrohet pyetja se në këtë periudhë (para a pas rotacizmit) si qëndronte çështja e prejpjesorëve pandajshtesorë, ekzistonin edhe tani në kontinuitet si model emërformues i formëzuar apo jo? Kishin përhapje në mënyrë paralele apo jo? A kishte ndonjë shkëputje, pastaj rishfaqje të tyre veç e veç apo në mënyrë paralele? Prapashtesa –*N(Ë) (me variantet *O/Në, -*UNË,  *–ËN(ë), *L/Në, *-RNë etj.), e cila u rishfaq tek  pjesoret vokalike, ndërsa tek apofoniket u asimilua në –Ë, ishte e pranishme më përpara tek konsonantiket e tjera apo jo? Cila ishte fundorja (prapashtesa) e paskajores së hershme? etj. Mbesin, pra, edhe çështje të tjera që kërkojnë përgjigje përkatëse.

Sidoqoftë, ndonëse aksiomativisht pas shpjegimit të prof Bokshit lidhur me prejfoljorët mbi temë vokalike, çështja del, sadokudo, e vetëkuptueshme, megjithatë na mbetet tani ta rindërtojmë ecurinë e zhvillimeve të tilla evolutive, mënyrë kjo, siç e pamë, e trashëguar që nga periudha paradokumentuese. Sidoqoftë, për me pasë bindje edhe më të qëndrueshme rreth asaj që thamë, po e rikujtojmë faktin që historianët etimologë, siç e konstatoi edhe prof. Bokshi, na bëjnë me dije se nga fundorja përkatëse zanafillëse në periudhë të hershme paradokumentuese *IN,-*ON etj. ishte zhdukur N-ja fundore, duke e lënë zanoren përkatëse të theksuar si fundore të pjesores si bazë të fortë temëfjalëformuese. Mirëpo këtu shtrohet një tjetër pyetje që kërkon sqarim plotësues, N-ja fundore u elidua nga dukuria e palatalizimit, duke u shndërruar në –J, siç ka ndodhur tek disa fjalë e emra tipash të ndryshëm në të njëjtën periudhë apo u zhduk fare si fundor i paqëndrueshëm, pa kaluar nëpër fazën e palatalizimit? Ne nuk njohim përgjigje të prerë lidhur me këtë, prandaj kërkojmë ndihmë nga ata që janë kompetentë për interpretime e sqarime të tilla, sepse tek emrat përkatës pandajshtesorë në shqyrtim një element i tillë (-J-) imponohet. Megjithatë, tani, po e paraqitim fill skemën fillimisht të supozuar dhe ndërkohësisht të rindërtuar e vërtetësuar nga studiuesit e kësaj tematike, përafërisht kështu, duke u mjaftua me këta katër shembuj::

1)   shkrij:*shkrINë (me) shkri(NË)!, shkriRë) pjesore e lashtë që  evoluoi në: - shkri-J+Ë/A – shkrijë-a  (me shkri);

2.  vraj (vras): vraNë (me) vra/NË!, vraRë) –vra-j+Ë/A – vrajë-a  (me vra);

3.  blej: blENë (me) ble(NË), bleRë ble-j+Ë/A blejë-a (me ble);

4. shpoj: shpoNë (me) shpueNë, shpuaRë - shpo-J+Ë/A  - shpojë-a (me shpue) etj.  e kështu me radhë.

(Krahaso *O/n – O/j si dhe diftongimin:  O- ou-uo geg.-UE  –U, tosk. UA) te  emrat e tipit ftON  (ftua ftoi; ftue ftoni): ftO/n ftou ftuo ftue ftu ftoni, ftua ftoi, të cilët, siç u cek, po ashtu pësuan ndryshime të fundores pothuaj në të njëjtën periudhë.

 

Siç mund të shihet nga shembujt e mësipërm me elidimin e –n-së fundore, në fazën e caktuar kohore, u bë sforcimi i zanores së mbetur përkatëse si bazë fundore e temës së pjesores, siç ka ndodhur e siç mund të vërehet edhe sot, në ndonjë të folme me shqiptimin e fortë dinamik të a-së fundore hundore, si b.f., te shembulli karakteristik bajë-a  ba+J+Ë i shënuar nga M. Elezi, që rrjedh nga folja bëj  bërë, me baa (me)*baN(ë. Pra nga shqiptimi i fortë dinamik hundor  baa’  është zhdukur fundorja e hershme –në e mirëfilltë me *ba-në (bërë) ose të mëvonshmet bam(ë) me bamë (bamun), me batë, andaj nga trajta baa’ doli emri prejpjesor bajë-a (me kuptim abstrakt). Pra, si rezultat i procesit përkatës në atë fazë të caktuar paradokumentuese supozohet se doli emri prejpjesor në shqyrtim i quajtur pandajshtesor mbi bazë të trajtës së pjesores së shkurtër (me zanore fundore të theksuar ose, me mbaresë zero). Ç’është e vërteta vetë kuptohet se si emër i gjinisë femërore (sipas gjendjes së sotme) patjetër trajta emërore do të merrte fundoren –Ë dhe nyjën shquese -A dhe njëherazi domosdo kjo fundore do të parandiqej me epentetikën –J, siç ka ndodhur me shembullin bajë-a baja-t.

Shembullin bajë-a e quajtëm shembull karakteristik, ngase në krahasim me format e tjera sinonimike nga e njëjta sirrënjë pjesoreje temë fjalëformuese, siç janë: bamë-a, bëmë-a, e bame, bame-ja, të bamët, e bane, e bërë-a, bërje-a, të bërët, e bëra, e ndonjë tjetër,  dallohet qartë, sepse të gjitha të tjerat, si trajtat gege e ato toske (të paranyjëzuara ose prapashtesore janë formime më të reja, kur kemi parasysh hershmërinë e modelit të krijimit të prejpjesorëve pandajshtesor, të cilit i takon trajta bajë-a.

Pra, pas rënies së N-së tek trajta e emërzuara mbeti zanorja përkatëse fundore e sforcuar në shqiptim si fundore e pjesores së shkurtër, si b.f. shkri + a, vra + a,  ble + a, shpo + a, d.m.th. me nyje-mbaresën A në trajtën e shquar ose –Ë në trajtën e pashquar. Në këto raste, sipas ligjeve fonetike, për lehtësi shqiptim, nga nevoja, përftohet epentetikja –J, si në shumë raste të tjera

Nëse nuk do dikush me e pranue J-në si gjurmë a rezultat të palatalizimit të –N-së, dhe –Ë-në si fundore të lashtë (shpo/n/Ë – shpo-j-Ë – shpojë-a ose pi/n/Ë – pi-j-ë  - pijë-a,  ngase ky tip i foljeve interpretohet paksa më ndryshe nga Xhuvani - Çabej, dhe ndonjë studiues tjetër, atëherë domosdo a patjetër duhet ta pranojë –J-në tek emërzimi i tillë si një element antihiatizues që shfaqet për lehtësi shqiptimi mes dy vokalesh: zanores fundore dhe nyje-mbaresës shquese të njëjësit të emërores së gjinisë femërore –A, p.sh.. -a/a (a+a) ose -i+a, e+a madje edhe u+a, sikurse del, bie fjala, te shembujt e formëzuar tek emrat përkatës nga onomatopetë: nga be-be: bejë-a a bebejë-a ose ku-ku: kujë-a a kukujë-a,  bu-bu: bujë-a a bubujë-a etj.

Dhe kështu supozohet se pati përfunduar që në epokën para veprës së Buzukut, procesi i emërzimit të pjesores së shkurtër në numër relativisht të madh. Themi numër të madh, sepse pikërisht kështu analogjisht shpjegohet se janë krijuar e shumuar në kontinuitet ndërkohë relativisht një numër jo  i vogël i shembujve të rinj po të këtij tipi, edhe pse tanimë tema e pjesores nuk motivonte. Dihet se analogjia si proces e dukuri hyn në veprim vetëm në rastet kur paraprakisht shembujt përkatës dalin të formëzuar si model i qartë fjalë- e formëformues në numër të konsiderueshëm.

Mirëpo, meqë, siç e thamë, pak përpara shembuj të tillë realisht vetëm mund t’i supozojmë, atëherë kërkohet që lidhur me këtë fjalën kompetente përsëri ta thonë historianët e gjuhës, por për ne që nisemi nga gjendja e sotme faktike, një ecuri të tillë aksiomativisht e konsiderojmë fare të mundshme dhe pa dyshim të pranueshme.

Tashti, siç paralajmëruam po radhisim shembuj konkretë të emrave prejpjesorë pandajshtesorë mbi temë të foljeve vokalike, duke i shoqëruar edhe këta me paskajoren  e mirëfilltë me + pjesore (në kllapa), ngase, përveç arsyetimit që dhamë më sipër, po shtojmë edhe faktin tjetër se, me sa dihet, edhe në disa gjuhë të huaja, pikërisht paskajorja është ajo e cila kryekreje del e ndërlidhur kuptimisht e ndërtimisht me emrat prejfoljorë, ndërsa pjesorja më tepër me mbiemrat. Sidoqoftë, ja disa  shembuj nga realiteti ynë:

 

a) nga foljet me –Ij: grijë-a (me gri), prijë-a (me pri), ngijë-a (me u ngi), ndrijë-a (me ndri!), pijë a pije-a (me pi), shtijë-a (me shti);

b) nga –EJ: blejë-a  (me ble), brejë-a (me bre), dejë-a (me u de), ndejë-a (me u nde), prejë –a (me pre);

c) nga foljet më-YEj e -Yj.: lyejë-a (me lye); fryjë-a (me fry);

ç) nga foljet më –Aj: mbajë-a (me mba-jë!),  vrajë-a (me vra), çajë-a (me ça) si dhe dhajë- (me dha (-në!)), prajë-a (me pra), xajë-a! (me (n)xa-në!)) e ndonjë tjetër. (Të dyja rastet e fundit dhe lyejë-a i ndeshim të shënuara në Fjalorin e M. Elezit);

d) nga foljet më -Oj, që në burime të caktuara ndeshëm numër të konsiderueshëm, po theksojmë:

1) Në FShS (2002):

ankojë-a (me u ankue), barojë-a (me barue!), blirojë-a (me blirue), blojë-a (me blue), cirkojë-a (me cirkue), çepojë-a (me çepue) çojë-a (me çue), drojë-a (me drue), gëzhojë-a (me gëzhue!), gjatojë-a (me z/gjatue), kalojë-a (me kalue),  kojë-a koje-a (me kue), lëkojë-a (me lëkue) lëshojë-a (me lëshue), lojë-a (me lue), mbijetojë-a (me mbijetue), mbulojë-a (me mbulue), mburojë-a (me mburue), mëngojë- (me mëngue), ndërrojë-a (me ndërrue) pengojë-a (me pengue),  peshojë-a (me peshue),  përvojë-a (me përvue!), rojë-a (me rue), rrojë-a I (me rrue), rrojë-a II (me rrnue), rrallojë-a (me rrallue), rrethojë-a (me rrethue), rrënojë-a (me rrënue), rrjedhojë (me rrjedhue!), shkrojë-a (me shkrue), shpojë-a (me shpue), shtojë (me shtue), shtrojë-a (me shtrue), pastaj: katralojë-a, pararojë-a,  praparojë, radiolojë-a - gjithsej afro 40 shembuj;

2) Në Fjalorin e fjalëve të reja të Ali R. Berishës, (Klinë 2006) hasëm:

akullojë-a (me akullue), dallojë-a (me dallue), ashtërojë-a (me ashtërua a me ashtnue), kundër/lojë-a (me lue), ngatërrojë-a, (me ngatërrue) sukrojë-a (me sukrue), shtërrojë- (me shterue), rrjedhojë-a (me rrjedhue!) –gjithsej  8 raste.

3) Në Fjalorin  e Mehmet Elezit (Fjalor i gjuhës shqipe,Tiranë, 2006) volëm këta emra:

arnojë-a (me arrnue), barabnojë-a (me barabnue), bistojë-a (me bistrue), butojë-a (me butue), çetojë-a (me çetue), çojë-a (me çue),  drojë-a (me drue), frika/drojë-a (me drue),  kërcojë- (me kërrcue), lëkojë-a (me lëkue), lagojë-a (me lague!), gjojë-a (me gjue), mësojë-a (me mësue), thellojë-a (me thellue), kthjellojë- (me kthjellue), shkrojë-a (me shkrue), kullojë (me kullue). shkullojë-a (me shkullue), shkurtojë-a (me shkurtue), shpojë-a (me shpue), qirojë-a (me qirue), blojë-a (me blue), mengojë-a (me mengue), projë-a (me prue) ylltojë-a (me ylltue) – gjithsej  27 shembuj;

4) Në burime të tjera na ranë në sy shembujt si:

ngallojë-a (me ngallue). rrotojë-a (me rrotue), rrotullojë (me rrotullue, pengojë (me pengue), rrnojë, (ne rrnue), dojë-a  (nga due, me dashtë!), pasojë-a (me pasue!), qëndrojë (me qëndrue), shkojë-a (me shkue), vezullojë-a (me vezullue), shkurtojë-a (me shkurtue, palojë-a (me palue), e kështu me radhë.

 

Në të vërtetë ne nuk e pamë të arsyeshme me shënue raste të tjera, ngase mendojmë se shembujt e mësipërm që kalojnë dukshëm 80-shin dhe i afrohen 100-shit, mjaftojnë sa për të arritur ne përfundimin se edhe nga  pjesoret e foljeve vokalike më –Oj e të tjera, që nga lashtënia, janë formuar emra sipas mënyrës a modelit të ashtuquajtur emërzimi pandajshtesor i pjesoreve me –Ë fundore.

Nga burimet  përkatëse që konsultuam dhe nga vetë konteksti që po na imponohet mund të thuhet, se mënyra e tillë emërformuese e emrave më –OJË përforcohet tërthorazi edhe nga disa shembuj të tjerë për të cilët, mund të konstatohet lehtë, se emri më –OJ/Ë ka shërbyer a shërben si temë prodhuese fjalëformuese për emërtimin e një gjë-sendi, përdorëseje a të një mjeti konkret, si p.sh. gavllojcë, kullojsë-a a kullojcë-a, lëmojsë, lëshojsë, shartojcë, shtrojsë, rrëmojse; lëshojcë; qirojsë, shtrëngojcë, shtojcë, shpojcë, rrënojcë, ngarkojcë, teprojcë  etj. - numri i tyre del mjaft i madh, për mos me thënë, sipas gjedhes, i pakufizuar, ngase modeli emërformues me prapashtesat përkatëse (-së a –cë) është fort i pranueshëm dhe i pranishëm në strukturën fjalëformuese të emrave femërorë të gjuhës sonë popullore, por nuk mungojnë rastet edhe në atë letrare. Sidoqoftë, edhe këta 15 shembuj, siç u tha, dëshmojnë qartë për ekzistimin e modelit të emërzimit pandajshtesor të pjesoreve të foljeve vokalike ashtu si edhe për ato konsonantike si b.f. idhcë, kapcë,  luhacë, krypcë, shpalcë, therrcë, mbathcë etj.

Ç’është e vërteta, te shembujt e tillë (nga foljet konsonantike) për shkak të homoformës pjesore/ emër nuk dallohet qartë përkatësia emër / pjesore si temë prodhuese, si p.sh. mbathcë-a vjen nga  temë-emri mbathë-a apo nga pjesorja e shkurtër mbathë (me mbathë mbathur), ndërsa tek emrat më –OJË, një tejdukshmëri e tillë del shumë e qartë. Bie fjala, tema e emrit  shpojcë është shpojë+-CË  shpojCË, Në raste të tilla si rregull në fjalëformim -Ë-ja fundore bie. Gjithsesi, edhe pse asociacionon në gjendjen e sotme, emrat e tillë nuk janë krijuar nga e tashmja e dëftores mbath ose shpoj, sepse modeli emërformues nuk vjen nga e tashmja, por vjen i formëzuar në kontinuitet (pandërprerë) që nga lashtënia si prejpjesor pandajshtesor qoftë mbi temë të foljes konsonantike, qoftë të asaj vokalike.

Po shtojmë edhe një fakt tjetër se edhe rastet  e emrave më -ujë fundore të regjistruara nga M. Elezi, por që mund t’i ndeshim edhe në burime të tjera, si: çartujë (me çartue),  lëshujë (me lëshue), thacujë (me u thacue), thatujë (me u thatue), thadrujë (me thadrue) tharbcujë-a (me u tharbëcue),  vetmujë-a (me vetmue), zekujë-a (me zezkue!),  zeshkujë-a (me zeshkue), zhigujë (me zhigue) etj., mund të thuhet pa drojë se burojnë po ashtu nga foljet më O/j (-*ONj), sigurisht të krijuara në mjedise, ku del i asimiluar diftongu ueu. Lidhur me këtë mendojmë se fjalë-koncepteve të tilla do t’u shtohej jetëgjatësia në mënyrë të përligjshme dhe më motivueshëm, nëse atoi bashkohen shtratit model të grupit të prejpjesorëve, përkatësisht, nëse inkorporohen në klasën e foljeve me formantin –oj/ë të  letrarishtes, siç u përmend më sipër, si b.f. çartojë-a (me çartue), thadrojë (me thadrue  e kështu me radhë e jo çartujë-a, thatujë-a, sepse modeli anas më –OJË, është i pranuar në standard, ndërsa  formanti –ujë del i diskutueshëm.

Po përsërisim se, gjithsesi, shembujt e mësipërm nuk lënë kurrfarë dyshimi se  përveç emrave mbi bazë të foljeve konsonantike edhe emrat më –OJË, -IJË, -AJË  etj. mbi bazë vokalike të mos jenë formuar, apo jo, mbi bazë të pjesores përkatëse relativisht të hershme, të cilën me sa ditëm, u përpoqëm me e rindërtue.

Sido që ka qenë a ka me qenë, për ne është e rëndësishme dhe zgjon interes ecuria e veprimit a mënyra e formimit të emrave të tillë që do të thotë se po ajo mënyrë gjallon edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në të folme të caktuara dialektore, por vetëkuptohet, sipas afro 200 rasteve të diktuara në realitetin tonë të sotëm, shfaqet tashmë, siç u tha,si një model i  normëzuar, pa diskutim.

Ç’është e drejta, nga sa u paraqit më sipër, mund të nxjerrim përfundimin se fillimisht ky model emërformues (prejpjesorët pandajshtesorë), në përmasa të caktuara ekzistonte dhe ishte i gjallë e sadokudo aktiv, siç e thekson prof. Sh Demiraj, edhe për emërtimin e dukurive a veprimeve të caktuara abstrakte, sigurisht, para përftimit të asnjanësve të paranyjëzuar prejpjesorë ose, edhe më me siguri, para formimit a masivizimit të prejpjesorëve prapashtesorë me –IM e –JE. Atë që u përpoqëm me shprehë kalimthi, pak më sipër, po e përforcojmë edhe paksa. Me sa dihet, sipas rregullit të gjithë emrat prejpjesorë, si prejfoljorë që janë, pra, pasi kanë bazë foljore, është afërmendsh që fillimisht të shprehnin një veprim të caktuar të përafërt ashtu siç e motivon edhe vetë tema e qartë fjalëformuese foljore, e cila (folja), siç dihet, si kuptim themelor ka, në vështrimi të gjerë: të shprehurit e një procesi të veprimit të caktuar ose një gjendje a të qenë, proces ky që lidhet në radhë të parë me fushën e abstraksionit, por pa përjashtuar edhe elemente të fushës së konkretizimit. Prandaj edhe të gjithë prejfoljorët, pra edhe prejpjesorët pandajshtesorë, ashtu si edhe prejfoljorët e tjerë, në radhë të parë, si destinim të vetin duhet të kenë: me mbulue nocionin që ndërlidhet me veprimin përkatës. Nga kjo që thamë del qëllimi që sadopak ta arsyetojmë mendimin e lartcituar të prof. Sh. Demirajt. Pra kur është fjala për të njëjtin koncept veprimi, vërtet, prejpjesorët pandajshtesorë do të jenë zmbrapsur normalisht nga konkurrenca më e fortë e ushtruar, qoftë njëherë nga asnjanësit e paranyjëzuar, qoftë më vonë nga prejpjesorët prapashtesorë, siç e thotë ai, sepse në konkurrencë fiton ajo formë gjuhësore që ka më shumë fuqi shprehëse, ajo që ka më shumë mbështetje nga struktura përkatëse fjalëformuese ose edhe ajo që del zakonisht më e re e atraktive dhe e specifikuar për konceptin e caktuar sipas stilit përkatës funksional. Prandaj në këtë kuptim konstatimi i prof. Shaban Demirajt mund  të arsyetohet se emrat e tillë janë zmbrapsur a zëvendësuar, pra vetëm për konceptin e caktuar të veprimit abstrakt që mbulonte mbase deri atëherë, por kjo nuk nënkupton mënjanimin e tyre nga arena për kuptimësi të tjera të përafërta në kuadër të strukturës a sistemit përkatës. Pra, po përsërisim se konstatimi i tillë duhet kuptuar a interpretuar vetëm në raste të tilla, kur është fjala  për një koncept të njëjtë të specifikuar, përndryshe, siç u tha, me marrë si konstatim të prerë përgjithësues mbeturinor, realiteti i sotëm konstatimin e tillë e nxjerr fort të pambështetur. E thamë se prejpjesorët pandajshtesorë nuk u rrëgjuan as që u larguan nga skena e strukturës emërformuese, ashtu si edhe prejpjesorët e tjerë, por njëherë një pjesë e tyre e pastaj pothuajse shumica e tyre u priren ose kaluan në një fushë tjetër, njëherë jo aq të largët semantike, që lidhet sadokudo me rezultatin e veprimit përkatës, por që gjithsesi mund të ketë më shumë elemente që takojnë fushës së konkretizimit, sipas nënfushave përkatëse të lloj-llojshme që i ka ravijëzuar ajo fushë në gjirin e vet: rezultate veprimi, mjete pune, vend etj. Këtë të vërtetë që sapo e ricekëm e përmendin, siç e pamë, edhe Xhuvani-Çabej, ashtu edhe prof. E. Hysa e të tjerë. Prof. E. Çabej në një studim të veçantë të tij, veç tjerash, këtë ndërrim të nënfushës semantike e ka ritheksuar mjaft qartë duke e ilustruar edhe me ndonjë shembull të ri, me fjalët: “disa emra foljorë me –Ë të gjuhës popullore nga emra veprimi dhe abstraktë janë zhvilluar në emra konkretë, si blojë, çelë, dalë, hjedhë, kullotë, mbathë, mbulojë, rrënojë, shtrojë etj.” (Shih Studime gjuhësore. VII, f. 209). Pra del e veçanta se emrat prejpjesorë pandajshtesorë sigurisht, siç e thamë edhe ne, nga shtytja konkurruese nga “emra veprimi dhe abstraktë” paskan kaluar në emra konkretë. Pra ky plotësim i mungon konstatimit të prof. Sh. Demirajt. Po kjo çështje shpjegohet mjaft mirë e pak më në hollësi edhe nga prof A. Kostallari, mendimin e të cilin po e paraqesim tash fill.

Prof. Androkli Kostallari, si një vrojtues i hollë i zhvillimit të gjuhës letrare, në kuadër të  sipropagandës së bardhë që praktikonte, jo pa të drejtë, rreth“prirjes për njësim të mëtejshëm të sistemit të gjuhës letrare kombëtare”, duke theksuar se sistemi i kësaj gjuhe, po forcohet e përsoset më tej, duke e zgjeruar bazën e tij territoriale e shoqërore, natyrisht, duke u bërë njëkohësisht “edhe rrafshimi e plotësimi i mëtejshëm i normës në të gjitha nënsistemet e strukturat ... gramatikore, leksikore e fjalëformuese” të letrarishtes kombëtare, prek, pak më gjithanshëm se të tjerët, pikërisht edhe çështjen e prejpjesorëve pandajshtesorë me këto fjalë:

Gjithashtu në Fjalorin e 1980-ës bëhet e përgjithshme prirja e shfaqur mjaft qartë edhe në Fjalorin e 1954-ës për të pranuar si normë morfologjike trajtën me –Ë për një varg emrash foljorë (që në variantin letrar verior përdoreshin edhe me –E): blojë-a, blejë-a, fryjë-a, kullojë-a, mburojë-a, shtojë-a, rrjedhojë-a, drojë-a, rojë-a etj....Kalimi e përqendrimi i klasëve të fjalëve të lartpërmendura tek tipi tokë-a (-a-t),

me sa duket lidhet edhe me ngulitjen e këtij tipi në gjuhën letrare si tip themelor  për emrat e gjinisë femërore.

Dhe, kështu profesori i nderuar pasi gjen arsyetim historik, territorial e shoqëror me faktin se edhe Komisia Letrare e Shkodrës (1917) kishte pranuar shkrimin e këtyre fjalëve me –Ë fundore si normë drejtshkrimore  dhe morfologjike (me shembujt: bindë-a, dhimbë-a, mundë-a, tandë-a – plotësimi ynë n.v.), si dhe në konstatimin e Xhuvani Çabejt, me të cilët  pajtohet  plotësisht se forma e tillë e emrit ka dalë nga  trajta e shkurtër  e pjesores me –Ë,  e përplotëson konstatimn e tyre  rreth shumimit me këtë përkufizim:

“ky takim me tipin e emrave femërorë më –Ë jo vetëm, i bëri prodhimtare këto forma, por i ka lidhur ato edhe morfologjikisht me paradigmën përkatëse(Shih: Studime mbi leksikun ... III  f. 54).

Dhe pak më poshtë në të njëjtën analizë, duke vazhduar me trajtimin e procesit të rrafshimit, përsëri  i zë në gojë format e tilla, madje duke i marrë edhe si shembull:

“Prirje të tilla rrafshimi në ndikimin e njësimit (të normës së shqipes letrare kombëtare n.v.) vihen re edhe tek emrat  foljor të veprimit. P.sh. për emrat e formuar nga foljet me temë më bashkëtingëllore në dialekte ... në të folmet e gegërishtes  veriore dhe më rrallë edhe në të folmet e toskërishtes është përdorur  prapashtesa –Ë (ikë-a, veshë-a, dekë-a,  rrjedhë-a, kullosë-a, kullotë-a etj. ... Sot është bërë një rrafshim i gjerë... Formimet me –Ë  tani përdoren zakonisht jo si emërtime të procesit të veprimit po për të shënuar vendin ose rezultatin e veprimit e diçka tjetër. Krhs. p.sh.  rrjedhën e poshtme të Matit, rrugë me dredha, hedhat e gurit etj. (Shih Aty f. 64)

 

Pra, edhe nga sa u tha del se nuk qenkan pasivizuar prejpjesorët pandajshtesorë po duke qenë të zbrapsur nga konkurrenca për konceptin e veprimit përkatës kanë kaluar në fushë tjetër semantike, njëherë jo aq të  largët për rezultatin e veprimit e pastaj edhe për koncepte “vendi e të diçkaje tjetër”, siç u tha, ku gjallojnë, pra, shëndetshëm edhe sot e kësaj dite, ndërsa fushën abstrakte a emërtimin e veprimit që e shprehnin a mund ta kenë shprehur fillimisht, pjesërisht ose plotësisht ata (prejpjesorët pandajshtesorë), e shprehin tani me konkurrencë të fituar prejpjesorët e tjerë.

Siç mund të vërehet arsyetimi i prof. Kostallarit bëhet në mënyrë paksa më të hollësishme dhe gjithsesi më profesionale, shikuar nga terminologjia e standardit të sotëm. Ndër të tjera vihet re se si ai e plotëson kuptimësinë e të thënit nga Xhuvani-Çabej, duke e ilustruar me trajtën përfaqësuese të emrave femërorëve të ngulitur me shembullin: tokë-a, ngase, vërtet, si tip themelor i femërorëve nuk është tipi me mbaresë zero të shumësit, tipi punë punët, po ai me mbaresën –a, tipi tokë toka-t, ashtu siç e kanë zhvillimin edhe emrat e nëntipit të prejpjesorëve në fjalë: shtrojë shtrojat, pritë pritat, rritë-a rrita-t etj. ose shembujt që i heton vetë ai: rrjedhë rrjedhat, dredhë dredhat, hedhë hedhat e kështu me radhë, tip ky ku përfshihen, pra, shumica e emrave femërorë, pra edhe prejpjesorët pandajshtesorë, të cilët, siç e thotë, ai ”lidhen morfologjikisht me paradigmën përkatëse”.

Nga sa u tha më sipër arritëm në përfundimin a synimin që kishim se emërzimi pandajshtesor i pjesoreve i përftuar nga nevoja që në thellësi të kohës paradokumentuese të gjuhës sonë me gjasë për të shprehur kryesisht nocione të veprimit, ndërkohë nga konkurrenca me prejpjesorë të tjerë sinonimikë, nuk u pasivizua, por gjeti veten më fort në fushën e konkretizimit, duke u profiluar  kryesisht për emërtimin dukurive e të gjë-sendeve konkrete.  Kur është fjala te format e tjera sinonimike, në radhë të parë kemi parasysh dy tipat e prejpjesorëve që i përmend prof. Sh. Demiraj: prejpjesorët e paranyjëzuar asnjanës dhe emrat prejpjesorë  prapashtesorë, zakonisht me prapashtesat –IM dhe –JE konstatojmë bindshëm se të tre këta tipa, pa i përjashtuar prejfoljorët e tjerë, në shqipen e sotme bashkëjetojnë në mënyrë të harmonishme, natyrisht pa e përjashtuar konkurrencën lojale. Në të vërtetë, në gjendjen e sotme mund të thuhet se ata i kanë ndarë pothuajse atavikisht nënfushat semantike. Kështu, po themi, ngase nga një vështrim mjaft të hollësishëm, që ia kemi kushtuar çështjes në shqyrtim (E kemi në dorëshkrim), kemi arritur në përfundimin se treshja e cekur e prejpjesorëve, vërtet, bashkëjeton, duke i ndarë nënfushat semantike, si vijon: prejpjesorët pandajshtesorë, u pozicionuan dhe dalin të specifikuar për të mbuluar kryesisht dukuri e gjësende konkrete, asnjanësit e paranyjëzuar më tepër janë specifikuar për majat më të larta të fushës së abstraksionit, për të shprehur konceptin e veprimit përkatës me një shtrirje të lehtë përgjithësimi të vetë nocionit, ndërkaq prejpjesorët  prapashtesorë  me –IM e –JE dalin, si të thuash, të specializuar pikërisht për të shprehur nocionin e veprimit përkatës, d.m.th.  procesin e veprimit ose gjendjen e të qenit, duke respektuar veprimin e foljes përkatëse që e motivon si temë fjalëformuese atë proces..

Prandaj, po përfundojmë me kërkesën që në normën e sotme letrare prirja e mësipërme e shprehur për treshen sinonimike të prejpjesorëve në fjalë duhet jo vetëm të vlerësohet e të kuptohet drejt, por edhe të sendërtohet, duke e respektuar si duhet specifikimin e tyre sipas nënfushave përkatëse semantike që mbulojnë a priren të mbulojnë. Në këtë kontekst, kërkohet e ngulmohet që në mënyrë të veçantë të veprohet me kujdes edhe ndaj prejpjesorëve pandajshtesorë. Themi kështu sepse, s’duam të ndodhë edhe më, që emrat e tillë, jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe nga fjalorhartuesit e caktuar, të cilët nga keqkuptimi i normës letrare, duke shprehur rezervë a kundërshti hipersubjektive ndaj pjesores së shkurtër a paskajores së mirëfilltë me + pjesore (gjoja të gegërishtes e jo të gjuhës shqipe siç është), jo rrallë i anashkalonin pandajshtesorët, qoftë duke mos i përdorur fare, duke mos i shënuar ose duke i shënuar, por gjithnjë nën hijen e  prejpjesorëve të tjerë, gjoja se prejpjesorët pandashtesorë, duke qëndruar nën hijen e tyre dhe mund të zëvendësoheshin plotësisht prej tyre(!). Lidhur me këtë vërejtja e prof. E. Hysës është shumë me vend.

Pra, tashti lypset ndërgjegjësim i esëllt e i sinqertë, edhe rreth kësaj çështjeje, ashtu si edhe për disa të tjera, të cilat kanë dalë e po dalin në shesh dhe po shtrohen me plot të drejtë në tryezën e diskutimeve të ekspertëve përkatës për t’u zgjidhur institucionalisht..

Sido që të jetë, shpresojmë se me këtë paraqitje ia kemi arritur qëllimit, ngase pas kësaj analize opinioni do ta ketë më të qartë çështjen  rreth prejpjesorëve pandajshtesorë si nga ana formale ndërtimore, ashtu edhe nga ana semantike dhe do të shtohet përkujdesja institucionale për respektimin e  identitetit të tyre.

 

      P ë r f u n d i m

 

        Në përmbyllje  të kësaj analizë mund të nxjerrim këto përfundime:

 

        1. Lindja e prejpjesorëve pandajshtesorë është mjaft e hershme. I takon periudhës paradokumentuese. Është formë paraprise e mozaikut të prejpjesorëve të tjerë, të paranyjëzuar e të paparanyjëzuar. E veçanta e emrave të tillë, mund të përmblidhet në këto dy fakte: e para, kemi të bëjmë me emërzimin me konversion të pjesores së shkurtër edhe e dyta, që nga lashtënia pikërisht ky emërzim i pjesores së shkurtër në kontinuitet paska pasur shtrirje përdorimi në të dy dialektet, ndonëse në gegërishte më tepër se në toskërishte.

2. Nga analiza u vërtetua se prejpjesorët pandashtesorë nuk janë formuar vetëm mbi pjesoret e foljeve me temë në bashkëtingëllore tipi: sosë-a, lypë-a etj. por edhe mbi bazë të pjesores së foljeve në temë me zanore, tipi shpojë-a, shtrojë-a, lojë-a etj., dëshmi kjo, e cila u ilustrua edhe me skemën e rindërtuar të emrave të tillë.

3. Drejtshkrimisht format e emrave të tillë dalin të fuqizuar edhe me kodin e shqipes së sotme letrare pa kurrfarë problemi, edhe pse, siç u cek, dalin të formuar mbi bazë të pjesores së shkurtër të ish shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes.

4. Ndonëse edhe prejpjesorët pandajshtesorë si prejpjesorët e tjerë, si prejfoljorë që janë, fillimisht kanë lindur për të mbuluar nocione abstrakte që lidhen me emërtimin e veprimeve të caktuara, ashtu siç motivohen nga tema e foljes përkatëse temëprodhuese, ndërkohë, pas krijimit të prejpjesorëve të tjerë, sidomos të asnjanësve të paranyjëzuar si dhe prejpjesorëve prapashtesorë me –IM dhe -JE në konkurrencë e sipër të tre tipat në fjalë arritën të bashkëjetojnë, duke i ndare pak a shumë atavikisht nënfushat semantike. Kështu prejpjesorë pandajshtesorë kaluan a priren të kalojnë pothuajse të gjithë në fushën e konkretizimit, prejpjesorët  asnjanës u pozicionuan në paraqitjen e konceptit të veprimit, ndërsa prejpjesorët prapashtesorë u specifikuan  në emërtimin e veprimit përkatës, prandaj kërkohet që në burimet normëzuese e sidomos në fjalorët përshkrues normativë të shqipes së sotme letrare kombëtare, nënfushat e tilla semantike për shembujt e tillë të respektohen. Kërkohet gjithashtu në mënyrë të veçantë që të shtohet kujdesi lidhur me përdorimin e prejpjesorëve pandajshtesorë.

Sidoqoftë, në këtë punim del më  qartë se kudo tjetër si ana formale ndërtimore e prejpjesorëve pandajshtesorë, ashtu si edhe semantika e tyre.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: